Parimi I Sigurisë Juridike-Elsa Toska Dobjani M.A.

Nga jurisprudenca dhe doktrina tashmë është pranuar se një nga aspektet themelore të shtetit të së drejtës është dhe parimi i sigurisë juridike. Nëpërmjet këtij artikulli jam përpjekur të prezantoj një pjesë të jurisprudencës së Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut (më poshtë « GJEDNJ » ose «Gjykata Europiane » ) si dhe jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese (GJK) mbi trajtimin e këtij parimi, si një parim i debatueshëm dhe në zhvillim e sipër drejt një standardi gjithmonë e më të konsoliduar të tij.  Parimi i sigurisë juridike dhe pritshmërive të ligjshme mund të gjendet në të gjitha sistemet ligjore të shteteve anëtare të Bashkimit Europian, megjithëse konteksti ligjor i saktë i tyre mund të ndryshojë nga njëri sistem në tjetrin. Këto koncepte janë aplikuar në një numër të madh kontekstesh dhe të ndryshëm nga njëri – tjetri, dhe është e rëndësishme t’i dallosh ato, në mënyrë që të shmanget konfuzioni.  Megjithatë më poshtë do të prezantoj ato elementë (inkorporuar brenda vendimeve gjyqësore), të cilët përfaqësojnë disa nga aplikimet më të qarta të këtij parimi.

2. Jurisprudencë e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut

Në çështjen  Ryabykh kundër   Rusisë,   Gjykata Europiane është  shprehur   se “…e drejta për t’u dëgjuar  para një gjykate, e garantuar nga neni 6, § 1 i Konventës duhet të interpretohet nën dritën e Preambulës  së  Konventës,  e  cila  sanksionon  shtetin  e  së  drejtës  si  trashëgimi  të  të  gjithë  shteteve kontraktuese të Konventës. Një nga aspektet themelore të shtetit të së drejtës është parimi i sigurisë juridike, i cili kërkon, mes elementëve të tjerë, se kur një gjykatë vendos në mënyrë përfundimtare një çështje, ajo nuk duhet të vihet më në diskutim… » .Po kështu në çështjen Sovtransavto Holding kundër  Ukrainës,  Gjykata Europiane është shprehur   se :  “…sistemi gjyqësor i karakterizuar nga procedura ankimi dhe për rrjedhojë nga rreziku i të vënit mënjanë vendimet gjyqësore të formës së prerë, sikundër në rastin konkret,  janë si të tilla të papajtueshme me parimin e sigurisë juridike, si një nga aspektet kryesore  të shtetit të së drejtës për qëllimet e nenit 6, § 1  të Konventës .. ”.Po kjo gjykatë parimin e  sigurisë juridike e ka parë dhe në këndvështrim të parimit të gjësë së gjykuar. Në çështjen Macovei dhe të tjerë kundër Moldavisë, ajo është  shprehur se : « …parimi i sigurisë juridike presupozon  respekt për parimin e res judicata (gjë e gjykuar), që është parim i gjykimeve përfundimtare. Ky parim kërkon që asnjë palë të mos legjitimohet  të kërkojë rishikimin e një vendimi   të formës së prerë të detyrueshëm për zbatim, vetëm me qëllimin   për të pasur një ridëgjim dhe një përcaktim apo mbyllje të ndryshme të çështjes nga vendimi i parë përfundimtar…”. Gjykata Europiane edhe kur ka ndryshuar jurisprudencën e saj, është ndalur tek ky parim dhe rrezikshmëria që ai paraqet në rast se nuk kuptohet si duhet në kompleksitetin e çështjes në diskutim dhe elementët konkurrues me të.  Në çështjen Vilho Eskelinen dhe të tjerë kundër Finlandës (vendim i cili ndryshoi praktikën e vendosur me çështjen Pellegrin kundër Francës) ajo ka theksuar se: “…ndërkohë është në interesin e parimit të sigurisë juridike, se gjykata nuk duhet të niset, pa një arsye të llogjikshme dhe të mirë nga precedentët e mëparshëm, sepse një dështim nga gjykata për të mbajtur qëndrim dinamik dhe evolutiv do të rrezikonte ta bënte atë një pengesë për reformat ose përmirësimin e sistemit”.Në çështjen Driza kundër Shqipërisë, Gjykata Europiane rithekson se, siguria juridike presupozon zbatimin e parimit të gjësë së gjykuar që është dhe parimi i përfundimit të gjykimeve. Një përjashtim nga ky parim është i  justifikuar vetëm kur është e domosdoshme, nisur nga rrethanat e një karakteri thelbësor dhe bindës të çështjes.

3. Analizë e parimit të sigurisë juridike sipas jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese

 Gjykata Kushtetuese ka një jurisprudencë të vonë në drejtim të parimit të sigurisë juridike. Elementë të tij kjo gjykatë, edhe pse të pashprehur literalisht,  i  ka  zbërthyer  në  vitin  2003.  Kështu      ajo sadopak  ka  shtjelluar  një  element  të  rëndësishëm  të  parimit  të sigurisë juridike, të drejtës së fituar, element të cilin më vonë dhe e ka  perceptuar  dhe  doktrinalizuar  si pjesë  të  parimit  të  sigurisë juridike me vendimin nr.17/2005, ku          është shprehurse: “…Kolegji Civil     i      Gjykatës     së    Lartë ka      pranuar   ne dhomë te këshillimit kërkesën për rishikim, duke shfuqizuar vendimet e mëparshme, pa i vënë në dijeni kërkuesit për një fakt të tillë, edhe pse këtyre të fundit u cënohet një e drejtë e fituar me vendim të formës së prerë. Është ndryshimi  i gjendjes juridike të krijuar,  shoqëruar me shkeljen e pretenduar të së drejtës për një proces të rregullt që i legjitimon kërkuesit    për    t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese në bazë të kërkesave të nenit 42 të  Kushtetutës  dhe nenit 6 të  Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut…”.

Po kështu Gjykata Kushtetuese, ka krijuar një praktikë të sajën që është në koherencë të plotë me jurisprudencën e GjEDNJ–së, lidhur me mosekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë nga organet e administratës publike si shkelje e parimit të sigurisë juridike, duke u shprehur se: “Ekzekutimi i vendimit përbën një element thelbësor të konceptit të shtetit ligjor e të vetë nocionit të gjykimit të drejtë”, dhe se “asnjë organ shtetëror nuk mund të verë në diskutim drejtësinë e vendimeve gjyqësore të formës së prerë. Çdo organ shtetëror detyrohet të marrë masat përkatëse për zbatimin e tyre. Ekzekutimi i vendimit të formës së prerë të gjykatës konsiderohet si faza  përfundimtare e realizimit  të një të drejte të fituar gjyqësisht.  Vetëm pas realizimit të kësaj faze mund të konsiderohet se individi e ka vendosur plotësisht në vend të drejtën e tij të fituar.Gjykata Kushtetuese e ka parë këtë parim në këndvështrim edhe të kërkesave për rishikim, si mjete procedurale të jashtëzakonshme ankimi parashikuar në nenet 494 e në vijim të Kodit të Procedurës Civile dhe 449 e në vijim të Kodit të Procedurës Penale. Me vendimin nr. 32/2005, Gjykata Kushtetuese është shprehur se: “Në rast se ndodhemi para një vendimi gjyqësor të mbështetur mbi shkelje, ai mund të riparohet nëpërmjet apelimit e rishikimit nga instancat gjyqësore që kanë të drejtë të riparojnë shkeljet e ndodhura. Kjo zgjidhje, e cila i shërben parimit të sigurisë juridike, ka si element të tij edhe moskrijimin e kushteve të tilla që mund të bëjnë të vështirë përfundimin e procesit gjyqësor ose, siç thuhet ndryshe, një sistem drejtësie pa fund” . Në vazhdimësi   me vendimin nr.25/2006, kjo gjykatë është shprehur   se: “…përcaktimi i afateve kushtetuese e ligjore në ushtrimin  e  të drejtës së ankimit,  përfshirë këtu edhe të drejtën e paraqitjes së kërkesës për rishikim, nuk është qëllim në vetvete, por është në funksion të parimit të rëndësishëm të sigurisë juridike, si një nga përbërësit themelorë të shtetit  të së drejtës. Ky element theksohet edhe në një sërë vendimesh të mekanizmave të ndryshëm ndërkombëtarë të krijuar për garantimin e të drejtave të njeriut”.Në drejtim të parimit  të ndalimit të fuqisë prapavepruese të ligjit  si element i parimit të sigurisë juridike,  GJK është shprehur se:  “Në fakt, ashtu si edhe në fushat e tjera të së drejtës, edhe në të drejtën penale, parim i përgjithshëm është ai i ndalimit të fuqisë prapavepruese të ligjit. Një gjë e tillë diktohet, para së gjithash, për shkak të  domosdoshmërisë së garantimit të stabilitetit dhe të sigurisë së marrëdhënieve juridike që vendosen ndërmjet subjekteve të ndryshme të së drejtës. Në rastin e ligjit penal, i cili si rregull kufizon lirinë individuale, është shumë e nevojshme që çdo qytetar të dijë paraprakisht kufijtë e lirisë së tij si dhe sanksionet që mund t’i vijnë për shkak të kapërcimit të këtyre kufijve. Ai nuk duhet të ndjejë për asnjë çast rrezikun që një ligj i ri penal që mund të  parashikojë si të dënueshëm një veprim apo mosveprim të caktuar ose që mund të rëndojë pozitën e tij si i pandehur, do të ketë në të ardhmen fuqi prapavepruese”.Po sipas kësaj gjykate, duke u dhënë akteve fuqi prapavepruese (rëndom dhe jo si përjashtim), sidomos në rastet kur aktet e reja sjellin efekte të pafavorshme për subjektet që preken prej tij, do të cënohet parimi i sigurisë juridike dhe, rrjedhimisht, do të shkelet parimi i shtetit të së drejtës.Parimi i sigurisë juridike është hulumtuar nga GJK si në drejtim të kërkesave individuale me objekt procesin e parregullt ligjor, por dhe në drejtim të shqyrtimit të akteve normative, (ligje apo akte nënligjore të Këshillit të Ministrave me karakter normativ) me objekt papajtueshmërinë e tyre me Kushtetutën. Çdo proces ku vihen në dyshim të drejtat e fituara nuk mund të konsiderohet se qëndron jashtë nocionit të “procesit të rregullt”, përderisa diskutohet e vendoset lidhur me këto të drejta të fituara. Prandaj, ky parim është i detyrueshëm të respektohet në të gjitha fazat e një procesi ku kërkohet të cenohen të drejtat e fituara dhe siguria juridike që rrjedh prej tyre.Me  vendimin  nr.31/2003,  ajo  është  shprehur  se:  “Gjykata  Kushtetuese  vlerëson  se  ky  ndalim  i parashikuar në Kodin Zgjedhor është në harmoni me parimin kushtetues të demokracisë përfaqësuese. Në këtë  aspekt,  në  qoftë  se  pas  shfuqizimit  me  referendum,  pjesa  e  mbetur  e  ligjit  nuk  do  të  ishte  e vetëmjaftueshme, atëherë do të krijohej vakuum ligjor, situatë kjo që e detyron ligjvënësin që edhe kundër dëshirës  së tij, të plotësojë këtë vakuum. Kjo situatë, në qoftë se do të përsëritej shpesh, do të cenonte parimin themelor të demokracisë parlamentare. Nga ana tjetër, ashtu siç konstatohet edhe në jurisprudencë, “në qoftë se ligjvënësi nuk reagon në përgjigje të vakuumit legjislativ, atëherë sistemi kushtetues nuk ofron ndonjë mjet efektiv, dhe kjo situatë  mund të çonte në një krizë në sistemin e demokracisë përfaqësuese. Gjykata  vlerëson  gjithashtu  se,  me  ndalimin  e  mësipërm,  ligjvënësi      ka  patur për qëllim  shmangien  e vakuumeve legjislative që është në mbrojtje të një parimi të rëndësishëm të shtetit të së drejtës, dhe pikërisht, të parimit të sigurisë juridike. Kushti që pjesa e mbetur e ligjit në rast të një referendumi shfuqizues të jetë e vetëmjaftueshme, i shërben qëndrueshmërisë së sistemit juridik” .Po kështu me vendimin nr.26/2005, Gjykata Kushtetuese është shprehur se: “Gjykata Kushtetuese konstaton se në pikën 1 të nenit 9 të ligjit nr. 9235, datë 29.07.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, ka shkelje me karakter konceptual, të cilat cenojnë parimin e sigurisë juridike si pjesë përbërëse dhe e rëndësishme e shtetit të së drejtës, garantuar nga nenet 15, 17 e 18 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë” .Referuar këtij vendimi, kuadri kushtetues për sanksionimin e shtetit të së drejtës në Kushtetutën tonë është i përcaktuar në nenet 15, 17 dhe 18 të saj, sipas të cilave:

1.   Të drejtat dhe liritë themelore te njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik.

2.   Organet e pushtetit publik, në përmbushje të detyrave të tyre, duhet të respektojnë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të kontribuojnë në realizimin e tyre.

1.   Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj për  një  interes publik ose për  mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve.  Kufizimi duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë.

2.   Këto kufizime nuk mund të cenojnë thelbin e lirive dhe të të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet te parashikuara në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

1.   Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit.

2.   Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, gjendja ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësia prindërore.

3.   Askush nuk mund  të diskriminohet  për  shkaqet  e përmendura  më lart,  nëse nuk ekziston një përligjje e arsyeshme dhe objektive”.

Ky kuadër kushtetues i ofruar më tepër është konsideruar nga GJK si kuadër i cili garanton shtetin e së drejtës, ndërsa përsa i përket parimit të sigurisë juridike, mendoj se është jurisprudenca e kësaj gjykate që i ka dhënë kuptim dhe interpretim këtij parimi jo të përcaktuar shprehimisht si i tillë në normat kushtetuese  apo akte të tjera juridike.

Me vendimin nr. 34/2005, Gjykata Kushtetuese është shprehur se: “…Një nga elementët më esencialë të  parimit  të shtetit të së drejtës është edhe ai i sigurisë juridike, i cili,  ndër të tjera ka si kërkesë të domosdoshme faktin që ligji në tërësi, pjesë apo dispozita të veçanta të tij, në përmbajtjen e tyre duhet të jenë të qartë, të përcaktuar dhe të kuptueshëm. Sigurisht që ato nuk mund të parashikojnë çdo rast që mund dhe duhet të lindë nga njohja dhe zbatimi i tyre në praktikë. Prandaj, në radhë të parë është detyrë e gjykatave apo organeve të tjera shtetërore e shoqërore, të ngarkuara me ligj, që mangësi të caktuara të një ligji t’i plotësojnë natyrshëm përmes interpretimit dhe zbatimit të tij në praktikë. Por që të realizohet një gjë e tillë, para së gjithash, ligji duhet kuptuar saktë dhe drejt. Prandaj duhet të dalë qartë qëllimi i hartimit të tij. Ai duhet të përcaktojë mjetet e ndërhyrjes, subjektet të cilëve u  drejtohet, raportet e caktuara të sjelljes dhe mënyrën e zbatimit të tij. Rezultati që synohet duhet të jetë i pritshëm dhe pasojat të parashikueshme për subjektet të cilëve u drejtohet  ligji në tërësi, ose dispozita të veçanta të tij” .Po kështu me vendimin nr.20/2006, ku kërkohej shfuqizimi i tre Vendimeve të Këshillit të Ministrave me cilësinë e akteve normative, të cilat përcaktonin kriteret e punësimit në administratën publike, mënyrat e shmangies së nepotizmit dhe ndikimit të pushtetit në karrierën dhe rekrutimin e personelit të administratës, GJK është shprehur se: “Parimi i shtetit të së drejtës ku mbështetet një shtet demokratik, nënkupton sundimin e ligjit dhe mënjanimin e arbitraritetit, me qëllim që të arrihet respektimi dhe garantimi i dinjitetit njerëzor, drejtësisë dhe sigurisë juridike. Disa nga elementet e shtetit të së drejtës që lidhen me objektin e këtij shqyrtimi kushtetues janë parimi i ndarjes së pushteteve, miratimi i ligjeve në përputhje me Kushtetutën, mbështetja e veprimtarisë së organeve ekzekutive vetëm në ligj, kontrolli i administratës, garantimi i të drejtave dhe lirive themelore dhe parimi i sigurisë juridike. Sipas doktrinës, praktikimi i një profesioni mund të kufizohet nga rregullime të arsyeshme që mund t’i atribuohen konsideratave të së mirës së përgjithshme. Situata ndryshon kur shteti drejtohet për të kontrolluar kushtet objektive të pranimit në një vend pune. Në këto raste, kufizimet janë të lejueshme vetëm në terma shumë të ngushta dhe të përcaktuara. Përgjithësisht, legjislatori mund të vendosë kushte të tilla vetëm kur ato nevojiten për të treguar rreziqe jashtëzakonisht shumë të mundshme për interesa të një rëndësie thelbësore të komunitetit:Gjykata Kushtetuese, duke afirmuar parimin e sigurisë juridike dhe të elementeve kryesore përbërës të saj, ka shkuar më tej nëpërmjet vënies në dukje të elementëve konkurrues me këtë parim. Interesi publik është një nocion  kushtetues i trajtuar  disa  herë nga  kjo gjykatë,  dhe sipas saj është një kriter  kushtetues i cili konkurron me sigurinë  juridike dhe prevalon ndaj tij.   GJK ka theksuar se: “…nëse paraqitet rasti që një rregullim ligjor ndryshe i një  marrëdhënieje ndikohet drejtpërdrejt nga një interes publik, me të gjithë elementet e tij thelbësorë, ky interes do të ketë natyrshëm përparësi ndaj parimit të sigurisë juridike.Gjykata Kushtetuese e ka gjetur me vend t’i referohet jurisprudencës së vet dhe të konsolidojë praktikën e saj, ku ka argumentuar se deri në çfarë mase siguria juridike, të drejtat e fituara, pritshmëria legjitime dhe besimi i qytetarëve te shteti, që bazohen te parimi i shtetit të së drejtës, do të përbëjnë mbështetje të fuqishme në funksion të ngritjes dhe të argumentimit të kërkesës për antikushtetutshmërinë e një norme ligjore.  Sipas saj, siguria juridike parakupton, veç të tjerash, besueshmërinë e qytetarëve te shteti dhe pandryshueshmërinë e ligjit për  marrëdhëniet  e  rregulluara.  Besueshmëria  ka  të  bëjë  me faktin  se qytetari  nuk  duhet  të  shqetësohet vazhdimisht për  ndryshueshmërinë dhe pasojat negative të akteve normative që cenojnë dhe përkeqësojnë një gjendje të vendosur me akte të mëparshme. Parimi kushtetues i shtetit të së drejtës do të konsiderohet i dhunuar, nëse mohohen ose shkelen siguria juridike, stabiliteti ligjor dhe mbrojtja e pritshmërive të ligjshme. Ligjvënësi nuk mund të përkeqësojë në mënyrë të paarsyeshme gjendjen ligjore të personave, të mohojë të drejtat e fituara ose të shpërfillë interesat legjitime të tyre. Për të kuptuar dhe zbatuar drejt këtë parim, kërkohet, nga njëra anë, që ligji në një shoqëri të ofrojë siguri, qartësi dhe vazhdimësi, në mënyrë që individët t’i drejtojnë veprimet e tyre në mënyrë korrekte e në përputhje me të dhe, nga ana tjetër, vetë ligji të mos qëndrojë statik nëse duhet t’i japë formë një koncepti, siç është ai i drejtësisë në një shoqëri që ndryshon me shpejtësi.   Gjykata Kushtetuese ka arritur në përfundimin se Kushtetuta nuk ndalon çdo ndryshim të një situate të favorshme ligjore. Kështu, në këtë drejtim, duhet parë në çdo rast se në çfarë mase dhe deri ku, besimi që ka qytetari në situatën e favorshme ligjore paraqitet i rëndësishëm për t’u mbrojtur nga normat dhe parimet kushtetuese si dhe cilat janë arsyet për një mbrojtje të tillë. Gjykata Kushtetuese ka pohuar se parimi i sigurisë juridike bashkëvepron edhe me parime të tjera si ai i shtetit social, i cili i siguron ligjvënësit një hapësirë të gjerë dhe të papërcaktueshme saktësisht për të rregulluar përfitimin e të mirave sociale në një masë dhe sasi të caktuar.  Jo çdo masë me efekte negative që merr ligjvënësi për subjektet e ligjit është cenim i një të drejte të garantuar me Kushtetutë. Ligjvënësi jo vetëm që ka të drejtë, por është i detyruar të rregullojë nëpërmjet akteve të veta me hollësi të drejtat e parashikuara në Kushtetutë. Vetëm ato të drejta, të cilat janë parashikuar si shprehimisht të pakufizueshme, nuk është e mundur të preken nga ligjvënësi.

4. Standarde kushtetuese të parimit të sigurisë juridike

Nisur nga sa më lart, mund të evidentojmë këto elementë apo tipare të parimit të sigurisë juridike të zbërthyera nëpërmjet jurisprudencës së GJK:

a.  Siguria   juridike       presupozon besueshmërinë    e        qytetarëve   te shteti dhe pandryshueshmërinë e ligjit për marrëdhëniet e rregulluara. Besueshmëria ka të bëjë me faktin se qytetari nuk duhet të shqetësohet vazhdimisht për ndryshueshmërinë dhe pasojat  negative  të  akteve  normative  që  cenojnë  dhe  përkeqësojnë  një  gjendje  të vendosur me akte të mëparshme.

b.   Parimi i sigurisë juridike, ka si element të tij edhe moskrijimin e kushteve të tilla që mund të bëjnë të vështirë përfundimin e procesit gjyqësor ose, siç thuhet ndryshe, një sistem drejtësie pa fund.

c.       Parimi i sigurisë juridike, ka si kërkesë të domosdoshme faktin që ligji në tërësi, pjesë apo dispozita  të veçanta  të tij,  në përmbajtjen e tyre duhet të jetë I qartë, i përcaktuar  dhe i kuptueshëm.

d.   Parimi i sigurisë juridike kërkon që vendimet gjyqësore të formës së prerë të gjykatave të mos vihen në diskutim për t’u zbatuar.

e.       Përcaktimi i afateve kushtetuese e ligjore në ushtrimin e të drejtës së ankimit, përfshirë këtu edhe të drejtën e paraqitjes së kërkesës për rishikim, nuk është qëllim në vetvete, por është në funksion të parimit të rëndësishëm të sigurisë juridike.

f.        Parimi i sigurisë juridike është një nga përbërësit themelorë të shtetit të së drejtës.

g.  Ligjvënësi nuk mund të përkeqësojë në mënyrë të paarsyeshme gjendjen ligjore të personave, të mohojë të drejtat e fituara ose të shpërfillë interesat legjitime të tyre.

h.  Parimi i sigurisë juridike bashkëvepron edhe me parime të tjera si ai i shtetit social, i cili i siguron ligjvënësit një hapësirë të gjerë dhe të papërcaktueshme saktësisht për të rregulluar përfitimin e të mirave sociale në një masë dhe sasi të caktuar.

i.Nga parimi i sigurisë juridike mbrohen jo vetëm të drejtat dhe liritë themelore të njohura dhe të sanksionuara në Kushtetutë, por edhe të drejtat subjektive materiale të individëve të njohura nga ligje të zakonshme.

j.Shmangia e vakuumeve legjislative është në mbrojtje të parimit të sigurisë juridike.

k.  Interesi publik prevalon përpara parimit të sigurisë juridike.

l.Parimi i shtetit të së drejtës ku mbështetet një shtet demokratik, nënkupton sundimin e ligjit dhe mënjanimin e arbitraritetit, me qëllim që të arrihet respektimi dhe garantimi i dinjitetit njerëzor, drejtësisë dhe sigurisë juridike.

m.  Siguria  juridike,      si       koncept       kushtetues, përfshin      qartësinë,kuptueshmërinë          dhe qëndrueshmërinë e sistemit normativ.

n.   Duke u dhënë akteve fuqi prapavepruese (rëndom dhe jo si përjashtim), sidomos në rastet kur aktet e  reja sjellin efekte të pafavorshme për subjektet që preken prej tij, cenohet parimi i sigurisë juridike.

5. Konkluzione

Nga studimi i jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese mund të konkludohet për një ekzistencë të qenësishme të parimit të sigurisë juridike (legal certainty) me 3 komponentë të evidentuar të tij: (i) pritshmëritë e ligjshme (legitimate expectations); (ii) interesat legjitime (legitimate interest); (iii) të drejtat e fituara (acquired/vested rights), por që sigurisht këto të fundit si dhe komponentë të tjerë të tij do të zhvillohen dhe konsolidohen më tej në të ardhmen.

BIBLIOGRAFIA

1.   Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë;

2.   Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore;

3.   Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese (1992-2008);

4.   Jurisprudenca e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut;

5.   Website i Gjykatës Kushtetuese;

6.   Website i Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut;

7.   Schwarze. J; “Europian Administrative Law” 1992;

8.   Craig. Paul; De Butca Grainne; “EC LAW” Text, Cases & Materials. Clarendon Press Oxford.

Marre nga   Revista Juridike “Jeta Juridike” 2008

Shënim I Stafit I DrejtesiaShqiptare.com:

E drejta e autorit mbetet i  autorit të punimit . Opinionet e shprehura  dhe studimet  juridike  e publikuara në këtë Website janë të autorëve përkatës  qe I kane shkruar ato. Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi në qoftë se  shkrimi është upload-uar pa lejen e autorit.Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi për pikëpamjet, vërtetësinë e informacionit që përmbajnë artikujt që publikon dhe shkeljet e se drejtës së autorit.Kushdo që ka ndonjë ankese  rreth  së  drejtës  së autorit ne publikimet e ketij website,  është I lutur  te dërgoje një email  tek kontakt@drejtesiashqiptare.com.  Ne do ta  shqyrtojmë me përgjegjesi ankesën dhe do ta heqim menjëherë shkrimin.Për  të mos arritur deri aty,ju lutem respektoni  të drejtën  e autorit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

seven + 2 =

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Powered by WordPress | Designed by: Dog Groomer | Thanks to Assistant Manager Jobs, Translation Jobs and New York Singles