Parimet Kushtetuese Dhe Roli I Gjykatës Kushtetuese Në Mbrojtje Të Tyre- Denar Biba

Për një kohë tepër të gjatë të historisë së njerëzimit, sunduesit dhe ligji ishin sinonime – pasi ligji ishte thjesht ai çfarë dëshironte të ishte sundimtari. Përpjekja e parë domethënëse për t’iu larguar kësaj tiranie ishte prezantimi i termit të sundosh përmes ligjit, gjë që nënkuptonte se edhe sunduesi ishte nën ligjin dhe se ai duhej të sundonte përmes tij. Demokracia, si mënyrë e organizimit të shtetit dhe e shoqërisë shkoi përtej kësaj, duke vendosur sundimin e ligjit. Parimi i sundimit të ligjit (alias Shteti i së Drejtës) është një nga gurët e themelit të demokracisë kushtetuese moderne.

Termi “Shtet i së drejtës” është kuptuar me dallime specifike nga një traditë ligjore në tjetrën, sikundër dëshmohet  nga kontrastet mes anglo-amerikanes Rule of law, gjermanes Rechtsstaat dhe francezes État de droit.  Madje, edhe brenda  së njëjtës  traditë,  nuk është e qartë nëse shteti i së drejtës  duhet  të kuptohet proceduralisht apo materialisht, apo nëse ai duhet të kujdeset më tepër për parashikueshmërinë dhe paanësinë e ligjit.

Rule of law, Rechtsstaat dhe État de droit si koncepte, që të gjitha përfshijnë në vetvete shtetin e së drejtës në  kuptimin e tij formal, por përtej kësaj dallojnë në mënyrë të dukshme nga njëra-tjetra. Ato kanë vjetërsi të ndryshme, ndërkohë që, që të gjitha kanë evoluar me kalimin e kohës, ndonjëra më shumë se të tjerat.

Në Angli, dalja e Kartës së Madhe të Lirive (Magna Carta Libertatum, 1215) konsiderohet si shembulli i parë i “rule of law”. Megjithëse përgjithësisht në praktikë Karta nuk i kufizoi pushtetet e mbretit mesjetar, ajo sërish u bë një  simbol i rëndësishëm për ata që donin të demonstronin se edhe mbretërit janë të detyruar të respektojnë ligjin. Një jurist i shquar anglez, A.V. Dicey, në traktatin e tij An Introduction to the Study of the Law of the Constitution (1885)  identifikoi tre parimet mbi të cilët themelohet sundimi i ligjit: “1) epërsia absolute apo superioriteti i ligjit të zakonshëm përballë ndikimeve arbitrare të pushtetit; 2) barazia përpara ligjit apo nënshtrimi i barabartë i të gjitha klasave ndaj ligjit të zakonshëm të tokës, të administruara nga gjykatat e ligjshme; 3) norma kushtetuese është një rrjedhim i të drejtave të individit, siç është përkufizuar dhe zbatuar nga gjykatat”.

Në mendimin ligjor modern anglo-amerikan shenja dalluese të ndjekjes së parimit të sundimit të ligjit kuptohen  respekti  ndaj  parimit  të  ndarjes  së  qartë  të  pushteteve,  parimit  të  sigurisë  juridike,  parimit  të pritshmërive legjitime dhe barazisë përpara ligjit.

Termi Rechtsstaat konsiderohet shpesh si i barasvlershmi gjerman i konceptit rule of law të traditës anglo-amerikane. Të dy konceptet kanë të përbashkët një sërë elementësh, ku më kryesori është marrëdhënia ndërmjet shtetit dhe institucionalizimit të një regjimi të ligjshëm, apo, me fjalë të tjera, detyrimi i shtetit për ta përdorur pushtetin e tij përmes ligjeve në përputhje me parimet thelbësore të ligjshmërisë. Ndryshe nga koncepti anglo-amerikan që është rrënjosur në një marrëdhënie disi antagoniste ndërmjet shtetit dhe “sundimit të ligjit”, homologu i tij gjerman është një simbiozë mes shtetit dhe ligjit. Praktikisht, Rechtsstaat përkthimin e tij më të saktë do ta kishte “shteti sundon përmes ligjit”. I përballur me tmerret e shkaktuara nga nazizmi – të cilit ai nuk mundi t’i rezistojë, – Rechtsstaat i Gjermanisë së ditëve tona, i formësuar nga kushtetuta gjermane e pas Luftës së II Botërore, Ligji Bazë i vitit 1949, ia nënshtron të drejtën pozitive vlerave dhe parimeve thelbësore, ku ndër më  kryesorët  është  dinjiteti  njerëzor.   Rechtsstaat  tashmë  është  lidhur  në  mënyrë  të  pazgjidhshme  me demokracinë kushtetuese, i modeluar nga vlerat  themelore dhe legjitimiteti i tij është bërë subjekt i një serie normash të mishëruara në drejtësinë kushtetuese.Koncepti francez État de droit është shumë më i vonë se Rechtsstaat gjerman dhe e ka origjinën e vet nga ky i  fundit.         Megjithatë, ndonëse termi francez “État de droit”         është një përkthim fjalë për fjalë i Rechtsstaat gjerman, francezët e adoptuan dhe e transformuan konceptin që ata gjetën në mendimin juridik gjerman të shek.XIX kaq shumë, sa që shprehja franceze erdhi dhe fitoi një kuptim krejt të dallueshëm. Në të vërtetë, sipas kuptimit të termit, sikundër shpaloset në doktrinën ligjore franceze dhe është institucionalizuar në rendin kushtetues francez, État de droit nuk do të thotë “shteti sundon përmes ligjit”, por “shteti kushtetues si garantues  i  të drejtave themelore”.  État  de  droit  francez  luan  një rol  mbështetës  dhe,  në një kuptim të rëndësishëm, kufizon “État Légal”, që është ajo çfarë e afron më shumë me Rechtsstaat, me një dallim kyç që konsiston në faktin se koncepti francez është i lidhur ngushtë  me sovranitetin parlamentar dhe demokracinë parlamentare.

•        Shteti i së Drejtës dhe Kushtetutshmëria

I lidhur ngushtë me konceptin e shtetit të së drejtës qëndron koncepti i kushtetutshmërisë. Një numër studiuesish argumentojnë se shteti i së drejtës është thjesht një nga elementët e kushtetutshmërisë dhe se shteti i së drejtës i vetëm nuk themelon dot një demokraci kushtetuese. Të tjerë studiues mendojnë se shteti i së drejtës është i barasvlershmi i kushtetutshmërisë dhe se epërsia e ligjit, avokatinë e të cilit bën parimi i shtetit të së drejtës, nuk është gjë tjetër veçse epërsia e kushtetutës, si ligji më i lartë.

Përsa i përket vetë asaj, kushtetutshmëria ka dy kuptime, të cilat janë të lidhura ngushtësisht. Nga njëra anë,  kushtetutshmëria përdoret për të treguar përpjekjen për kodifikimin e organizimit shtetëror. Kjo nënkupton krejt  lëvizjen për  kushtetutshmëri,  për  miratimin e kushtetutës së shkruar  dhe për  kufizimin  e pushtetit të pushtetmbajtësve. Lëvizja për kushtetutshmëri synon institucionalizimin e shoqërisë, kufizimin e autoritetit të pushtetmbajtësve, si dhe disiplinimin përmes rregullave të sjelljes së të gjithëve. Nga ana tjetër, kushtetutshmëria  na  referon  te një ide politike që ka  lidhje me mënyrën sesi duhet  organizuar  një shtet. Kushtetutshmëria nënkupton  ekzistencën e kushtetutës së shkruar, institucionalizimin e rregullimit politik të shoqërisë dhe respektimin e rregullave dhe normave shoqërore.

Marrëdhënia  ndërmjet  kushtetutshmërisë  dhe  shtetit  të  së  drejtës  është  jetike  për  demokracinë kushtetuese. Më lart është përmendur se kuptimi bazë i shtetit të së drejtës është “kufizimi”, që do të thotë se ligji duhet të vendosë disa kufij në lidhje me çfarë mund të bëjë qeveria dhe, akoma më tej, të përshkruajë se si qeveria do të ushtrojë prerogativat e saj. E vetmja mënyrë e testuar suksesshëm deri më sot për vendosjen e këtyre kufizimeve është përmes një strukture kushtetuese, e cila përfshin ndarjen e pushteteve, kontrollin dhe balancimin mes tyre dhe një  gjyqësor të pavarur. Kushtetutshmëria, si një sistem i rregullimit kushtetues i dizenjuar për të autorizuar dhe, në të njëjtën kohë, për të kufizuar qeverinë, përbën edhe bazën institucionale për shtetin e së drejtës. Aspekti i dytë i marrëdhënies midis kushtetutshmërisë dhe shtetit të së drejtës qëndron në faktin se e para siguron një garanci minimale për një ligj të drejtë, si përsa i përket përmbajtjes, ashtu edhe formës. Një numër i madh  mekanizmash kushtetues, përfshi këtu demokracinë përfaqësuese, zgjedhjet konkurruese dhe periodike dhe një shtyp  të  lirë,  janë dizenjuar  për  të siguruar  përmbajtjen e drejtë të ligjeve.  Një qeveri kushtetuese, në të njëjtën kohë, siguron një mbrojtje bazë edhe për formën e ligjit, në mënyrë që ajo të jetë “e drejtë”.

Aspekti i tretë i marrëdhënies ndërmjet kushtetutshmërisë dhe shtetit të së drejtës qëndron në atë se kushtetutshmëria vendos një balancë të përshtatshme ndërmjet sundimit të ligjit dhe sundimit të personit.  Sipas Sartorit, si sundimi i ligjit, ashtu edhe sundimi i individit, të lënë të pashoqëruar nga garanci të tjera, mund të jenë problematikë.   Në  një demokraci përfaqësuese, sundimi i individit nënkupton sundimin nga legjislatori. Sipas  sundimit  të  individit,  në  një  demokraci  përfaqësuese  ligji  është  produkt  i  “vullnetit  absolut”  të legjislatorit. Sundimi i individit, i pakontrolluar, mund të çojë në tirani.  Në kontrast me këtë, sipas sundimit të ligjit, ligji është produkt i gjyqtarëve, pasi ata bëjnë interpretimin e tij përfundimtar. Si rrjedhim, një demokraci përfaqësuese ideale ka nevojë për një balancë të përshtatshme ndërmjet sundimit të legjislatorëve dhe sundimit të ligjit. Këtë mund ta realizojë vetëm kushtetutshmëria liberale.

Së katërti (dhe e fundit), kushtetutshmëria e ka shtetin ligjor mbrojtësin e vet.  Pa shtetin ligjor nuk ka kushtetutshmëri. Me fjalë të tjera, nëse ligjet (që supozohet se dalin për të kufizuar qeverinë) nuk janë gjë tjetër veçse vullneti absolut i legjislatorit, atëherë nuk ka kushtetutshmëri. Që të ekzistojë një strukturë kushtetuese e ndarjes së pushteteve, kontrollit dhe balancimit mes tyre dhe e mbrojtjes së të drejtave, duhet të ekzistojnë edhe disa kufizime ndaj vetë legjislatorit. Këto kufizime vendosen nga respektimi i shtetit të së drejtës dhe zbatohen përmes një gjyqësori të  pavarur, përmes procesit të kontrollit gjyqësor dhe kushtetues dhe kuptimit se ligji është, të paktën pjesërisht, produkt i një arsyetimi të pavarur ligjor nga ana e gjyqtarëve.

•        Kushtetutshmëria dhe Demokracia

Ndërsa diskutohet për kushtetutshmërinë, nuk mund të lihet pa përmendur edhe marrëdhënia e saj me demokracinë.

Kështu,  ndërsa demokracia referon te mënyra sesi pushteti fitohet dhe mbahet, kushtetutshmëria referon tek mënyra sesi pushteti jepet, shpërndahet dhe kufizohet. Një shtet mund të jetë demokratik pa qenë kushtetues – siç ishte Athina në kohën e Perikliut, sikundër mund të jetë kushtetues pa qenë demokratik – si në rastin e Anglisë së shek. XVII. Ndërsa debatojnë për intensitetin dhe llojin e kushtetutshmërisë në marrëdhënie me demokracinë, studiuesit  janë të gjithë dakord që kushtetutshmëria mundëson demokracinë dhe që është e para që parandalon vetëshkatërrimin e të dytës. Kushtetutshmëria realizon një rol të rëndësishëm në konsolidimin e demokracisë. Kushtetutshmëria, duke nënkuptuar me këtë edhe shtetin e së drejtës dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, është domosdoshmëri për demokracinë. Si rrjedhim, kushtetutshmëria dhe demokracia duhet të shikohen si koncepte të lidhura, me të njëjtin synim, të cilat duhet të përfshihen në shtetin kushtetues modern, sepse ideali i demokracisë është kaq i efektshëm sa  që një  shtet  kushtetues modern nuk mund të ekzistojë dot pa  legjitimitetin që ia  jep vetëm demokracia.

•        Kontrolli dhe mbrojtja e kushtetutshmërisë

Nevoja  për  ekzistencën  e  një  kontrolli  të  karakterit  kushtetues  ndaj  veprimtarisë  së  organeve  që përfaqësojnë tri pushtetet në fushën e nxjerrjes së akteve juridike, ushtrimi i të drejtave dhe detyrave të secilit organ në pushtetet përkatëse, pa ndërhyrë te njëri-tjetri, zgjidhja ligjore e mosmarrëveshjeve të kompetencave ndërmjet organeve që përfaqësojnë këto pushtete, mbrojtja dhe respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të individëve, si rrjedhojë e dhunimit dhe shkeljeve flagrante që u bëhej atyre, si dhe domosdoshmëria e mbrojtjes dhe e respektimit të ligjit themelor të shtetit – kushtetutës, diktoi që në krye të herës krijimin e domosdoshëm të një organi të lartë me natyrë kushtetuese, i cili mund të bëhej në të njëjtën kohë dhe garanti i respektimit dhe i mosdhunimit të saj.

SHBA-ja ishte i pari vend që praktikoi kontrollin gjyqësor në mënyrën sesi ai konceptohet në ditët tona. Ndërsa  Kushtetuta e vitit 1789 nuk e parashikon shprehimisht pushtetin e kontrollit kushtetues nga ana e Gjykatës së Lartë, çështja – pikë referimi -  Marbury vs. Madison (1803) e përcaktoi këtë parim. Në vendimin e saj për këtë çështje,  Gjykata  e Lartë u shpreh se “ajo gëzonte të drejtën e pandashme kushtetuese, si edhe detyrimin të ushtronte kontrollin e përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën”.

Në Europë, krijimi i drejtësisë kushtetuese ndjek tri faza kryesore. E para,   që shtrihet në periudhën midis dy Luftërave Botërore, nis me krijimin, në vitin 1920, në Austri e në Çekosllovaki, të gjykatave të para kushtetuese, sipas  modelit të parashtruar nga Hans Kelsen, i cili me të drejtë mund të cilësohet si babai i drejtësisë kushtetuese bashkëkohore. Vijoi krijimi i Gjykatave të tilla në Spanjën republikane, në Republikën gjermane të Vajmarit dhe në Republikën e Irlandës. Siç shihet, shtrirja e drejtësisë kushtetuese ishte e kufizuar.

Pas përfundimit të Luftës II Botërore, përvoja e diktaturave fashiste e kishte lëkundur besimin ndaj parlamentit, i cili më parë shihej si burim i vetëm i krijimit të së drejtës, si mishërimi, thuajse absolut, i sovranitetit të popullit, sepse në Itali e në Gjermani këto diktatura u vendosën në rrugë “normale”, me miratimin e Parlamenteve përkatëse, më 1922 dhe më 1933. Shtrohej pyetja nëse mund të gjendeshin procedura dhe mjete që mund të shërbenin si mburojë kundër një pushteti ligjvënës që shkelte parimet që dikur konsideroheshin se kishin një vlerë të përhershme. Kështu, u kalua në krijimin e një organizmi që dallohej nga pushteti ligjvënës dhe u vu në lëvizje roli i gjyqtarëve, duke krijuar, në shumicën e rasteve, gjykata të posaçme kushtetuese.Në vazhdën e kësaj tendence të konstitucionalizmit modern u krijuan gjykata kushtetuese në një sërë vendesh si Austria, Japonia, Italia, Republika Federale Gjermane, Franca (me emërtimin Këshill Kushtetues) dhe  më vonë Turqia.

Në një moment të dytë, në vitet 70-të, u krijuan gjykata kushtetuese në shtetet e sapodala nga regjime diktatoriale: Greqia, Portugalia, Spanja. Veç kësaj, në këto vite sistemi përsoset në Gjermani, Francë (në këtë të fundit veçanërisht me rishikimin që iu bë Kushtetutës në vitin 1974). Në Europën perëndimore vendi i fundit ku u krijua një Gjykatë Arbitrazhi, me funksione kushtetuese, ishte Belgjika, në fillim të viteve 80-të (prej vitit të kaluar,  kjo  gjykatë  u  shndërrua  përfundimisht  në  Gjykatë  Kushtetuese).  Si  rrjedhojë,  të  gjitha  vendet perëndimore kanë ngritur një sistem kontrolli gjyqësor të kushtetutshmërisë. Bëjnë përjashtim Britania e Madhe, Holanda, Zvicra dhe Finlanda.Duhet theksuar se në disa vende europiane ekziston kontrolli i kushtetutshmërisë së ligjeve, por ky i është ngarkuar Gjykatës së Lartë. Vende të tilla janë Danimarka, Suedia, Islanda dhe Qiproja.

Faza e tretë, që shënon shtrirjen e drejtësisë kushtetuese në të gjithë kontinentin europian, i përket periudhës pas shembjes së diktaturave komuniste në vendet e Europës lindore dhe juglindore. Pas vitit 1990, kushtetutat e reja të këtyre vendeve parashikojnë një Gjykatë Kushtetuese, kryesisht sipas modelit të përcaktuar nga Hans Kelsen. Bën përjashtim Estonia, ku ushtrimi i drejtësisë kushtetuese i është besuar Gjykatës së Lartë.

Pikërisht në këtë periudhë merr jetë dhe e para Gjykatë Kushtetuese shqiptare. Ndërtimi i një shteti “ndryshe”, në zbatim të parimeve demokratike, tendenca për europianizimin e vendit dhe padyshim efekti imponues i asaj çfarë po ndodhte edhe në vendet e tjera ish-komuniste, e bëri gati të detyrueshme për politikën shqiptare që, me një ligj kushtetues të paraqitur dhe miratuar me një shpejtësi shembullore në Kuvendin Popullor, të përcaktonte strukturën, funksionin dhe kompetencën e një institucioni të tillë. Mënyra ishte e thjeshtë. U mor modeli nga gjykatat kushtetuese gjermane dhe italiane dhe u tentuan përshtatjet përkatëse, duke i dhënë përfundimisht Gjykatës Kushtetuese shqiptare, vetë shtetit të ri shqiptar, një shëmbëlltyrë tipike europiane dhe duke i rishpallur Europës përkatësinë tonë aty.

•        Gjykata Kushtetuese e RSH-së në mbrojtje të vlerave kushtetuese dhe të të drejtave e lirive të njeriut

Filozofia politike e Kushtetutës shqiptare është ajo e shtetit të së drejtës dhe mirëqenies sociale e sanksionuar qartë që në Preambulën e saj:“Ne, Populli i Shqipërisë,me vendosmërinë për të ndërtuar një shtet të së drejtës, demokratik e social, për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut,… me zotimin për mbrojtjen e dinjitetit dhe personalitetit njerëzor, …me bindjen e thellë se drejtësia, paqja, …janë ndër vlerat më të larta të njerëzimit, … Vendosim këtë Kushtetutë…”

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, në jurisprudencën e saj ka identifikuar (ndonëse nuk i ka shtjelluar  thellësisht) parimet shtetformuese si konstitucionalizmi, shteti i së drejtës, demokracia, pluralizmi,  ndarja dhe  balancimi i  pushteteve,  decentralizimi  dhe  autonomia vendore,  uniteti  i pushtetit, dinjiteti njerëzor, pavarësia e gjyqësorit, barazia sociale, mosdiskriminimi, apo edhe vlera të tjera kushtetuese si siguria juridike, të drejtat e  fituara, pritshmëritë legjitime dhe       besimi i qytetarëve tek shteti.

Prej kohësh Gjykata Kushtetuese ka argumentuar se deri në çfarë mase parime të tilla të përgjithshme si ato më sipër, të cilat derivojnë natyrshëm nga parimet eksplicite kushtetuese si dhe nga fryma e saj, përbëjnë një bazë solide në funksion të ngritjes dhe të argumentimit të një kërkese për antikushtetushmërinë e një ligji që i ka cenuar ato.

Gjykata është shprehur se “shteti i së drejtës, i cili garantohet që në Preambulën e Kushtetutës sonë, është një nga parimet më themelore e më të rëndësishme në shtetin dhe shoqërinë demokratike. Si i tillë, ai përbën një normë  të pavarur kushtetuese, prandaj shkelja e tij përbën në vetvete bazë të mjaftueshme për deklarimin e një ligji si  antikushtetues” (Vendimi nr. 34, datë 20.12.2005). “Sanksionimi i të drejtave dhe lirive të njeriut të pranuara në Kushtetutë dhe shoqërimi i tyre me masat për vënien në jetë të tyre duhet të synojnë përmirësimin dhe rritjen e standardeve të të drejtave, forcimin e shtetit ligjor. Nëse masat e marra shpien në përkeqësimin në mënyrë të paarsyeshme të gjendjes ligjore të personave të tjerë, mohojnë të drejtat e fituara ose injorojnë interesat legjitime të këtyre, atëherë do të dhunohet  parimi kushtetues i barazisë së të drejtave dhe, në përgjithësi, do të rrezikohet arritja e qëllimit madhor të ndërtimit të shtetit të së drejtës” (Vendimi nr. 9, datë 26.02.2007).  “Lidhur me nocionin e fuqisë prapavepruese doktrina ka pranuar se kjo është prezente në rastet kur një normë ligjore aplikohet për gjëra tashmë të vendosura në të kaluarën. Në aspektin kushtetues, ligji me fuqi prapavepruese është i kundërshtueshëm në qoftë  se cenon të drejtat e fituara me ligjet ekzistuese ose krijon një detyrim të ri përsa u përket transaksioneve të shkuara” (Vendimi nr.1, datë 31.01.2003).Përsa i takon mbrojtjes së të drejtave kushtetuese të individit nga Gjykata Kushtetuese, kësaj të fundit i është  besuar nga Kushtetuta të sigurojë gëzimin e të drejtave të njeriut duke realizuar zbatimin e vetë asaj. Megjithëse konsiderohet se Gjykata Kushtetuese kontribuon në mbrojtjen dhe forcimin e të drejtave themelore të individit përmes gjithë  kompetencave të veta, kompetencat kryesore të Gjykatës me ndikim të drejtpërdrejtë konsiderohen ato të parashikuara nga neni 131, paragrafët “a”, “c” dhe “f”. Duhet theksuar se, ndryshe nga gjykata të tjera homologe, të cilat sigurojnë mbrojtjen e të gjitha të drejtave të përfshira në katalogun e të drejtave dhe lirive themelore në kushtetutat përkatëse, në rastin shqiptar, për shkak të një zhvillimi të çuditshëm në procesin e miratimit të Kushtetutës në Parlament më 1998, “procesi i rregullt ligjor” i  parashikuar në nenet 42/1 dhe 131/f të Kushtetutës mbeti e vetmja e drejtë themelore e individuale nga i gjithë  katalogu [i të drejtave të njeriut], që ruajti statusin e një të drejte të mbrojtshme në Gjykatën Kushtetuese. Në këtë  kontekst, Kushtetuta e vitit 1998 ishte një hap prapa Ligjit për Dispozitat Kryesore Kushtetuese (1992),  i cili  parashikonte se Gjykata  Kushtetuese “zgjidh përfundimisht ankesat e personave të paraqitur në rrugën e kontrollit kushtetues për shkeljen e të drejtave të tyre themelore nga aktet e paligjshme”.

Në këto kushte, riparimi vjen përmes kompetencës së parashikuar nga Kushtetuta në nenin 145/2 të saj, sipas të cilit “Kur gjyqtarët çmojnë se ligjet vijnë në kundërshtim me Kushtetutën, nuk i zbatojnë ato. Në këtë rast, ata pezullojnë gjykimin dhe ia dërgojnë çështjen Gjykatës Kushtetuese. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për të gjitha gjykatat.”

Nga ana tjetër, duke legjitimuar në vijimësi organizatat (shoqatat) apo Avokatin e Popullit në lidhje me “shqyrtimin e pajtueshmërisë së ligjit ose të akteve të tjera normative me Kushtetutën ose me marrëveshjet ndërkombëtare”, apo në një të ardhme (kur të paraqitet rasti) në lidhje me “interpretimin përfundimtar të Kushtetutës”, Gjykata Kushtetuese ka ndihmuar për të plotësuar edhe këtë “mangësi” të Kushtetutës sonë, e cila nuk ia njeh individit këtë të drejtë.Kushtetuta, mundësinë e individit për t’iu drejtuar gjykatave për mbrojtjen e të drejtave kushtetuese e atyre ligjore, për shkak të rëndësisë së posaçme, e ka parashikuar shprehimisht si të drejtë vetjake në nenin 42 të saj.Në jurisprudencën e saj, Gjykata Kushtetuese ka identifikuar edhe elementët e procesit të rregullt, shkelja e të cilëve e bën procesin gjyqësor apo administrativ antikushtetues. Mosrespektimi i parimeve të tilla si prezumimi i pafajësisë, e drejta për një seancë publike, e drejta për t’u dëgjuar nga një trup gjykues kompetent, i pavarur, i paanshëm dhe i krijuar me ligj, e drejta për t’u mbrojtur, etj. ka çuar në shfuqizimin si në kundërshtim me Kushtetutën të një sërë vendimesh gjyqësore apo administrative.Ja si shprehet Gjykata Kushtetuese në disa nga vendimet e saj:“Gjykata Kushtetuese thekson se barazia e armëve është një aspekt i rëndësishëm i konceptit të procesit të rregullt ligjor në kuptimin kushtetues. Ky parim nënkupton që secilës palë në proces t’i jepet një mundësi e arsyeshme për të paraqitur çështjen e vet (ku përfshihet edhe paraqitja e provave nga ana e saj), në kushte që nuk e vendosin atë në një disavantazh të dukshëm në raport me palën tjetër” (Vendimi nr. 23, datë 08.06.2007).

“Respektimi i parimit të barazisë kërkon ndërmjet të tjerave mosdiskriminimin e grupeve në kushte të njëjta të shtetasve pa arsye të përligjura. Ky parim kërkon që të gjitha subjektet të trajtohen në mënyrë të njëjtë,  por  nuk formulon ndalime që të mund të bëhet trajtim i diferencuar kur individët e grupet nuk ndodhen në kushte të njëjta apo të ngjashme, apo kur ka justifikim të arsyeshëm e objektiv, duke vendosur një raport  të  arsyeshëm  dhe  përpjesëtimor  midis  mjeteve  të  përdorura  dhe  qëllimit  që  synohet  të  arrihet” (Vendimi nr. 9, datë 26.02.2007).

“Gjykata Kushtetuese rithekson se, në aspektin e garantimit të procesit të rregullt ligjor, është detyrë e  Kolegjit  Penal të Gjykatës së Lartë, krijimi i kushteve dhe marrja e masave të nevojshme që seanca gjyqësore të zhvillohej në prani të avokatit, me qëllim që i gjykuari të mos preket nga pasojat e një procesi të zhvilluar pa pjesëmarrjen e avokatit të tij.” (Vendimi nr. 7, datë 19.02.2007)

“Në paragrafin e dytë të nenit 42 të Kushtetutës parashikohet se: “Kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe të interesave të tij kushtetuese dhe ligjore, ose në rastin e akuzave të ngritura kundër tij, ka të drejtën e një gjykimi të drejtë dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj”. Në këtë kuptim, kjo pavarësi nuk është një privilegj, por një nga detyrat themelore të  gjyqtarëve dhe të  gjykatës,  që  rrjedh  nga  të drejtat  e  njeriut  për të  pasur një  arbitër  të paanshëm në një konflikt të garantuar nga Kushtetuta. Garantimi i një standardi të tillë përbën dhe kriterin orientues për të vlerësuar pavarësinë e  gjyqtarëve dhe të gjykatave” (Vendimi nr. 11, datë 02.04.2008).

•        Konkluzione

Drejtësia kushtetuese është një nga konceptet më themelore dhe më novatore të aparatit konceptual juridik modern. Ajo jo vetëm shpreh dhe materializon idenë e kushtetutshmërisë si përfshirje e shtetit brenda rregullash supreme, si nënshtrim i këtij ndaj një rendi juridik themelor, që është kushtetuta. Kushtetutshmëria është shprehje e shtetit të së drejtës, drejtësia kushtetuese është mjeti i tij realizues.

Aktualisht, në mënyrë që të sigurojnë se të drejtat e mbrojtura nga Kushtetuta dhe, në përgjithësi nga rendi kushtetues, janë respektuar në praktikë, shumë vende kanë adoptuar mekanizma të kontrollit kushtetues të ingranuar  përkundrejt peshimit të ligjeve dhe akteve të ekzekutivit në përballje me Kushtetutën. Një numër modelesh kanë marrë jetë tashmë, një prej të cilëve edhe ai i një gjykate të vetme, të specializuar për të ushtruar kontrollin kushtetues ndaj  ligjeve dhe akteve nënligjore – e quajtur  ndryshe Gjykata Kushtetuese. Përmes kontrollit kushtetues, ky institucion modern po luan një rol shumë të rëndësishëm përsa i përket balancimit të pushteteve në mbështetje të Kushtetutës dhe duke shfuqizuar aktet e legjislativit dhe ekzekutivit.

Gjykatat Kushtetuese në mbarë botën, e ndër to edhe ajo shqiptare, po shërbejnë si elementë kyç të procesit  demokratik duke mbështetur me veprimtarinë e tyre të drejtat themelore dhe parimet e sanksionuara nga Kushtetutat përkatëse. Konsolidimi i demokracisë dhe i shtetit të së drejtës kërkojnë që garancitë formale, të drejtat dhe mekanizmat mbrojtës të tyre të zbatohen plotësisht dhe me efektivitet. Kontrolli kushtetues është një nga këto mekanizma që ndihmojnë në arritjen e këtij qëllimi. Në të vërtetë, një gjykatë kushtetuese, shumë më

tepër nga sa besohet, ka mundësi që, përmes fuqisë së saj për të ushtruar kontroll të kushtetutshmërisë, të luajë një rol të dorës së parë në shndërrimin në realitet të kornizës institucionale dhe ligjore, në ndjekje të një qëllimi të lartë, sikundër është ai i konsolidimit të demokracisë kushtetuese.

I.       ?          Kristaq Traja, “Drejtësia Kushtetuese”, Sh.B. Luarasi, Tiranë, 2000.

II.      ?          Kurtesh Saliu, “E Drejta Kushtetuese”, Universiteti i Prishtinës, Prishtinë, 2001.

III.     ?          Giovanni Sartori, “Edhe një herë për Teorinë e Demokracisë – pjesa II”,  Sh.B. Dituria, Tiranë, 1993.

IV.     ?          Roberto Bin, Giovanni Pitruzzella, “Diritto Costituzionale”, G. Giappichelli Editore, Torino, 2002.

V.      ?          Luan  Omari,  Aspekte  Historike  të  Kontrollit  Kushtetues,  Buletini  i  Posaçëm  “10  –  vjet  Gjykatë

VI.     Kushtetuese”, Tiranë, 2003.

VII.    ?          Violaine Autheman, Global Lessons Learned: Constitutional Courts, Independence and the Rule of Law, IFES Rule of Law White Paper Series, April 2004.

VIII.   ?          Luiz Lopez Guerra, Constitutional Review and Democracy –  Constitutional Courts and the legislative

IX.     process, European Commission for Democracy through law (Venice Commission seminar’s) Cdl-ju (2003)

X.      ?          Bo Li, What is Constitutionalism?, Perspektives, Vol. 1, No. 6.

XI.     ?          Michel         Rosenfeld,   Modern       Constitutionalism as      Interplay     between          Identity       and    Diversity,

XII.    “Constitutionalism, Identity, Difference and Legitimacy” Michel Rosenfeld ed., 1994.

XIII.   ?          Mario  Patrono,  The  Protection  of  fundamental  Rights  by  Constitutional  Courts  -  A  comparative perspective, “Revue juridique polynésienne”, No. 2, 2000.

Marre nga   Revista Juridike “Jeta Juridike” 2008

Shënim I Stafit I DrejtesiaShqiptare.com:

E drejta e autorit mbetet i  autorit të punimit . Opinionet e shprehura  dhe studimet  juridike  e publikuara në këtë Website janë të autorëve përkatës  qe I kane shkruar ato. Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi në qoftë se  shkrimi është upload-uar pa lejen e autorit.Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi për pikëpamjet, vërtetësinë e informacionit që përmbajnë artikujt që publikon dhe shkeljet e se drejtës së autorit.Kushdo që ka ndonjë ankese  rreth  së  drejtës  së autorit ne publikimet e ketij website,  është I lutur  te dërgoje një email  tek kontakt@drejtesiashqiptare.com.  Ne do ta  shqyrtojmë me përgjegjesi ankesën dhe do ta heqim menjëherë shkrimin.Për  të mos arritur deri aty,ju lutem respektoni  të drejtën  e autorit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

seventeen − 7 =

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Powered by WordPress | Designed by: Dog Groomer | Thanks to Assistant Manager Jobs, Translation Jobs and New York Singles