E Drejta E Ndërhyrjes Humanitare Të Paautorizuar-Luljeta Kodra

Respektimi të drejtave njerëzore – domosdoshmëri për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.Paqja është një kërkesë e domosdoshme për gëzimin e plotë të të gjitha të drejtave njerëzore.  Paqja  ndërkombëtare  dhe  siguria,  siç  është  pranuar  tashmë  në  Kartën  e Kombeve të Bashkuara, janë të ndërvarura nga njëra-tjetra. Ky fakt, sado i thjeshtë që të duket, është pasqyruar në shumë dokumente mbi të drejtat njerëzore, të cilat shpesh i kufizojnë qëllimet e zbatueshmërisë së tyre në kohë konflikti të armatosur.Ndërsa paqja është një kërkesë e domosdoshme për gëzimin e të drejtave njerëzore, mungesa e këtyre të fundit mund të çojë, gjithashtu. në një kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.Neni 2/4 i Kartës së Kombeve të Bashkuara, i cili ndalon ndërhyrjen me dhunë në një shtet   tjetër,  thekson  se:  “Të  gjithë  anëtarët  duhet  të  kufizohen  në  marrëdhëniet ndërkombëtare  nga kërcënimi ose përdorimi i forcës kundër integritetit territorial dhe pavarësisë politike të  ndonjë shteti, ose në ndonjë mënyrë tjetër të papajtueshme me qëllimet e Kombeve të Bashkuara.”

Dy përjashtimet kryesore nga ky ndalim i përgjithshëm janë:

?       e drejta e një shteti për të përdorur forcën në rast vetëmbrojtje ose vetëmbrojtje kolektive, sipas nenit 51 të Kartës dhe

?       e drejta e Këshillit të Sigurimit të autorizojë përdorimin e forcës për të ruajtur ose rivendosur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, sipas nenit 42 të Kartës.

Pra, në terma ligjorë “paqja dhe siguria ndërkombëtare”, tradicionalisht përkufizohen si ruajtja e rregullit ndërshtetëror.Dihet tashmë se e drejta bashkëkohore ndërkombëtare ndalon dhunimet e të drejtave të njeriut dhe të së drejtës humanitare, të kryera nga një shtet kundër qytetarëve të tij. Çdo shtet është i detyruar t’i përgjigjet këtyre shkeljeve, individualisht ose kolektivisht, duke marrë masa të ndryshme.

 Ndërkaq,  sistemi  modern  ndërkombëtar  është  ndërtuar  mbi  bazën  e  parimit  të sovranitetit. Shtetet duhet të respektojnë pavarësinë sovrane të të tjerëve, siç edhe e kërkon  neni 2, paragrafi 7, i Kartës së Kombeve të Bashkuara. Ky është pozicioni që mbajtën veçanërisht Rusia dhe Kina në Këshillin e Sigurimit, gjatë krizës në Kosovë.Në kohën kur Karta hyri në fuqi, e drejta ndërkombëtare përqendrohej në sovranitetin e shtetit. Pavarësia e shteteve, veçanërisht përsa i përket çështjeve të brendshme, ishte problemi më i rëndësishëm.Por, doli gjithashtu një element i ri. Për të parën herë, trajtimi që një shtet i bënte qytetarëve të tij, u bë zyrtarisht një çështje ndërkombëtare. Regjimet, të cilat i trajtojnë qytetarët e tyre në mënyrë të urryer, mund të shkaktonin rrezik edhe për vendet e tjera.Karta e Kombeve të Bashkuara, e nënshkruar në qershor të vitit 1945, në preambulën e saj, përmban zotimin e organizatës për të riafirmuar besimin në të drejtat më themelore njerëzore. Neni 1 i Kartës citon: “Të nxisë dhe inkurajojë respektin për të drejtat njerëzore dhe për liritë themelore për të gjithë, pa dallim race, seksi, gjuhe dhe besimi, si një prej qëllimeve kryesore të Kombeve të Bashkuara, bashkë me paqeruajtjen.”Deklarata Universale e të drejtave njerëzore, e miratuar nga Kombet e Bashkuara në vitin 1948, shkon më tej në këtë drejtim, duke e konsideruar respektimin e të drejtave njerëzore si të nevojshëm për ruajtjen e paqes ndërkombëtare.

2. E drejta e Këshillit të Sigurimit për të autorizuar ndërhyrjet humanitare

Në një numër rastesh të fundit, Kombet e Bashkuara erdhën në konkluzionin se shkeljet e mëdha dhe masive të të drejtave njerëzore përbëjnë kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, siç ndodhi në Kosovë. Shpeshherë, shkeljet masive të të drejtave njerëzore, ose të së drejtës ndërkombëtare humanitare, ecin krah për krah me konfliktet e armatosura të brendshme, duke krijuar së bashku një situatë e cila mund të kërcënojë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.Çështja  që  shtrohet  është  se  si  komuniteti  ndërkombëtar  mund  t’i  përgjigjet efektivisht këtyre kërcënimeve.A mundet  një  qeveri,  në  çfarëdo  lloj  rrethanash,  ta  konsiderojë  “të  ligjshme”  të masakrojë popullsinë e vet, mbi bazën e asaj që çdo gjë që ndodh brenda vendit të vet është një “çështje e brendshme”? Të gjitha shtetet kanë rënë dakord formalisht që duhet të respektojnë të drejtat themelore, siç është e drejta e jetës dhe e respektimit të personit dhe që genocidi është i paligjshëm, nëse lidhet me njerëzit e tyre dhe nëse ushtrohet në territorin e tyre.Megjithëse Këshilli i Sigurimit ka të drejtë ekskluzive të autorizojë përdorimin e forcës, me qëllim parandalimin ose ndërprerjen e përhapjes së shkeljeve të të drejtave të njeriut, të njohura në mbarë botën, në mjaft raste madje edhe tepër flagrante, Këshilli i  Sigurimit është penguar nga një mungesë vullneti politik midis anëtareve të tij. Çështja e vullnetit politik ishte tragjikisht evidente në krizën e Ruandës. Një hetim i pavarur mbi genocidin në Ruanda, i kryer nga Organizata e Bashkimit Afrikan, akuzoi Këshillin e Sigurimit dhe anëtarët  e  tij,  se  kishin  mundësi  të  parandalonin genocidin.  Ky  hetim  dështoi  dhe Organizata e Bashkimit Afrikan u ndal më pas në rolin e Shteteve të Bashkuara, përsa i përket bllokimit të vendosjes së një force më efektive ndërhyrëse gjatë genocidit.Ndërhyrja efektive humanitare është bërë diçka e pabesueshme nga marrëdhëniet midis pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, të cilët arrijnë në përdorimin e vetos dhe  në  veprime jokonsekuente përballë krizave humanitare. Vështirësi të tilla dolën në pah p.sh.,  kur Rusia filloi sulmin mbi Çeçeni, duke vrarë dhe zhvendosur mijëra civile çeçenë.Kur u intensifikua konflikti në Kosovë, në vitin 1998 dhe në fillim të vitit 1999, u bë e qartë  se  ndërsa Këshilli i Sigurimit e kishte klasifikuar situatën si një “kërcënim për paqen dhe sigurinë në rajon”, Rusia dhe Kina do të ushtronin fuqinë e tyre të vetos mbi ndonjë rezolutë që autorizonte përdorimin e forcës në Kosovë.

3. Debatet mbi legjitimitetin e ndërhyrjes humanitare

A mund të ndërhyjë komuniteti ndërkombëtar, në emër të të drejtave të njeriut, pa marrë autorizimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara?Në fillim të viteve 1990, erdhi duke u forcuar argumenti që në disa raste ndodhin shkelje  të të drejtave njerëzore aq të rënda, saqë përdorimi i forcës është mundësia e vetme, e  arsyeshme, për të ndalur këto shkelje dhe se koncepti i mosndërhyrjes duhet nganjëherë të dorëzohet para përgjegjësive ndërkombëtare për të mbrojtur atë popullsi. Kështu e ashtuquajtura ”e drejtë e ndërhyrjes humanitare” i referohet, në këtë moment, marrjes së veprimeve kundër një shteti ose liderëve të tij, pa pëlqimin e tyre, për qëllime të cilat janë  humanitare ose mbrojtëse. (Forma më kontradiktore e ndërhyrjeve të tilla është ndërhyrja ushtarake).Ekzistojnë dy mendime të ndryshme mbi ligjshmërinë e ndërhyrjes humanitare të paautorizuar nga Këshilli i Sigurimit:Ata  që  janë  në  favor  të  një  të  drejte  të  paautorizuar  për  ndërhyrje  humanitare, argumentojnë se vëmendja kryesore në të drejtën ndërkombëtare i kushtohet individit dhe jo shtetit. Shtetet marrin legjitimitetin e tyre nga vullneti i popullit. Sovraniteti nuk është një e  drejtë e lindur e shteteve, por rrjedh nga të drejtat individuale, pra kur sovraniteti vjen në kundërshtim me të drejtat e njeriut, këto të fundit kanë përparësi.

Ata që nuk janë në favor të ndërhyrjes humanitare të paautorizuar, argumentojnë se neni  2/4  i  Kartës  së  OKB-së  ndalon  përdorimin  e  forcës.  Edhe  nëse  ka  ekzistuar ndonjëherë një e drejtë e ndërhyrjes së paautorizuar, ajo është hedhur poshtë nga Karta e Kombeve të Bashkuara.Ligjërisht, përdorimi i forcës për të penguar dhunën është legjitim vetëm nëse të gjithë anëtarët e Këshillit te Sigurimit të Kombeve të Bashkuara i miratojnë këto veprime. Nuk mund të  veprohet  pa këtë miratim edhe kur mosveprimi nënkupton që dhunimet e të drejtave njerëzore do të vazhdojnë.Moralisht, por edhe nga fryma e përgjithshme e së drejtës dhe drejtësisë, komuniteti ndërkombëtar  duhet të  jetë  i  përgatitur  të  angazhohet  në  luftën  humanitare  për  të mbrojtur të drejtat njerëzore.Sot komuniteti ndërkombëtar përballet me një dilemë të dhimbshme. Ngandonjëherë, të respektosh sovranitetin do të thotë të bëhesh bashkëpunëtor në dhunimin e të drejtave njerëzore.   Të  bazohesh  në  sanksione  ekonomike  dhe  presion  diplomatik  dhe  të argumentosh që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara duhet të japë pëlqimin për luftë humanitare, do të thotë se ke dështuar në ushtrimin e dhunës kundër regjimeve të dhunës. Të përdorësh forcë në  mënyrë të njëanshme, do të thotë të akuzohesh për shkeljen e të drejtës ndërkombëtare.Përsa i përket çështjes së një të drejte morale të shteteve për të ndërhyrë në situata të tilla, kur Këshilli i Sigurimit është i paaftë të veprojë, vendet anëtare të NATO-s janë të mendimit se ekziston një justifikim moral dhe politik për të ndërmarrë aksione të tilla. Gjuha e përdorur  nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Havier Solana, në kohën e ndërhyrjes së Kosovës, justifikon ndërhyrjen humanitare. Në kohën kur filloi bombardimi në Serbi, Solana pohoi: “Ky veprim ushtarak ka për qëllim të mbështesë qëllimet politike të  komunitetit  ndërkombëtar.  Ne   duhet  të  ndalojmë  dhunën  dhe  t’i  japim  fund katastrofës humanitare, që tani po shpaloset në Kosovë. Ne kemi një detyrë morale për të vepruar kështu. Përgjegjësia është e jona dhe ne do ta përmbushim atë.”

4. Nevoja e arritjes së një konsensusi ndërkombëtar mbi kriteret e zhvillimit të ndërhyrjeve humanitare.

Mendimi i sotëm, i shumë studiuesve është që ndërhyrja e paautorizuar nga Këshilli i Sigurimit, nga një shtet ose grup shtetesh, është e paligjshme. Sidoqoftë nuk mund të mohohet  mundësia  e  zhvillimit  në  të  ardhmen  të  një  rregulli  zakonor,  i  cili  lejon ndërhyrjen e paautorizuar.

Duke analizuar veprimin e NATO-s në Kosovë, Antonio Cassese pohon: ”Ky moment i veçantë i shkeljes së të drejtës ndërkombëtare, mund të çojë gradualisht në kristalizimin e një rregulli të  përgjithshëm të së drejtës ndërkombëtare, që autorizon përdorimin e forcës së armatosur, me  qëllimin e vetëm për t’i dhënë fund barbarizmave e krimeve kundër njerëzimit, të cilat përbëjnë një kërcënim për paqen.”Për të parandaluar  tragjeditë, si ajo e Kosovës dhe Ruandës, është e nevojshme që komuniteti ndërkombëtar të arrijë konsensus, jo vetëm mbi pohimin që shkeljet masive dhe  sistematike të të drejtave të njeriut        duhen kontrolluar, kudo që të ndodhin, por gjithashtu  mbi  mënyrat,  kohën  dhe  vendin  e  marrjes  së  vendimit  për  veprimet  e nevojshme.Sipas shumë studiuesve të së drejtës humanitare duhet të ekzistojnë dy kushte që një ndërhyrje të konsiderohet si humanitare:

a.  Qeveria duhet të jetë duke kryer ose mbështetur kryerjen e shkeljeve të të drejtave të njohura njerëzore.

b.  Duhet të këtë pasur shkelje të shumta të së drejtës, që rezultojnë në të tilla privime  masive të të drejtave njerëzore, të cilat qeveria e shtetit në fjalë është e paaftë t’i ndalojë.

Sidoqoftë duhet të jepet një përkufizim i saktë i këtyre shkeljeve, që justifikojnë ndërhyrjen humanitare, me qëllim që të evitohen abuzimet.Qeveria e shtetit ku kryhen shkeljet e të drejtave të njeriut duhet të paralajmërohet nga Komuniteti Ndërkombëtar që të ndalojë shkeljet e të drejtave themelore humane.Në ato situata ku veprimet e dhunshme nuk kryhen nga autoritetet qendrore, qeverisë së shtetit në fjalë duhet t’i kërkohet të marrë masa për të ndaluar kryerjen e shkeljeve, ose të lejojë organizata ndërkombëtare që të asistojnë në parandalimin e akteve të tilla dhe të zgjidhin krizat humanitare.

5. Organizmi  i  cili  do  të  marrë  vendimin  për  fillimin  e  një  ndërhyrjeje humanitare të armatosur.Një çështje tjetër, shumë e debatueshme në kuadrin e ndërhyrjeve të armatosura, është përcaktimi i organizmit i cili do të marrë vendimin për fillimin e një ndërhyrjeje të armatosur.Cassese argumenton se veprime të tilla duhet të ndërmerren nga një grup shtetesh dhe jo nga një “fuqi e vetme hegjemonike”.Charney, nga ana tjetër sugjeron se ndërhyrja e paautorizuar duhet të ndërmerret nga organizatat rajonale përkatëse. Organizatat rajonale, të themeluara sipas kapitullit VIII të Kartës, janë të ndaluara të ndërmarrin veprime të dhunshme, pa autorizimin e Këshillit të Sigurimit (neni 53/1). Sidoqoftë, meqë ata kanë një mandat për t’u marrë me çështje të tilla, të cilat kanë të bëjnë me ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, aq sa është e përshtatshme për veprim rajonal, implikimi i organizatave rajonale respektive, si aktor kryesor  në  një  ndërhyrje  humanitare  të  paautorizuar,  do  të  rriste  legjitimitetin  e ndërhyrjes. Megjithatë, praktikisht  pjesa më e madhe e rajoneve nuk kanë aftësitë e mjaftueshme dhe organizata sigurimi të afta për të zbatuar një operacion paqeruajtje dhe operacion zbatimi të paqes. Autorë të tjerë argumentojnë se ndërhyrja humanitare duhet drejtuar nga shtete, të cilat  nuk kanë përfitime politike dhe ekonomike nga ndërhyrja. Sidoqoftë, të pranosh idenë e një ndërhyrjeje thjesht humanitare është të kërkosh idealen. Shtetet praktikisht duhet të kenë motive të tjera, përveç humanizmit, për të qenë të gatshëm për të ndërhyrë, qoftë kjo dëshirë për të penguar fluksin e kalimit të refugjatëve në kufirin e shtetit ku bëhet ndërhyrja, ose për interesa strategjike dhe ekonomike në rivendosjen e rendit, në shtetin ku ndërhyhet.Vendimi për të ndërhyrë ose jo, mund të merret gjithashtu nga një organizatë që është e hapur, e përgjegjshme dhe përfaqësuese.Asnjë ndërhyrje nuk do të konsiderohet e ligjshme kur shtetet nuk i  përmbahen në mënyrë  strikte  të  drejtës  së  konfliktit  të  armatosur  dhe  në  veçanti  parimeve  dhe rregullave  të  së  drejtës  ndërkombëtare  humanitare.  Përdorimi  i  forcës  për  qëllime humanitare duhet të kufizohet brenda këtij qëllimi. Në rastin e ndërhyrjes humanitare të paautorizuar, forca e armatosur duhet përdorur vetëm për ndalimin e barbarizmave dhe për të rivendosur respektin për të drejtat njerëzore dhe jo për qëllim tjetër. Si rrjedhojë, përdorimi i forcës duhet të ndërpritet sapo të jetë arritur qëllimi.Një numër autorësh argumentojnë se, meqë qëllimi i ndërhyrjes humanitare është që t’i japë fund privimeve masive të të drejtave njerëzore, ndërhyrja nuk duhet të prekë, ose të paktën të ketë efekt minimal ndaj strukturave politike të shtetit në fjalë, si dhe  duhet ruajtur integriteti territorial i shtetit në të cilin  kryhet ndërhyrja.

6. Detyrimi  i  komunitetit  ndërkombëtar  për  të  ndërhyrë  në  mbrojtje  të  të drejtave njerëzore

Doktrina e “të drejtës për të ndërhyrë” është një përpjekje për të sfiduar strukturën tradicionale ligjore, duke vënë në pikëpyetje vetë konceptin e sovranitetit në të cilin ajo është bazuar. Pushteti i një shteti, thotë ajo, duhet t’i nënshtrohet “parimit të urgjencës ekstreme”, nevojave për një mbrojtje minimale të të drejtave të njeriut. “Detyrimi për ndërhyrje” ishte një term i krijuar për herë të parë në fund të viteve 1980 nga Profesor Mario Bettati dhe politikani francez Bernard Kushner. Ata u shtynë nga përdorimi i konceptit të sovranitetit shtetëror, si mbrojtje për shkeljet e mëdha që një shtet i bënte të drejtave bazë humane të popullsisë së tij. Duke ndjekur operacionin kurd të Sadam Hussein në vitin 1991, Kushner dhe të tjerë në qeverinë e Miteranit kërkuan “të drejtën e ndërhyrjes humanitare”, të drejtën për të ndërhyrë kur shtetet shtypin qytetarët e tyre. Kushneri, (i cili ishte bashkëthemelues i Medicin Sans Frontieres, në vitin 1971), argumentoi  që  ekzistonin  disa  të  ashtuquajtura  kriza  humanitare,  të  cilat  ishin  të motivuara politikisht, kështu që mund t’iu drejtoheshe vetëm me ushtrim vendimtar të fuqisë shtetërore. Nocioni i Kushnerit mbi të drejtën për të ndërhyrë në baza humanitare u përdor nga Kombet e Bashkuara në Irak në 1991, në Somali në 1992, si  dhe nga Franca në Ruandë në 1994.Në kohën e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, Kryeministri Toni Bler argumentoi se problemi më i madh i politikës së jashtme ishte të identifikoheshin rrethanat në të cilat shtetet duhet të implikohen aktivisht në konfliktet e popujve të tjerë. Ai shpalosi për herë të  parë  doktrinën e  tij mbi  komunitetin ndërkombëtar. në një fjalim të mbajtur në Çikago, në 22  prill 1999. Bler bëri thirrje për idenë e një lufte të drejtë, bazuar jo në ambiciet territoriale,  por  në vlera. Ai propozoi pesë konsiderata kryesore,    para se të vendoset se ku dhe kur mund të ndërhyhet:

a)  A jemi të sigurt për çështjen tonë?

b)  A i kemi shteruar të gjitha mjetet diplomatike?

c)  A ekzistojnë veprime ushtarake, të cilat mund të ndërmerren në mënyrë të matur dhe të ndjeshme?

d)  A jemi të përgatitur për një kohëzgjatje të madhe?

e)  A kemi interesa kombëtare të implikuara?

Toni Bler nuk i sugjeroi këto pika si absolute, por si të nevojshme për t’u marrë në konsideratë, në momentet e vendosjes se kur dhe ku duhet ndërhyrë. Ai argumentoi se këto rregulla do të funksiononin vetëm në qoftë se do të gjendej një rrugë e re për t’i bërë Kombet e  Bashkuara vepruese dhe kështu të shmanget dështimi i plotë, i cili kishte minuar efektivitetin e Këshillit të Sigurimit gjatë Luftës së Ftohtë.Doktrinës së Blerit mbi komunitetin ndërkombëtar iu ngritën disa pikëpyetje, si p.sh.:

?       Kush është komuniteti ndërkombëtar? (Një serb nga një fshat i Kosovës mund të mendonte  se  në  fakt  po  bombardoheshin  nga  një  grup  i  vogël  kombesh perëndimore, të cilët kishin vendosur ta quanin veten “komunitet ndërkombëtar”.)

?       Cilat vlera po mbrojmë?

?       Kush vendos se cila  palë është “e mirë” dhe cila  palë është “e keqe” në një konflikt?

Çdo forcë e fuqishme për të ndërhyrë jashtë Kombeve të Bashkuara duhet të ketë interesa  që kapërcejnë interesin e pushimit të genocidit dhe çlirimit nga shtypja. Siç e pohoi edhe Bler, ka gjithashtu masa politike, diplomatike, ekonomike dhe financiare që mund të përdoren.

Pak pas fjalimit të Blerit, në Çikago, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Kofi Annan ngriti dilemën e ndërhyrjes, në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në vitin 1999 dhe përsëri në vitin 2002. Ai i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të gjente një konsensus të ri mbi gjetjen e një zgjidhjeje për këto çështje dhe të rriste unitetin rreth parimeve bazë e proceseve të implikuara. Ai ngriti pyetjen: ”Në qoftë se ndërhyrja humanitare është vërtetë një sulm i papranueshëm ndaj sovranitetit, si duhet t’i përgjigjemi Ruandës, Serbrenicës dhe dhunimeve të mëdha dhe sistematike të të  drejtave  njerëzore,  të  cilat  ofendojnë  çdo  udhëzim  të  sjelljes  sonë  të  përbashkët njerëzore?”Nga njëra anë, a është e ligjshme që një organizatë rajonale të përdorë forcën pa një mandat të Kombeve të Bashkuara? Nga ana tjetër, a është e lejueshme të lejosh shkelje të mëdha dhe sistematike të të drejtave njerëzore, me pasoja të rënda humanitare dhe në mënyrë të  pakontrolluar? Duke kërkuar përgjigjen e këtyre pyetjeve, Annan diskutoi katër aspekte të ndërhyrjes, të cilat sipas tij duheshin marrë në konsideratë me kujdes:

a)    ”Ndërhyrja”  nuk  duhet  kuptuar  sikur  i  referohet  vetëm  përdorimit  të  forcës.

b)  Nocionet tradicionale të sovranitetit nuk janë pengesa e vetme për aksion efektiv në  krizë  humanitare. Jo më pak të dukshme janë mënyrat me të cilat shtetet i përkufizojnë interesat e tyre kombëtare. Nevojitet një përkufizim i ri, më i gjerë i interesit kombëtar, që t’i shtyjë shtetet të gjejnë unitet më të madh në ndjekjen e qëllimeve dhe vlerave të përbashkëta, si dhe të kuptojnë se interesi kolektiv është interes kombëtar.

c)  Në rastet kur ndërhyrja me forcë bëhet e nevojshme, Këshilli i Sigurimit duhet të jetë në gjendje të ngrihet ndaj kësaj sfide. Kombet e Bashkuara duhet të jenë në gjendje të  gjejnë bazë të përbashkët në  ruajtjen e parimeve  të Kartës dhe  të veprojnë në mbrojtje të njerëzimit tonë të përbashkët.

d)  Kur luftimi mbaron, angazhimi ndërkombëtar në paqe duhet të jetë po aq i fortë sa dhe angazhimi në luftë.

Në përgjigje të sfidës së shtruar nga Kofi Annan, kryeministri i atëhershëm i Kanadasë Jean  Chretien, gjatë samitit të Mileniumit të Kombeve të Bashkuara, në shtator 2000, shpalli krijimin e Komisionit Ndërkombëtar mbi Ndërhyrjen dhe Sovranitetin Shtetëror. Mandati i këtij komisioni të pavarur ishte promovimi i debatit të gjithanshëm global mbi marrëdhënien ndërmjet ndërhyrjes dhe sovranitetit shtetëror.

Pas një viti, komisioni publikoi raportin e tij “Përgjegjësia për të mbrojtur” dhe ia paraqiti atë formalisht Kofi Annanit, në dhjetor 2001. Tema kryesore e raportit ishte ideja që shtetet  sovrane kanë përgjegjësi për të mbrojtur qytetarët e tyre nga katastrofat e pashmangshme, nga vrasjet masive dhe përdhunimi, nga vdekja prej urisë. Kur ata nuk kanë vullnet, ose nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë, atëherë përgjegjësia duhet t’u mbetet shteteve të komunitetit të gjerë.Pra, raporti nxiti një ripërcaktim të konceptit të sovranitetit si përgjegjësi. Ai vlerësoi se të  drejtat që u takojnë shteteve sovrane janë në balancë me përgjegjësitë. Raporti argumentoi se kur një popullsi civile vuan nga abuzimet serioze me të drejtat njerëzore dhe  shteti  në  fjalë  është  i  pavullnetshëm  ose  i  paaftë  t’i  shmangë  ato,  parimi  i mosndërhyrjes duhet t’i  nënshtrohet përgjegjësisë ndërkombëtare për të mbrojtur atë popullsi.

7. Ndërhyrja humanitare në të shkuarën dhe sot

Doktrina e ndërhyrjes humanitare ka tërhequr vëmendjen veçanërisht pas krizës së Kosovës dhe luftës së NATO-s kundër Jugosllavisë. Megjithatë ideja e saj është shumë më e vjetër. Një prej themeluesve të së Drejtës Ndërkombëtare, Hugo de Groot (1583 – 1645), qysh  në  fillim  të  shekullit  të  shtatëmbëdhjetë,  mbrojti  të  drejtën  e  shteteve  për  të ndërhyrë,  në  qoftë  se  trajtimi  që  një  shtet i  bënte  qytetarëve  të  tij  do  të  shokonte ndërgjegjen e njerëzimit. Sipas Grocit, “Qytetarët kanë të drejtë për revolucion në rastet ekstreme të tiranisë.”Ndërsa këto të drejta do të ushtroheshin së pari nga qytetarët e kombit në fjalë, shtetet e tjera lejoheshin të mbështesnin qytetarët e shtypur, në qoftë se ata i kërkonin ndihmë fuqive të huaja.Mbrojtja që Groci i bënte ndërhyrjes humanitare lidhej me doktrinën e rezistencës legjitime  ndaj represionit. Ideja e Grocit ndihmohej nga fakti që në atë kohë e drejta ndërkombëtare nuk kishte vendosur ende një ndalim absolut të përdorimit të forcës, si e drejta  ndërkombëtare  moderne që njohu Paktin Briand  – Kellog, në vitin 1928  dhe tashmë në nenin 2(4) të Kartës së Kombeve të Bashkuara mbi ndalimin e luftës. Ideja e nxjerrë nga Groci u mbështet nga pjesa më e madhe e juristëve deri në fund të shekullit të 19-të.

Ndërhyrje humanitare kanë ndodhur edhe në të shkuarën:

Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Rusia ndërhynë në Greqi, në vitet 1927 – 1930, për të ndaluar masakrat turke dhe shtypjen e popullsisë civile greke.

Austria, Franca Italia, Prusia dhe Rusia ndërhynë në Kretë, në vitet 1866 – 1868, për të mbrojtur popullsinë kristiane, e cila shtypej nga turqit.

Fuqitë  evropiane  ndërhynë  kolektivisht  në  Ballkan,  në  vitet  1875  –  1878,  në mbështetje të kryengritësve kristianë në Bosnjë-Hercegovinë dhe Bullgari, të cilët kishin qenë subjekt i masakrave turke.

Fuqitë evropiane ndërhyjnë në Turqi, në vitet 1903 – 1908, për të mbrojtur popullsinë e shtypur kristiane maqedonase.

Duhet theksuar se jo konsideratat mbi të drejtat humane, por ndryshimet themelore fetare  ndërmjet fuqive evropiane dhe Perandorisë Otomane ishin shkaku i ndërhyrjeve nga Perëndimi.Pas  Luftës  së  Parë  Botërore  përdorimi  legjitim  i  forcës  u  kufizua  në  rastet  e vetëmbrojtjes, mbrojtjes së paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Kjo vlen edhe sot, kur Këshilli  i  Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka mundësinë e mbrojtjes së të drejtave njerëzore   përmes   masave  sipas  kapitullit  VII,  i  cili  fillimisht  nënkuptonte  “vetëm mbrojtjen e paqes  dhe sigurisë ndërkombëtare”, veçanërisht kur shkeljet masive dhe sistematike të të drejtave  humane kanë potencial për të kërcënuar paqen dhe sigurinë ndërkombëtare dhe në rastet kur duhet përballur me një numër të madh refugjatësh, me shkelje të të drejtave humane lidhur  me  etnicitetin (si në Kosovë) dhe angazhimin e kombeve fqinjë (si në luftën e Kongos).Gjatë Luftës së Ftohtë, në një kohë kur Këshilli i Sigurimit kishte shumë mundësi të dështonte plotësisht për shkak të faktit që si SHBA dhe BS kishin të drejtën e vetos, ndërhyrja  nuk mund të ndodhte meqë nuk ekzistonte vullneti dhe as mundësia për të ndërhyrë kolektivisht për qëllime humanitare, veçanërisht lidhur me vendet në sferën e influencës së njërës apo tjetrës palë në Luftën e Ftohtë.

Frika e një Lufte të Tretë Botërore në atë kohë ndalonte mbrojtjen me forcë të të drejtave humane. Për më tepër, pjesa më e madhe e anëtarëve të Kombeve të Bashkuara, të  cilët   nga  viti  1960  përbëheshin  nga  kombe  jo  perëndimore  dhe  ish-koloni,  e konsideronin nocionin e ndërhyrjes humanitare si një relike të kolonializmit dhe shkelje të doktrinës themelore të barazisë sovrane të shteteve, gjë që çonte në heshtje të shumë kombeve përballë shkeljeve masive të të drejtave njerëzore në atë kohë.

Vetëm pasi Luftës së Ftohtë i erdhi fundi me revolucionet paqësore të vitit 1989, ideja e  mbrojtjes së detyrueshme të të drejtave humane ishte në gjendje të fitonte përsëri terren.  Në  vitet  1990  u  bë  e  mundur,  për  herë  të  parë  në  historinë  moderne,  që komuniteti  ndërkombëtar të ndërmerrte aksione të përbashkëta për mbrojtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, si dhe të të drejtave njerëzore. Por edhe pas përfundimit të Luftës së Ftohtë ndërhyrja humanitare nuk fitoi mbështetje të gjerë menjëherë. Shumë shkelje masive të të drejtave njerëzore mbetën pa përgjigje nga komuniteti ndërkombëtar, për shkak se fuqitë që ishin në gjendje të vepronin nuk kishin vullnetin për të vepruar, sidomos pas fatkeqësisë ose dështimit të Shteteve të Bashkuara në Somali.

8. Nevoja për ndryshim

Ndërhyrja e NATO-s e vitit 1999 kundër ish-Jugosllavisë, pati kritika të ashpra nga Rusia   dhe  Kina,  por  u  mbështet  më  pas  nga  Kombet  e  Bashkuara.  Sekretari  i Përgjithshëm  i  Kombeve  të  Bashkuara  Kofi  Annan,  duke  iu  drejtuar  Komisionit  të Kombeve të Bashkuara mbi të drejtat humanitare, theksonte: “Për vrasësit masivë, për spastruesit etnikë, për ata që  janë fajtorë për shkelje të mëdha dhe shokuese të të drejtave njerëzore, pandëshkueshmëria është e papranueshme. Kombet e Bashkuara nuk do të jenë kurrë streha e tyre. Karta e Kombeve të Bashkuara nuk do të jetë kurrë burim qetësie ose justifikimi. Ngadalë, por patjetër do të ndodhë që një normë ndërkombëtare kundër represionit të minoriteteve do të fitojë epërsi mbi sovranitetin shtetëror.”Një shtet sovran, sipas të drejtës ndërkombëtare, ka të drejtën e ushtrimit të një juridiksioni total brenda kufijve të tij territorialë. Shtetet e tjera kanë detyrimin për të mos ndërhyrë në çështjet e brendshme të një shteti sovran. Ky parim postkolonial është mbështetur dhe mbrojtur më shumë nga shtetet e dobëta, meqë atyre ju ofron mbrojtjen e fundit përballë presionit të shteteve më të fuqishme, veçanërisht në botën e sotme të globalizuar.Por,  a  dëshiron  sot  komuniteti  ndërkombëtar  të  autorizojë  shtetet,  ose  grupet  e shteteve, të përdorin forcë kundër një shteti që nuk respekton të drejtat e shtetasve të tij?Ende nuk ekziston një konsensus në komunitetin ndërkombëtar për zhvillimin dhe formalizimin e  kritereve  për  ndërhyrje  humanitare,  megjithëse  pranohet mundësia  e vendosjes së kritereve të tilla.Përdorimi i forcës për të ndaluar privimet masive të të drejtave të njeriut është një çështje e kontestuar në shumë nivele. Arritja e konsensusit ndërkombëtar mbi kriteret e ndërhyrjeve  të  tilla  dhe  në  veçanti  për  ndërhyrjet  e  paautorizuara,  do  të  kërkojë diskutime  të  gjera  dhe  debate  ndërmjet  akademikëve  dhe  organizatave  joqeveritare eksperte në këtë fushë.Është e vështirë të gjesh një konsensus ndërkombëtar, madje edhe ndërmjet shteteve të NATO-s, për të mbështetur këtë ide. Nuk ekziston ndonjë praktikë shumë e përhapur shtetërore që të mbështesë këtë pikëpamje. Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme, që dënojnë  ndërhyrjet specifike, përdorimin e forcës në mbrojtje të të drejtave të njeriut, demonstrojnë kundërshtimin ndërkombëtar për një rregull të tillë. Për më tepër statutet e asnjë prej Gjykatave Penale Ndërkombëtare ekzistuese nuk autorizojnë ndërhyrje të tilla (Gjykata për Jugosllavinë, Ruandën dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare). Rusia dhe Kina kritikuan hapur faktin që NATO veproi pa autorizimin e Këshillit të Sigurimit. Gjithashtu, pjesa më e madhe e shteteve anëtare të NATO-s, të cilat morën pjesë në  ndërhyrjen e Kosovës, kanë theksuar se përdorimi i paautorizuar i forcës në këtë rast ishte një incident i vetëm dhe nuk duhet parë si përpjekje për të modifikuar regjimin e përdorimit të forcës.

Deklarime  të  tilla  kanë  bërë  disa  shtete  anëtare  të  NATO-s,  përfshirë  Shtetet  e Bashkuara, Francën, Gjermaninë dhe Belgjikën.

A mundet e drejta ndërkombëtare ta legalizojë ndërhyrjen humanitare?

Mund të argumentohet se ky hap është moralisht i kërkuar edhe nga ana etike. E drejta ndërkombëtare publike, si të gjitha të drejtat, duhet t’i përshtatet idealeve më të larta. Ndërhyrja humanitare mund të mbrojë të drejtat e njeriut, shkelja e të cilave mund të shkaktojë rreziqe për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, por nga ana tjetër ndërhyrja humanitare paraqet rrezik për abuzim. Nëse një e drejtë e tillë do të pranohet, ajo do të jetë praktikisht e vështirë për t’u kontrolluar.Përdorimi i forcës jashtë Kombeve të Bashkuara krijon mundësinë e keqpërdorimit të konceptit të ndërhyrjes humanitare nga vende të ndryshme. Ne nuk duhet të harrojmë se në vitin 1939 Gjermania naziste përdori arsyet humanitare për të legjitimuar pushtimin  Çekosllovakisë, duke deklaruar se gjermanët etnikë po keqtrajtoheshin në Sudetenland. Pra ndërhyrja humanitare paraqet vështirësi serioze, pavarësisht nga qëllimi i saj fisnik. Pavarësisht nga këto pengesa, mbështetja për doktrinën e ndërhyrjes humanitare mund të vijë duke u rritur. Nëse komuniteti ndërkombëtar dëshiron të vendosë një ligj të ri, i cili të  lejojë ndërhyrjen humanitare, ai duhet të zbatohet në ato situata kur ka shkelje të rënda  dhe  masive të të drejtave të njeriut. Mënyra më e përshtatshme, por gjithashtu edhe më e vështirë për t’u realizuar, me qëllim që të përmbushet objektivi i mbrojtjes së të drejtave të  njeriut por pa kaluar në abuzime, do të ishte amendimi I Kartës së Kombeve të Bashkuara.

Zhvillimi i normës ndërkombëtare në favor të ndërhyrjes për mbrojtjen e civilëve  do vazhdojë, pavarësisht nga    vështirësitë e vënies së saj në zbatim, sepse njerëzimi sot është më pak i gatshëm  se në të kaluarën për të toleruar  vuajtjet dhe më i gatshëm  për ta zgjidhur këtë problem. Ndoshta ndërhyrja në Kosovë vendos një precedent të ri për zhvillimin e të drejtës ndërkombëtare     për    mbrojtjen    e        të       drejtave       të       njeriut.Mbi të       gjitha,          e        drejta ndërkombëtare e përgjithshme mund të ndryshohet përmes identifikimit të mangësive të saj dhe zhvillimit të një politike të re të shteteve.

BIBLIOGRAFIA

1.  Stefan Kirchen, The Human Rights Dimensions of International Peace and Security,

25 October 2004, www.jha.ac/articles/a143.pdf

2.  Chris Abbott, Rights and Responsibilities, Resolving the Dilemma of Humanitarian

Intervention, September 2005, Oxford•Research•Group

3.  Penelope         C.      Simons,      Humanitarian       Intervention,        A       Review        of          Literature, www.plougshares.ca/libraries/WorkingPapers/wp012.html

4.  Oliver Corten, Humanitarian Intervention, a controversial right

5.  Jonatan I.       Charney,     Anticipatory          Humanitarian       Intervention         in          Kosovo, www.questia.com/googleScholar.qst?docld=5001866798

6.  Annan, Kofi 1999, “Two Concepts of Sovereignty”, The Economist, 18 September, www.un.org/Overview/SG/kaecon.htm

7.  Michael  N.  Schmitt,  Armed  Conflict  and  Law  in  this  Century,  Human  Rights

Magazine, Winter 2003

8.  Niko  Krisch,  Legality,  morality  and  dilemma  of  humanitarian  Intervention  after

Kosovo, Center for International Studies, New York University School of Law, 2002 http://ejil.oxfordjournals.org/cgi/content/abstract/13/1/323

9.  Michael  N.Schmitt,  U.S.  Security  Strategy  and  the  Jus  ad  Bellum,      College  of

International and Security Studies, 2004-5, Module 4, International Law

Marre nga   Revista Juridike “Jeta Juridike” 2008

Shënim I Stafit I DrejtesiaShqiptare.com:

E drejta e autorit mbetet i  autorit të punimit . Opinionet e shprehura  dhe studimet  juridike  e publikuara në këtë Website janë të autorëve përkatës  qe I kane shkruar ato. Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi në qoftë se  shkrimi është upload-uar pa lejen e autorit.Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi për pikëpamjet, vërtetësinë e informacionit që përmbajnë artikujt që publikon dhe shkeljet e se drejtës së autorit.Kushdo që ka ndonjë ankese  rreth  së  drejtës  së autorit ne publikimet e ketij website,  është I lutur  te dërgoje një email  tek kontakt@drejtesiashqiptare.com.  Ne do ta  shqyrtojmë me përgjegjesi ankesën dhe do ta heqim menjëherë shkrimin.Për  të mos arritur deri aty,ju lutem respektoni  të drejtën  e autorit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

4 × four =

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Powered by WordPress | Designed by: Dog Groomer | Thanks to Assistant Manager Jobs, Translation Jobs and New York Singles