Si Duhet Të Përmirësohet Kodi Penal-DR.FEHMI ABDIU

Dita italo-shqiptare për diskutimin rreth problematikës së legjislacionit penal për ne shqiptarët është një ngjarje e rëndësishme, pasi na shërben për të këmbyer eksperiencat tona, që, në fakt, sipas mendimit tim ngjasojnë mjaft, sepse ne për hartimin e legjislacionit penal kemi pasur një ndihmë të madhe nga shkencëtarë e specialist italianë.

I-Për ndryshimet e shumta dhe mangësitë Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë është miratuar më 1 qershor 1995. Pas asaj kohe, duke filluar nga viti 1996 e deri në vitin 2009 (1998,2001,2003,2004, etj), është amenduar disa herë e, për rrjedhojë, janë shtuar në të 80 nene dhe janë ndryshuar mbi 86 të tjera. Me pak fjalë, ndryshimet ne këtë ligj te rëndësishëm përbëjnë mbi 50% të dispozitave të tij. Dënimet kryesore, sipas tij janë: gjoba, burgimi dhe burgimi i përjetshëm, për krimet, dhe gjoba e burgimi për kundërvajtjet penale. Me heqjen e dënimit me vdekje, me vendimin nr.65, datë 10.12.1999 të Gjykatës Kushtetuese, është shtuar ndjeshëm burgimi i përjetshëm, duke u aplikuar nga 17 nene të tij. Ky qëndrim mendoj se vlen për t’u diskutuar, pasi aplikimi i tij kaq gjerë me duket jo shumë i përligjur. Për disa krime të rënda, gjatë ndryshimeve të viteve 2003 e 2004 është parashikuar aplikimi i dënimit me burgim të përjetshëm si

dënim i vetëm pa dënimin tjetër, burgimin si dënim alternativ; në nenet 109/3, 221/2 , 334/2 etj. Krejt ndryshe është vepruar për disa krime shumë më të rënda, si për atentatin, për aktet terroriste, për financimin e terrorizmit etj, për të cilat parashikohet dënimi me burgim jo më pak se 15 vjet ose me burgim të përjetshëm, si dënim alternativ. Si rrjedhojë e paqartësive dhe koncepteve jo të sakta, dënimi me burgim të përjetshëm është parashikuar padrejtësisht edhe për disa krime, pasojat e të cilave vijnë nga pakujdesia. Kështu, marrëdhëniet seksuale (neni 87) ose krime të tjera të parashikuara nga nenet 110/a, 114/b, 128/b e 298, si edhe 111/4, 114 b/4, 128 b/4, 298/4 etj, ndëshkohen me burgim të përjetshëm. Veç kësaj, konstatohet se në përgjithësi dënimi me burgim për shumë krime, pasojat e të cilave vijnë nga pakujdesia, është parashikuar për periudha shumë të gjata kohe.

II- Disa qëndrime te Gjykatës Kushtetuese për Kodin Penal 2/1-Qëndrimi i parë që bën fjalë për aplikimin e dënimeve fikse, mendoj se duhet korrigjuar, sepse bie ndesh me standardet kushtetuese të politikës së dënimit dhe
me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, nr.13, datë 29.05.1997, që duke shqyrtuar kërkesën e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë ka vendosur shfuqizimin e disa dispozitave (pjesës për dënimet fikse), duke arsyetuar se ato bien ndesh me një sërë parimesh, me mënyrën e caktimit të dënimit, me rrethanat lehtësuese e rënduese që konkurrojnë për çdo vepër penale, si dhe eliminojnë në procesin penal kontributet e mbrojtjes e pengojnë gjykatën për të individualizuar dënimin etj. Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se edhe dispozita të tjera janë antikushtetuese. Në nenet 25 e 26 te Kodit Penal, që kanë zëvendësuar normat e pjesës së posaçme të saj, kanë qenë parashikuar vetëm minimumi i dënimit me burgim, por nuk është përcaktuar edhe maksimumi i posaçëm i tij. Duke vepruar në këtë mënyrë, këto norma, që parashikonin vepra penale pa ndonjë rrezikshmëri shoqërore të madhe, ligjvënësi i ka kategorizuar objektivisht në nivelin e normave për vepra penale me rrezikshmëri më të theksuar, për të cilat maksimumi i dënimit është 25 vjet burgim. Po ky qëndrim është mbajtur edhe në lidhje me përmbajtjen e neneve 1 dhe II/2 të Pjesës së Përgjithshme të Kodit Penal, të cilat kanë ndryshuar paragrafin e tretë dhe të katërt të nenit 34 të tij dhe kanë vendosur llojin e dënimit me gjobë, pa përcaktuar maksimumin e saj. Së fundmi, Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar edhe paragrafin e dytë të nenit 26 të ligjit, në të cilin kanë qenë parashikuar konvertimi i gjobave administrative në burgim, duke arsyetuar se nuk mund të përfshihet për vepra penale një sanksion me karakter administrativ. Veç sa më sipër, Gjykata Kushtetuese me kërkesë te gjykatave të ndryshme referuese nëpërmjet gjykimit konkret, ka ndërhyrë edhe në disa raste të tjera ndaj dispozitave të veçanta të Kodit Penal. II/2-Kështu, me vendimin nr. 65, dt. 10.12.1999, Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar kërkesën e paraqitur nga Gjykata e Lartë që shqyrtonte një çështje konkrete dhe ka konsideruar si antikushtetues aplikimin e dënimit me vdekje për disa vepra penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenet 5, 116 dhe 122, parashikon zbatimin e së drejtës ndërkombëtare si të detyrueshme për të, duke i radhitur marrëveshjet
ndërkombëtare të ratifikuara, të cilat përbejnë pjesë të sistemit të brendshëm juridik, në hierarkinë e akteve normative që kanë fuqi përpara ligjeve. Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut është një nga ato marrëveshje ndërkombëtare, të cilën Shqipëria e ka nënshkruar dhe ratifikuar. Sipas pikës “q” të Protokollit nr.6: “ Dënimi me vdekje hiqet. Askush nuk mund të ndëshkohet me një dënim të tillë, as të ekzekutohet”. Si përfundim, sipas Gjykatës Kushtetuese, dënimi me vdekje është i papajtueshëm me thelbin e këtyre të drejtave dhe lirive. Ai është një mohim i së drejtës për jetën dhe në vetvete përbën një dënim çnjerëzor e mizor, që shteti e realizon nëpërmjet pushtetit të tij gjyqësor. Dënimi kapital nuk lidhet me kufizimin, por me
eliminimin përfundimisht të subjektit nga shoqëria. Ai është pikërisht një mënyrë e privimit të jetës së personit, i cili në këtë rast ka vetë shtetin si ekzekutor. Pra, sipas arsyetimit që ka bërë gjykata, dënimi me vdekje
nuk ka baza periodike, politike e sociale.

II 2/3-Kështu është shprehur ajo, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë edhe në lidhje me papajtueshmërinë e ligjit “Për Armët”, duke pranuar ndër të tjera, se përmbajtja e dispozitës që autori të dërgohej për gjykim në çdo rast në gjendje arresti, i kufizon gjykatës pushtetin e saj, i heq asaj të drejtën e vlerësimit të masës së sigurimit dhe nuk e prek pavarësinë e sistemit gjyqësor.

II 2/4- Veç sa më lart, mbi bazën e kërkesës së Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, Gjykata Kushtetuese ka vendosur të deklarojë si të papajtueshme me Kushtetutën edhe nenin 135 të Kodit Penal, sipas të cilit, dhënia e një vendimi gjyqësor përfundimtar (që dihet se është i padrejtë), dënohet me burgim nga 3-10 vjet. Gjatë shqyrtimit gjyqësor të çështjes, Gjykata Kushtetuese ka parashtruar disa probleme teorike me rëndë si, që kanë të bëjnë me pavarësinë e pushtetit gjyqësor, me rolin dhe vendin e gjyqtarëve e raportin e tyre me ligjin e Kushtetutën. Gjykata Kushtetuese, ndër të tjera ka arsyetuar se vendimet gjyqësore kontrollohen vetëm nga gjykata më e lartë dhe asnjë organ tjetër nuk mund të vlerësoje ligjshmërinë dhe bazueshmërinë e vendimeve gjyqësore, për sa kohë ato nuk janë ndryshuar ose prishur sipas ligjit. Nëse një vendim është objektivisht i pabazuar në ligj edhe në fakte, ai mund të rishikohet sipas ligjit vetëm nga një gjykatë më e lartë. Sipas saj, mundësia e fillimit të ndjekjes penale ndaj një gjyqtari për dhënien e një  vendimi përfundimtar, ndërkohë që vendimi mund të shqyrtohet nga një gjykatë më e lartë, krijon një presion të pajustifikuar mbi këtë të fundit, ç’ka mund të cenojë dhënien e drejtësisë. Por, duke përjashtuar përgjegjësinë e gjyqtarit, për kushtet e rrethanat e lartpërmendura, Gjykata Kushtetuese nuk ka lënë pa arsyetuar se kur gjyqtari për interes ose për shkaqe të dobëta kryen një veprimtari që lidhet me vendimmarrjen, ai ndëshkohet për vepra të tjera penale, si për shpërdorim detyre, korrupsion etj.

III-Veç sa ma lart në Kodin Penal, lypset të bëhen edhe mjaft përmirësime, shumica e të cilave lypsen për ta përshtatur atë me standarde që kërkohen për çdo vend që aspiron për në BE. Për këtë qëllim, me sa jemi në dijeni, maxhoranca parlamentare ka përgatitur disa amendamente e shtesa, të cilat nuk janë bërë objekt i diskutimit parlamentar. Nuk i njoh mirë ato dhe nuk dëshiroj t’i paragjykoj me këto fjale, por do të mjaftohem duke u shprehur se duhen bërë ndryshime të ndjeshme në këtë ligj të rëndësishëm. Për sa thamë,
shtrohen dy alternativa: ose të vazhdojmë të operojmë me amendime ose të bëjmë një ndryshim të rëndësishëm në të, një reformë për të përgatitur Kodin e Ri. Si përfundim, mendoj se bëhet e nevojshme që të përgatitet e miratohet Kodi i Ri Penal, për të përmirësuar dhe reflektuar mangësitë e ndjeshme që vihen re në të, për të pasqyruar problematikat që kërkojnë zgjidhje dhe reflektim, si dhe për të parashikuar e planifikuar detyrimet ligjore që lindin për vendin tonë nga perspektiva jonë europiane.

Marre nga   Gazeta Panorama.

Shënim I Stafit I DrejtesiaShqiptare.com:

E drejta e autorit mbetet i  autorit të punimit . Opinionet e shprehura  dhe studimet  juridike  e publikuara në këtë Website janë të autorëve përkatës  qe I kane shkruar ato. Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi në qoftë se  shkrimi është upload-uar pa lejen e autorit.Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi për pikëpamjet, vërtetësinë e informacionit që përmbajnë artikujt që publikon dhe shkeljet e se drejtës së autorit.Kushdo që ka ndonjë ankese  rreth  së  drejtës  së autorit ne publikimet e ketij website,  është I lutur  te dërgoje një email  tek kontakt@drejtesiashqiptare.com.  Ne do ta  shqyrtojmë me përgjegjesi ankesën dhe do ta heqim menjëherë shkrimin.Për  të mos arritur deri aty,ju lutem respektoni  të drejtën  e autorit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

14 − three =

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Powered by WordPress | Designed by: Dog Groomer | Thanks to Assistant Manager Jobs, Translation Jobs and New York Singles