Lufta e “specializuar” ndaj krimit modern(Krimi kompjuterik)-ERJONA CANAJ

Sulmet e hackerave ndaj institucioneve qeveritare, shoqërive apo kompanive më të mëdha në botë, është kthyer në një hobi të vërtetë. Pirateria nëpërmjet internetit përbën sot një shqetësim global dhe me pasoja ekonomike në shkallë shqetësuese. Edhe në vendin tonë krimi kibernetik nuk mund të quhet më sporadik. Ai po gjen përhapje graduale dhe po kthehet në një kërcënim serioz dhe real. Vjedhjet nëpërmjet internetit dhe veçanërisht vjedhja e llogarive bankare apo kartave të kreditit kanë gjetur terren të përshtatshëm edhe te ne. Por, këtij fenomeni nuk duket se po i kushtohet vëmendja e duhur. Rrjetet kompjuterike të ditëve të sotme ofrojnë mundësi të reja dhe moderne për shkeljen e ligjit duke krijuar potenciale që shtyjnë subjektet në kryerjen e formave të ndryshme të kriminalitetit tradicional në mënyrë jo tradicionale. Përhapja dhe përdorimi i internetit nuk është shoqëruar me mekanizmat e mjaftueshëm juridikë të mbrojtjes ndaj krimit në internet. Si rrjedhim, individët, institucionet (publike dhe private) rrezikojnë dhe janë pamjaftueshmërisht të mbrojtur nga ky krim. Pirateria zhvillohet tërësisht në kushte anonimiteti dhe kjo e vështirëson shumë punën investigative të organeve kompetente.


Pirati dhe viktima e tij mund të jenë në vende krejtësisht të ndryshme nga njëri-tjetri dhe kjo e bën akoma më të vështirë investigimin, duke pasur parasysh ligjet e ndryshme që mund të kenë shtetet dhe qasjen ndaj këtij lloj krimi. Karakteri specifik i krimit kompjuterik dhe rrezikshmëria e lartë shoqërore kërkon vërtet që këto problematika të rregullohen me ndryshimet e duhura ligjore, por ligji nuk mjafton! Nevojiten edhe disa rregulla të tjera për parandalimin dhe luftën ndaj këtij krimi, pasi format e reja në fushën e krimit kompjuterik janë një sfidë e vazhdueshme për të gjitha qelizat e shoqërisë. Për këto arsye, duhet që të vazhdohen përpjekjet maksimale për plotësimin dhe azhurnimin e kuadrit ligjor përkatës dhe rregullimin juridiko-penal, në mënyrë të veçantë për inkriminimin e disa veprimeve të keqpërdorimit të kompjuterit si krime/vepra kriminale. Vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet krijimit apo mirëfunksionimit të seksioneve që marrin pjesë në zbulimin, hetimin dhe procedimin e veprave penale lidhur me krimin kompjuterik. Seksioni i veçantë i krijuar në Prokurori në Drejtorinë e Krimit Ekonomik, duhet domosdoshmërish të përbëhet nga persona ekspertë të përdorimit të kompjuterëve. Duhet investuar akoma më shumë për trajnimin dhe aftësimin e oficerëve apo personave të cilët merren me zbulimin e këtyre krimeve, pasi këto krime kryhen nga persona me aftësi të spikatura dhe që ecin me ritme shumë më të shpejta. Kontrolli duhet të fokusohet intensivisht mbi email-et, mbi forumet interaktive, chat room, instant messaging etj. Duhet gjithashtu t’u jepet prioritet politikave të caktuara, të cilat ndihmojnë në mënyrë të ndjeshme në parandalimin dhe në luftën ndaj këtij lloj krimi. Në një të ardhme të afërt, këto politika do të mund të rrisin efektivitetin e reformave ligjore të ndërmarra dhe të minimizojnë ndjeshëm rrezikun e krimeve kibernetike në Shqipëri. Në qoftë se kuadri ligjor aktual duket modern, i plotë dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare (edhe pse ka akoma vend për përmirësime), prioritet merr në këtë drejtim implementimi i tyre dhe mbrojtja nëpërmjet mjeteve efektive teknologjike dhe shtrënguese,
të cilat mund të reduktojnë aktivitetin kriminal kompjuterik.

Për shkak të përhapjes së kësaj dukurie,duket gjithashtu i pakontestueshëm një “aksion” me qëllim parandalimin dhe luftimin ekëtij fenomeni në shoqërinë tonë bashkëkohore. Nëse seksioni i veçantë në Prokurori nuk mund të përballojë këtë “fluks piraterie”, atëherë prioritet merr krijimi i seksioneve të tjera funksionale dhe të specializuara për zbulimin, hetimin dhe procedimin e veprave penale lidhur me krimin kompjuterik. Një zgjidhje alternative e këtij problemi mund të jetë, siç u përmend edhe më lart, krijimi i një sektori të ri në Policinë e Shtetit: policia postare. Kjo mund të jetë një organikë me detyra të veçanta, me një autonomi funksionale dhe strukturale, në kuadër të sigurisë dhe rregullsisë së shërbimeve të telekomunikacionit, e specializuar për të gjitha aktivitetet e inspektimit për veprimtari të paligjshme të kryera nëpërmjet internetit.Duhet cilësuar se ligjet dhe reformat institucionale të implementuara në të drejtën penale shqiptare nuk do të jenë të suksesshme nëse nuk shoqërohen edhe me masa të tjera të karakterit social dhe kulturor vendas. Në lidhje me këto krime nevojitet për të gjithë njohja e rreziqeve efektive dhe pasojatkonkrete që sjell krimi kompjuterik në të gjitha aspektet e jetës, dhe jo vetëm ato me karakter ekonomik. Shumë i rëndësishëm është raportimi në organet kompetente, i cili duhet bërë në çdo rast. Nga ana tjetër, duhet të theksohetndërgjegjësimi dhe edukimi për monitorim vigjilent të sigurisë për mosvendosjen e kamerave apo skanerave afër bankomateve (ose mikrokamerave të vendosura mbi ekran), si dhe pajisjeve shtesë përreth kornizave të bankomatit. Në lidhje me këtë, rekomandohet trajnimi dhe përkujdesja e veçantë që duhet të tregojë personeli i security, të cilët duhet të njoftojnë në të gjitha rastet organet kompetente. Kujdes të veçantë duhet të tregojnë të gjithë personat për të mos iu përgjigjur thirrjeve me email për të transmetuar të dhënat e tyre personale. Nevojitet gjithashtu nxitja e tëgjithë subjekteve në rast të keqpërdorimit kompjuterik për të lajmëruar organet kompetente. Krimi kompjuterik është padyshim një krim modern dhe lufta ndaj tij duhet të jetë e të njëjtës natyrë: intensive dhe me armë bashkëkohore!

Marre nga   Gazeta Panorama.

Shënim I Stafit I DrejtesiaShqiptare.com:

E drejta e autorit mbetet i  autorit të punimit . Opinionet e shprehura  dhe studimet  juridike  e publikuara në këtë Website janë të autorëve përkatës  qe I kane shkruar ato. Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi në qoftë se  shkrimi është upload-uar pa lejen e autorit.Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi për pikëpamjet, vërtetësinë e informacionit që përmbajnë artikujt që publikon dhe shkeljet e se drejtës së autorit.Kushdo që ka ndonjë ankese  rreth  së  drejtës  së autorit ne publikimet e ketij website,  është I lutur  te dërgoje një email  tek kontakt@drejtesiashqiptare.com.  Ne do ta  shqyrtojmë me përgjegjesi ankesën dhe do ta heqim menjëherë shkrimin.Për  të mos arritur deri aty,ju lutem respektoni  të drejtën  e autorit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Powered by WordPress | Designed by: Dog Groomer | Thanks to Assistant Manager Jobs, Translation Jobs and New York Singles
Per Se Kjo Reklame?