Aborti dhe e drejta e jetës- Fatmir Pera,Zef Ahmeti

images1

Ka shtruar një mori dilemash, statusi juridik i embrionit dhe në përgjithësi mënyra aplikuese për t’i zgjidhë të gjitha ato mosmarrëveshje. Veçanërisht, një barrë e madhe u ka mbetë qeverive dhe parlamenteve të shteteve që të diskutojnë për të marrë një udhëdrejtim në lidhje me çështjet delikate të aborteve. Bota perendimore, por jo vetëm ajo, është para një sfide të madhe të kohës, ngase nuk mund të anashkalojë rregullimin për apo kundër abortit. Kjo domosdoshmëri e rregullimit pason nga një mentalitet që po mbretëron në botë, ne e cekëm më lart, përkatësisht ajo se çdo grua e ka të drejtën ta sundojë trupin e saj dhe të jetë e drejta e saj për frytin e ngjizur që të jetojë apo t’ia ndalë jetën. Mjerisht, më tepër diskutohet deri në cilën kohë të shtatzanisë mund të kryhet aborti se sa a mud të jetë aborti i lejueshëm.Prandaj, juristi do të pyetet: deri në cilën kohë pas të mbeturit shtatzënë (mbarsjes) mund të jetë i lejueshëm aborti?[46] Fëmija në krijim e sipër, a gëzon të drejtat ligjore a jo? A i posedon edhe embrioni të drejtat e një subjekti si person juridik apo jo?Shumica e vendeve të Evropës – në përjashtim të Irlandës – e kanë legalizuar abortin. Disa orientohen duke vënë termine/afate. Si shtete më tepër liberale vlerësohen Franca dhe Italia, në të cilat aborti është bërë vepër penale që nga viti 1975 përkatësisht 1978. Në Francë aborti deri në javën e 12-të është i lejueshëm vetëm se gruaja duhet ta paraqesë kërkesën e saj me shkrim.Në Itali kufiri për abort legal është 90 ditë. Aborti mund të vijojë qysh pas shtatë ditësh pasi që të jetë bërë i ashtuquajturi “attesti” i nënshkruar nga një mjek dhe gruaja shtatzënë. Në Austri aborti është i mundshëm në tre muajt e parë. Në këto tre vendet e fundit abortimi mund të pasojë edhe pas këtyre kufizimeve kohore, nëse ekzistojnë arsye mjekësore të arsyetuara. Në Gjermani që nga viti 1995 aborti mund të bëhet vetëm në tre muajt e parë përkatësisht 12-të javët e para, mirëpo gruaja shtatzënë është e detyruar që para se ta bëjë këtë të konsultohet me mjekun dhe ta vizitojë një nga vendkëshillimoret e ngritura për këtë çështje në Gjermani. Vendi me ligje më të ashpëra në çështjen e aborteve është Irlanda. Abortet janë plotësisht të ndaluara, me përjashtim vetëm nëse vie në rrezik jeta e gruas. Gratë irlandeze, për shak se nuk mund të abortojnë në vendin e vet, kalojnë nëpër vendet fqinje diku afër 7000 në vit, për të bërë abortin. Edhe në Spanjë lehojet aborti vetëm nëse vihet në rrezik jeta e gruas. Në Spanjë vlenë po ashtu kufizimi 12 javë, ndërsa në rast të ndonjë dhunimi 22-javë dhe në rast se kostatohet se fetusi nuk do të këtë zhvillim normal.


Suedia, në krahasim me vendet e lartpërmendura, ka ligj më liberal. Kufijtë e lejueshëm për abort janë 18 javë, ndërsa në Holandë në raste të veçanta deri edhe në 22-javë. Në Britani të Madhe nuk ka kufizime kohore për abortim, por vlenë principi i zgjidhjes së problemit me indikacione. Kjo do të thotë, se mjeku vendos vetë. Kështu që atje abortimi mund të bëhet pa rrezik dënimi penal deri në javën e 24-të. Në SHBA kemi prej 20 deri në 24 -tën javë mundësinë për abort.Që kjo temë të jetë sa më e kuptueshme si shembull në vijim do të paraqesim diskutimet argumentet që kanë përdorur dy pozicionet zvicerrane në inisiativën për ndryshimin e kodit penal përkatësisht të paragrafëve ku është e sanksionuar çështja e abortit.

C. a. Rregullimi i abortit në Zvicër

Sikur në çdo vend, diku më pak e diku më shumë – legal apo ilegal, aborti është një fenomen i pranishëm edhe në Zvicër. Vlerësohet se çdo e katërta grua konfrontohet të paktën njëherë në jetën e vet me abortin. Sipas ligjit penal zviceran neni 118-121[47], aborti është vepër penale. Këtu përjashtohet inkriminimi i abortit në rast se gruaja që i nënshtrohet këtij procesi është e rrezikuar me jetë, apo në rast se shtatzënia do të ishte rrezik për jetën e gruas. Se a ekziston një rrezik i tillë për jetë për këtë vendos mjeku, ndërsa aborti mund të bëhet vetëm nëse të njëjtin vlerësim e jep edhe një mjek tjetër, pra mjeku i dytë.[48] Që nga viti 1942 ligji mbi abortin nuk është ndryshuar asnjëherë. Që nga ky vit koncepti i shëndetësisë është zgjeruar. Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) me konceptin “shëndetësi” kupton më shumë se ajo e të qenit i shëndoshë. WHO kupton “një gjendje të mirë trupore, mentale dhe sociale”, e sipas kësaj gratë kanë mundësi që ato ta marrin në përdorim këtë të drejtë e në veçanti atë psikike apo sociale si arsyetim për të ndërmarrë aktin e abortimit.[49] Nisur nga fakti se në Zvicër abortet kanë vijuar pa problem, megjithë ligjin në fuqi, vlerësohej se ligji aktual ishte ligj i tejkaluar dhe se nuk i përshtatet realitetit të ri. Kështu një inisiativë popullore me moton “për nënën dhe fëmijën” ka kërkuar ndryshimin e ligjit aktual të abortit. Ishte edhe kërkesa për kufizimin e aborteve legale vetëm në 12 javët e para, pra ndalimin e abortimit pas javës së 12-të.Lidhur me këtë inisiativë për ndryshimin e këtij ligji kemi dy pozicione të ndryshme: njëra anë e cila është pro këtij ndyshimi dhe pala tjetër e cila e refuzon këtë projektligj.

C. a. a. Aborti: çështjet etike

Grupi i cili përkrah abortin ka sjellur argumentet e tyre duke i kundërshtuar vlerësimet e atyre që e kundërshtojnë abortin duke sjellur faktet me sa vijojnë:

C. a. b. Statusi moral i embrionit

A është embrioni një njeri, i cili gëzon të drejta të krahasueshme me ato të njeriut të lindur? Si argumentim për këtë qëndrim pro embrionit jipet shpesh nga kundërshtarët e abortit, duke vlerësuar se të gjitha trashëgimitë (gjenet) janë tani të pranishme në embrion. Ndërsa bindjet e grupit kundër kundërshtarëve të abortit ndryshojnë duke përdorur këto argumente:
1) Njeriu është më shumë se masë e kromosomeve,
2) Shumica e njerzëve ia japin jetës embrionale një vlerë morale, e cila rritet (vlera morale) me zhvillimin e tij (embrionit), megjithatë kurrë s`është e barabartë me njeriun,
3) Embrioni nuk është “jetë e pavarur“. Ai mund të zhvillohet vetëm në trupin e gruas drejt pavarsisë së plotë. Një pakicë tjetër e shikojnë ngjizjen e qelizave si jetë në të njëjtën shkallë si atë të njeriut të lindur. “Fetusi nuk është send, as ind, por po ashtu s’është për tu barazuar me një person të lindur”[50]. Është gabim vlerësimi se, gjithnjë duke e paraqitur pozicionin e atyre që ishin kundër kundërshtarëve të abortit, “embrioni ka të drejtë për jetë”. As kushtetuta zvicerane a as ndonjë marrëveshje ndërkombëtare nuk ia rregullon të drejtën embrionit për jetën. Gjykatat më të larta të Belgjikës, Anglisë, Austrisë, SHBA-ve, dhe Kanadës, sipas vendimeve të nxjerra, e drejta për jetë nuk është për tu zbatuar te embrioni. Një pozicion të ngjajshëm e ka marrë edhe Komisioni Evropian për të drejtat e Njeriut (shiko për këtë vendimet e datës 13.5.80 dhe 19.5.92). I gabueshëm është po ashtu vlerësimi se “embrioni me shtatëzani është i aftë për trashigimi. Pra njohja si personalitet”. Sipas § 31 të kodit civil zviceran thuhet: “personaliteti fillon me jetën pas lindjes së kryer“. Kështu që fëmija jo i lindur i trashigimilënësit mund ta trashigojë pasurinë vetëm nëse lindë i gjallë.Ndalimi i abortit është edhe shkelje e një mori të drejtave themelore të gruas. Ndalesa për abort është shkelje e thelbit të personalitetit të saj: të drejtën e saj për jetë dhe shëndet, lirisë së ndërgjegjes së saj dhe autonomisë morale si dhe lirisë së saj për vetvendosje. “Një detyrimi për të lindur moralisht nuk mund të përfaqësohet”.[51]Akuzat si “vrasje” janë të pabaza – thekësojnë ata – ngase nuk kemi të bëjmë me një akt agresiv kundër një njeriu tjetër. Embrioni nuk është një “tjetër”, por ai është vetë në trupin e gruas dhe në varësi të plotë nga ajo. Ky krah vlerëson se, nuk është çështje e shtetit të vendosë, se deri në cilën shkallë aborti moralisht është i pranueshëm e në cilën shkallë jo, por ai duhet të vëjë disa kufizime, ku duhet të jetë e mundëshme një marrje e një vendimi të lirë[52].Një vlerësim tjetër lidhur me inisiativën “për nënën dhe fëmijën” thotë se, kjo inisiativë kërkon që gruaja me çdo kusht duhet ta lindë fëmijën, e që do të thotë se jeta e embrionit duhet të vihet para jetës së gruas[53]. Sipas vlerësimeve të grupit kundër atyre që janë kundër abortit, ndalimi i abortit do të thotë kufizim i të drejtave të gruas dhe autonomisë së saj për vetëvendosje.

C. a. c. Embrioni duhet të mbrohet

Propozimi i rregullimit kohor për abort legal vetëm në 12 javët e para në parim njeh aspekte të mbrojtjes së jetës së paralindjes dhe se parlamenti zviceran është i vetëdijshëm, se shteti duhet të vihet në mbrojtjen e të palindurve dhe se kjo del edhe nga të drejtat themelore kushtetuese zvicerane – neni 7 dhe 10.Komisioni Etik Nacional Zviceran në qëndrimin e tij është shprehur pro inisiativës për vënien e afatit prej 12 javësh. Ky komision ka marë parasysh dy aspekte: autonominë e gruas shtatzënë dhe mbrojtjen e jetës së palindur. Ky afatkufizim i jep mundësi femrës shtatzënë që në kohën prej 12 javësh të vendosë se a don ta mbajë fëmijën a jo, dhe se vetëm gruaja shtatzënë mund të vlersojë dhe ngase ajo e di çka do të thotë shtatzënia e padëshirueshme për të. Mbrotja e integritetit të gruas bëhet duke mos e klasifikuar abortin si vepër penale brenda 12 javeve të shtatzënisë, ndërsa në anën tjetër vënia e këtij afati mbron jetën e palindur.[55]

C. a. d. Embrioni ka të drejtë për jetë

Për të mundur që embrionit t’i sigurojmë mbrojtje juridike e kushtetuese, duhet të fillohet nga faktet biologjike. Gjenomi i embrionit përmban që nga fillimi njëjtë ‘planin ndërtues’ dhe ‘detyrën ndërtuese’ për zhvillimin e njeriut që do të lindë. Në të vërtetë kjo duhet të bëhet me mdihmën e nënës deri sa ta arrijë pavarësinë të bëjë jetë të pavarur.[56] Embrioni në identitetin gjenetik, mospërsëritja dhe pandryshueshmëria është që në fillim një jetë e përcaktuar “që në procesin e zhvillimit” krijohet si njeri.[57] Në dy vendimet e gjykatës kushtetuese lidhur me abortin (1975 dhe 1993) ka gjykuar se, jeta e palindur gëzon mbrojtje dhe garancinë e dinjitetit njerëzor. Në mbrojtje të tij mund të merret si argument edhe neni 2 kryerreshti 2 i kushtetutës së Gjermanisë dhe neni 10 i kushtetutës së Zvicrës.Në të drejtën ndërkombëtare sa i përket marrëveshjeve për të drejtat e njeriut mund të thuhet se mungon mbrotja e dhënë shprehimisht. Në nenin 2 të Konventës së Evropës për mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, përmban të drejtën e çdo njeriu për jetë. Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut nuk ka nxjerrë ende ndonjë vendim lidhur me çështjen e mbrotjes së embrionit. Marëveshja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut dhe Biomedicinë e 4 prillit 1997- e cila nuk është ratifikuar ende nga Zvicërra, ndalon shprehimisht krijimin e embrioneve për qëllime të kërkimeve shkencore. Ndërsa në një Protokol plotësues të 12 janarit 1998 ndalohet kllonimi i qenies njerëzore.[58]
Në biologji është vërtetuar se çdo fëmijë me ngjizje i takon njeriut. Zhvillimi i njeriut duhet të shikohet si proces zinxhiror. Brenda orëve pas ngjizjes fillon programi gjenetik i zhvillimit embrional. Në muajin e parë veç fillojnë të krijohen organet si zemra, truri, sytë etj. Në muajin e dytë fillon të merr formën e saj fytyra, ndërsa në muajin e tretë fytyra e fëmijës fillon të formësojë si ballin, hundën, gojën. Dhe se aborti mu për këtë arsye mund të krahasohet si vrasje, vrasje e fëmijës në krijim e sipër e i pambrojtur. E drejta për jetë është një e drejtë fundamentale. Kështu që mbrojtja e jetës nuk është diçka individuale, por ajo është një detyrë publike dhe solidare dhe se jeta e palindur në mungesë të mundësisë për mbrotje, këtë duhet ta bëjë shteti, dhe se kjo është detyrë e tij, vlerëson Bashkësia për Mbrotjen e Jetës së Palindur në Zvicër.[59]

C. b. Regullimi i abortit në vendet e ndryshme të Evropës

Praktika e nxjerrjeve të ligjeve në vendet perendimore në procesin e përgatitjes së projektligjeve ata bëjnë krahasimin me normat ligjore të shteteve fqinje dhe më gjërë, që të mund të vëjnë në jetë një ligj i cili më së miri do të mund të gjente aplikueshmërinë e tij në atë vend. Një thirrje e ngjajshme ka dalë edhe nga UE, duke kërkuar nga anëtaret e saja që ligjet e vendeve anëtare të jenë sa më të afërta dhe jo me dallime të skajshme.

Gjermania: Sipas të drejtës së aplikueshme të vitit 1995 aborti në Gjermani parimisht është i ndaluar, mirëpo lejohet në raste të caktuara. Një aborti brenda 12 javësh është i lejuar pasi që gruaja të ketë kryer bisedën e obligueshme me qendrën këshilluese për shtatzënat, në të cilën bisedë gruaja shtatzënë vendos se a do ta abortojë fëmijën apo jo. Pas bisedës, gruas që ka vendosë të bëjë abortin i jepet një çertifikatë dhe vetëm me këtë letër ajo ka mundësi t`i drejtohet mjekut për ta kryer abortin. Ndërsa në anën tjetër, aborti klasifikohet si legal nëse klasifikohet si i patjetërsueshëm (në rast se rrezikohet jeta e gruas) ose kemi te bëjmë me ndonjë implikim kriminal, pra dhuminin. Në Gjermani janë afër 1930 vende për këshillime të cilat lëshojnë çertifikata për abort për ato që dëshirojnë ta marrin një hap të tillë.[60]

Franca: Sa i përket kohëzgjatjes se deri kur lejohet aborti, Franca klasifikohet si vend më “progresiv” në këtë fushë. Kjo lidhet ngushtë me luftën e pandërprerë të grave. Në vitin 1975 nxirret një ligj i cili lejon abortin deri në javën e dhjetë. Ndryshimi, apo nivelimi i këtij ligji bëhet edhe njëherë në vitin 2001 ku kohëzgjatja për të kryer abortin zgjatet edhe për dy javë. Mbas hyrjes në fuqi të këtij ligji të ri, shumë klinika në praktikë edhe mëtutje përpiqen që të mos e aplikojnë ligjin e ri. Kjo do të thotë se baza juridike ndryshon nga realiteti. Mirëpo, kjo ka shkaktuar që shumë gra të kalojnë kufijtë e të shkojnë në Holandë apo Spanjë dhe të bëjnë abortin. Sipas të dhënave të njohura, mesatarja e aborteve në Francë sillet diku afër 200.000 në vit.[61]
USA: Që nga viti 1973 në SHBA vlen një lloj i kufizimit kohor për abortin. Në Amerikë kemi dy grupe: në njërën anë të krishterët të cilët përfaqësojnë vlerat e krishtera, e ashtuquajtura lëvizja “pro Life”(për jetën) dhe në anën tjetër kemi liberalët që vihen për “pro Choise” (për të zgjedhur vetë). Sipas një praktike të Gjykatës Supreme të SHBA-ve në një vendim të saj të vitit 1973 thuhet se shtetet anëtare të SHBA-ve nuk kanë të drejtë të pengojnë abortin në tre muajt e parë. Ndërsa në temujorshin (Trimester) e dytë aborti mund te ndalohet vetëm nëse kjo ndërhyrje është e rrezikshme për abortuesen.[62]
Austria: Që nga viti 1975 në Austri aborti mund të bëhet pa rrezikun për tu akuzuar për vepër penale, nëse gruaja së pari konsultohet me ndonjë mjek, së dyti nëse absolvon një këshllë të detyrueshme dhe së treti nëse aborti bëhet brenda tre muajsh. Mesatarja e abortimeve legale në Austri vlerësohet diku 20.000 deri 25.000.

Suedia: Ligji suedez iu lejon grave suedeze që të vendosin lirisht për abortin pa u kërcnuar nga dënimi deri në javën e 14-të. Një shtatzëni mund të ndërpritet edhe në javën e 24-të, mirëpo për këtë nevojitet një leje nga organet mbikqyrëse që quhet Socialstyrelsen. Suedia qëndron para vendeve tjera si Danimarka, Norvegjia dhe Finlanda sa i përket kohës se kur guxohet të bëhet abortimi, te të cilat deri në javën e 12-të gratë mund të vendosin lirisht se a dojnë ta mbajnë fëmijën a jo.

Portugalia: Në Portugali kush bën abort ilegal, për ato dënimi i aplikueshëm është burgimi. Në këtë vend kush aborton apo ndihmon abortin qëndron me njërën këmbë në burg dhe njërën në liri. Kështu në mungesë të alternativave legale, organizatat të cilat merren me çështjen e familjes, vlerësojnë se numri i grave që abortojnë fëmijën e tyre arrinë diku 40.000.[65]

D. Rregullimi i abortit në Shqipëri dhe Kosovë

Në pjesën përfundimtare të persiatjeve tona për fenomenin e abortit, do të ndalemi shkurt edhe në vendet tona shqiptare, përkatësisht Shqipëri dhe Kosovë, e të shohim se si e aplikojnë abortin në ligjet e tyre.

D. a. Aborti në Shqipëri

Në Shqipëri aborti është i rregulluar sipas ligjit dhe urdhëresave të Ministrisë së Shendetësisë për abortin, Nr. 8045, data 07. 12. 1995, që është mbështetje e nenit të ligjit nr. 7491, të vitit 1991 “Për dispozitat kryesore kushtetuese” me propozimin e Këshillit të Ministrive, miratuar në Kuvendin Popullor të Shqipërisë[66]. Ky ligj është i përbërë nga 21 nene të ndara në tre krerë. Ndërprerja e vullnetshme e shtatzanisë sipas nenit 3, mund të bëhet nga mjeku specialist obstetërgjinekolog i cili është punonjës në institucionet shtetërore dhe private që i plotësojnë kushtet e përcaktuara në udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes së Mjedisit. Paraprakisht, mjeku specialist prej të cilit kërkohet ndërprerja e vullnetshme e shtatzënisë, është i obligueshëm të informojë personin (gruan) për të gjitha rreziqet dhe komplikimet që i sjell ndërprerja e shtatzënisë, të drejtat që i garantohen me ligj për familjen, nënën dhe fëmijën, për institucionet dhe organizmat që mund t’i ofrojnë ndihmë morale dhe financiare dhe për klinikat që i kryejnë ndërprerjet e shtatzënisë (neni 4). Pasi t’i merr gruaja përkatëse të gjitha udhëzimet dhe informatat e duhara, mjeku kërkon konformimin me shkrim të kërkesës, 7 ditë pas kërkesës së parë. Kur kërkesa bëhet nga një vajzë e mitur 16 vjeçare, përveç kërkesës së saj, kërkohet edhe miratimi i një personi i cili ushtron autoritetin prindëror ose të kujdestarit ligjor të saj (neni 8). Ndërprerja e shtatzënisë mund të bëhet deri në javën e 22 të shtatzënisë dhe në çdo kohë, në rast se komisioni i përbërë nga 3 mjekë, pas ekzaminimit dhe konsultimit, gjykon se: fetusi ka keqformime të papajtueshme me jetën apo sëmundje invaliduese me trajtim të pasigurtë (neni 9). Kurse në rast se gruaja vlerëson se shtatzënia e saj krijon probleme psikosociale, ndërprerjën mund ta bëjë brenda javës së 12, por edhe në javën e 22, nëse komisioni i përbërë nga 3 specialistë mjekë, punonjës socialë, juristë, pas ekzaminimit dhe konsultimit, gjykon se shtatëzania është rezultat i përdhunimit ose një krimi tjetër seksual, si dhe arsyera tjera të vërtetuara sociale, e të gjitha të jenë të vërtetuara dhe të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes së Mjedisit (neni 10). Sa i përket mjekut, ai nuk është i detyruar të kryejë ndërprerje të shtatëzanisë kundër vullnetit të tij (neni 16). Sipas këtij ligji të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes së Mjedisit, ndërprerja e shtatzënisë apo aborti është i ligjshëm deri në javën e 22, por edhe në çdo kohë nëse gjatë kohës së shtatzënisë janë të evindetuara keqformimet, deformimet, sëmundjet që janë të pashërueshme, si dhe nëse shtatzënia është rezultat i një përdhunimi apo ndonjë akti tjetër krimi seksual. Mund të konstatojnë se sipas të dhënave që i përmendëm ligi mbi abortin është liberal dhe kryerja e abortit bëhet pa frikë se do të jetë gruaja e përndjekur për akt penal. Përndjekja penale, sipas këtij ligji dhe udhëzimeve, mund të aplikohet vetëm për mjekun specialist, nëse i shkelë dispozitat e ligjit të miratuar nga Ministria. Për fat të keq, na mungon ligji penal i Republikës së Shqipërisë, që të mund të japim hollësi edhe më ekzakte për rregullimin e abortit, përkatësisht për atë se kur mund gruaja t’i shkelë dispozitat ligjore me abortin, po që se aborti kryet privatisht, pa konsultime me mjekun? Nëse po, atëherë sa është i paraparë dënimi apo si rregullohet një akt i tillë me ligj?
Gjëja tjetër që na mungon është një raport apo studim se sa aborte bëhen në Shqipëri brenda një viti, si dhe studime të tjera për sa i përket moshës së abortueseve dhe për shkaqet që i nxisin abortet, me një fjalë, një farë lloj statistike bile panoramike, që do të ishte baza për të bërë vlerësime etiko – morale por edhe juridike në lidhje me fenomenin e abortit në Shqipëri. Këtu po japim vetëm një shifër të aborteve të kryera në Shqipëri, sipas Bardhyl Çipit. Në vitet e fundit në Shqipëri – sipas B. Çipit[67] – numri i aborteve është rritë dukshëm në krahasim me vitet e mëparshme[68]. Vetëm në Tiranë ka patur çdo vit rreth 10.000 aborte, kundrejt 7000 – 8000 lindjeve. Të gjitha këto aborte janë të regjistruara, por një numër i madh i aborteve bëhet në mënyrë të fshehur, ilegalisht. Prandaj numri i cekur mund të jetë edhe më i madh.

D. b. Aborti në Kosovë

Kosova sot nuk e ka ligjin e vet penal, por në fuqi është ende ligji penal i ish-Jugosllavisë, përkatësisht Ligji Penal i KS Kosovës të vitit 1977.
Në këtë ligj penal të Kosovës në pjesën e II, kreu VI i dedikuar për veprat penale kundër jetës dhe trupit, aborti apo ndërprerja e shtatëzanisë është e paraqitur vetëm në nenin 37, i përbërë prej 4 paragrafeve. Këtu nuk qartësohet dhe nuk kemi fare nene a paragrafe që tregojnë se në cilën kohë të shtatzënisë është e lejuar, përkatësisht është e ndaluar me ligj kryerja e abortit. Ligji penal ka vetëm këtë me sa vijon:Neni 37 pargrafin 1, ai i cili ndërprenë shtatzëninë kur është e ndaluar me ligj, d. m. th, kur është në kudërshim me dispozitat e ligjit, një gruaje shtatzëne me pëlqimin e saj, fillon t’i bëjë ndihmë ose i ndihmon që të bëjë ndërprerjen e shtatzënisë, konsiderohet se ka bërë vepër penale. Kurse ai i cili në mënyrë të paautorizuar merret me abortin me pëlqimin e gruas shtatzënë, po ashtu ka bërë vepër penale pavarësisht se ka qenë apo jo aborti apo ndërprerja e shtatzanisë e lejueshme apo jo (parg. 2). Njëjtë do të trajtohet ai i cili gruas shtatzënë pa pëlqimin e saj i bënë ose fillon të bëjë abortin, (parg. 3). Dhe, nëse për shkak të veprës nga parg. 1-3, të këtij neni, shkaktohet vdekja apo plagosja e rëndë ose tronditja e rëndë e shëndetit të gruas te e cila është bërë aborti, kryesi dënohet për veprën e tij prej gjashtë muajsh deri në pesë vjet, nga parg. 1, përkatësisht jo më pak se tre vjet për veprën nga parg. 2 dhe 3 ( parg. 4). Shikuar vetëm nga kjo e thënë, në Kosovë aborti është i lejueshëm, por sipas këtij ligji nuk mund të supozohet se deri kur, përkatësisht deri në çfarë kohe është i lejueshëm aborti që paraprakisht të mos jetë akt penal, ose a përndjeket penalisht edhe gruaja që bënë abortin apo vetëm kryesi i abortit, specialisti mjek? Sipas disa komenteve juridike të ligjit penal[69] që janë bërë rreth çështjes së abortit dhe pyetjeve tona që i shtruam, hasim në qëndrimin se, gruaja e ka të drejtën e abortit vetëm nëse rrezikohet shëndeti i gruas apo jeta e saj, dhe atë nëse kanë kaluar 10 javë, 20 javë po edhe në çdo kohë të shtatzanisë. Para 10 javëve të shtatzanisë gruaja e ka të drejtën e abortit pa kurrfarë procedure të veçantë, pavarësisht se për çfarë arsye. Kurse nëse kanë kanë kaluar 10 javë të ngjizjes, gruaja mund të kërkon ndërprerje të shtatzënisë duke bërë kërkesën me shkrim që i dërgohet komisionit të posaçëm për këtë çështje, por paraprakisht duhet të jenë të evidentuara këto dukuri:- në bazë të indikacioneve medicinale konstatohet se gjatë shtatzënisë apo edhe pas lindjes, mund të vijë deri te keqësimi i rëndë i shëndetit të gruas apo edhe deri te vdekja e saj.
- Kur mund të pritet se fëmija do të lindë me mungesa të rënda psikike dhe trupore, bazuar në indikacionet eugjenike.- Kur ngjizja ka qenë pasojë e dhunimit, marrëdhënieve seksuale me personin e paaftë apo me personin e mitur.Të njëjtat dispozita i ka edhe një projektligj që ditët e fundit është përgatitur, por ende ka mbetur vetëm në letër pa fuqinë e vet që të mund të vlejë si ligj penal për Kosovën. Ligji i aplikueshëm, ekzistues i Kosovës është i tejkaluar dhe nuk mund t`i mbulojë nevojat e kohës. Ai, pavarësisht se si është i rregulluar më herët, duhet të ndryshohet dhe ti përshtatet realiteti të ri duke pasur parasysh vlerat humane e morale e të renditet në mbrotje të jetës së pambrojtur, me qëllim të mbylljes së zbrazëtirës juridike në këtë fushë.
Nga informatat që dëgjohen nëpër Kosovë në lidhje me problemin e abortit, situata aspak s’është e kënaqshme. Flitet jozyrtarish, por ngjanë të jetë e vërtetë, mbase nuk kemi studime serioze që të mund të kemi një mbështetje më të sigurtë, se nëpër të gjitha klinikat e Kosovës, përkatësisht repartet e gjinekologjisë, mbretëron një gjendje e pakontrollueshme. Abortet kryhen sipas qejfeve, legalisht e ilegalisht, ngase mungon një mbikqyerje permante.
Sipas një emisioni që kemi përcijellur në RTK, disa të pranishëm kanë pohuar për një rritje të madhe të aborteve pas luftës në Kosovë. Më së tepërmi ka gra e vajza që kanë qenë të dhunuara ose gjatë luftës ose edhe pas luftës e që kanë qenë të detyruara të bëjnë abort. Dukuria më e pakëndshme që po mbretëron në Kosovë është se është rritur numri i vajzave të reja të moshës 16 – 25 që kryejnë aborte. Nga përgjegjja e të intervistuarve, konkludohet se kjo dukuri rezulton nga një liri e egër e të rinjëve dhe nga dhunimet e shumta që bëhen ndaj të rejave. Shkaku tjetër – pohohet – është gjendja e rëndë ekonomike e kosovarëve për të rritur frytin e papritur, të planifikuar dhe të rastësishëm. Nga kjo, mund të supozohet se në Kosovë ka një numër të madh të aborteve. Këtë mund ta supozojmë nga një realitet që tek ne, por edhe në Shqipëri, shumë gjëra bëhen në mënyra të paligjshme e ilegale.

Marrë nga revista “Urtia”

Shënim I Stafit I DrejtesiaShqiptare.com:

E drejta e autorit mbetet i  autorit të punimit . Opinionet e shprehura  dhe studimet  juridike  e publikuara në këtë Website janë të autorëve përkatës  qe I kane shkruar ato. Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi në qoftë se  shkrimi është upload-uar pa lejen e autorit.Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi për pikëpamjet, vërtetësinë e informacionit që përmbajnë artikujt që publikohen dhe shkeljet e se drejtës së autorit.Kushdo që ka ndonjë ankese  rreth  së  drejtës  së autorit ne publikimet e ketij website,  është I lutur  te dërgoje një email  tek kontakt@drejtesiashqiptare.com.  Ne do ta  shqyrtojmë me përgjegjesi ankesën dhe do ta heqim menjëherë shkrimin.Për  të mos arritur deri aty,ju lutem respektoni  të drejtën  e autorit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

seventeen − 6 =

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Powered by WordPress | Designed by: Dog Groomer | Thanks to Assistant Manager Jobs, Translation Jobs and New York Singles