Promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të fëmijëve nën kujdestarinë e institucioneve të përkujdesjes sociale-Ilda Melo

 Fenomeni i të miturve jashtë kujdesit prindëror, është një fenomen social i cili ka shoqëruar shoqërinë shqiptare në veçanti pas shndërrimeve politike ekonomike dhe shoqërore të viteve  1990.  Për  zgjidhjen  e  problematikave  që  mbart  ky  fenomen,  shteti  shqiptar  është kujdesuar për hartimin dhe implementimin e një sistemi të përkujdesit social ndaj të miturve në përputhje me parimin   ndërkombëtar të sigurimit të interesit më të lartë të miturit. Kujdestaria dhe birësimi midis të tjerave janë gjetur si zgjidhje ligjore për mbrojtjen e të drejtave  të miturve jashtë kujdesit prindëror. Pas prezantimit të përmasave të fenomenit të miturve të ngelur jashtë përkujdesit prindëror në realitetin shqiptar, në këtë studim do të synojmë të  japim kornizën ligjore  të  sistemit  të  kujdesit  social  ndaj  të  miturve  jashtë  kujdesit  prindëror  nëpërmjet hulumtimit në  legjislacionin shqiptar në mënyrë specifike në sistemin e përkujdesjes sociale në institucionet publike apo private të përkujdesjes. Nëpërmjet trajtimit të standarteve kryesore të shërbimit të përkujdesjes, do të evidentojmë disa nga problematikat që ndeshen gjatë zbatimit në praktikë të tyre si dhe sugjerime për  përmirësimin  e mëtejshme të standarteve dhe mënyrave konkrete të zbatimit të tyre për  sigurimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të të miturve jashtë kujdesit prindëror.

1.  Hyrje

Shndërrime të mëdha politike, ekonomike dhe shoqërore, në Shqipëri, për të siguruar rritje ekonomike dhe  zhvillim shoqëror janë shoqëruar me një numër sfidash të panjohura më parë, përfshirë këtu varfërinë, papunësinë e skajshme,  mungesën e shërbimeve bazë sociale, përfshirë arsimimin  dhe  shëndetësinë  si  dhe  valë  masive  emigracioni.  Këto  dukuri  kanë  ndikuar  në shfaqjen  e  kategorive  të  reja  sociale  personash  të  rrezikuar  ose  në  nevojë,  përfshirë  këtu kategorinë fëmijët jashtë kujdesit të cilët në frymën e dispozitave kushtetuese gëzojnë mbrojtjen e veçantë të shtetit. Promovimi dhe respektimi i të drejtave  të kësaj kategorie përbën tashmë një ndër objektivat kryesore të  reformave ligjore në sistemin e kujdesit social të cilat po ndërmerren nga shteti shqiptar. Në  realitetin shqiptar ai paraqitet si është një sistem si formal ashtu edhe informal, me një numër modelesh të ndryshme si birësimi, kujdesi i ofruar nëpër familje, kujdesi tutorial (foster care), kujdesi institucional i tipit rezidencial, kujdesi ditor i ofruar në qendrat për fëmijët  me  probleme  sociale  (lypsa,  fëmijë  rrugësh)  apo  shërbimet  e  riatdhesimit  dhe  të ribashkimit familjar për fëmijët që kanë ikur nga Shqipëria.1  Midis modeleve të përmendura ato më të përhapurat janë ai i përkujdesjes së të miturve nga të afërmit e tyre (një model kryesisht informal) si dhe  kujdesi institucional i tipit rezidencial pranë institucioneve publike apo jo publike të përkujdesjes ndaj të miturve. Përkujdesja nga të afërmit e të miturit si pjesë e sistemit informal të përkujdesjes është rezultat i zbatimit të disa rregullave zakonore të trashëguara brez pas brezi, rregulla të zbatueshme në zonat malore ku familja patriarkale vazhdon ende të jetë e fuqishme. Një familje e tillë ishte e organizuar në formë piramidale, e renditur sipas autoritetit rezervuar meshkujve, bazuar në lidhjet e gjakut të krijuara nga martesa dhe kishte një kryetar të vetëm. Ishte detyrë e kryetarit të familjes të kujdesej për sigurimin e   ushqimit, edukimit dhe krijimit të lidhjeve  të reja sociale dhe familjare për pjesëtarët e familjes, për shembull duke realizuar martesa të reja të vendosura vetëm prej tij apo përkujdesjen ndaj të miturve. Familja i rregullonte këto marrëdhënie brenda për brenda saj  nëpërmjet të zotit të shtëpisë. Kjo traditë vazhdon të ketë ndikim edhe në ditët tona.Nëse do t’i referohemi sistemit formal të përkujdesjes, përkujdesja në institucionet e përkujdesjes sociale është forma mbizotëruese e përkujdesjes për këtë kategori të miturish.2  Konstatohet në fakt se në krahasim me vende të tjera të rajonit, Shqipëria ka një numër më të vogël fëmijësh që jetojnë në institucione rezidenciale, por dukuria ka prirje në rritje, ndërkohë që kanë ndryshuar edhe kategoritë e fëmijëve. Në vitin 1994 numri i fëmijëve në kujdes rezidencial ishte rreth 400 dhe shumica e tyre ishin jetimë biologjikë. Të dhënat në vitin 2004 apo dhe 2008 tregojnë se numri i fëmijëve në institucionet e kujdesit për fëmijë është rritur  tre herë në krahasim me vitin 1994 dhe se shumica e fëmijëve janë “jetimë socialë” dhe “fëmijë me probleme sociale”.Arsyet e rritjes së numrit të “jetimëve sociale” lidhet përsëri me ndryshimet që kanë ndodhur në Shqipëri në 20  vitet e fundit, ndryshime që kanë pasur një efekt të fortë mbi martesën dhe solidaritetin familjar. Varfëria, emigrimi dhe lëvizjet e brendshme të popullsisë, si dhe ekspozimi ndaj roleve dhe vlerave të ndryshme sociale, kanë dobësuar lidhjet familjare. Si rezultat i dhunës në familje gjykatat raportojnë një rritje të ndjeshme të numrit të  divorceve. Masat e Kodit të Familjes të vitit 2003, parashikojnë që në raste divorci, kur nëna merr  kujdestarinë e fëmijëve dhe rri në pronën e familjes,  babai duhet të kontribuojë për kujdesjen ndaj fëmijës si pjesë e detyrimeve që burojnë nga përgjegjësia  prindërore, në praktikë shpesh nuk zbatohen siç duhet. Nëse babai nuk është në gjendje ose nuk do ta mbështesë familjen, nëna shpesh nuk ka mundësi që e vetme të përkujdeset për fëmijët; dhe në shumë raste është e detyruar t’ia besojë fëmijën e vet institucioneve të përkujdesjes. Mbështetja  sociale e pamjaftueshme, dhe diskriminimi ndaj grave në fushën e punësimit është mjaft i përhapur duke e bërë shpesh të pashmangshëm këtë fenomen.Institucionet e përkujdesjes për fëmijët jashtë kujdesit prindëror sipas legjislacionit shqiptar kanë statusin  e  personave  juridikë  që  zhvillojnë  veprimtari  jofitimprurëse  nën  administrimin  e Shërbimit Social Shtetëror, Këshillit të Komunës, Bashkisë, apo Këshillit të Qarkut ku ndodhen këto institucione. Në  varësi të llojit të shërbimit social të ofruar mund të jenë:

•        Institucione të përkujdesit rezidencial; apo

•        Institucione të përkujdesit komunitar.

Shërbimet  e  përkujdesit  komunitar  ofrohen  në  qendra  ditore,  shtëpitë  e  individëve,  apo  në familjen kujdestare, sipas nevojave specifike të grupeve përfituese, si institucionet të përkujdesit komunitar. Ato ofrojnë  përkujdesjen dhe ndihmën e tyre pa e larguar fëmijën nga familja e origjinës. Ndërkohë që shërbimi në  institucionet rezidenciale ofrohet për individë, për të cilët përkujdesi në shtëpi nuk është i mundur.Institucionet e përkujdesjes rezidenciale në varësi mënyrës së financimit të personit juridik mund të jenë dy llojesh:

•        Institucione publike rezidenciale përkujdesjeje;

•        Institucione private rezidenciale të përkujdesjes;

lidhur kjo me faktin nëse shërbimi i përkujdesit rezidencial financohet nga fondet publike apo privatisht.

2.  Institucionet publike të përkujdesit social

Deri në  vitin  2005  institucionet  publike  të  përkujdesit  social  kanë  qenë  nën  përgjegjësinë administrative  dhe  financiare të Shërbimit Social Shtetëror, institucioni ekzekutiv i politikave dhe legjislacionit në fushën e  mbrojtjes sociale në Shqipëri që vepron si agjenci shtetërore në varësi të Ministrisë së Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.3  Me decentralizimin e shërbimeve sociale këto institucione po përjetojnë fazën tranzitore të kalimit nën përgjegjësinëadministrative  dhe  financiare  të  organeve  të  pushtetit  lokal,  të  strukturave  përgjegjëse  të komunave,  bashkive apo qarqeve. Ndërkohë Shërbimi Social Shtetëror ka ruajtur funksionet lidhur  me  vlerësimin  e  dokumentacionit  të  këtyre  institucioneve  me  qëllim  licencimin  e institucioneve publike apo private si ofrues të shërbimeve sociale, si dhe funksionin e inspektimit për zbatimin e ligjshmërisë së veprimtarisë së tyre dhe standarteve të shërbimeve të ofruara, të cilat i ushtron nëpërmjet strukturave të tij në nivel rajonal apo kombëtar. Në Shqipëri ekzistojnë 9 institucione rezidenciale publike për fëmijët e privuar nga kujdesi prindëror, dhe dy qendra ditore të lokalizuara në disa rrethe të vendit, të ndarë sipas grupmoshave 0-3 vjeç 3-6 vjeç dhe 6-14 vjeç.

Institucionet  private  të  përkujdesit,  ndërkohë,  organizohen  si  persona  juridikë  privatë  që zhvillojnë veprimtari jofitimprurëse në përputhje me ligjet në fuqi dhe financohen nga organizata jofitimprurëse në formën e  shoqatave fondacioneve apo qendrave vendase apo të huaja. Ato ofrojnë shërbime shoqërore private, ku përfshihen shërbimet e përkujdesit shoqëror që ofrohen në qendrat rezidenciale, në qendrat ditore apo në shtëpi, të financuara privatisht.4  Janë rreth 50 qendra përkujdesjeje jopublike nga të cilat 16 janë qendra rezidenciale dhe 34 qendra ditore Në këto qendra trajtohen rreth 7661 fëmijë nga të cilët 402 në qendra rezidenciale dhe 7259 në qendra ditore të përkujdesit nga të cilët 904 i përkasin grupmoshës 0-6 vjeç, 3365 fëmijë janë të grupmoshës 6-15 vjeç dhe 2895 fëmijë të grupmoshës 15-18 vjeç. Llojet e shërbimeve në qendra ditore lidhen kryesisht me mbështetjen në  komunitet, si shërbime për kopshtet, apo shkolla 5 vjeçare,    mbështetje          financiare,

mbështetje  shkollore,    mbështetje  psiko-sociale,        formim profesional, ushqim apo zbavitje etj. Ndërkohë që qendrat rezidenciale ofrojnë përveç tyre edhe strehimin, shërbimin shëndetësore, edukimin etj.

Shihet qartë nga të dhënat statistikore që në raport me institucionet publike të përkujdesjes, institucionet  jopublike janë të orientuara më shumë në ofrimin e shërbimeve komunitare sesa atyre rezidenciale duke iu përshtatur më mirë nevojave të fëmijëve dhe tendencave drejt të cilave të çojnë situatat e reja ekonomike dhe sociale që po përjeton shoqëria shqiptare në ditët e sotme. Lidhur me cilësinë e shërbimit të ofruar konstatohet  se  institucionet private kanë  një sërë avantazhet krahasuar me ato publike lidhur këto:

•        Me mënyrën e organizimit të institucioneve (grupime të vogla shtëpi familje);

•        Kohëzgjatjen e përkujdesjes (nga 0-18 vjeç);

•        Ofrimin e përkujdesjes ndaj të miturve pa e diferencuar sipas grupmoshave.

3.  Shtëpitë-familje si kujdestar të të miturve

Një formë e re për realitetin shqiptar është organizimi i qendrave rezidenciale në formën e shtëpi-familjeve.   Shtëpitë      familjare,    të       menaxhuara         dhe    të       financuara          nga    organizata jofitimprurëse, janë një alternativë tjetër ndaj shërbimeve publike që u ofrohen fëmijëve pa kujdes prindëror,  përkujdesjen me bazë komunitetin. Ky shërbim ka për qëllim të krijojë një mjedis sa më të afërt me familjen biologjike, dhe t’u japë fëmijëve mbështetje për një periudhë kohore relativisht të gjatë. Padyshim që tendenca bashkëkohore synon drejt zhvillimit të formave të  kujdesit  me  bazë  komunitetin  apo  familjen  si  më  afër  modelit  të  ambientit  familjar  të nevojshëm për rritjen dhe zhvillimin e të miturit jashtë përkujdesjes së prindërve natyrale të tij.

Përmendim si shembull mjaft të suksesshëm, SOS Fshati i Fëmijëve i cili përbën formën e përkujdesit shtëpi-familje. Në fshatin SOS i jepet përparësi fëmijëve jetimë biologjike, fëmijëve nga prindër të ndarë dhe fëmijëve prindërit e të cilëve nuk janë në gjendje të kujdesen për ta. Marrin përparësi vëllezërit dhe motrat. Numri i fëmijëve në familjen SOS shkon nga 5 në 7 vetë,dhe ndryshe nga institucionet rezidenciale, vëllezërit dhe motrat nën moshën 16 vjeç nuk ndahen nga njëri-tjetri. Aktualisht po tentohet që edhe institucionet rezidenciale publike të reformohen dhe riorganizohen në formën e shtëpi-familje. Të dy shtëpitë e fëmijës (në Shkodër e në Tiranë) po shndërrohen gradualisht në shtëpi-familjare,  duke marrë fëmijë që as nuk kthehen dot në familjet e tyre natyrore, as nuk mund të birësohen.Pavarësisht se shihet si forma mbizotëruese e përkujdesjes sociale, vendosja e fëmijëve në përkujdesjen e institucioneve të përkujdesjes është parë nga legjislatori si alternativë e fundit për përkujdesjen e fëmijës jashtë familjes. Kjo për shkak edhe të disa pasojave negative që mund të shfaqen për shkak të institucionalizimit të fëmijëve, faktor që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në shumë raste në përjashtim social të tyre prej komunitetit ku jetojnë. Për këtë arsye shumë akte ndërkombëtare  parashikojnë  sigurimin  e  të  drejtave  specifike  për   fëmijët   që  jetojnë  në institucionet e përkujdesjes.5  Në veçanti mund t’i referohemi rekomandimit (2005)5 të Komitetit të Ministrave  të  Këshillit  të  Europës,  mbi  të  drejtat  e  fëmijëve  që  jetojnë  në  institucione rezidenciale të përkujdesjes.Sipas këtij rekomandimi, me qëllim respektimin e parimeve dhe të drejtave themelore për fëmijët jashtë  kujdesit  prindëror  të  vendosur  në  institucionet  e  përkujdesjes,  duhet  të  mbahen  në konsideratë disa të drejta themelore specifike si:

•        Fëmijët mund të vendosen në këto institucioneve vetëm nëse kjo zgjedhje përkon me plotësimin  e  të  drejtave  dhe  nevojave  të  tyre,  sipas  vlerësimit  ndërdisiplinor  dhe rishikimit të vazhdueshëm të ecurisë së tyre në këto institucione.

•        Vendosja nën kujdestarinë e institucioneve nuk duhet të jetë afatgjatë, por të shihen alternativat e tjera të përkujdesjes.

•        Këtyre fëmijëve, edhe pse janë larguar nga prindërit e tyre, duhet t’u sigurohen kontakte të rregullta me familjet e tyre.

•        Fëmijët  jashtë  kujdesit  prindëror  të  cilët  janë  motra  dhe  vëllezër  kanë  të  drejtë  të qëndrojnë  bashkë  në të njëjtin institucion dhe nëse nuk është e mundur të sigurohen kontaktet e rregullta midis tyre.

•        Të drejtën për t’u respektuar dinjiteti i tyre.

•        Të drejtën për respektim të përkatësisë etnike, kulturore, fetare dhe gjuhësore.

•        Të drejtën për respektim të jetës private, dhe intimitetit të tyre gjatë jetesës në institucion.

•        Të drejtën për një përkujdesje shëndetësore cilësore.

•        Të   drejtën   për   mundësi   të   barabarta   arsimi,   përkujdesi   shëndetësor,   kualifikimi profesional etj gjatë jetesës së tyre kolektive.

•        Të drejtën për të pasur qasje në të gjitha llojet e shkollimit, trajnimit apo kualifikimit profesional.

•        Të  drejtën  e  pjesëmarrjes  në  vendimmarrjet  lidhur  me  kushtet  e  jetesës  së  tij  në institucion.

•        Të drejtën për t’u informuar lidhur me të drejtat që ai ka dhe rregullat në institucionet e përkujdesjes.

•        Të  drejtën  për  t’u  përgatitur  për  jetesën  e  pavarur  apo  kalimin  në  një  formë  tjetër përkujdesjeje.

•        Të  drejtën  për  t’u  ankuar  tek  një  organ  i  pavarur  dhe  i  përcaktuar  për  të  siguruar respektimin e të drejtave të tij themelore.

Por për realizimin sa më të mirë të tyre, nisur dhe nga mangësitë e përmendura ligjvënësi shqiptar  është  treguar  i  kujdesshëm  për  të  minimizuar  pasojat  negative  që       mund  të  vijnë kryesisht për shkak të mënyrës së ndryshme të të jetuarit në këto institucione të jetesës kolektive. Neni  271  i  Kodit  të Familjes  sanksionon  të  drejtën  e  këtyre  institucioneve  për  të  ushtruar kujdestarinë mbi të miturit, duke parashikuar si kriter ligjor licencimin e tyre. Një paketë e plotë ligjore përcakton rregulla ligjore mbi   licencimin  dhe veprimtarinë e institucioneve që ofrojnë shërbimin e përkujdesjes, si dhe mekanizmat shtetërorë të kontrollit të tyre. Megjithatë nuk do të kishim  një mbrojtje të plotë të  të drejtave të të miturve të vendosur në këto institucione, nëse shteti  shqiptar  nuk  do  të  miratonte  standartet  e  shërbimeve  të  përkujdesjes  dhe  mënyrën  e zbatimit të tyre, nga subjektet e licencuar për ofrimin e këtyre shërbimeve.Standartet janë barometri i  cilësisë së shërbimeve të ofruara, të mbështetura dhe në respektim të parimeve  universale  të  të  drejtave  të  njeriut  si  respektimi  dhe  garantimi  i  vlerave  dhe  i personalitetit  të  individit,   universaliteti,  barazia  e  mundësive,  e  drejta  për  të  përfituar, partneriteti, transparenca dhe paanshmëria, mosdiskriminimi, decentralizimi, pavarësia, integrimi shoqëror dhe pjesëmarrja në jetën e komunitetit. Në kushtet e zhvillimit edhe të sektorit privat, të OJF-ve në shërbimet rezidenciale, lindi si nevojë imediate që shteti të vendoste disa rregulla dhe standarde për cilësinë e shërbimeve, që duhen respektuar nga të gjithë ofruesit e shërbimeve, nga institucionet  publike,  nga  organizatat  jofitimprurëse  (OJF)  dhe  nga  ofrues  të  tjerë  private, standarte që  padyshim është e nevojshme të rishikohen vazhdimisht për shkak të natyrës së veçantë dhe të subjektit që i ofrohen këto shërbime.

Duke iu referuar VKM nr 659, datë 17.10.2005 “Për standartet e shërbimit të përkujdesit shoqëror për   fëmijët   në   institucionet   rezidenciale   mund   të   përmendim   12   standarte,   përkatësisht përshtatshmëria  e  shërbimit;  plani  individual  i  përkujdesjes;  ushqyerja;  paraqitja,  veshja,  dhe nevojat  materiale;  sigurimi  i  shëndetit  fizik,  mendor  dhe  emocional;  edukimi  dhe  argëtimi; ankimimi; mbrojtja nga abuzimi; mjedisi dhe akomodimi; stafi dhe menaxhimi; plani përgatitor për jetesë të pavarur. Udhëzimi i MPCSSHB Nr. 830, datë 14.4.2008 “ Për zbatimin e standarteve të shërbimeve të përkujdesit shoqëror për fëmijët në institucionet rezidenciale publike dhe jopublike” përcakton rregullat për mënyrën e zbatimit te tyre.

4.  Në çfarë niveli është shkalla e respektimit të drejtave të fëmijëve   në institucione përkujdesjeje?Respektimi i të drejtave të fëmijëve, së pari si qenie njerëzore, dhe së dyti si një kategori sociale në nevojë, është një aspekt thelbësor në institucionet e përkujdesjes i cili duhet respektuar me rigorozitet dhe  përpikmëri. Fëmijët e ndodhur në institucione rezidenciale duhet të gëzojnë të gjitha të drejtat si çdo fëmijë tjetër që jeton në  familjen natyrore, por fatkeqësisht këto të drejta nuk respektohen njëlloj në një pjesë të madhe rastesh  edhe pse sigurimi dhe respektimi i tyre trajtohet në mënyrë specifike në aktet ndërkombëtare. Si rezultat i disa studimeve të kryera në këtë  drejtim,  fëmijët  pa  kujdes  prindëror  në  këto  institucione  rrezikohen  të   abuzohen,shfrytëzohen dhe keqtrajtohen.6  Janë një numër faktorësh që pengojnë realizimin e përshtatshëm të të drejtave të fëmijës për të jetuar, për t’u zhvilluar e mbrojtur, si dhe për t’u këshilluar me ta kur merren vendime që kanë të bëjnë me të ardhmen e tyre si:

•        mungesa e një legjislacioni të plotë;

•        mangësitë e shërbimeve sociale të ngritura mbi bazë komuniteti;

•        Modeli i papërshtatshëm i përkujdesjes dhe pamjaftueshmëria e shërbimeve sociale;

•        Largimi nga përkujdesi në moshë të hershme dhe mungesa e shërbimeve mbështetëse;

•        Mos-koordinimi i aktivitetit të strukturave të kujdesit në nivel kombëtar dhe lokal.

•        Mostrajtimi  si  prioritet  në  politikat  dhe  strategjitë  kryesore.  Po  ashtu  edhe  fakti  që politikat  dhe  strategjitë  kombëtare  janë  fragmentare  dhe  nuk  japin  një  zgjidhje  të fenomenit në tërësi.

•        Stigma nga shoqëria duke i etiketuar ata si të këqij, të pandreqshëm dhe dembel është një tjetër pengesë për këtë kategori sociale.

Kështu referuar vëzhgimeve të dala nga studimi i UNICEF 2005 në lidhje me të drejtën e tyre për  të  jetuar  në  të  njëjtin  vend  së  bashku  me  motrat  apo vëllezërit  e tjerë,  realizimi  i  saj vështirësohet mjaft së pari për shkak të mënyrës së strukturimit të institucioneve rezidenciale të përkujdesjes si dhe ofrimit të përkujdesjes ndaj fëmijëve sipas grupmoshave dhe në afate kohore të pamjaftueshme. Në lidhje me të drejtën për ruajtjen e  privatësisë, dinjitetit, intimitetit, të drejtën për t’u argëtuar dhe zhvilluar, vëzhgimi në raportin e UNICEF-it tregon se respektimi i saj lë shumë për të dëshiruar. Mosrespektimi i fëmijëve të vendosur në institucionet e kujdesit social buron nga damka që vihet mbi ta dhe përbuzja shoqërore.Në të njëjtën situatë ndodhemi edhe përsa i përket shkallës së respektimit të së drejtës për t’u mbrojtur nga  abuzimi,dhuna e keqtrajtimi. Ka pasur në media raportime për dhunë fizike të ushtruar ndaj fëmijëve në  institucione, me raste që janë regjistruar në Tiranë, Sarandë dhe Vlorë.7  Fëmijët e të rinjtë jashtë kujdesit prindëror janë në risk të lartë për të qenë viktima të trafikantëve apo për t’u shfrytëzuar nga punëdhënësit, ku jo në pak raste i paguajnë pak dhe nuk bëjnë sigurimin e tyre tek sigurimet shoqërore. Vajzat janë edhe viktimat potenciale të krimit të përdhunimit,  trafikimit dhe përfshirjes në prostitucion. Disa vite më parë janë raportuar edhe raste  përdhunimesh  apo  edhe  rrëmbimesh  me  qëllim trafikimin.  Sipas  Raportit  të  Amnesty International: “Në 2006 një stacion televiziv në emisionin “Në kërkim të njerëzve të humbur” publikoi rastet e 11 vajzave jetime (me histori përkujdesi), të zhdukura gjatë 10 vjetëve të fundit. Njëra prej tyre rezulton e zhdukur bashkë me fëmijën 18 muajsh.”Gjithashtu,  mund  të  përmendim  kronikat  e  shumta  të  shtypit  të  shkruar  apo  televizioneve shqiptare mbi raste të trafikimit, përdhunimit, apo dhe prostituimit të vajzave jetime. Së fundi, në datën 21 dhjetor 2009 është transmetuar në një stacion televiziv rasti i disa vajzave jetime të dala nga përkujdesja në shtëpitë e fëmijës në  Shkodër të cilat prostituonin për të siguruar bukën e gojës. Një problem tjetër është rasti i fëmijëve me  probleme sociale, probleme të cilat kanë ndikuar negativisht në sjelljen e fëmijës, duke e bërë atë shpeshherë të rrezikshëm për veten dhe për personat e tjerë. Edhe pse kjo është një e detyrë e institucionit të përkujdesjes, në disa raste ai ka nevojë për ndihmë të specializuar nga organet apo subjektet e   specializuar për trajtimin e situatave të  tilla. Mungesa e qendrave të riedukimit dhe trajtimit të fëmijëve e vështirëson dhënien e kësaj ndihme. Megjithatë mund të aplikohen praktika të ndjekura në vendet e tjera, psh mbikqyrja mund të kryhet nëpërmjet vizitave periodike nga punonjësi social, i cili do të ndjekë nga afër ecurinë e fëmijës gjatë periudhës së  kujdestarisë. Një shembull tjetër është praktika gjyqësore në Angli. Situata të tilla rregullohen nëpërmjet vendimeve gjyqësore për vendosjen e fëmijës në qendra me elementë sigurie me qëllim parandalimin e dëmtimit  të vetvetes apo të personave  të  tjerë.  Gjithashtu  përmendim  praktikën  në  SHBA,  aplikimin  e  programeve  të trajtimit  terapeutik  ndërdisiplinor  për  trajtimin  psikosocial  të  fëmijëve  problematikë.  Në udhëzimet për  mënyrën e zbatimit të standarteve të përkujdesjes së fëmijëve në institucionet rezidenciale, parashikohet që e drejta e ankimit të aplikohet nëpërmjet depozitimit të ankesave në kutinë e ankimeve. Praktikisht kjo nuk është e  mundur pasi këta fëmijë kanë frikë se do të paragjykohen nga personeli i institucionit apo do të keqtrajtohen prej tij.Një problem jo më pak i rëndësishëm është edhe zbatimi i planit të përgatitjes së fëmijës për t’u larguar nga përkujdesja. Referuar standarteve të përkujdesjes, përgatitja e fëmijës për t’u larguar nga shërbimi i kujdestarisë duhet të vijë si rrjedhojë e planit individual të fëmijës  mbi përgatitjen e tij për largimin nga kujdestaria sipas procedurave ligjore.  Ri-integrimi i fëmijës në familjen biologjike, familjen adoptive apo jeta e pavarur varet shumë nga përgatitja paraprake e fëmijës në  këtë  periudhë  tranzitore.  Ashtu  si  dhe  procesi  i  sistemimit  të  fëmijës  në  kujdestarinë  e kujdestarit të caktuar, përfundimi i vendosjes në kujdestari dhe largimi prej saj duhet të bëhet në mënyrë  graduale. Vetëm në rastet emergjente, kur largimi gradual nuk është i mundur, do të gjendet një zgjidhje e menjëhershme ku fëmija të jetë i sigurt.Politikat sociale në këtë drejtim synojnë drejt dhënies së mbështetjes së duhur si materiale ashtu dhe morale dhe psikologjike edhe pse në disa raste dështojnë në misionin e tyre. Nëse referohemi për argumentim të faktit, tek  raporti i Amnesty International mbi hetimin e kryer lidhur me respektimin e të drejtave të jetimëve biologjikë  apo socialë në institucionet e përkujdesjes, raporti shprehet se fëmijët që jetojnë në këto institucione janë të papërgatitur për jetën e pavarur pasi mbushin  moshën  18  vjeç.8   Atyre nuk  u  sigurohet  strehim  dhe  punë  pasi  përfundojnë shkollën edhe pse sipas parashikimeve ligjore kanë përparësi në sigurimin e të drejtave të tyre themelore për strehim, apo punësim, realizimi i të cilave është pjesë e mbështetjes pas largimit nga  kujdestaria  e  institucioneve  të  përkujdesjes.  Trajtimi  me  ndihmë  ekonomike  në  rast papunësie për kategorinë e jetimëve mbi moshën 18 vjeç, duke u përfshirë në skemën e përfitimit të ndihmës ekonomike personalisht mendoj se nuk është në përshtatje me plotësimin e plotë të nevojave të tyre materiale. Këto faktorë bëjnë që të jenë më vulnerabël ndaj abuzimit seksual dhe shtatzënisë në moshë të hershme apo përfshirjes në rrjetet e trafikimit.Të rinjtë me histori përkujdesi nga institucionet rezidenciale publike, manifestojnë edhe format më të këqija të  rezultateve kur ata shkëputen nga përkujdesi: Ata përjetojnë varfëri afatgjatë, izolim social, shëndet të dobët, në jo pak raste janë përdorues të rregullt substancash të ndaluara, janë të pastrehë, të papunë afatgjatë, kanë një nivel të ulët shkollimi, dhe janë në risk të lartë për tu përfshirë në aktivitete të paligjshme, apo për të qenë të abuzuar nga keqbërës e trafikantë.

5.  Përfundime dhe rekomandime

Dinamika e jetës sociale dhe problematikat që e pasojnë atë diktojnë nevojën e reformave ligjore dhe administrative në fushën e mbrojtjes sociale duke përfshirë këtu edhe kujdestarinë si një ndër format e përkujdesjes alternative për të miturit. Hartimi dhe zbatimi i politikave dhe programeve ekonomike dhe sociale me shtrirje të gjerë për fëmijët dhe familjet në nevojë mund të shërbejë si mjet për reduktimin e rasteve të ndarjes së fëmijëve  nga familja natyrale e tij, apo të rritë mundësitë për rikthimin e shpejtë të fëmijës në familjen e tij natyrale. Por nëse ndarja e fëmijës nga familja e origjinës është e pashmangshme, duhet të merren masa për sigurimin e alternativës më të mirë të përkujdesjes për të, duke marrë në konsideratë interesin më të lartë të fëmijës, dhe mbi bazë të një vlerësimit të hollësishëm të rastit konkret.Miratimi i Kodit të Familjes në vitin 2003, solli një sërë risish në legjislacionin shqiptar në lidhje me  rregullimin  ligjor  të  institutin  e  kujdestarisë  dhe  marrëdhënieve  që  krijohen  prej  saj. Megjithatë, në praktikë do të ndeshen edhe shumë probleme që padyshim kërkojnë një zgjidhje efektive në funksion të promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. Një pjesë e këtyreproblemeve lidhet me aspektet procedural të vendosjes së të miturit në përkujdesjen e këtyre institucioneve   dhe   një  pjesë  e  problemeve  lidhen  me  nevojën  për  reformim  ligjor  dhe administrativ.Tendencat bashkëkohore diktojnë nevojën e zhvillimit të sistemeve të kujdestarisë tradicionale si kujdestaria nga  të  afërmit, apo kujdestaria me bazë komunitetin përkundrejt atij institucional, duke i kushtuar vëmendje të veçantë të drejtave të fëmijës të njohura nga konventat. Por nëse mundësia e vetme e përkujdesjes së fëmijës  është institucionalizimi, atëherë duhet të merren masa të përshtatshme për të siguruar që fëmijët në kujdestarinë e institucioneve të përkujdesjes të mos stigmatizohen gjatë qëndrimit në të.

•        Shteti  duhet  të  ndërmarrë  hapa  reale  për  të  ndryshuar  strukturën  e  institucionet tradicionale, duke krijuar grupime më të vogla brenda institucioneve, dhe duke rritur në të   njëjtën   kohë   si   numrin   e   personelit   që   punon   me   fëmijët   dhe   nivelin   e profesionalizimin të tyre. Lidhur me riorganizimin  e  institucioneve të përkujdesjes, një model i mirë ka rezultuar organizimi i fshatit SOS, ku fëmijët jetojnë në grupe të vogla të organizuara si shtëpi familje. Transformimi i institucioneve të përkujdesjes në grupime të vogla  shtëpi-familje  brenda  saj  do  të  ishte  më  elastik  në  plotësimin  e  nevojave  të ndryshme.

•        Zgjatja e afatit të ofrimit të përkujdesjes minimalisht derisa fëmija të mbushë moshën 18 vjeç do të ishte e këshillueshme.

•        Njëkohësisht marrja e masave për mbajtjen e vëllezërve dhe motrave në të njëjtin vend pavarësisht grupmoshave që u përkasin është një tjetër sugjerim që duhet pasur parasysh në të ardhmen.

•        Pavarësisht se tashmë ekziston paketa ligjore dhe nënligjore që përcakton standartet e përkujdesjes për institucionet rezidenciale publike dhe jo publike, si dhe rregulla të qarta për  mënyrën  e  zbatimit  të  tyre  së  bashku  me  një  kontroll  periodik  nga  strukturat shtetërore përgjegjëse, roli i institucioneve shtetërore kontrolluese është ende i nevojshëm për zgjidhjen e problemeve qe dalin në praktikë.

•        Plani i përkujdesjes gjatë dhe pas largimit të fëmijës nga institucioni rezidencial nuk gjen zbatim për shkak të mangësive ligjore dhe mungesës së infrastrukturës administrative që do të zbatojë planin e  përkujdesjes  gjatë dhe pas daljes nga kujdestaria, si mbështetja financiare,  morale,  emocionale  e  fëmijës,  plotësimin  e  nevojave  të  tyre  me  qëllim integrimin e plotë në komunitetin ku do të jetojnë në vazhdim.

•        Në lidhje me periudhën tranzitore të kalimit të fëmijës nga përkujdesja institucionale në jetën e pavarur duhet të merren masa për lehtësimin e këtij procesi, p.sh. duke siguruar një person kontakti për fëmijën.

•        Për jetimët biologjikë ka parashikime të mira ligjore lidhur me mbështetjen që duhet të sigurojë  shteti, përsa i përket përparësive për trajtimin me strehim, dhënies së ndihmës së ekonomike  përsa  kohë  ai  nuk  ka  siguruar  punë,  si  formë  e  mbështetjes  financiare, trajtimin me bursë studimi dhe mbulimin e shpenzimeve të shkollimit, apo kualifikimit profesional të tyre etj. Ndërkohë mungojnë parashikimet ligjore për jetimët socialë.

•        Pjesë  e  rëndësishme  e  administrimit  të  kujdestarisë  në  të  gjithë  format  e  saj  është financimi i  shërbimit. Financimi i studiuar i shërbimit të kujdestarisë në funksion të përmbushjes  së  nevojave  të   të  miturve  ka  impakt  të  drejtpërdrejtë  në  kushtet  e përkujdesjes rritjes dhe edukimit apo kujdesit  shëndetësor të fëmijëve. Kjo mund të arrihet me zhvillimin e politikave shtetërore të orientuara drejt rritjes së përkrahjes dhe mbrojtjes sociale për këtë kategori specifike të shoqërisë shqiptare. Duhet të theksojmë që rritja e mbështetjes financiare dhe alokimi efiçent i fondeve buxhetore duhet të shihet me përparësi edhe në format e kujdestarisë nga të afërmit e fëmijës apo institucionet e përkujdesjes.

•        Konstatohet mungesa e një definicioni të qartë ligjor të konceptit të “fëmijës në rrezik” e cila e bën të vështirë identifikimin e rastit dhe si rrjedhim edhe sigurimin e mbrojtjes nga format e dhunimit të drejtave të fëmijëve.

•        Hetimi dhe dokumentimi i situatave apo dhe informacionit bazë mbi fëmijët është një problem që ndeshet shpesh. Për këtë qëllim kërkohet që të gjithë fëmijët që ndodhen në përkujdesjen e institucionet  rezidenciale publike apo private, dhe fëmijët që duhet të vendosen në kujdestari duhet t’u bëhet një  hetim i përshtatshëm social dhe të ketë një dokumentacion të shkruar të detajuar i cili e ndjek fëmijën kudo që të ndodhet gjatë gjithë periudhës  së  kujdestarisë.  Dosjet  shumë-disiplinore  duhet  të   përditësohen  dhe  të plotësohen gjatë zhvillimit të fëmijës.

•        Marrja e masave ligjore për krijimin e një sistemi kombëtar monitorimi të drejtave të fëmijëve edhe pse në disa raste sporadike janë krijuar të tillë në disa njësi të qeverisjes vendore. Për këtë rekomandohet që shteti të krijojë një mekanizëm të pavarur monitorimi për fëmijët jashtë kujdesit prindëror.

•        Krijimi  i  Institucionit  të  Avokatit  të  Fëmijëve  apo  një  seksioni  të  veçantë  brenda Institucionit të Avokatit të Popullit të veshur me atributet e nevojshme duke përfshirë dhe ato investuese për fillimin e procedimeve gjyqësore në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve jashtë kujdesit prindëror mund të jetë një shembull i këtij organi të pavarur monitorues dhe kontrollues.

Theksojmë edhe njëherë se problemi i të miturve është objekt i një vëmendjeje dhe përpjekjeje të madhe e shtetit shqiptar i cili në mënyrë të vazhdueshme ka tentuar të përmirësojë shërbimet e përkujdesjes ndaj kësaj kategorie nëpërmjet rritjes së shërbimeve të përkujdesjes si dhe miratimit të legjislacionit për mbrojtjen e fëmijëve.  Megjithatë ende ekzistojnë hendeqe të thella si në shërbimet e ofruara ashtu edhe në legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të miturve që kërkojnë ndërhyrje me përparësi nga ana e qeverisë dhe autoriteteve publike në këtë  sektor. Marrja e masave  emergjente  si  përmirësimi  i  legjislacionit  dhe  ndërmarrja  e  reformave  të  sistemit gjyqësor dhe atij administrativ, do të ishin tepër të nevojshme për rregullim sa më efikas të kësaj marrëdhënie dhe  reduktim të ndjeshëm të disa prej problematikave kryesore të ndeshura në realitetin shqiptar lidhur me përkujdesjen ndaj të miturve.

Marre nga   Revista Shqiptare për Studime Ligjore, Volumi 1, 2011

Shënim I Stafit I DrejtesiaShqiptare.com:

E drejta e autorit mbetet i  autorit të punimit . Opinionet e shprehura  dhe studimet  juridike  e publikuara në këtë Website janë të autorëve përkatës  qe I kane shkruar ato. Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi në qoftë se  shkrimi është upload-uar pa lejen e autorit.Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi për pikëpamjet, vërtetësinë e informacionit që përmbajnë artikujt që publikohen dhe shkeljet e se drejtës së autorit.Kushdo që ka ndonjë ankese  rreth  së  drejtës  së autorit ne publikimet e ketij website,  është I lutur  te dërgoje një email  tek kontakt@drejtesiashqiptare.com.  Ne do ta  shqyrtojmë me përgjegjesi ankesën dhe do ta heqim menjëherë shkrimin.Për  të mos arritur deri aty,ju lutem respektoni  të drejtën  e autorit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

14 − thirteen =

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Powered by WordPress | Designed by: Dog Groomer | Thanks to Assistant Manager Jobs, Translation Jobs and New York Singles