Domosdoshmëria e krijimit të gjykatës administrative bazuar në gjendjen aktuale të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve administrative- Julejda Gërxhi/ Ina Puravelli

USSupCt1

Nëpërmjet këtij punimi synohet pasqyrimi i gjendjes reale të mungesës së një hallke të veçantë në sistemin e drejtësisë, që zgjidh mosmarrëveshjet me natyrë administrative mes administratës publike dhe subjekteve private, që është konsideruar si shkak për krijimin e raporteve të vështira mes tyre. Domosdoshmëria e krijimit të Gjykatës Administrative në legjislacionin shqiptar është kthyer në një objektiv të pashmangshëm, me qëllimin e vetëm për të krijuar një klimë sa më të qetë për mbarëvajtjen e raporteve mes administratës publike dhe subjekteve private. Po ashtu, ky punim synon të shërbejë si një nxitje për të vlerësuar drejt nevojën dhe domosdoshmërinë e krijimit të Gjykatës Administrative, duke qenë se Shqipëria është vendi i fundit në rajon që nuk ka ende  një Gjykatë  Administrative.

1.  Hyrje

Shqyrtimi ligjor i vendimeve administrative nga gjykata të pavarura është një parim demokratik i pranuar, i  pranishëm në praktikat kryesore europiane dhe një kontribut i rëndësishëm për të siguruar rendin, veçanërisht për të mbrojtur të drejtat individuale përballë administratës.1  Për më tepër, drejtësia administrative luan një rol vendimtar për zhvillimin ekonomik të një vendi. Për këtë arsye u pa i nevojshëm reformimi i kuadrit të përgjithshëm ligjor administrativ në Shqipëri në kuadër të reformës në drejtësi. Nevoja e krijimit të Gjykatës Administrative është garantimi i mbrojtjes efektive të drejtave subjektive dhe interesave të ligjshëm të personave nëpërmjet një procesi të rregullt gjyqësor dhe brenda afateve të shpejta e të arsyeshme.  Nëpërmjet saj synohet krijimi i kushteve të përshtatshme për një shqyrtim efektiv duke vënë në vend të drejtat e cënuara nga veprimet dhe / apo aktet administrative të nxjerra nga organet  e administratës publike. Kontrolli  gjyqësor  i  veprimeve  publike  administrative  nga  një  gjyqësor   administrativ  që funksionon mirë përveç pikëpamjes strikte ligjore të çështjeve individuale, është edhe një forcë stimuluese për modernizimin e administratës publike, duke përmirësuar cilësinë e shërbimeve të saj dhe si pasojë, rritjen e  besimit të qytetarëve në efektshmërinë e institucioneve shtetërore.

2.  Shqyrtimi ligjor i akteve administrative nga gjykatat e pavarura

Për  të  realizuar  këtë  punim  u  bë  një  krahasim  midis  mënyrës  aktuale  të  zgjidhjes  së mosmarrëveshjeve të biznesit dhe administratës shtetërore dhe mënyrës si  do të  zgjidheshin ato me  anë  të  një  organi  të  specializuar  gjyqësor  siç  është  Gjykata  Administrative.  Shqyrtimi gjyqësor i veprimtarisë së organeve  qeverisëse e ka origjinën e vet në filozofinë e shtetit që qeveriset dhe kufizohet nga ligji dhe bazohet tek parimi i epërsisë së ligjit. Në ditët e sotme, një shtet ligjor nuk mund të mendohet pa akses për të gjithë qytetarët tek një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar në bazë të ligjit dhe e aftë për të përmbushur kërkesat e zhvillimit të një gjykimi të drejtë.

Qëllimi i shqyrtimit gjyqësor synon të përfshijë brenda juridiksionit të gjykatave administrative të gjitha paditë që lidhen me çështje administrative, dhe po ashtu  të sigurojë një mbrojtje të gjerë ligjore ndaj të gjitha veprimeve administrative, pavarësisht formës së tyre  si aktet individuale, normative ose kontrata administrative. Kontrolli  si i “akteve të qeverisë”2  ashtu edhe i akteve të bazuara në diskrecion nga gjykata e apelit, si shkallë e parë, si dhe shmangia e konflikteve të

kompetencës me gjykatat e zakonshme duke i transferuar paditë që paraqiten gabim në gjykatën kompetente, të cilës i përket çështja, janë një faktor shumë i rëndësishëm efektiviteti. Si i tillë, roli i shqyrtimit gjyqësor të veprimtarisë administrative është të mbrojë të drejtat e qytetarëve, por edhe të mbrojë interesin publik dhe rendin ligjor.Krahas këtij roli mbrojtës, kontrolli gjyqësor shihet si një mjet i rëndësishëm në rritjen e cilësisë së administrimit dhe qeverisjes së mirë. Zgjerimi i sektorit publik dhe rritja e kompleksitetit të vendim-marrjes administrative ka  një ndikim të dyfishtë: nga njëra anë sjell forma të reja të aktivitetit administrativ dhe rritje të kërkesës për  fleksibilitet të administratës në shërbim të interesit publik dhe nga ana tjetër efektet e një zgjerimi të tillë mbi jetën individuale janë duke u rritur vazhdimisht. Në Shqipëri, shqyrtimi gjyqësor i akteve administrative aktualisht i është ngarkuar sistemit gjyqësor të zakonshëm. Në përgjithësi, dispozitat e Kodit të Procedurës Civile zbatohen për gjykimet e çështjeve administrative, përveç kur në Kod parashikohet ndryshe .

Termi “çështje administrative” mund t’i referohet anës lëndore të çështjes ose cilësimit formal duke  iu  nënshtruar  dispozitave  të  veçanta  procedurale.3    Megjithatë,  dispozitat  e  Kodit  të Procedurës  Civile,  nuk   i  përcaktojnë  qartë  çështjet  që  duhet  të  konsiderohen  si  çështje administrative.  Për  pasojë,  mund  të  ketë  praktika  të  ndryshme  të  llogaritjes  së  numrit  të “çështjeve administrative” në gjykata. Megjithatë, për qëllimet  e këtij studimi janë marrë për

bazë shifrat përkatëse të dhëna përkatësisht nga gjykatat dhe Ministria e Drejtësisë.

Mosmarrëveshjet administrative mund të paraqiten për shqyrtim gjyqësor, nëse:

-  organi   administrativ   ka   vepruar   në   cilësinë   e   tij   si   ushtrues   i   të   drejtave sovrane/autoritetit shtetëror;

-  paditësi  kërkon  anulimin  ose  ndryshimin  e  aktit  administrativ,  ose  kundërshton refuzimin e organit administrativ për nxjerrjen e një akti administrativ ose mosshqyrtimin nga organi administrativ të ankesës së paditësit brenda afatit të caktuar, dhe

-  paditësi argumenton që akti administrativ është i paligjshëm dhe kjo cenon interesat dhe të drejtat e tij.4

Megjithatë, para paraqitjes së çështjes në gjykatë, paditësi duhet të kërkojë vendimin e organit më  të  lartë  administrativ,  që  shqyrton  ankesën  në  rrugë  administrative,  përveç  kur  ligji parashikon ankim të drejtpërdrejtë në gjykatë. Organi administrativ kompetent që ka nxjerrë ose nuk ka nxjerrë aktin administrativ kundër të cilit është bërë ankimi duhet të vendosë mbi ankimin administrativ brenda një muaji nga paraqitja e tij.  Nëse ai nuk e pranon ankimin, ai është i detyruar ta transferojë ankimin tek organi epror, i cili duhet te  vendosë  në lidhje me ankimin brenda dy javësh. Nëse organet administrative nuk u përmbahen afateve,  ankimuesi mund t’i drejtohet drejtpërdrejt gjykatës.

Sistemi gjyqësor shqiptar është i organizuar në tre shkallë gjykimi, që janë gjykatat e rretheve gjyqësore (aktualisht 29), gjykatat e apelit (aktualisht 6) dhe Gjykata e Lartë. Janë këto gjykata që aktualisht zgjidhin mosmarrëveshjet administrative. Për gjykimin e çështjeve administrative të shkallës së parë, janë krijuar seksione të veçanta në 17 gjykata të rretheve gjyqësore, që kanë juridiksion të zgjeruar territorial me qëllim që të mbulojnë zonat e gjykatave të tjera të rretheve gjyqësore që nuk kanë të tilla seksione.

Në pjesën më të madhe të gjykatave, gjyqtarët e seksioneve administrative duhet të shqyrtojnë edhe çështje jo-administrative në një masë të konsiderueshme, për shkak të numrit të paktë të çështjeve administrative dhe të  gjyqtarëve në gjykatat e tyre. Në disa nga gjykatat e rrethit, veçanërisht në gjykatat më të vogla, të gjitha çështjet shpërndahen ndërmjet të gjithë gjyqtarëve megjithë  ekzistencën  formale  të  një  seksioni    administrativ,  me  qëllim  që  të  arrihet  një shpërndarje më e barabartë e ngarkesës së punës. Çështjet administrative ashtu si çështjet e tjera civile gjykohen nga një gjyqtar i vetëm, nëse vlera nuk i kalon njëzet milion lekë, përndryshe nga një  trup gjykues me tre gjyqtarë. Aktualisht paditë për marrëdhëniet e punësimit ngrihen në seksionin e Gjykatës  Administrative të Shkallës së Parë që përfshin territorin ku punëmarrësi kryen zakonisht punën e tij.

Tabela 1. Çështje administrative të gjykuara  në  gjykatat e rretheve gjyqësore

          2005  2006  2007  2008  Mesatare

Berat 64      67      55      70      64

Dibra 19      75      66      89      62

Durrës        80      113    154    156    126

Elbasan       68      147    233    186    158

Fier   49      91      98      103    85

Gjirokastra  55      109    101    139    101

Kavajë         -        5        8        20      11

Korca 205    270    254    432    290

Krujë 19      18      20      42      25

Kukës         24      62      38      83      52

Kurbin        -        0        0        0        0

Lezha          32      67      133    228    115

Lushnjë      36      72      92      94      73

Mat    10      31      35      26      25

Pogradec     -        18      11      18      16

Pukë  -        4        1        5        3

Sarandë      36      28      109    200    93

Shkodër      316    281    279    425    325

Tirana         497    1261  1824  2652  1558

Tropojë       9        7        33      82      33

Vlora 149    230    260    413    263

Totali 1668  2956  3804  5463  3478

Numri i

përgjithshëm i çështjeve administrative të gjykuara (depozituar për herë të parë ose

kthyer nga një shkallë më e lartë) në vit ka ndryshuar brenda viteve 2005 deri 2008 nga 1668 deri 5463, domethënë, me një mesatare prej 3478.5

Grafiku 1

Në gjykatat e apelit, gjyqtarët e specializuar për çështjet administrative duhet të marrin pjesë në trup gjykues.6  Praktikisht të gjithë gjyqtarët e gjykatave të apelit që kanë ndjekur trajnime shtesë për çështjet administrative, konsiderohen të specializuar në këtë fushë dhe marrin pjesë në gjykimin e çështjeve administrative. Çështjet gjykohen nga trupa gjykues me tre gjyqtarë. Nuk ka të dhëna mbi numrin e çështjeve administrative në Gjykatën e Apelit. Në lidhje me Gjykatën e Lartë nuk ka dispozita që të kërkojnë specializim. Praktikisht, çështjet administrative shqyrtohen nga të gjithë gjyqtarët e kolegjit civil. Çështjet gjykohen me trup gjykues me pesë gjyqtarë. Nuk ka të dhëna mbi numrin e çështjeve administrative në Gjykatën e Lartë. Pra organizimi aktual i shqyrtimit administrativ të akteve administrative në Shqipëri i referohet një juridiksioni që është i integruar në sistemin gjyqësor të zakonshëm.Ky organizim përbën një nga modelet e ofruara të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve administrative, në disa vende të  Europës,7   krahas modelit të një juridiksioni administrativ   autonom. Këto modele shpesh janë vendosur kundrejt njëri-tjetrit duke e specifikuar juridiksionin administrativ autonom si  një  juridiksion  administrativ  “të  specializuar”.  Megjithatë,  kjo  kundërvënie  nuk korrespondon domosdoshmërisht  me  ndonjë ndryshim thelbësor, pasi edhe sistemi gjyqësor I zakonshëm mund të sigurojë një shkallë të lartë specializimi duke krijuar dhoma ose seksione të çështjeve  administrative, ashtu siç kanë bërë shumica e vendeve që kanë ruajtur unitetin e juridiksionit. Sidoqoftë, përsa i takon përputhshmërisë me standardet europiane, të dy modelet janë të barabartë.Vendimi i gjykatës që shqyrton një akt administrativ, të paktën në çështjet e rëndësishme, duhet t’i nënshtrohet  ankimit në një gjykatë më të lartë. Krijimi i gjykatave administrative, kërkon transferimin e gjykimeve përkatëse nga objekti i gjykatave të juridiksionit të zakonshëm, dhe ky përbën një ndryshim të konsiderueshëm në sistemin gjyqësor, gjë që kërkon shumë përpjekje dhe shpenzime. Për pasojë, nevoja për këto gjykata duhet të shqyrtohet me kujdes para hartimit të legjislacionit për krijimin e tyre. Me qëllim që të vendoset nëse janë të këshillueshme gjykatat autonome të specializuara për një fushë të caktuar të ligjit, faktorët e mëposhtëm duhet të jenë më kryesorët që duhet marrë parasysh:

•        Nevoja e specializimit në fushën përkatëse të ligjit;

•        Arsye  të  mundshme  specifike  në  favor  të  gjykatave  autonome  në  lidhje  me  fushën përkatëse të ligjit;

•        Ngarkesa përkatëse e çështjeve;

•        Efektet mbi gjykatat e zakonshme;

•        Efektet mbi mundësinë për t’iu drejtuar gjykatës.

Po t’i referohemi projektligjit të propozuar për ngritjen e gjykatave administrative në Shqipëri vërehet se në të  janë parashikuar   si gjykata kompetente për gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative:8  Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, Gjykata e Apelit Administrativ dhe Gjykata e Lartë. Në parashikimet për organizimin e gjykatave administrative bëhet referenca me dispozitat e ligjit për organizimin e  pushtetit gjyqësor me përjashtim të rastit kur në këtë ligj parashikohet ndryshe, në lidhje me kriteret e emërimit dhe të karrierës së gjyqtarëve, statusi i tyre, përgjegjësia për shkeljet disiplinore, masat disiplinore, procedimi disiplinor, administrimi i shërbimeve në gjykatë, si dhe  riorganizimi gjyqësor dhe delegimi i gjyqtarëve. Përsa i përket përbërjes së trupit gjykues të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, në projektligj është parashikuar gjykimi me trup gjykues të përbërë nga një gjyqtar dhe trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë. Gjykimi me një gjyqtar të vetëm bëhet në rastet kur kemi padi me vlerë më të vogël apo të barabartë me dy milionë lekë si dhe ato që i përkasin fushës së marrëdhënieve të punës. Gjykata e Apelit Administrativ gjykon me trup gjykues të përbërë nga pesë gjyqtarë për paditë ndaj aktit nënligjor normativ dhe nga tre gjyqtarë për çështjet e tjera.Në projektligj, parashikohen gjithashtu edhe kompetencat lëndore, funksionale dhe tokësore të Gjykatës  Administrative.  Përsa  i  përket  kompetencës  lëndore,  Gjykata  Administrative  është kompetente  për  shqyrtimin   e  mosmarrëveshjeve  që  lidhen  me  veprimet  administrative, marrëdhëniet e punës të rregulluara nga Kodi i Punës, në të cilat punëdhënësi është një organ publik;  si  dhe  një  akt  nënligjor  normativ  të  organeve  qendrore  apo  organeve  të  njësive  të qeverisjes vendore. Risi e sjellë nga ky projektligj, për herë të parë në legjislacionin  shqiptar është parashikimi i kompetencës funksionale sipas shkallëve të gjykimit.Për një gjykim sa më efiçent dhe në mbrojtje të interesave të palëve, projektligji ka parashikuar edhe  kompetencën  tokësore sipas territorit në të cilin organi administrativ ka kryer veprimin administrativ ose në territorin e të cilës ka qendrën organi administrativ. Koncepti i “barrës së provës” në drejtësinë administrative ndryshon nga koncepti që mban e drejta procedurale civile apo penale. Në kontekstin e mosmarrëveshjeve  administrative, barra e provës për të provuar ligjshmërinë e aktit të kundërshtuar, bie mbi organin administrativ.  Ligji mund të përcaktojë kushtet  me  të  cilat  gjykata  mund  të  imponojë  barrën  e  provës  mbi  palët,  që  të  sigurojë bashkëpunimin e tyre të nevojshëm. Duke iu referuar modeleve të aplikuara sot në botë për zgjidhjen  e  mosmarrëveshjeve  administrative  si  dhe  projektligjit  për  ngritjen  e  gjykatave administrative mund të  parashtrojmë disa nga përparësitë dhe mangësitë e ngritjes së këtyre gjykatave.

3.  Avantazhet  që  ofron  në  zgjidhjen  e  mosmarrëveshjeve  administrative  Gjykata Administrative

Krijimi  i  gjykatës  administrative,  garanton  që  çështjet  që  i  përkasin  një  fushe  specifike  të juridiksionit të gjykohen vetëm nga gjyqtarë të specializuar në këtë fushë. Duke u marrë shumë më shpesh me një gamë të kufizuar çështjesh, këta gjyqtarë mund të zhvillojnë dhe akumulojnë ekspertizën për të nxjerrë vendime me cilësi të lartë, që nuk do të kenë nevojë të ndryshohen nga shkallët më të larta, nëse kundër tyre bëhet ankim.9  Ato mund t’i gjykojnë këto mosmarrëveshje më me efikasitet dhe shpejtësi, pasi atyre u duhet më pak kohë për të hetuar dhe reflektuar mbi elementët  themelore të çështjes; ato zhvillojnë praktika specifike për menaxhimin e çështjeve dhe ata mund t’i drejtojnë dhe orientojnë palët në fazat e para të gjykimit. Autoriteti i gjyqtarëve të specializuar ka mundësi më shumë të pranohet nga palët dhe avokatët, sidomos nëse ata vetë janë të specializuar apo me eksperiencë në fushën përkatëse.Transferimi i juridiksionit për sfera të caktuara tek gjykatat administrative mund të rrisë edhe efikasitetin e gjyqtarëve në gjykatat e juridiksionit të përgjithshëm, pasi atyre nuk do t’u duhej të futeshin në sfera specifike ku do të ishte e vështirë për të gjykuar si duhet raste kaq të rralla. Gjykatat administrative mund të kontribuojnë  në  njësimin e fushës përkatëse të juridiksionit. Gjyqtarët e specializuar do të ndikonin në pakësimin e  mospërputhjeve në interpretimin dhe zbatimin  e  ligjit  në  fushën  përkatëse,  në  saj  të  ekspertizës  së  tyre  dhe  numrit  të  paktë  të gjyqtarëve.Një praktikë gjyqësore më e qëndrueshme bën të mundur një siguri ligjore, risjell besimin në shtetin ligjor dhe  pakëson çështjet gjyqësore në të ardhmen. Gjykatat administrative   mund të jenë të dëshirueshme në lidhje me arritjen e një madhësie të përshtatshme për gjykatën. Studimet shkencore në vendet e ndryshme të Europës  perëndimore nxorën përfundimin që efikasiteti optimal mund të arrihet nga gjykatat e një madhësie mesatare,  ndërsa efikasiteti i gjykatave shumë të vogla si dhe i gjykatave shumë të mëdha cënohet nga mangësi të ndryshme për shkak të madhësisë përkatëse të vogël ose të madhe.

Kështu, në vend të pasjes së gjykatave të njësuara që janë shumë të mëdha, do të ishte më mirë të ngriheshin gjykata të veçanta, me kusht që edhe gjykatat administrative të mund të kenë natyrisht një madhësi të mjaftueshme. Po kështu, meqenëse ndërmjet juridiksionit të përgjithshëm dhe të specializuar administrativ në lidhje me rregullat procedurale, shkallët e gjykimit dhe për pasojë edhe në menaxhimin e çështjeve ka ndryshime, ndarja mund të jetë një zgjedhje më e mirë për të arritur një efikasitet optimal. Shqyrtimi gjyqësor i akteve administrative duhet të shtrihet për:

•        Çdo akt normativ (nënligjor) të lëshuar nga një autoritet publik (që prek në mënyrë të drejtpërdrejtë të drejtat dhe/ose interesat  e ligjshme);

•        Çdo akt individual administrativ i lëshuar nga një autoritet publik, që krijon, modifikon ose shfuqizon një marrëdhënie juridike;

•        Çdo akt real, veprim material ose akt i brendshëm (që prek drejtpërdrejt të drejtat dhe/ose interesat e ligjshme);

•        Çdo mosveprim apo refuzim nga ana e autoritetit publik për të vepruar në rastet kur autoriteti publik ka detyrim për të vepruar;

•        Çdo proces gjyqësor lidhur me marrëdhëniet e punës që ka për palë autoritetin publik dhe punonjësit e vet;

•        Çdo proces gjyqësor që ka të bëjë me lidhjen, interpretimin, ekzekutimin dhe zgjidhjen e kontratave që kanë për palë autoritetet publike;

•        Kompensimin e dëmeve me natyrë monetare ose jo.

Ndërsa  ne  lidhje  me  legjitimimin  njihen  tri  koncepte  për  akses  në  procedurat  gjyqësore administrative:

•        çdokush ka të drejtë për të kundërshtuar çdo veprim administrativ pa kërkesa të mëtejshme

(actio popularis, nuk është shumë i përhapur në Europë);

•        paditësi duhet të ketë një interes të ligjshëm të kualifikuar për të kundërshtuar një veprim administrativ (modeli francez, precedentë të Gjykatës së Drejtësisë);

•        aksesi në gjykatë lejohet vetëm kur ka një pretendim për shkelje të të drejtave subjektive

(modeli gjerman).

Një kombinim i sistemit gjerman (e drejta subjektive individuale) dhe francez (interes ligjor i kualifikuar), është çelësi për vendosjen e një koncepti të baraspeshuar për palën e interesuar. Ata që nuk preken në të drejtat e tyre subjektive ose interesat ligjore, nuk kanë të drejtën të ngrenë një padi administrative (legjitimiteti aktiv).10 Një institucion publik që padit një tjetër institucion publik nuk duhet të ketë të drejtën e padisë kur ato i përkasin të njëjtës varësi administrative. Nëse  një  numër  aplikantësh  ndajnë  të  njëjtin  interes,  pranohen  paditë  e  përbashkëta  (ligji

francez). Për rrjedhoje shqyrtimi ligjor i akteve administrative nga gjykata të pavarura do të synojë të krijojë  mundësinë për kontrollin e të gjitha akteve për infrastrukturën që kalojnë përmes një procesi licencimi, po ashtu  rrit gjithashtu transparencën e vendimeve administrative dhe luan një rol të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit. Krijimi i gjykatës administrative do të shërbejë si   forcë stimuluese për modernizimin e  administratës publike, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të administratës dhe        rritjen e besimit të qytetarëve  për institucionet shtetërore.  Ajo  që  është  edhe  më  e  rëndësishme  është          kontributi  për  të  siguruar  rendin kushtetues, veçanërisht për të mbrojtur të drejtat individuale përballë administratës publike.

4.  Disavantazhet e krijimit së gjykatave administrative

Ngritja e gjykatave administrative edhe pse është një faktor shumë i rëndësishëm në integrimin e Shqipërisë në  Bashkimin Europian, duhet parë edhe në këndvështrimin e problematikave që mund  të  shkaktojë.  Konkretisht  shkalla  e  dëshirueshme  e  specializimit  të  gjyqtarëve  për rezultatet e pritshme pozitive nuk kërkon domosdoshmërisht ngritjen e gjykatave administrative. Pika vendimtare është pasja e gjyqtarëve të specializuar  për gjykimin e çështjeve përkatëse. Ngritja e gjykatave administrative sjell deri në një farë mase ngushtimin ose edhe kufizimin e mundësisë  për  t’iu  drejtuar  gjykatës.  Numri  i  çështjeve  në  fushën specifike të juridiksionit zakonisht justifikon një numër më të pakët gjykatash nga sa janë në sistemin e zakonshëm gjyqësor.

Për pasojë, palët nga zonat e largëta do të duhet të përballojnë shpenzime më të larta dhe barrën e udhëtimeve më të gjata, gjë që mund t’u privojë atyre mundësinë për t’iu drejtuar gjykatës në varësi  të  rrethanave  konkrete.  Gjithashtu  nëse  gjykata  funksionon  kryesisht  si  një  gjykatë shëtitëse,  efikasiteti  administrativ  do  të  binte  dhe  cilësia  e  veprimeve  gjyqësore  si  dhe  e vendimeve  do  të  linte  shumë  për  të  dëshiruar.  Ngritja  e  gjykatës  administrative      mund  të shkaktojë mosmarrëveshje në lidhje me kompetencën ndërmjet gjykatave. Edhe nëse sfera ligjore e gjykatës administrative  mund të ndahet nga pikëpamja teknike dhe lëndore nga sferat e tjera të ligjit, disa çështje me kompetencë të debatueshme nuk mund të evitohen. Këto mosmarrëveshje zakonisht shkaktojnë gjykime të ngadalta dhe shpenzime shtesë, dhe për pasojë pengojnë rritjen e pritshme të efikasitetit.

Krijimi i gjykatës administrative  mund të dobësojë sistemin gjyqësor të zakonshëm. Në mënyrë të veçantë,  efikasiteti i gjykatave të vogla të zakonshme mund të rrezikohet seriozisht nëse ngarkesa e tyre e çështjeve vazhdon të pakësohet.  Për më tepër, mundësia e ndikimit reciprok pozitiv në dobi të gjykimit është shumë i ulët ndërmjet sistemeve gjyqësore të veçanta. Sa më shumë  gjykata  të  specializuara  dhe  autonome  të  krijohen,  aq  më  shumë  do  të  pakësohet juridiksioni i gjerë dhe i pasur i gjykatave të zakonshme, gjë që ka qenë një faktor i rëndësishëm në zhvillimin e së drejtës. Ndarja e gjyqësorit në dy ose më shumë sisteme gjyqësore autonome ka  mundësi  që  ta  dobësojë  pozitën  e  gjyqësorit  brenda  sistemit  të  balancës  së  pushteteve. Gjyqësori përbëhet  vetëm nga një numër i vogël njerëzish, që duhet të mos bëjnë lobim për shkak të dinjitetit dhe postit të tyre.Për pasojë,  është  gjithmonë  rreziku  i  nënvlerësimit  ose  neglizhimit  nga  pushtetet  e  tjera, pavarësisht garancive kushtetuese për pavarësinë e tij. Nëse gjyqësori duhet të ndahet në pjesë, ky rrezik rritet, veçanërisht  në  lidhje me sistemet e gjykatave të specializuara.        Në varësi të objektit të juridiksionit të specializuar, mund të jetë e vështirë të tërhiqen juristët e talentuar dhe të kualifikuar për gjykatat administrative, pasi juridiksioni i gjykatave të zakonshme siguron një zhvillim profesional më fleksibël dhe shërbimi në këto gjykata konsiderohet të japë shanse më të mira për karrierën dhe pozitën e tyre në profesion.  Nëse gjykatat administrative ngrihen për fusha shumë të ngushta të juridiksionit, neutraliteti i gjykatave mund të  kompromentohet nga zhvillimi i marrëdhënieve të ngushta dhe njohjeve personale ndërmjet gjyqtarëve të specializuar dhe avokatëve të specializuar që normalisht mbulojnë këto gjykata.

5.  Konkluzione

Krijimi i gjykatave administrative mund të arrihet nëpërmjet një organizimi sa më të mirë të mundshëm të  juridiksionit administrativ për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve administrative. Është e qartë nga shtjellimet e  mësipërme që nuk mund të ketë një zgjidhje ideale, domethënë, një sistem gjyqësor efektiv dhe me sa më pak shpenzimeve, që të ketë gjykatë me juridiksion të plotë në  çdo  rreth  dhe  në  të  njëjtën  kohë  gjyqtarë  shumë  të  specializuar. Zgjidhja  më  e  mirë  e mundshme mund të jetë një kompromis në balancimin e drejtë të interesave të kundërt, dhe duke marrë parasysh edhe mundësinë e realizimit në praktikë.

Krijimi i gjykatave autonome administrative do të ishte zgjidhja e duhur me qëllim:

•        Garantimin që çështjet që i përkasin një fushe specifike të juridiksionit të gjykohen vetëm nga gjyqtarët e specializuar në këtë fushë.

•        Kjo  strukturë  mund  t’i  gjykojë      mosmarrëveshjet  administrative  më  me  efikasitet  dhe shpejtësi,  pasi  atyre  u  duhet  më  pak  kohë  për  të  hetuar  dhe  reflektuar  mbi  elementët themelore të çështjes.

•        Synimin  në  njësimin  e  fushës  përkatëse  të  juridiksionit.  Gjyqtarët  e  specializuar  do  të ndikonin në  pakësimin e mospërputhjeve në interpretimin dhe zbatimin e ligjit në fushën administrative, në saj të ekspertizës së tyre

•        Një praktikë gjyqësore më e qëndrueshme bën të mundur një siguri ligjore, risjell besimin në shtetin ligjor dhe pakëson çështjet gjyqësore në të ardhmen.

Disa rekomandime

Pavarësisht problematikave që mund të lindin, modeli i një juridiksioni autonom siç është krijimi i gjykatës administrative, do të mundësojë:

•        Rregulla të detyrueshme për subjektet e gjykimit administrativ, organet shtetërore, personat juridikë dhe shtetasit lidhur me gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative, ekzekutimin e vendimeve gjyqësore administrative, si dhe organizimin e gjykatave administrative.

•        Garantimin  e  mbrojtjes  efektive  të  drejtave  subjektive  dhe  interesave  të  ligjshëm  të personave  nëpërmjet një procesi të rregullt gjyqësor dhe brenda afateve të shpejta e të arsyeshme.

•        Krijimin e  kushteve të përshtatshme për një shqyrtim efektiv duke vënë në vend të drejtat e cënuara nga veprimet dhe/ apo aktet administrative të nxjerra nga organet publike.

•        Sigurinë që çdo qytetar pavarësisht situatës së tij/saj financiare, të ketë akses në drejtësinë administrative.

•        Domosdoshmërinë e barazisë së interesit publik nga njëra anë me të drejtat subjektive dhe interesat e ligjshme të personit nga ana tjetër.

•        Forcimin e rolit aktiv të organeve administrative për respektimin e të drejtave subjektive të personave nëpërmjet detyrimit që i vihet organeve publike të provojnë ligjshmërinë e formës dhe të përmbajtjes të veprimit administrativ të nxjerrë prej tyre.

•        Thjeshtimin  e  procedurave  përkatëse  lidhur  me  gjykimin  dhe  ekzekutimin  vendimeve gjyqësore me  objekt zgjidhjen e mosmarrëveshjeve administrative ndërmjet personave dhe organeve publikë.

•        Risi  në  kuadrin  e  gjykimit  të  mosmarrëveshjeve  administrative  lidhur  me  detyrimin  e organeve publikë për të paraqitur provat që kanë mundësuar nxjerrjen e akteve apo kryerjen e veprimeve  administrative  që  më  pas  kanë  sjellë  cënimin  e  të  drejtave  të  ligjshme  të personave.

•        Zbatimin e parimit se Gjykata Administrativ e gjykon mbi aktet shkresore dhe  mosparaqitja e palëve nuk përbën shkak për pushimin e gjykimit.

BIBLIOGRAFIA

Ligje:

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë

Kodi i Procedurës Civile, miratuar me ligjin nr. 8116, datë 29.3.1996 ndryshuar me ligjin nr.

1052, datë 29.12.2008

Kodi i Procedurës Administrative

Ligji “Për kundravajtjet administrative”

Projekt-ligji për  “Organizimin  dhe  funksionimin  e  gjykatave  administrative  dhe  gjykimin  e mosmarrëveshjeve administrative”

Literaturë:

Dobjani.E, “E Drejta Administrative I”, Shtëpia botuese “Perlat Voshtina”, viti 2007

Sadushi.S, “E drejta Administrative”, viti 2006.

Sadushi.S “Teoria e aktit administrativ”, Shtëpia botuese  , viti 1999

Wade&Forsyth, Administrative law, viti 1998

Peter Cane, An Introduction to administrative law, viti 1997

Galligan, Discretionary powers, viti 1996

Burime nga interneti:

Faqja e Misionit Europian te Asistencës për Sistemin Shqiptar të Drejtësisë:

http// www.euralius.org.al

Faqja zyrtare e Gjykates s Larte:  www.gjykataelarte.gov.al

Qëndra e publikimeve zyrtare: www.qpz.gov.al

Marre nga   faqja : ajls.org

Shënim I Stafit I DrejtesiaShqiptare.com:

E drejta e autorit mbetet i  autorit të punimit . Opinionet e shprehura  dhe studimet  juridike  e publikuara në këtë Website janë të autorëve përkatës  qe I kane shkruar ato. Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi në qoftë se  shkrimi është upload-uar pa lejen e autorit.Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi për pikëpamjet, vërtetësinë e informacionit që përmbajnë artikujt që publikohen dhe shkeljet e se drejtës së autorit.Kushdo që ka ndonjë ankese  rreth  së  drejtës  së autorit ne publikimet e ketij website,  është I lutur  te dërgoje një email  tek kontakt@drejtesiashqiptare.com.  Ne do ta  shqyrtojmë me përgjegjesi ankesën dhe do ta heqim menjëherë shkrimin.Për  të mos arritur deri aty,ju lutem respektoni  të drejtën  e autorit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

eleven + 15 =

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Powered by WordPress | Designed by: Dog Groomer | Thanks to Assistant Manager Jobs, Translation Jobs and New York Singles