Raportet Aktuale Ndërmjet Të Drejtës Shtetërore Dhe Të Drejtës Zakonore Shqiptare-Prof. Dr. Aleks Luarasi

Shqipëria po kalon një periudhë të gjatë e të vështirë tranzicioni drejt ekonomisë së  tregut, shtetit juridik dhe zbatimit të të drejtave të njeriut, sipas  standarteve më të përparuara  perëndimore.  Përveç vështirësive të natyrshme, që karakterizon çdo periudhë kalimtare, të natyrës ekonomike dhe shoqërore, Shqipëria përballon edhe një faktor tjetër negativ plus që shprehet në ballafaqimin ndërmjet dy sistemeve juridike krejt të ndryshme si e drejta shtetërore, e modeluar sipas standarteve më të përparuara dhe e drejta zakonore shqiptare, që vjen nga thellësitë e shekujve, e krijuar dhe e zbatuar në një realitet krejt të ndryshëm nga ai i sotmi.  Rezu1tati më i dukshëm i këtij konfrontimi të heshtur, por real, është dobësia e shtetit dhe e  institucioneve të tij, shkelja e ligjeve të shtetit, cënimi i të drejtave të njeriut, përfshi edhe të drejtën e jetës, në formën e gjakmarrjes.Të  drejtat  e  njeriut  nuk  rrezikohen  vetëm  nga  praktikat  dhe mendësitë  kanunore.  Ka  edhe  shkaqe  të tjera të shumta, të cilat do të trajtohen në këtë konferencë shkencore kombëtare. Ne kemi zgjedhur këtë këndvështrim, për të sqaruar edhe një problem të rëndësishëm teorik, atë të raporteve aktuale ndërmjet të drejtës shtetërore dhe të drejtës zakonore, që shpjegon shumë dukuri të realitetit të sotëm shqiptar.

I. E drejta zakonore iliro-shqiptare përbën një nga sistemet juridike më të vjetra të Europës; kjo lidhet me vetë lashtësinë e popullit shqiptar. Kjo  e  drejtë përbën  një  monument  madhështor juridik, që të habit me pasurinë dhe bukurinë e tij. Në kanunet shqiptare është mishëruar mençuria dhe  filozofia  popullore,  përvoja  jetësore  mijravjeçare.  Pavarësisht  nga vlerat historike, kjo e drejtë në ditët tona është një e drejtë arkaike, e krijuar dhe e zbatuar në një realitet krejtësisht të ndryshëm nga ai i sotmi. Ashtu si çdo përmendore e së kaluarës, e drejta zakonore shqiptare e ka vendin në muzeun e së drejtës.

Në vlerësimin e kësaj të drejte ka një konfuzion teorik, ku dallohen si prirjet lavdëruese,  ashtu dhe ato mohuese. Përsa i përket rolit të kësaj të drejte gjatë pushtimeve të huaja, studjuesit janë thuajse në një mendje: ajo ka  shërbyer  si  mjet  i  vetqeverisjes  së  shqiptarëve  brenda  perandorive universale dhe me këtë ka ndikuar së tepërmi për ruajtjen e identitetit kombëtar, të gjuhës dhe të zakoneve të shqiptarëve. Pikëpamjet ndahen për rolin dhe vendin e kësaj të drejte pas shpalljes së pavarësisë dhe krijimit të shtetit kombëtar shqiptar. Të diskutosh në se kjo e drejtë është “e mirë” ose “e keqe”, është një mënyrë dogmatike e të menduarit. E drejta  zakonore shqiptare ka qenë e nevojshme dhe e dobishme në kohën e vet, prandaj është ruajtur,  është zhvilluar dhe është përsosur. Në kohën e sotme ajo është jo vetëm e papërshtatshme, por edhe një pengesë serioze në rrugën e përparimit të Shqipërisë dhe të integrimit të saj në strukturat europiane.Dihet  se  e  drejta  zakonore  është  një  korpus  i  plotë  juridik,  që rregullon me hollësi të gjitha aspektet e jetës, si organizimin e familjes, të vëllazërisë,  të  fisit,  të  bashkësive  sipas  kriterit  fisnor  dhe  territorial, vetëqeverisjen  vendore;  në  të ka norma  penale,  civile, procedurale  etj. Mirëpo si mund të zbatohen normat kanunore familjare, të mbështetura mbi koncepte  thellësisht  patriakale,  në  një  shoqëri,  ku  martesa  dhe  familja ngrihen mbi parime dhe koncepte krejt të tjera? Kanunet parashikojnë, si organe  të  vetqeverisjes,  forma  të  vjetra  si  kuvendi  i  burrave,  gjyqet  e pleqve etj., në një kohë kur organet e pushtetit vendor në gjithë Shqipërinë formohen  dhe  funksionojnë  sipas  një  legjislacioni  modern.  Në  fushën civile, në kohën e sotme është anakronike dhe e pavlefshme, nga pikëpamja juridike, të shesësh një pasuri të paluajtshme (shtëpi, truall, dyqan) pa një akt  noterial,  por  në  format  kanunore.  Në  fushën  e  detyrimeve  është paradoksale të lidhësh një kontratë shitjeje me një biznesmen apo me një investitor të huaj me besa-besë. Të tillë shembuj mund të sillen pa fund dhe të gjithë konvergojnë në një përfundim: t’i rekomandosh popullit shqiptar në ditët tona të zbatojë të drejtën zakonore në vend të së drejtës moderne shtetërore, është njësoj sikur t’i ftosh francezët të heqin dorë nga e drejta e sotme dhe të zbatojnë për hir të krenarisë kombëtare të drejtën zakonore kelte të kohës së Jul Cezarit, të drejtën e frankëve të Mesjetës ose të drejtën zakonore që ekzistonte para revolucionit të vitit 1879 {le droit coutumier) ; t’u rekomandosh gjermanëve të zbatojnë të drejtën e vjetër të kohës së Tacitit dhe italianeve  të  drejtën e vjetër zakonore romake ose të drejtën longobarde!

Natyrisht, këtë nuk e bën askush. Edhe në Shqipëri askush nuk e rekomandon hapazi të drejtën zakonore në vend të të drejtës shtetërore, por në shtresa të caktuara të popullsisë ekziston ende një farë nostalgjie e hapur ose e heshtur për të drejtën zakonore, që shprehet sidomos në shpresën për një farë modifikimi të saj në kushtet e reja historike dhe në përpjekjet për të ndarë  pjesën “e mirë” të saj nga pjesa “e keqe”,  me të cilën kuptohet zakonisht gjakmarrja.

2.E  drejta  zakonore,  jo  vetëm që nuk  mund  të modifikohet  e të përshtatet në sensin pozitiv, por ajo, me kalimin e kohës, është denatyruar dhe është degraduar. Me fjalë të tjera, ajo e ka humbur pastërtinë dhe dlirësinë e saj të dikurshme dhe po jep shenjat e padyshimta të shpërbërjes. Shembujt e largimit të dukshëm nga  normat e njohura kanunore janë pa fund. Dihet, fjala vjen, se në fushën e gjakmarrjes vlente parimi i njohur dhe i patundur “nji për nji”, pra më ke vrarë një mashkull, kam të drejtë të vras një mashkull: “Shpirt për shpirt, se dukën e fal ZOTI”. Në ditët tona ndodh rëndom që për një të vriten dy e tre e më tepër meshkuj e femra, të mitur e të rritur. Sipas kanunit mjet i ligjshëm i gjakmarrjes ishte arma e zjarrit, zakonisht, pushka, e shkurtër ose e gjatë. Në ditët tona nuk  ka ndonjë  kufizim:  mund  të  përdoret  arma  e  zjarrit,  thika  dhe  shpesh ekspolozivi. Rastet e ngujimit të fëmijëve, ndonjëherë edhe të grave janë një provë tjetër e denatyrimit të kanunit.Këto largime nga normat më elementare të kanunit nuk janë rezultat i mosnjohjes  së  tyre   nga  gjaksit.  Shkaku  kryesor  është  se  ndryshimet politike, ekonomike e shoqërore kanë shkatërruar strukturat organizative që mbikqyrnin zbatimin me përpikmëri të kanunit dhe reagonin rast pas rasti me ndëshkime të karakterit kolektiv, si djegia e shtëpisë, dëbimi nga fshati etj. Nuk ka më kuvende të burrave, gjyqe të pleqve, djelmni etj. Në vend të tyre  ka  organe  shtetërore,  si:  kryetari  i  komunës,  këshilli  i  komunës, komisariati i policisë, gjykata e prokuroria, që nuk komunikojnë me botën e kanunit dhe janë të huaja për të.Kanunet  ishin  korpuse  juridike,  tipike  për  shoqëri  të  mbyllura, krahinore, ku individi jetonte nën një trysni të përhershme për të kryer një veprim në përputhje me kanunin dhe nën një reagim të karakterit moral dhe juridik, në rast se vepronte në kundërshtim me të. Kanuni ishte ligji dhe morali i kësaj shoqërie të mbyllur, që konservonte vlerat e saj.

Tashmë shoqëria shqitare është e hapur. Një person, që ka një gjak për të marrë, nuk i  përfill shumë rregullat dhe procedurat kanunore. Ai zgjedh  mjetet dhe  mënyrat që dëshiron për kryerjen e gjakmarrjes dhe zhduket në drejtim të paditur, në Greqi ose në Itali, ku ndërron emrin dhe bëhet tjetër njeri. Me fjalë të tjera, gjaksi sot nuk ka asnjë trysni serioze për respektimin  e  rregullave  të  gjakmarrjes,  shpesh  mbetet  anonim  ose  e mohon veprën e kryer, për t’i shpëtuar shpagimit.Hapja e shoqërisë ka ndikuar edhe në ndryshimin e mendësive në lidhje me pronën private. Dihet se në zonat malore të veriut, ku vepronte tradicionalisht      e   drejta   zakonore,   prona   private   e   shtëpisë   ishte   e paprekshme. Edhe sikur të largohej një familje nga fshati, shtëpia mbetej e pronarit, trualli i paprekur, pjesa ruhej në kujri deri sa ta shiste i zoti. Tashmë nuk ndodh ashtu. Me mijëra familje malësorësh kanë zbritur, nga nevoja për  ekzistencë,  nga zonat malore në zonat kodrinore e fushore, sidomos rreth qyteteve të  ultësirës bregdetare, rreth Tiranës e Durrësit, duke zënë në mënyrë arbitrare pronat e shtetit, si fabrika, shkolla e çerdhe ose troje e shtëpi të pronarëve privatë, duke krijuar geto të vërteta  dhe konflikte pa fund pronësie.

3.E drejta shtetërore, e krijuar nga ligjet e Kuvendit dhe nga aktet e tjera normative, të përcaktuara në Kushtetutë, është e drejta zyrtare, e drejta në  fuqi  që  ka  një  pozitë  zotëruese  në  rendin  juridik  dhe  në  realitetin shqiptar. E drejta zakonore, nuk ka asnjë njohje zyrtare nga  shteti. Në kohën  e  sotme  mund  të  flitet  më  tepër  për  norma  të  veçanta  dhe  për mendësi kanunore, të mbështetura në një traditë shekullore, se sa për një të drejtë në kuptimin rigoroz të fjalës.Mosnjohja zyrtare nga shteti nuk ka ndonjë ndikim të veçantë në mbijetesën e normave zakonore. E drejta zakonore është karakteristikë për një  shoqëri pa shtet. Sigurisht,  gjatë historisë mijëravjeçare të popullit shqiptar ka pasur shtet, i cili, sipas rastit, ka qenë vendas ( shtetet ilire në Antikitet, principatat feudale shqiptare në Mesjetë, shteti kombëtar shqiptar pas vitit 1912) ose i  huaj (Perandoria Romake, Bizantine, Osmane), po zonat e veprimit të normave kanunore ishin ishuj që nuk komunikonin me fondacionet  shtetërore.  E  thënë  më  thjesht,  vetqeverisja  zakonore  dhe normat kanunore nuk e njohin shtetin dhe të drejtën e tij, madje, janë në kontradiktë të përhershme me njëri-tjetrin si dy sisteme paralele.Veprimi i njëhershëm i dy sistemeve juridike sjell vetiu dobësimin e ndikimit të shtetit dhe pamundësinë e të drejtës shtetërore të veprojë në të gjithë vendin si një e drejtë e vetme  dhe  unike. Kjo sjell paradokse dhe inkonsekuenca të çuditshme si p.sh. një vepër penale – të themi, vrasja – të dënohet dy herë: një herë sipas së drejtës shtetërore dhe një herë tjetër si vetëgjyqësi në formën e gjakmarrjes. Ky paradoks ndodh edhe në ditët tona. Në rast se kryhet një vrasje në zonat e ndikimit të normave kanunore dhe fajtori dënohet nga gjykata sipas legjislacionit në fuqi, familja nuk e quan të mjaftueshme. Ajo i përmbahet mendësisë kanunore, sipas së cilës shteti bën punën e tij, punë për të, unë e marr gjakun vetë. Në këto raste familja e viktimës ose vret një tjetër nga fisi i gjaksit ose pret derisa fajtori të vuajë dënimin e caktuar nga gjykata dhe pastaj kryen gjakmarrjen.Veprimi paralel i dy sistemeve juridike të ndryshme e të kundërta vërteton  edhe  një  herë  se  Shqipëria në rrugën  e gjatë  e të  vështirë të ndërtimit të demokracisë e të shtetit ligjor ka përpara një pengesë serioze, që është produkt i historisë. Për këtë arsye, përpjekjet tona për ndërtimin e shtetit nuk kanë qenë gjithmonë të suksesshme dhe shpesh kanë qenë të ngjashme me mundimin e Sizifit.

4.Për një studiues të huaj studimi i mbijetesës së normave dhe të praktikave kanunore në shoqëritë moderne mund të përbëjë një kureshtje shkencore.  Për  ne,  shqiptarët,  studjues,  politikanë  ose  përfaqësues  të shoqërisë civile përbën një problem shoqëror, që duhet zgjidhur. Ne e kemi për detyrë atdhetare dhe qytetare që të ndihmojmë bashkëatdhetarët tanë të ndahen nga trashëgimitë negative të historisë e të shndërrohen sa më parë në qytetarë aktivë të këtij vendi e më pas në qytetarë të Europës. Për më tepër,  ne  nuk  mund  të  jemi  spektatorë  indiferentë  ndaj  skenave  të përgjakshme, si dhe ndaj shkeljes së të drejtave më thelbësore të njeriut, si e drejta e jetës, e lëvizjes së lirë, e arsimit etj., që ndodhin çdo ditë para syve tanë.Sa e dëshirueshme është kjo detyrë, po aq e vështirë është për t’u zgjidhur. Zgjidhja e saj kërkon kohë dhe ka koston e vet që s’është e vogël.Shkaku kryesor i ruajtjes së praktikave kanunore në zonat veriore dhe verilindore të  vendit, pa përjashtuar edhe ndonjë zonë jugore, është prapambetja relative ekonomike dhe  ekzistenca e shoqërive të mbyllura; për  këtë  ka  ndikuar  edhe  relievi gjeografik  tepër malor.  Për rrjedhojë, zhdukja  e  praktikave  kanunore  do  të  vijë  dora-dorës  me  zhvillimin ekonomik të tyre dhe me krijimin e shoqërive të hapura. Për këtë qëllim do të nevojiten strategji dhe programe të posaçme për zhvillimin ekonomik me përparësi të zonave verilindore. Këto zona nuk zhvillohen duke u braktisur nga popullata dhe duke u harruar nga shteti, por duke vënë  në lëvizje burimet e tyre natyrore të padiskutueshme, si blegtoria, industria pyjore e minerare, turizmi, etj.Paralel me këtë do të nevojitet forcimi i shtetit dhe i institucioneve të tij, shtrirja e autoritetit të ligjit si kundërpeshë ndaj autoritetit të kanunit. Në ndihmë të respektimit të ligjit duhet të vijë edukimi ligjor. Mund të duket e pabesueshme, por në tekstet tona të arsimit  parauniversitar, d.m. th. nga klasa e parë deri në fund të shkollës së mesme, nuk flitet asnjë fjalë për kanunet, sikur të mos ekzistonin kurrkund. Tema e kanuneve është ende një tabu në shkollat tona. Këtë zbrazëti e mbush edukimi familjar në mënyrën e vet, sipas formimit tradicional.

Marre nga   Konferenca Kombetare-E Drejta e Jetes-E Drejte Universale 2001

Shënim I Stafit I DrejtesiaShqiptare.com:

E drejta e autorit mbetet i  autorit të punimit . Opinionet e shprehura  dhe studimet  juridike  e publikuara në këtë Website janë të autorëve përkatës  qe I kane shkruar ato. Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi në qoftë se  shkrimi është upload-uar pa lejen e autorit.Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi për pikëpamjet, vërtetësinë e informacionit që përmbajnë artikujt që publikohen dhe shkeljet e se drejtës së autorit.Kushdo që ka ndonjë ankese  rreth  së  drejtës  së autorit ne publikimet e ketij website,  është I lutur  te dërgoje një email  tek kontakt@drejtesiashqiptare.com.  Ne do ta  shqyrtojmë me përgjegjesi ankesën dhe do ta heqim menjëherë shkrimin.Për  të mos arritur deri aty,ju lutem respektoni  të drejtën  e autorit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

sixteen − 16 =

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Powered by WordPress | Designed by: Dog Groomer | Thanks to Assistant Manager Jobs, Translation Jobs and New York Singles