Vendi që zë KEDNJ në legjislacionin e brendshëm shqiptar, përcaktohet qartë dhe si asnjëherë tjetër nga Kushtetuta e Shqipërisë. Për këtë mjafton t’u referohemi disa neneve të Kushtetutës. Në nenin 5, Kushtetuta përcakton se “Republika e Shqipërisë zbaton të drejtën ndërkombëtare të detyrueshme për të”. Ndërsa, në nenin 116, paragrafi 1, marrëveshjet ndërkombëtare të ratifkuara renditen pas Kushtetutës, në gërmën “b”, si akte normative, që kanë fuqi në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Ndërsa në nenin 17, ku flitet për kufizimin e të drejtave dhe lirive të parashikuara në Kushtetutë, përcaktohet qartë se “këto kufizime nuk mund të cënojnë thelbin e lirive dhe të drejtave dhe në asnjë rast nuk mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara në KEDNJ”.
Të flasësh për të drejtën e jetës sipas KEDNJ, është sa e lehtë, aq edhe e vështirë. Është e lehtë, sepse tashmë për të gjithë njerëzit, që banojnë ose jo në territoret, mbi të cilët i shtrin efektet kjo Konventë, është më se e qartë se ç’është jeta dhe si mbrohet ajo, por nuk është as vendi dhe as detyra e kësaj teme që ta shohë dhe ta trajtojë jetën në aspektin njerëzor, human, social, moral apo edhe fetar. Njëkohësisht, është e vështirë, sepse është e nevojshme që të trajtohen këtu të gjitha aspektet e jetës nga këndvështrimi i kësaj Konvente, i cili, përveçse është, padyshim, juridiko- profesional, përfshin edhe përmbledhjen e një mendimi juridik ndërkombëtar, të paktën mbarëeuropian.
Po t’i referohemi KEDNJ, jo më kot e drejta e jetës trajtohet e para ndër të drejtat e njeriut dhe këtu përsëri nuk ka vend për dyshime apo për diskutime, nëse është apo jo e drejta e jetës parësore ndër të drejtat e tjera të njeriut, të cilat i përfshin edhe vetë kjo Konventë.
Është pikërisht neni 2 i KEDNJ, i cili parashikon në paragrafin e parë se e drejta e çdo njeriu për jetën mbrohet me ligj. Askujt nuk mund t’i shkaktohet vdekja me qëllim, me përjashtim të rastit, kur zbatohet një vendim me vdekje, i dhënë nga një gjykatë, kur krimi ndëshkohet me këtë dënim nga ligji.
Më poshtë, neni 2 i KEDNJ, në paragrafin e dytë të tij, parashikon se vdekja nuk quhet e shkaktuar në kundërshtim me këtë nen, në rastet kur ajo vjen nga përdorimi i forcës, i bërë absolutisht i domosdoshëm. Më pas, ky paragraf jep të specifikuara rastet se kur përdorimi i forcës që shkakton vdekjen është absolutisht i domosdoshëm dhe konkretisht: a) për të siguruar mbrojtjen e çdo personi kundër dhunës së paligjshme; b) për të kryer një arrestim të rregullt, ose për të penguar arratisjen e një personi të burgosur ligjërisht; c) për të kundërshtuar, në përputhje me ligjin, një trazirë ose një kryengritje.
Më konkretisht, më poshtë le të shohim disa nga problemet, të cilat kanë qenë objekt diskutimi dhe që duhen trajtuar lidhur me këtë temë, pra të para këto në trinomin: e drejta e jetës; – Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut; – Legjislacioni i Republikës së Shqipërisë.
Në qoftë se do të shtronim pyetjen se kujt i adresohet shprehja e KEDNJ se e drejta e çdo njeriut për jetën mbrohet me ligji, sipas opinionit të Komisionit Europian të të Drejtave të Njeriut dhe praktikës së Gjykatës Europiane rezulton se ajo nuk i adresohet në mënyrë ekskluzive vetëm ligjvënësit, por i referohet një detyrimi të përgjithshëm të autoriteteve, për të marrë masa të përshtatshme për mbrojtjen e jetës së njerëzve. Nga ana tjetër, qëndron shprehja e njohur se kjo nuk do të thotë që shtetet janë të detyruara t’u vendosin një polic ose roje personale personave, që kërcënohen me vdekje.
Një problem tjetër që lidhet me të drejtën e jetës ka të bëjë me fillimin dhe me mbarimin e jetës fizike të qenies njerëzore. Pra dalim tek termi “çdo njeri”, i përdorur në nenin 2 të KEDNJ. A do të kuptohet edhe fetusi me këtë term apo jo? Në qoftë se po, kjo do të sillte që aborti, në parim, të ndalohej nga ligjvënësi dhe të kishte ndjekje penale nga organet përkatëse. Së pari, duhet thënë dhe për të gjithë është më se e qartë, se në këtë çështje ndërthuren pikëpamje sociale, morale, fetare, politike, juridike, shëndetësore etj. Së dyti, duhet thënë se si në rrafshin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar, nuk ka një konsensus. Megjithatë, duke iu referuar Komisionit Europian të të Drejtave të Njeriut, me termin “çdo njeri”, të përdorur në KEDNJ, nuk i është njohur fetusit e drejta absolute për jetë, por edhe në gjykatë, me sa di unë, nuk është paraqitur për gjykim ndonjë çështje që të kërkojë një zgjidhje të qartë dhe të prerë lidhur me abortin. Duke ardhur në legjislacionin shqiptar, kemi parasysh legjislacionin përkatës në këtë fushë, ku Ligji nr. 8045, datë 07.12.1995 Për ndërprerjen e shtatzanisë”, njeh të drejtën e ndërprerjes së vullnetshme të shtatzanisë, vetëm në disa kushte të caktuara.
Interesant paraqitet momenti i mbarimit të jetës. Këtu ngrihet problemi i eutanazisë. Disa e shohin këtë si një raport midis mbrojtjes të së drejtës për të jetuar dhe moslejimit të torturës dhe të vuajtjes. Edhe në këtë çështje nuk ka një qëndrim të njëjtë nga shtetet, që ndodhen nën juridiksionin e KEDNJ. Me sa kam dijeni unë, kohët e fundit, në Hollandë, apo edhe në ndonjë vend tjetër, është lejuar eutanazia. Ndoshta këtu duhet të kemi parasysh që Holanda është një shtet disi liberal në mjaft drejtime. Kam parasysh këtu edhe lejimin e drogave të lehta, prostitucionit etj.
Moment tjetër, që lidhet me të drejtën e jetës, është edhe vrasja në kushtet e mbrojtjes së nevojshme dhe të nevojës ekstreme. Të gjithë ne e kemi parasysh përcaktimin që i bën Kodi Penal shkaktimit të vdekjes së tjetrit në rrethanat e mësipërme. Sigurisht, që këtu duhet të kihen parasysh të gjitha rrethanat dhe kushtet, që duhet të ekzistojnë, në mënyrë që shkaktimi i vdekjes së një njeriu të mos jetë i ndëshkueshëm nga ligji dhe autoritetet.
Një rëndësi të veçantë dhe vlera aktuale merr shkaktimi i vdekjes nëpërmjet përdorimit të ligjshëm të forcës nga organet e rendit. Në Republikën e Shqipërisë është në fuqi ligji nr.8290, datë 24.02.1998 “Për përdorimin e armëve të zjarrit”. Ky ligj rregullon mënyrën, rrethanat dhe kushtet e përdorimit të armëve të zjarrit. Ai përcakton, gjithashtu, edhe subjektet, të cilat kanë të drejtë t’i përdorin ato dhe që janë Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Policitë e tjera të Armatosura, të krijuara me ligj, të cilat nuk janë në përbërje të Forcave të Armatosura si dhe Rojet Civile të Armatosura. Kriteret themelore të përdorimit të armëve të zjarrit janë ato, sipas kushteve të mbrojtjes së nevojshme dhe të nevojës ekstreme. Vlen të diskutohet lidhur me rrethanat e përcaktuara në këtë ligj, në të cilat lejohet përdorimi i armëve të zjarrit nga Forcat e Policisë së Rendit, Policisë së Kufirit, Forcat e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Rojat Civile. Një rëndësi mjaft të madhe merr vlerësimi i situatave konkrete, me qëllim që armët të mos përdoren në asnjë situatë tjetër përveçse në ato, në të cilat përdorimi i tyre është absolutisht i nevojshëm.
Një moment mjaft i rëndësishëm dhe interesant, për kushtet konkrete të Shqipërisë, është problemi i dënimit me vdekje, i cili lidhet me Protokollin nr. 6 të Konventës, bërë me 28 prill 1983, lidhur me heqjen e dënimit me vdekje, i cili është pjesë integrale e KEDNJ. Po aq interesante është edhe zgjidhja, që iu dha këtij problemi nga autoritetet shqiptare.
Me hyrjen në Këshillin e Europës, Republika e Shqipërisë mori edhe disa zotime të karakterit juridik ndërkombëtar. Sipas këtyre zotimeve ndërkombëtare, ajo detyrohej të ratifikonte KEDNJ së bashku me Protokollet Nr. 1, 2, 3, 4, 7 dhe 11 të saj brenda afatit prej një viti, si dhe të nënshkruante, ratifikonte dhe të zbatonte Protokollin Nr.6 të kësaj Konvente, lidhur me heqjen e dënimit me vdekje, në kohë paqeje, brenda një afati prej tre vjetësh nga koha e pranimit të saj në Këshillin e Europës, duke zbatuar një moratorium mbi ekzekutimet deri në heqjen e dënimit me vdekje.
Ndërkohë, Rezoluta Nr.1044, datë 04.10.1994 e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, në pikën 6 të saj, parashikon se zbatimi adekuat i Protokollit shtesë të KEDNJ mbetej një nga shqetësimet e Asamblesë dhe se vullneti për ta ratifikuar këtë protokoll duhet të përbënte një kusht për anëtarësimin në Këshillin e Europës.
Koha kaloi shpejt dhe pragu i provës për Shqipërinë po vinte. Çfarë do të ndodhte me dënimin me vdekje. Politika shqiptare edhe vetë ishte akoma e papërgatitur për këtë çështje dhe jo më të bëhej fjalë që të kishte përgatitur edhe opinionin publik. Në këtë moment mund të themi se, me mjaft profesionalizëm u shfaqën në skenën e jetës institucionale dhe shoqërore shqiptare gjyqtarët. Ishin gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, që e inicuan këtë proces nëpërmjet vendimit të Kolegjit Penal të datës
22.09.1999 dhe, përfundimisht, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të cilët, nëpërmjet vendimit nr.65, datë 10.12.1999, i dhanë edhe zgjidhjen përfundimtare këtij problemi, duke vendosur se dënimi me vdekje është i papajtueshëm me Kushtetutën, duke dhënë edhe arsyetimin përkatës. Me zgjidhjen e bërë, gjyqtarët shqiptarë i hoqën një barrë, mjaft të rëndë politikës dhe politikanëve shqiptarë, barrë të cilën zor se do ta kishin hequr vetë pa mundime, pa kosto dhe pa pasoja.
Një rast tjetër, i fundit, por nga rradha dhe jo nga rëndësia, që lidhet me të drejtën e jetës, sipas KEDNJ është edhe praktika e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut ose, siç është bërë zakon të quhet, Gjykata e Strasburgut. Kjo Gjykatë, nëpërmjet numrit dhe gamës shumë të madhe të çështjeve, që ka trajtuar dhe që ka zgjidhur, i ka dhënë vetë Konventës një hapësirë dhe shtrirje, me të vërtetë të madhe për nga pikëpamja e zbatimit të neneve të saj. Mjaft vendime të Gjykatës së Strasburgut kanë dhënë sanksione ndaj shteteve, që janë gjetur në shkelje të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore dhe veçanërisht të së drejtës së jetës. Gjykata, nëpërmjet vendimeve, ka arritur deri aty, sa të shprehet se shtetet palë janë të detyruara që të ndërmarrin veprime efektive kur paraqitet nevoja për të kryer hetime, kur zhduken persona të ndryshëm. Madje, kur shteti nuk ndërmerr një hetim përkatës, për të gjetur njeriun e zhdukur, kjo përbën një trajtim çnjerëzor dhe degradues për të afërmit e tyre.
Këto ishin disa nga rastet, nëpërmjet të cilave e drejta e jetës lidhet me KEDNJ, si një nga aktet ndërkombëtare me një rëndësi të tillë për Shqipërinë.
Marre nga Konferenca Kombetare-E Drejta e Jetes-E Drejte Universale 2001
Shënim I Stafit I DrejtesiaShqiptare.com:
E drejta e autorit mbetet i autorit të punimit . Opinionet e shprehura dhe studimet juridike e publikuara në këtë Website janë të autorëve përkatës qe I kane shkruar ato. Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi në qoftë se shkrimi është upload-uar pa lejen e autorit.Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi për pikëpamjet, vërtetësinë e informacionit që përmbajnë artikujt që publikohen dhe shkeljet e se drejtës së autorit.Kushdo që ka ndonjë ankese rreth së drejtës së autorit ne publikimet e ketij website, është I lutur te dërgoje një email tek kontakt@drejtesiashqiptare.com. Ne do ta shqyrtojmë me përgjegjesi ankesën dhe do ta heqim menjëherë shkrimin.Për të mos arritur deri aty,ju lutem respektoni të drejtën e autorit.