Masa e sigurimit dhe procedura për kërkimin e vendosjes-Kolë HYSENAJ

gjykata2

Në praktikën e kohëve të fundit, në drejtësinë shqiptare ndeshemi me raste të veçanta, kur gjatë gjykimit të çështjeve penale nga ana e prokurorit është kërkuar “caktimi i masës së sigurimit” dhe, nga ana e gjykatës, është pranuar kjo kërkesë duke caktuar masë sigurimi. Në dhënien e këtij opinioni juridik marr shkak nga vendimi nr. 7, datë 14.10.2011 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Paraprakisht për publikun e ndiej me vend të sqaroj se ky vendim është i detyrueshëm për zbatim nga gjykatat, e për më tepër që të gjitha vendimet kur pala nuk i pëlqen duhet të falënderojë gjykatën që e ka dhënë, e më pas mënyra e vetme për të kundërshtuar atë është ankimi apo rekursi në gjykatat më të larta, por personalisht mendoj se fryma që sjell vendimi në pjesë të veçanta të tij bie ndesh me Kodin e Procedurës Penale. Në lidhje me të po mundohem të sjell në debat pjesë të këtij vendimi. Paraprakisht bie dakord se prokurori gjatë gjykimit të çështjes penale mund të paraqesë kërkesë për caktimin e ndonjë mase sigurimi, sipas rregullave procedurale penale, pasi në asnjë nen nuk ndalohet paraqitja e një kërkese të tillë, e për rrjedhojë gjykata mund të caktojë masë sigurimi, kjo sipas: “Normë gjenerale përjashtuese” ose “Principi i lirisë” (“tutto ciò che non è vietato è permesso”), sipas të cilit janë të ligjshme të gjitha sjelljet që nuk janë të ndaluara nga norma të tjera, e përdoret në rastet e interpretimit, i cili lind i nevojshëm kur ka boshllëqe ligjore. Nuk është e rëndësishme dhe as objekt i këtij opinioni nëse gjykata cakton atë masë të kërkuar nga prokurori apo një masë më të lehtë. Gjithashtu bie dakord se prokurorin e vendos në një pozicion akoma më komod në lidhje me të pandehurit, që në fakt përpara gjykatës palët duhet të jenë të barabarta. Këtu nuk mund të bie dakord kurrsesi me frymën që sjell vendimi, e konkretisht me disponimin që këtë masë sigurimi të kërkuar nga prokurori mund ta shqyrtojë e caktojë i njëjti trup gjykues që gjykon çështjen penale në themel. Në nenin 15/2 të K.Pr.Penale shkruhet “…nuk mund të marrë pjesë në gjykim gjyqtari që ka vleftësuar masën e sigurimit ose çdo kërkesë tjetër të prokurorit të paraqitur gjatë hetimit paraprak në të njëjtin procedim…”. Në vendimin e gjykatës (faqe 13) arsyetohet se me depozitimin e kërkesës për gjykim gjyqtari i hetimeve paraprake e ka humbur kompetencën e tij…, e vetvetiu kërkesa lidhur me masat e sigurimit i kalon gjykatës që ka kërkesën për gjykimin e çështjes. Në këtë nen ligjvënësi ka mbajtur parasysh përjashtimin e gjyqtarit që ka shqyrtuar kërkesat e hetimeve paraprake, pikërisht për të qenë të tjerë gjyqtarë ata që gjykojnë çështjen në themel, e për rrjedhojë gjykojnë si të paanshëm. Në këtë sens, nëse trupi gjykues që shqyrton një masë sigurimi në gjykim, a nuk është i barabartë me gjyqtarin e hetimeve paraprake, i cili ka gjykuar po një kërkesë të ngjashme, e nëse jo, përse atëherë gjyqtari i hetimeve paraprake nuk duhet të marrë pjesë në gjykimin e themelit, e sidomos kërkesa që ka shqyrtuar gjyqtari në hetimet paraprake është i njëjtë “caktimi i masës së sigurimit” me atë që shqyrton trupi gjykues që gjykon çështjen në themel? Edhe thjesht në organizimin administrativ nëse kërkesa për caktimin e masës së sigurimit paraqitet pasi gjykata ka dhënë vendimin, e në gjykatat e tjera më të larta çështja nuk është hedhur akoma në short, cila do të ishte procedura për formimin e atij trupi gjykues që ka gjykuar themelin, pasi, sipas vendimit, duhet të jetë i njëjti?

Gjithashtu caktimi i masës së sigurimit në gjykim është një vendim i ndërmjetëm, e ankimi ndaj tij bëhet së bashku me vendimin përfundimtar, ndërsa dihet që në ligj masat e sigurimit ankohen sipas nenit 249 të K.Pr.Penale. Çështje tjetër që mendoj se e ndalon atë trup gjykues të caktojë masë sigurimi është edhe mënyra e zbatimit të masës së sigurimit. Dihet se me dhënien e vendimit të masës së sigurimit u dërgohet policisë gjyqësore për zbatim, sipas nenit 246 të K.Pr.Penale, pasi prokurori bën urdhrin e ekzekutimit sipas nenit 466 të K.Pr.Penale. Në rastin më të mirë, kur personi ndaj të cilit është caktuar masa kapet, duhet të dërgohet përsëri në gjykatë brenda tri ditëve sipas nenit 248 të K.Pr.Penale për marrjen e tij në pyetje, çka përsëri ky trup gjykues duhet të investohet me pyetjen e tij, pra përsëri ka një ndikim të drejtpërdrejtë secili nga gjyqtarët e çështjes. Në këtë rast personi ndaj të cilit është zbatuar masa merret në pyetje dhe ka të drejtë të japë deklarime. Këto deklarime si do të shqyrtohen nga gjykata, pasi në rastin konkret përbëjnë provë, e faza e paraqitjes së provave sipas nenit 356/1/2 të K.Pr.Penale konsiderohet e kaluar. Nëse kërkohen sipas paragrafit 3 të këtij neni i bie që t’i marrë gjykata kryesisht, që përsëri ajo është e njëanshme, e për më tepër që merr rolin e prokurorit. Në rastin kur personi nuk gjendet sipas nenit 247/3 përsëri duhet të investohet gjykata për të deklaruar ikjen e personit. Po sipas nenit 247/5 të K.Pr.Penale, gjykata mund të urdhërojë përgjimin e bisedave telefonike dhe të formave të tjera të komunikimit. Natyrshëm lind pyetja: ku shkojnë rezultatet e përgjimit, si do të administrohen, a përbëjnë provë rezultatet e transkriptuara? Po nëse gjatë përgjimit për kapjen e tij rezulton se kryhen vepra të tjera penale si do të veprojë gjykata, e nëse shikojnë se kemi elemente të ndonjë vepre penale, a janë të detyruar të bëjnë me dije prokurorin, e nëse po, a kanë shfaqur mendim që drejtpërdrejt ndikon mbi të pandehurin? Personalisht mendoj se janë të njëanshëm nëse shfaqin mendim, e kjo është një arsye ligjore më shumë, që trupi gjykues që shqyrton themelin nuk mund dhe nuk duhet të shqyrtojë kërkesën për masë sigurimi. Arsyetimi i paraqitur se i pandehuri ka rrezik të largohet nuk është legjitim për të caktuar masë sigurimi ndaj tij, kjo është ligjore për të caktuar masë sigurimi në hetime paraprake, pasi në hetime paraprake mund të ndryshojë provat, largimi i tij nuk mund të lejojë prokurorin të marrë një provë që është e domosdoshme për një hetim objektiv të çështjes, çka në gjykim mund të mos jetë e domosdoshme, pasi vetë fakti që çështja penale është dërguar për gjykim tregon se prokurori ka krijuar bindjen e plotë se ka prova të mjaftueshme, kjo në vështrim të nenit 327/2 të K.Pr.Penale. Arsyetimi se ekziston rreziku se i pandehuri mund të largohet, apo se mund të kryejë vepra të tjera penale nuk e justifikon prokurorin për të kërkuar masë sigurimi në gjykim, e aq më pak gjykatën për të pranuar kërkesën e prokurorit. Dihet se i pandehuri nuk ka detyrim të paraqitet në gjykatë (neni 352/4 mungesa dhe largimi i të pandehurit), për të cilin deklarohet se mungesa e gjykimit vazhdon pa ndonjë problem. I vetmi përjashtim është sipas nenit 353/1 të K.Pr.Penale, kur gjykata mund (pra jo medoemos) të urdhërojë shoqërimin e detyrueshëm të të pandehurit, ose personit ndaj të cilit është bërë kërkesë për gjykim nga i dëmtuari akuzues, kur nuk është paraqitur ose është deklaruar në mungesë, në qoftë se prania e tij është e domosdoshme për marrjen e një prove apo pyetjen e tij. Krejt i ndryshëm është pozicioni i gjykatës në kërkesat për “zëvendësimin apo revokumin e masës së sigurimit”, sipas nenit 260/1/2/3 të K.Pr.Penale. Këto kërkesa janë çështje fakti që i ka lindur atij trupi gjykues, e në kuptimin e këtij neni kanë të bëjnë me gjendjen shëndetësore të të pandehurit, që përcaktohet nga ekspertët dhe jo nga gjykata, kanë të bëjnë me shfuqizimin e dispozitës, heqjen, quajtjen të paqenë të dispozitës, dhënien amnisti, që përsëri janë çështje fakti dhe jo provash. Këto kërkesa ligji shprehimisht i ka lejuar e sidomos në nenin 260/4 të K.Pr.Penale, e ligji e ka të shprehur qartë, se gjykata edhe kryesisht mund të disponojë. Pra në këto kërkesa gjykata nuk u referohet kërkesave të neneve 228, 229 të K.Pr.Penale. Gjykata në dhënien e vendimit mendoj se ka pranuar dy standarde në të njëjtën çështje, kjo në rastin kur arsyeton se: “…ka dallim mes gjykimit lidhur me caktimin e masës së sigurimit dhe gjykimit lidhur me themelin e akuzës. Për caktimin e masës së sigurimit gjykata disponon bazuar në dyshimin e arsyeshëm të mbështetur në prova. Për vendimin përfundimtar lidhur me themelin e akuzës gjykata disponon bazuar në bindjen e saj mbështetur në prova, që vërtetojnë ose jo akuzën, pra jashtë çdo dyshimi…”. Personalisht mendoj se kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore që gjyqtari që ka shqyrtuar kërkesat e hetimeve paraprake nuk mund të marrë pjesë në gjykimin e themelit të çështjes. Konkretisht i njëjti gjyqtar nuk mund të ketë dy standarde të trajtimit të provave. Në njërin rast të shprehet se ka dyshime që e legjitimojnë masën, e në rastin e fajësisë apo pafajësisë të shprehet se ka prova të plota. Në të vërtetë ashtu është, se masa e sigurimit kërkon dyshime të arsyeshme, të cilat i vlerëson gjyqtari, gjyqtar i cili kurrsesi nuk duhet të marrë pjesë në vendimin e themelit. I njëjti, apo të njëjtë gjyqtarë nuk mund të shprehen me vendim për të njëjtin të pandehur, duke arsyetuar se një herë ka dyshime të arsyeshme të mbështetura në prova dhe pas këtij dyshimi të shprehen se ka prova të plota për fajësinë apo pafajësinë e tij. Ky mendoj se është standard i dyfishtë për një gjyqtar, një precedent negativ. Gjithsesi, siç dhe jam shprehur, mendoj se tashmë mënyra më e mirë është ankimimi në Gjykatën Kushtetuese, gjë e cila mund të bëhet nga subjektet që legjitimohen.

Marre nga Gazeta Shqip

Shënim I Stafit I DrejtesiaShqiptare.com:

E drejta e autorit mbetet i  autorit të punimit . Opinionet e shprehura  dhe studimet  juridike  e publikuara në këtë Website janë të autorëve përkatës  qe I kane shkruar ato. Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi në qoftë se  shkrimi është upload-uar pa lejen e autorit.Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi për pikëpamjet, vërtetësinë e informacionit që përmbajnë artikujt që publikohen dhe shkeljet e se drejtës së autorit.Kushdo që ka ndonjë ankese  rreth  së  drejtës  së autorit ne publikimet e ketij website,  është I lutur  te dërgoje një email  tek kontakt@drejtesiashqiptare.com.  Ne do ta  shqyrtojmë me përgjegjesi ankesën dhe do ta heqim menjëherë shkrimin.Për  të mos arritur deri aty,ju lutem respektoni  të drejtën  e autorit.

One Response to Masa e sigurimit dhe procedura për kërkimin e vendosjes-Kolë HYSENAJ

  1. Lulzim Krasniqi says:

    Me respekt për autorin e këtij shkrimi ,e përgzoj për hulumtimin e tij të mrekullushëm veqse se personalish kam një argument tjetër i cili shkon në drejtim të lënjes në fuqi të një Praktike gjygjsore të mëhershme për faktin se
    1. Masat e sigurimit në procedur penale janë dhe shqiptohen si të pavaraura por kanë ndërlidhshmëri organike me procesin penal,
    2. Mirpo mosshqiptimi i mases së siguris për të pandehurin pas momentit të konfirmitit të aktakuzes nuk është i ndaluara kur është i nevojshëm për procesin e veq, kur dihet fakti se personi mund të ndikoj në dëshmitarët që ti ndrrojn dëshminë, si dhe provat e metutjeshme,
    3. Megjithatë une jam pro argumentit që qështja e shqiptimit të Mases së siguris të apelohet sipas parimit instancial Tanatum Apelatium quantum litigatioum.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

four + 12 =

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Powered by WordPress | Designed by: Dog Groomer | Thanks to Assistant Manager Jobs, Translation Jobs and New York Singles