Parimi i Sigurisë Juridike -Xhezair Zaganjori/ Aurela Anastas/Eralda (Methasani) Çani

Parimi i sigurisë juridike është gjithashtu një element shumë i rëndësishëm i shtetit të së drejtës. Si standarde formale kryesore të tij konsiderohen saktësia, qartësia, dhe qëndrueshmëria  në tërësi e të gjithë rendit juridik të një shteti të caktuar. Nga ana tjetër, si standarde kryesore në kuptimin material të parimit të sigurisë juridike konsiderohen mos cenimi i të drejtave të fituara dhe i pritshmërive të ligjshme që garantojnë aktet në fuqi. Me një fjalë, jo vetëm normat e veçanta, por i gjithë rendi juridik kërkohet të jetë i kuptueshëm, i  parashikueshëm dhe jo kontradiktor. Në këtë mënyrë, vlerësohet se krijohet edhe besimi i qytetarëve në qëndrueshmërinë e këtij rendi si dhe bindja e tyre në nevojën e respektimit dhe zbatimit të tij në jetën e përditshme. Në të njëjtën kohë, mbi këtë bazë, qytetarët përcaktojnë edhe hapësirën e lirisë apo mënyrën e sjelljes së tyre në shtet dhe shoqëri.51Në kuadër të këtij parimi, standardet e mësipërme kërkohet të respektohen nga të gjithë mekanizmat dhe institucionet shtetërore, veçanërisht nga organet qendrore të tre degëve  kryesore të pushtetit shtetëror, pra nga parlamenti në ushtrimin e funksionit të tij ligjvënës, nga Qeveria në miratimin e akteve që nxjerr në bazë dhe për zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve, nga pushteti gjyqësor në ushtrim të funksionit të tij të dhënies së drejtësisë, e të tjerë.Për sa më sipër, është e natyrshme që një nga kërkesat e qenësishme të parimit të sigurisë juridike është bërja sa më publike e akteve normative. Kjo do të thotë jo thjeshtë vetëm botimi i tyre në fletoren zyrtare, por edhe transparenca, diskutimi publik dhe pjesëmarrja e gjerë e ekspertëve të fushës, shoqërisë civile, grupeve të interesit apo individëve të veçantë edhe në procesin e miratimit të tyre nga mekanizmat përkatës. Dhe më pas, sigurisht që procesi i  transparencës dhe informimit duhet të vazhdojë edhe pas miratimit të tyre, veçanërisht në fazën e parë të zbatimit në praktikë.Në këndvështrim të interesave të individit si dhe besimit të tij në rendin juridik, konsiderohet  me  rëndësi  të  veçantë  edhe  urdhërimi  për  ndalimin  e  fuqisë prapavepruese të normave juridike. Padyshim që në këtë rast bëhet fjalë për normat juridike që parashikojnë dënime, vendosin detyrime apo rregulla të reja sjelljeje për individin.

Normat me karakter lehtësues apo favorizues për individin, sigurisht që në përputhje me parimin e sigurisë juridike, rast pas rasti mund të shtrijnë efektin e tyre edhe për një periudhë të mëparshme. Nga ana tjetër, si elemente të tjerë të parimit të sigurisë juridike mund të konsiderohen edhe detyrimi për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë, arsyetimi i vendimeve gjyqësore, e të tjerë.Parimi i sigurisë juridike mund të evidentohet shprehimisht edhe në Kushtetutë. Megjithatë,  edhe në rast të kundërt, vetëkuptohet se në kuptim të përgjithshëm ai gjen hapësirën e duhur për t’u njohur e respektuar në praktikë edhe në kuadër të parimit të shtetit të së drejtës. I tillë është edhe rasti i Shqipërisë. Në rastin e vendit tonë, baza kushtetuese për evidentimin e këtij parimi të rëndësishëm bëhet duke ju referuar angazhimit për respektimin  e  shtetit të së drejtës që përmendet shprehimisht në Preambulën e Kushtetutës.  Siç do të shohim edhe më poshtë, ky qëndrim konfirmohet edhe përmes jurisprudencës së Gjykatës  Kushtetuese. Nga ana tjetër, standarde të veçanta të tij gjejnë pasqyrim në mjaft dispozita të tjera të Kushtetutës si dhe në Kodet apo legjislacionin e miratuar në bazë dhe për zbatim të saj. Kështu për shembull, në nenin 29 të Kushtetutës theksohet se “Askush nuk mund të akuzohet ose të deklarohet fajtor për një vepër penale, e cila nuk konsiderohej e tillë në kohën e kryerjes së saj…..”, dhe se vetëm “Ligji penal favorizues ka fuqi prapavepruese”, e të tjerë.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë ka trajtuar në vendimmarrjen e saj edhe parimin e sigurisë juridike. Koha relativisht e shkurtër gjatë së cilës është marrë me këtë çështje, nuk ka bërë të mundur konsolidimin e një praktike të qëndrueshme në këtë drejtim. Megjithatë, siç do të shihet edhe më poshtë, në mjaft raste është arritur shfrytëzohet me mjaft  sukses edhe ky parim kushtetues si dhe të vendosen standarde të rëndësishme që kanë të bëjnë me njohjen dhe zbatimin e tij në praktikë. Dhe këtë Gjykata Kushtetuese e ka bërë veçanërisht vitet e fundit, si në shqyrtimin e kushtetutshmërisë së akteve normative, ashtu edhe gjatë vlerësimit të standardeve të procesit të rregullt ligjor në kuptimin kushtetues.Në fillimet e saj, Gjykata Kushtetuese e ka kushtëzuar zbatimin e parimit të sigurisë juridike me fuqinë prapavepruese të ligjit të ri, duke cenuar kështu të drejtat e fituara tashmë me një ligj të  mëparshëm, që në fakt përbën edhe elementin material të këtij parimi. Kështu, në Vendimin  nr. 1/200352    të saj, duke shfuqizuar nenin 30 të ligjit “Për lojrat e fatit, kazinotë dhe hipodromet”, i cili kushtëzonte marrjen e licensës për këtë veprimtari me pagesën e një shume të caktuar edhe për subjektet që e kishin marrë tashmë këtë dokument në bazë të një pagese tjetër që kërkonte ligji i mëparshëm, Gjykata Kushtetuese bën vëzhgimin e shkurtër e sporadik, duke theksuar ndër të tjera se:

Në aspektin kushtetues, ligji me fuqi prapavepruese është i kundërshtueshëm në qoftë se cenon të drejtat e fituara me ligjet ekzistuese, ose krijon  një detyrim të ri për sa u përket transaksioneve të shkuara.Në një vendim  tjetër  që  Gjykata  Kushtetuese  do  të  merrte  po  në  vitin  2003, konkretisht në Vendimin nr. 31/2003,53    përpiqet që parimin e sigurisë juridike ta verë në një bazë më solide e më të plotë, duke e lidhur ngushtë atë me nevojën e shmangies së vakumit ligjor si  dhe domosdoshmërinë e ruajtjes së një sistemi juridik sa më të qëndrueshëm. Kemi parë  edhe më sipër që këto janë edhe ndër standardet më normale të parimit të sigurisë juridike. Në këtë vendim, duke rrëzuar kërkesën e 53 mijë zgjedhësve për zhvillimin e një referendumi që do të kishte për objekt shfuqizimin e disa dispozitave të ligjit “Për sigurimet shoqërore..”, në pjesën arsyetuese ku interpretohet neni 126/3 i Kodit Zgjedhor sipas të cilit “Kërkesa për shfuqizimin e një pjese të ligjit (përmes referendumit) pranohet vetëm kur pjesa tjetër e ligjit është e vetëmjaftueshme”, Gjykata Kushtetuese vë në dukje ndër të tjera se:

.. Kjo situatë, në qoftë se do të përsëritej shpesh, do të cenonte parimin themelor të  demokracisë  parlamentare.  Nga  ana  tjetër,  ashtu  siç  konstatohet  edhe në  jurisprudencë, “në qoftë se ligjvënësi nuk reagon në përgjigje të vakumit legjislativ, atëherë sistemi kushtetues nuk ofron ndonjë mjet efektiv, dhe kjo situatë mund të çonte në një  krizë në sistemin e demokracisë përfaqësuese”(citohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Italisë dt. 12/95). Gjykata vlerëson gjithashtu se me  ndalimin  e  mësipërm,  ligjvënësi  ka  pasur  për  qëllim  shmangien  e vakumeve  legjislative në mbrojtje të një parimi të rëndësishëm   të shtetit të së drejtës, pikërisht të parimit të sigurisë juridike. Kushti që pjesa e mbetur e ligjit në rast të një referendumi shfuqizues të jetë e vetëmjaftueshme, i shërben qëndrueshmërisë së sistemit juridik.Një standard mjaft të rëndësishëm për respektimin e parimit të sigurisë juridike në  realitetin  shqiptar,  e  konkretisht  për  procesin  e  rregullt  ligjor  në  kuptimin kushtetues,  vendos edhe Vendimi nr. 17/200554    i Gjykatës Kushtetuese. Në këtë vendim, kjo Gjykatë  konsideron si cenim të parimit të sigurisë juridike (në fakt përmendet shprehimisht vetëm e drejta e fituar me vendim gjyqësor të formës së prerë) shqyrtimin dhe pranimin e kërkesës për rishikim nga Kolegji i Gjykatës së Lartë i mbledhur në Dhomën e Këshillimit, pa ju dhënë mundësia që për këtë çështje të marrë dijeni dhe të shprehet edhe pala apo palët e tjera të të njëjtit proces. Ndër të tjera, Gjykata Kushtetuese argumenton se:

Me shfuqizimin e këtyre vendimeve pa i vënë në dijeni kërkuesit për një fakt të tillë, këtyre të fundit u cenohet një e drejtë e fituar me vendim të formës së prerë…..Për rastin në shqyrtim, … vlerësohet se interesi që kanë kërkuesit është i ligjshëm, pasi e drejta e fituar është cenuar me një vendim tjetër të Gjykatës së Lartë, pa i vënë ata në dijeni për gjykimin e rishikimit…… Nisur nga këto argumente, Gjykata Kushtetuese thekson se për më tepër, në çështjen në shqyrtim, kërkuesit kanë fituar një të drejtë me vendim të formës së prerë dhe ajo nuk mund të preket pa një proces të rregullt ligjor.Të njëjtat argumente mbi konstatimin e një procesi të parregullt ligjor në kuptimin kushtetues si rezultat i cenimit të një të drejte të fituar më parë (parimi i sigurisë juridike) në shqyrtimin e kërkesës për rishikim, përmenden edhe në disa vendime të tjera të mëvonshme të Gjykatës Kushtetuese, si në vendimin nr. 5/2007,  e të tjerë. Përpjekja e parë e Gjykatës Kushtetuese për t’ju referuar në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe për t’i dhënë kuptim dhe bazë kushtetuese parimit të sigurisë juridike konstatohet në vendimin nr. 26/2005 të saj, në të cilin pranohet kërkesa e Shoqatës së Qiramarrësve për shfuqizimin e neneve 1 dhe 9 të ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”.Në fakt, baza kushtetuese e parimit të sigurisë juridike, në këtë vendim, kërkohet të gjendet në nenet 15, 17 dhe 18 të Kushtetutës, gjë që është mjaft e diskutueshme, në mos e gabuar. Për më tepër, vetë Gjykata Kushtetuese në jurisprudencën e saj të periudhës në vijim, nuk e evidenton sërish një lidhje të tillë. Megjithatë, argumentet e saj për përmbajtjen e parimit të sigurisë juridike paraqesin mjaft interes. Ndër të tjera, në këtë vendim thuhet se:Doktrina e së drejtës kushtetuese ka pranuar se siguria juridike është ndër elementet thelbësore të shtetit të së drejtës. Kjo siguri presupozon veç të tjerave besueshmërinë e  qytetarëve tek shteti dhe pandryshueshmërinë e ligjit për marrëdhëniet e rregulluara. Besueshmëria ka të bëjë me faktin se qytetari nuk duhet të shqetësohet vazhdimisht për ndryshueshmërinë dhe pasojat negative të akteve normative që cenojnë dhe përkeqësojnë një gjendje të vendosur me akte të mëparshme………Duke afirmuar parimin e sigurisë juridike dhe të elementeve kryesore të saj, Gjykata Kushtetuese vë në dukje se ky parim nuk  mund të prevalojë në çdo rast. Kjo do të thotë se, nëse paraqitet rasti që një rregullim ligjor ndryshe i një marrëdhënie ndikohet drejtpërdrejtë nga një interes publik, me të gjithë elementet e tij thelbësore, ky interes do të ketë natyrshëm përparësi ndaj parimit të sigurisë juridike…. Por në rastin në shqyrtim fjala nuk është për pasoja çfarëdo, por për pasoja thelbësore, sepse dispozita e re realizon një ndryshim konceptual mbi raportet e shtetit me qiramarrësit……., ndryshim që sjell pasoja shumë të rëndësishme…Ky standard, për të njëjtin problem (çështja e qiramarrësve), do të rikonfirmohej nga Gjykata Kushtetuese edhe në vendimin e saj nr. 11/2007.55  Po kështu, në një vendim të mëvonshëm, Gjykata Kushtetuese do të analizonte sërish raportin ndërmjet një të drejte të fituar me një ligj të mëparshëm me cenimin e saj nga ndërhyrja e ligjit të ri, duke arritur sërish në konkluzionin se nuk ishte respektuar parimi i sigurisë juridike, e për rrjedhojë dispozita duhej shfuqizuar.  Bëhet fjalë për vendimin 17/2010,56 në të cilin kontrollohet kushtetutshmëria e ligjit “Për  regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, në të cilin theksohet ndër të tjera se:… Mungesa e besueshmërisë në regjistrin publik sjell pasiguri në qarkullimin civil. Gjykata vlerëson se krijimi i një gjendje pasigurie juridike në këto regjistra nuk mund të korrigjohet me zgjidhje që imponojnë veprime po aq të pasigurta, siç është fshirja e regjistrit që kryhet nga Kryeregjistruesi. Kthimi në gjendjen e ligjshmërisë të situatës në të cilën gjendet regjimi i pronës, nuk mund të bëhet me mjete jo ligjore. Në këtë kontekst,  Gjykata vlerëson se fshirja e regjistrit të pronës nga një strukturë administrative, kufizon të drejtën e pronësisë dhe krijon një pasiguri për shtetasit, duke cenuar në të njëjtën kohë dhe të drejtat e fituara.

Ne fakt, baza e saktë kushtetuese e parimit të sigurisë juridike përcaktohet për herë të parë në vendimin nr. 34/2005, në të cilin Gjykata Kushtetuese shfuqizon si të papajtueshëm me Kushtetutën, nenin 1 të ligjit “Për statusin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist”. Në këtë vendim, Gjykata Kushtetuese thekson qartë se:… Shteti i së drejtës, i cili garantohet që në preambulën e Kushtetutës, është një nga parimet më themelore e më të rëndësishme në shtetin dhe shoqërinë demokratike. Si i  tillë ai përbën një normë të pavarur kushtetuese, prandaj shkelja e tij përbën në vetvete bazë të mjaftueshme për deklarimin e një ligji si antikushtetues.Mbi bazën e konstatimit të mësipërm, Gjykata argumenton më tej se:Një nga elementet më esenciale të parimit të shtetit të së drejtës është ai i sigurisë juridike, i cili, ndër të tjera ka si kërkesë të domosdoshme faktin që ligji në tërësi, pjesë apo dispozita të veçanta të tij, në përmbajtjen e tyre duhet të jenë të qartë, të përcaktuar dhe të kuptueshëm. Sigurisht që ato nuk mund të parashikojnë çdo rast që mund dhe duhet të lindë nga njohja dhe zbatimi i tyre në praktikë. Prandaj, në radhë të parë është detyrë e gjykatave apo organeve të tjera shtetërore e shoqërore, të ngarkuara me ligj, që mangësi të caktuara të një ligji t’i plotësojnë natyrshëm përmes interpretimit dhe zbatimit të tij në praktikë. Por që të realizohet një gjë e tillë, para së gjithash ligji duhet kuptuar saktë dhe drejtë. Ndaj duhet të dalë qartë qëllimi i hartimit të tij. Ai duhet të përcaktojë mjetet e ndërhyrjes, subjektet të cilëve u drejtohet, raportet e caktuara të sjelljes dhe mënyrën e zbatimit të tij. Rezultati që synohet duhet të jetë i pritshëm dhe pasojat të parashikueshme për subjektet të cilëve u drejtohet ligji në tërësi, ose dispozita të veçanta të tij.57Vendimi nr. 35/2005 i Gjykatës Kushtetuese i kushtohet pothuajse tërësisht çështjes së fuqisë  prapavepruese të ligjit penal favorizues, duke pranuar mbi këtë bazë kërkesën dhe duke shfuqizuar vendimin përkatës të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Pasi evidenton paragrafin e tretë të nenit 29 të Kushtetutës që përcakton se “Ligji penal favorizues ka fuqi prapavepruese”, Gjykata Kushtetuese vë në dukje se ky parim i rëndësishëm kushtetues njihej që në të drejtën romake me formulën “lex retro agit in mitius”.  Më pas ajo thekson se:….. ashtu si në fushat e tjera të së drejtës, edhe në të drejtën penale parim i përgjithshëm është ai i ndalimit të fuqisë prapavepruese të ligjit. Një gjë e tillë  diktohet,  para se gjithash, për shkak të domosdoshmërisë së garantimit të stabilitetit dhe të sigurisë se marrëdhënieve juridike që vendosen ndërmjet subjekteve të ndryshme të së drejtës. Në rastin e ligjit penal, i cili si rregull kufizon lirinë individuale, është shumë e nevojshme që çdo qytetar të dijë paraprakisht kufijtë e lirisë së tij si dhe sanksionet që mund t’i vijnë për shkak të kapërcimit të këtyre kufijve. Ai nuk duhet të ndjejë për asnjë çast rrezikun që një ligj i ri penal që mund të parashikojë si të dënueshëm një veprim apo mosveprim të caktuar ose që mund të rëndojë pozitën e tij si i pandehur, do të ketë në të ardhmen fuqi prapavepruese. Përjashtimi që bëhet nga rregulli i përgjithshëm, duke i dhënë fuqi prapavepruese vetëm ligjit penal që favorizon pozitën e të pandehurit, synon t’i përgjigjet në mënyrë sa më të shpejtë…. vlerësimeve të ligjvënësit mbi rrezikshmërinë shoqërore të veprimeve të caktuara…….., por duhet pasur parasysh se “ligji më i butë duhet të zbatohet nga gjykatat kombëtare si për sa i përket përcaktimit të veprës penale, ashtu edhe sanksioneve të parashikuara prej saj.58Mbi bazën e argumenteve të mësipërme, Gjykata sqaron më tej se parimi kushtetues i fuqisë prapavepruese të ligjit penal favorizues duhet respektuar menjëherë nga të gjitha gjykatat e juridiksionit të zakonshëm, mjafton që fati i çështjes të mos jetë vendosur ende përfundimisht prej tyre.  Për rrjedhojë, sipas saj, ky parim duhet të respektohet edhe në gjykimin që mund të zhvillohet ndërkaq në Gjykatën e Lartë, aq më tepër që është pikërisht  kjo Gjykatë që kontrollon mënyrën e zbatimit të ligjit material dhe procedural nga ana e  gjykatave të juridiksionit të zakonshëm. Gjykata Kushtetuese përfundon arsyetimin e saj duke theksuar se nëse çështja është gjykuar përfundimisht nga gjykatat e juridiksionit të zakonshëm, përfshirë këtu edhe Gjykatën e Lartë, nuk ka më vend për zbatimin e parimit të fuqisë prapavepruese të ligjit penal favorizues.Është interesant të theksohet se në vendimin nr. 41/2007, duke rrëzuar kërkesën e Organizatës Kombëtare për Dëshmoret e LANÇ dhe Dëshmorëve të tjerë të Atdheut për shfuqizimin e disa dispozitave të ligjit “Për Statusin  e Dëshmorit të Atdheut”, Gjykata Kushtetuese thekson ndër të tjera se parimi i sigurisë juridike nuk ka dhe nuk mund të ketë karakter absolut dhe si i tille nuk mund të zbatohet në çdo rast. Për këtë qëllim, Gjykata vë në dukje se bërja e ndryshimit në ligjin ekzistues,

ndonëse mund të cenojë një të drejtë të mëparshme, nuk përbën cenim të parimeve, të të drejtave të fituara e të besimit të qytetareve tek sistemi juridik, që të gëzojë mbrojtje kushtetuese. Kushtetuta nuk ndalon çdo ndryshim të një situate të favorshme ligjore. Kështu, në këtë drejtim, duhet parë në çdo rast se në çfarë mase dhe deri ku, besimi që ka qytetari në situatën e favorshme ligjore, paraqitet i rëndësishëm për t’u mbrojtur nga normat dhe parimet kushtetuese si dhe cilat janë arsyet për një mbrojtje të tillë.Më pas, pasi evidenton standardet e nenit 17 të Kushtetutës lidhur me mundësinë

dhe kriteret e kufizimit të të drejtave themelore, Gjykata thekson se:E drejta për shpërblim financiar mujor të familjarëve të dëshmorit nuk është një e drejtë themelore e parashikuar nga Kushtetuta… apo Konventat Ndërkombëtare dhe as një e drejtë që derivon nga ligjet që janë zbatim i të drejtave themelore të qytetareve….Në të njëjtin përfundim si më sipër, por me argumente të ndryshme, Gjykata

Kushtuese do të rrëzonte edhe pretendimet për cenimin e parimit të sigurisë juridike në vendimin nr. 10/2008 të saj, me objekt shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të disa neneve të ligjit “Për lojrat e fatit…”.  Në ndryshim të qartë nga vendimet e mëparshme,  me rëndësi të veçantë është se në këtë rast, evidentohet qartësisht edhe e drejta e ligjvënësit për të miratuar ligje që i gjykon të arsyeshme në përputhje me nevojat e zhvillimit të reformave të ndryshme, pa pasur “frikën” se ato mund të prekin apo cenojnë të drejta apo interesa të caktuara. Me këtë rast, Gjykata rithekson se:

Siguria juridike si koncept kushtetues…….. përfshin qartësinë, kuptueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e sistemit normativ. Ky parim përfshin, midis të tjerave, edhe besimin tek sistemi juridik, pa marrë përsipër garantimin e çdo pritshmërie për mos ndryshim të një situate të favorshme ligjore. Kështu, edhe fillimi i efekteve faktike si pasojë e ndryshimit të një ligji nuk mund të konsiderohen si cenim i parimit të sigurisë juridike. Në këtë pikëpamje, duhet parë në çdo rast se në çfarë mase dhe deri ku besimi që ka qytetari në situatën e favorshme ligjore paraqitet i rëndësishëm për t’u mbrojtur dhe cilat janë arsyet për një mbrojtje të tillë.59Gjykata Kushtetuese rithekson se parimi i sigurisë juridike bashkëvepron edhe me parime të tjera si ai i shtetit social, i cili i siguron ligjvënësit një hapësirë të gjerë dhe të papërcaktueshme saktësisht për të rregulluar përfitimin e të mirave sociale në një masë dhe sasi të caktuar….. Në këtë aspekt Gjykata Kushtetuese vlerëson se jo çdo masë me efekte negative që merr ligjvënësi për subjektet e ligjit është cenim i një të drejte të garantuar me Kushtetutë. Ligjvënësi jo vetëm që ka të drejtë, por është i detyruar të rregullojë nëpërmjet akteve të veta me hollësi të drejtat e parashikuara në Kushtetutë. Vetëm ato të drejta, të cilat janë parashikuar si shprehimisht të pakufizueshme, nuk është e mundur të preken nga ligjvënësi…. E drejta e ligjvënësit për të rregulluar një situatë ndryshe nga ajo ekzistuese, duhet të mbetet në thelb e paprekur, si një nga kërkesat e një shoqërie në zhvillim të vazhdueshëm, e cila nuk mund të kuptohet pa një kuadër normativ dinamik që i përshtatet zhvillimit të saj.I njëjti formulim do të shfrytëzohej ndër të tjera më pas nga Gjykata Kushtetuese edhe në vendimin nr. 4/2010,60  në të cilin ajo rrëzon kërkesën për shfuqizimin e disa dispozitave të ligjit “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë”, paraqitur para saj nga Shoqata e ish të Burgosurve Politikë; në vendimin nr. 29/201061   në të cilin rrëzohet kërkesa e Avokatit të Popullit për shfuqizimin e disa dispozitave të ligjit “Për përbërjen, mënyrën e  funksionimit,….. shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve mbi tokën bujqësore”, e të tjerë. Për më tepër, vendimi më i fundit dallohet për mënyrën e evidentimit dhe sistemimit të plotë të standardeve të parimit të sigurisë juridike të pasqyruara nga vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese në vite. Kështu, në këtë vendim (pra Vendimi nr. 29/2010), pasi bëhet lidhja e këtij parimi me shtetin e së drejtës si parim themelor në shtetin dhe shoqërinë demokratike, theksohet se:

… Siguria juridike presupozon, veç të tjerash, besueshmërinë e qytetarëve tek shteti  dhe pandryshueshmërinë e ligjit për marrëdhëniet e rregulluara. Besueshmëria ka të  bëjë me bindjen e individit se nuk duhet të shqetësohet vazhdimisht ose të jetojë me frikë për ndryshueshmërinë dhe pasojat negative të akteve juridike, të cilat mund të cenojnë jetën private ose profesionale dhe të përkeqësojnë një gjendje të vendosur me  akte të mëparshme. Rregullimet ligjore që kanë të bëjnë me të drejtat e shtetasve duhet të kenë qëndrueshmëri të mjaftueshme që të sigurojnë vijimësinë e tyre. Si rregull nuk mund të mohohen interesa dhe pritshmëri të ligjshme të qytetarëve nga ndryshimet në legjislacion dhe shteti duhet të synojë të ndryshojë një situatë të rregulluar më parë vetëm nëse ndryshimi sjell pasoja pozitive……Ky parim përfshin midis të tjerave edhe besimin tek sistemi juridik, pa marrë përsipër garantimin e çdo pritshmërie për mos ndryshim të një situate të favorshme ligjore…..Gjykata çmon se Kuvendi, si organ ligjvënës, ka të drejtë të zbatojë apo konkretizojë politika të caktuara për përmirësimin e qeverisjes dhe zhvillimin e vendit në tërësi, apo t’u përgjigjet prioriteteve apo problemeve të ndryshme të vendit.Më pas, pasi analizohen në bazë të këtyre standardeve ndryshimet e kontestuara ligjore,  Gjykata Kushtetuese arrin në përfundimin se ato nuk cenojnë parimin e rëndësishëm të sigurisë juridike.Është interesant të theksohet gjithashtu se në Vendimin nr. 33/2010,62    në të cilin pranohen pjesërisht pretendimet e kërkuesve për shfuqizimin e disa dispozitave të ligjit “Për sigurimet shoqërore suplementare të ushtarakëve…”, Gjykata Kushtetuese evidenton të gjitha standardet  dhe kërkesat e parimit të sigurisë juridike, duke theksuar megjithatë se ai nuk mund të prevalojë në çdo situatë, pasi mund të ndodhë që në një rast të caktuar, një interes i rëndësishëm publik të ketë përparësi ndaj këtij parimi. Dhe për çështjen në shqyrtim, vihet në dukje se  zvogëlimi i ndjeshëm i pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, nuk mund të justifikohej me interesin e rëndësishëm publik.Mund të përmendim gjithashtu se parimi i sigurisë juridike është trajtuar nga Gjykata Kushtetuese edhe në vendimmarrjen e saj të viteve të fundit, lidhur me kërkesat për mosekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë, si element i procesit të rregullt ligjor në kuptimin kushtetues. Si të tillë mund të përmenden vendimet nr. 6/2006, 43/2007,  1/2009, 6/2009, 9/2009, e të tjerë të Gjykatës Kushtetuese. Me këtë rast, është theksuar ndër të tjera domosdoshmëria e ekzekutimit të këtyre vendimeve, si një kërkesë esenciale dhe e natyrshme e parimit të sigurisë juridike, pasi efektin dhe bazueshmërinë e tyre “nuk mundet ta vërë askush në dyshim”.Në kontekstin e mësipërm theksojmë se Gjykata Kushtetuese ka konstatuar shkelje të parimit të sigurisë juridike edhe në rastet kur gjykatat e juridiksionit të zakonshëm nuk kanë arsyetuar si  duhet vendimet e tyre, konkretisht kur nuk i kanë dhënë përgjigje njërës prej palëve në gjykim për pretendimet lidhur me provat e paraqitura prej saj, kur një provë e tillë ka qenë një vendim tjetër gjyqësor i formës së prerë që lidhej me çështjen. Argumentet në këtë rast përkojnë dukshëm me ato që jepen kur kërkohet ekzekutimi i vendimeve gjyqësore. Kështu për shembull, në vendimin nr. 23/2007, Gjykata thekson se:

…vlerësimi dhe arsyetimi nga ana e gjykatave lidhur me vendimin gjyqësor të paraqitur si provë nga ana e kërkuesit ka rëndësi edhe në kuadrin e respektimit të parimit të sigurisë juridike, si një nga aspektet themelore të shtetit të së drejtës. Siguria juridike nënkupton  ndërmjet të tjerave, garantimin e besueshmërisë së individit tek shteti, institucionet e tij dhe aktet që ato nxjerrin. Ndërsa në kontekstin e çështjes në shqyrtim, siguria juridike nënkupton, që në rastet kur gjykata ka vendosur përfundimisht për një çështje, vendimi i saj nuk duhet të vihet në dyshim.Së fundi, theksojmë se në disa raste, Gjykata Kushtetuese ka konsideruar me të drejtë ushtrimin e të drejtës për t’ju drejtuar Gjykatës apo për të ushtruar të drejtën e ankimit brenda një periudhe të caktuar kohore, si mjet të rëndësishëm për respektimin e parimit të sigurisë juridike. Kështu për shembull, në Vendimin nr. 25/2006, ajo thekson se përcaktimi i afateve kushtetuese e ligjore në ushtrimin e të drejtës së ankimit:….përfshirë këtu edhe të drejtën e paraqitjes së kërkesës për rishikim, nuk është qëllim në vetvete, por është në funksion të parimit të rëndësishëm të sigurisë juridike, si një nga përbërësit kryesorë të shtetit të së drejtës.Të njëjtat argumente përdoren nga Gjykata Kushtetuese edhe në vendimin e saj nr.17/2010.63 Nga sa më sipër, rezulton qartë që Gjykata Kushtetuese është angazhuar në vijimësi, vitet e fundit, edhe me parimin e sigurisë juridike, si element i rëndësishëm i shtetit të së drejtës. Shtjellimi i këtij parimi, përcaktimi i standardeve dhe ballafaqimi i tyre sipas rastit me situatat konkrete që ka imponuar kontrolli kushtetues, e kanë ndihmuar  në  mjaft  raste  Gjykatën  Kushtetuese  për  arritjen  e  konkluzioneve përfundimtare për çështjet në gjykim. Në fakt, siç mund të konstatohet edhe nga pasazhet e vendimeve të cituara, Gjykata Kushtetuese ka arritur që nga viti në vit të plotësojë dukshëm apo t’i japë gjithnjë e më shumë “jetë” kërkesave kryesore të parimit të sigurisë juridike. Fillimisht, ky parim është evidentuar shkurtimisht në kuadër të urdhërimit për ndalimin e fuqisë prapavepruese të ligjit, si dhe nevojës së shmangies së vakumeve ligjore që mund të krijohen në situata të caktuara, duke cenuar kështu qëndrueshmërinë e sistemit juridik. Më pas  përmenden standardet formale  dhe               përcaktohet  baza  e  saktë  kushtetuese  e  tij;  bëhen  përpjekje  për përcaktimin e standardeve materiale; zbatohet gjithnjë e më shumë edhe në kuadër të shqyrtimit të kërkesave individuale për çështje lidhur me procesin e rregullt ligjor në kuptimin kushtetues (çështje të rishikimit, ushtrimi i të drejtës së ankimit brenda afateve të caktuara, ekzekutimi i vendimeve të formës së prerë, mos zbatimi i ligjit penal favorizues, …), e të tjerë. Megjithatë, ajo që ka rëndësi më shumë është fakti se tashmë Gjykata Kushtetuese pranon se zbatimi i standardeve materiale të këtij parimi nuk ka dhe nuk mund të ketë karakter absolut. Sipas jurisprudencës së saj tashmë të konsoliduar, ligji i ri apo situata e krijuar me miratimin e një akti  mund të cenojnë një të drejtë të caktuar, por cenimi i saj vlerësohet se duhet të vihet në balancë me interesin publik si dhe me të drejtën dhe detyrën që ka ligjvënësi apo mekanizmat e tjerë shtetërore për t’ju përgjigjur dinamikës së zhvillimit të vendit si dhe realizimit të reformave që imponon koha apo integrimi në strukturat euro– atlantike. Nga ana tjetër, ajo sigurisht që varet  gjithashtu edhe nga natyra dhe karakteri i të drejtës që pretendohet se është cenuar.Sidoqoftë, mendojmë se pavarësisht sa më sipër, mbetet ende që elementet e parimit të sigurisë juridike të saktësohen e plotësohen edhe me tej nga Gjykata Kushtetuese, për  t’ia  përshtatur  ato  më  mirë  standardeve  kushtetuese  ndërkombëtare,  dhe veçanërisht jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut si dhe Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.

Literatura

50) Bross S., Reflections on the importance and the position of a Constitutional Court in a modern democratic state under the rule of law – Taking into account the position of the Federal Constitutional Court of the Federal Republic of Germany,  Center on Constitutional Jutice, Council of Europe, vepër e cituar.

51) Degenhart C., Staatsrecht I, Botuar nga CF Muller Verlag, Gjermani, 1998.

52) Vendime të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë 2003, Tiranë 2004.

53) Vendime të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë 2003, Tiranë 2004.

54) Vendime të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë 2005, Tiranë 2006.

55) Vendime të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë 2007,  Tiranë 2008.

56) Vendime të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë 2010, Shtypshkronja ILAR, Tiranë 2011, f. 374.

57) Në këtë vendim citohen edhe vendimet e Gj.Kushtetuese te RFGjermane 2374/1999 dt. 18.5.2004 dhe 581/2001, dt. 12.4.2005.

58) Në këtë vendim gjithashtu citohet vendimi 15312/89 i GjEDrNj, dt. 27.9.1995, në çështjen G. kundër

Francës.

59) Në këtë vendim citohet vendimi i Gj.Kushtetuese të RFGjermane BVerfGE, 105, 17.

60) Vendime të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë 2010, Shtypshkronja ILAR, Tiranë 2010, f. 61.

61) Vendime të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë 2010, Shtypshkronja ILAR, Tiranë 2011, f. 585.

62) Vendime të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë 2010, Shtypshkronja ILAR, Tiranë 2011, f. 976.

63) Vendime të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë 2010, Shtypshkronja ILAR, Tiranë 2011, f. 374.

Marre nga  libri : Shteti i së Drejtës në Kushtetutën e Republikës së Shqipërise

Shënim I Stafit I DrejtesiaShqiptare.com:

E drejta e autorit mbetet i  autorit të punimit . Opinionet e shprehura  dhe studimet  juridike  e publikuara në këtë Website janë të autorëve përkatës  qe I kane shkruar ato. Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi në qoftë se  shkrimi është upload-uar pa lejen e autorit.Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi për pikëpamjet, vërtetësinë e informacionit që përmbajnë artikujt që publikohen dhe shkeljet e se drejtës së autorit.Kushdo që ka ndonjë ankese  rreth  së  drejtës  së autorit ne publikimet e ketij website,  është I lutur  te dërgoje një email  tek kontakt@drejtesiashqiptare.com.  Ne do ta  shqyrtojmë me përgjegjesi ankesën dhe do ta heqim menjëherë shkrimin.Për  të mos arritur deri aty,ju lutem respektoni  të drejtën  e autorit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

four × one =

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Powered by WordPress | Designed by: Dog Groomer | Thanks to Assistant Manager Jobs, Translation Jobs and New York Singles