Nocioni i pronësisë dhe mënyrat e fitimit të saj-Asmir Sadiku

Pronësia është një institut i lashtë juridik i cili ka lindur me lindjen e vetë të drejtës. Pronësia respektivisht e drejta e Pronësisë paraqet njërin ndër institutet juridike më të rëndësishme të së drejtës civile në pëgjithësi, respektivisht institutin juridik më të rëndësishëm të të drejtës sendore në veçanti. Rëndësia e saj shprehet me faktin se ajo është objekt  rregullimit dhe mbrohet jo vetëm në aspektin ligjor por edhe kushtetues dhe ndërkombëtar. Kështu e drejta e pronësisë gëzon mbrojtje ne aspektin nacional dhe ndërkombëtar. E drejta e Pronësisë është kategori kushtetuese. Me Kushtetutën e Republikës së Kosovës garantohet e Drejta e Pronësisë në nenin 121 parag.1,2,3.Në rrafshin ndërkombëtar E drejta e Pronësisë garantohet me Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut të vitit 1948, dhe me Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut me Protokollet e saj.E drejta e Pronësisë përkufizohet si e drejtë sendore që përmban në vete autorizime më të gjëra me rastin e shfrytëzimit dhe të disponimit me një send. Pronësia për nga pëmbajtja e saj është e drejtë sendore që titullarit i garanton pushtetin më të lartë mbi një send.E drejta e Pronësisë është e drejtë sendore e cila titullarit të vet i jep autorizimin më të plotë për çdo pushtet juridik privat.Përkufizimi i Pronësisë duke u mbështetur në autorizimet që ka titullari i të drejtës së pronësisë, është bërë në shumicën e kodeve dhe ligjeve civile.E drejta e pronësisë është e drejtë sendore, e cila bartësit të saj i mundëson posedimin, përdorimin, shfrytëzimin dhe disponimin e sendit të caktuar brenda kufijve të paraparë me ligj.

Ligjet pozitive, pronësinë e përkufizojnë përafërsisht në mënyrë të njëjtë, por vlen të citohen disa veç e veç. Kodi Civil i Francës në nenin 544 parasheh se, “Pronësia është e drejta e gëzimit dhe disponimit me sendet në mëyrën më absolute të mundshme, me kusht që të mos bëhet ajo çka është e ndaluar me ligj ose dispozita tjera”.[1]Kodi Civil Zviceran parashikon se, “kush është pronar i një sendi mund të disponojë me atë send sipas dëshirës në kufijtë e rendit juridik. Ai ka të drejtë të kërkojë prej secilit që e posedon kundërligjshëm dhe të shmangë çdo veprim të kundërligjshëm mbi sendin”.Definicioni për pronësinë në Kodin Civil Gjerman dallon në absolutitetin e saj, sepse “pronari i ndonjë sendi, mundet nëse ajo nuk është në kundërshtim me ligjin dhe të drejtat e tjerëve, me atë të sillet si ta ketë dëshirën dhe të tjerët (të tretët) t’i përjashtojë nga çdo veprim mbi sendin”.Sipas të drejtës romake, pronësia është e drejta të përdorë, të shfrytëzojë dhe të disponojë një send në kufijtë e ligjit – ius utendi, ius fruendi et ius abutendi re sua, guatenus juris ratio patitut, respektivisht pronësia është pushteti i plotë mbi sendin (proprietas est plena in re potestas).Ligji për pronësinë dhe të drejtat tjera sendore i Republikës së Kosovës i miratuar në vitin 2009, neni 18 parag.1 e përkufizon pronësinë në këtë mënyrë: Pronësia është e drejta e tërsishme në një send. Pronari mund të disponojë me sendin sipas dëshirës së  tij, veçanërisht atë ta posedojë dhe ta përdorë, me atë të disponojë dhe të tjerët t’i përjashtojë nga çfarëdo ndikimi nëse nuk kundërshtohet nga ligji ose nga të drejtat e një të treti.

Legjislacioni i Republikës së Shqipërisë ponësinë e përkufizon: “Pronësia është e drejta pë të gëzuar dhe disponuar lirisht sendet brenda kufijve të caktuar nga ligji”. Pronari ka të drejtë që sendin e vet ta mbajë, shfrytëzojë dhe ta disponojë në kufijtë e caktuar me ligj.

Në literature zakonisht si autorizime konsiderohen përdorimi, shfrytëzimi dhe disponimi, por këto nuk e përjashtojnë posedimin e sendit.Pronësia në shumicen e legjislacioneve përkufizohet si pushtet faktik dhe juridik mbi sendin ose pronësia është e drejta për të gëzuar dhe disponuar lirisht sendet brenda kufijve të caktuar nga ligji. Nga ky përkufizim rrjedhë se edhe me të drejtën tënde nuk mund të shërbehesh në dëm të të tjerëve.

Kufizimet e të drejtës së pronësisë janë të përgjithshme dhe të veçanta.

Në kufizimet e përgjithshme bëjnë pjesë: ndalimi i keqpërdorimit të të drejtës së pronësisë sepse nuk lejohet që të përdoret e drejta në dëm të të tjerëve. Bartësit e të drejtës së pronësisë dhe shfrytëzuesit e tjerë janë të obliguar t’i kontribojnë të mirës së përgjithshme. Si rregullator për kufizimin e të drejtës së pronësisë është edhe e drejta fqinjësore.Në kufizimiet e veçanta bën pjesë mundësia e shpronsimit të pronës private, për interes  të përgjithshëm. Kjo bëhet me kompensim sipas çmimit të tregut. Shpronsimi bëhet në çdo rast me ligj .[2]E drejta e pronësisë cilësohet me disa karakteristika siç janë: uniteti i të drejtës së pronësisë, e drejta lidhet për subjekt të caktuar, pra e drejta e pronësisë është unike edhe kur autorizimet gëzohen nga më shumë subjekte, sepse ato nuk mund ta ndryshojnë përmbajtjen e pronësisë.

Karakteristikë tjetër është veprimi plotësiht i lirë për të disponuar me sendin që është karakteristikë e të drejtës absolute, dhe i mundëson sendin e vet ta marrë kudo që e gjen, nëse i ka dalur nga posedimi në mënyrë të kundërligjshme. Në këtë mënyrë me kthimin e sendit vetëm vazhdon ushtrimi faktik i pronësisë mbi sendin. Në literaturë kjo njihet si e drejta e racionit.Si karakteristika të pronësisë mund të përmendim edhe: karakterin pasuror të pronësisë, karakterin absolut, karakterin sendor – vetëm sendi është objekt pronësie, pastaj te pronësia e kemi të drejtën e ndjekjes – e drejta e racionit, dhe kjo e drejtë nuk është e përkohshme dhe as që parashkruhet.

II. Mënyrat e fitimit të Pronësisë – E drejta e pronësisë fitohet në bazë të ligjit, në bazë punës juridike dhe me trashëgim, si dhe në bazë të vendimit të organit competent shtetëror. Pronësia është pushtet faktik dhe juridik mbi sendin. Të fitosh pronësinë do të thotë të kesh faktet juridike të cilat i njeh e drejta objective si bazë e këtij pushteti juridik të pronësisë. Pronësia mund të fitohet në dy mënyra: 1) mënyra derivative dhe 2) mënyra origjinere.

Fitimi derivative – ekziston atëherë kur personi të drejtën e vet të pronësisë e nxjerr nga e drejta e paraardhësit të tij. Për fitimin derivative të pronësisë nevojiten dy momente:baza (titulli) juridik (iustus titulus) dhe momenti tjetër është mënyra e fitimit (modus aquirendi).

Në  lidhje me fitimin derivativë, baza juridike është kuptimi më i ngushtë se sa baza juridike në përgjithësi. Në kuptimin e gjerë, ajo është çdo normë e të drejtës objective në bazë të së cilës nga disa fakte juridike nxirret ndonjë e drejtë subjektive. Në kuptimin e bartjes së pronësisë themeli (baza) juridike është punë juridike me të cilin dëshirohet të bartet pronësia mbi një person tjetër. Prandaj baza ose themeli juridik në kuptimin e bartjes së ponësisë mund të jetë punë e njëanshme juridike, psh. testamenti me të cilin bartet pronësia. Puna juridike mund të jetë e dyanshme që ndryshe quhet kontratë.

Themeli juridik nuk ka për rezultat fitimin e pronësisë nëse nuk është punë e plotëfuqishme juridike. Përveç kësaj kjo punë duhet të ketë kauzën, d.m.th., për qëllim duhet të ketë vetë bartjen e sendit dhe të drejtës mbi sendin. Kjo kërkohet edhe të shihet nga jashtë, pra duhet të jetë punë kauzale.

Për fitimin e të drejtës së pronësisë, përveç titullit juridik, kërkohet edhe mënyra e fitimit ose modus aquirendi. Dorëzimi sot në të drejtën tonë është i ruajtur si mënyrë e fitimit vetëm për sendet e luajtshme. Mënyra e fitimit për sendet e paluajtshme është regjistrimi i të drejtës ponësore në librat e tokës, respektivisht në regjistrin për regjistrimin e të drejtave sendore në paluajtshmëri, në emër të fituesit. Për fitimin e pronësisë në sendet e luajtshme kërkohet dorëzimi i sendit ndërsa për sendet e paluajtshme kërkohet regjistrimi i të drejtës së pronësisë në librat e tokës (regjistrin publik).

Në Kosovë, sipas ligjit të aplikueshëm parashihet se: “ e drejta e pronësisë mbi sendin e luajtshëm fitohet me dorëzimin e këtij sendi në posedim të fituesit”.Dorëzimi fizik i sendit është forma më e shpeshtë e dorëzimit. Sendet e imëta dorëzohen prej dore në dorë. Fituesi duhet të jetë në gjendje që të mund edhe faktikisht t’a dissponojë sendin. Dorëzimi i sendit kur bartësi dhe fituesi gjenden në vende të ndryshme bëhet në atë mënyrë që bartësi juridik e dërgon malllin dhe ai mall dorëzohet ku  ka arritur dërgesa dhe kur fituesi e ka marrë, përveç kur palët nuk kanë kontraktuar ndryshe. Dorëzimin fizik të sendeve e lehtëson veçanërisht dorëzimi me shenja, ose siç qushet ndryshe dorëzimi simbolik. Ai ekziston atëherë kur nuk dorëzohet sendi në tërsinë e vet fizike, por shenja simboli, ose një pjesë e sendit që emërton tërë sendin.

Dorëzimi fiktiv – ekziston atëherë kur sendi fizikisht nuk dorëzohet, por bartet pushteti ekonomik mbi sendin me marrëveshjen e palëve, atëherë kemi dorëzim fiktiv. [3]

Dorëzimi fiktiv – ekziston kur sendi fizikisht nuk dorëzohet, por bartet pushteti ekonomik  mbi sendin me marrëveshjen e palëve. Dorëzim fiktiv kemi:

1)      Tradito brevi manu – ekziston atëherë kur sendi për nga aspekti hapësinor tanimë gjendet tek fituesi, por ai ndaj sendit ka vetëm pushtet të ngushtë hapësinor, posedim të nxjerrë ose madje e ka vetëm në dorëzim. Si shembull merret rasti kur huamarrësi i cili e ka sendin në posedim, e blen sendin dhe bëhet pronar, për këtë rast nuk është i nevojshëm kurrfarë dorëzimi fizik i sendit. Ky dorëzim ka ndodhur me punën juridike të huapërdorjes.

2)      Constitutum possesorium – është rast i kundërt nga ai i mësipërm. Ekziston atëherë kur pronari i deritanishëm, bartësi e bart me marrëveshje mbi fituesin pushtetin më të gjërë, pushtetin pronësor, mirëpo sendin edhe më tutuje e mbanë në aprehenzion hapësinor, por me pushtet të ngushtë faktik, p.sh., si huapërdormarrës, etj.

Fitimi origjiner i pronësisë – është mënyrë tjetër për fitimin e pronësisë që dallon nga fitimi derivative.

Fitimi origjiner i të drejtës së pronësisë ekziston kur e drejta nuk nxirret nga paraardhësi por në bazë të ndonjë fakti tjetër juridik. Në këto raste zakonisht është fjala për fitimin e të drejtës së pronësisë në bazë të ligjit. Kjo do të thotë se ligji e njeh titullin juridik si të mjaftueshëm për fitimin e pronësisë. Titujt për fitimin origjiner të pronësisë, Ligji për pronësinë dhe të drejtat tjera sendore i parasheh në nenin 21, e në vazhdim, ku thuhet: “sipas vetë ligjit, e drejta e pronësisë fitohet me krijimin e sendit të ri, me bashkim, me përzierje, me ndërtim në tokën e huaj, me ndarjen e fryteve, me parashkrim fitues, me fitimin e pronësisë nga jo pronari, me okupim dhe në raste tjera të caktuara me ligj.E drejta e pronësisë e fituar në mënyrë origjinere, nuk varet nga vëllimi i pronësisë së ish- pronarit, sepse ky e fiton pronësinë pa kurrfarë ngarkesash, të cilat mund t’i ketë patur pronari i mëparshëm..[4]

 Titujt juridik për fitimin e pronësisë në mënyrë origjinere janë:

1)      Okupimi (occupatio) – është titulli më i vjetër për fitimin e pronësisë në mënyrë origjinere. Okupim do të thotë marrja e sendeve të askujt (res nullius) në posedim me dashje që mbi to të themelohet pronësia. Derisa në të kaluarën kur kishte sende res nullius okupimi kishte një rol më të madh, sot me okupim mund të fitohet e drejta e pronësisë mbi sendet e braktisura (res derelictes). Sende të braktisura mund të jenë vetëm sendet e luajtshme, sepse nëse sendi i paluajtshëm është i braktisur, ai kalon në pronësi shtetërore, por edhe kjo ka pësuar ndryshime. Braktisja e sendit të paluajtshëm mund të bëhet vetëm pasiqë pronari të japë deklaratë me shkrim për heqje dorë nga sendi i paluajtshëm, dhe kjo deklaratë të regjistrohet në librin publik, ku bëhet regjistrimi i të drejtave sendore në sendet e paluajtshme.

2)      Gjetja e sendit të humbur – në legjislacionet e mëhershme, ka qenë i pamundur fitimi i pronësisë në sendin e gjetur, sepse ata konsideroheshin edhe si vjedhës nëse nuk e lajmërojnë sendin e gjetur. Në bazë të ligjit edhe gjetja e sendit është titull juridik për fitimin e pronësisë në mënyrë origjinere, respektivisht edhe gjetësi i sendit si person fizik mund të bëhet pronar kur i besohet posedimi por pas kalimit të një kohe të caktuar të nevojshme për parashkrim fitues. Nëse pronari të cilit i ka humbur sendi nuk lajmrohet brenda një viti nga dita e gjetjes së sendit, sendi ose paratë për sendin e shitur i dorëzohen në posedim gjetësit të sendit. Send i humbur konsiderohet sendi i luajtshëm që nga pushteti i pronarit ose poseduesit ka dalë rastësisht, kështu që ai nuk e din se ku ndodhet sendi i tij. Sendi i humbur nuk mund të kosiderohet i braktisur. Si rregull është, se në qoftë se nuk gjendet pronari i sendit të humbur ai kalon në pronësi shtetërore, ndërsa gjetësit i jepet një përçindje prej 15 për qind të vlerës së sendit të humbur, në emër të shpërblimit. Mirëpo tani me ligje të reja sendi i gjetur i jepet në posedim gjetësit pas afatit prej një viti dhe me anë të parashkrimit fitues ai bëhet edhe pronar. Pra, janë zgjidhje që e barazojnë pronësinë shtetërore me atë private (individuale).[5]

3)      Gjetja e thesarit të fshehur – është titull juridik për fitimin e pronësisë në mënyrë mënyrë origjinere. Është një titull juridik i pranuar në të gjitha kodet civile dhe ligjet tjera që e rregullojnë fitimin e pronësisë. Thesar në kuptimin e ligjit konsiderohen paratë, ari , argjendi, guri i çmueshëm dhe sendet e krijuara nga metalet e çmueshme, që janë fshehur dhe kanë qëndruar aq kohë të gjatë saqë pronari nuk mund të dihet. Pra thesari paraqet paraqet vlerë të madhe pasurore, të fshehur dhe të cilit nuk i dihet pronari. Thesar janë edhe sendet e gjetura të cilat paraqesin vlerë kulturore dhe sit ë tilla i nënshtrohen regjimit të posaçëm juridik, p.sh. sendet për muzeum, arkiva etj. Kur kemi gjetjen e thesarit parimisht ai ndahet në proporcion të caktuar dhe atë midis gjetësit, pronarit të tokës dhe shtetit. Përqindja nuk është e rregulluar me ligj, por nga praktika ky shpërblim është ¼ ose nëse gjetësi është edhe pronar i tokës ku është gjetur vlera pasurore, atëherë i takon ?. Nëse vlera është shumë e madhe, atëherë i takon jo më pak se 8

për qind. Personi i cili e gjen thesarin ai duhet që atë ta lajmërojë para organeve kompetente dhe ta dorëzojë në posedim.

4)      Fitimi i pronësisë nga jopronari – parimisht askush nuk mund të bart mbi tjetrin

më shumë të drejta se ato që i ka vet. Në ligj parashihet mundësia e fitimit të pronësisë nga jopronari, si pëejashtim, sepse shitësi mund të shet edhe sende që  nuk i ka në pronësi. Në këto raste duhet të plotësohen tri kushte: 1)sendi të jetë i lujatshëm, 2) vendi të jetë ai që mban sende të tilla, dhe 3) me kompenzim(me pagesë.)

Fitimi i pronësisë nga jo-pronari është fitim origjiner i pronësisë në bazë të ligjit. Te fitimi origjiner nuk mund të ekzistojë kurrfarë barre sendore në sendin që është objekt i fitimit të pronësisë.

5)      Parashktimi fitues (usucapio) – është titull i  fitimit të pronësisë në mënyrë

origjinere duke e mbajtur sendin në posedim për kohën e caktuar. Pra me kalimin e kohës poseduesi me miëbesim bëhet pronar. Në të drejtën tone ka rëndësi të madhe për shkak se te ne vlen parimi se vetëm pronari mund të bartë pronësinë.[6]

Për parashkrim fitues duhet të plotësohen tri kushte: posedimi i ligjshëm, mirëbesimi dhe kalimi kohës. Për sendet e luajtshme duhen 10 vite posedim me mirëbesim, ndërsa për sendet e paluajtshme duhen 20 vite. Ligji për shkak të sigurisë juridike e lejon parashkrimin fitues.

Posedim i ligjshëm – parashkrimi fitues mund të krijojë vetëm posedimi i bazuar në punën juridike me të cilin zakonisht bartet pronësia. Puna juridike ku bartet vetëm posedimi i nxjerrë asnjëherë nuk mund të krijojë parashkriim fitues. Prandaj posedimi duhet të bazohet në shitblerje, dhuratë, testament, ndërrim etj. Ndërsa huapërdorja, qesimi, qiraja, nuk mund të krijojë parashkrim fitues.

Mirëbesimi i posedimit – poseduesi duhet të jetë në mirëbesim gjatë tërë kohës së nevojshme për parashkrim fitues.

Kalimi i kohës – rrjedha e afatit të parashkrimit fitues parashihet me ligj, dhe ai fillon të ecë nga momenti kur mbajtësi hynë në posedim të sendit, ndërsa përfundon me kalimin e ditës së kohës së nevojshme për parashkrim. Në kohën e nevojshme për parashkrim llogaritet edhe koha gjatë së cilës paraardhësit e mbajtësit të tanishëm e kanë mbajtur sendin si posedues me mirëbesim dhe të ligjshëm ose gjegjësisht si posedues me mirëbesim. Kalimi i kohës për parashkrim mundet edhe të ndërpritet. Koha e nevojshme për parashkrimin fitues duhet të ecë pandërprerë, pra pandërpreshmëria supozohet në favor të poseduesit.

6) Krijimi i sendit të ri – sendi i ri ekziston kur personi me material të vet dhe me punën e vet krijon ndonjë prodhim të ri, ai e fiton pronësinë mbi atë prodhim (send ) të tij. Frytet të cilat  jep sendi poashtu janë send ri dhe i takojnë pronarit të sendit.

Me ligj parashihet se e drejta e pronësisë në sendin e ri do t’i takojë pronarit të sendit, nga materiali i të cilit, në bazë të punës juridike, sendin e ka punuar personi tjetër.

Sendi i ri krijohet edhe me anë të përpunimit (specificatio). Kur kemi bashkimin e sendit të huaj me punën e huaj dhe krijohet sendi i ri. Përpunimi ekziston kur dikush nga materiali i huaj krijon sendin e ri, ndërsa në mes përpunuesit (krijuesit të sendit të ri) dhe pronarit të materialit (sendi i përpunuar) nuk ekziston marrdhënie kontraktuese.[7]Ligji i aplikueshëm në Kosovë (LMTHPJ, neni 23, al.3), parasheh: “Në qoftë se dikush nga materiali i huaj me punën e vet ka punuar një send të ri, ai i takon atij, po që se është me mirëbesim dhe nëse vlera e punës është më e madhe se vlera e materialit, e nëse vlerat janë të barabarta, lind bashkëpronësia”.

Ligji për pronësinë i Maqedonisë (2001) parasheh: “Nëse dikush nga materiali i huaj me punën e vet ka përpunuar send të të ri, ai i takon atij, nëse është me mirëbesim dhe nëse vlera e punës është më e madhe se vlera e materialit, mirëpo ai është i detyruar që të kompensoj vlerën e materialit, ndërsa nëse vlerat janë të barabarta krijohet bashkëpronësia.

Fitimin e pronësisë me përpunim e parasheh edhe Kodi Civil i Shqipërisë (1994), neni 177, përcakton “ personi që me punën e tij ka krijuar një send të ri të luajtshëm, duke përdorur lëndën në pronësi të një personi tjetër, pavarësisht se lënda mund ose jot ë marrë formën e saj të parë, bëhet pronar i sendit të ri në rast se vlefta e punës është më e madhe.

Në rast të kundërt, sendi i ri fitohet nga pronari i lëndës, duke paguar vleftën e punës.

Kur përpunuesi ka vepruar me keqbesim, me vendim të gjykatës sendi i ri i kalon pronarit të lëndës, edhe në rast se vlefta e punës është më e madhe se ajo e lëndës, por duke paguar vleftën e kësaj të fundit”.

6)      Bashkimi i sendeve të luajtshme dhe të paluajtshme – bashkimi është krijim i tërsisë fizike nga sendet e luajtshme të pronarëve të ndryshëm, pa marrëveshjen e tyre.

Bashkimi i sendeve të luajtshme mund të paraqitet në formën e ngjitjes së sendeve ose në formën e përzirjes së sendeve.

Ngjitja e sendeve ekziston kur elementet nga të cilat është krijuar sendi i ri nuk e kanë humbur individualitetin e vet ashtu që mund të dallohen, dhe me këtë rast ato mund të jenë pjesë që kanë role të ndryshme funksionale në kuadër të tërsisë ose janë pjesë e një tërsie.

Përzierja e sendeve ekziston atëherë kur pjesët e bashkuara humbin individualitetin ashtu që nuk mund të dallohen në kuadër të tërsisë së re.[8]

Përveç bashkimit të sendevetë luajtshme njihet edhe bashkimi i sendeve të paluajtshme. Bashkimi i paluajtshmërive mund të bëhet duke u bashkuar fizikisht. Rasti i parë ekziston kur një pjesë e tokës i bashkangjitet tokës tjetër si rezultat i veprimit të rrjedhës së lumit.

Në të drejtën sendore, ky rast i bashkimit të paluajtshmërive quhet avulsio. Ndërsa rasti kur paluajtshmëria bashkohet gradualisht pa u hetuar quhet aluvio ose grumbullim.

Në të drejtën pozitive përveç fitimit të pronësisë në mënyrë derivative dhe origjinere ekziston edhe fitimi i pronësisë me akt administrativ. Si mënyra të fitimit të pronësisë me akt administrativ njihen: nacionalizimi, konfiskimi, reforma agrare, ekspoprijimi, uzurpimi, komasacioni, ankandi publik dhe arondimi.

1)      Nacionalizimi – ekziston kur prona private kalon në pronësi shtetërore në degë të caktuara të industrisë psh., hekurudhat mund të nacionalizohen me kompensim të vogël ose fare nuk jepet kompensim. E kundërta e nacionalizimt është denacionalizimi që nënkupton kalimin e pronësisë shtetërore në atë private, atyre që i‘u është marrë me nacionalizim dhe ligje të tjera.

2)      Konfiskimi – nënkupton kalimin e pronësisë private në atë shtetërore pa kompensim si rezultat e veprës penale. Dallimi në mes të nacionalizimit dhe konfiskimit konsiston në faktin se nacionalizimi është marrje e pasurisë zakonisht  me kompensim derisa konfiskimi është pa kompensim. Konfiskimi gjithnjë është pasojë e veprës penale ose kundërvajtjes administrative, te nacionalizimi këtë nuk e kemi sepse nacionalizimi është pasojë e një mase ekonomike – politike me qëllim të forcimit të pronësisë shtetërore. Konfiskimi ka të bëjë me pasurinë konkrete, kurse nacionalizimi ka të bëjë me një grup të tërë të veprimtarisë ekonomike.

3)      Reforma agrare – ekziston kur shteti ndërhynë në mardhëniet pronësore në fushën e bujqësisë. Këtu bëhet marrja e tokës bujqësore atyre që nuk e punojnë dhe shteti ua ndan atyre që e punojnë.

4)      Ekspoprijimi – nënkupton kalimin e pronësisë private në pronësi shtetërore për interes të përgjithshëm dhe me kompensim adekuat të menjëhershëm. Si elemente të ekspoprijimit përmenden: interesi i përgjithshëm, kompensimi adekuat dhe i menjëhershëm.[9]

5)      Uzurpimi – nënkupton marrjen e pronësisë shtetërore në mënyrë arbitrare dhe kalimi i saj në pronësi private. Kjo mënyrë e fitimit të pronësisë ka ekzistuar në të kaluarën.

6)      Komasacioni – nënkupton tërsinë e tokave të parregulluara dhe kthimin e tyre në tërsi të rregulluar, e cila pastaj u ndahet pronarëve me aq sipërfaqe sa ka pasë më herët.

7)      Arondimi – ekziston kur në mes të tokës në pronësi shtetërore ekziston prona pivate. Kjo pjesë e pronës private ndahet nga ajo shtetërore dhe ju ndahet pronarëve të saj në proporcion me pjesët e tyre.

Shënim I Stafit I DrejtesiaShqiptare.com:

E drejta e autorit mbetet i  autorit të punimit . Opinionet e shprehura  dhe studimet  juridike  e publikuara në këtë Website janë të autorëve përkatës  qe I kane shkruar ato. Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi në qoftë se  shkrimi është upload-uar pa lejen e autorit.Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi për pikëpamjet, vërtetësinë e informacionit që përmbajnë artikujt që publikohen dhe shkeljet e se drejtës së autorit.Kushdo që ka ndonjë ankese  rreth  së  drejtës  së autorit ne publikimet e ketij website,  është I lutur  te dërgoje një email  tek kontakt@drejtesiashqiptare.com.  Ne do ta  shqyrtojmë me përgjegjesi ankesën dhe do ta heqim menjëherë shkrimin.Për  të mos arritur deri aty,ju lutem respektoni  të drejtën  e autorit.

 ____________________________

[1] Prof.Dr. Abdulla Aliu, E drejta Sendore, Prishtinë, 2006, fq. 75 – 78.

  Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Prishtinë, 15 qershor  2008, neni 121 parag.1,2,3.

[2] Prof.Dr. Abdulla Aliu, E drejta Sendore, Prishtinë, 2006, fq.78-79.

Ligji pë pronësinë dhe të drejtat tjera sendore i miratuar nga Kuvendi i Rep. së Kosovës më 30 qershor 2009, neni18.

Kodi civil i Republikës së Shqipërisë – 1994, neni 149.

[3] Prof.Dr. Abdulla Aliu, E drejta Sendore, Prishtinë, 2006, fq.106 – 107.

[4] Ligji pë pronësinë dhe të drejtat tjera sendore i Rep.së Kosovës, neni 21.

Prof.Dr. Abdulla Aliu, E drejta Sendore, Prishtinë, 2006, fq.111.

[5] Prof.Dr. Abdulla Aliu, E drejta Sendore, Prishtinë, 2006, fq.112 – 114.

[6]Po aty fq. 114 – 117.

[7]Po aty fq.118-119.

[8] Po aty fq.119-120.

LMTHPJ, neni 23 al 3 dhe Ligji për pronësinë i Maqedonisë, 2001, Kodi civil i Shqipërisë 1994, neni177.

[9]Po aty fq.123 – 124.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

5 − 5 =

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Powered by WordPress | Designed by: Dog Groomer | Thanks to Assistant Manager Jobs, Translation Jobs and New York Singles