Të Drejtat e të Pandehurit Në Procedurë Penale-Dardan Qela

Scales-of-Justice_iStock_Feature

I Pandehuri është subjekt qendror në procedurë penale ndaj të cilit është drejtuar kërkesa procedurale,gjegjësisht ndaj të cilit fillohet dhe zhvillohet procedura penale, në rastet kur ekziston dyshimi i arsyeshem se ka kryer vepër penale .Në Kodin e procedurës penale të Kosovës nuk ekziston ndonjë kapitull i veqantë i cili normon pozitën e të pandehurit në procesin penal,Mirëpo kjo nuk do të thotë se kodi i jonë i procedurës penale këtë çështje nuk e ka trajtuar,përkundrazi në këtë kod janë të shumta dispozitat ligjore të cilat janë të shpërndara dhe që e rregullojnë pozitën e të pandehurit në një proces penal, mirëpo këtu do t’i trajtojmë vetëm disa nga  drejtat e të pandehurit të cilat parashihen me Kushtetuten e Republikës së kosovës  dhe kodin e procedurës Penale.Si subjekt në procedurë penale i pandehuri ka disa të drejta dhe obligime,ndërsa ndaj tij,nën kushtet e përcaktuara me ligj mund të zbatohen edhe disa masa shtrënguese.I pandehuri në procedurë penale ushtron funksionin e mbrojtjes.Në këtë rrjedhë,ai është palë e barabartë me paditësin e autorizuar.Barabarësia e tij me paditësin shihet nga fakti se për të pandehurin ekziston prezumimi i pafajësisë.

Cilësinë e të pandehurit në procedurë penale mund ta fitojë çdo person fizik i cili posedon aftësinë për të vepruar,gjegjësisht personi që ka moshën e caktuar dhe që është i përgjegjshëm,për tu konsideruar nje person si i pandehur sipas të drejtës penale duhet që të ketë mbushur moshën 14 vjeqare.Personat nën moshën 14 vjeqare konsiderohen penalisht të papërgjegjshëm dhe si të tillë gjenden jashtë sferës së të drejtës penale.kjo Kategori e personave nuk mund të merret në përgjegjësi penale,pa marrë parasysh se çfarë vepre penale kanë kryer.

Cilësinë e të pandehurit e fiton personi në momentin kur ndaj tij është ngritur ndonjë akt akuzues,dhe këtë cilësi ai e ruan deri në përfundimin e procedurës penale.

I pandehuri i ka disa të drejta dhe obligime.obligimi themelor i tij është t’i përgjigjet thirrjes së organit të procedurës.Në qoftë se nuk i përgjigjet thirrjes ai do të shoqërohet me dhunë.Obligimi i të pandehurit që të jetë i pranishëm në procedurë penale ka për qëllim që organeve procedurale t’ua mundësojë marrjen e tij  në pyetje.

Është e nevojshme të theksohet se i pandehuri,si rregull, nuk merret në pyetje me qëllim që të fitohet pohimi i tij se është kryes i veprës penale,por me qëllim që të njoftohet mbi bazat e akuzës dhe t’i mundësohet mbrojtja.Megjithë këtë fakt,i pandehuri nuk ka obligim që të deklarojë,çdo të thotë se ai ka të drejtë të heshtë.Ligjëdhënsi ka përcaktuar se gjatë marrjes në pyetje duhet të respektohet plotësisht dinjiteti i të pandehurit.Në këtë drejtim,gjatë çdo marrje ne pyetje të tij kodi i procedures penale ndalon keqtrajimin ,shkaktimin e lodhjes,nderhyrjet fizike,perdorimin e drogës,torturës,shtrëngimit ose hipotizimin,kanosjen,dhunen,premtimet në kundërshtim me ligjin dhe veprimet qe dëmtojnë kujtesen e tij.

 

-Krahasuar me periudhat e mehershme kohore Pozita e të pandehurit vazhdimisht ka ardhur duke u përmirsuar për dallim prej kohrave më të hershme ku i pandehuri gëzonte disa të drejta simbolike ne procedurë  e të cilat nuk i garantonin një Gjykim të drejtë dhe të paanshëm,i pandehuri i nënshtrohej shpeshëherë torturave,mundimeve,dhunës për ta pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën dyshohej dhe shpeshëherë ndodhte që personat e pafajshëm të dënoheshin ndërsa fajtorët të liroheshin nga akuzat.

Sot qdo kushtetutë,kod i procedurës penale parasheh dhe ofron shumë të drejta,privilegje dhe garanci për të pandehurin ,të drejta këto që garantojnë se ndaj tij do të zhvillohet një proces penal i drejtë,i paanshëm ,i shpejtë dhe se vetëm personat përgjegjës do të shpallen fajtor dhe do të dënohen sipas ligjit,pra sot pothuajse nuk ka shtet në botë që nuk i parashehë këto të drejta për te pandehurin.

Fatkeqësisht të drejtat e te pandehurit si një nga të drejtat themelore të njeriut janë duke u shkelur vazhdimisht nga organet e procedures Penale në Kosovë,dhe se shumë persona bijnë viktima të këtyre shkeljve pikërisht nga mos njohja e këtyre të drejtave që ju takojnë me ligj,andaj qëllimi kryesor i këtij punimi është që te gjithë qytetarët te njoftohen për të drejtat e tyre qe ju takojnë në procesin penal.

 

-  Disa të drejta minimale  për personat e arrestuar dhe te dyshuar për

                                     vepra penale -

 E drejta e lirisë dhe e sigurisë

E drejta e lirisë dhe e sigurisë është një e drejtë e garantuar me konventat ndërkombëtare dhe me aktet ligjore pozitive të çdo vendi në botë, po ashtu edhe në Kosovë. Liria personale është kusht themelor për zhvillimin e një shoqërie të lirë, demokratike, me individë të lirë, që i garantohet çdokujt. Privimi nga liria personale mund të cenojë drejtpërdrejt edhe të drejta të tjera elementare të njeriut, sidomos mund ta sjellë individin në pozitë që të mund t’i ekspozohet rrezikut të nënshtrimit “torturës, ndëshkimit a trajtimit mizor, çnjerëzor ose poshtërues.”

 Në disa prej vendimeve të veta Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka theksuar rëndësinë e së drejtës për liri dhe siguri, duke vënë theksin në mbrojtjen e individit ndaj privimit arbitrar të lirisë. Edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, duke e përqafuar këtë frymë, garanton një tërësi të të drejtave substanciale, që kanë për qëllim t’i minimizojnë rreziqet e arbitraritetit, duke paraparë një kontroll gjyqësor ndaj veprimit të privimit të lirisë, me përgjegjësi të përcaktuara të autoriteteve për veprime të tilla) Sipas Kodit të Procedurës Penale të Kosovës afati i ndalimit është dyzet e tetë (48) orë. Pas kalimit të këtij afati, policia e liron të ndaluarin, përveç në rastet kur gjyqtari i procedurës paraprake e ka urdhëruar paraburgimin.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës në nenin 29 ku është paraparë e drejta e lirisë dhe sigurisë parashihen disa të drejta minimale për personat e arrestuar të cilët dyshohet se kanë kryer vepra penale një ndër te drejtat kryesore Të të pandehurit është se:

- Qdo kush që privohet nga liria(arrestohet) ,duhet të vihet në dijeni menjëherë për arsyet  e privimit në gjuhën që ai e kupton.Njoftimi me shkrim mbi arsyet e privimit duhet të bëhet sa më shpejtë që të jetë e mundshme.Qdo kush që privohet nga liria pa urdhër të Gjykatës,brenda (48)orëve duhet të dërgohet pata Gjyqtarit,i cili vendos për paraburgimin ose lirimin e tij/saj jo më vonë se (48) or nga momenti kur personi i privuar është sjellë para Gjykatës.Qdo kush që arrestohet, ka të drejtën që të nxirret në gjykim brenda një periudhe të arsyeshme ,ose të lirohet në pritje të Gjykimit,me përjashtim kur Gjyqtari konstaton se personi përbn rrezik për komunitetin ose ka rrezik për ikjen e tij para Gjykimit.

- Qdo kush që privohet nga liria,duhet të njoftohet menjëherë se ka të drejtë të mos japë asnjë deklaratë dhe se ka të drejtë për mbrojtës(avokat) sipas zgjedhjes se tij dhe ka të drejtë që pa vonesë të informojë për këtë personin sipas zgjedhjes së vet.

- Qdokush që i hiqet liria me arrest ose ndalim,gëzon të drejtën që të përdor mjete juridike për të sfiduar ligjshmërinë e arrestit ose te ndalimit.Rasti do të vendoset nga Gjykata brenda një afati sa më të shkurtër dhe nëse arresti ose ndalimi është i paligjshëm do të urdhërohet menjëherë lirimi i personit te arrestuar.

- Qdokush që është arrestuar apo ndaluar në kundërshtim me dispozitat e ketij neni ,gëzon të drejtën e kompenzimit sipas ligjit.

- Personi që vuan dënimin,ka të drejtë të ankohet për kushtet e privimit, në mënyrën  e përcaktuar me ligj.

                                     - Të Drejtat e të Akuzuarit –

Të drejtat e të akuzuarit në Kosovë janë të garantuara në pajtueshmëri me instrumentet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe me ligjet vendore. Të drejtat e të akuzuarit Kushtetuta e Republikës së Kosovës i parasheh në nenin 30, ku

(1) I akuzuari ka të drejtë  të njoftohet  menjëherë në gjuhën që kupton,për natyrën dhe shkakun e akuzës kundër tij,

(2) Të njoftohet për të drejtat e tij që i takojnë sipas ligjit,

(3) Të ketë kohë,mundësi dhe mjete të mjaftueshmë për ta përgaditur mbrojtjen e vet,

(4) Të ketë ndihmën pa pagesë të një përkthyesi ,kur nuk flet ose nuk e kupton gjuhën në të cilën zhvillohet Gjykimi,

(5) Të ketë ndihmën e një mbrojtësi që e zgjedhë,të komunikojë lirisht me të dhe nësë nuk ka mjete të mjaftueshme ,t’i sigurohet mbrojtja falas,

(6) Të mos shtrëngohet për të dëshmuar kundër vetëvetës ose për ta pranuar fajësin e vet.

                      –  E drejta për Gjykim të drejtë dhe të paanshëm –

 

Akte të shumta ndërkombëtare parashohin që çdo njeri,në përcaktimin e të drejtave dhe detyrimeve të tij civile ose të ndonjë akuze penale,ka të drejtë në një proces të drejtë dhe të hapur,brenda një afati të arsyeshëm nga një Gjykatë e pavarur dhe e paanshme.Në këtë drejtim,akti më i zëshëm konsiderohet Konventa evropiane për të drejtat e njeriut,protokolli nr,7 në tutje parashikon se çdo njeri i dënuar nga një Gjykatë për kryerje të veprës penale ka të drejtë të kërkojë që dënimi ose vendimi për të të shqyrtohet nga një Gjykatë më e lartë në rastet kur pretendon se Gjykata e shkallës së parë ka qenë e njëanshme dhe Gjykimi nuk ka qenë i drejtë.Po ashtu ,në interes të një Gjykimi të drejtë , kjo konventë parasheh mundësinë e rishikimit të procesit penal në përputhje me ligjin në rast të ekzistimit të provave për fakte te reja.

Legjislacioni i Kosovës ,Kushtetuta dhe kodi i procedurës penale, duke pranuar zgjidhjet e dhëna në konventën evropiane për të drejtat e njeriut synojnë të sigurojnë që asnjë person i pafajshëm të mos dënohet,ndërsa fajtorit t’i shqiptohet sanksioni penal adekuat.

Në nenin 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës është paraparë një nga të drejtat themelore për të pandehurin siq është e drejta për Gjykim të drejtë dhe të paanshëm ku theksohet shprehimisht se :

- Qdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para Gjykatave dhe organeve tjera shtetërore,

- Qdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe detyrimet ose për cilëndo akuzë penale që nrihet kundër tij brenda një afati të arsyeshëm,nga një Gjykatë e pavarur dhe e paanshëme e themeluar sipas ligjit.

- Gjykimi është publik ,me përjashtim të rasteve kur Gjykata,në rrethana të veqanta konsideron se,në të mirë të drejtësisë,është i domosdoshëm përjashtimi i publikut ose i përfaqësuesve te mediave,sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare,interesat e të miturëve ose mbrojtjën e jetës private të palëve ne proces.

- Qdokush që akuzohet për vepër penale ka të drejtë t’u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve ,të ekspertëve dhe personave të tjerë të cilët mund të sqarojnë faktet në një çështje Penale.

Në këtë Kushtetutë po ashtu përmendet parimi i prezumimit te pafajësisë si një nga parimet bazë të procedurës penale dhe nje nga privilegjet me të mëdha për te pandehurin pasi që ne bazë të këtij parimi i pandehuri konsiderohet i pafajshëm derisa të mos vërtetohet fajësia e tij me vendim te formës së prerë të Gjykatës kompetente.

 Kodi i procedurës penale në nenin 3. parasheh se”Çdo person i dyshuar ose që akuzohet se ka kryer vepër penale konsiderohet i pafajshëm derisa të vërtetohet fajësia e tij me aktgjykim të formës së prerë”.

- Kushtetuta e rregullon ne menyrë parimore edhe ndihmen juridike falas e cila u mundesohet atyre personave që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare,nëse një ndihmë e tillë është e domosdoshme,me gjerësisht ndihma jurdike falas është e rregulluar me ligj të veqant.

                              –     E  Drejta për mjete juridike    -

 

 

Si e drejtë themelore dhe shumë e rëndësishme e të pandehurit në procedurë penale është edhe e drejta për mjete juridike e cila është e rregulluar ne mënyrë parimore me Kushtetutën tonë

 

Çdo qytetar mund t’i shfrytëzojë mjetet juridike ndaj çdo vendimi të nxjerrë nga autoritetet publike shtetërore. Shfrytëzimi i mjetit juridik është një mundësi e mirë që edhe një here autoritetet publike shtetërore t’i shqyrtojnë vendimet e tyre, t’i përmirësojnë gabimet ose lëshimet eventuale, që kanë mundur të ndodhin gjatë zhvillimit të procedurave të ndryshme. Kjo e mundëson edhe parandalimin e padrejtësive, shpërdorimin e pushtetit, ofron vendim të drejtë dhe të bazuar në ligj dhe e garanton parimin e sundimit të ligjit Në nenin 32 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës thuhet se “Secili person ka të drejtë të përdorë mjetet juridike kundër vendimeve gjyqësore dhe administrative të cilat cenojnë të drejtat ose interesat e saj/tij në mënyrën e përcaktuar me ligj”

 

Mjetet Juridike në mënyrë të hollësishme i parasheh dhe rregullon kodi i procedurës penale i Republikës së Kosovës me shumë dispozita ligjore ku u njeh palëve në procedurë penale të drejtën në përdorimin e Mjeteve Juridike të rregullta dhe Mjeteve Juridike të jashtëzakonshme kundër aktvendimeve dhe Aktgjykimeve penale.

          -  Parimi i Legalitetit dhe proporcionalitetit në Rastet Penale  -

 

Që nga momenti i paraqitjes së shtetit,është shtruar edhe nevoja që atij t’i caktohen limitet e veprimit.Kufizimi dhe kontrolli i shtetit ka për qëllim që t’i zbusë prerogativat enorme të shtetit ndaj qytetarëve dhe me këtë të mbrojë integritetin,pavarësinë,të drejtat dhe liritë e qytetarëve nga keqperdorimet e mundshme të pushtetit,përkatësisht të forcës së tij.Kjo arrihet me institucionin e ligjshmërisë,sipas të cilit edhe pushteti përkatësisht shteti si kreator i të drejtës në të njejtën kohë duhet t’i nënshtrohet ligjit.Mirëpo,për tu arrit ligjshmëria në sistemin juridik është dashur të kalojnë edhe mileniume,prej kur u paraqit shteti me autorizimet e tij të mëdha në mënyrë  që të shfaqet ligjshmëria në sistemin juridik si një e arritur e madhe civilizuese e njerëzimit.

Parimi i Ligjshmërisë është tregues i parimit të demokracisë,i cili,midis tjerash,konsiston në faktin se vetëm populli sovran,nëpërmjet organeve më të larta përfaqësuese të shtetit përcakton se cilat sjellje tq qytetarëve konsiderohen si te ndaluara përkatësisht si vepra penale si dhe ne cilat kushte kryesit e këtyre veprave mund të dënohen.Ky parim në esencën e tij,është gurthemel i stabilitetit të një shoqërie dhe kusht thelbësor për demokracinë e jetës së përditshme.Ky parim ka për qëllim evitimin e priviligjeve dhe ndalimin e çdo pushteti diskrecional ne favor të organeve shtetërore.

Sipas Ketij parimi  i cili parashihet në nenin 33 të Kushtetutës sonë “askush nuk mund te akuzohet ose të dënohet për asnjë vepër penale e cila në momentin e kryerjës nuk ka qenë e përcaktuar me ligj si vepër penale,me përjashtim të veprave të cilat në kohën e kryerjës së tyre sipas së drejtës ndërkombëtare përbënin gjenocid,krime lufte ose krime kundër njerzimit”.Ky parim në të drejtën penale është i njohur si “nullum crimen,nulla poena sine lege” dhe është një nga parimet më të rëndësishme të së drejtës penale pasi që u ofron siguri juridike Qytetarëve dhe shmang arbitraritetin e organeve shtetërore,rëndësia e këtij parimi qëndron në at se nuk do të konsiderohet si vepër penale ajo vepër e cila në momentin e kryerjës nuk ka qenë e paraparë me  ligj si vepër penale dhe se nuk mund të shqiptohet aji dënim i cili nuk ka qenë më parë i paraparë me ligj.

Dënimi i shqiptuar për vepër penale nuk mund të jetë më i ashpër sesa ka qenë i përcaktuar me ligj në kohën e kryerjës së veprës penale,pra ashpërsimi i dënimit nuk mund të jetë në disproporcion me veprën penale.

Dënimet përcaktohen në bazë të ligjit që ka qenë në fuqi në kohën e kryerjës së veprës penale,me përjashtim të veprave penale për të cilat ligji i mëvonshëm  i aplikueshëm është më i favorshëm për kryesin e veprës penale.

Në kodin Penal të Republikës së Kosovës është e garanatuar ligjshmëria në rastet Penale ku në nenin 1 të ketij kodi theksohet :

Neni 1

PARIMI I LIGJSHMËRISË

(1) Veprat penale, sanksionet penale dhe masat e trajtimit të detyrueshëm përcaktohen

vetëm me ligj.

(2) Askujt nuk mund t’i shqiptohet sanksioni penal ose masa e trajtimit të detyrueshëm

për një vepër nëse para kryerjes së veprës ligji nuk e përcakton veprën si vepër penale dhe

nuk parasheh sanksion penal ose masa të trajtimit të detyrueshëm për atë vepër.

(3) Përkufizimi i një vepre penale duhet të përcaktohet në mënyrë të saktë dhe nuk lejohet

interpretimi sipas analogjisë.  Në rast paqartësie, përkufizimi i veprës penale interpretohet në

favor të personit i cili hetohet, ndiqet ose shpallet fajtor.

Ky parim përveq që është parim bazë i të drejtës penale materiale aji po ashtu është një nga parimet më të rëndesishme të Të drejtës penale procedurale që nënkupton respektimin dhe zbatimin e detyrueshëm të normave procedurale penale. Psh.sipas këtij parimi Kodi i procedures Penale i Republikës së Kosovës në nenin 6 paragrafi 3 ,parasheh obligimin e Prokurorit Publik që të fillojë ndjekjen penale në çdo rast kur ekziston dyshimi i arsyeshëm së është kryer vepër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare.E drejta dhe detyra e Prokurorit publik që të ndjek kryesit  e veprave penale shprehet si në rastin e vënies së iniciativës për ndjekje,po ashtu edhe në vazhdimin e saj gjatë zhvillimit të procedurës Penale.

Prokurori publik ka autorizime që të tërhiqet nga ndjekja penale e filluar deri ne përfundimin e shqyrtimit gjyqësor pranë Gjykatës së shkallës së parë,kurse në procedurat pranë gjykatës më të lartë ai mund të tërhiqet nga ndjekja vetëm në rastet e parapara shprehimisht me këtë kod.Këto mundësi prokurori mund t’i shfrytëzoj vetëm nëse,në lidhje me rastin konkret,çmon se më nuk ekzistojnë kushtet ligjore për ndjekje.

Në qoftë se  ky parim nuk respektohet dhe shkelet nga organet e drejtësisë ateherë  mund të bëhen shkelje flagrante të lirive dhe të drejtave të qytetarëve ne procedurë para një Gjykate Penale e kjo do të ishte në kundërshtim të plotë me shumë konventa ndëkombëtare të cilat garantojnë Ligjshërinë në Drejtësinë Penale.

     – E Drejta për të mos u Gjykuar dy herë për të njejtën vepër penale -

                                      (NE BIS IN IDEM )

Ky është një parim universal sipas të cilit askush nuk mund të gjykohet dy apo më tepër herë për të njejtën vepër penale për të cilën më parë është gjykuar me aktgjykim të plotëfuqishëm.Ky parim është paraparë në shumë konventa ndërkombëtare dhe legjislacione nacionale të shteteve.

Kjo e drejtë parashihet në nenin 34, të kushtetutës së Republikës së Kosovës ku theksohet shprehimisht se”askush nuk mund të gjykohet dhe të dënohet më shumë se një herë për të njejtën vepër penale.Pra sipas këtij parimi nuk lejohet perseritja e një Gjykimi të përfunduar me  vendim të formës së prerë.Në këtë rrjedhë,ndalohet si dënimi më shumë se një herë për të njejtën vepër penale,ashtu edhe rishikimi i një çështje të gjykuar me vendim të formës së prerë,përveq rasteve të përcaktuara shprehimisht me ligj.sipas këtij parimi ndalohet ndjekja dhe dënimi i personit për vepër penale për të cilën ai është liruar me vendim të formës së prerë,si dhe në rastet kur procedura penale kundër tij është pushuar,ose aktakuza është refuzuar me vendim të formës së prerë.Qëllimi i këtyre ndalimeve është mbrojtja e atyre që rrezikohen nga Gjykime të padrejta,të përseritura , pavarësisht nga përpjekjet që mund të bëhen për të justifikuar këtë qëndrim.Nga përcaktimi që bëhet në nenin 4 të Kodit të procedurës penale dalin këto përfundime:

1. Një person i dënuar për vepër penale me vendim të formës së prerë gjegjësisht i liruar nga ajo,ose procedura penale kundër tij është pushuar ose aktakuza është refuzuar me vendim të formës së prerë të Gjykatës nuk mund të Procedohet sërish në procedurë penale për të njejtën akuzë.Kuptohet që një vepër penale e re do të gjykohet normalisht edhe pse është kryer nga i njëjti person dhe ka të njejtin kualifikim ligjor me një vepër penale tjetër,për të ciliën ai është dënuar.Psh, Personi i dënuar për vjedhje të pasurisë së tjetrit,për një rast të  caktuar,mund të kryej një vjedhje tjetër për të cilën mban përgjegjësi dhe gjykohet,sepse për këtë vjedhje ai nuk është gjykuar,ndonëse del si i dënuar për vjedhje të pasurisë së tjetrit.

2.Organi i procedurës duhet të sigurohet nëse ai është gjykuar për të njejtën vepër penale,vetëm ose sbashku me  të tjerët. Ky verifikim bëhet sipas kërkesës së të pandehurit,por edhe sipas detyrës zyrtare.

3.Kur nga verifikimi rezulton se personi i caktuar është gjykuar një herë për veprën penale të caktuar procedimi nuk duhet të fiilohet,e kur ai mund të ketë filluar,detyrimisht pushohet.

4.Në çështjen e gjykuar me vendim të formës së prerë,si rregull,nuk mund të gjykohet edhe një herë,me përjashtim të rasteve kur në përputhje me kodin e procedures penale,lejohet që vendimi i formës së prerë të mund të ndryshohet me mjete të jashtëzakonshme juridike.

Mirëpo parimi Ne bis in idem në fushën e së drejtës penale ndërkombëtare i ka disa kufizime të cilat janë edhe të arsyeshme.Rrjedhimisht ky parim nuk vlen në rastet e procedurave penale të zhvilluara dhe të përfunduara me aktgjykim të plotëfuqishëm në nivele të shteteve,në rastet kur është fjala për veprat penale ndërkombëtare.Me fjalë të tjera përfundimi i gjykimit me vendim të plotëfuqishëm nga ana e gjykatës së një shteti nuk ështe pengesë që pranë Gjykatës Penale ndërkombëtare të zhvillohet procedura penale për të njejtën vepër.Lidhur me këtë,në paragrafin 2 të nenit 10 të statutit të tribunalit të Hagës është paraparë më sa vijon:

Personi i cili pranë gjykatës nacionale është gjykuar për vepra të cilat paraqesin shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare mund të gjykohet në Gjykatën ndërkombëtare nëse:

1.Vepra për të cilën është gjykuar është kualifikuar si vepër penale e rëndomtë ose,

2.Procedura pranë Gjykatës nacionale nuk ka qenë e paanshme ose e pavarur,ose ka qenë e zhvilluar në mënyrë që ta mbrojë të akuzuarin nga përgjegjësia penale ndërkombëtare,apo nëse procedura penale nuk është zhvilluar në mënyrë korrekte  apo te rregullt.Parimi Ne bis in idem respektohet për veprat penale ndërkombëtare kur është fjala për aktgjykim të plotëfuqishëm të Gjykatës Penale ndërkombëtare në relacion me gjykatën e shtetit përkatës.Ky parim është paraparë shprehimisht në paragrafin 1 të nenit 10 të Tribunalit të Hagës në të cilin thuhet:”Asnjë person nuk mund të gjykohet në Gjykatën nacionale për veprat të cilat sipas këtij statuti konsiderohen shkelje të rënda të së drejtës Humanitare ndërkombëtare,për të cilat është gjykuar në Gjykatën ndërkombëtare”.

            – Parimi i Prezumimit të Pafajësisë-

Parimi i Prezumimit të pafajësisë përfaqëson institut të veqantë që është parashikuar në interes të të pandehurit.Ky parim është në funksion të sigurimit të pozitës së barabartë të të pandehurit me atë të paditësit të autorizuar.Në fakt,parimi i prezumimit të pafajësisë shërben si një garanci për mbrojtje reale të të pandehurit nga akuzat e pabazuara në prova e në ligj.

Në nenin 11 paragrafi 1 i Deklaratës së përgjithshme mbi të drejtat e njeriut të OKB-së të vitit 1948 thuhet se “çdonjëri që akuzohet për veprat penale ka të drejtë të konsiderohet i pafajshëm përderisa të mos provohet në bazë të ligjit faji në shqyrtim publik në të cilin janë siguruar të gjitha garancitë e nevojshme për mbrojtjen e tij”.

Në bazë të këtij parimi,nuk mund të shërbejë si provë fajësie refuzimi i të pandehurit për t’i dhënë shpjegime gjykatës në lidhje me akuzat që i bëhen,e as fakti se i pandehuri nuk paraqet prova që vertetojnë pafajësinë e tij.Në qoftë se lindin dyshime për fajësinë e të pandehurit,apo kur versioni i pranuar nga akuza nuk është i vetmi dhe nuk përjashton qdo version tjetër,atëherë i pandehuri nuk mund të deklarohet fajtor.

Parimi i prezumimit të pafajësisë është akceptuar edhe në kodin e procedruës penale të Kosovës.Kështu,në nenin 3 par.1 të këtij kodi thuhet”Qdo person i dyshuar ose që akuzohet se ka kryer vepër penale konsiderohet i pafajshëm deri sa të vërtetohet fajësia e tij sipas këtij kodi”.

Parimi i prezumimi te pafajësisë duhet të respektohet në të gjitha fazat e procedurës penale.Për organin e procedurës,personi nën hetim duhet të konsiderohet i pafajshëm edhe pse është marrë si i pandehur dhe ndaj tij është caktuar ndonjë masë sigurimi.

Asnjëherë nuk duhet  të paragjykohet për fajsinë e personave të dyshuar,arrestuar apo të akuzuar për vepra penale pasi që praktika ka dëshmuar në shumë raste se shume persona që akuzohen për vepra penale ne fund dalin të jenë të pafajshëm,andaj nje person do të konsiderohet fajtor vetëm pasi që Aktgjykimi Dënues me të cilin gjykata e ka shpallur fajtor dhe i ka shqiptuar sanksionin Penal të këtë marrë formën e prerë,vetëm në këto raste  një person do të quhet fajtor.

Ky parim është shumë i rëndësishëm për të pandehurin pasi që pikërisht ky parim e zgjidhë çështjen se kujt i takon barra e provave për të vërtetuar fajësinë e të pandehurit.Në këtë rrjedhë,sipas këtij parimi barra e provave i takon paditësit të autorizuar.Ai është i detyruar që me rastin e akuzimit të një personi t’i parashtrojë gjykatës edhe provat me të cilat vërtetohet fajësia e tij.sipas këtij parimi i pandehuri nuk ka për detyrë të paraqes prova për ta vërtetuar pafajësinë e tij pasi që në qoft se paditësi i autorizuar nuk arrin ta vërtetojë fajësinë e të pandehurit atëherë i pandehuri do të shpallet i pafajshëm në mungesë të provave ose provave jo bindëse,përvec rasteve kur me ligj parashihet nje obligim i tillë,përndryshe i pandehuri ka të drejtë të paraqesë prova për ta vërtetuar pafajësinë e  tij , e nuk përjashtohet mundësia që i pandehuri i sinqertë edhe ta pranojë veprën penale.

Po ashtu në bazë të këtij parimi organi i procedurës  ka për detyrim që ne çdo rast kur nuk arrin të provojë fajësinë ta lirojë të akuzuarin nga akuzat që i bëhen.

Nga ky parim buron edhe rregulli i njohur”in dubio pro reo” kur faktet dhe rrethanat e çështjes lejonë vlersime dhe interpretime të ndryshme,duhet pranuar interpretimin më të favorshëm për të pandehurin.

Me këtë parim po ashtu lidhet edhe rradha e marrjes së provave në shqyrtimin gjyqësor.Kështu,fillimisht merren provat e palës që përfaqëson akuzën dhe pastaj provat e të pandehurit me të cilat kundërshtohet akuza përkatësisht fajësia,e tek ne fund merren provat e siguruara nga Gjykata.Kjo është një përparësi shume e madhe për të pandehurin që i bënë ligji, pasi që me këtë i pandehuri ka mundësi që shume fakte që nuk i thot pala akuzuese kundër tij ti heshtë dhe të paraqes faktet e veta me të cilën e kundërshton fajsinë në këtë mënyrë faktet e të pandehurit do mbesin provat më të freskta në mendjen e Gjyqtarit.Po ashtu kodi i jonë i procedurës penale ka paraparë dhe një privilegj shumë të madhë për të pandehurin ne fjalën përfundimtare ku i pandehuri e merrë fjalën i fundit para tërheqjes së trupit Gjykues per këshillim dhe votim në marrjen e vendimit meritor në këtë mënyr aji mund të pendohet sinqerisht për veprimet që i ka bërë dhe të ndikojë shumë në marrjen e nje vendimi të favorshëm për të.

BENIFICIUM COHAESIONIS DHE REFORMATION IN PEIUS

 

Benificium cohaesionis dhe reformation in peius përfaqësojnë institute juridike të cilat janë paraparë në interes të të akuzuarit.Ato janë ngushtësisht të lidhura me mjetet juridike dhe ofrojnë garanci të caktuara të mbrojtjes së interesave të të akuzuarit në një fazë të ndjeshme të procedurës penale.

Benificium cohaesionis,gjegjësisht benificioni i bashkëngjitjes konsiston në detyrimin e gjykatës që,përshtatshmëritë për të cilat ka konstatuar se ekzistojnë për të akuzuarin i cili ka përdorur mjetin juridik,t’i zbatojë edhe ndaj të pandehurve te tjerë edhe pse ata nuk kanë paraqitur mjet juridik ose jo në atë drejtim.

Kështu,sipas këtij kodi,kur me rastin e paraqitjes së ankesës të cilitdo të akuzuar,gjykata e shkallës së dytë çmon se arsyet për të cilat ka marrë vendim në dobi të të akuzuarit,e që nuk janë të natyrës personale,shkojnë në dobi edhe të ndonjërit nga të bashkakuzuarit i cili nuk ka paraqitur ankesë ose atë nuk e ka paraqitur në atë drejtim,vepron sipas detyrës zyrtare sikurse ankesa e tillë të ishte paraqitur nga i bashkakuzari.

Siç shihet Benificium cohaesionis vjen në shprehje te koneksiteti i veprave penale.Kështu,nëse shumë persona janë përfshirë me një procedurë penale unike dhe ndaj tyre është dhënë një aktgjykim,instituti i bashkëngjitjes vjen në shprehje po qe se ndonjëri nga të akuzuarit me sukses ushtron ankesë kundër atij aktgjykimi.Vlen të theksohet se ky institut është në funksion të sigurimit të barazisë së qytetarëve para ligjit.

Ndalesa Reformation in peius,gjegjësisht moskeqësimi i pozitës së të pandehurit është institut i cili gjithashtu është instaluar në favorë të të akuzuarit.Ky institut mundëson që në rastet kur ankesa paraqitet vetëm në dobi të të akuzuarit,aktgjykimi nuk guxon të ndryshohet në dëm të tij.Në të vërtet,sipas këtij kodi,në qoftë se ankesa është paraqitur vetëm në dobi të të akuzuarit,aktgjykimi ,për sa i përket vlersimit juridik të veprës penale dhe sanksionit penal nuk mund të ndryshohet në dëm të tij.Një zgjidhje e tillë nuk e pengon gjykatën që të merret me vërtetimin e fakteve që janë më të favorshme për të akuzuarin,por vetëm ndalon çdo ndryshim i cili ka të bëjë me cilësimin juridik të veprës penale ose të dënimit me të cilin do të keqësohej pozita e të akuzuarit në krahasim me aktgjykimin që atakohet me ankesë.

Ky institut është vendosur me synimin që t’i sigurojë të akuzuarit liri në përcaktimin e tij për paraqitje të ankesës kundër vendimeve që ai i çmon të padrejta dhe të paligjshme.Kjo ndalesë ka karakter absolut,nga se kur njëherë krijohen kushtet për zbatimin e saj,ajo vlen deri në përfundim të procedurës penale në atë çështje penale.

 Literatura e shfrytëzuar:

1.Ejup Sahiti,”e drejta e procedurës penale”Prishtinë,2005

2.Azem Hajdari”e drejta e procedurës penale” Prishtinë,2010

3.Ismet salihu”e drejta penale(pjesa e përgjithshme) Prishtinë,2008

4.Ismet Salihu “e drejta penale ndërkombëtare”Prishtinë,2011

5.Kushtetuta e Republikës së Kosovës

6.Kodi penal i kosovës

7.Kodi i procedurës penale i Republikës së Kosovës

Shënim I Stafit I DrejtesiaShqiptare.com:

E drejta e autorit mbetet i  autorit të punimit . Opinionet e shprehura  dhe studimet  juridike  e publikuara në këtë Website janë të autorëve përkatës  qe I kane shkruar ato. Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi në qoftë se  shkrimi është upload-uar pa lejen e autorit.Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi për pikëpamjet, vërtetësinë e informacionit që përmbajnë artikujt që publikohen dhe shkeljet e se drejtës së autorit.Kushdo që ka ndonjë ankese  rreth  së  drejtës  së autorit ne publikimet e ketij website,  është I lutur  te dërgoje një email  tek kontakt@drejtesiashqiptare.com.  Ne do ta  shqyrtojmë me përgjegjesi ankesën dhe do ta heqim menjëherë shkrimin.Për  të mos arritur deri aty,ju lutem respektoni  të drejtën  e autorit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

5 × four =

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Powered by WordPress | Designed by: Dog Groomer | Thanks to Assistant Manager Jobs, Translation Jobs and New York Singles