Kontrolli kushtetues, arritje dhe probleme për zgjidhje-Vjollca Meçaj

kushtetuta2

Në arenën ndërkombëtare, lindja e organeve të kontrollit kushtetues është shumë e hershme dhe karakterizohet nga një diversitet i organeve që e kanë ushtruar dhe e ushtrojnë këtë funksion. Numri i shteteve që kanë krijuar strukturat e tyre të kontrollit kushtetues është rritur përkrah rezultateve pozitive të shoqërisë njerëzore për sanksionimin dhe garantimin e të drejtave njerëzore. Në mënyrë të veçantë, pas Luftës II Botërore këtë hap e hodhën shumë shtete të Europës, si dhe demokraci të tjera të botës. Pas rënies së Murit të Berlinit, gati të gjitha demokracitë e reja të krijuara në ish vendet e kampit socialist kanë krijuar, gjithashtu, organet përkatëse që ushtrojnë kontrollin e kushtetueshmërisë, shumica prej tyre në formën e Gjykatës Kushtetuese. Historia e Gjykatës Kushtetuese tek ne zë fill në vitin 1992, kur Shqipëria
sapo kishte hedhur hapat e saj të brishtë, por shumë të dëshëruar, drejt demokracisë dhe ende nuk kishte bërë të mundur hartimin e miratimin një Kushtetutë te re. Statusin aktual ajo e fitoi me miratimin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në vitin 1998, në nenin 124, pika 1, të së cilës sanksionohet se: “Gjykata Kushtetuese garanton respektimin e Kushtetutës dhe bën interpretimin përfundimtar të saj”.

Ky sanksionim shpall, qartazi, thelbin e juridisksionit të kësaj gjykate dhe, njëkohësisht, tregon natyrën e saj si pjesë e rëndësishme e strukturave më të larta të shtetit shqiptar. Gjykata Kushtetuese është e veshur me autoritet të plotë për interpretimin e ligjit themeltar të shtetit, bazës juridike të padiskutueshme të legjislacionit tonë. Interpretimi i shpallur nëpërmjet vendimeve të saj është i detyrueshëm për të gjithë, përfshirë këtu dhe hierarkinë më të lartë të shtetit.

Që nga krijimi i organeve të para të kontrollit kushtetues në botë, e deri sot, është shtruar një rrugë e gjatë dhe e suksesshme lidhur me këtë kontroll, i cili ka qenë, pa dyshim dhe një kontribut për zhvillimin e demokracive në vendet përkatëse, por dhe më gjerë. Qasja konceptuale, që qëndron në bazë të vendimeve të këtyre organeve, tregon për një prirje mbarëkombëtare, ndonëse jo universale, të funksioneve kombëtare të drejtësisë kushtetuese. Tashmë është bërë normale për gjykatat kushtetuese ose organe të kontrollit kushtetues, citimi i vendimeve te gjykatave te huaja simotra, ose i vendimeve të gjykatave ndërkombëtare. Kjo tendencë vjen si nevojë e domosdoshme kur shtetet sovrane, gjithnjë e më tepër, po lëvizin në dy drejtime: së pari të konsolidojnë demokracinë në vendet e tyre; së dyti të integrohen në organizma ndërkombëtare.

“Pjesëmarrja e juridiksioneve kushtetuese kombëtare në synimin e perspektivës së përbashkët drejt universales duket e pashmangshme” (1) shprehet kostitucionalisti italian dhe ish – kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Italisë Gustavo Zagrebelsky. Ndërsa z. Xhezair Zaganjori, anëtar i Gjykatës Kushtetuese po për të njëjtën çështje, shtruar në planin kombëtar shkruan: “…Jo vetëm kaq por vendimi i dhënë në Strasburg për një rast konkret, potencialisht mund të shtrojë edhe nevojën e ndryshimeve juridisprudenciale, madje edhe ligjore në Shqipëri” (2).

Si konkluzion mund të themi se tashmë vihet re një bashkëpunim gjithnjë e më i gjerë midis të drejtës kombëtare me atë ndërkombëtare, aq sa hierarkia midis tyre duket çështje e kapërcyer. Mbyllja në vetvete, me arsyetimin e mbrojtjes së interesave tërësisht kombëtare, do të vinte ndesh me dëshirën tonë për integrim, tashmë të shpallur e të pranuar botërisht.

Interpretimi përfundimtar i Kushtetutës, atribut ekskluziv i Gjykatës Kushtetuese

Kushtetuta e RSH-së, duke qenë ligji më i lartë në vendin tonë, zbatohen drejtpërsëdrejti, përveç rasteve kur vetë ajo parashikon ndryshe. (3). Pra ajo nuk është thjesht një akt deklarativ, por një normë e rëndësishme juridike, e zbatueshme në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe e detyrueshme nga të gjithë. Në këtë kuptim të gjithë subjektet publikë apo privatë, janë të detyruar të bëjnë interpretimin e normave kushtetuese, përpara se t’i zbatojnë ato gjatë ushtrim të funksioneve të tyre. Këtë e bëjnë çdo ditë Presidenti i Republikës, pushteti legjislativ, ai ekzekutiv, pushteti gjyqësor, administrata shtetërore, si dhe subjektet privatë që marrin pjesë në marrëdhëniet juridiko – civile. Interpretimi kushtetues nuk është qëllim në vetvete i këtyre organeve, për këtë arësye ai, përgjithësisht, nuk ze vënd, në mënyrë të shprehur, në aktet që ata nxjerrin. Ata interpretojnë Kushtetutën në funksion të zbatimit të kompetencave me të cilat janë veshur dhe ky interpretim është i nënkuptuar, si pararendje e akteve të nxjerra prej tyre. Po ku dallon ky interpretim nga ai që kryen Gjykata Kushtetuese? Dallimi është esencial. Interpretimi i subjekteve të tjera është i kundërshtueshëm dhe mund të shfuqizohet. Shfuqizimi mund të jetë, sipas rastit, atribut i organit më të lartë shtetëror ose kompetencë e një organi, që i buron nga ligji mbështetur në parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Në të kundërt, interpretimi i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar. Subjektet e tjere e interpretojnë Kushtetutën për veten e tyre, ndërsa Gjykata Kushtetuese bën një interpretim që është i detyrueshëm për të gjithë. Organet e kontrollit kushtetues dhe funksioni i interpretimit përfundimtar të Kushtetutës përfaqësojnë një stad të zhvillimit të demokracisë si sistem politiko-shoqëror. Nëse interpretimi do te ishte atribut i pushtetit legjislativ, që buron nga partitë politike, do të ekzistonte rreziku i madh që ta përdorte këtë proces për interesat e veta politike. Nga ana tjetër jetëgjatësia e normës kushtetuese është shumë më e shtrirë në kohë sesa mandati i një shumice politike. Për këtë arësye interpretimi i normës nuk do të ishte uniform për të gjitha çështjet, gjë që do të shkaktonte destabilizim të jetës së vendit. Përsa i takon pushtetit ekzekutiv, natyra e tij dhe përbërja thellësisht politike e bëjnë, gjithashtu, të papërshtatshëm për këtë funksion. Për këto arësye interpretimi përfundimtar i Kushtetutës dhe kontrolli i kushtetueshmërisë i janë besuar organeve të posaçme me natyrë gjyqësore, gjithsesi jopolitike. Duke iu drejtuar Këshillit Kushtetues, me rastin e 50 – vjetorit të saj, zoti Nikola Sarkozi, President i Republikës së Francës është shprehur: “Ju takon juve, në këtë detyrë, të mbani ekuilibrin midis mbrojtjes së lirive themelore dhe respektimit të opinioneve politike të kërkuara nga vetë populli. Kjo përbën kushtin e legjitimitetit tuaj”. Kohët e fundit, janë hedhur mendime për suprimim e Gjyakatës Kushtetuese dhe kalimin e kompetencave të saj Gjykates së Lartë. Nuk kemi akoma një prononcim zyrtar lidhur me këtë tezë por, duke ditur se klasa politike përdor shumë rrugë për të bërë publike programin e saj strategjik, mund të hamendësojmë se prononcime të tilla, të disa politikanëve me rol të rëndësishëm pranë ekzekutivit apo legjislativit, mund të mos jenë thjeshtë ide personale por, testime të opinionin shoqëror dhe profesional për një zhvillim të mëpasshëm politik. Nisur nga këto rrethana do të ishte mëse normale, që në një konferencë të tillë, të ndalemi e të shprehim mendime rreth kësaj çështjeje ndonëse, për shkak të rëndësisë që ajo paraqet, në kuadër të shtetit të së drejtës, do të merritonte pa dyshim një studim dhe analize më të gjerë e pse jo dhe një konferencë shkencore më vete. Mënyra me të cilën është hedhur kjo tezë nuk ka mundësuar shoqërimin e saj me shumë argumenta dhe debat profesional. Nga sa jam e informuar, justifikimi i tezës është bërë me argumenta të tillë:

- Gjykata Kushtetuse nuk ka efektivitetin dhe rendimentin e duhur dhe për këtë arësye është një kosto e lartë për shtetin e vogël dhe të varfër shqiptar.

- Kjo gjykatë me vendimet e saj merr pjesë në politikëbërje, veprimtari që është atribut i pushteteve të tjera, të cilat janë mandatuar nga zgjedhësit për këtë qëllim.

- Duke qenë më pranë politikës, që e emëron dhe e shkëputur nga pushteti gjyqësor, ka rrezik më të madh për t’u politizuar dhe për të bërë presion politik me vendimet e saj.

Duke qenë e mendimit të kundërt dhe e bindur për domosdoshmërinë e Gjykatës Kushtetuese si organ eskluziv për interpretimin përfundimtar të kushtetutës, do të parashtroj disa argumenta për këtë qëllim. E vlerësoj si detyrë, që meqënëse e hapa këtë diskutim, t’u jap së pari përgjigje argumentave të shtruara. Verësoj si të pabazë argumentin që lidhet me koston dhe efektivitetin e Gjykatës Kushtetuese. Për buxhetin e një shteti sovran, sado të vogël, kjo kosto është e papërfillshme. Përsa i përket efektivitetit dhe rendimentit në punë, ato janë çështje, që edhe nëse ekzistojnë mund të përmirësohen nëpërmjet masave organizative e ligjore. Gjithsesi sa më sipër nuk kanë të krahasuar me rolin pozitiv që kanë luajtur vendimet e Gjykatës Kushtetuese në mbrojtje të kushtetueshmërisë të veprimtarisë së shtetit tonë, gjë që është pranuar si nga komuniteti i brendshëm ashtu dhe nga ai ndërkombëtar (4). Përsa i takon argumentit të dytë, se kjo gjykatë me vendimet e saj merr pjesë në politikëberje, do të përmendnja se e njëjta akuzë shtrohet rëndom edhe përpara Gjykatës së Lartë, prandaj trasferimi i juridisksionit të kontrollit kushtetues drejt atij institucioni nuk do ta zgjidhte problemin e shtruar. Së fundi lidhur me argumentin e tretë, për rrezikun e ushtrimit të presionit politik nëpërmjet vendimeve të saj, do të theksoja se ky shqetësim nuk është problem që lidhet me veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese por me kuptimin dhe komportimin e klasës politike në raport me këtë gjykatë. Është politika, në ndonjë rast, që tenton të influencojë vendimmarrjen e gjykatës. Këto dukuri janë manifestime të vështirësive të zhvillimit të demokracisë në vendin tonë dhe për pasojë do t’i konsideroja si një argument për nevojën e fuqizimit të rolit të Gjykatës Kushtetuese dhe jo argument për suprimimin e saj. Në këtë kuadër ndiej, gjithashtu, për detyrë të parashtroj edhe disa argumenta shtesë, lidhur me domosdoshmërinë e ekzistencës së Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri.

- Së pari, specializimi i organeve të shtetit në drejtime të caktuara është një kakarteristikë e kohëve moderne. Në mënyre të veçantë kontrolli kushtetues, si ligji themeltar i shtetit që afekton drejtpërsëdrejti të tre pushtetet gjykohet më normale të kryehet nga një organ, që nuk është pjesë e njërit prej tyre, sepse kjo do të mundësojë një interpretim të barasvlefshëm për të tre ata. Nga ana tjetër organet e kontrollit kushtetues përfaqësojnë një zhvillim të konceptit të shtetit demokratik, të imponuar nga eksperienca negative të krijuara prej ushtrimit të padrejtë të pushtetit, ndonëse nëpërmjet instrumentave formalisht në përputhje me ligjin. Nevoja e kontrollit kushtetues u ndie veçanërisht pas Luftës II Botërore, kur bota mori në analizë sjelljen e pushteteve në vendet e koalicionit fashist. Po kështu kjo nevojë ndihet përsëri sot, në vendet e ish – kampit socialist, të cilat të saposhkëputura nga sistemi i parties – shtet, bartin rrezikun e tentacionit për përqëndrimin e pushtetit, ose të abuzimit me të për arësye e interesa politike.

- Së dyti, parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteve, i cili qëndron në bazë të sistemit demokratik, kërkon që atributi i krijimit të normës të veçohet nga interpretimi i saj gjatë zbatimit. Kjo është aresyeja që interpretimin e normës e bën pushteti gjyqësor gjatë shqyrtimit të çështjeve konkrete. Nëse Gjykatës së Lartë do t’i ngarkohej të bënte dhe kontrollin kushtetues, forca dhe autoriteti i saj do të rritej së tepërmi dhe do të cenonte balancën në raport me pushtetet e tjera. Shumë autorë kanë nënvizuar se fragmentizimi i juridiskionit gjyqësor, limiton rolin politik të Gjykatës së Lartë dhe forcon kontrollin mbi të.

-  Së treti shtetet që kanë bashkuar juridiksionin e gjykimit të zakonshëm me atë kushtetues në të njëjtin organ, e kanë bërë këtë duke zgjedhur një model të përshtatshëm të ndërtimit të shtetit të tyre, me qëllim që të mos cenohet parimi i ndarjes e balacimit të pushteteve. Republika e Shqipërisë tashmë e ka zgjedhur modelin e saj të ndërtimit të shtetit dhe suprimimi i Gjykatës Kushtetuese do të prishte balancën e vendosur nga Kushtetuta midis pushteteve. Kjo balancë është ndërtuar me kujdes nga hartuesit dhe miratuesit e aktit themeltar të shtetit, duke parashikuar në të dhe ekzistencën e disa organeve të tjera, të pavarura nga tre pushtetet klasike, ndër të cilat dhe Gjykatën Kushtetuese, të cilat me veprimtarinë e tyre ndihmojnë  fuqizimin e mbrojtjen e parimit të  ndarjes e balancës midis pushteteve. Në fund të fundit ndryshimi i organit që do ta zhvillojë një veprimtari të tillë do të shkaktonte cenim të kontrollit kushtetues, qoftë dhe për një kohë të shkurtër, derisa ndryshimi të bëhet efektiv dhe të mundësohet veprimtaria normale e organit që e merr këtë juridiksion.

-  Së katërti do të dëshëroja të nënvizoja, ndonëse jo me cilësinë e një argumenti kushtetues, se ndërsa janë të shumta demokracitë në botë që kanë zgjedhur Gjykatën Kushtetuese si organin fuqiplotë lidhur me kontrollin kushtetues, historia njeh vetëm një rast të suprimimit të kësaj gjykate dhe këtë e ka bërë shteti nazist gjerman.

Jam e bindur se sa më sipër nuk e ezauron diskutimin rreth kësaj çështjeje, që sigurisht do të përfshijë dhe shumë kolegë dhe organizma të tjerë, nëse shtrohet zyrtarisht për shqyrtim.

Literatura

  1. Gustavo Zagrebelsky, fjala e mbajtur me rastin e 50 – vjetorit të Gjykatës Kushtetuese në Itali.
  2. Zaganjori, Xhezair, E drejta ndërkombëtare në gjykimet dhe vendimet e gjykatave kombëtare, revista  shkencore, Jeta Juridike, nr.2-2005, f. 12
  3. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, neni 4&2,3
  4. Shih raport – progresin e Bashkimit Europian për vitin 2006, deklarata të Ambasadës së SHBA-së, delegacionit të BE-së lidhur me vendime të veçanta të kësaj gjykate.

Referate dhe kumtesa në Konferencën Ndërkombëtare për sfidat e sistemit kushtetues, Shkodër – Mars 2009.Marre  nga faqja: www.magjistratura.edu.al.

Shënim I Stafit I DrejtesiaShqiptare.com:

E drejta e autorit mbetet i  autorit të punimit . Opinionet e shprehura  dhe studimet  juridike  e publikuara në këtë Website janë të autorëve përkatës  qe I upload ato.Ne nuk pranojme asnjë përgjegjësi për pikëpamjet, vërtetësinë e informacionit që përmbajnë artikujt që publikon dhe shkeljet e se drejtës së autorit.

Kushdo që ka ndonje ankese  rreth  së  drejtës  së autorit ne publikimet e ketij website,  është I lutur dërgoje një email  tek kontakt@drejtesiashqiptare.com.  Ne do ta  shqyrtojmë me përgjegjesi ankesën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

4 − 3 =

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Powered by WordPress | Designed by: Dog Groomer | Thanks to Assistant Manager Jobs, Translation Jobs and New York Singles