Parimet e procesit penal dhe kushtetuta e RSH-së- Dr. Paulina Hoti

white-collar-crime-1

 Parimet e legjislacionit tonë penal, dispozitat e Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale bazohen në Kushtetutë dhe respektimi dhe zbatimi i tyre nga organet e posaçme si policia, prokuroria, gjykata është detyrë kushtetuese. Legjislacioni procedural penal sipas nenit nr. 1 të K.Pr.P. “ka për detyrë të sigurojë një procedim të drejtë, të barabartë e të rregullt ligjor, të mbrojë liritë personale dhe të drejtat dhe interesat e ligjshme të shtetasve, të ndihmojë për forcimin e rendit juridik dhe zbatimin e Kushtetutës e të ligjeve të shtetit”. Kushtetuta jonë në kreun e II-të të saj, “Liritë dhe të drejtat vetjake” sanksionon parimet themelore të procesit penal. Këto parime gjejnë shprehje në pavarësinë e gjykatës, në prezumimin e pafajësisë, në sigurimin e një procesi të rregullt ligjor, i cili nënkupton një sërë të drejtash të tjera të individit. Do të jenë objekt i këtij trajtimi vetëm disa prej parimeve të procesit penal dhe për të cilat Gjykata Kushtetuese ka patur rastin të shprehet për respektimin ose jo të tyre.

a) Parimi i pavarësisë së gjykatës

Sipas nenit 42 te Kushtetutës, “Kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe të interesave të tij kushtetues dhe ligjore ose ne rastin e akuzave te ngritura kunder tij, ka te drejtën e një gjykimi të drejte dhe publik brenda një afati të arsyeshëm nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj”. Kodi i Procedurës Penale duke u nisur nga ky parim kushtetues sanksionon ne nenin 3 të tij që “Gjykata është e pavarur dhe vendos në bazë të ligjit”. Paanshmëria dhe pavarësia e gjykatës si parime kushtetuese duhet të gjejnë zbatim në çdo proces penal dhe çdo shkallë të procesit. Sipas nenit 15 të Kodit të Procedurës Penale: “Gjyqtari që ka dhënë ose ka marrë pjesë në dhënien e vendimit në një shkallë të procedimit nuk mund të ushtrojë funksionet e gjyqtarit në shkallët e tjera, as të marrë pjesë në rigjykim pas prishjes së vendimit”. Prej këtej del se paanshmëria duhet të respektohet nga gjyqtari në çdo shkallë të procesit dhe nga ky detyrim nuk mund të përjashtohet as edhe gjyqtari në Gjykatën e Lartë. Është e vazhdueshme jurisprudenca kushtetuese ku gjen shprehje interpretimi i parimit te paanësisë. Ky parim zbatohet për çdolloj çështjeje dhe kërkon nga gjyqtarët që të mos kenë paragjykime në lidhje me çështjen e shtruar përpara tyre dhe të mosveprojnë në mënyrë të tillë që ndihmojnë interesat e njërës prej palëve. Një gjykatë duhet të jetë e paanshme jo vetëm formalisht, por edhe në mënyrë të shprehur. Sipas jurisprudencës kushtetuese “E drejta për t’u gjykuar përpara një gjykate kompetente, të pavarur dhe të paanshme të caktuar me ligj kërkon që drejtësia jo vetëm duhet të bëhet, por ajo gjithashtu duhet të shikohet që bëhet”. Sipas interpretimit te Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut çdo gjykatë duhet të veprojë në mënyrë të tillë që në dhënien e drejtësisë të shfaqë paanësinë e saj. Vihet theksi mbi këtë pikë sepse paanësia e gjyqtarit është një karakteristikë mjaft e rëndësishme e procesit të rregullt ligjor e cila gjendet e bazuar qoftë në burime kombëtare, qoftë në burime ndërkombëtare. Përveç paanësisë element i rëndësishëm që lidhet ngushtë me të është edhe pavarësia e gjyqtarit në procesin gjyqësor. Kodi i Procedurës Penale përcakton shprehimisht rastet që mund të pengojnë gjyqtarin në paanësinë e tij dhe të pandehurit ose mbrojtësit të tij i njihet e drejta të kërkojë përjashtimin e gjyqtarit nga gjykimi i çështjes. Patundshmëria e gjyqtarëve në detyrë, një veçori kjo e rëndësishme e pushtetit gjyqësor, në raport me pushtetet e tjera, e bën akoma më evidente jo vetëm nevojën për pavarësi të tyre në dhënien e drejtësisë, por edhe paanësinë e tyre jashtë çdo ndikimi duke qene se pushteti gjyqësor është krijuar në rallë të parë për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e qytetarëve. Në jurisprudencën kushtetuese gjejmë raste kur është konstatuar paanësia e gjykatës. Në vendimi nr. 12 datë 13.04.2007 kjo gjykatë shprehet se është e papranueshme, që një gjyqtar që ka marrë pjesë në dhënien e një vendimi në një shkallë të mëparshme të gjykimit (në rastin konkret në gjykatën e Apelit), të jetë sërish në përbërje të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë e cila do të shqyrtojë e vlerësojë shkaqet e rekursit që janë pikërisht kundër këtij vendimi. Në rastin konkret, dyshimi për njëanshmëri në shqyrtimin e çështjes në Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë të mbledhur në dhomën e këshillimit është gjykuar i drejtë (një nga gjyqtarët në përbërje të këtij kolegji ka marrë pjesë më parë në trupin gjykues në Gjykatën e Apelit Durrës), i cili ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës. Madje, në këtë rast, ky gjyqtar kishte qenë edhe relator i çështjes.

Në këtë kuadër, Gjykata Kushtetuese ka theksuar në disa vendime të saj se “parimi i paanshmërisë ka në vetvete elementin e vet subjektiv, i cili lidhet ngushtë me bindjen e brendshme që krijon gjyqtari për zgjidhjen e çështjes në gjykim, si dhe elementin objektiv me të cilin kuptohet dhënia e garancive të nevojshme për gjykim të paanshëm nga vetë gjykata, përmes mënjanimit prej saj të çdo dyshimi të përligjur në këtë drejtim. Ndër të tjera, gjykata duhet të jetë e kujdesshme dhe të marrë parasysh veçanërisht problemin e përbërjes së trupit gjykues, në mënyrë që të mënjanohen nga gjykimi i çështjes gjyqtarët që nuk kanë garancitë e kërkuara për paanshmëri në kuptimin objektiv. Në shtetin e së drejtës, kjo kërkesë merr rëndësi të veçantë në funksion të besimit në dhënien e drejtësisë që duhet të krijojnë në çdo rast në shoqërinë demokratike jo vetëm palët në gjykim, por çdo qytetar i thjeshtë”. Gjykata Kushtetuese rithekson qëndrimin e mbajtur në raste të tjera të ngjashme “se shqyrtimi i çështjes nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në dhomën e këshillimit, është pjesë e rëndësishme e procesit gjyqësor në tërësi dhe, në përputhje me natyrën e këtij shqyrtimi duhen respektuar parimet themelore të procesit të rregullt ligjor në kuptimin kushtetues”. Mbi këtë analizë, Gjykata Kushtetuese në vendimin nr. 38 date 15.10.2007 çmon se ndodhemi para cenimit të parimit të paanësisë, si element i të drejtës për një proces të rregullt ligjor, domethënë para cënimit të një të drejte kushtetuese.

b) Parimi i prezumimit të pafajësisë

Në Kushtetutën e vendit tonë ky parim është sanksionuar në nenin 30 të saj, “kushdo quhet i pafajshëm përderisa nuk i është provuar fajësia me vendim gjyqësor të formës së prerë”.

Neni 4 i Kodit të Procedurës Penale merr të njëjtën dipozitë kushtetuese për të sanksionuar parimin e prezumimit të pafajësisë duke shtuar edhe “… çdo dyshim për akuzën çmohet në favor të të pandehurit”.

Edhe pse ky parim kushtetues është ndër parimet themelore të procesit penal për çdo shtet të së drejtës, është provuar në praktikë se jo gjithmonë sigurohet respektimi i tij në procesin penal. Kështu, Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj nr.4 datë 7.2.2001 gjykon që “gjykata ka marrë të mirëqenë akuzën, dukë cënuar parimin e prezumimit të pafajësisë që parashikohet nga neni 6 i Konventës Europiane për të drejtat e njeriut dhe nga neni 4 i Kodit të Procedurës Penale. Në dhomën e këshillimit nuk mund të vendoset mbi drejtësinë ose jo të vendimeve të shkallëve të ulta, por vetëm në seancë gjyqësore dhe me pjesëmarrjen e palëve”.

c) Parimi i një procesi të rregullt ligjor

Për të respektuar të drejtat dhe liritë e individit dhe për të patur një shtet të së drejtës me baza të shëndosha është e domosdoshme që Kushtetuta të garantojë parimin e një procesi të rregullt ligjor. Kështu, nga neni 42 i Kushtetutës buron e drejta për një proces të rregullt ligjor, e drejtë kjo që ka të bëjë veçanarisht me mbrojtjen e të drejtave të individëve duke qenë se ata mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese vetëm në lidhje me shkeljen e të drejtave për një proces të rregullt ligjor. Përgjithësisht të gjitha të drejtat e individit në procesin penal lidhen drejtpërdrejt me të drejtën për një proces të rregullt ligjor. E drejta për t’u mbrojtur është element themelor i së drejtës për një gjykim të rregullt ligjor në procesin penal dhe shërben ndër të tjera, për të siguruar respektimin e parimit të barazisë së palëve. Kushtetuta njeh të drejtë për t’u mbrojtur në nenin 31 pikat “b” dhe “ç” në të cilët përcaktohet se i pandehuri ka të drejtë:

b) të ketë kohën dhe lehtësitë e mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen e vet;

ç) të mbrohet vetë ose me ndihmën e një mbrojtësi ligjor të zgjedhur prej tij; të komunikojë lirisht dhe privatisht me të, si dhe t’i sigurohet mbrojtja falas, kur nuk ka mjete të mjaftueshme;

Respektimi i së drejtës së mbrojtjes nënkupton një proces të drejtë dhe të paanshëm. Realizimi i së drejtës së mbrojtjes s’mund të bëhet veçse nëpërmjet një procedure të tillë. Në të njëjtën kohë s’mund të kemi një proces të drejtë dhe të paanshëm nëse e drejta e mbrojtjes nuk respektohet. Ndërsa parimi i barazisë së palëve nënkupton detyrimin për t’i ofruar secilës palë mundësinë për të paraqitur çështjen e saj në kushte që nuk e vënë në disavantazh me palën tjetër. Koncepti i barazisë së palëve edhe në procesin penal i ka bazat në nenin 6 të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe për këtë Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut nuk ka reshtur së sanksionuari atë në gjykimet e saj. Në jurisprudencën kushtetuese shqiptare, e cila është në përputhje me qendrimet e mbajtura nga Gjykata Europiane për të drejtat e Njeriut ka konkluduar se “pa ndihmën e një avokati, procesi nuk mund të kontribuojë në mënyrë të dobishme në shqyrtimin e çështjeve juridike që qëndrojnë në thelb të mosmarrëveshjeve”. Në vendimin nr. 5 datë 04.03.2008 Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë si të papajtueshëm me Kushtetutën e RSH-së pasi ka konstatuar se çështja është shqyrtuar nga Kolegji Penal i Gjykatës se Lartë pa i njoftuar më parë rekursin të pandehurit dhe as avokatit të caktuar prej tij. Kështu zhvillimi i gjykimit të çështjes pa praninë e të pandehurit apo dhe të mbrojtesit dhe pa caktuar as edhe mbrojtës kryesisht përbën shkak për shkelje të normave kushtetuese. Edhe në raste të tjera Gjykata Kushtetuese (vendim nr. 7 datë 19.02.2007) ka konstatuar që Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, duke zhvilluar gjykimin pa praninë e të pandehurit, ka zhvilluar proces të parregullt ligjor, pasi ka shkelur parimin e barazisë së palëve në procesin gjyqësor. Çdo proces i rregullt ligjor nënkupton edhe respektimin e një afati kohor të arsyeshëm dhe të drejtën për një seancë gjyqësore të hapur dhe të shpalljes publikisht të vendimit edhe në procesin penal. Publiciteti i seancës dhe shpallja publikisht e vendimit përbëjnë një tipar thelbësor të së drejtës për një proces të rregullt ligjor dhe parashikohen shprehimisht edhe nga Kodi i Procedurës Penale. Këto dhe parime të tjera të procesit penal gjejnë burimin dhe garancinë e mbrojtjes së tyre jo vetëm me sanksionimin e tyre në Kushtetutë dhe për rrjedhojë në të gjithë legjislacionin e brendshëm penal por edhe në ekzistencën dhe veprimtarinë e Gjykatës Kushtetuese në funksion të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive vetjake.

Referate dhe kumtesa në Konferencën Ndërkombëtare për sfidat e sistemit kushtetues, Shkodër – Mars 2009.Marre  nga faqja: www.magjistratura.edu.al.

Shënim I Stafit I DrejtesiaShqiptare.com:

E drejta e autorit mbetet i  autorit të punimit . Opinionet e shprehura  dhe studimet  juridike  e publikuara në këtë Website janë të autorëve përkatës  qe I upload ato.Ne nuk pranojme asnjë përgjegjësi për pikëpamjet, vërtetësinë e informacionit që përmbajnë artikujt që publikon dhe shkeljet e se drejtës së autorit.

Kushdo që ka ndonje ankese  rreth  së  drejtës  së autorit ne publikimet e ketij website,  është I lutur dërgoje një email  tek kontakt@drejtesiashqiptare.com.  Ne do ta  shqyrtojmë me përgjegjesi ankesën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

4 × 3 =

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Powered by WordPress | Designed by: Dog Groomer | Thanks to Assistant Manager Jobs, Translation Jobs and New York Singles