Ndryshimet kushtetuese në sistemin e zgjedhjeve në RSH- Dr. Ilir BERHANI

 Në këtë punim jam përpjekur të sjell argumenta në favor të ndryshimeve të bëra në kushtetutën tonë për sistemin e zgjedhjeve. Dua të nënvizoj se jam në favor të ndryshimeve në Kushtetutë për sistemin zgjedhor. Zjedhjet kishin sjellë në përfundimin se duheshin ndryshuar rregullat zgjedhore me qëllim që rezultati zgjedhor të pasqyronte më saktë dhe më drejt rezultatin  e votimit.Dua të nënvizoj se sistemi i zgjedhjeve i përcaktuar tashmë nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 është një sistem i përshtatshëm për Shqipërinë dhe që realizon mirë synimin e mësipërm, duke korigjuar hapësirat që lejonin sistemet zgjedhore të përdorura në deformimin e rezultatit të zgjedhjeve. Ky ndryshim nuk ishte një diçka e rastit sepse sistemet zgjedhore ishin ndryshuar në çdo rast kur kishte ndryshuar ligji i zgjedhjeve. Partitë politike e lidhnin ekzistencën e tyre vetëm me pushtetin dhe me vështirësi pranojnë pozicionin e opozitës.

Në pothuaj të gjitha zgjedhjet forca politike e dalë në opozitë nuk ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve duke e konsideruar atë të manipuluar, përjashto zgjedhjet e vitit 1992 dhe zgjedhjet e vitit 2005.

Nga vështrimi i zgjedhjeve  të zhvilluara në vendin tonë vërejmë se: sistemi i zgjedhjeve nuk kishte prezantuar i ngurtë dhe i pandryshueshëm, por është ndryshuar në çdo ligj të ri zgjedhjesh. Pothuaj në të gjitha zgjedhjet mandatet zgjedhore të siguruara nga partitë politike përgjithësisht nuk përfaqësojnë drejt rezultatet e votimit, domethënë numrin e votave të fituara nga ato.

Në dy legjislaturat e fundit rezultatet e votimit u deformuan dhe numri i mandateve të fituara, veçanërisht nga partitë e vogla nuk është real. Është fjala për fenomenin e ashtuquajtur të “Dushkut.” Sistemet zgjedhore në vendin tonë deri në zgjedhjet e vitit 2005 krijuan mundësinë për inflacion në numrin e partive politike, të cilat në të vërtetë nuk janë pasqyrim i saktë i hartës politike të Shqipërisë.

Sistemet zgjedhore nga 1991-1997

Duke vështruar zgjedhjet, sistemet e zgjedhjeve dhe formulat zgjedhore në Shqipëri nga viti 1991 deri në miratimin e Kushtetutës në 1998, vërejmë se  vendi ynë ka kaluar nga sistemi zgjedhor mazhoritar i pastër në sisteme zgjedhore të kombinuara, proporcional me elemente të mazhoritarit apo mazhoritar i korigjuar me elemente të proporcionalit. Ndryshimi i sistemeve zgjedhore është përcaktuar nga interesat e partive politike. Vërejmë se qëndrimi i partive për sistemin e zgjedhjeve ka qenë i ndryshëm në periudha të ndryshme të zgjedhjeve. Nëse në vitin 1991 PD-ja ishte që zgjedhjet të zhvilloheshin bazuar në sistem proporcional zgjedhor, në zgjedhjet e vitit 1992 miratoi një sistem zgjedhor të kombinuar, mazhoritar- proporcional. Nëse PS-ja në zgjedhjet e 1991 miratoi sistemin mazhoritar zgjedhor në zgjedhjet e1992 kërkonte sistem zgjedhor proporcional. Që nga viti 1991, janë zhvilluar shtatë zgjedhje të përgjithshme dhe  janë zbatuar sisteme dhe formula zgjedhore të ndryshme. Zgjedhjet  e 31 marsit 1991 u bazuan në sistemin zgjedhor mazhoritar me dy raunde, favorizues për partinë në pushtet që zotëronte mundësi shumë më të mëdha diktimi politik… “Zgjedhjet e para u zhvilluan … mbi bazën e një sistemi mazhoritar… Megjithëse në parim një sistem i tillë është plotësisht demokratik, në kushtet konkrete… ishte e qartë se ai favorizonte Partinë e Punës, e cila mbante ende në duart e saj levat e pushtetit, kyçet e ekonomisë dhe drejtimin e mjeteve kryesore të informimit, ndërsa partitë e opozitës të krijuara pak muaj më parë, ishin në organizim e sipër”. Ndarja e mandateve u bazua në formulën e shumicës absolute. Ky sistem zgjedhor prodhoi një rezultat favorizues pë partinë në pushtet dhe i siguroi asaj një numër më të madh vendesh se numri i votave të marra në shkallë vendi. (Me 56.17 për qind të votave që fitoi  partia në pushtet u prodhuan 67.6 për qind të deputetëve për këtë parti, 169 vende në Kuvend dhe me 38.71 për qind e votave të fituara nga partia kryesore e opozitës u prodhuan 30 për qind të deputetëve, 75 vende në Kuvend). Formula mazhoritare e zbatuar nuk pasqyronte saktë votat e shprehura në zgjedhje, por pasqyrote në mënyrë të shtrëmbëruar duke deformuar numrin e mandateve të fituara. Me “…një sistem zgjedhor përpjestimor Partia e Punës do të kishte fituar 141 vende në Kuvend dhe Partia Demokratike 97”. Në zgjedhjet e vitit 1992 për të korigjuar këtë shtrembërim, u ndryshua sistemi i zgjedhjeve dhe formula e ndarjes së mandateve. U vendos një sistem i kombinuar proporcional me elemente të theksuara mazhoritar që synonte barazinë më të mundshme të votave, dhe shmangjen e copëzimit të parlamentit. “Ligji synonte të bashkonte drejtësinë dhe barazinë e votës, të lidhura me sistemin proporcional, me nevojën e krijimit të një shumice të qëndrueshme, të siguruar nga sistemi mazhoritar. Thelbi i ligjit ishte që të zbatohej një formulë proporcionale e ndarjes së mandateve të deputetëve. Pra numri i mandateve të ishte i përafërt me numrin e votave të fituara nga partitë në shkallë vendi. Domethënë shpërndarja e mandateve shtesë të Kuvendit (40 deputetë) do të shërbente për të korigjuar rezultatin e zgjedhjeve të mazhoritarit. Megjithëse ligji përcaktoi një prag zgjedhor të lartë, 4 për qind të votave në shkallë kombëtare, që nuk i favorizonte partitë e vogla, ai mundësoi një përfaqësim më afër numrit të përgjithshëm të votave në shkallë vendi. Ligji parashikonte që partia e cila në raundin e parë fitonte një përqindje më të lartë vendesh në parlament se përqindja e votave që kishte fituar në shkallë vendi nuk përfitonte nga sistemi i ndarjes së mandateve plotësuese, ndërsa partitë e tjera që kishin fituar një përqindje më të ulët të vendeve se përqindja e votave të fituara përfitonin nga ndarja e vendeve plotësuese në proporcion me  votat e fituara… Në përfundim të zgjedhjeve të vitit 1992 u vërtetua se sistemi zgjedhor dhe formula e përcaktuar në ndarjen e mandateve ishte më afër rezultatit të zgjedhjeve. Kështu Partia Demokratike me 62 për qind të votave në shkallë kombëtare siguroi 65.7 për qind të vendeve në parlament duke siguruar 92 vende; Parita Socialiste me 25.7 për qind të votave siguroi 27.1 për qind të vendeve në parlament, duke siguruar 38 vende dhe partia socialdemokrate me 4.3 për qind të votave siguroi 5 për qind të vendeve në parlament, duke siguruar 6 vende. Ky sistem u ruajt edhe në zgjedhjet e vitit 1996. Por këto zgjedhje u deformuan. Nuk mund të gjykohet për vetë sistemin sepse procesi zgjedhor ishte i parregullt. Për rrjedhim PD-ja fitoi 122 vende në Kuvendin me 140 deputetë. Zgjedhjet e vitit 1997 u zhvilluan me sistem mikst, mazhoritar i korrigjuar, por u rrit numri i  deputetëve në 155 dhe ulet pragu i votave në 2 për qind, që të fitosh  të drejtën të sigurosh  mandate në proporcional, “ …ulja e pragut në dy për qind “favorizonte partitë e vogla, kompensonte dëmin që ato mund të pësonin nga përforcimi i elementit mazhoritar. Edhe për zgjedhjet e vitit 1997 është vështirë të vlerësohen pasojat e sistemit zgjedhor në rezultatin e zgjedhjeve, sepse zgjedhjet u zhvilluan në situatë jonormale dhe rezultati zgjedhor kishte mjaft deformime.

Sistemi zgjedhor i përcaktuar nga Kushtetuta e RSH-në në vitin 1998

Në vitin 1998 Kushtetuta përcaktoi një sistem zgjedhor të  përzier, mazhoritar i korigjuar. Me këtë sistem 100 deputetë zgjidhen drejtpërdrejt në zonat njëemërore, ndërsa 40 deputetë zgjidhen nga listat shumemërore. Por në pragrafin e dytë të këtij neni Kushtetuta përcakton se mandatet deputetëve  të siguruara nga paritë politike  në zgjedhje duhet të jenë të përafërt me numrin e votave të fituara në shkallë vendi. Formula zgjedhore e ndarjes së mandateve shtesë duhet të sigurojë një ndarje mandateve në proporcion me numrin e votave. Por kjo nuk do të kuptohet sikur sistemi zgjedhor i parashikuar në kushtetutë ishte një sistem zgjedhor proporcional. Në të kundërt ai ishte një sistem i kombinuar mazhoritar i korigjuar. Kjo për faktin sepse shumica e mandateve përcaktohet nga mzhoritari. Sado të korigjohej rezultati i marrë në mazhoritar nuk mund të arrihej një përafrim i plotë i mandateve me numrin e votave të fituara. Gjykata Kushtetuese  “…çmon të domosdoshme të ritheksojë… se kushtetuta … në nenin 64 të saj, ka pranuar se sistemi i zgjedhjeve nuk është proporcional i pastër, por një kombinim i elementeve të sistemit mazhoritar me atë proporcional. Ajo qartëson dhe nuk krijon mundësinë e ngatërresave të ndryshme mbi llojin e sistemit zgjedhor të pranuar në Kushtetutën e Shqipërisë. Gjykata Kushtetuese me vendimin nr. 49 dt 2.6.2001i ka bërë një interpretim nenit 64 të Kushtetutës, duke konkluduar se nocioni raport sa më i afërt nuk është i njëjtë me nocionin e raportit saktësisht të barabartë. Sistemi i zgjedhjeve që ka pranuar kushtetuta nuk mund të japë një raport saktësisht të barabartë midis numrit të deputetëve të çdo partie dhe votave të vlefshme të fituara prej saj”. Pas zgjedhjeve të vitit 2001 u vu re se sistemi zgjedhor dhe formula e ndarjes së mandateve të zgjedhjeve lejojnë hapësira ligjore të cilat u shfrytëzuan nga parti politike për të deformuar rezultatin e zgjedhjeve dhe për të fituar bonuse zgjedhore në sigurimin e një numri më të madh të mandateve në parlament në raport me numrin e votave të fituara në shkallë vendi. Partia Socialiste me bllokimin e zgjedhjeve në raundin e parë në zonën zgjedhore 60, u krijoi mundësi aleatëve të saj, partive të vogla të marrin votat e nevojshme për të mbritur pragun elektoral 2.5 për qind. Megjithë kundërshtimet e opozitës për shkelje të kushtetutës dhe të ligjit zgjedhor në rastin e përsëritjes së zgjedhjeve në këtë zonë Gjykata Kushtetuese duke interpretuar kushtetutën vendosi të konsiderojë të ligjshme zgjedhjet e zonës së Dushkut dhe përcaktoi se kuptimi i kësaj dispozite lidhet me kryerjen e votimit në të gjithë vendin, si dhe me zhvillimin detyrimisht të raundit të parë të zgjedhjeve për të përcaktuar me saktësi numrin e deputetëve të Kuvendit … nga i cili nuk mund të përjashtohet asnjë zonë zgjedhore. Kjo do të thotë, se teritori i vendit ndahet në 100 zona zgjedhore për efekt të sistemit mazhoritar, duke lënë të kuptohet se ekziston një zonë e vetme në të gjithë vendin për përcaktimin e listës proporcionale. Çdo lloj ndarje, veçimi apo përjashtimi përfundimtar nga zgjedhjet që mund t’i bëhej teritorit të Republikës apo pjesëve të veçanta të tij, do të përbënte një cënim të koncepteve kushtetuese, që përcaktojnë llojin e sistemit zgjedhor, si dhe njëkohësisht një dhunim të së drejtës themelore të shtetasve për të votuar. Probleme lindën dhe nga formula zgjedhore e përcaktuar në  Kodin Zgjedhor në vitin 2000, për ndarjen e mandateve shtesë të Kuvendit.  Formula ishte e ndërlikuar dhe jo e qartë. Madje disa parti kërkuan që në ndarjen e mandateve shtesë të aplikohej drejtpërdrejt pragrafi dy i nenit 64 të kushtetutës, gjë që ishte në kundërshtim me atë çka vetë kushtetuta kishte parashikuar.Edhe në lidhje me këtë çështje Gjykata Kushtetuese në vendimin nr. 117 dt 28.8.2001, rrëzoi kërkesën e për zbatim të drejtpërdrejtë të nenit 64 të Kushtetutës në ndarjen e mandateve plotësuese të kuvendit. Kjo gjykatë  përcaktoi se në Kushtetutën është pranuar  zbatimi i drejtpërdrejtë i dispozitave të saj, përveç rasteve kur kushtetuta parashikon ndryshe. Kushtetuta, në nenin 68  ka parashikuar se rregullat e zgjedhjeve për caktimin e kandidatëve për deputetë rregullohen nga Kodi Zgjedhor, i cili nuk mund të mos zbatohet. Përderisa Kodi Zgjedhor, nëpërmjet nenit 66 të tij, ka parashikuar një mënyrë të ndarjes së mandateve shtesë, e cila kërkon detyrimisht një formulë ligjore dhe, për sa kohë kjo dispozitë nuk është konsideruar si antikushtetuese, atëherë zbatimi drejtpërdrejt i nenit 64 të Kushtetutës nuk mund të sjellë ndonjë ndarje të ndryshme të mandateve shtesë. Sistemi zgjedhor parashikonte zgjedhje me dy raunde.

Kjo bëri një zgjatje të pajustifikueshme të zgjedhjeve. Zgjedhjet e përgjithshme të  vitit 2001 treguan se sistemi i zgjedhjeve dhe formula e zgjedhjeve lejojnë modifikimin dhe deformimin e rezultatit të zgjedhjeve nga partitë politike. Ishte e nevojshme të bëheshin modifikime në sistem dhe në formulën e zgjedhjeve.

Me ndryshimet e Kodit Zgjedhor në vitin 2003 u prekën të dy çështjet: U kalua në zgjedhje të përgjithshme me sistem mazhoritar me një raund, shfuqizohet dispozita e parashikuar nga neni 63 i Kodit Zgjedhor të vitit 2000, që parashikon zgjedhje me dy raunde. Formula zgjedhore  për ndarjen e mandateve shtesë undryshua, por  përsëri mbeti e ndërlikuar dhe jo e qartë. Komisioni i Venecias në raportin paraprak të paraqitur në vitin 2004 sugjeroi hartimin e një formule të re për ndarjen e mandateve shtesë të Kuvendit, me synimin që formula e ndarjes së mandateve të zbatonte më me saktësi dhe me qartësi paragrafin e dytë të nenit 64 të Kushtetutës.  “Eleminimin e raundit të dytë e sanksionoi një vendim i Gjykatës Kushtetuese, që interpretonte pikërisht nenin 64 të Kushtetutës, ku afirmohej se raundi i dytë … kuptohej vetëm si një mundësi … dhe jo një detyrim … caktimi i një raundi të vetëm … ndjek një praktikë që ekziston edhe në mjaft vende të tjera, si Gjermania dhe Italia, të cilat kanë një sistem të përzier… në këtë mënyrë u ruajt sistemi i tanishëm i përzier, me raportin numerik ekzistues midis deputetëve të zgjedhur në listat njëemërore  dhe në ato shumemërore por me një thjeshtësim të dukshëm të procesit zgjedhor. Ndërsa formula zgjedhore parashikonte një artificë elektorale, e cila krijonte akses të shumfishuar për partitë e vogla për mandate shtesë dhe minimizonte mundësitë për partitë e mëdha që të marrin mandate plotësuese, megjithëse ato kanë siguruar shumicën e votave edhe të proporcionalit në shkallë vendi. Formula realizon një kompensim elektoral të partive të vogla, të cilat nuk kanë mundësi të sigurojnë mandate në zonat njëemrore.

Në zgjedhjet e vitit 2001 Partia Socialiste, e cila në proporcional mori 555272 vota që ishin  41,439 për qind të votave të vlefshme, nuk mori asnjë deputet nga ndarja e mandateve shtesë, për faktin se kjo parti siguroi në mazhoritar 73 mandate, që përbëjnë 52 për qind të vendeve në Kuvend. Partia Demokratike mori 494272 vota, që ishin 36,886 për qind të votave të vlefshme  dhe siguroi 25 deputetë. Por nga ndarja e mandateve shtesë siguroi 21 mandate. Kështu Partia Demokratike mori gjithsejt 46 mandate, domethënë 32 për qind të vendeve në Kuvend duke përafruar numrin e vendeve me numrin e votave. Pra vetëm në rastin kur sigurojnë një numër të vogël mandatesh në zonat njëemërore, partitë e mëdha mund të sigurojnë një numër mandatesh nga votat e proporcionalit, nga ndarja e mandateve plotësuese. Zgjedhjet e vitit 2005 u bazuan në ndryshimet e bëra në  sistemin zgjedhor dhe shpërndarja e mandateve shtesë në formulën e re zgjedhore. Zgjedhjet u zhvilluan me një raund por zgjedhësit  kishin të drejtën e dy votave, njërën për zonën njëemrore dhe tjetrën për proporcionalin. Formula e zvogëlonte mjaft mundësinë e partive të mëdha për të fituar nga ndarja e mandateve shtesë dhe dy partitë e mëdha nuk pretenduan vota në proporcional dhe orjentuan zgjedhësit që votat e tyre t‘i hedhin për partitë e vogla aleate. Synimi ishte të rritin numrin e mandateve në mënyrë fiktive. Për këtë shkak në këto zgjdhje u realizua trafik votash në favor të partive të vogla aleate. Partitë e vogla siguruan më shumë mandate sepse ato përfituan vota nga aleatët e mëdhenj. Kjo u quajt formula e “Megadushkut”.

Një “dushk i vogël” u vërtetua edhe në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001. Në atë kohë disa parti politike siç ishin PSD-ja, PAD-ja, PBDNJ-ja iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për shfuqizimin e dy neneve të Kodit Zgjedhor (neni 66, pika „ç” dhe „d” dhe neni 87) si antikushtetuese. Por Gjykata Kushtetuese shfuqizoi si antikushtetues vetëm njërin prej tyre, nenin 66 pika „d”, sepse ajo nuk mund të vendoste për zbrazëtitë ose pasaktësinë në ligj. Organizmat ndërkombëtarë në atë kohë deklaruan se PS-ja fitoi, por shkalla e fitores ishte më e madhe se çduhet të ishte. Në shprehjen më e madhe duhen kuptuar deputetët që prodhoi “Dushku i vogël” që reflektoi në përfaqësimin në Kuvend si rrjedhim edhe në një farë cënimi të legjitimitetit”. Në zgjedhjet e vitit 2005 Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, nuk siguruan asnjë mandat nga ndarja mandateve plotësuese. Partia Demokratike siguroi 56 mandate, 40 për qind të vendeve në Kuvend dhe Partia Socialiste 42 mandate, 30 për qind të vendeve në Kuvend dhe  katërdhjetë mandatet plotësuese u ndanë vetëm nga partitë e vogla.

Nëqoftëse në zgjedhjet e vitit 2001 dy partitë e mëdha siguruan numër vendesh  në Kuvend të përafërt me numrin e votave të tyre të marra në shkallë vendi, në zgjedhjet e vitit 2005, këto dy parti në shkallë vendi morën përkatësisht, Partia Demokratike 7,6 për qind të votave dhe Partia Socialiste 8.89 për qind të votave. Trafikimi i votave të proporcionalit krijoi akses për trafik mandatesh. Partia fituese  nuk përbënte shumicën parlamentare dhe u detyrua të krijojë aleanca paszgjedhore, që të sigurojë shumicën parlamentare për formimin e qeverisë.

Dy partitë e mëdha e toleruan formulën e “Megadushkut”, që të siguronin shumicën në Kuvendin e Shqipërisë. Në lidhje me shkakun e kësaj dukurie të “Megadushkut“ në zgjedhje mund të flitet dhe për “defekte të … sistemit”: se votimi i kandidatëve indidvidualë në zonat njëemërore e humb relativisht kuptimin në kushtet kur në Shqipëri ka një prirje të fortë për të votuar në bazë të parapëlqimeve partiake dhe jo të personalitetit të kandidatit; sistemi (të paktën në formën aktuale me dy fletë votimi) është ftesë e hapur për taktika zgjedhore të tipit të Dushkut.

Në të vërtetë synimi i sistemit ishte të shfrytëzohen avantazhet e dy sistemeve: e votimit në zonën njëemërore dhe e votimit në proporcional që synon të korigjojë deformimin e natyrshëm të zgjedhjeve në mazhoritar, por jo një korigjim të plotë, vetëm  një korrigjim të pjesshëm të rezultatit  të siguruar në mazhoritar.

Ndryshimet në Kushtetutë dhe në Kodin Zgjedhor në vitin 2008 për sistemin e zgjedhjeve dhe formulën zgjedhore

Zgjedhjet  e vitit 2001 dhe të vitit 2005  provuan se për të shmangur këto devijime ishte  e nevojshme të ndryshonte sitemi zgjedhor në Shqipëri. Është ky shkaku që në vitin 2008 Kuvendi i Shqipërisë bëri ndryshime në Kushtetutë për sistemin e zgjedhjeve dhe formulën zgjedhore. U ndryshua neni 64 i Kushtetutës dhe sistemi zgjedhor i kombinuar u zevendësua me një sistem zgjedhor proporcional,  një sistem proporcional i rajonizuar. Kjo dotë thotë se nuk kemi të bëjmë me një sistem të pastër proporcional në të cilin Shqipëria të ishte një zonë zgjedhore.

Pra sistemi proporcional bazohet në ndarjen e vendit në zona shumemërore. Kushtetuta ka përcaktuar se zona shumemërore përputhet me ndarjen administrative të një prej niveleve të organizimit administrativo – teritorial. Kodi Zgjedhor përcakton se “zona zgjedhore përputhet me teritorin e qarkut. Duke vështruar sa përcaktohet në Kushtetutë për sitemin e zgjedhjeve mund të nënvizohet se sitemi proporcional i zgjedhjeve synon që rezultati i zgjedhjeve për partitë politike apo subjektet zgjedhore të jetë në proporcion me numrin e përgjithshëm të votave të fituara në zgjedhje, në çdo zonë zgjedhore. Kushtetuta synon të realizojë synimin që numri i mandateve në Kuvend të përafrohet me rezultatin e zgjedhjeve dhe jo i deformuar. Korigjohet një nga të metat kryesore që kishin shfaqur sistemet elektorale  në zgjedhjet e zhvilluara deri më tani, deformimi i rezultatit të zgjedhjeve. Sistemi zgjedhor proporcional  i  lejon votuesit të drejtën e vetëm një vote, për subjektin politik që ai preferon dhe nuk lejon akses për të trafikuar votën e zgjedhësit. Zgjedhësi ka vetëm një alternativë. Prandaj rezultati i zgjedhjeve mbetet real dhe në proporcion me numrin e votave të fituara nga çdo parti politike apo subjet zgjedhor.

Duhet të theksohet se sistemi proporcional korigjon dhe një të metë tjetër. Në Kuvend në të gjitha legjislaturat ka pasur një numër të konsiderushëm deputetësh të cilët nuk kanë përfaqësuar integritet personal dhe intelektual, por kanë fituar mandatin vetëm nga sigla e partisë për të cilën kanë kandiduar.

Votuesit përgjithësisht kanë votuar për subjektin politik dhe jo për kandidatin, siç është përcaktuar në sitemin e ri të zgjedhjeve. Formula për përcaktimin e mandateve për subjektet zgjedhore bazohet në pjestimin në mënyrë të vazhdueshme të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme në një zonë zgjedhore  me numra natyrorë të njëpasnjëshëm, duke filluar nga numri një dhe duke përfunduar me numrin natyror që i korespondon numrit të mandateve të zonës zgjedhore. Secili subjekt zgjedhor përfiton një numër mandatesh  të barabartë me numrin e herësve që përfiton.Me sa shihet duke zbatuar një formulë të tillë sistemi i ri i zgjedhjeve ka synimin të rrisë pragun e votave që duhet të fitojë një subjekt zgjedhor për t’u përfaqësuar në organin përfaqësues. Pra arrihet dhe synimi tjetër që harta politike e parlamentit të jetë e përafërt me hartën politike të vendit. Kjo do të eleminojë nga harta politike parti pa elektorat, të cilat deri tani janë përfaqësuar në Kuvend për shkak të deformimit elektoral. Përfundimisht mendoj se sitemi zgjedhor proporcional përshtatet më mirë me zgjedhësit dhe do të sjellë një rezultat më të drejtë zgjedhor duke siguruar stabilitet politik dhe qeverisje të qëndrueshme. Por kjo mbetet për t‘u provuar në zgjedhjet e ardhshme të qershorit 2009.

Literatura

1.       Kushtetuta e RSH-së 1998.

2.       L. Omari „Sistemi parlamentar” Tiranë 2000.

3.       A. Anastasi “E drejta kushtetuese”, 2003.

4.       Xh. Zaganjori  “Demokracia dhe shteti i së drejtës”, Tiranë 2002.

5.       Kushtetuta e RSH-së e ndryshuar me ligjin 9904 dt 21.04.2008.

6.       Ligji 9904 dt. 21.04.2008.

7.       Ligji 10019 dt. 29.12.2008 (Kodi Zgjedhor).

8.       Revista “E drejta parlamentare dhe politikat ligjore“ nr. 6, 2005.

9.       Buletin i zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin e Shqipërisë 2001 f.704.

10.     Studime juridike nr.2/2004.

11.     Studime juridike  nr.1 / 2005.

12.     Kodi Zgjedhor 2000.

13.     Kodi Zgjedhor 2003.

14.     Kodi Zgjedhor 2005.

15.     Vendime të Gjykatës Kushtetuese “Procesi zgjedhor 2001”.

16.     Fletorja Zyrtare 1992 nr. 2.

17.     Eelez Biberaj “Shqipëria në tranzicion”.

18.     Permbledhje e Fletoreve zyrtare 1990 –2005.

19.     A. Luarasi.

Referate dhe kumtesa në Konferencën Ndërkombëtare për sfidat e sistemit kushtetues, Shkodër – Mars 2009.Marre  nga faqja: www.magjistratura.edu.al.

Shënim I Stafit I DrejtesiaShqiptare.com:

E drejta e autorit mbetet i  autorit të punimit . Opinionet e shprehura  dhe studimet  juridike  e publikuara në këtë Website janë të autorëve përkatës  qe I upload ato.Ne nuk pranojme asnjë përgjegjësi për pikëpamjet, vërtetësinë e informacionit që përmbajnë artikujt që publikon dhe shkeljet e se drejtës së autorit.

Kushdo që ka ndonje ankese  rreth  së  drejtës  së autorit ne publikimet e ketij website,  është I lutur dërgoje një email  tek kontakt@drejtesiashqiptare.com.  Ne do ta  shqyrtojmë me përgjegjesi ankesën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

three × four =

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Powered by WordPress | Designed by: Dog Groomer | Thanks to Assistant Manager Jobs, Translation Jobs and New York Singles