Garantimi konstitucional i të drejtave procedurale civile-Ilir Duhanxhiu

 Gjykimi i drejtë dhe i paanshëm, si rezultat i procesit të rregullt dhe të drejtë, është një çështje shumë e rëndësishme dhe mjaft e trajtuar. Një çështje e tillë, në kuadrin e shtetit ligjor, ka gjetur shprehje dhe në Kushtetutë e Republikës së Shqipërisë, ku përcaktohet se „e drejta përbën bazën e shtetit ligjor“. Të tilla parashikime synojnë në vetvete që jo vetëm të garantojnë një veprimtari ligjore normale të shtetit, por dhe në ato raste kur vërehen shkelje apo mos respektim i të drejtës, organet e specializuara të garantojnë nëpërmjet një procesi të rregullt dhe të drejtë, dhënien e drejtësisë së munguar apo të mohuar, gjithmonë në respektim të parimeve bazë mbi të cilat drejtohet apo bazohet veprimtaria e gjykatave në procesin gjyqësor, si organe të specializuara dhe të ngarkuar nga Kushtetuta dhe ligji për të dhënë drejtësi. Të tilla parime bazë, mbi të cilat duhet të mbështetet gjykata gjatë procesit civil, burojnë qoftë drejtpërdrejtë nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ç’ka do të thotë se janë të parashikuara në dispozitat e saj, qoftë dhe jo në mënyrë të drejtpërdrejtë (nga interpretimi i dispozitave të saj), apo që nuk burojnë nga Kushtetuta, pra, që janë parashikuar në ligje të veçanta, si Kodi i Procedurës Civile, dhe mosrespektimi i tyre, konsiderohet si një shkelje e rëndë e parimeve kushtetuese dhe e shtetit të së drejtës. Çështja e garancive në procesin civil dhe parashikimet kushtetuese te ketyre garancive, janë trajtuar edhe më parë

(para viteve ‘90) por gjithmonë janë bërë në këndvështrimin e një shtetit totalitar, dhe ku gjykata nuk kishte rolin që ka sot. Ishte ajo, që në shumë raste përcaktonte se cilat prova duheshin bërë pjesë e procesit dhe cilat jo. Pavarësisht disa momenteve, mund të thuhet me bindje se garanci të vërteta kushtetuese proceduriale nuk kishte, pasi mungonte pikë së pari parimi i ndarjes së pushteteve. Pushteti në atë kohë konsiderohej “i vetëm, unik që buron nga…. populli dhe prandaj dhe dhënia e drejtësisë nuk formonte tnjë pushtet të veçantë…”,  parimet mbi të cilat bazohet sot procedimi civil as nuk mund të mendoheshin që të ishin pjesë e tij. Pas viteve ‘90 me miratimin e ligjit “Për dispozitat kryesore kushtetuese” u tentua të korrigjoheshin të tilla mangësi, duke parashikuar elementë garantues për një proces të drejtë, në të cilat do të mbështetej ky i fundit, që për kohën ishin shumë të evoluara. Kështu mund të pëmendimin “Parimi themelore i organizimit shtetëror është ndarja e pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe atij gjyqësor”, “barazinë përpara ligjit” apo ”pavarësinë e gjykatave”. Në frymën e shtetit ligjor dhe të së drejtës, edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të miratuar në 1998, kanë zënë vend një sërë garacish, mbi të cilat duhet dhe bazohet procesi civil, që drejtohen në garantimin e palëve për respektimin e të drejtës së disponimit, kontradiktoritetit, në garantimin e vendimeve të drejta dhe ligjore, pavarësinë e gjykatës, garancinë për karakterin publik të gjykimit, garancinë për respektimin e një afati të arsyeshëm në dhënien e drejtësisë etj. Konkretisht le t‘i trajtojmë me radhë, disa prej tyre:

Garancia për pavarësinë e gjykatës, që gjykon çështjen

Një garanci e tillë buron drejt për drejtë nga Kushtetuta e RSH-së duke siguruar drejtësinë e procesit, si dhe duke garantuar palët për paanshmërinë e gjyqtarit që shqyrton çështjen në pozicionin e tij si arbitër, pa u lidhur dhe u ndikuar nga palët. Kështu nenin 42 pika 2 të Kushtetutës sonë përcaktohet se: ”Kushdo…ka të drejtën e një gjykimi të drejtë….nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e caktuar me ligj”. Në këtë drejtim, nenin 145 parag. 1 të Kushtetutës jep në mënyrë të shprehur që “1.Gjyqtarët janë të pavarur dhe u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve…” dhe konsiderohet si një ndër garancitë kryesore për një gjykim të paanshëm dhe të drejtë.  E njëjta garanci gjen shprehje edhe në ligjin 9877, datë 18.02.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”. Ky parashikim kushtetues, është një garanci më shumë në punën e gjyqtarëve, për pavarësi në vendimarrje nga ana e tyre, duke shmangur ndikime të mundshme që do sillnin si rezultat, dëmtimin e procesit gjyqësor. Parashikime të tilla kushtetuese, janë në përputhje të plotë dhe me përcaktimet që bëhen në nenin 6 të Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore (e njohur si Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut), ku theksohet paanshmëria dhe pavarësia e gjykatave në vendimarrje. Pavarësisht garancive kushtetuese dhe ligjore, në praktikën tonë janë hasur raste të mungesës së respektimit të tyre. Vendimet gjyqësore, janë marrë, në disa raste, në mungesë të plotë të respektimit të tilla garancive, duke ndikuar drejt për drejtë në ligjshmërinë dhe drejtësinë e procesit gjyqësor, por që kanë gjetur mundësi “korrigjimi” në Gjykatën Kushtetuese, e cila ka përcaktuar më së miri se, vendime të tilla gjyqësore janë dhënë në kundërshtim me parimet kryesore kushtetuese, çfarë sjell edhe antikushtetueshmërinë e tyre. Kështu Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj nr. 15 të vitit 2007 shprehet:

“Jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese ka pranuar si detyrim kushtetues gjykimin e paanshëm nga gjykatat…“. Gjykata Kushtetuese është shprehur se: “Në vendimin e saj, gjykata e Apelit nuk i jep përgjigje argumenteve të parashtruara … nga pala e paditur, duke krijuar dyshime se ajo në zgjidhjen e kësaj çështje ka qenë e njëanshme”. Më tej vendimi shprehet se “… në këtë proces nuk është respektuar parimi i paanësisë në gjykim, që në rastin konkret reflektohet në drejtim të pranimit në mënyrë të njëanshme të kërkesave vetëm të njërës palë, pa dhënë argumente ligjore si dhe të mosdhënies përgjigje dhe të mosanalizimit të argumenteve që ka parashtruar pala tjetër”. Pra siç shihet, garancia për pavarësinë e gjyqësorit, si parashikim kushtetues, synon në sigurimin që gjyqtarët në vendimet që japin, të mos jenë nën ndikimin e njërës apo tjetrës palë, apo dhe të pushteteve të tjera, duke krijuar bindjen e plotë dhe duke rritur njëkohësisht besimin tek publikut mbi drejtësinë e vendimeve që japin, duke i mundësuar atyre (me qëndrim të pavarur dhe të paanshëm) mbrojtje në mënyrë të barabartë.

Garancia për respektimin e parimit kontradiktoritetit në procesin civil

Debati gjyqësor ose kontradiktoriteti në procesin civil (“audiatur et altera pars” që në një kuptim do të thotë “le të dëgjohet edhe pala tjetër”), përbën një prej parimeve themelor në proces, ku palëve duhet t‘u jepet mundësia për t‘u dëgjuar mbi pretendimet e tyre, e cila është në përputhje me parashikimin Kushtetues neni 33 -”Kushdo ka të drejtë të dëgjohet para se të gjykohet”. Pra, kontradiktoriteti është zhvillimi i gjykimit në mënyrë kontradiktore, që nënkupton se: ”…ai që ngre një padi i parashtron gjykatës faktet mbi të cilat ai bazon kërkimet e tij dhe paraqit dhe prova për të vërtetuar këto fakte kurse ana kundërshtare ka dhe ajo të drejtë të kundërshtojë këto fakte dhe të paraqit prova kundër këtyre fakteve ose të parashtrojë pretendimet që kundërshtojnë faktet e parashtruara nga ana tjetër”. Po në kuadër të respektimit të këtij parimi, në Kodin e Procedurës Civile të RSH-së përcaktohet që ”Asnjë palë nuk mund të gjykohet pa u dëgjuar ose pa u thirrur në gjykim”.  Gjithashtu, shprehje në mënyrë të drejtë për drejtë, një parim i tillë, e gjen në nenin 20 të K.Pr.Civile “Gjykata duhet të ndjekë dhe të kërkojë të zbatohet parimi i kontradiktoriteti”. Mos parashikimi në Kushtetutë, në mënyrë të drejtë për drejtë, nuk nënkupton rëndësi më të vogël në raport me parimet e tjera, pasi një parim i tillë, ka lidhje të drejt për drejtë me parimin e një gjykimi të drejtë ligjor dhe mosrespektimi i tij, do të sillte një proces jo të rregullt, pra antikushtetues. Në një interpretim të tillë, ky parim mund të konsiderohet, se buron në mënyrë jo të drejt për drejt nga Kushtetuta, por, pavarësisht se nuk përbën një garanci të drejt për drejtë kushtetuese, respektimi i tij është domosdoshmëri, pasi, çdo vendim që do të merrej në mungesë të tij, do të konsiderohej në kundërshtim me përcaktimet dhe parimet e tjera kushtetuese. Në këtë frymë, Gjykata Kushtetuese në vendimet e saja  ka përcaktuar që gjykata ka detyrimin për të njoftuar palët në proces, për ti krijuar mundësinë që ato të dëgjohen dhe të mbrohen me mjetet ligjore të parashikuara, gjithmonë në kuadër të respektimit të parimit të kotradiktoritetit, si garanci për një proces të rregullt ligjor.

E drejta e disponimit nga ana e palëve

E drejta e disponimit, apo siç njihet ndryshe parimi i disponimit të palëve, që do të thotë “…mundësia që ka çdo përson që të përdorë objektin e padisë d.m.th. të drejtën materiale si dhe mjetet gjyqësore d.m.th. rrugën gjyqësore për ruajtur apo mbrojtur një të drejtë… që nuk duhet të vijë me të drejtën e ligjshme të përsonave të tjerë…” , nuk është një parim që rrjedh drejt për drejtë nga Kushtetuta jonë. Nuk ka një përcaktim konkret mbi të drejtën e disponimit, në dispozitat kushtetuese. Megjithatë, pavarësisht kësaj mungese, nuk nënkuptohet që një parim i tillë nuk ka mbështetje apo parashikim ligjor. Kjo, nxirret nga konteksti dhe interpretimi i dispozitave  Kushtetuese, si dhe me një referim në dispozitat e Kodit të Procedurës Civile , dispozita e të cilit duhet të jenë në përputhje me parashikimet Kushtetutese dhe jo në kundërshtim me to.  Kështu, ndër parashikimet e tjera, në kuadër të së drejtës së disponimit të palëve, mund të përmendimin nenin 23 që përcakton; “Palët janë të lira të ndërtojnë mbrojtjen e interesave të tyre në gjykim…”. Një mundësi e tillë shihet edhe në dispozita të tjera të këtij Kodi, që nënkupton mundësinë që kanë palët në procesin gjyqësor, pa u kufizuar, në të drejtën e tyre për tu mbrojtur në mënyrën që ata e shohin më të arsyeshme, apo të drejtën e për të hequr dorë nga pretendimet e ngritura, të pakësojnë objektin e padisë, të ndryshojnë bazën ligjore, kjo në kuadër të drejtave së tyre në këtë proces, por që gjithmonë duhet të jetë jo në kundërshtim me të drejtën e ligjshme të përsonave të tjerë. Praktika ka treguar se shkelje ligjore të kësaj natyre, në proceset gjyqsore, ka pasur, çfarë ka detyruar Gjykatën Kushtetuese, për çështjet që i janë paraqitur për shqyrtim, të sjell në vëmendje të gjykatave detyrimin për të respektuar një parim të tillë. Ajo në vendimet e saj ka qëndruar konseguente, duke përcaktuar dhe ritheksuar detyrimin e respektimit të parimeve bazë të procedimit nga ana e gjykatave, për të garantuar një proces të rregullt ligjor.

E drejta për një procesi të rregullt ligjor

Ashtu siç u theksua më sipër, garantimi i një procesi të rregullt ligjor është dhe duhet të jetë detyrimi dhe pikësynimi kryesor i gjykatave tona. Kështu, një detyrim i tillë, gjen shprehje në nenin 42 pika 2 të Kushtetutës, ku fiksohet garancia apo e drejta e personit për një proçes të drejtë -”Kushdo, për mbrojtjen e të drejtave, të lirive dhe të interesave të tij kushtetues dhe ligjorë…ka të drejtën e një gjykimi të drejtë…”. Të njëjtin parashikim e hasim edhe në K.Pr.Civile Neni 28 i tij – “Gjykata duhet të shprehet…duke realizuar një gjykim të drejtë…”. Një garancie e tillë, gjen shprehje edhe në nenin 6 të KEDNJ “…çdo person ka të drejtën që çështja e tij të dëgjohet drejtësisht “. Kjo nënkupton detyrimin e zbatimit të të gjitha parimeve apo garancive, që sigurojnë një proces të rregullt ligjor, pasi është e lidhur ngushtësisht dhe me parimet e tjera, mbi të cilat bazohet procedimi civil, që shërbejnë si gurë themeli për dhënien e drejtësisë, nga ana e gjykatave tona.

Si garanci më shumë, për një proces të drejtë dhe ligjor, është dhe parashikimi kushtetues, që përcakton Gjykatën Kushtetuese si organi i garancive kushtetuese. Kështu, në nenin 131 gërma „f“, shprehet se;

“Gjykata Kushtetuese vendos për:…

„…gjykimin përfundimtar të ankesave të individëve për shkeljen e të drejtave të tyre kushtetuese për një proves të rregullt ligjor”. Është ky organi më i lartë në RSH që përcakton kushtetueshmërinë apo jo dhe të vendimeve të gjykata tona “…pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike për mbrojtjen e këtyre të drejtave”. Një parashikim i tillë kushtetues (mundësia e Gjykatës Kushtetuese për të gjykuar mbi shkeljet e të drejtave kushtetuese të individëve) tregon rëndësinë që i jepet respektimit të parametrave të një gjykimi të drejtë dhe ligjor.

Garancia për gjykimin publik të çështjes

Gjykimi publik i çështjeve ka një rëndësie të madhe pasi, nëpërmjet zhvillimit të procesit me dyer të hapur, rritet sensibiliteti i shtetasve në raport me të drejtën. Një aspekt tjetër i rëndësishëm është garancia, që jep zhvillimi me dyer të hapur i procesit, në raport me gjykime të rregullta dhe vendimarrje të drejtë nga ana e gjykatës, duke iu referuar vetëm përcaktimeve kushtetuese dhe ligjeve në fuqi. Pavarësisht një detyrimi të tillë, janë parashikuar gjithashtu dhe raste të lejimit të gjykimit me dyer të mbyllura, por gjithmonë për raste krejtësisht të kufizuara dhe të mirë përcaktuara. Kështu, përcaktohet që, të pranishëm mund të jenë vetëm qytetarët e moshës madhore, dhe kjo me synimin e vetëm, të mbrojtjes së përsonave nën 16 vjeç për shkak të zhvillimit të tyre. Përcaktime më të hollësishme të rasteve se kur lejohet gjykimi me dyer të mbyllura, pra, gjykimi jo publik, gjenden në nenin 173 parag. 2 të K.Pr.Civile, ku jepen rastet e zhvillimit të gjykimit me dyer të mbyllura. Por, pavarësisht këtij parashikimi, të bërit publik të vendimit gjyqësor është një detyrim kushtetues, i fiksuar në Nenin 146 të saj pika 2 -”Vendimet gjyqësore shpallen publikisht në çdo rast”. Në përputhje me dispozitën kushtetuese është dhe përcaktimi që bëhet në nenin 173 parag. i fundit të K.Pr.Civile: “…Vendimi shpallet publikisht”. Të tilla parashikime kushtetuese dhe ligjore, janë në një linjë me ato që bëhen në në Nenin 6 të KEDNJ-së dhe më saktë:  “Vendimet duhet të jepen publikisht, por prania në sallën e gjykatës mund t’i ndalohet…në shkallë që çmohet tepër e nevojshme nga gjykata, kur në rrethana të veçanta publiciteti do të dëmtonte interesat e drejtësisë”. Detyrimi i të bërit publik të vendimit, pavarësisht procedimit me dyer të mbyllura apo jo, shihet si garanci për rritjen sensibilitetit të shtetasve në raport me të drejtën dhe për gjykime apo vendimarrje të drejtë nga ana e gjykatës.

Barazia mes palëve dhe barazia e mjeteve të mbrojtjes

Gjykata gjatë shqyrtimit të çështjes, duhet që t‘u japë mundësinë palëve, që të mbrohen me mjete të barabarta, për aq sa është e mundur, duke shmangur favorizimin e njërës apo tjetrës, pra, trajtimin në pozita dhe mënyrë të barabartë të tyre. Një trajtim të tillë, Gjykata Kushtetuese e ka bërë në vendimet e saj, duke përcaktuar detyrimin e gjykatës, që në kuadër të ekuilibrit të procesit, të trajtojë palët në mënyrë të barabartë. Kështu, në vendimin nr. 15 të vitit 2007  Gjykata Kushtetuese shprehet: “Ekuilibri në proces, pranimi i barazisë së armëve duke mos lejuar avantazh të konsiderueshëm të njërës palë ndaj tjetrës, janë kërkesa të cilat janë pranuar edhe nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut si elementë të rëndësishëm që kanë të bëjnë me paanshmërinë e në analizë të fundit me procesin e rregullt ligjor…”. Në një linjë, me vendimin e mësipërm është edhe vendimi nr. 22 të vitit 2007.  Aspekti tjetër i barazisë së palëve, që ka të bëjë me barazinë e armëve, në mbrojtje të interesave të tyre të ligjshme, gjen shprehje në praktikën e Gjykatës Kushtetuese, e cila thekson se  “…barazia e armëve është një aspekt i rëndësishëm i konceptit të procesit të rregullt ligjor në kuptimin kushtetues. Ky parim nënkupton që secilës palë në proces t’i jepet një mundësi e arsyeshme për të paraqitur çështjen e vet (ku përfshihet edhe paraqitja e provave nga ana e saj), në kushte që nuk e vendosin atë në një disavantazh të dukshëm në raport me palën tjetër….”. Kjo do të thotë që gjykata në gjykimin e saj është e detyruar të marrë në shqyrtim provat e palëve në proçes, pa anashkaluar apo shmangur vlerësimin e provave të njërës apo tjetrës, duke synuar kështu në respektimin edhe të një garancie tjetër kushtetuese e përcaktuar në nenin 18 të Kushtetutës së R.SH. “1. Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit”. Në frymën e barazisë së trajtimit të palëve në procesin gjyqësor, shihet dhe përcaktimin që bëhet në nenin 1 i K.Pr.Civile, ky kod “…cakton rregulla të detyrueshme, të njëjta dhe të barabarta…”. Pra, respektimi nga ana e gjykatës, i parimit të barazisë mes palëve, gjatë shqyrtimit gjyqësor, është një element garantues për këto të fundit, për vendime të drejta dhe të bazuara në ligj, duke rritur besueshmërine ndaj këtij pushteti.

Gjykimi i çështjes brenda një kohe të arsyeshme

Gjykimi i çështjes brenda një afati të arsyeshëm, është shumë i rëndësishëm dhe përbën një garanci kushtetuese dhe që buron drejt për drejtë nga ajo. Kështu, në neni 42 të Kushtetutës përcaktohet se -”Kushdo, ka të drejtën e një gjykimi…brenda një afati të arsyeshëm…”. Vonesat në procesin gjyqësore sjellin ndoshta në disa raste edhe mohimin e së drejtës, duke u bazuar në një parim të lashtë – “drejtësi e vonuar, drejtësi e mohuar..” Të njëjtin përcaktim, me atë të dispozitat kushtetuese, bën dhe Neni 28 i K.Pr.Civile ku “Gjykata duhet të shprehet…brenda një afati të arsyeshëm”. Të tilla përcaktime, janë në përputhje me ato që bëhen në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, më konkretisht në nenin 6 të saj – “çdo person ka të drejtë që çështja e tij të dëgjohet…brenda një afati të arsyeshëm”,  gjë e cila, në disa raste, ka shkaktuar prishjen e vendimeve gjyqësore, që në kontekstin e përgjithshëm kanë rezultuar në kundërshtim me këtë parim. Përsa i përket përcakimit apo të arsyetimit, për kohën e arsyeshme të gjykimit, apo se kur një vendim duhet të konsiderohet në kundërshtim ose jo të këtij parimi, duhet tu referohesh disa elementëve të rëndësishëm tregues, si: “…

a) kompleksiteti i çështjes.

b) interesi që mund t’i jetë cënuar aplikuesit.

c) mënyra e shqyrtimit të çështjes nga autoriteti gjyqësor.

d) sjellja e vetë aplikuesit…”.

Sa rezulton më sipër, përcaktimi i kohës së arsyeshme të gjykimit, është produkt i trajtimit dhe marrjes në konsideratë të një kompleksiteti faktorësh, që ndikojnë drejt për drejt në ecurinë e procesit gjyqësor, pra në kohën e nevojshme për një vendim gjyqësor të drejtë dhe në përputhje me të gjitha garancitë kushtetuese ose jo, për një proces të drejtë dhe ligjor.

Garancitë e mësipërme, përbëjnë bazën kryesore, mbi të cilat bazohet dhe zhvillohet procesi civil, por që nuk do të thotë se janë të vetmit elementë garantues të procesit të rregullt ligjor. Shkenca e së drejtës ka evidentuar, gjithmonë kjo, referuar dhe ndryshimit apo zhvillimit të marrëdhënieve në qarkullimin civil, edhe një sërë elementësh të tjerë që sigurojnë dhe që ndikojnë në ligjshmërinë e procesit. Ato, nuk mund të shihen të ndara me parimet apo garancitë e trajtuara më sipër,  pasi qëndrojnë të lidhura ngushtë, si elementë të përbashkët të një qëllimi – garantimin e një procesi gjyqësor në pëputhje të plotë me parimet kushtetuese.

Literatura

-  Kushtetura e Republikës së Shqipërisë, Tetor 1998.

-  Kodi i Procedurës Civile të Republikës së Shqipërisë, Mars 1996.

- Alqiviadh Lamani – Procedura Civile e Republikës Popullore të Shqipërisë.- Tiranë 1961.

-  Stavri ÇEÇO -  E drejta proceduriale Civile e R.P.S.SH, Tiranë 1989.

-  Prof. Dr. Faik Brestovci – E drejta Procedurale Civile, Prishtinë 2006 (Universiteti i Prishtinës – Fakulteti Juridik).

- Crisanto Mandrioli – Corso di diritto processuale civile – P I, PII – Torino 1997.

-  Kodice i Procedurës Civile Italiane (titulli origjinal – Codice di Procedura Civile).

-   Sokol Sadushi – Kontrolli Kushtetues, Tiranë 2004.

-  Aurela Anastasi – Historia e të Drejtës Kushtetuese në Shqipëri (1912-1939), Tiranë 2007.

-  Eni Çobani – Të drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut (Cikël leksionesh dhe pjesë nga aktet themelore), Tiranë 2002.

-   Ledi Bianku – Jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut, Tiranë 2007.

- Francesco Galgano -  E drejta private, Luarasi – Tiranë 1999 (financuar nga Fondacioni „Soros“).

-  Vendime të Gjykatës Kushtetuese dhe V.U. të Gjykatës së Lartë.

Referate dhe kumtesa në Konferencën Ndërkombëtare për sfidat e sistemit kushtetues, Shkodër – Mars 2009.Marre  nga faqja: www.magjistratura.edu.al.

Shënim i Stafit i DrejtesiaShqiptare.com:

E drejta e autorit mbetet i  autorit të punimit . Opinionet e shprehura  dhe studimet  juridike  e publikuara në këtë Website janë të autorëve përkatës  qe I upload ato.Ne nuk pranojme asnjë përgjegjësi për pikëpamjet, vërtetësinë e informacionit që përmbajnë artikujt që publikon dhe shkeljet e se drejtës së autorit.

Kushdo që ka ndonje ankese  rreth  së  drejtës  së autorit ne publikimet e ketij website,  është I lutur dërgoje një email  tek kontakt@drejtesiashqiptare.com.  Ne do ta  shqyrtojmë me përgjegjesi ankesën.

One Response to Garantimi konstitucional i të drejtave procedurale civile-Ilir Duhanxhiu

  1. sonila peza says:

    pershendetje
    nese keni ndonje info te detajuar per parimin e kontradiktoritetit ne procedure civile.
    flm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

twelve + sixteen =

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Powered by WordPress | Designed by: Dog Groomer | Thanks to Assistant Manager Jobs, Translation Jobs and New York Singles