Pronësia intelektuale, një koncept i hershëm dhe modern- Kreshnik Bello

Historia e njerëzimit është bazuar mbi aplikime të imagjinatës, novacioneve dhe krijimtarisë, d.m.th. në njohuritë ekzistuese, dhe kjo është bërë për të zgjidhur probleme të ndryshme. Janë të panumërt shembujt se si imagjinata e individëve në botë ka bërë të mundur progresin e sotëm teknologjik, përgjatë zhvillimit të historisë së njerëzimit. Sikurse për shkencën, imagjinata është burim i progresit edhe në art. Muzika, piktura, skulptura, arkitektura dhe punët e tjera artistike, janë krijuar nga individë të cilët nuk kënaqen me të vjetrën, por i shohin dhe i shprehin gjërat me mënyra të reja dhe rinovuese. Pronësia intelektuale (PI) është termi që përshkruan idetë, shpikjet, teknologjitë, punimet artistike, muzikën dhe letërsinë, të cilat janë fillimisht të pakuptueshme kur krijohen, por që bëhen me vlerë, kur formohen si produkte. Pronësia intelektuale është aplikimi komercial i mendimeve imagjinare, për të zgjidhur një sfidë artistike ose teknike, ajo nuk është produkt në vetvete, por një ide specifike prapa tij, mënyra se si ajo shprehet, emërtohet, përshkruhet. Pronësia intelektuale rrjedh nga bazat e risive në njohuritë ekzistuese. Ajo është rezultat i përmirësimit krijues mbi atë çfarë ka funksionuar mirë në të kaluarën, ose i shprehjeve të reja krijuese të ideve dhe koncepteve të vjetra. Në vendin tonë, pronësia intelektuale, në kuptimin e plotë të saj është një koncept i ri. Vetëm pas viteve ‘90’, shteti ka filluar të merret me çështje të pronësisë intelektuale dhe për elementë të ndryshëm të saj, kanë dalë edhe ligje, që përgjithësisht janë të përditësuara me legjislacionin perëndimor. Sidoqoftë, për një pjesë të elementëve të pronësisë intelektuale, ende në vendin tonë nuk ka njohuri, dhe në përgjithësi pronësia intelektuale ende nuk ka fituar statusin që meriton.

1.   Një historik i shkurtër i pronësisë intelektuale

Shumë pak njerëz nuk do të jenë dakord që shkenca, teknologjia dhe artet kreative të sotme përcaktojnë jetën tonë të përditshme. Zbulimet e hershme teknologjike e nxorën njerëzimin prej sistemit feudal, dhe në 100 vitet e fundit lidershipi teknologjik është bërë një faktor përcaktues në krijimin e pasurive dhe ka nxitur rritjen e kombeve.Që prej ritualëve më të hershme, që nga fillimet e muzikës dhe vallëzimit, riteve mortore, pikturimit të shpellave, fjalës së shkruar, përfaqësimit teatral, deri në përdorimin e teknologjive moderne të tilla si, filmi në celuloid, transmetimet jo kabllore, software-t, regjistrimi dixhital etj, njeriu ka identifikuar dhe përcaktuar veten e tij nëpërmjet krijimtarisë dhe shprehjes së veprimtarisë kulturore, në formën e veprave dhe performancës artistike. Shumë prej këtyre veprimtarive kanë mbijetuar deri më sot, dhe janë mishëruar në folklor ose në forma të tjera të njohurive tradicionale, sidoqoftë, vlera e tyre e veçantë është që trashëgimia e përpjekjeve humane jeton në shprehjen e tyre.

Pronësia intelektuale është një koncept i vjetër. Ligji Venecian i vitit 1474, shpesh është referenca, për sa i përket përqasjes sistematike fillestare në mbrojtjen e shpikjeve prej një lloj forme patentë, ndërkohë që përcakton një të drejtë ekskluzive të një individi, duke eliminuar për herë të parë, interesin publik.

Para 1800-ës, megjithëse shembuj të përqendrimit industrial mund të identifikohen nga disa vende Europiane, rritja e prodhimit ishte më shumë një çështje e prodhimit artizanal në shkallë të vogël, se sa e metodave dhe organizmave të reja radikale. Sidoqoftë, midis viteve 1750 dhe 1870, Europa pësoi ndryshime të thella, ku midis tjerave mund të përmendim: rritjen e qyteteve, ndërtimin e hekurudhave, investimin e kapitalit dhe rritjen e ekonomisë transoqeanike. Sidoqoftë, në Europë elementët kryesorë të pronësisë intelektuale ende ishin në fillimet e tyre. Ndërkohë që kolonitë Amerikane, kishin ligje që jepnin patenta shumë kohë më  përpara shpërthimit të revolucionit Amerikan në vitin 1775, dhe shumë shpejt pas revolucionit, 12 prej 13 kolonive origjinale adoptuan ligje mbi të drejtën e autorit.

Duke iu drejtuar fundit të shekullit XIX, shumë faktorë çuan në një industrializim në shkallë të madhe, të mbështetur prej idealeve të reja të industrializimit, lindjes së qeverive të centralizuara, dhe nacionalizmit të fortë. Këto zhvillime udhëhoqën shumë vende në krijimin e ligjeve të para moderne për patentat dhe të drejtat e autorit. Sidoqoftë, zhvillimi i konceptit modern të pronësisë intelektuale (PI), nuk ka qenë gjithmonë i drejtpërdrejtë. Në shekullin XIX, lëvizjet e tregtisë së lirë, të cilat grishnin për lënien mënjanë të sistemeve të patentave, gjetën mjaft mbështetje. Por vala e fuqishme e nacionalizmit që karakterizoi periudhën, duket se ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbështetjen e njohjes dhe ruajtjes së ligjeve moderne të pronësisë industriale.

Përdorimi më i hershëm i termit pronësi intelektuale, duket se ka qenë në Tetor  të vitit 1845, në një çështje gjyqësore në Massachusetts, në rastin e patentës Davoll et al. v Brown, në të cilën gjykatësi Charles L Woodbury shkroi që “vetëm në këtë mënyrë ne mund të mbrojmë pronësinë intelektuale, punën e mendjes, prodhimtarinë dhe interesat që një njeri zotëron ….. sikurse gruri që ai kultivon, sikurse tufa që ai rrit”. Në Europe, autori francez A. Nion përmendi “propriete intellectuelle” në publikimin e tij të vitit 1846, Droits civils des auteurs, artistes et inventeurs.  Ndërsa popullariteti modern i termit, është një fenomen i kohëve të fundit. Ai hasej rrallë deri në vitin 1967, kur u themelua Organizata Botërore e pronësisë intelektuale (WIPO), e cila në mënyrë aktive u përpoq të promovonte termin.

2.   Traktatet e para ndërkombëtare të pronësisë intelektuale: i Parisit dhe i Bernës

Në gjysmën e dytë të shekullit XIX, të mirat dhe punëtoret që kalonin kufijtë nacionalë, sollën një valë globalizmi për fuqitë industriale. Megjithëse ishin nxjerrë ligje për patentën, në disa vende filloi të ndihej kërkesa për mbrojtjen ndërkombëtare të shpikjeve. Në fakt, ekzibicionistët e huaj, refuzuan të ndiqnin ekspozitën ndërkombëtare të shpikësve në Vjenë, në vitin 1873, sepse ata ishin të fiksuar që idetë e tyre do të vidheshin dhe do të shfrytëzoheshin komercialisht në vendet e tjera. Ky incident rezultoi në lindjen e konventës së Parisit për mbrojtjen e Pronësisë Industriale, në vitin 1883 – traktati i parë kryesor ndërkombëtar, i krijuar për të ndihmuar individët e një vendi të siguronin mbrojtjen në vende të tjera për krijimet e tyre intelektuale. Një mbrojtje e tillë mori formën e të drejtave të Pronësisë Industriale, në formën e patentave, makinave dhe dizenjove industriale.

Në mes të shekullit të XIX-të, autorë të mirënjohur po shikonin që veprat e tyre po prodhoheshin e shiteshin ilegalisht në vende të tjera, dhe për to, ata nuk merrnin ndonjë të ardhur. Me qëllim që të eliminonin këtë praktikë, autori i famshëm francez i Les Miserables dhe i The Hunchback of Notre Dame, Victor Hygo, organizoi një grup autorësh në Lidhjen Ndërkombëtare të Letërsisë, për të vendosur një formë të thjeshtë të mbrojtjes ndërkombëtare të punëve të tyre. Më 1886, për të siguruar bazën për njohje të ndërsjellë të së drejtës së autorit midis vendeve të ndryshme, një tjetër traktat ndërkombëtar i pronësisë intelektuale ishte krijuar, Konventa e Bernë-s, për mbrojtjen e punëve letrare dhe artistike. Thelbi i të dy konventave ishte parimi i trajtimit kombëtar, d.m.th “mbrojtje e njëjtë midis vendasve dhe të huajve”. Ky parim përcaktohet më së miri në tekstin e Konventës së Parisit.

3.   Disa elemente të pronësisë intelektuale

Pronësia intelektuale përbëhet prej një morie elementesh dhe konceptesh, të cilat, të marra së bashku përbëjnë pronësinë intelektuale. Elementet e saj, mbulojnë aspekte të fushave të ndryshme të jetës, shkencës, teknologjisë etj, duke përfaqësuar një tufë të drejtash për t’i krijuar ekskluzivitet mbajtësit të tyre. Disa prej elementeve të pronësisë intelektuale janë: e drejta e autorit, të drejtat morale, treguesit gjeografikë, të drejtat e dizenjove industriale, patentat, veshjet tregtare, markat.

A.   E drejta e autorit

E drejta e autorit mbron punët origjinale të autorësisë, të fiksuar në një medium të prekshëm të shprehjes, si dhe shumë punë të tjera. E drejta e autorit i siguron zotëruesit të saj të drejtat ekskluzive për ti riprodhuar dhe shpërndarë materialin ose për ta përdorur ose shfaqur atë publikisht, megjithëse një numër i kufizuar riprodhimesh të punës së mbrojtur mund të lejohet të bëhet prej të tjerëve për qëllime të ndryshme.Punët me të drejtë autori, mund të regjistrohen në zyrat e të drejtës së autorit. Shumë vende ofrojnë  mbrojtje të së drejtës së autorit pa regjistrim, ndërsa të tjerat ofrojnë pak ose aspak mbrojtje, sidomos për punët e shtetasve të huaj. Në pjesën më të madhe të vendeve të botës, kohëzgjatja e pranueshme për shumë punë e së drejtës së autorit, është gjithë jeta e autorit plus 50 ose 70 vjet. E drejta e autorit përgjithësisht mbaron në fund të vitit të fundit, sesa në datën ekzakte të vdekjes së autorit.

B.   Të drejtat morale

Nocioni i të drejtave morale është një nocion që ka lindur në vendet që aplikojnë të drejtën civile ose civil law. Vendet ndryshojnë nga njëri-tjetri për sa i përket mënyrës se si ato i përkufizojnë dhe i mbrojnë të drejtat morale. Franca mund të quhet vendi që i njeh në mënyrën më bujare këto të drejta. Ndërsa në vendet që aplikojnë common law, në përgjithësi ka pasur një ngurrim për njohjen e të drejtave morale.Të drejtat morale të autorit njihen edhe nga legjislacioni shqiptar. Sipas Ligjit tonë për të Drejtën e Autorit, autori ka këto të drejta morale:

1.       E drejta për t’u njohur si autor i veprës.

2.       E drejta për të mbetur anonim ose për të përdorur pseudonim.

3.       E drejta për të kundërshtuar çdo lloj shtrembërimi, heqje a ndryshim dhe çdo veprim tjetër përçmues ndaj veprës që do të cënonte nderin dhe emrin e autorit.

4.       E drejta për të kundërshtuar bashkautorësinë e vendosur në mënyrë arbitrare nga të tjerët.

C. Treguesit gjeografikë

Një tregues gjeografik, shpesh me shkurtimin GI, është një emër ose shenjë e përdorur mbi disa produkte, e cila korrespondon me një vendndodhje gjeografike specifike ose origjinë, si për shembull një qytet, një rajon ose një vend. Përdorimi i një GI-je, mund të veprojë si një çertifikatë, që tregon se produkti zotëron disa cilësi të caktuara ose gëzon një reputacion të caktuar në sajë të origjinës së tij gjeografike.Më shpesh, një tregues gjeografik përbëhet prej emrit të vendit të origjinës së të mirave. Produktet bujqësore, në mënyrë tipike, kanë cilësi që rrjedhin prej vendeve të tyre të prodhimit dhe që janë ndikuar prej faktorëve lokale specifikë, të tilla si klima, dhe toka. Treguesit gjeografikë mund të përdoren për një variantet të gjerë të produkteve bujqësore, të tilla si për shembull “Tuscany”për vajin e ullirit të prodhuar në një zone specifike të Italisë ose “Roquefort” për djathin e prodhuar në Francë. Sidoqoftë, përdorimi i treguesve gjeografik nuk është i limituar thjesht tek produkte bujqësore.

D.   Të drejtat e dizenjove industriale

Të drejtat e dizenjove industriale janë të drejta të pronësisë intelektuale, që mbrojnë dizenjon vizuale të objekteve. Një dizenjo industriale përbëhet prej krijimit të një forme, konfiguracioni ose kompozimi të modeleve ose ngjyrave, ose kombinimi i modeleve dhe ngjyrave në formë tredimensionale që përmbajnë vlera estetike. Një dizenjo industriale mund të jetë një model dy ose tredimensional, i përdorur për të prodhuar një produkt, një të mirë industriale ose artizanale. Dizenjo industriale aplikohen mbi një varietet të gjerë produktesh industriale dhe artizanale që nga instrumentet teknikë, deri tek orët, arturinat dhe artikuj të tjerë luksi. Që të mbrohet nën shumë ligje kombëtare, një dizenjo industriale duhet të “tërheq syrin”. Kjo do të thotë që një dizenjo industriale ka fillimisht një natyrë estetike, dhe nuk mbron ndonjë veçori teknike të produktit mbi të cilin ajo është aplikuar.

E.    Patenta

Një patentë është një set i të drejtave ekskluzive, i dhënë prej një shteti një të patentuari, për një periudhë kohe të fiksuar, në shkëmbim të bërjes publike në mënyrë të rregulluar të disa detajeve të disa  pajisjeje, metode, proçesi ose përbërje të një substance, e cila është e re e dobishme dhe që sjell risi, ose e aplikueshme në industri.

Një patente e dhënë i ofron mbajtësit një status mbi teknologjinë e patentuar dhe proçesin e patentuar, për një periudhë kohe ngas 15 deri 20 vjet, në varësi të shtetit ku mbrohet. Ligjet e dhënies së patentave në Amerikë dhe Japoni, japin një shembull të ndryshimeve ligjore në këto shtete si dhe implikimet e tyre për kompanitë. Ndryshimi më thelbësorë midis dy shteteve, është në parimet “first-to-file” dhe “first-to-invent”. Ndërsa shumica e shteteve ndjek parimin e “first-to-file” vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Filipinet ndjekin parimin e “first-to-invent”.

F. Veshjet tregtare

Veshjet tregtare u referohen karakteristikave të paraqitjes vizuale të një produkti ose paketimi të tij (ose madje fasada e një ndërtese, si për shembull një restorant), e cila mund të jetë regjistruar dhe mbrojtur, përballë të qenit e përdorur prej konkurrentëve, me të njëjtën mënyrë si marka. Këto karakteristika përfshijnë formën tredimensionale, dizenjon grafike, kolorin, ose madje aromën e një produkti dhe/ose paketimin e tij.

Ekzistojnë dy kërkesa të thjeshta që duhen të plotësohen për mbrojtjen e veshjeve tregtare. E para është, që ato veçori duhet të jenë të afta të funksionojnë si një tregues burimi – duke identifikuar një produkt të veçantë dhe prodhuesin e tij tek konsumatorët. Së dyti veshjet tregtare, duhet të jenë jo funksionale që të mbrohen ligjërisht; përndryshe ajo është një çështje subjekt i ligjit të patentave. Çfarë është funksionale, varet fuqimisht prej produktit të veçantë. Për të qënë jo funksionale, ajo nuk mund të ndikojë mbi kostot, cilësinë e produktit ose aftësinë e një prodhuesi për të konkurruar efektivisht.

G. Markat

Një markë është një shenjë dalluese e ndonjë lloji të caktuar, e cila është përdorur prej ndonjë organizate për të identifikuar në mënyrë unike veten, produktet dhe shërbimet e saj tek konsumatoret, dhe për të dalluar organizatën, produktet dhe shërbimet e saj, prej atyre të organizatave të tjera. Një markë është një lloj i pronësisë industriale, e cila është e dallueshme prej formave të tjera të pronësisë intelektuale. Tradicionalisht një markë përfshin një emër, fjalë shprehje, logo, simbol, dizenjo, imazh, ose një kombinim të këtyre elementëve.Simboli ™, mund të përdoret kur të drejtat e markës pretendohet, por që marka nuk është regjistruar në zyrën e markave të një vendi ose juridiksioni të veçantë, ndërsa shenja ® përdoret kur marka është regjistruar. Nuk është i detyrueshëm përdorimi i të dy simboleve, megjithëse forca e traditës është e tillë që, simbolet përdoren gjerësisht nëpër botë. Sidoqoftë, në juridiksionet e ndryshme është e jashtëligjshme përdorimi i simbolit ® në lidhje me një markë, kur ajo markë nuk është regjistruar.

4.   Pronësia intelektuale në Shqipëri

Për sa i përket vendit tonë, tashmë pronësia intelektuale është një koncept i cili po fiton qytetarinë. Kështu, gjithnjë e më shumë, të gjithë elementët që e përbëjnë atë po bëhen të dëgjuar, dhe jo vetëm në ambientet teknike, por ato po shoqërohen prej legjislacionit mbështetës, organeve përkatëse të cilat e administrojnë ato, traktateve dhe marrëveshjeve ku vendi ynë është palë, etj. Gjithnjë e më shumë kuadri ligjor i vendit tonë po plotësohet, ku mund të përmendim ligjet për patentat, markat tregtare, dizenjot industriale, emërtimet e origjinës, treguesit gjeografikë, treguesit e burimeve, të drejtat e autorit, ndërkohë që nuk ka ligje për të mbrojtur disa elemente të tjerë të pronësisë intelektuale si: të drejtat morale; të drejtat e personalitetit; mbrojtjet e varieteteve bimore; veshjet tregtare; sekretet tregtare.

Vendi ynë është anëtar i OBT-së si dhe nënshkrues i TRIPS (Aspekte Tregtare të Drejtave të Pronësisë Intelektuale) që prej Shtatorit të vitit 2000. Po ashtu vendi ynë është anëtar i EPO (Zyrës Europiane të Patentave), që prej shkurtit 1996. Gjithashtu vendi ynë aderon në shumë traktate dhe konventa, dhe është palë e shumë marrëveshjeve ndërkombëtare, duke ndjekur zhvillimet ndërkombëtare në këtë fushë, lidhur me standardizimin e legjislacionit. Vendi ynë aderon në marrëveshjet ndërkombëtare, më të rëndësishme në fushën e PI-ve, si Konventa e Bernës; Traktati i Budapestit; Marrëveshja e Madridit; Protokolli i Madridit; Konventa e Parisit; Konventa e Fonogrameve; Konventa e Romës. Shqipëria aderon në një serë traktatesh të WIPO (Organizata Botërore e Pronësia Intelektuale).

Në vendin tonë ekzistojnë organizma në lidhje me pronësinë intelektuale si dhe specialistë të fushës, që ndihmojnë që këto organizma të luajnë rol qendror në formimin e sistemeve rregullatorë dhe administrative, të cilat mund të nxisin ose pengojë gjenerimin, komercializimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale. Disa prej këtyre institucioneve që interesohen apo janë përgjegjëse për çështjet e pronësisë intelektuale janë Drejtoria e Patentave dhe Markave; Autoriteti i Konkurrencës; Drejtoria e Krimit Ekonomik të Policisë; Doganat; Gjykata e Tiranës; QIP (NOG). Sidoqoftë, filozofia dhe praktika e këtyre institucioneve, ende është larg standardeve të BE dhe WIPO.

Gjithashtu shumë institucione të tjera kanë lidhje me pronësinë intelektuale. Ato krijojnë gjykojnë, njohin dhe promovojnë të drejta e pronësisë intelektuale. Institucione të tilla përfshijnë universitete, gjyqësorin, si dhe dikastere, dogana dhe institucione të tjera në nivel lokal. Këto janë çelës për mbrojtjen, njohjen dhe promovimin e sistemit të drejtave të pronësisë intelektuale.Edhe në vendin tonë, ndërmarrja e biznesit, kryesisht bizneset e mëdha janë entet shndërruese më të mëdha, të të drejtave të pronësisë intelektuale, me produkte dhe shërbime të prekshme. Përveç drejtimit të pavarur të kërkim – zhvillimit, nëpërmjet njësive të brendshme të tyre të kërkim-zhvillimit, apo mënyrave të tjera të sigurimit të pronësisë intelektuale, ato janë aplikuesit kryesorë të gjithë sistemit rregullator, praktikisht aty një element i pronësisë intelektuale gjen vlerat e tij të vërteta dhe përfitimin që ai i siguron kompanisë, prej mbajtjes apo komercializmit të tij.Në vendin tonë ka probleme, përsa i përket dhunimit të drejtave të pronësisë intelektuale, të cilat kanë qenë në forma të tilla si: dhunimi i copyright; falsifikimi i markës; shkelje/dhunim i dizenjos etj. Në raste ku janë hasur probleme të kësaj natyre, shpesh janë ndërmarrë veprime të tilla si DPMSH (Drejtoria e Patentave dhe Markave); GTZ; USAID; Shkolla e Magjistraturës etj.Sidoqoftë në rastet e shkeljeve apo dhunimeve të elementeve të ndryshëm të pronësisë intelektuale, kur ato konstatohen prej palëve të interesuara ato mund të drejtohen për zgjidhje gjykatës së shkallës së parë të Tiranës si dhe Gjykatës së Apelit të Tiranës. Ndërkohë që në Tiranë gjenden avokatë të specializuar në çështjen e pronësisë intelektuale. Përsa i përket ndikimit të ligjeve që mbrojnë të drejtat e pronësisë intelektuale, ato e lehtësojnë ecurinë normale të biznesit. Gjithashtu, përsa i përket praktikave të përdorimit të elementëve të ndryshëm të pronësisë intelektuale si; noterizimi i dokumentacionit; legalizimi i dokumentacionit, përkthimi i dokumentacionit, etj në vendin tonë, janë të ngjashme me praktikat në vendet e BE.Megjithëse vendi ynë është duke ecur në drejtimin e duhur për të arritur standartet e nevojshme, përsa i përket çështjeve të pronësisë intelektuale me qëllim integrimin në BE, përsëri ecuria nuk është ende e kënaqshme dhe ende përpara shtrihet rrugë e gjatë.

Konkluzione

Muzika, filmat, librat, arti shpikjet e ndryshme, si dhe format e tjera të krijimtarisë dhe shprehjes janë tregues të progresit social dhe cilësisë së jetës. Si pronësi private të krijuesve të tyre origjinale ato janë vlerësuar dhe mbrojtur nga shoqëria për rolin e tyre ekonomik, politik dhe kulturor – si shprehje e trashëgimisë dhe e përpjekjeve njerëzore.Tërësia e tyre shprehur me termin Pronësi Intelektuale është bërë objekt mbrojtje që herët, me Ligjin Venecian të vitit 1474, si përqasje fillestare sistematike në mbrojtjen e shpikjeve prej një lloj forme patente; duke vazhduar me Konventën e Parisit; të vitit 1883, si traktati i parë ndërkombëtar, për të ndihmuar individët e një vendi të siguronin mbrojtjen në vende të tjera për krijimet e tyre intelektuale; si dhe pak vjet më pas më 1886, konventa e Bernë-s, një tjetër traktat ndërkombëtar për mbrojtjen e punëve letrarë dhe artistike, për njohje të ndërsjellë të së drejtës së autorit midis vendeve të ndryshme.Pronësia Intelektuale përfaqëson një tufë të drejtash për  ti krijuar ekskluzivitet mbajtësit të tyre. Disa nga elementet e pronësisë intelektuale janë: e drejta e autorit, të drejtat morale, treguesi gjeografik, të drejtat e dizenjove industrialë, patenta, veshjet tregtare, markat etj.Ligjet e pronësisë intelektuale për krijimin, sigurimin regjistrimin dhe forcimin e të drejtave të pronësisë intelektuale ndryshojnë mjaft nga një vend në tjetrin. Por integrimi ekonomik ndërkombëtar dhe prirjet e globalizimit e të ndërvarësisë ekonomike botërore, diktojnë harmonizimin e tyre nëpërmjet traktateve apo organizmave qeverisëse të PI-ve, ndërkombëtare rajonale dhe globale, (WIPO,EPO, TRIPS) ku Shqipëria ka aderuar me kohë.Në vendin tona ekzistojnë institucione (ose strukturë NGO apo GO) të cilat interesohen (janë përgjegjës/e) për çështjet e pronësisë intelektuale, por ende duken larg standardeve të BE dhe WIPO, për nga filozofia dhe praktika e këtyre institucioneve në lidhje me pronësisë intelektuale, të drejtat e saj dhe mbrojtjen e tyre.Ndërsa vendi ynë ka një paketë ligjore e rregullore, kënaqshëm, të plotësuar, që lehtëson ecurinë normale të biznesit për një pjesë të elementëve PI-ve, ende nuk ka fare ligje dhe nuk ekzistojnë ueb-siste zyrtare, në të cilat mund të kryhet kërkim për elementët e ndryshëm të pronësisë intelektuale, apo të jetë pjesë e networkut ndërkombëtar përkatës.Ndërsa proçedurat e fitimit të së drejtës për përdorim të elementeve të ndryshëm të pronësisë intelektuale në vendet tona, janë të ngjashme me praktikat në vendet e BE-së, janë hasur probleme, përsa i përket dhunimit të të drejtave të pronësisë intelektuale.Me qëllim forcimin e të drejtave të pronësisë intelektuale, janë ndërmarrë veprime prej strukturave të ndryshme por ende nuk ka politika dhe programe qeveritare të mirë-menduara e koordinuar përsa i përket luftës kundra piratërisë dhe produkteve të falsifikuara. Niveli i piratërisë në vendin tonë, është në një shkallë mesatare, dhe gjendja e legjislacionit dhe moszbatimi i ligjit (nga ana e individëve të ndryshëm) kanë qenë disa prej shkaqeve për këtë.

Referencat:

Alexander I Poltorak, Paul J. Lerner, “Essentials of intellectual property”, USA,  2002.

Andy Gibbs, Bob De Matteis, “Essentials of patents”, USA-2003.

Claas Junghans, Adam Levy, (Intellectual property management), Germany, 2006

Fletorja Zyrtare e Republikës së Shqipërisë, Botimi i Qendres së publikimeve Zyrtare, Nr 42, Qershor 2005

http.www.wikipedia.org, the free encyclopedia.

http/www.wipo.org, “World Intellectual Property Organization”, Botime në Internet.

http/www.wto.org, “Word Trade Organization”, Botime në Internet.

Johan J. Wild, Kenneth L. Wild, Jerry C.Y.Han, “International Business”, botimi II, USA, 2004.

Koçi Elina, “Pronësia Intelektuale, E Drejta e Autorit dhe Markat”, Tiranë 2003

Ligji Nr. 7564, datë 19.05.1992 “Për të Drejtën e Autorit”.

Ligji Nr. 7819, datë 27.04.1994 “Për Pronësinë Industriale”

Ligji Nr. 7850, datë 29.07.1994 “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”

Ligji Nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”

Ligji Nr. 8116, datë 29.03.1996 “Kodi  i Proçedurës Civile i Republikës së Shqipërisë”

Ligji Nr. 8410, datë 30.09.1998 “Për radion dhe televizionin publik e privat në Republikën e Shqipërisë”

Ligji Nr. 9380, datë 28.04.2005 “Për të Drejtat e Autorit dhe të drejtat e tjera lidhur me të”.

Massaki Kotabe, Kristiaan Helsen, “Global Marketing Management”, botimi III, USA 2003

Microsoft ® Encarta ® Reference Library 2004.

www.alpto.gov.al

Shënim I Stafit I DrejtesiaShqiptare.com:

E drejta e autorit mbetet i  autorit të punimit . Opinionet e shprehura  dhe studimet  juridike  e publikuara në këtë Website janë të autorëve përkatës  qe I upload ato.Ne nuk pranojme asnjë përgjegjësi për pikëpamjet, vërtetësinë e informacionit që përmbajnë artikujt që publikon dhe shkeljet e se drejtës së autorit.

Kushdo që ka ndonje ankese  rreth  së  drejtës  së autorit ne publikimet e ketij website,  është i lutur dërgoje një email  tek kontakt@drejtesiashqiptare.com.  Ne do ta  shqyrtojmë me përgjegjesi ankesën.

2 Responses to Pronësia intelektuale, një koncept i hershëm dhe modern- Kreshnik Bello

  1. alma says:

    ja ke futur kot profesor si gjithmone

  2. vladimir says:

    e bukur,po ku umbe o profesor se nuk po te mberthej dot

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

1 × 1 =

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Powered by WordPress | Designed by: Dog Groomer | Thanks to Assistant Manager Jobs, Translation Jobs and New York Singles