Përgjegjësia Ligjore E Punëdhënësit Në Rastet E Aksidenteve Në Punë-Eneida SEMA

Eneida SEMA LL.M -Pedagoge, Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës.

I.       Hyrje

Shqipëria është një vend demokratik që synon të ndërtojë një ekonomi të qëndrueshme të tregut të lirë. Rruga për t’u integruar në familjen e madhe europiane nuk ka qenë aspak e lehtë. Megjithatë vendi ynë  ka  marrë përsipër shumë angazhime për të ndërtuar një proces pune të denjë për të gjithë personat aktivë, jashtë diskriminimeve duke respektuar të drejtat e punëmarrësve dhe duke i dhënë përparësi bashkëpunimit mes subjekteve të marrëdhënies së punës dhe shtetit, si një faktor i tretë. Shteti në këtë  trinom ka rolin kryesor, si ligjvënës, zbatues i ligjeve për mbrojtjen e interesave të punëmarrësve, dhe si punëdhënës.

E gjithë shoqëria jonë është në një proces shndërrimi drejt ekonomisë së tregut dhe konsolidimit të rendit demokratik ku zbatimi i çdo ligji është pjesa më e rëndësishme e procesit  ligjvënës  dhe  si  e   tillë  kërkon  njohje,  formim  juridik  dhe  përsosmëri profesionale. Ndryshimet adekuate në legjislacionin e punës që ndodhën pas zhvillimeve demokratike në vendin tonë morën jetë nën ndikimin e legjislacioneve më të përparuara të  vendeve  të  Europës  Perëndimore.  Kushtetuta  e  Republikës  së   Shqipërisë  dhe përgjithësisht,  legjislacioni  shqiptar,  janë  frymëzuar  dhe  perceptuar  në  përputhje  me parimet, qëllimet dhe synimet e akteve ndërkombëtare, duke shpallur mbrojtjen e lirive dhe të drejtave  të  njeriut në përgjithësi, dhe posaçërisht dhe mbrojtjen e të drejtave të punonjësve, si themel të sistemit ligjor shqiptar.

Ritmi i lartë i rritjes ekonomike që Shqipëria ka arritur gjatë viteve të fundit reflekton kërkesa të larta për një fuqi punëtore të kualifikuar. Krijimi i kushteve të favorshme të punës dhe përshtatja tyre ndaj  nevojave të punëdhënësve dhe punëmarrësve janë jetike për një rritje të motivimit të të gjithë punonjësve, qe çon  drejt një efikasiteti më të lartë në punë.

 

 

II. Detyrimi  ligjor  i  punëdhënësit  për  të  siguruar  shëndetin  dhe  jetën  e punëmarrësve në punë

Përcaktimi  i  detyrimeve  të  përgjithshme  të  punëdhënësit,  ka  për  qëllim  mbrojtjen  e shëndetit dhe jetës së punëmarrësve. Punëdhënësi detyrohet të kujdeset për kushtet dhe higjienën e vendeve të punës.  Ai duhet të marrë masat e nevojshme mbrojtëse kundër rreziqeve të veçanta që paraqesin:

-  substancat dhe agjentët helmues;

-  makineritë dhe aparaturat që përdoren në vendin e punës;

-  transporti i peshave të rënda;

-  ndotja e ajrit;

-  zhurmat dhe dridhjet;

-  si  dhe  rreziqe  te  tjera  në  disa  degë  të  ekonomisë,  si  ndërtim,miniera, industri kimike, etj.

Këshilli i Ministrave ose organi i autorizuar prej tij përcakton kufijtë e lejueshëm për mbrojtjen nga ndotja e ajrit, lëndët kimike, radioaktiviteti, zhurma dhe dridhjet në vendet e punës. Substanca të rrezikshme janë ato substanca që në përqendrime të vogla në ajër janë helmuese, shqetësuese, gërryese,  të flakërueshme, shpërthyese, kancerogjene dhe teratogjene e mutagjene të afta për të shkaktuar vdekje, dëmtime dhe rënie zjarri në masë në mjediset e punës. Kur punimet paraqesin rreziqe të veçanta,  punëdhënësi duhet të organizojë vizita mjekësore për marrjen në punë dhe gjatë saj, në mënyrë periodike me shpenzimet e tij

Sipas nenit 42 të Kodit të Punës të Republikës se Shqipërisë, masat e veçanta të sigurimit dhe mbrojtjes së shëndetit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave. Në bazë të nenit 41 të këtij kodi, masat mbrojtëse të vendosura nga inspektori i punës nuk duhet të sjellin shpenzime jopërpjestimore në raport me qëllimin e veprimtarisë. Në titullin mbi kualifikimin e punëmarrësve dhe marrjes së masave mbrojtëse nga ana e punëdhënësve në Kodin e Punës së Republikës së Shqipërisë, parashikohet se  punëdhënësi duhet të informojë  punëmarrësit  mbi  rreziqet  që  lidhen  me  punën dhe  duhet  t’i  kualifikojë punëmarrësit për respektimin e kërkesave në fushën e shëndetit, sigurimit dhe higjienës. Kualifikimi dhe informimi bëhen gjatë marrjes në punë dhe përsëriten sipas nevojës. Punëdhënësi  duhet t’u    shpjegojë punëmarrësve të  ekspozuar   ndaj   rreziqeve, domosdoshmërinë e zbatimit të masave të sigurimit teknik dhe higjienës. Në bazë të nenit 45 dhe 46 te Kodit parashikohet se vetëm personat e kualifikuar mund të drejtojnë makineritë dhe pajisjet e transportit, mekanike ose elektrike.

 

 

Në mënyrë të hollësishme, dispozitat e Kodit të Punës rregullojnë kushtet e punës lidhur me transportimin e ngarkesave, vendosjen e materialeve ne vendin e punës, mënyrën e ngritjes së platformave dhe pasarelave. Në bazë të Kodit të Punës2, punëdhënësi duhet të bëjë analizën e rrezikut të zjarrit ose të shpërthimit dhe të marrë masat e nevojshme për parandalimin e tyre, duke mbajtur parasysh natyrën e lëndëve të përdorura dhe mjedisin e punës.   Në   vijim  parashikohet   se   punëdhënësi   duhet   të   vërë   në   dispozicion   të punëmarrësve pajisje individuale për mbrojtjen nga  rreziqet në punë si edhe mjetet e nevojshme për të siguruar higjienën vetjake. Në çdo mjedis pune  punëdhënësi është i detyruar të vendosë kutinë e ndihmës së shpejtë të pajisur me materialet dhe mjetet  e nevojshme.

Detyrimet e punëdhënësit në bazë të ligjit nr. 9634 dt. 30.10.2006, “Për inspektimin në punë dhe Inspektoratin Shtetëror të Punës” janë:

-  Njoftimi i Inspektoratit për të gjitha aksidentet në punë

-  Sigurimi i të dhënave të nevojshme që lidhen me zbatimin e legjislacionit të punës

-  Raportimi vjetor pranë Inspektoratit të Punës

III. Aksidentet  në  punë,  sëmundjet  profesionale  dhe  përgjegjësia  ligjore  e punëdhënësit në rast të aksidenteve në punë dhe sëmundjeve profesionale

Politikat  kombëtare  zbatohen  nëpërmjet  masave  legjislative,  si  dhe  sigurimit  të zbatueshmërisë së këtyre të fundit nga Inspektorati Shtetëror i Punës. Inspektorati i Punës në këtë mënyrë përballet me sfidat që ekzistojnë midis kërkesës për të rritur më shumë sigurinë  dhe  shëndetin  në  punë  në  industri,  dhe  kërkesave  në  rritje  të  ndryshimeve ekonomike dhe ndryshimit të rolit të inspektimit të punës. Sipas të dhënave nga Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, mund të  thuhet që kujdesi i punëdhënësit për sigurinë dhe shëndetin në punë, nuk është në nivelin e kërkuar. Krijimi i kushteve të përshtatshme të punës për punëmarrësit dhe në veçanti mbrojtja e jetës dhe e shëndetit të tyre në punë nuk përbëjnë prioritet  për një  pjese të punëdhënësve.Po kështu, sipas një analize të bërë nga Inspektorati i Punës për një periudhë disa vjeçare, sektorë  problematike janë identifikuar ndërtimi, minierat, ndërmarrjet e nxjerrjes dhe përpunimit të mineraleve,  disa fabrika të prodhimit të çimentos dhe tullave, disa linja prodhimi këpucësh, ndërmarrjet e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës dhe gazit, etj.3  Në këto  sektorë  probleme  shqetësuese  janë  numri  i  lartë  i  aksidenteve  në  punë  dhe sëmundjeve profesionale, të cilat janë rrjedhojë e masave të pamjaftueshme  nga ana e punëdhënësit. Këto masa kanë të bëjnë me parandalimin e rreziqeve në vendin e punës, mangësive në  organizimin e punës, mangësi të strukturave të sigurisë dhe shëndetit në punë, përdorimin  e  teknologjive  të  vjetra  të  proceseve  të  prodhimit,  mungesën  ose pamjaftueshmërinë e masave mbrojtëse kolektive dhe individuale etj. Këta janë faktorë që  përbëjnë  një  kërcënim  të  madh  dhe  konstant  dhe  janë  shkaktare  të  dëmtimit  të shëndetit dhe humbjes së jetës së punëmarrësve.

Gjithashtu  faktor  që  ndikon negativisht  është  niveli  i  ulët  i  ndërgjegjësimit  të punëmarrësve për të drejtat që gëzojnë sipas ligjit për të pasur një punë të denjë, të sigurt dhe të  shëndetshme. Statistikat pranë Inspektoratit Shtetëror të Punës tregojnë se gjatë vitit 2007 kemi rritje të numrit të aksidentuarve në sektorin e ndërtimit dhe aksidentet në rrugë. Situata paraqitet më delikate e me pasoja edhe për shkak të ekonomisë informale, të padukshme. Puna e zezë krijon një shtresë shoqërore njerëzish plotësisht të pambrojtur nga  legjislacioni  i  punës.  Aksidentet  në  punë,  sëmundjet  profesionale,  kontributet  e papaguara në interes të punëtoreve, janë disa herë më të larta se tek  punëmarrësit që punojnë të mbrojtur nga legjislacioni i punës, pra që nuk punojnë në  të zezë. Një arsye e drejtpërdrejtë e kësaj është fakti që këto lloj sipërmarrjesh nuk kane rastin të kontrollohen nga institucionet përkatëse dhe vetë fakti që punojnë në të zezë në një farë mënyre shpreh edhe  tendencën  e  tyre  për  të   mos  respektuar  normat  e  shtetit  apo  të  drejtat  e punëmarrësve.Shpesh punëdhënësit janë të prirur për rritjen maksimale të fitimeve të tyre duke mos investuar për të krijuar kushte të denja pune për punëmarrësit. Vlen të theksohet se grave dhe fëmijëve që punojnë u ofrohet një mbrojtje e veçantë nga Kushtetuta, Kodi i Punës dhe  nga  ligje  të  tjera  në  fushën  e  punësimit.       Lidhur  me  sigurinë  dhe  mbrojtjen  e shëndetit, në Kodin e Punës parashikohet se punëdhënësi është përgjegjës në rastet e aksidenteve dhe  sëmundjeve profesionale pasi ai duhet të përcaktojë qartë rregullat e sigurimit teknik.

Përgjegjësia e punëdhënësit mund të jetë:

-  administrative;

-  juridiko-civile; ose,

-  penale në varësi të shkeljeve të caktuara disa prej të cilave përmbajnë elementë të veprës penale.

Aksident në punë është dëmtimi i menjëhershëm i punëmarrësit gjatë kryerjes për në/nga/ ose gjatë një procesi që ka lidhje me punën i cili çon në humbjen e përkohshme ose të përhershme të aftësisë për  punë ose edhe në vdekje. Sëmundje profesionale quhen ato sëmundje te shkaktuara si rezultat i ekspozimit ndaj rreziqeve qe rrjedhin nga veprimtaria e punës. Në sëmundjet profesionale duhet të përfshihen jo vetëm ato të treguara në listën e sëmundjeve, por edhe komplikacionet edhe pasojat e tyre.Në funksion të zbatimit të plotë të legjislacionit të punës janë ngritur në veprim të përhershëm institucionet specifike të kontrollit. Janë katër institucione shtetërore që kanë të drejtën të kontrollojnë  dhe  të veprojnë      në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të punëmarrësve: Inspektorati i Punës, Zyra e Punës, Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Instituti i Shëndetit Publik. Qëllimi i ligjit nr. 9634 dt. 30.10.2006, “Për inspektimin ne pune dhe Inspektoratin Shtetëror të Punës”, është të sigurojë zbatimin e legjislacionit të punës nga punëdhënësit. Në Shqipëri, Inspektorati i Punës është krijuar në vitin 1995, dhe si i tillë mund të konsiderohet si një institucion relativisht  i ri, që ende  kërkon shumë për t’u zhvilluar.Inspektorati Shtetëror i Punës e ushtron aktivitetin e tij në të gjitha subjektet fizike dhe juridike, në  sektorë të ndryshëm të ekonomisë, duke përjashtuar aktivitetet ku hyrja e inspektorit të punës vë në rrezik interesin e sigurisë kombëtare dhe në të gjitha vendet e punës, ku inspektimi për marrëdhëniet e punës, sigurinë dhe shëndetin në punë janë të rregulluara me ligje të veçanta. Misioni i përgjithshëm i Inspektoratit Shtetëror të Punës është  kontrolli,  këshillimi,  njoftimi,  formimi,  zbutja  e  konflikteve,  parandalimi  dhe sanksionimi.Gjatë  ushtrimit  të  veprimtarisë  ky  organ  siguron  bashkëpunimin  me ministritë dhe institucionet në varësi të tyre, me institucione të tjera shtetërore, si edhe me punëmarrësit,  punëdhënësit,  organizatat  e  tyre  dhe  shërbimet  private.  Në  rastet  kur inspektori i punës ose kontrollori i punës pengohen në ushtrimin e detyrës, ata mund të mbështeten nga organet e Policisë së Shtetit.

A) Përgjegjësi administrative

Gjatë procesit të inspektimit që kryejnë në subjekt për zbatimin e legjislacionit të punës, inspektori dhe kontrollori i punës, hartojnë aktin e ekspertimit. Në rast të konstatimit të shkeljeve të legjislacionit të punës, inspektori i punës vendos njërin nga këto sanksione për punëdhënësin:

-  Paralajmërim

Nëse punëdhënësi nuk ka zbatuar dispozitat ligjore për kushtet e sigurisë dhe shëndetit në punë, ai paralajmërohet që të marrë masa brenda afatit të caktuar në aktin e ekspertimit.

-  Gjobë

Në Kodin e punës  dhe Ligjin për Inspektimin në Punë parashikohet vendosja e gjobës për punëdhënësit të cilët shkelin dispozitat ligjore për kushtet e punës nga 30 deri ne 50- fishin e pagës  minimale. Gjoba si një ndër sanksionet e vendosura për punëdhënësit vendoset në rastet kur:

•        Punëdhënësi nuk merr masat për sigurimin e kushteve të punës brenda afatit të vendosur nga inspektori ose kontrollori  punës

•        Punëdhënësi nuk raporton pranë Inspektoratit të punës brenda 24 orëve të aksidenteve të rënda në punë ose me pasojë vdekjen.

•        Punëdhënësi pengon inspektorin e punës në ushtrimin e detyrës së tij.

 

 

Për shkelje të përsëritura nga punëdhënësi ose të konstatuara më parë, inspektori i punës vendos gjobë në dyfishin e vlerës së parashikuar për atë rast.Në caktimin e masës së gjobës, inspektori i punës, duhet të mbajë parasysh:

•        Përsëritjen e shkeljes

•        Kohëzgjatjen e shkeljes

•        Shkallën e dëmit

•        Numrin e punëmarrësve të prekur nga kjo shkelje

Kundër vendimit të inspektorit për vendosjen e gjobës bëhet apelimi pranë strukturave përkatëse të apelimit në nivel rajonal dhe qëndror në përputhje me dispozitat e Ligjit “Për inspektimin në punë dhe Inspektoratin Shtetëror të Punës“.

-  Pezullim të punës

Në rastet e shkeljes flagrante të punëdhënësit të dispozitave ligjore për sigurinë dhe shëndetin në  punë,      inspektori i punës urdhëron pezullimin e punës dhe raporton te Inspektori i  Përgjithshëm i cili brenda 48 orëve duhet të shprehet për kohëzgjatjen e pezullimit të punës.6  Kur punëdhënësi nuk pezullon punën në kundërshtim me vendimin e  Inspektoratit  të  Punës,  Organet  e  Policisë  së  Rendit  ndërhyjnë  në  mbështetje  të

inspektorëve. Nëse masat e mësipërme nuk        mjaftojnë në pezullimin e veprimtarisë, inspektori i punës bën denoncimin  e punëdhënësit pranë organit të prokurorisë.

B) Përgjegjësi juridiko-civile

Në Kodin e Punës së Republikës së Shqipërisë përcaktohen rastet e përgjegjësisë së punëdhënësit.  Punëdhënësi ngarkohet me detyrimin për të përcaktuar qartë rregullat e sigurimit teknik në punë dhe kjo do të thotë se ai është përgjegjës në të gjitha rastet e aksidenteve në punë, ndërsa në rastet kur aksidenti ose sëmundja profesionale ka ardhur si pasojë e fajësisë së rëndë të punëdhënësit ligjvënësi shprehet se punëdhënësi detyrohet të paguajë diferencën midis dëmit të shkaktuar punëmarrësit dhe shpërblimit që përfiton ai nga sigurimet shoqërore. Kur punëdhënësi nuk zbaton detyrimin për të  regjistruar punëmarrësin në sigurimet shoqërore, ai duhet të përballojë të gjitha shpenzimet që ka bërë  punëmarrësi si rezultat i aksidentit ose sëmundjes profesionale, si edhe të gjitha dëmet si pasojë e mosregjistrimit.

C) Përgjegjësi penale

Nëse shkeljet e dispozitave të këtij kodi përbëjnë vepër penale, zbatohen dispozitat e Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Neni 289 i këtij kodi mbi shkeljen e rregullave në punë parashikon se  shkaktimi  i vdekjes ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të personit ardhur si pasojë e mosrespektimit të rregullave që kanë të bëjnë me punën, prodhimin, shërbimin, të përcaktuara në ligj, në aktet e Këshillit të Ministrave apo në rregulloret e sigurimit teknik, të disiplinës teknike, të mbrojtjes në punë, të higjienës dhe sigurimit nga zjarri prej personave të ngarkuar me respektimin e rregullave dhe marrjen e masave në zbatim të tyre, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dhjetë vjet. Kur nga vepra penale është  shkaktuar  vdekja ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të disa personave, dënimi për personin përgjegjës është jo më pak se pesë vjet.Në  Kodin  Penal  parashikohen  edhe  vepra  të  tjera  penale  të  cilat  kanë  lidhje  me përgjegjësinë e punëdhënësit në raste të caktuara. Në këtë kodi7  parashikohet ndotjen e ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave dhe lëndëve të tjera toksike e radioaktive e bërë tej kufirit të normave të lejuara. Transportimi i mbeturinave toksike dhe radioaktive është një tjetër vepër penale që parashikohet në nenin 202 të Kodit Penal. Kjo vepër dënohet me burgim deri në pesë vjet dhe kur janë shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin dhe jetën e njerëzve,  dënohet me burgim deri në pesëmbëdhjetë vjet. Në raste të caktuara, punëdhënësi mund të jetë përgjegjës edhe për ndotjen e ujërave të deteve, liqeneve, apo burimeve të rrjetit grumbullues e  shpërndarës të ujërave me lëndë toksike, radioaktive apo substanca të tjera që prishin ekuilibrin  ekologjik. Kjo përbën vepër penale sipas Kodit Penal   dhe dënohet me burgim deri në pesë vjet dhe kur nga kjo vepër janë shkaktuar pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.

Kur punëdhënësi shkel rregullat e caktuara për mbajtjen, prodhimin, përdorimin, ruajtjen, transportimin dhe shitjen e lëndëve helmuese me efekt të fortë, ngarkohet me përgjegjësi sipas dispozitave të Kodit  Penal9   dhe dënohet me gjobë ose burgim deri në dy vjet. Shkelja   e   rregullave   të   caktuara   për   mbajtjen,   prodhimin,   përdorimin,   ruajtjen, transportimin dhe shitjen e lëndëve plasëse, djegëse apo radioaktive, përbën kundërvajtje penale sipas nenit 282 të Kodit Penal dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri  në dy

vjet. Kur nga vepra penale ka ndodhur vdekja ose dëmtimi i rëndë i shëndetit të njerëzve ose kanë ardhur pasoja të rënda materiale, dënimi është me gjobë ose me burgim deri në dhjetë vjet.

IV. Përmirësimet e legjislacionit dhe zbatimi i ligjit

Një ndër hapat më të rëndësishëm të ndërmarrë nga shteti shqiptar, kohët e fundit, në fushën e kushteve dhe sigurisë në punë, është edhe Strategjia Kombëtare për Sigurinë në punë 2009-2013. Për hartimin e kësaj strategjie janë marrë në konsideratë edhe kërkesat, dhe përcaktimet e dhëna në strategjinë e Bashkimit Europian  2007-2012 “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”. Në këtë instrument  të rëndësishëm përcaktohen prioritetet e hartimit  të  një  politike  kombëtare  të  sigurisë  dhe   shëndetit   në  punë,  me  qëllim parandalimin e aksidenteve dhe sëmundjeve të cilat ndodhin ose lidhen  me vendin e punës, si dhe minimizimin  e shkaqeve dhe rreziqeve në vendin e punës. Në këtë mënyrë mund  te  sigurohet  efiçiencë  më  e  lartë  ekonomike,  ndërkohë  që  respektohet  ligji institucional  i   kushteve  të  denja  të  punës.  Këto  rrjedhin  dhe  nga  dokumente  të rëndësishëm ndërkombëtare, ku kërkohet një qëndrim i përgjegjshëm për  krijimin e një mjedisi pune të sigurt dhe të shëndetshëm.Kjo do të thotë që edhe Inspektorati Shtetëror i Punës, si një ndër organet përgjegjëse për zbatimin e ligjit në drejtim të sigurisë në punë, duhet të përballet me formulimin e një vizioni të ri të qartë, për të  riorientuar shërbimet e tij drejt një qëllimi të ri, duke mos harruar  zhvillimin  e  shumë  objektivave  tashmë  ekzistuese,  për  implementimin  me eficiencë të të gjitha aktiviteteve të inspektimit në punë,  duke rritur efektivitetin, duke zhvilluar politika të reja, strategji dhe metoda parandaluese. Aktivitetet për parandalimin e          aksidenteve në      punë dhe    sëmundjeve profesionale kërkojnë   përmirësimin        e legjislacionit, forcimin e kontrollit dhe krijimin e një sistemi  bashkëkohor statistikash duke shfrytëzuar dhe burime informacioni nga institucione të tjera , si ato te  sistemit shëndetësor dhe të sigurimeve shoqërore.

V.      Rekomandime

Në përfundim të studimit dhe shfrytëzimit të gjithanshëm të arritjeve të deritanishme rekomandohet marrja e këtyre masave:

•        Përafrimi i kuadrit ligjor shqiptar në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë me standardet ndërkombëtare, në veçanti me legjislacionin e BE-së

•        Rritja e produktivitetit dhe e efikasitetit ekonomik përmes përmirësimit të kushteve të punës dhe rritjes së motivimit të punëdhënësve dhe punëmarrësve.

•        Vënia   në   zbatim  e   masave   parandaluese   për   reduktimin   e   humbjeve ekonomike dhe sociale të shkaktuara nga dëmtimi i shëndetit në punë dhe nga dëmtimi i pronës në fushën e sigurisë në punë.

•        Sigurimi sa më i efektshëm i zbatimit të legjislacionit të sigurisë dhe shëndetit në Punë në praktikën e përditshme.

•        Fuqizimi i organeve të inspektoratit shtetëror, përmes krijimit të kushteve të kënaqshme  të  punës,  pajisjeve  të  mira,  trajnimit  të  duhur,  menaxhimit  të efektshëm,          sistemeve    të       informimit,  strukturave organizative          dhe bashkëpunimit me trupat e tjera te inspektimit.

•        Adoptimi  i  legjislacionit  të  përshtatshëm  që  kontrollon  parandalimin  e aksidenteve me rrezikshmëri të larte si edhe për transportin e substancave të rrezikshme.

 

 

 

•        Adoptimi i rregullave specifike të sigurisë në punë për sektorët me rrezik të lartë – të tillë si: ndërtimi, transporti, industria kimike, bujqësia, etj.

•        Fuqizimi i bashkëpunimit ndërmjet institucioneve që veprojnë në fushën e SSHP-së; për të siguruar një sistem për shkëmbimin e informacionit.

•        Të rritet më tej bashkëpunimi midis punëdhënësve, punëmarrësve dhe shtetit për të institucionalizuar marrëdhëniet e për të siguruar zbatimin e ligjeve në kushtet aktuale e për të ardhmen. Të rritet bashkëpunimi dhe ndihma reciproke në kuadrin e tripartitizmit në Këshillin Kombëtar të Punës dhe në komisionet që janë ngritur për këtë qëllim si dhe në institucionet e kontrollit dhe të Inspektoratit të Punës në qendër e në bazë.

•        Zgjerimi  dhe  forcimi  i  sindikatave,  ne  masën  e  madhe  të  punësuarve  që punojnë pa kontrata pune, te dukshme veçanërisht në sektorin privat.Shqipëria e ka shprehur zyrtarisht kërkesën e saj për t’ju bashkuar familjes së madhe europiane. Kjo kërkesë dikton domosdoshmërinë e një përpjekje shumëdimensionale, e cila do të zhvillohet në kohë. Përafrimi i legjislacionit tonë me standardet ndërkombëtare dhe zbatimi rigoroz i ligjit luajnë një rol tepër të rëndësishëm në procesin e vazhdueshëm të demokratizimit të vendit

BIBLIOGRAFIA

“Përmbledhje aktesh ndërkombëtare”, K.SH.H.,Tiranë 1994 “Konventa Ndërkombëtare të Punës”, BSPSH, 1998

Prof. Dr. Kudret Cela “E Drejtë e Punës I”, Tiranë 2003

Prof. A.Nathanaili “E drejta e pronësisë e R.P. të Shqipërisë”, Tiranë 1974. K. Cela, P.Haxhi “E drejtë e krahasuar e punës”, Tiranë 2002.

Ligji 7961 dt.12.07.1995 “Kodi i Punës së Republikës së Shqipërisë”.

Ligji 9634 dt. 30.10.2006, “Për inspektimin ne pune dhe Inspektoratin Shtetëror të

Punës“, neni 6/1.

Ligji 8085 dt.13.3.1996 “Për disa ndryshime në Kodin e Punës”. Ligji 9125 dt. 29.7.2006 “Për disa ndryshime në Kodin e Punës”. “Equality in Employment and occupation”, ILO, 1996.

Selwyn N., “Law of health and Safety at Work”, London, 1982.

G. Arrigo, Giuseppe Casale, “Glossary of labour law and industrial relations”, 2005.

 

Ky punim eshte marre  nga Revista Shqiptare për Studime Ligjore, Takimi IV, Instituti Alb-Shkenca, 2009

Shënim I Stafit I DrejtesiaShqiptare.com:

E drejta e autorit mbetet i  autorit të punimit . Opinionet e shprehura  dhe studimet  juridike  e publikuara në këtë Website janë të autorëve përkatës  qe I upload ato.Ne nuk pranojme asnjë përgjegjësi për pikëpamjet, vërtetësinë e informacionit që përmbajnë artikujt që publikon dhe shkeljet e se drejtës së autorit.

Kushdo që ka ndonje ankese  rreth  së  drejtës  së autorit ne publikimet e ketij website,  është I lutur dërgoje një email  tek kontakt@drejtesiashqiptare.com.  Ne do ta  shqyrtojmë me përgjegjesi ankesën.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

two + five =

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Powered by WordPress | Designed by: Dog Groomer | Thanks to Assistant Manager Jobs, Translation Jobs and New York Singles