Instituti i Trashëgimisë në Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe atë të Skënderbeut- Fjona Bica

Në krahinat ku vepronin normat e së drejtës zakonore shqiptare, celula bazë e shoqërisë fisnore ishte familja patriarkale. Te iliro-shqiptarët familja patriarkale ka ekzistuar në shekuj, që nga epoka e bronzit kur lindi së pari familja monogame, deri në shek. e 20 pas Luftës së Dytë Botërore. Jetëgjatësia e familjes patriarkale te shqiptarët shpjegohet me vendin që ka zënë bujqësia dhe blegtoria në ekonominë e tyre dhe me kushtet e veçanta historike .Në thelb familja e madhe patriarkale ishte një bashkim familjesh me lidhje gjaku nga babai. Personat e tjerë që mund të punonin si shërbëtorë, argatë, çobanë etj, ose ata që mund të jetonin përkohësisht nën kujdesin e saj nuk konsideroheshin asnjëherë si anëtarë të familjes, pavarësisht nga koha e qëndrimit, ose kontributit në ekonominë e saj.Në këtë aspekt familja shqiptare dallohej qartë nga familja agnate romake. Ajo ngjante më tepër me familjen cognate romake, por pa të birësuarit . Familja patriarkale e organizuar sipas së drejtës zakonore shqiptare karakterizohej nga një ekonomi e përbashkët ku anëtarët e familjes nuk kishin të ardhura të veçanta.

Burrat kishin pushtet mbi gratë e familjes, gjë që shprehej në faktin se ata ishin bashkëpronarë në pasurinë e familjes. Shprehje e pushtetit kolektiv të burrave ishte pushteti mbi të gjithë anëtarët e familjes i “zotit të shtëpisë”, figurë e ngjashme me paterfamilias-in në familjen romake.E drejta zakonore vepronte në një shoqëri me lidhje të forta fisnore me një strukturë të thjeshtë ku qeliza bazë ishte familja, zgjerimi dhe ndarja e familjeve krijonte vëllazërinë dhe disa vëllazëri së bashku krijonin fisin. Brenda të njëjtit fshat jetonin fise të ndryshme, kështu ekzistonin edhe bashkësi të karakterit territorial si mëhalla, fshati, bajraku etj., ku mund të jetonin disa familje, vëllazëri, ose fise që nuk kishin lidhje gjaku me njëri-tjetrin. Për të treguar lidhjet e brezave nga babai Kanuni i Lekë Dukagjinit përdorte termin “lisi i gjakut” kurse për brezat nga nëna “lisi i tamblit”(i qumështit) .Në kodin zakonor shqiptar çështja e përkatësisë së breznive është zgjidhur në dobi të së drejtës atërore sipas formulimit “Baba është fara dhe nëna është ara”. Për rrjedhojë fisi nga baba, ose “lisi i gjakut” përbën mbështetjen e të gjitha zgjidhjeve të tjera juridike, përfshirë këtu dhe të drejtën e trashëgimisë.

• Marrëdhëniet pasurore ndërmjet anëtarëve të familjes mesjetare shqiptare

Për shkak të natyrës së familjes patriarkale, si një organizëm ekonomik dhe shoqëror si dhe për shkak të pozitës juridike të burrave dhe të grave, marrëdhëniet pasurore ndërmjet anëtarëve të familjes kishin sferë shumë të ngushtë veprimi.

Gjithë veprimtaria ekonomike e anëtarëve kryhej në kuadrin e familjes patriarkale ku pronësia mbi pasurinë e luajtshme dhe të paluajtshme i përkiste familjes në tërësi, të ardhurat dhe fitimet e anëtarëve nga puna, ose nga çdo veprimtari tjetër derdheshin në ekonominë e përbashkët.Kështu që pasuria vetjake e anëtarëve të familjes zinte një vend të parëndësishëm, për rrjedhojë edhe marrëdhëniet ndërmjet tyre ishin më të thjeshta. Sfera e pasurisë personale ishte e ngushtë dhe për shkak se instituti i trashëgimisë ishte i pazhvilluar. Kur vdiste një anëtar i familjes së madhe patriarkale nuk çelej trashëgimia dhe nuk ndahej pasuria, sepse si trashëgimlënësi dhe trashëgimtarët ishin brenda së njëjtës familje.

Gratë në shoqërinë patriarkale të veriut ishin të përjashtuara nga shoqëria edhe me qëllimin, që si shënon Gjeçovi “të mos dyndet nipnia me ngulë në pasuri të ungjit të dalë fare” .

Në Kanunin e Lumës dhe të Skënderbeut ekzistonin dy institute që krijonin marrëdhënie pasurore ndërmjet anëtarëve të familjes patriarkale. Këto dy institute ishin “Mirazi” dhe “Selemi”.

• Koncepti i trashëgimisë në Kanun

“Trashëgimi asht kalimi i pasunisë e i të drejtave që ka njeni te tjetri, zakonisht brenda gjakut, pa shpërblim, tue u ba zot malli i dyti si kje i pari” Ky përkufizim evidenton dhe veçoritë e këtij instituti. Kështu trashëgimia ishte një transmetim të drejtash brenda familjes cognate, me lidhje gjaku mes tyre, ku trashëgimtari bëhej titullar i të drejtave pasurore të trashëgimlënësit.

Përcaktimi “pa shpërblim” tregonte se transmetimi i të drejtave ishte një veprim i njëanshëm i trashëgimlënësit, që nuk kërkonte kundërveprimin e trashëgimtarit. Babai kishte për detyrë t’ia jepte pasurinë e vet djemve kur ata të ndaheshin nga familja e madhe, ose t`ua linte atyre pas vdekjes. Babai mundet ta përjashtonte nga pjesa e tij birin vetëm kur ky kryente faje të rënda, por kjo ishte vetëm një masë shtrëngimi e përkohshme, pasi pleqtë e fisit do t’i jepnin secilit bir atë çka i përkiste me kanun edhe pa dëshirën e babait, kur ky ndahet nga familja atërore, ose pas vdekjes së atit.

• E drejta e trashëgimisë sipas Kanunit

Burimi i trashëgimit është babai. Kanuni njeh si trashëgimtarë djalin dhe jo vajzën. Djalin e pakurorë Kanuni nuk e njeh si trashëgimtar. Ata njihen si Trashëgimtarë të barabartë së bashku me përcaktimet e kanunit në disa të drejta të veçanta. Në moshën 15 vjeçare djali fiton të drejtën për të marrë pasurinë e trashëguar. Bijat dhe fëmijët e tyre nuk mund të trashëgojnë edhe sikur të mos ketë trashëgimtarë të tjerë meshkuj në fis.

Trashëgimia në mënyrë të tërthortë ndahet brenda një brezi në mënyrë të barabartë mes kushërinjve të brezit. Kur nuk ka breza të afërt trashëgimtarësh, trashëgimia kalon në brezin tjetër më të afërt në lidhje gjaku.

Trashëgimia në rastin kur i zoti i saj nuk ka fis, i kalon fisit tjetër që ka qenë më i afërt për trashëgimlënësin dhe kjo trashëgimi që merr fisi tjetër ndahet në mënyrë të barabartë në mbarë fisin trashëgimtar. Kanuni i Lekës parashikon dhe kufizimin për të mos trashëguar në fisin e një flamuri tjetër.

• Të drejtat e kushërinjve

Në rastin kur një djalë mbetet jetim që në djep pa nënë, baba, vëllezër dhe motra, kushërinjtë janë të detyruar ta rrisin dhe t’ia ruajnë tokën. Ata nuk kanë të drejtë ta shesin as ta tjetërsojnë, por kanë të drejtë të marrin nga trashëgimia vlerën e punës së tyre, që nevojitet për mirëmbajtjen e pasurisë. Kur pasuria e të vdekurit mbetet në një familje që ka vetëm vajza, kushëriri më i afërt trashëgon pasurinë dhe ka detyrimin që t’i marr ato në shtëpinë e vet, të kujdeset e t’i martojë, t’i presë dhe përcjellë në shtëpinë e tij sipas kanunit.

• Bir e bijë për shpirt

Bir në shpirt është një djalë jetim që merr zakonisht një burrë e një grua që s`kanë djalë në vatër, me të drejtë trashëgimi pas vdekjes së tyre.Të vjetrit tregojnë se në Kurbin ka ndodhur që një shtëpi ka marrë djem të huaj bij në shpirt, të cilët i kanë martuar dhe i kanë ndarë pasuri dhe ata kanë krijuar fisin e tyre, që është bërë pjesëtar i mbështetur nga fisi dhe katundi.Bijë në shpirt është një vajzë zakonisht jetime, që një shtëpi e merr për ta rritur e martuar si bijë të vetën. Biri në shpirt me të drejtë trashëgimi merret vetëm me pëlqimin e trashëgimtarëve, përndryshe trashëgimtarët e ligjshëm mund t`i marrin çdo pasuri mbas vdekjes së atij, që pa kanun e bëri bir për shpirt.

Ky institut mendohet se rrjedh nga instituti i ngjashëm i adrogatio-s në të Drejtën Romake, që konsistonte në adoptimin e një personi madhor.

• Barra e vrame

Barra e vrame nënkupton një fëmijë të konceptuar me burrin e parë, i cili ka lindur në shtëpinë e burrit të dytë të nënës, pasi ati i tij ka vdekur para se fëmija të lindte. Nëse barra e vrame është vajzë, kur të rritet ajo do të shkojë në shtëpinë e burrit nga ku nëna doli shtatzënë dhe në atë shtëpi do të rritet, të martohet, të hyjë e të dalë si në shtëpinë e vet. Nëse burri i dytë do të pranojë, ajo mund të rritet prej tij si fëmijë për shpirt.

Sa i përket djalit të konsideruar barrë e vrame, ai i ka të gjitha të drejtat dhe detyrimet, që lindin nga trashëgimia si shtëpinë, pasurinë e gjakun e atit të kujtuar.

• Vllai i shpifun nuk ka të drejtë trashëgimie nga pasuria e burrit të parë të nënës.

• Trashëgimia me testament

Kanunet nuk e njihnin institutin e testamentit.

Përjashtim bëhej vetëm kur dikush dëshironte të linte një pjesë nga pasuritë e veta “për shpirt” në favor të kishës. Kjo kërkonte detyrimisht pëlqimin e kushërinjve. Ai i cili donte të linte me testament diçka në favor të kishës, duhej të plotësonte në mënyrë kumulative këto kushte:

të ishte i shëndoshë mendërisht;

të ishte i lirë për ta lënë atë;

të mos ishte nën kërcënimin e askujt;

të kishte të drejtën për të lënë pasurinë;

të kish pëlqimin e trashëgimtarëve të tjerë.

Të lanunat janë dy llojesh: me barrë dhe pa barrë.

Të lanunat me barrë (me detyrim) ishin ato, kur lënësi i caktonte kishës një detyrë. Për shembull: të thuheshin dy mesha në vit për shpirt të tij, ose të të parëve për pasurinë që po i linte.

Të lanunat pa barrë ishin ato, kur lënësi linte një pasuri për kishën pa i caktuar asaj asnjë detyrë në këmbim. Lënësi ishte i detyruar që të mblidhte kushërinjtë dhe pleqtë e fisit para 2 dëshmitarëve dhe për t`i dhënë fuqi lënies, të gjithë të pranishmit duhet të vendosnin shenjat e gishtit në letër, siç e kërkonte Kanuni.

• Mirazi

Sipas të drejtës zakonore shqiptare gruaja nuk mund të ishte trashëgimtare as në shtëpinë e babait, as në atë të burrit. Ky rregull i përgjithshëm gjente një zgjidhje më të moderuar në Kanunin e Lumës . Sipas tij trashëgimtarë të radhës së parë të babait njiheshin djemtë dhe jo vajzat. Kur trashëgimlënësi nuk kishte djem, por vetëm vajza të martuara këto thirreshin si trashëgimtare të radhës së dytë dhe konkurronin së bashku me kushërinjtë e tyre në trashëgimin e pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme të atit të tyre.Pjesa e vajzave në pasurinë e atit quhej “miraz” dhe përbëhej nga 1/3, 1/2, ose 1/5 e tokës. Këtë pjesë vajzat e ndanin ndërmjet tyre. Kur ndonjëra prej tyre nuk dëshironte të merrte mirazin, ajo pjesë i ndahej kushërinjve nga babai. Vajzat kishin të drejtën ta shisnin tokën e vet dhe në këtë rast zbatohej instituti i parablerjes, ose ndryshe i parapëlqimit.

Kjo rrezikonte që të bëhej blerës edhe një i huaj i cili bëhej “vëlla në katund” sepse përveç tokës ai blinte edhe “tymin” në pasurinë e përbashkët. Pra i huaji bëhej subjekt me të drejta të barabarta i bashkësisë fshatare. Nëse vajzat nuk e shisnin mirazin ato kishin vetëm të drejtën e përdorimit gjatë jetës së tyre. Pas vdekjes toka i kthehej kushërinjve nga babai. Këtu vlen parimi “iku nëna, iku toka”, për shkak se fëmijët e nënës i përkisnin një fisi tjetër.

Mirazi, përveç se vinte në kundërshtim me karakterin atëror të së drejtës zakonore krijonte ndërlikime ndërmjet anëtarëve të bashkësisë fisnore. Mendohet se ky institut është pasojë e ndikimit të së drejtës osmane, për faktin se mirazi është një institut që nuk gjendet në kanunet e tjera përveç atij të Lumës .

• Selemi

Selemi ishte një përjashtim nga rregulli i përgjithshëm i së Drejtës Zakonore se anëtarët e familjes nuk mund të mbanin pasuri të veçantë brenda familjes. Ky institut njihej në Kanunin e Skënderbeut.Me selem kuptohej pasuria e veçantë e anëtarit të familjes, zakonisht e luajtshme, që nuk bënte pjesë në pasurinë e përbashkët. Selemi kishte si burim të tij pasurinë që sillte gruaja me vete në rastin e martesës, e cila me kalimin e kohës mund të rritej në mënyra të ndryshme.

Gjithashtu edhe burri mund të kishte një pasuri të veçantë të fituar me trashëgimi. Kështu mund të ndodhte që mes dy vëllezërve të një familjeje të kishte dallime të rëndësishme pasurore për shkak të selemit. Pasuria “selem” disponohej nga burri pa e pyetur të zotin, madje ai mund të hynte dhe në marrëdhënie ekonomike me familjen e madhe duke siguruar fitime për nevojat e familjes së vet të vogël.Selemi ishte pasuri e trashëgueshme që pas vdekjes së pronarit u kalonte në pronësi djemve të tij. Selemi është shenjë e shpërbërjes së familjes së madhe patriarkale, element pronësie i periudhës së kalimit nga familja e madhe patriarkale drejt familjeve të veçanta sipas kurorave.

- Instituti i trashëgimisë në Statutet e Shkodrës

• Pak histori mbi Statutet e Shkodrës

Në veprën e dr. Milan Suflay theksohet se shqiptarët janë përpjekur për të bërë kodifikimin e ligjeve të tyre. Që në qindvjeçarin e trembëdhjetë në disa qytete të Shqipërisë gjendeshin zyra noteriale ku ruheshin shënime mbi rregullat dhe gjykimet e asaj kohe, prej nga mund të nxjerrim të dhëna mbi rrënjët e statuteve të qyteteve.

Ai shton se qytetarët e Durrësit kishin qenë të shtrënguar t`i fshihnin statutet e veta . Në fillim të periudhës së Venedikut (1398) u gjet nga një at Françeskan neni i 35 i një Statuti të shkruar mbi papir. Kjo vërteton ekzistencën në atë kohë të statuteve të shkruara në Shqipëri .

Në vitin 1907 përmendet ekzistenca e një statuti të Shkodrës nga studiuesi Leone Fontana, i cili gjendet sot në Museo Civico Correr Venezia . Statuti konsistonte në një dorëshkrim prej 40 fletësh, të shkruara në gjuhën veneto-veneciane. Ky dokument është unikal dhe pasqyron korpusin tërësor të statuteve të qytetit të Shkodrës në dhjetëvjeçarin e parë shekullit XIV. Ato janë hartuar sipas modeleve perëndimore të qyteteve të Italisë së asaj kohe, megjithëse atëherë Shqipëria ishte e pushtuar nga cari Stefan Dushani i Rashës.

Pas vdekjes së carit (1355) Shkodra kaloi nën sundimin e Balshajve, të cilët e shtrinë pushtetin e tyre deri në Vlorë e Berat.Pas pushtimeve nga Venecia dhe më pas nga Turqia (1479), shkodranët e emigruar në Venecia morën me vete Statutet e qytetit të tyre. Statutet përmbajnë 268 krerë (nene) origjinale dhe 11 krerë të shtuar në vitet e mëvonshme. Rregullime mbi të drejtën e trashëgimisë, që është objekti i këtij punimi gjenden në nenet 183-198 të këtyre Statuteve.

• Marrëdhëniet pasurore në familjen qytetare shkodrane të mesjetës

Marrëdhëniet pasurore në familjen qytetare shkodrane të mesjetës rregullohen në mënyrë të detajuar në Statute. Edhe pse pozita e burrit në familje është më e favorshme nga ajo e gruas, vihet re se të drejtat e saj janë mjaft të gjera krahasuar të drejtat që ajo kishte në shtetin romak ku dominoi familja patriarkale dhe pushteti i paterfamilias-it mbi anëtarët e tjerë të familjes, krahasuar dhe me pozitën shoqërore mjaft të kufizuar të gruas të rregulluar sipas së drejtës zakonore shqiptare në Kanune. Kjo për shkak të zhvillimit ekonomik të qyteteve të mëdha shqiptare të asaj kohe ku zhvillohej tregtia, e cila mundësonte lidhjen me shtete të tjera evropiane të asaj kohe, gjë që për pasojë sillte dhe shkëmbimin e kulturave.

Familja qytetare Shkodrane na vjen përmes Statuteve si një familje që e ka kaluar procesin e evoluimit nga familja e madhe patriarkale drejt familjeve të veçanta sipas kurorave, proces i cili duket ende i largët përmes së drejtës paralele Kanunore.Një shembull për këtë është rasti i çifteve që jetojnë pa prindërit dhe gjithshka që ata fitojnë së bashku konsiderohet e të dyve, d.m.th. secilit i takon gjysma e pasurisë dhe e borxheve . Në suksedimin e pasurisë mortis causa (për shkak të vdekjes) dallohet e drejta e gruas për të trashëguar dhe për të qenë lirisht trashëgimtare me testament.

• Sistemet e trashëgimisë sipas Statuteve të Shkodrës

Ashtu si në të Drejtën Romake edhe në Statutet e Shkodrës njihej trashëgimia me ligj (statut) dhe ajo me testament. Trashëgimia ligjore zbatohej në rastin kur një person laik, ose një femër nuk kishte lënë testament si dhe, kur testamenti ishte i pavlefshëm.

• Objekti i trashëgimisë

Objekt i trashëgimisë janë aktivi dhe pasivi i trashëgimisë së prindërve. Neni 183 parashikon se nëse babai apo nëna e dikujt ka hyrë në borxhe të cilat nuk i ka shlyer dot kur ishte gjallë, i takon bijve ta shlyejnë borxhin në masën e vlerës së trashëguar e jo më shumë.

• Humbja e së drejtës për të trashëguar

Fëmijët mund të përjashtoheshin nga trashëgimia në këto raste:

kur djali rrihte babanë, ose nënën;

kur babai dhe nëna qenë të vobektë dhe djali nuk i ushqente, megjithëse e kishte mundësinë për ta bërë.

kur vajza përfundonte në prostitutë, edhe pse prindërit kishin vdekur, vëllezërit kishin pushtetin ta përjashtonin motrën nga trashëgimia.

nëse prostituta nuk kishte baba, nënë, vëllezër të gjallë, por vetëm një motër që ishte e ndershme, kësaj të fundit i takonte dhe pjesa e motrës së përfolur.

- Burri nuk trashëgonte pajën e së shoqes që i kish vdekur, nëse ai dëshironte të merrte një grua të dytë. Pajën e së ndjerës duhet t`ia kthente familjes së saj.

• Trashëgimia testamentare

Në Statute shprehet qartë liria e një personi për të ndarë pasuritë e tij me testament sipas dëshirës tek i biri, madje dhe tek të huajt. Askush nuk ka të drejtë të kundërshtojë vullnetin e tij .

Shembull është rasti kur provohet se dikush ka tentuar të ndikojë në vullnetin e testament-lënësi gjatë hartimit të testamentit dhe në këtë rast personit që ka ndikuar nuk i jepet asgjë nga ato, që i janë lënë me testament. Por edhe sikur të mos ketë trashëguar asgjë me testament ai detyrohet t`i paguajë Kontit dhe paditësit një gjobë prej 8 hyperperë .

• Kushtet subjektive

Kushtet subjektive lidhen me subjektet që trashëgojnë dhe që janë trashëgimtarë.

Zotësia për të lënë testament është njëri prej këtyre kushteve që duhej të kishte personi i cili linte testament. Këtë zotësi djemtë e fitonin kur mbushnin moshën 14 vjeç, në rast të kundërt testamenti konsiderohej i pavlefshëm dhe pasuria e tij ndahej midis njerëzve të tij më të afërt. Vajza dhe femra në përgjithësi kishte të drejtë të lëshonte testament kur mbushte moshën 12 vjeçare.

Trashëgimtar mund të ishte çdo person pa dallim seksi apo moshe, i afërm apo person i huaj me testatorin.

• Llojet e testamentit

1. Testamenti publik, që hartohej në prani të 2-3 dëshmitarëve dhe legalizohej nga noteri. Nëse noteri nuk ishte i pranishëm gjatë hartimit të tij, detyrimisht testamenti duhej legalizuar më pas nga noteri. Nëse noteri nuk pranonte ta legalizonte, testamenti duhej paraqitur tek gjykatësi dhe vulosur me vulën e Komunës. Gjykatësit ishin të autorizuar ta nënshkruanin dhe ta vulosnin testamentin, kundrejt betimit të të interesuarve.

Kur njëri prej dëshmitarëve prezent gjatë hartimit të testamentit ishte kumbari i testament-lënësi, ky i fundit nuk mund të trashëgonte më tepër se 3 hyperperë.

2. Lloj tjetër testamenti ishte ai privat, i shkruar nga testament-lënësi me dorën e vet pa praninë e dëshmitarëve, që ishte i vlefshëm vetëm nëse ia bënte të njohur zbatuesve të tij. Në këtë kategori përfshihej dhe testamenti i hartuar jashtë qytetit të Shkodrës, i cili i paraqitej tre dëshmitarëve të besuar, të huaj, ose shkodranë brenda tre muajsh kur testament-lënësi ndodhet brenda krahinës dhe brenda 1 viti, kur ndodhet jashtë saj. Testamenti sillej në qytet dhe legalizohej para gjykatësit brenda 8 ditëve.

3. Testamenti i njerëzve të fesë mund të lëshohej para se ata të hynin në një urdhër, ose deri në një vit pasi kishin hyrë në të. Ata humbnin çdo të drejtë mbi pasurinë e tundshme pas bërjes së betimit.

4. Testamenti i femrës që kishte fëmijë dhe gëzonte të drejtën të hiqte mënjanë për lutje të shpirtit të saj 1/5 e pasurisë, nëse këtë pasuri nuk ia kishte kaluar ndërkohë vajzës së saj. Përndryshe vetëm pasi u kishte caktuar djemve pjesën e tyre, mund të caktonte pjesën e mbetur për përshpirtjen e saj.

5. Testamenti i djalit të sëmurë rëndë, kur nëna dhe babai i tij ishin gjallë për aq sa këta të fundit e lejonin. Në rast se ai dispononte dhe me pasurinë e prindërve, ky testament mund të zbatohej vetëm pas vdekjes së tyre.

Nëse ekzistonin disa testamente të hartuara në këto mënyra, testamenti i fundit konsiderohej i vlefshëm.

• Trashëgimia me ligj

Fare pak dispozita i kushtohen në Statute trashëgimisë ligjore.

Në rastin kur vajzat dhe djemtë hartonin një testament pa mbushur moshën, duke shkelur kështu kushtin thelbësor të zotësisë për të trashëguar, testamenti i tyre konsiderohej i pavlefshëm dhe pasuria do të ndahej midis njerëzve të tyre më të afërm.

Përsa i përket vajzës, që vdes pa lënë testament dhe e pamartuar, pasuritë e saj i mbeten njeriut më të afërm.Në rastin e një personi laik, ose një femre që nuk kish lënë testament do të zbatohej një rend i caktuar trashëgimtarësh si më poshtë:

në radhën e parë trashëgonin bijtë e tij/saj;në mungesë të këtyre më sipër trashëgonin ati, ose nëna;vëllezërit, ose në mungesë të tyre djemtë e motrave;xhaxhallarët dhe bijtë e xhaxhallarëve;kushërinjtë, bijtë e kushërinjve dhe më pas trashëgimtarët e kushërinjve deri në shkallë të katërt;pasuria e burrit i kalonte gruas dhe anasjelltas;Komuna

BIBLIOGRAFIA

- KANUNI I LEKE DUKAGJINIT, Shtjefën Gjeçovi. Shtëpia botuese Kuvendi 99`

- KANUNI I SKANDERBEGUT, Mbledhë e kodifikue nga Dom Frano Ilia. Editrice La Rosa, Milot 1993.

- KANUNI I LEKE DUKAGJINIT, Varianti i Pukës, Tiranë,1996.

- STATUTET E SHKODRES, Komiteti i pajtimit mbarëkombëtar, dhjetor 2003.

- MARREDHENIET FAMILJARE, Aleks Luarasi, 2001.

- SERBET DHE SHQIPTARËT. Dr. Milan Suflay.

- MARREDHENIET JURIDIKE CIVILE NE KANUNIN E LEKE DUKAGJINIT, Dr. Syrja Pupovci, Prishtinë 1971.

- KODI CIVIL I VITIT 1929.

- HISTORIA E SHTETIT DHE SE DREJTES NE SHQIPERI, Aleks Luarasi 1997.

- E DREJTA ROMAKE; Arta Mandro, Tiranë 1998.

- ISTITUZIONI DI DIRITTO PRIVATO, Eduardo Voltera; La Sapienza Editrice-Roma

- LA LEGGE DELLE XII TAVOLE: LA STORIA E LA TRADUZIONE DEL TESTO; www.filodiritto.com/diritto/romano/12tavolestoria.htm

Marre nga: Gazeta Tema

Shënim I Stafit I DrejtesiaShqiptare.com:

E drejta e autorit mbetet i  autorit të punimit . Opinionet e shprehura  dhe studimet  juridike  e publikuara në këtë Website janë të autorëve përkatës  qe I upload ato.Ne nuk pranojme asnjë përgjegjësi për pikëpamjet, vërtetësinë e informacionit që përmbajnë artikujt që publikon dhe shkeljet e se drejtës së autorit.

Kushdo që ka ndonje ankese  rreth  së  drejtës  së autorit ne publikimet e ketij website,  është I lutur dërgoje një email  tek kontakt@drejtesiashqiptare.com.  Ne do ta  shqyrtojmë me përgjegjesi ankesën.

2 Responses to Instituti i Trashëgimisë në Kanunin e Lekë Dukagjinit dhe atë të Skënderbeut- Fjona Bica

  1. JUR CIVILIST says:

    Përshëndetje , jam i interesuar për libra të drejtimit Civil , andaj , a keni mundësi të më ndihmoni të gjejë këto libra :

    “Obligimet dhe kontratat përgjithësisht” , Komentar i Kodit civil, viti 1931, shtëpia botuese “Luarasi” , viti 1998

    A.Nathanaili, E drejta civile e R.P. Shqipërisë , dispensa I dhe II , Tiranë , 1974

    E drejta civile 2 (A.Nathanaili)

    E drejta e pronësisë e RP të Shqipërisë Andrea Nathanaili , I dhe II

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

one × 2 =

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Powered by WordPress | Designed by: Dog Groomer | Thanks to Assistant Manager Jobs, Translation Jobs and New York Singles