DËMI EKZISTENCIAL-MA. Herjeta DELIAJ-Floralba MITRUSHI

Dëmi ekzistencial është konfiguruar së fundmi nga doktrina dhe praktika gjyqësore si një figurë autonome dëmi, në kategorinë e dëmit jopasuror. Shfaqja e kësaj figure të posaçme është fryt i evolucionit dhe dimensioneve të reja që ka fituar kategoria e dëmit jopasuror për shkak të emancipimit të konceptit “njeriu-vlerë”. Dëmi ekzistencial shkakton  ndryshime  në  rrjedhën  normale  të  jetës  së  të  dëmtuarit  të  cilat  ndikojnë negativisht në personalitetin e tij.Dëmi ekzistencial është demi i shkaktuar nga fakti i paligjshëm që cënon të drejtat e personalitetit të  njeriut duke dëmtuar thuajse në mënyrë të përhershme shprehjen dhe realizimin e të dëmtuarit si njeri, shfaqjen e personalitetit të tij në botën e jashtme, duke tronditur objektivisht jetën e përditshme dhe  veprimtaritë e zakonshme të tij, duke i shkaktuar përkeqësim të cilësisë së jetës nga ndryshimi dhe prishja e ekuilibrit etj. Dëmi ekzistencial, është objektivisht i vërtetueshëm dhe sjell cënime me natyrë subjektive dhe të lidhura ngushtë me personin e të dëmtuarit.

Dëmi ekzistencial ka ngjallur debate të mprehta nëse është një figurë e posaçme dëmi apo në të vërtetë është i integruar në figurën e dëmit moral, jemi të  mendimit se dëmi ekzistencial përbën një figurë të pavarur në kategorinë e dëmit jopasuror duke zmadhuar përmasat e këtij lloji dëmi.

1. Hyrje

Për një kohë relativisht të gjatë dëmi jopasuror është evidentuar vetëm me dëmin moral. Por, gjatë njëzet  viteve të fundit, fillimisht doktrina dhe pastaj praktika gjyqësore, ka evidentuar dy figura të reja të  dëmit jopasuror. Nëpërmjet vendimit të vitit 1986 të Gjykatës Kushtetuese Italiane fitoi kuptim të ri dëmi ndaj shëndetit ose dëmi biologjik, ndërsa, nëpërmjet vendimit unifikues të vitit 2006 të Gjykatës së Kasacionit, në Itali, u pranua dëmi ekzistencial si një figurë e posaçme e dëmit jopasuror.   Në  vendin  tonë, vendimi unifikues i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë Nr. 12, dt. 13 dhe 14 shtator 2007, i dha përmasa të reja          kategorisë së dëmit jopasuror duke vënë përkrah figurës së dëmit moral, (natyra jopasurore e të cilit ishte e konsoliduar) edhe figurën e dëmit ekzistencial dhe  dëmit biologjik. Dispozita e nenit 625 te K. Civil të RSH është interpretuar e zbatuar ne pajtim dhe harmoni me parimet themelore kushtetuese mbi të drejtat e njeriut,  duke mbajtur parasysh dhe reflektuar edhe vetë procesin dinamik të ndërgjegjësimit e të emancipimit të shtetit e të shoqërisë në njohjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore. Sikurse është trajtuar më sipër në këtë vendim, sipas  neneve  3,  15  e  vijues  të  Kushtetutës,  parashikohet  mbrojtje  e  posaçme  dhe  e barabartë e të mirave pasurore dhe atyre jopasurore të njeriut. Në këtë kuptim, edhe neni 608 e vijues i K. Civil synojnë riparimin e plotë të çdo dëmi të pësuar në mënyrë të paligjshme, pra  jo  vetëm në pasurinë në kuptimin e ngushtë ekonomik, por edhe në të mirat jopasurore që mëshirojnë vlerat e vetë njeriut.Pra,  nëpërmjet  këtij  vendimi        është  pranuar  që  në  kategorinë  e  dëmit  jopasuror parashikuar në nenin 625 të K.C përfshihen tre figura:

•        figura e dëmit moral;

•        figura e dëmit biologjik;

•        figura e dëmit ekzistencial.

Në këtë artikull do të përqendrohemi në shpjegimin e kuptimit të dëmit ekzistencial dhe të disa elementëve që lidhen me këtë koncept.

2. Kuptimi i dëmit ekzistencial

Dëmi ekzistencial është konfiguruar së fundmi nga doktrina dhe praktika gjyqësore1  si një figurë  autonome dëmi në kategorinë e dëmit jopasuror. Shfaqja e kësaj figure të posaçme është fryt i evolucionit dhe dimensioneve të reja që ka fituar kategoria e dëmit jopasuror  për shkak të emancipimit të konceptit “njeriu-vlerë”. P.sh: Gjykata e Apelit në Milano i ka mëshuar rëndësisë së dëmit ekzistencial si mbrojtje  apo garanci që ofron e Drejta për cilësinë normale të jetës dhe shfaqjen e lirë të personalitetit të të dëmtuarit.2Dëmi ekzistencial shkakton pasoja të ndryshme nga dëmi moral dhe biologjik.3   Dëmi ekzistencial  shkakton  pasoja  të  tilla  që  nuk  lidhen  me  vlerat  ekonomike,  por  me marrëdhëniet  shoqërore,  familjare  dhe  prindërore,  dëmton  aftësitë  kreative,  sportive, kulturore, artistike të personit të dëmtuar,  dëmton aftësinë e tij për të punuar etj. P.sh: Humbja e fetusit për shkak të pakujdesisë mjekësore konsiderohet dëmtim për shkak të të

cilit mund të kërkohet shpërblimi i dëmit ekzistencial.4  Vlen të përmendet vendimi Nr. 7713 i vitit 2000 të Gjykatës së Kasacionit Italiane që bazohej në rekursin që kishte bërë një prind për të mospaguar ndaj fëmijës pensionin e përmuajshëm. Ankuesi mbështeste pretendimin e tij në faktin se fëmija nuk e kishte të nevojshme marrjen e këtij pensioni për shkak se mbahej në  gjendje shumë të mirë nga nëna natyrale. Gjykata arriti në konkluzionin  se  sjellja  e  babait  shfaqur  nëpërmjet  mosveprimeve  neglizhente  kishte shkaktuar një dëm në të drejtat e fëmijës, në cilësinë e birit  dhe të të miturit. Gjykata konstatoi  se  ushtrimi  i  detyrimeve  prindërore  ndikon  në  rritjen  e  shëndoshë  dhe  të ekuilibruar të fëmijës, në mënyrë që të integrohet lehtësisht në marrëdhëniet shoqërore. Neglizhenca në sjelljen e prindërve është shkak për dëmin ekzistencial.Dëmi ekzistencial shkakton ndryshime në rrjedhën normale të jetës së të dëmtuarit të cilat ndikojnë negativisht në personalitetin e tij dhe në veprimtarinë e përditshme duke nxitur në këtë mënyrë një gjendje jo të mirë shëndetësore dhe shpirtërore prej së cilës prodhohet ankth, irritime, depresion, vështirësi për përballimin e situatave jetësore etj. Në këtë rast, objekti i dëmshpërblimit është humbja ose privimi nga veprimtaria realizuese, prodhuese e të të dëmtuarit.5  Por, Vendimi nr. 6572 dt. 24.03.2006 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës Kasacionit Italiane i dha   dimensione të reja figurës së dëmit ekzistencial. Sipas këtij  vendimi, dëmi ekzistencial përfshin “çdo dëmtim që shkakton ndryshime tronditëse në mënyrën e të  jetuarit të të dëmtuarit duke ja shmangur mundësitë për të shfaqur personalitetin e tij në marrëdhëniet shoqërore ose “në botën e jashtme”. Dëmi ekzistencial  sipas  gjykatës,  nuk  i  referohet  dimensionit  të  brendshëm,  emotiv  të  të dëmtuarit. Për shkak të dëmit të pësuar, i dëmtuari bën zgjedhje që kanë të bëjnë me jetën e tij, të ndryshme nga ato që do të bënte në qoftë se nuk do të shkaktohej dëmi.Në Shqipëri,  Vendimi  Unifikues  i  Kolegjeve  të  Bashkuara  të  Gjykatës  së  Lartë  dt. 13.09.2007 dhe 14.09.2007, nr. 12 për herë të parë integroi në jurisprudencën shqiptare figurën e dëmit ekzistencial që njihej pak ose aspak në radhët e gjyqtarëve apo juristëve të tjerë. Nëpërmjet këtij vendimi evidentohet qartazi përpjekja e Gjykatës së Lartë për të konfiguruar dëmin ekzistencial si figurë të posaçme dëmi, duke aprovuar në këtë mënyrë jurisprudencën e huaj në favorizimin e ekzistencës së dëmit ekzistencial dhe shpërblimit të tij. Kuptimi i dëmit ekzistencial shpjegohet në mënyrë të detajuar nga gjykata. Sipas vendimit unifikues të sipërpërmendur, dëmi ekzistencial është dëmi i shkaktuar nga fakti i paligjshëm i të tretit cenon të drejtat e personalitetit të njeriut duke dëmtuar thuajse në mënyre  të  përhershme  shprehjen  dhe  realizimin  e  te  dëmtuarit  si  njeri,  shfaqjen  e personalitetit te tij në boten e jashtme, duke tronditur objektivisht jetën e përditshme dhe veprimtaritë e zakonshme të tij, duke i  shkaktuar përkeqësim të cilësisë së jetës nga ndryshimi dhe prishja e ekuilibrit, sjelljes e zakoneve të jetës, të marrëdhënieve personale e familjare. Për shkak të një gjendjeje të tillë psiko-fizike, i dëmtuari nuk mund të kryejë më  veprimtari  të  caktuara  që  karakterizonin  pozitivisht  qenien  e  tij  apo  mund  ta karakterizonin pozitivisht në të ardhmen, duke e detyruar të shtyhet drejt zgjidhjeve tëndryshme në jetë nga ato të dëshiruara e të pritshme apo në heqjen dorë nga këto të fundit për shkak të vërtetimit të faktit të paligjshëm.Në këtë mënyrë, Gjykata e Lartë i hapi rrugë gjykatave të niveleve më të ulta të njohin figurën e dëmit  ekzistencial. Ky vendim, në pjesën e pranimit të dëmit ekzistencial shënon një avancim për t’u vlerësuar të Gjykatës së Lartë, duke qenë se një koncept i tillë u  përafrua  në  jurisprudencën  shqiptare  në një  periudhë  që  akoma  endej  një  farë ngatërrimi në gjykatat tona në lidhje me nocionin e dëmit jopasuror. Kështu, gjykatat e niveleve më të ulta në çështjet gjyqësore që ju paraqiten për zgjidhje, rast pas rasti, kanë detyrën që të zbërthejnë kuptimin e këtij dëmi dhe të evidentojnë ekzistencën e tij.

3. Analizë për kushtet e domosdoshëm për të vërtetuar dëmin ekzistencial

Në nenin 608 të Kodit Civil parashikohet që:“Personi që në mënyrë të paligjshme dhe me faj, i shkakton tjetrit një dëm në personin dhe pasurinë e tij, detyrohet të shpërblejë dëmin e shkaktuar.Personi që ka shkaktuar dëmin nuk përgjigjet kur provon se nuk ka faj. Dëmi quhet i paligjshëm kur është rrjedhim i shkeljes ose i cënimit të interesave dhe i të drejtave të tjetrit, që mbrohen nga rendi juridik ose nga zakonet e mira.” Kjo dispozitë parashikon faktin juridik njerëzor të sjelljes së paligjshme dhe me faj të një personi që i shkakton dëm një personi tjetër. Nëse vërtetohet fakti i paligjshëm dhe lidhja shkakësore e tij me dëmin, lind marrëdhënia e detyrimit, e drejta subjektive e personit të dëmtuar për të kërkuar dëmshpërblim dhe detyrimi i personit përgjegjës për ta shlyer atë.

Ndërsa, në nenin 609 parashikohet që:

“ Dëmi duhet të jetë rrjedhim i drejtpërdrejt dhe i menjëhershëm i veprimit ose mosveprimit të personit.Mospengimi i një ngjarje nga personi që ka detyrimin ligjor për ta mënjanuar, e ngarkon atë me përgjegjësi për dëmin e shkaktuar.”

Nga interpretimi i këtyre dispozitave që të lindë detyrimi i dëmtuesit për shpërblimin e dëmit jopasuror duhet të ekzistojnë në mënyrë kumulative këto kushte:

1. Fakti i paligjshëm;

2. Ekzistenca e dëmit;

3. Faji;

4. Lidhja shkakësore.

Meqenëse dëmi ekzistencial përfshihet në kategorinë e dëmit jopasuror si një figurë e posaçme e tij,  atëherë kushtet e lartpërmendura duhen të përmbushen edhe për dëmin ekzistencial.

3.1     Fakti i paligjshëm

Fakti i paligjshëm nënkupton veprimin ose mosveprimin që është kryer në kundërshtim me rendin juridik ose zakonet e mira, prej të cilit është shkaktuar dëmi. Kjo rrjedh nga neni 608 sipas të cilit  “Personi që në mënyrë të paligjshme…” apo “Dëmi quhet i paligjshëm kur është rrjedhim i shkeljes ose i cënimit të interesave dhe i të drejtave të tjetrit, që mbrohen nga rendi juridik ose nga zakonet e mira.”Fakti i paligjshëm shprehet në kryerjen e një veprimi ose mosveprimi që biendesh me rendin juridik ose me zakonet e mira. ( Nuk janë të pakta rastet kur dëmi mund të  shkaktohet  edhe  si  rezultat  i  mosveprimeve.  P.Sh:  Gj.  Italiane  e  Kasacionit  me vendimin  Nr.  7713  të  vitit  2000  arriti  në  konkluzionin  se  sjellja  e  babait  shfaqur nëpërmjet mosveprimeve neglizhente kishte shkaktuar një dëm ekzistencial në të drejtat e fëmijës së mitur.) Veprimi ose mosveprimi i paligjshëm është një sjellje e vullnetshme dhe e vetëdijshme e personit. Paligjshmëria është një kategori objektive. Padijenia e një personi për njohjen e ligjeve nuk e përjashton atë nga përgjegjësia civile.6  Kodi ynë Civil ka parashikuar shkeljen ose cënimin e interesave dhe të drejtave që mbrohen nga rendi juridik7ose nga  zakonet e mira duke mos kufizuar në këtë mënyrë përgjegjësinë civile vetëm në rastet e parashikuara nga ligji.

3.2 Ekzistenca e dëmit

Që një person që ka kryer faktin e paligjshëm të mbajë përgjegjësi civile, duhet që domosdoshmërisht të jetë shkaktuar dëmi jopasuror në formën e dëmit moral, biologjik apo ekzistencial. Tre figurat e demit jopasuror mund të ekzistojnë në mënyrë të pavarur nga njëri tjetri, ose në mënyrë  kumulative dhe nga secili prej tyre mund të derivojë e drejta e të dëmtuarit për të kërkuar dëmshpërblimin përkatës. Por, në raste të tilla gjykata duhet të jetë e kujdesshme për të evituar rastet e dëmshpërblimeve të dyfishta.8         Për të

evituar dhënien e dëmshpërblimeve arbitrare duhen përcaktuar parametra matës të tillë të cilët t’i referohen:

 

•        personalitetit të të dëmtuarit;

•        interesit të cënuar;

•        veprimtarisë së kryer prej të të dëmtuarit;

•        ndikimit  të  veprimit  ose  mosveprimit  të  paligjshëm  në  personalitetin  e  të dëmtuarit;

•        ndryshimit të gjendjes së të dëmtuarit në marrëdhëniet familjare dhe shoqërore.9

 

 

3.3 Faji

Neni 608 parashikon fajin si një ndër kushtet e nevojshëm për të pasur përgjegjësi civile për dëmin jopasuror. Faktikisht në të drejtën civile nuk janë dhënë definicione ligjore për fajin dhe format e tij. Në lidhje me të është bërë referencë në doktrinën dhe të drejtën penale. Në nenin 608/2 i K. Civil parashikohet që “Personi që ka shkaktuar dëmin nuk përgjigjet kur provon se nuk ka faj” Pra, nga interpretimi i kësaj dispozite rezulton që fajësia prezumohet. I takon dëmtuesit barra e provës të  vërtetojë që nuk ka faj, sepse dëmtuesi më mirë se kushdo tjetër është në gjendje të provojë se pavarësisht se sjellja e tij mund të ketë qenë e paligjshme ka qenë i ndodhur në rrethana të tilla të cilat i ka pasur të pamundur për t’i mënjanuar.

3.4 Lidhja shkakësore

Në nenin  609  parashikohet  që  “  Dëmi  duhet  të  jetë  rrjedhim  i  drejtpërdrejt  dhe  i menjëhershëm i veprimit ose mosveprimit të personit” duke sanksionuar në këtë mënyrë lidhjen shkakësore si një ndër kushtet që duhet të ekzistojë kumulativisht me tre të tjerat për  përgjegjësinë  civile  për  dëmin  jopasuror.  Lidhja  shkakësore  është  një  kategori objektive, që pasqyrohet në mendjen e personit se si ajo do të zhvillohet, por pavarësisht kësaj, nuk mund të ndahet nga ana subjektive, sepse personi që kryen një  veprim ose mosveprim  me  vullnet  dhe  me  vetëdije  kupton  se  nga  ky  veprim  ose  mosveprim shkaktohen pasoja të dëmshme.10  Referuar dispozitës, lidhja shkakësore duhet të jetë e menjëhershme dhe e drejtpërdrejtë. Lidhja shkakësore është e drejtpërdrejt atëherë kur nuk vepron asnjë  faktor tjetër nga kryerja e faktit të paligjshëm deri në shkaktimin e dëmit  jopasuror.  Lidhja  shkakësore  e  menjëhershme  nënkupton  ardhjen  e  dëmit  pa vonesë.Në rast  se  dëmi  është  shkaktuar  nga  disa  veprime  apo  mosveprime,  atëherë  do  të përcaktohet nëpërmjet ekspertëve se cili ka qenë veprimi ose mosveprimi determinant në shkaktimin e dëmit. Gjykata  e Apelit në Milano, Seksioni 2 Civil me vendimin e 14 shkurtit 2003 ka mohuar ekzistencën e lidhjes shkakësore midis faktit të paligjshëm dhe dëmit të pretenduar prej të dëmtuarës. E dëmtuara kishte tentuar të vetëvritej duke pirë ilaçe gjumi në sasi të tepruar, për shkak të dëmit që pretendonte se i ishte shkaktuar nga zhurmat  irrituese  të  një  fabrike  që  ishte  ndërtuar  afër  banesës  së  saj.  Gjykata  nga shqyrtimi i rrethanave dhe provave të paraqitura arriti në përfundimin që dëmi shkaktuar të dëmtuarës mund të ishte pasojë e faktorëve të tjerë, por jo e zhurmës së ndërmarrjes,duke evidentuar në këtë mënyrë mungesën e lidhjes shkakësore. Në këtë rast, gjykata konstatoi vetëm dëm të shkaktuar në të drejtën për të gëzuar qetësinë familjare.Sipas vendimit unifikues nr. 12 të Gjykatës së Lartë në Shqipëri, në zbatim te nenit 609 te K. Civil për pranimin e përgjegjësisë civile jashtëkontraktore, duhet të vërtetohet lidhja shkakësore materiale ndërmjet sjelljes (veprimit a mosveprimit) së paligjshme e me faj dhe dëmit të shkaktuar. Në vijim, për përcaktimin e dëmtimeve (cenimeve) konkrete qe rrjedhin  nga  ky  fakt  i  paligjshëm dhe  caktimin  e  dëmshpërblimit  përkatës,  duhet  të vërtetohet edhe lidhja shkakësore juridike ndërmjet tyre.Ndërsa, me lidhjen shkakësore juridike vërtetohet lidhja shkak-pasojë ndërmjet faktit të paligjshëm në tërësinë e tij dhe cënimeve konkrete të pësuara në të drejta dhe interesa  të  ligjshme,  si  të  subjektit  pasiv  mbi  të  cilin  ka  vepruar  direkt  ky  fakt  i paligjshëm,  ashtu edhe të personave të  tjerë që rezultojnë të dëmtuar si rrjedhojë e pasojave që pranohet se vijnë normalisht e zakonisht nga i njëjti fakt i paligjshëm, sipas parimeve të rregullshmërisë dhe eficiencës së lidhjes shkakësore (id quod  plerumque accidit).

4. Shpërblimi i dëmit ekzistencial

Siç u  shpreh  edhe  më  lart,  dëmi  ekzistencial  është  shfaqje  e  jashtme  e  cënimit  të interesave  të  ligjshme  lidhur  me  cilësinë  e  jetës.   Si  rezultat,  është  objektivisht  i vërtetueshëm dhe nuk mund të provohet vetëm me anë të prezumimeve të thjeshta.11Gjykata duhet te pranoje vetëm ato cenime konkrete të të drejtave të personalitetit për të cilat ka bërë kërkim dhe që pretendohen nga i dëmtuari si dëm ekzistencial i pësuar prej tij. Për caktimin e dëmshpërblimit të dëmit ekzistencial, gjykata çmon mbi rrethana që vërtetojnë ndryshim të dukshëm e të rëndësishëm përkeqësues te jetës së përditshme dhe impaktin  aktual  e  të  ardhshëm  të  këtyre  ndryshimeve  në  interesat  jopasurore  dhe marrëdhëniet e të dëmtuarit me botën e jashtme.Në rastin e dëmit ekzistencial të shkaktuar në veçanti nga vdekja apo dëmtimi i rëndë i  shëndetit të të afërmit, për caktimin e masës së dëmshpërblimit ekzistencial, Gjykata e Lartë ka dhënë kritere konkrete që duhet të mbahen parasysh nga gjykatat e tjera, si më poshtë vijon:

•        afërsia gjinore me të dëmtuarin apo viktimën;

•        mosha e viktimës dhe e të dëmtuarit;

•        përbërja dhe gjendja e bashkëjetesës në familje.

4.1 Barra e provës

Cila palë ka barrën e provës në  një procedim gjyqësor me objekt shpërblimin e dëmit ekzistencial? Barra e provës për vërtetimin e demit është e paditësit. Pra, kjo palë duhet tëvërtetojë me prova pozitive alterimin në kuptimin përkeqësues të ekuilibrit, të zakoneve të jetës dhe  vetë ekzistencës së tij personale për shkak të faktit të paligjshëm (Onus probandi incumbit actori).Edhe nëpërmjet Vendimit Unifikues të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Kasacionit

Italiane është arritur në përfundimin se:“ Dëmi ekzistencial është një dëm objektiv, prandaj përkeqësimi i mënyrës së jetesës duhet të  provohet nga i dëmtuari dhe jo vetëm të prezumohet.” Kështu, sipas gjykatës duke u provuar dëmi ekzistencial theksohet funksioni kompensues i dëmit duke mohuar në këtë mënyrë funksionin ndëshkues i cili nuk pranohet nga e drejta. Referuar këtij vendimi, kërkuesi nuk mund t’i drejtohet formulave standarde të shpërblimit, duke theksuar se dëmi ekzistencial është një pasojë automatike e faktit të  paligjshëm. Është domosdoshmërisht  e  nevojshme  të  provohet  gjithçka  që  ka  ndikuar  konkretisht  për çekuilibrimin  e  mënyrës  së  jetesës:  në  qoftë  se  nuk  ka  dëmtim,  asgjë  nuk  mund  të shpërblehet.

5. Dëmi ekzistencial dhe dëmi moralDëmi ekzistencial ka ngjallur debate të mprehta nëse është një figurë e posaçme dëmi apo në të vërtetë është i integruar në figurën e dëmit moral.  Nuk janë të paktë autorët dhe juristët që mbajnë qëndrimin se krijimi i figurës së dëmit ekzistencial është i tepërt. Në të vërtetë,  nuk     është  se  mungon  vullneti  i  këtyre  doktrinarëve  për  të  njohur  dëmin ekzistencial, por faktikisht, sipas tyre  dëmi ekzistencial nuk ekziston.13

5.1 Disa arsye që tregojnë mungesën e dëmit ekzistencial

5.1.1 Dëmi ekzistencial nuk cënon të drejta të reja

Duke qenë se dëmi ekzistencial është pranuar të jetë çdo dëmtim që shkakton ndryshime tronditëse në  mënyrën e të jetuarit të të dëmtuarit duke ja shmangur mundësitë për të shfaqur personalitetin e tij në marrëdhëniet shoqërore ose “në botën e jashtme”, duke e detyruar atë të bëjë zgjedhje që kanë të bëjnë me jetën e tij, të ndryshme nga ato që do të bënte në qoftë se nuk do të shkaktohej dëmi, mbështetësit e dëmit ekzistencial duhet të pranojnë që jo çdo “humbje ekzistenciale” mund të shkaktojë një dëmtim që  duhet të zhdëmtohet. Pra, ata duhet të përcaktojnë një kriter përzgjedhës, në bazë të të cilit të kualifikohen humbjet ekzistenciale që meritojnë të dëmshpërblehen, sepse jo të gjitha mund të jenë  objekt dëmshpërblimi. Në këtë rast, është e lehtë për t’u evidentuar që humbjet ekzistenciale që  meritojnë të dëmshpërblehen janë ato të lidhura me parimet kushtetuese dhe ligjore. Por nga sa u tha më sipër, humbet veçoria, risia e sjellë nëpërmjet konceptit të dëmit ekzistencial. Nuk është e nevojshme të shfaqet një figurë e posaçme dëmi  jopasuror,  siç  është  dëmi  ekzistencial,  për  të  mundësuar  dëmshpërblimin  e dëmtimeve  si   rezultat  i  zhdëmtimit  të  të  drejtave  kushtetuese  dhe  ligjore.  Dëmi ekzistencial nuk shkakton dhunimin e një të “drejte të re”, prandaj nuk mund të jetë një zë i ri në kategorinë e dëmit. Dëmi mund të jetë ose biologjik ose moral.14

5.1.2 Dëmi ekzistencial prodhon pasoja të dyfishta

Dëmi moral shkakton një dhimbje dhe vuajtje shpirtërore të brendshme, me karakter subjektiv. Por, dallimi midis dëmit moral dhe dëmit ekzistencial nuk mund të bazohet në atë që “dëmi moral shkakton vuajtje, ndërsa dëmi ekzistencial e privon të dëmtuarin nga kryerja e veprimtarive të caktuara, të cilat do t’i bënte në qoftë se nuk do t’i shkaktohej ky lloj dëmi”. Ndërkohë, që vuajtja e shkaktuar nga dëmi moral nuk është gjë tjetër veçse pasojë që vjen nga privimi, pamundësia për të kryer veprime të caktuara.  Dhimbja e shkaktuar  nga  humbja  e  një  të  afërmi  të  dashur,  dëmtimi  i  shëndetit,  humbja  e reputacionit etj, padyshim që shkakton që i dëmtuari të heqë dorë nga veprimtari të shumëllojshme (p.sh të shkojë në kinema, të dalë shëtitje etj). Por, në këtë rast pasoja të tilla janë vlerësuar të  dëmshpërblehen për shkak të dëmit moral. Në qoftë se do të pranohej edhe dëmi ekzistencial, do të prodhohej një dëmshpërblim i dyfishtë. Kështu që arrihet në përfundimin që dëmi ekzistencial në të vërtetë është dëm moral.Pavarësisht mbështetësve të tezës për mungesën e dëmit ekzistencial jemi të mendimit që demi  ekzistencial përbën një figure të pavarur në kategorinë e dëmit jopasuror duke zmadhuar përmasat e këtij lloj dëmi. Nuk mund të pranohet që dëmi ekzistencial s’është gjë tjetër veçse dëm moral. Ka dallime të dukshme midis tyre.Në vendimin unifikues Gjykata e Lartë ka dhënë kuptimin e dëmit moral. Sipas vendimit “Dëmi moral (pretium doloris ose pecunia doloris) është shfaqje e brendshme, e përkohshme, e turbullimit të padrejtë (non iure perturbatio) të gjendjes shpirtërore të njeriut, dhimbje e vuajtje  shpirtërore apo gjendje ankthi e mundimi shpirtëror që rrjedh si pasojë e faktit të paligjshëm.”.Nga  kuptimi  i  dëmit  moral  dhënë  prej  këtij  vendimi  evidentohen  tre  elementë karakterizues  të këtij lloj dëmi:

a)  Pasoja

Pasoja të dëmit moral janë shfaqja e brendshme e turbullimit të padrejtë, dhimbja apo vuajtja  shpirtërore, gjendje ankthi, mundim shpirtëror që ka derivuar për shkak të faktit të paligjshëm.

b)  Kohëzgjatja e pasojës

Sipas vendimit “Dëmi moral (pretium doloris ose pecunia doloris) është shfaqje e brendshme,  e   përkohshme,…”  Pra,  në  rastin  e  dëmit  moral  dhimbja  dhe  vuajtja shpirtërore janë gjendje të përkohshme prej të cilave i dëmtuari rehabilitohet brenda një periudhe të caktuar në varësi të ngjarjes  dëmshkaktuese dhe ndjeshmërisë personale të çdo subjekti.

c)  Barra e Provës për vërtetimin e demit

Siç e shpjeguam më sipër, në rastin e dëmit ekzistencial, i dëmtuari duhet të provojë me prova konkrete shkaktimin e dëmit. Ndërsa, në rastin e dëmit moral, pasoja prezumohet. Në vendimin  unifikues Gj. Lartë është shprehur se “… nisur nga natyra subjektive e këtij dëmi dhe veçanërisht nga karakteri, shfaqja e brendshme e tij, vërtetimi i cenimit të personalitetit të të dëmtuarit në turbullime, dhimbje e vuajtje shpirtërore, etj., nuk mund të provohet në mënyrë tjetër përveçse duke i vlerësuar ius  receptum si të mbështetura ligjërisht dhe duke i çmuar si të provuara ipso iure me vërtetimin nga paditësi të vetë faktit të paligjshëm të të tretit dhe lidhjes së këtij fakti me cënimin moral të pësuar, sipas  parimit të rregullshmërisë shkakësore. Duke qenë provë në formën e prezumimit të thjeshtë, nëse  shkaktuesi i dëmit nuk arrin të vërtetojë të kundërtën, ajo merr të njëjtën vlerë e fuqi të plotë provuese sikurse prezumimi ligjor iuris tantum (neni13 i K.Pr.Civile).”Dëmi moral shkakton një gjendje të përkohshme ankthi e turbullimi shpirtëror, ndërkohë që dëmi ekzistencial sjell pasoja të përhershme, të pariparueshme që shprehen në  shfaqjen  e  personalitetit  të  të  dëmtuarit  në  botën  e  jashtme  duke  i  shkaktuar përkeqësim të cilësisë së jetës nga ndryshimi dhe prishja e ekuilibrit, sjelljes e zakoneve te jetës, të marrëdhënieve personale e familjare.

6. Padia për shpërblimin e dëmit jopasuror

6.1 Kompetenca tokësore

Padia për  shpërblimin  e  dëmit  jopasuror  mund  të  ngrihet  prej  cilitdo  që  pretendon shkaktimin e këtij lloji dëmi. Në lidhje me përcaktimin e gjykatës kompetente nga ana territoriale, duhet t’i referohemi KPrC. Si rregull, paditë ngrihen në gjykatën e vendit ku ka  banimin  i  padituri.  Në  nenin  42/1  të  KPrC  parashikohet  që  “Paditë  ngrihen  në gjykatën e vendit ku i padituri ka vendbanimin ose vendqëndrimin e tij dhe kur këto nuk dihen, në   gjykatën e vendit ku ai ka banesën e përkohshme.”   Ndërsa, në rastin kur i padituri është person juridik, paditë ngrihen në gjykatën e vendit ku ka qendrën  e  tij. (neni 43/1). Për paditë e shpërblimit të dëmit KPrC ka parashikuar një kompetencë alternative  ose  konkurruese.  Konkretisht,  në  nenin  48  parashikohet  që  “Paditë  që rrjedhin nga shkaktimi i dëmit mund të ngrihen si në gjykatën e vendit ka banimin i padituri, ashtu dhe në gjykatën e vendit ku është shkaktuar dëmi.”  Pra, kjo dispozitë i referohet padive që rrjedhin  nga shkaktimi i dëmit, duke përfshirë dëmin pasuror dhe jopasuror. Në këtë rast, KPrC ia ka lënë në dorë paditësit të zgjedhë gjykatën kompetente për gjykimin e padisë. Në çështjen I.I. kundër shoqërisë  “Botimet Periodike Spektër” sh.a., gjykuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier,  pala e paditur pretendoi se gjykatë kompetente për shqyrtimin e padisë është Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, meqenëse selia e shoqërisë së paditur gjendej në Tiranë. Kjo kërkesë nuk u pranua nga gjykata duke argumentuar se:“ Sipas  shpjegimeve  të  palës  paditëse  dhe  nga  çertifikata  e  lindjes  së  saj, rezulton se vendbanimi i saj është në Patos Qarku Fier dhe pala paditëse pretendon se ky dëm i është shkaktuar në Fier, duke qenë se është vendbanimi i saj dhe këtu ndodhen të afërmit dhe miqtë që e njohin. Gjatë analizimit të kësaj çështje civile Gjykata ka parasysh përcaktimet e nenit 54 të K.Pr.C sipas të cilit: “E  drejta e zgjedhjes ndërmjet shumë gjykatave kompetente i takon paditësit, e cila ushtrohet me ngritjen e padisë.”Nga sa më sipër, referuar faktit se në rastin konkret për këtë lloj padie që rrjedh nga shkaktimi i dëmit, janë parashikuar nga ligji dy gjykata kompetente dhe se paditësi e ka ushtruar të drejtën e zgjedhjes së tij nëpërmjet ngritjes së kërkesë padisë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier, Gjykata vlerëson se ajo ka kompetencë tokësore për gjykimin e kësaj çështje, si gjykatë e vendit ku pretendohet se është shkaktuar dëmi.”

6.2 Karakteri i parashkrueshëm ose jo i padisë për shpërblimin e dëmit jopasurorNë nenin 113 të K.Civil parashikohet që:“Nuk parashkruhen:  a)  padia  për  rivendosjen  ose  mbrojtjen  e  një  të  drejte vetjake jopasurore, përveç përjashtimeve të caktuara në ligj.”Ndërsa, në nenin 115/dh parashikohet që:“ Parashkruhen  brenda tre vjetëve  paditë për shpërblimin e  dëmit jokontraktor dhe  paditë për kthimin e përfitimit pasuror pa të drejtë.”

Nga përballja e këtyre dy dispozitave, në pamje të parë duket sikur është e paqartë nëse padia për shpërblimin e dëmit jopasuror ka karakter të parashkrueshëm apo jo. Por, realisht  kjo  padi  ka  karakter  te  parashkrueshëm  sepse  nëpërmjet  saj  nuk  kërkohet mbrojtja e një drejte vetjake jopasurore, por shpërblimi i demit qe përveç te tjerash mund te ketë ardhur edhe nga cenimi i një te drejte vetjake jopasurore.

Afati i parashkrimit fillon nga  dita që i dëmtuari ka ditur ose duhej të dinte për dëmin e pësuar dhe  për personin që e ka shkaktuar.” (neni 120 i K.C)

7. Konkluzion

 

 

 

15  Vendimi nr. 291 dt. 20.02.2008 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier.

Tashmë, hapi pozitiv është hedhur. Gjykata e ka pranuar qenien e dëmit ekzistencial si figurë të pavarur në kategorinë e dëmit jopasuror.  Për të përcaktuar dëmin ekzistencial nuk ka një njësi matëse për të vlerësuar se sa është humbja e pësuar në këtë rast si dhe vuajtjet  që  pësojnë  personat  e  dëmtuar.  Prandaj,  është  e  nevojshme  që  gjykata  të mbështetet në disa kritere orientues mbi bazën e  të cilëve të përcaktojë shpërblimin e dëmit rast pas rasti. Doktrina dhe praktika gjyqësore ka evidentuar  kritere të tillë, disa prej të cilëve janë edhe shumë të debatuar. Por, dimensioni “njerëzor” i dëmit nuk mund të lihet pas dore dhe të konsiderohet si i shpërblyeshëm, i zhdëmtueshëm në mënyrë të përshtatshme. Çdo mbartës i dëmit e përjeton atë ndryshe. Të mohohet ky fakt do të thotë të mohohet vetë  kuptimi i dëmit ekzistencial, një koncept që i referohet njeriut dhe vuajtjes së tij, që është një vuajtje individuale, specifike, subjektive dhe mbi të gjitha nuk mund të mohohet që çdonjëri është unik, i ngjashëm vetëm me vetveten.

Bibliografia

Ligje:

Kodi Civil i RSH i vitit 1994 ; Kodi i Procedurës Civile.

Literatura Juridike Shqiptare:

Mariana  Semini  (Tutulani)  “E  drejta  e  detyrimeve  dhe  e  kontratave”  (pjesa  e përgjithshme), Botimi i tretë, Tiranë 2002Luan Omari  “Parime  dhe  institucione  të  së  drejtës  publike”  Shtëpia  botuese  Elena

GJIKA, Tiranë 1999,Prof. Dr. Ismet Elezi, Prof.As.Dr. Skënder KAÇUPI, Dr. Maksim HAXHIA, “Komentari i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”,  shtëpia botuese “GEER”, Tiranë, 2001.

Literatura Juridike e huaj:

Lima F. “Il danno esistenzialo”, 07.02.2007, brochure; Giulio Ponzanelli, Danno e Responsabilita.

Praktika gjyqësore shqiptare:

Vendimi  Unifikues  i  Kolegjeve  te  Bashkuara  të  Gjykatës  së  Lartë  në  RSH,  nr.  12,

13.09.2007, 14.09.2007;

 

 

Vendimi nr.   291, dt. 20.02.2008 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier.

Praktika gjyqësore e huaj:

Vendimi nr. 6572, dt. 24.03.2006 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Kasacionit

Italiane;

Vendimi nr. 2677, dt. 11.03.1998 i Gjykatës së Kasacionit Italiane; Vendimi nr.7713 i vitit 2000 i Gjykatës së Kasacionit Italiane

Vendimi dt. 14.02.2003 i Gjykatës së Apelit Milano, Seksioni 2 Civil.

Burime nga Interneti:

www.euroaustici.org

www.ambientediritto.it/giurisprudenca/it www.personaedanno.it www.diritto.it/articoli/civilesechi www.lexitalia.it

www.gjykataelarte.gov.al

Marre nga : Revista Shqiptare për Studime Ligjore, Takimi IV, Instituti Alb-Shkenca, 2009

 

Shënim I Stafit I DrejtesiaShqiptare.com:

E drejta e autorit mbetet i  autorit të punimit . Opinionet e shprehura  dhe studimet  juridike  e publikuara në këtë Website janë të autorëve përkatës  qe I upload ato.Ne nuk pranojme asnjë përgjegjësi për pikëpamjet, vërtetësinë e informacionit që përmbajnë artikujt që publikon dhe shkeljet e se drejtës së autorit.Kushdo që ka ndonje ankese  rreth  së  drejtës  së autorit ne publikimet e ketij website,  është I lutur  te dërgoje një email  tek kontakt@drejtesiashqiptare.com.  Ne do ta  shqyrtojmë me përgjegjesi ankesën.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

twelve − six =

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Powered by WordPress | Designed by: Dog Groomer | Thanks to Assistant Manager Jobs, Translation Jobs and New York Singles