Masat Parandaluese Pasurore Të Parashikuara Në Ligjin “Për Parandalimin Dhe Goditjen E Krimit Të Organizuar” -Klodian BRAHO

Krimi i organizuar ka qenë dhe mbetet një nga fenomenet me shqetësuese që kërcënon shoqërinë dhe shtetin. Nevoja per ta luftuar atë ka bërë të domosdoshme edhe marrjen e një sërë masash legjislative, jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe në atë ndërkombëtar, që kanë sjellë si pasojë implementimin e instituteve te reja të së drejtës, por edhe ndryshimin e natyrës juridike klasike të instituteve të mëparshme. Zbulimi, identifikimi, sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurive që janë produkt i krimit, janë pjesë e çdo strategjie në luftën kundër krimit të organizuar apo krimeve të tjera serioze. Një vend të rëndësishëm në këtë drejtim zë padyshim edhe Ligji “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar”. Ky ligj ka sjellë disa ndryshime lidhur me institutin e sekuestrimit ashtu edhe në atë të konfiskimit, ndryshime këto që kanë ndryshuar paksa natyrën klasike juridike që këto institute kanë gëzuar deri me tani.

SEKUESTRIMI

¾ Natyra juridike

Në pamje të parë edhe vetë juristët mundet që të ndihen paksa konfuzë në lidhje me institutin e sekuestrimit për shkak të vetë llojeve dhe tipeve të sekuestrimit. Me sekuestrim do të kuptohet kufizimi i përkohshëm, deri në një vendim përfundimtar, i të drejtave pasurore të një personi mbi një send të caktuar qoftë ky i luajtshëm , i paluajtsheëm apo ndaj një shume të hollash. Ky kufizim i peërkohshëm mund të bëhet nëpërmjët marrjes së sendit apo shumës së të hollave, detyrimit për të mos i ushtruar të drejtat, apo nëpërmjet detyrimit të të tretëve të mos i japin mundësi subjektit që të gëzojë sendin.1 Instituti i sekuestrimit paraqitet në disa lloje, në varësi të qëllimit specifik që ndjek secili prej tyre. Por, të gjitha këto lloje të sekuestrimit bashkohen në një pikë, që gjithmonë është një masë që vendoset mbi sendet e luajtshme ose të paluajtshme dhe sjellin pamundësinë e personit për t’i gëzuar dhe për t’i disponuar këto sende2. Në Legjislacionin Penal shqiptar janë parashikuar disa lloje sekuestrimesh :

¾ Sekuestrimi si mjet i kërkimit të provës.

Sekuestrimi i disiplinuar në nenet 208-220 të K.Pr.Penale është një mjet i kërkimit të provës që shërben për marrjen dhe ruajtjen e provave materiale dhe apo të sendeve, që lidhen me veprën penale, kur ato janë të domosdoshme për vërtetimin e fakteve3. Element dallues i sekuestrimit si mjet i kërkimit të provës, i quajtur ndryshe edhe sekuestroja penale4, është se kjo masë vendoset vetëm ndaj provave materiale dhe sendeve që lidhen me veprën penale, me qëllim të sigurojnë për procedimin penal të gjitha provat e mundshme, apo materialet e dobishme për vërtetimin e kryerjes së veprës penale, pasojave të ardhura prej saj, fajësinë e të pandehurit apo shkallën e përgjegjësisë së tij. Ky lloj sekuestrimi i përgjigjet nevojave të natyrës provuese që ka një procedim penal dhe për këtë arsye, ky lloj sekuestrimi është disiplinuar në Kodin e Procedurës Penale së bashku me mjetet e tjera të kërkimit të provës, që edhe këto kanë për qëllim marrjen e provave, për të vërtetuar kryerjen e veprës penale, autorësinë e saj dhe shkallen e përgjegjësisë penale.

¾ Sekuestrimi si një masë sigurimi pasurore, ku do të përfshihen sekuestroja konservative dhe sekuestroja preventive.

Masa e sekuestrimit mund të vendoset edhe mbi sende apo pasuri që nga ana e vet mund të mos kenë lidhje me veprën penale apo që nuk janë të nevojshme për të provuar fakte apo rrethana që lidhen me veprën penale. Edhe në këtë rast kemi dy lloje sekuestrimi të tilla, si: sekuestroja konservative dhe sekuestroja preventive. Me sekuestro konservative kuptohet heqja ose kufizimi i përkohshëm i të drejtave pasurore mbi pasuri të luajtshme ose të paluajtshme, me qëllim që të paguhen detyrimet që lindin si pasojë e veprës penale5 . Sekuestroja konservative vendoset me vendim të gjykatës në bazë të kërkesës së prokurorit ose të paditësit civil në ato raste kur ka arsye të bazuara për të menduar se nuk ka garanci për pagimin e dënimeve me gjobë, shpenzimeve të procedimit dhe të çdo detyrimi ndaj pasurisë së shtetit.

Sekuestroja konservative është një masë sigurimi, që ka për qëllim të sigurojë në dobi të procesit penal një “konservim”  të pasurisë së luajtshme ose të paluajtshme të të pandehurit apo të sendeve dhe të hollave që të tretët i detyrohen atij. Në mënyrë që kjo pasuri të mos transferohet, të fshihet apo të humbasë dhe të sigurohet pagimi i detyrimeve që mund të lindin si pasojë e veprës penale. Dhe për këtë shkak është disiplinuar në Kodin e Procedurës së bashku me masat e tjera të sigurimit.

Ndërsa, sekuestroja preventive është një masë sigurimi që vendoset mbi sende që lidhen me veprën penale dhe kur ekziston rreziku që disponimi i  lirë i këtyre sendeve mund të rëndojë apo zgjasë pasojat e veprës penale ose të lehtësojë kryerjen e e të tjerave. Kjo sekuestro mund të vendoset edhe për sendet, produktet e veprës penale dhe çdo llojpasurie që mund të konfiskohet sipas nenit 36 të Kodit Penal. Është një masë që vendoset vetëm nga gjykata me kërkesë të prokurorit. Sekuestroja preventive ka ndryshimet e veta nga sekuestroja penale (si mjet i kërkimit të provës). Ky ndryshim qëndron në raportin që lidhen me veprën penale konkrete. Sekuestroja preventive nuk specifikohet në faktin e realizimit të të provuarit ( marrjes së provës dhe vërtetimit të veprës penale ), por ajo specifikohet në detyrimin që kërkon të shmangë rëndimin apo zgjatjen e pasojave të veprës penale apo lehtësimin e kryerjes së veprave të tjera. Pra, ndërsa sekuestrimi si mjet i kërkimit të provës i përgjigjet një nevoje të natyrës provuese, sekuestroja konservative dhe ajo preventive i përgjigjen realizimit të nevojave të sigurimit, për të siguruar pagimin e detyrimeve që mund të lindin nga vepra penale (sekuestorja konservative) dhe për të shmangur rëndimin apo zgjatjen e pasojave veprës penale apo lehtësimit të veprave të tjera penale (sekuestroja preventive), dhe për këtë qëllim janë parashikuar bashkë me masat e sigurimit.

¾ Sekuestrimi i parashikuar në ligjin nr.9284, datë 30.09.2004.

Sipas këtij ligji, me kërkesë të prokurorit, duke parashtruar arsyet përkatëse, gjykata vendos sekuestron e pasurive, për të cilat ka të dhëna se mund të jenë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, në zotërim të personit, ndaj të cilit zhvillohen hetimet sipas këtij ligji, kur:  vlera e tyre rezulton të jetë në përmasa që nuk u përgjigjet të ardhurave të deklaruara ose veprimtarisë ekonomike të zhvilluar prej tij;  në bazë të të dhënave të mjaftueshme, ka shkaqe të bazuara për të menduar se këto sende janë produkt i veprimtarive të paligjshme ose përbëjnë investim të tyre6. Gjithashtu, ligji ka parashikuar edhe sekuestrimin paraprak7, ku sipas të cilit, prokurori mund t’i kërkojë gjykatës që të vendosë paraprakisht sekuestron e pasurive të mësipërme, edhe përpara caktimit të datës së seancës gjyqësore kur ekziston një rrezik real dhe konkret për humbjen, përvetësimin ose tjetërsimin e fondeve, të pasurive dhe të të drejtave të tjera, për të cilat parashikohet zbatimi i masës së konfiskimit, sipas dispozitave të këtij ligji. Natyra juridike e sekuestrimit sipas ligjit 9284, datë 30.09.2004, është paksa e veçantë nga natyra e llojeve të tjera. Ky lloj sekuestrimi duket si një masë që ka natyrën e një sekuestroje konservative, por me disa ndryshime që qëndrojnë në kushtet që merr në konsideratë gjykata për të vendosur këtë masë, gjithashtu edhe në pasojat që vijnë me vendosjen e kësaj mase8. Kështu, në rastin e sekuestros konservative, siç e përmendëm më sipër, gjykata vendos një masë të tillë me kërkesë të prokurorit, me qëllim që të sigurojë në dobi të procedimit penal, një ruajtje apo konservim të sendeve të luajtshme apo të paluajtshme dhe kjo me qëllim që kjo pasuri të mos fshihet, të transferohet apo të humbasë9. Në këtë pikë edhe sekuestrimi sipas ligjit nr. 9284, datë 30.09.2004, parashikon sekuestrimin e pasurive apo sendeve të veçanta për të njëjtat qëllime, që këto pasuri të mos tjetërsohen, humbasin apo përvetësohen nga persona të tjerë. Por megjithatë, ndërsa presupozimi i sekuestros konservative është që të sigurojë pagimin e detyrimeve që mund të lindin nga vepra penale, presupozimi i sekuestrimit sipas ligjit 9284, është që të sigurohet realizimi i konfiskimit të mëvonshëm të pasurive me origjinë të paligjshme të personave të dyshuar që përfshihen në fushën e zbatimit të ligjit nr.9284, datë 30.09.2004.

Ky sekuestrim është i ngjashëm edhe me masën e sekuestrimit që vendoset sipas Kodittë Procedurës Civile apo edhe me sekuestron preventive.
Është i ngjashem me sekuestrimin sipas K.Pr.Civile pasi, që të dyja këto masa
vendosen për t’u siguruar që pasuritë apo sendet të mos tjetërsohen, humbasin apopërvetësohen nga persona të tjerë, por të rrinë në një gjendje të konservuar deri nëmarrjen e një vendimi të mëvonshëm10, që për sekuestron civile është vendimi
përfundimtar i gjykatës që zgjidh një mosmarrveshje civile, ndërsa për sekuestriminsipas ligjit 9284 është vendimi i konfiskimit të atyre pasurive, për të cilat nukvërtetohet origjina e ligjshme.Ngjashmëria tjetër midis këtyre masave qëndron edhe në mënyrën e vënies në ekzekutim.
Ashtu sikurse sekuestroja civile edhe sekuestrimi sipas ligjit 9284, datë 30.09.2004,ekzekutohen sipas mënyrave të parashikuara nga Kodi i Procedurës Civile, në kufijtë që vetë ligji i ka parashikuar11.
Sekuestroja sipas ligjit 9284, datë 30.09.2004 është e ngjashme me sekuestron preventive,pasi që të dyja këto masa sjellin efekte të përafërta.
Sekuestroja preventive synon të shmangë rëndimin apo zgjatjen e pasojave të një veprepenale, apo pengon kryerjen e veprave të tjera, ndërsa sekuestrimi sipas ligjit nr.9284.datë 30.09.2004 synon që të mundësojë konfiskimin e mëvonshëm të pasurive tëpaligjshme të krimit të organizuar me qëllim parandalimin e tij.Pra, që të dyja këto sekuestrime për nga efektet që ato sjellin, përafrohen në pikën që,ato i shërbejnë të njëjtit qëllim final, i cili është “parandalimi”.

Sekuestroja preventive mund të vendoset për sendet që lidhen me veprën penale,gjithashtu edhe për sendet , produktet e vepres penale dhe ndaj çdo lloj tjetër pasurie,që mund të konfiskohet sipas nenit 36 të Kodit Penal. Kështu që, ndërsa sekuestrojapreventive sherben si nje mase siguruese që sendet dhe çdo pasuri tjetër, të cilat mundtë konfiskohet sipas nenit 36 të Kodit Penal, t’i nënshtrohen konfiskimit sipas nenit 36të Kodit Penal. Nga ana tjetër, sekuestrimi sipas ligjit  9284 shërben si një masë sigurie,
që pasuritë e paligjshme të personave pjesëmarrës në krimin e organizuar do t’i
nënshtrohen konfiskimit sipas ligjit 9284, datë 30.09.2004.
Sekuestrimi sipas ligjit 9284, datë 30.09.2004 konsiderohet si një masë, që bën të mundurkonfiskimin e mëpasshëm të pasurive apo sendeve të veçanta që hyjnë në fushën ezbatimit të ligjit nr. 9284 dhe për këtë shkak merr formën e një mase siguruese mekarakter të tillë që bën një sigurim paraprak të vendosjes së masës së konfiskimit sipasligjit nr. 9284.Në këtë mënyrë, kjo sekuestro ka një natyre siguruese dhe njekohësisht edhe konservativeme një efekt direkt që të shmangë shpërndarjen, humbjen, transferimin e pasurive tëpaligjshme të subjekteve të këtij ligji, pra, të shmangë dështimin e konfiskimit si masëfinale që duhet të merret ndaj këtyre pasurive me prejardhje të paligjshme.Megjithëse, ky sekuestrim mundet që të ketë ngjashmeri me llojet e tjera të sekuestrimitte parashikuar nga K.Pr.Penale, ai dallohet thelbësisht nga format e tjera nga disa aspekte:
Nga fusha e aplikimit. Sekuestrimi sipas ligjit nr.9284 zbatohet vetëm  për pasuritë në zotërim direkt ose indirekt të personave ndaj të cilëve, ekziston një dyshim i arsyeshëm dhe i bazuar në prova, për kryerjen e një kategorie të caktuar veprash penale tëparashikuara në nenin 3 të ligjit nr. 9284.
Ky sekuestrim vendoset në të gjitha rastet vetëm me vendim gjykate sipas kërkesës së prokurorit.Dallohet nga kushtet dhe kriteret që merren parasysh nga organi i prokurorisë dhe I Gjykatës në vendosjen e masës së sekuestrimit12.
Sekuestrimi i vendosur sipas ligjit nr. 9284, në ndryshim nga sekuestrimet e tjera të përmendura më lart, iu bindet disa afateve të përcaktuara posaçërisht në ligjin 9284, të cilat janë specifike vetëm për këtë lloj sekuestrimi.

Vendosja e masës së sekuestrimit.

Gjykata me kërkesën e prokurorit vendos sekuestron e pasurive, për të cilat ka të dhëna se mund të jenë, drejtpërdrejt ose tërthorazi në zotërim të të dyshuarit kur : a) vlera e tyre rezulton që të jetë në përmasa, që nuk u përgjigjet të ardhurave të deklaruara ose veprimtarisë ekonomike; b) në bazë të të dhënave të mjaftueshme ka shkaqe të bazuara për të menduar se këto sende janë produkt i veprimtarisë të paligjshme ose përbëjnë investim të tyre14.

Me “Pasuri” do të kuptojmë pasuri të çdo natyre, fizike ose jofizike, e luajtshme ose e paluajtshme, si dhe aktet juridike ose dokumentet që vërtetojnë një titull ose interes mbi këtë pasuri15.

Ø Zotërimi i drejtpërdrejtë ose i tërthortë i pasurisë. Koncepti i “zotërimit”, të pasurive për të cilat ka shkaqe të bazuara për të menduar se ato janë produkt i veprimtarive të paligjshme ose përbëjnë investim të tyre, nuk është një koncept që duhet kufizuar në situata thjesht formale, por duhet quajtur “zotërim”, edhe situata të tilla ku mjafton që i dyshuari faktikisht mundet që t’i përdorë këto pasuri edhe pse formalisht mund që t’i përkasin të tretëve16. Pra, koncepti i “zotërimit”, të pasurisë do t’i nënshtrohet kuptimit që e drejta civile i jep tagrave të gëzimit, disponimit apo posedimit, ku ekzistenca e tyre karakterizohet nga një sjellje prej pronari legjitim (uti dominus), të subjektit të dyshuar si pjesëmarrës në krimin e organizuar17. Në situata të tilla ku, zotërimi i një pasurie ekziston faktikisht edhe pse nga ana formale sendet mund t’ju përkasin të tretëve, zotërimi, ekzistenca e të cilit karakterizohet nga një sjellje prej pronari legjitim, ( uti dominus), të vetë subjektit, nevojitet që të vërtetohet nga organi i prokurorisë me një hetim rigoroz dhe të thelluar, sepse gjyqtari në vendosjen e sekuestros do të duhet që të shpjegojë arsyet e kësaj ndërvarësie midis pasurisë dhe zotërimit “formal” të saj, dhe kjo duhet vërtetuar me elementë faktik, që të jenë të një rendësie dhe përputhshmërie sa të përmbushin kërkesën “ka të dhëna”, që kërkohet nga neni 13 i ligjit 9284. Zotërim faktik i pasurisë nga ana e personit të dyshuar si pjesëmarrës në krimin e organizuar, është më i lehtë për t’u marrë në konsideratë, por jo se nuk duhen prova, ne ato raste kur, personat e tretë, të cilët pasuria u përket “formalisht”, janë bashkëshorti, fëmija, persona në gjini apo krushqi të afërt.Është vetë ligji, në nenin 3 të tij, i cili në radhitjen e subjekteve që do t’i nënshtrohen dispozitave të tij i ka trajtuar personat e mësipërm me më veçanti nga personat e tjerë të tretë fizikë ose juridik, ndaj të cilëve pronësia fiktive duhet të jetë e bazuar mbi elemente prove. E themi këtë, sepse në pikën (ç) të nenit 3/2, ligji ka kushtëzuar qenien subjekt të ligjit të personave fizikë ose juridikë me ekzistencën e të “dhënave të mjaftueshme” se pasuritë apo veprimtaritë e këtyre të fundit zotërohen pjesërisht apo plotësisht në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë nga personat e dyshuar sipas ligjit 9284. Ndërsa për bashkëshortin, fëmijet, personat në gjini apo krushqi të afërt, ligji nuk ka kërkuar në nenin 3/2 të tij “të dhena të mjaftueshme” se pasuritë zotërohen pjesërisht apo plotësisht nga personat e dyshuar sipas këtij ligji. Fakti që ligji i ka konsideruar më në veçanti fëmijët, bashkëshorti, personat në gjini apo krushqi të afërt, me të dyshuarin, tregon që “zotërimi” në këtë rast i pasurive të tyre nga ana e të dyshuarit është “më i mendueshëm” dhe nuk ka nevojë, në të tilla raste, për të kryer verifikime shume specifike, të cilat do të ishin kryer nëse të tretë do të ishin persona të tjerë fizikë ose juridikë të përmendur në nenin 3, paragrafi 2 të ligjit nr. 9284, datë 30.09.2004. Por megjithatë edhe në këtë rast duhet të provohen elementet e zotërimit faktik të pasurive nga personi i dyshuar, sepse ndonëse nuk kërkohet nga neni 3/2 i ligjit, është neni 13 i tij që kërkon ekzistencën e “të dhënave” se pasuritë mund të jenë në zotërim direkt apo indirekt nga personat e dyshuar. “Për zbatimin e masave pasurore ndaj personave të tjerë në gjykim nuk është e mjaftueshme të vërtetohet thjesht fakti i lidhjes familjare, gjinore, të krushqisë etj.,  për të “provuar” ekzistencën e zotërimit në fakt të pasurisë nga personi i dyshuar dhe vendosjen fiktive të saj në emër të personave të tjerë”18. Fakti, që mund të ekzistojnë të dhëna formale sipas të cilave sendet që dyshohen se janë produkt i veprimtarisë të paligjshme ose përbëjnë investim të tyre, ju përkasin formalisht personave të tretë, nuk pengon vendosjen e masës së sekuestrimit ndaj këtyre sendeve sipas ligjit nr. 9284 dhe më pas, konfiskimin e tyre. Kjo, sepse në nenin 13 të ligjit lejohet sekuestrimi i pasurive, për të cilat ka të dhëna se mund të jenë edhe “tërthorazi”, në zotërim të personit, ndaj të cilit zhvillohen hetime. Personat e tretë në këtë rast, duhet të thirren në gjykim për të ndërhyrë në procesin që zhvillohet në ligjin nr. 928419. Kuptimi i termit “zotërim” nuk është i njëjtë me termin “iu perkasin të tretëve”, që përdoret nga neni 16 i ligjit 9284. Kuptimi i të “tretit” në këtë rast nuk konsiston në një kuptim tekniko-civil, por ka një kuptim të pastër procedurial, sipas të cilit ky person legjitimohet të marrë pjesë në gjykim. Ndërsa “zotërimi” merret në kuptimin thelbësor të faktit, kuptim ky që është shumë afër konceptit të “posedimit” dhe që në të njëjtën kohë nuk është i lidhur me ndonjë kategori juridiko-formale, mjafton që të ekzistojnë “të dhënat”, që kërkohen nga neni 13 i ligjit.

Koncepti i “zotërimit” të tërthortë në këtë rast, të pasurive nga ana e personave të dyshuar, nuk mund të kufizohet thjesht te një marrëdhënie “natyrale”, por ky koncept duhet të shtrohet njëlloj sipas kuptimeve civile të zotërimit të të gjithë atyre situatave mbi të cilën prona hyn në sferën e interesave ekonomikë të personit e për më tepër, kur ai vetë ushtron vullnetin e tij mbi këtë pasuri nëpërmjet të tjerëve20. Kështu, me anë të zotërimit të tërthortë është dashur që të tregohet në mënyrë të qartë se duhet të parandalohet çdo mundësi shmangieje nga zbatimi i sekuestrimit dhe më pas i konfiskimit. Këtu duhet të perfshihen edhe ato pasuri që në mënyrë të gënjeshtërt, ju përkasin të tretëve, por realisht ato bëjnë pjesë në atë pasuri që gëzohet nga të dyshuarit dhe kështu që janë në dobi të këtyre të fundit, duke ju përmbajtur situatave të ndryshme të raporteve të besimit midis të tretëve dhe të dyshuarve21. Në ato raste kur bëhet fjalë për pasuri të paluajtshme organit të Prokurorisë i del si detyrë që të gjejë elementë për zotërimin “të tërthortë” nga ana e subjektit të dyshuar dhe për të theksuar më tepër këtë, do të jetë detyrë e titullarit formal që të vërtetojë22, zotërimin faktik të pasurisë dhe se zotërimi i tij është real e faktik, dhe jo vetëm në dukje. Pra, do të duhet të vërtetojë marri del si detyrëdhënien midis pasurisë dhe përfitimeve personale dhe të interesave të drejtpërdrejta të tij.

Vlerë jo propocionale dhe të dhëna të mjaftueshme.

Vendosja e masës së sekuestrimit nuk presupozon vetëm zotërimin e drejtpërdrejtë apo të tërthortë të pasurive por është e nevojshme që për këto pasuri, të ketë në bazë të të dhënave të mjaftueshme, shkaqe të bazuara për të menduar se ato janë produkt i veprimtarisë së paligjshme ose përbëjnë Pra, duhet që të ketë një raport lidhjeje midis pasurisë dhe aktivitetit të paligjshëm. Neni 13 përmend “produkt i veprimtarisë së paligjshme”, ose “investim të tyre”, dhe kjo kuptohet që nuk ështe e nevojshme që sendet në fjalë të jenë produkt i veprës penale konkrete, për të cilën subjekti është i dyshuar, por mjafton që këto sende të cilat do t’i nënshtrohen sekuestrimit të kenë një raport lidhjeje me çdo veprimtari tjetër të paligjshme që lidhet apo jo me veprën penale konkrete. Pra, në këtë rast nuk është e nevojshme që të nxirret në pah nëse kjo veprimtari e paligjshme është një krim i organizuar  sipas përcaktimeve të bëra nga neni 3 i ligjit, ose jo. Është e mjaftueshme ekzistenca e të dhënave, të cilat të bëjnë të kuptosh që këto sende janë përfituar si rezultat i veprimtarisë të paligjshme ose përbëjnë investim të tyre. Neni 13 i ligjit 9284, ka parashikuar sekuestrimin e pasurive ndër të tjera, kur “vlera e tyre është jo propocionale me të ardhurat e deklaruara, ose veprimtarinë ekonomike të ndjekur prej subjektit” dhe “të dhënat e mjaftueshme” se këto pasuri janë produkt i veprimtarisë së paligjshme ose përbëjnë investim të produkteve të tyre. Lind pyetja, këto dy kërkesa të ligjit janë alternative apo kumulative? Sipas Gjykates së Lartë, “për gjykatën nuk mund të jetë i mjaftueshëm thjesht përfundimi se ekziston mospërputhje ndërmjet të ardhurave të personit të dyshuar dhe pasurive të fituara prej tij, për të çmuar se të gjitha pasuritë duhet të sekuestrohen dhe konfiskohen. Krahas kësaj, gjykata duhet të individualizojë, sipas rrethanave, në mënyrë të mjaftueshme për efekte vetëm të procedimit parandalues, edhe ekzistencën e një lidhje shkakësore të caktuar ndërmjet veprimtarisë kriminale të personit të dyshuar (sipas nenit 3 pika 1) dhe përfitimit të pajustifikuar ligjërisht të pasurisë prej tij”23. Në të vërtetë, kërkesa e vlerës në përmasa që nuk i përgjigjet të ardhurave të deklaruara ose veprimtarisë ekonomike të zhvilluar, duke u marrë në konsideratë si alternative, normalisht sjell një provë që subjekti investon me tepër sesa ai fiton apo që ju shmanget pagimit të taksave dhe tatimeve dhe që në këto raste mundet që edhe te mos kemi një prejardhje kriminale të pasurive që zotërohen. Por kjo kërkesë, pra dispropocionaliteti, do të duhej të vlerësohej ndryshe në fakt, në një kontekst ku vetë subjekti, dyshohet se është pjesëmarrës në krimin e organizuar e për më tepër, duke pasur në konsideratë që grupe të tilla kriminale kanë si synim të tyre krijimin apo realizimin e përfitimeve materiale apo avantazheve ekonomike të paligjshme. Në një rast të tillë, ku një person i dyshuar si pjesëmarrës në krimin e organizuar, ka një dispropocionalitet të madh midis vlerës së pasurisë dhe të ardhurave të tij të deklaruara, do të kishim të bënim me tregues të një shkalle të tillë sa të përbënte Vendimi Unifikues nr.1, datë 25.01.2007 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. njëkohësisht edhe “të dhëna të mjaftueshme”, për të menduar se këto pasuri janë produkt i veprimtarive të paligjëshme. Të dhënat e mjaftueshme për prejardhje të paligjshme të pasurisë që kërkohet të sekuestrohet, mund të konsistojë edhe në një dispropocionalitet midis vlerës së pasurisë dhe të ardhurave të deklaruara, qoftë kjo edhe provë e vetme, duke pasur parasysh edhe dyshimet për pjesëmarrjen në krimin e organizuar të subjektit. Mospërputhja e vlerës së pasurisë me shumën e të ardhrave të deklaruara duhen në mënyrë të arsyeshme të konsiderohen si të ardhura të padeklaruara, frut i aktiviteteve të paligjshme dhe normalisht tepër fitimprurëse, siç janë ato që lidhen me krimin e organizuar24. Kështu që, personalisht i qëndroj mendimit se dy kërkesat e parashikuara nga neni 13 i ligjit 9284, në pikat a dhe b të tij, janë alternative pasi edhe vetëm ekzistenca e “dispropocionalitetit”, duke u vlerësuar në lidhje me të dhënat apo dyshimet e tjera arrin të përbëjë edhe “të dhenë të mjaftueshme” se sendet janë produkt i veprimtarive te paligjshme ose përbëjnë investim të tyre. Në këtë mënyrë, duke i njohur dispropocionalitetit të vlerës së pasurisë nga njëra ana dhe të ardhurave të deklaruara dhe veprimtarive ekonomike nga ana tjetër, nje karakter alternativ, ligji ka vënë një “sanksionim”, ndaj posedimit të pajustifikuar të personave të dyshuar si pjesëmarrës në krimin e organizuar, të atyre pasurive që për nga përbërja dhe destinacioni i tyre funksional, duhen konsideruar të rrezikshme25.

Barra e provës

Në vendosjen e masës së sekuestrimit i përket organit të prokurorisë barra që të provojë: “dyshimin e arsyeshëm “se subjekti ka kryer ndonjë prej veprave penale të parashikuara në nenin 3 të ligjit 9284. “I përket prokurorit barra e provës për të vërtetuar në gjykatë se një person në hetim apo i dënuar përmbush kushtet për t’u cilësuar si “person i dyshuar” për kryerjen e veprave penale të parashikuara nga pika 1 e nenit 3 të ligjit nr. 9284″26:  “të dhënat”, prej të cilave del se pasuritë që do t’i nënshtrohen sekuestrimit, mund të jenë drejtpërdrejtë ose tërthorazi në zotërim të personit, ndaj të cilit zhvillohen hetimet;  “dispropocionalitetin” midis vlerës së këtyre pasurive dhe të ardhurave të deklaruara ose veprimtarisë ekonomike të zhvilluar;  “të dhënat e mjaftueshme”, në bazë të cilave ka shkaqe të bazuara se pasuritë janë produkt i veprimtarive të paligjshme ose përbëjnë investim të tyre. “Për zbatimin e drejtë të ligjit, mbështetur në hetimet e kryera, edhe prokurori ka detyrime për të parashtruar kërkime të motivuara dhe prova mbështetëse përpara gjykatës, lidhur me identifikimin e pasurive të personit të dyshuar e të personave të tjerë, të tregojë nga ana e tij se ka bazë për dyshime e arsyeshme dhe, në këtë mënyrë të dhëna, prova të mjaftueshme për efekte të gjykimit parandalues, se ato nuk janë pasuri të fituara në rrugë të ligjshme, gjë që motivon ekzistencën e prezumimit që buron nga ligji nr. 9284 datë 30.09.2004 dhe, si rezultat, kërkesën për zbatimin e masave pasurore”27Në vendosjen e masës së sekuestrimit prokurori, sipas nenit 13/2, mund t’i kërkojë gjykatës që të detyrojë personin, ndaj të cilit zhvillohen hetimet, ose ata që kanë titullin e pronarit, apo zotërojnë çfardo lloj titulli, fonde ose pasuri të çdo lloji, me vlerë që nuk përputhet me të ardhurat e deklaruara ose aftësitë e tyre ekonomike, që të justifikojnë ligjshmërinë e prejardhjes së tyre. “Personi i dyshuar (neni 3, pika 1) dhe personat e tjerë (neni 3, pika 2 dhe neni 8) kanë barrën e provës për të justifikuar origjinën e ligjshme të pasurisë së tyre, për të provuar mungesën e lidhjes së pasurisë me cilësimin si produkte të veprave penale a investim të tyre dhe, vetëm për “personat e tjerë”,  të provojnë se, jo vetëm nga pikëpamja formale, por edhe në fakt, nuk jemi përpara zotërimit në çdo mënyrë të këtyre pasurive prej personit të dyshuar”28. Në këtë rast është e qartë se neni 13/ 2 i ligjit sjell një ndërrim të barrës së provës në ngarkim të personit që ka titullin sipas të cilës lind “detyrimi për të justifikuar”. Nga ana literale, ky paragraf duket se i ngarkon pronarit të pasurisë,  jo vetëm barrën për të provuar, por në të vërtetë  i ngarkon edhe një “detyrim” për t’u mbrojtur, detyrimin që të paraqesë përpara gjykatës provën e ligjshmërisë së prejardhjes së pasurisë së tij. Megjithëse, në praktikë ky detyrim është vendosur gjithmonë nga gjykata në gjykimin e kërkesave për sekuestrim, është e diskutueshme nëse neni 13/2 e parashikon si të mundshme “detyrimin për të justifikuar”, me pasojën që masa e sekuestrimit të vendoset edhe nëse ky detyrim jepet ose jo nga Gjykata ndaj personit që gëzon titullin e pronarit. Por nëse do t’i referohemi nenit 13/2 të ligjit, ky detyrim i subjektit për të justifikuar prejardhjen e ligjshme të pasurisë, nuk është e thënë që të ekzistojë në të gjitha rastet, kur gjykata vendos në lidhje me sekuestrimin, kjo sepse sipas nenit 13/2, “Prokurori mund t’i kërkojë gjykatës” dhe kështu që nuk presupozon faktin që domosdoshmërisht duhet që subjekti të detyrohet në të gjitha rastet, kur gjykata duhet të vendosë në lidhje me sekuestrimin. Nga ana tjetër, “mosjustifikimi” i prejardhjes së ligjshme të pasurisë jo domosdoshmërisht do të sjellë sekuestrimin e pasurive, sepse neni 13 i ligjit kërkon edhe ekzistencën e disa kushteve të tjera, pasi kërkon të dhënat se mund te jenë në zoterim direkt apo indirekt”, dhe dispropocionalitetin” apo raportin e lidhjes me veprimtaritë e paligjshme.

Barra e Proves dhe Procesi i Rregullt Ligjor

Ndërrimi i barrës së provës në këtë rast është shumë i kritikuar për shkak se, në një rast të tillë mund të lindin kundërshtime me të drejtën për një proces të rregullt ligjor dhe prezumimin e pafajësisë. Në përgjithësi, të gjitha ato vende që e kanë lejuar ndërrimin e barrës së provës në drejtim të personit të dyshuar e kanë ligjëruar këtë veprim si një pushtet diskrecional që mbahet nga Gjykata dhe që zakonisht mund të ushtrohet në ato raste kur organi i prokurorisë ka bërë prezente disa prova që të bëjnë të dyshosh se pasuritë që iu përkasin personave të dyshuar, mund të kenë origjinë kriminale ose që personi i dyshuar të mos i ketë fituar këto pasuri në mënyrë të ligjshme29. Në këtë rast, gjykata vendos masën pasurore duke u bazuar në parimin procedurial civil të epërsisë apo shumicës së provave, ku fiton ajo palë e cila me provat e veta tejkalon pretendimet e palës tjetër me një nivel më të lartë propabiliteti sesa siguria e pretendimeve të kundërta. Për këtë arsye, ndërrimi i barrës së provës, përdorimi i kritereve civile të të provuarit të origjinës të paligjshme të pasurisë është gjetur nga shumë shtete si një zgjidhje eficente dhe e suksesshme në luftën kundër kriminalitetit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti. Në çështjen Riela kundër Italisë30 , Gjykata e Strasburgut u shpreh, se është e dukshme që përfitimet e mëdha pasurore, të cilat grupet dhe organizatat kriminale përfitojnë nga aktiviteti i tyre i paligjshëm, u japin ayre një pushtet të tillë ekonomik dhe financiar, i cili vë në pikëpyetje të drejtën e brendshme të një shteti. Për këtë shkak është e nevojshme ekzistenca e disa garancive juridike efektive, si ato që janë përfshirë në procedurat parandaluese, të cilat drejtohen kundrejt parimit të kontradiktoritetit përpara shkallëve të gjyqësorit. Këto bëjnë të mundur lirinë e zgjedhjes të kundërshtimeve dhe paraqitjes së provave që duket se janë të nevojshme. Gjykata vërejti, se në një rast të tillë gjykimi nuk ishte mbështetur në dyshime të thjeshta, por ishte mbështetur mbi një vlerësim objektiv të provave dhe informacioneve të paraqitura në drejtim të tregimit të lidhjes së subjektit me krimin e organizuar dhe në një vlerësim objektiv të aspekteve pasurore të subjektit. Gjykata e Straburgut, gjithashtu shpalli se procedura e vendosjes së masave parandaluese pasurore, mbeten subjekt i garancive që njeh neni 6/1 i konventës, përsa i përket mbrojtjes që i bën ky nen “për konfliktet me karakter civil” , duke përjashtuar kështu në një rast të tillë aplikimin e prezumimit të pafajësisë dhe të të drejtave të tjera që i përkasin subjektit si i pandehur. Pra, parimi prezumimit të pafajësisë nuk do të gjejë zbatim, sepse ky parim është një prej elementëve të procesit të rregullt gjyqësor që gjen zbatim në çështjet penale dhe jo në rastin e zbatimit të kritereve civile të të provuarit dhe kalimit të barrës së provës te subjekti në mënyrë që ky i fundit të detyrohet që të justifikojë origjinën e ligjshme të pasurisë, pasi nuk kemi të bëjmë me një çështje penale. Po sipas Gjykatës së Strasburgut, në rastin Salabianku kundër Francës, prezumimet e faktit ose të ligjit janë të aplikueshme në çdo sistem ligjor. Konventa nuk i përjashton të tilla prezumime në parim. Por, përdorimi i prezumimeve të faktit apo i prezumimeve të ligjit është e pranueshme kur këto i nënshtrohen disa limiteve të arsyeshme dhe duhet të jetë në propocion me rrethanat e rasteve konkrete (sipas parimit të propocionalitetit) dhe që duhet të njohë edhe të drejtat e mbrojtjes ( sipas parimit të barazise së mjeteve mbrojtëse në një proces gjyqësor)31. Megjithatë, të tilla prezumime nuk do të thotë se janë të parefuzueshme dhe me një vlerë të paracaktuar, por gjykata në vendosjen e masës së konfiskimit duhet që të vendosë sipas një vlerësimi objektiv të provave. Gjithashtu, sipas Gjykatës së Strasburgut në këtë vendim, një ndërrim total dhe i plotë i barrës së provës nuk do të ishte i lejueshëm

-Sekuestrimi paraprakSipas nenit 7 të ligjit nr. 9284, kur ekziston një  rrezik “real” dhe “konkret” për humbjen, përvetësimin ose tjetërsimin e fondeve, të pasurive dhe të të drejtave të tjera, për të cilat parashikohet zbatimi i masës së konfiskimit, prokurori mund t’i kërkojë Gjykatës të vendosë paraprakisht sekuestron e tyre, edhe përpara caktimit të datës së seancës gjyqësore. Kërkesa e prokurorit për sekuestron paraprake shqyrtohet nga gjykata në praninë e prokurorit jo më vonë se 5 ditë nga paraqitja e kërkesës. Kushtet për vendosjen e masës së sekuestrimit paraprak janë të njëjta me ato që kërkohen edhe nga sekuestrimi i zakondshëm siç u përmend më lart, që kërkohen nga neni 13 i ligjit 9284. Por, sigurisht, në vendosjen e sekuestrimit paraprak kërkohet veç kërkesave sipas nenit 13 edhe ekzistenca e “rrezikut real dhe konkret”, që pasuritë për të cilat parashikohet sekuestrimi të mund të humbasin, tjetërsohen apo përvetësohen. Elementët që tregojnë “rrezikun real dhe konkret”, duhet që të përfshihen në kërkesën e prokurorit që kërkon këtë sekuestrim, duke treguar në mënyrë specifike sendet apo pasuritë që duhet të sekuestrohen edhe pse këto pasuri apo sende do t’ju përkasin të tretëve, por që në fakt janë nën zotërimin e personit të dyshuar sipas nenit 3 të ligjit 9284. Rreziku real dhe konkret, në këtë rast shihet si një rrezik potencial, një situatë që karakterizohet nga ekzistenca e disa fakteve dhe rrethanave, të cilat të krijojnë bindjen se pasuritë që i nënshtrohen konfiskimit sipas ligjit 9284, do të përvetësohen, humbasin apo tjetërsohen dhe për këtë shkak duhet që të vendoset sa më shpejt masa e sekuestrimit ndaj këtyre pasurive. Ndërsa neni 7/2 i ligjit flet për afatin 5 ditor nga paraqitja e kërkesës, e cila duhet të “shqyrtohet” nga gjykata, paragrafi 3 i nenit flet për “gjykimin e çështjes”. Pra, sekuestroja paraprake vendoset përpara caktimit të datës së seances gjyqësore dhe gjithsesi brenda 5 ditëve nga paraqitja e kërkesës. Por, kjo sekuestro duhet të pasohet nga vendosja e sekuestrimit të zakonshëm sipas nenit 13 të ligjit, kjo sepse eshtë vetë paragrafi 1 i nenit 7, sipas të cilit  vendosjes paraprakisht të sekuestros duhet t’i pasojë caktimi i datës së seancës gjyqësore, ku duhet të ketë një gjykim normal ku mundet që të marrin pjesë edhe personat e tretë që mund të jenë formalisht pronar të sendit apo pasurisë. Kështu që, rrjedhimisht pas vendosjes së sekuestrimit paraprak gjykata duhet të caktojë një datë për gjykimin e kërkesës për sekuestrim në seancë gjyqësore, e cila kërkohet nga vetë neni 7/1 i ligjit , ndonëse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë32. Për këtë shkak, ajo quhet sekuestro paraprake. Neni 7 i ligjit nuk ka parashikuar ndonjë afat kohor në këtë pikë dhe gjithashtu nuk e cënon vlefshmërinë e masës së sekuestrimit lidhur me caktimin e datës së seancës gjyqësore. Kështu, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda në një rast konkret33, pranon kërkesën e organit të prokurorisë për vendosjen e masës së sekuestros paraprake në lidhje me disa pasuri që i përkasin një personi të dyshuar për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 278/a/2 i Kodit Penal dhe njëkohësisht cakton në këtë vendim edhe datën e seancës gjyqësore që në këtë rast do të zhvillohet 14 ditë më vonë se data e vendosjes së sekuestros paraprake. Më pas kjo gjykatë, pasi ka gjykuar në seancë gjyqësore kërkesën për sekuestrim ka vendosur përfundimisht sekuestrimin e pasurive që ishin vendosur më parë në sekuestro paraprake34. Masa e sekuestrimit paraprak është shumë e ngjashme me sekuestrimin që vendoset sipas nenit 10 të ligjit 9284. Sekuestrimi që vendoset sipas nenit 10 të ligjit ndryshon nga sekuestrimi i zakonshëm në këtë ligj, për faktin se i pari zbatohet vetëm mbi pasuritë apo veprimtaritë ekonomike, për të cilat duhet të vendoset “pezullimi” i përkohshëm i administrimit apo disponimit sipas nenit 9 të ligjit dhe jo për pasuritë e tjera që mundet të konfiskohen sipas këtij ligji. Si sekuestrimi sipas nenit 10 të ligjit ashtu edhe sekuestroja paraprake kanë të përbashkët faktin, që këto zbatohen kur ekziston një rrezik real dhe konkret se pasuritë që iu nënshtrohen këtyre sekuestrove, do të humbasin përvetësohen apo transferohen. Pra, është rreziku  real dhe konkret që justifikon vendosjen e këtyre masave.

-Masa e pezullimit te përkohëshëm të administrimit dhe disponimit.

Natyra juridike

Pezullimi i përkohshëm i administrimit dhe i disponimit është një masë me efekte siguruese, që vendoset mbi pasurinë që dyshohet si e paligjshme dhe që do t’i nënshtrohet një konfiskimi të mëvonshëm. Kjo masë ndryshon nga sekuestrimi, sepse pezullimi i përkohshëm vendoset ndaj pasurisë së atyre subjekteve që janë pronarë të një pasurie dhe ka arsye apo të dhëna të mjaftueshme për të gjykuar se zotërimi i këtyre pasurive apo ushtrimi i veprimtarive ekonomike gjendet në kushte kërcënimi, ose kushte të tilla ndikimi që lehtësojnë veprimtarinë e subjekteve të dyshuar sipas nenit 3 të ligjit 9284. Pra, kjo masë, vendoset duke mos pasur si kusht ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm për pjesëmarrje në krimin e organizuar të vetë personit që i zotëron këto pasuri, por merr në konsideratë dyshimin e arsyeshëm të personave të tjerë në dobi të të cilave përdoren këto pasuri. Pezullimi i përkohshëm i administrimit dhe i disponimit të pasurive35, karakterizohet për një mungesë të supozimeve subjektive, të dyshimit të arsyeshëm për pjesëmarrje në krimin e organizuar sipas nenit 3 të ligjit, në drejtim të personit apo subjektit  ndaj pasurive të të cilit vendoset kjo masë. Pezullimi i përkohshëm, në fakt nga mënyra se si është përshkruar në ligjin 9284, rezulton që kjo masë nuk është “modeluar” mbi të dyshuarit sipas nenit 3 të ligjit, por është modeluar mbi të tretët, mbi të cilët nuk rëndon asnjë dyshim i arsyeshëm për kryerjen e ndonjë nga veprat penale të parashikuara sipas nenit 3 të ligjit. Bëhet fjalë për një teknikë normative të veçantë, e cila aplikon një procedurë të një natyre sanksionuese siç është “pezullimi i përkohshëm” ndaj subjekteve jo të dyshuar, por që përkundrazi janë subjekte pasive pa dyshime për sjellje kriminale. Pra, janë të tretë dhe jo destinacioni i drejtpërdrejtë për nënshtrimin e masave parandaluese, apo të një mase penale si rezultat i dyshimit të tyre për kryerjen e ndonjë vepre penale të rëndë apo serioze36. Masa e pezullimit të përkohshëm pranon faktin, që ndaj subjektit nuk ekziston dyshim i arsyeshëm për pjesëmarrje në krimin e organizuar, por nga ana tjetër këto subjekte ndodhen në një situatë apo kushte të tilla , të treguara me “të dhëna të mjaftueshme” të cilat tregojnë mbi të gjitha një “afërsi” midis këtyre subjekteve dhe krimit të organizuar. Më anën e kësaj mase kemi të bëjmë me një ndërhyrje In Rem dhe jo In Personam, që i shërben një llogjike, sipas të cilës, goditen ato pasuri apo veprimtari ekonomike të cilat në një farë mënyre janë të lidhura me aktivitete kriminale, pavarësisht nga përgjegjësia e subjektit që i ka në zotërim këto pasuri apo veprimtari ekonomike.

Vendosja e mases se pezullimit te perkohshem.

Gjykata vendos pezullimin e përkohshëm të administrimit dhe disponimit, me kërkesë të prokurorit në ato raste kur ka “të dhëna të mjaftueshme” për të gjykuar se disponimi dhe administrimi i pasurive apo veprimtarive ekonomike lehtëson veprimtarinë e personave të dyshuar sipas nenit 3 të ligjit 928437. Kjo masë vendoset edhe atëherë kur “lehtësimi” shkon në favor të personave të dyshuar si më sipër, por edhe në ato raste kur  “lehtësimi” shkon në favor të personave ndaj të cilëve ka filluar një procedim penal për njërën nga veprat penale që janë përmendur në nenin 9 të ligjit38. Në nenin 8 të ligjit 9284, vendosja e masës së pezullimit të përkohëshëm është kushtëzuar me ekzistencën e “të dhënave të mjaftueshme” që të lejojnë të gjykosh se disponimi i pasurive dhe ushtrimi i veprimtarive ekonomike lehtëson veprimtarinë e personave të dyshuar, sipas këtij ligjit. Nisur nga fakti që masa e “pezullimit të përkohshëm” vendoset ndaj subjekteve të tretë jo pjesëmarrës në krimin e organizuar, është e arsyeshme se këto “të dhëna të mjaftueshme” duhet të bazohen në një vlerësim objektiv të fakteve, në mënyrë të tillë që të përjashtojë vlerësimet e pastra subjektive dhe të pakontrolluara, të cilat mund të ekzitojnë në këto raste. Pra, duhet që t’ju besohet fakteve objektive të verifikueshme dhe që i përket organit  të prokurorisë për t’i provuar kur kërkohet aplikimi i masës së pezullimit të përkohëshëm. Kjo masë mundet të vendoset vetëm në praninë e atyre indicjeve të vërteta dhe të ekspozuara që kërkohen nga ligji në kuptim të “të dhënave të mjaftueshme.” Gjatë vendosjes së masës së pezullimit duke qenë se pasuritë në këtë rast iu përkasin të tretëve, gjykata i thërret ata për të ndërhyrë në procesin që zhvillohet39 . Këta persona kanë të drejtë të paraqesin në gjykatë pretendimet e veta , madje edhe në praninë e një mbrojtësi. Pezullimi i përkohshëm i administrimit dhe disponimit vendoset nga gjykata për një periudhë jo më të gjatë se 6 muaj40. Kjo do të thotë se gjykata mundet të vendosë masën edhe për një afat më të shkurtër se 6 muaj. Por, me kërkesë të prokurorit, gjykata mundet të vendosë zgjatje të mëtejshme të afatit për një periudhë tjetër, por gjithsesi jo më shumë se 6 muaj të tjerë.

Sekuestrimi gjatë pezullimit të përkohëshëm.

Kur ekziston një rrezik real dhe konkret që veprimtaritë ekonomike dhe pasuritë, për të cilat ekzistojnë të dhëna të mjaftueshme se disponimi i tyre lehtëson veprimtarinë e personave të dyshuar si pjesëmarrës në krimin e organizuar sipas përcaktimeve të bëra nga neni 9 i ligjit , se do të humbasin, përvetësohen, transferohen, prokurori mundet t’i kërkojë gjykatës që të vendosë sekuestron e këtyre pasurive41. Pra, ky sekuestrim i parashikuar nga neni 10 i ligjit 9284 ka për objekt ato pasuri, të cilat përdoren drejtpërsëdrejti apo tërthorazi në  “lehtësim” të veprimtarive të personave të dyshuar sipas ligjit 9284, dhe për të cilat është parashikuar vendosja e masës së pezullimit të përkohëshëm. Në këtë rast, masa e sekuestrimit sipas nenit 10 të ligjit është një masë siguruese, si një mjet në funksion të realizimit të “pezullimit të përkohshëm” të administrimit dhe disponimit të parashikuar nga neni 9 i ligjit. Edhe kohëzgjatja e kësaj mase është e njëjtë me kohëzgjatjen e masës së pezullimit të përkohshëm, pra 6 muaj, por që mund të zgjatet edhe 6 muaj të tjerë. Masa e sekuestrimit sipas nenit 10 të ligjit presupozon ekzistencen e një rreziku real dhe konkret (periculum in mora), që të mund të sjellë humbjen, përvetësimin apo transferimin e pasurive që mund të konfiskohen. Gjykata në vendosjen e kësaj mase duhet që të motivojë vendimin e saj, duke marrë në konsideratë këtë rrezik real dhe konkret. Ky sekuestrim është një masë që vendoset ndaj pasurive apo veprimtarive ekonomike të personave të tretë , të cilët nuk janë pjesëmarrës në krimin e organizuar sipas parashikimeve të nenit 3 të ligjit, dhe kështu që në vendosjen e sekuestrimit në ndryshim nga sekuestroja e zakonshme sipas këtij ligji nuk është e nevojshme që të kërkohet një raport lidhjeje midis pasurive që do t’i nënshtrohen sekuestrimit dhe veprimtarisë kriminale42. Me fjalë të tjera, gjykata në vendosjen e këtij sekuestrimi nuk duhet të kërkojë “të dhëna të mjaftueshme” në bazë të të cilave ka shkaqe të bazuara për të menduar se sendet janë produkt i veprimtarive të paligjshme ose përbëjnë investim të tyre. Në sekuestrimin sipas nenit 10 të ligjit, duhet të kërkohet ekzistenca e “të dhënave të mjaftueshme” për të gjykuar se disponimi i pasurive dhe ushtrimi i veprimtarive ekonomike “lehtësojnë” veprimtarinë e personave të dyshuar sipas përcaktimeve të nenit 9 të ligjit. Ky sekuestrim presupozon ekzistencën e rrezikut real dhe konkret dhe gjithashtu edhe ekzistencen këtyre kushteve që janë të nevojshme edhe për vendosjen e masës së pezullimit të përkohëshëm. Për këtë arsye, këto dy masa nga rregullimet e nenit 11 dhe 12 të ligjit janë trajtuar me efekte të njëjta, si në rastin kur mbaron afati i këtyre masave ashtu edhe kur rregullohen efektet e vendimit të gjykatës që i revokon këto masa dhe vendos detyrimin e njoftimit siç e përmendëm më sipër. Si përfundim, është për t’u theksuar se qëllimi dhe motivi më kryesor i krimit të organizuar është që të sigurojë sa më shumë përfitime pasurore, të rrisë pushtetin e tij ekonomik. Sa më të mëdha të jenë këto përfitime dhe sa më shumë fuqi ekonomike të ketë krimi i organizuar, aq më e lehtë do të jetë për të  që të vazhdojë veprimtarinë e mëtejshme të tij kriminale. Me anë të masave pasurore sipas ligjit nr. 9284, realisht ekziston mundësia praktike që ky ligj të përmbushë qëllimin e vet, që është “parandalimi” dhe “goditja” e krimit të organizuar,  privimi i pushtetit ekonomik të krimit të organizuar.

L i t e r a t u r a

-Ligji “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar”
-Ligji Italian nr, 575 i vitit 1965“Disposizioni contro la mafia “.
-Leonardo Filippi, Il Procedimento di Prevenzione Patrimoniale, Cedam,
-Petro Dubolino, Il Codice Repertorio Delle Leggi Speciali, Piacenca, 1998.
-Roberto Garofoli, Manuale di Diritto Penale, Diritto formacione.
-Mario Onefrio, Il sequestro preventive, Enciclopedia,
-Paolo Tonini, Dritto Processuale Penale, Giuffre, 2006,
-Manual i Prokurorit dhe Policisë Gjyqësore, Tiranë, 2003.
-Financial Investigations and Confiscation of Product from Crime, www.coe.int/t/e/

legal_affairs/legal_cooperation/combatingeconomic_crime/
3_technical_cooperation/CARPO/FI_General_ENG_final.pdf
.

-La multiforme disciplina del sequestro nell’ esperienza processuale penale italiana. di Ivan Caradonna. www.diritto.it. -Kaisa Hakkinen, Law and Economic Analysis of Confiscating the Proceeds of a Crime. www.joensuu.fi/taloustieteet/ott/ scandale/helsinki/pdf/hakkinen.pdf. -Antonio Bolsono, sequestro e confisca nel sistema della collaborazione giudiziaria internacionale, http://www.appinter.csm.it/incontri/relaz/pdf. -Guglielme Nicastro, La Confisca nella Legjislacione Patrimoniale Antimafia,

www.lex.unict.it/eventi/s200107/nicastro.pdf. -The Law Reform Commission, www.lawreform.ie/publications/data/volume/lrc. -Reversal of the burden of proof in confiscation of the proceeds of crime: a Council

of Europe Best Practice Survey, www.coe.int/…/legal_co-operation/

combating_economic_crime/8_Organised_crime/Documents/BestPractice2E.pdf. -Vendime të Gjykatës së Strasburgut -Vendimi Unifikues nr.1, datë 25.01.2007 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë -Vendime të Gjykatës për Krime të Rënda

 

Marre nga Revista Jeta Juridike 2007

Shënim I Stafit I DrejtesiaShqiptare.com:

E drejta e autorit mbetet i  autorit të punimit . Opinionet e shprehura  dhe studimet  juridike  e publikuara në këtë Website janë të autorëve përkatës  qe I upload ato.Ne nuk pranojme asnjë përgjegjësi për pikëpamjet, vërtetësinë e informacionit që përmbajnë artikujt që publikon dhe shkeljet e se drejtës së autorit.Kushdo që ka ndonje ankese  rreth  së  drejtës  së autorit ne publikimet e ketij website,  është I lutur  te dërgoje një email  tek kontakt@drejtesiashqiptare.com.  Ne do ta  shqyrtojmë me përgjegjesi ankesën.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

four × three =

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Powered by WordPress | Designed by: Dog Groomer | Thanks to Assistant Manager Jobs, Translation Jobs and New York Singles