Vlera Provuese E Regjistrimit Të Fshehtë Të Bisedave Apo Komunikimeve Telefonike Nga Njëri Prej Të Pranishmëve -Nga Mirela CANO

Vitet e fundit, në procese të ndryshme gjyqësore, ka patur shumë kundërshti në lidhje me faktin, nëse regjistrimi i fshehtë i bisedës nga njëri prej bashkëbiseduesve të pranishëm në të, duhet të merret dhe t’i nënshtrohet shqyrtimit gjyqësor, apo nëse një procedurë e tillë duhet të konsiderohet e paligjshme. Në jurisprudencën e gjykatave gjejmë qëndrime të ndryshme lidhur me këtë problem, fakt që konstatohet nga studimi i disa vendimeve penale të viteve 2005, 2006 dhe 2007. Në disa raste, regjistrime të kësaj natyre janë çmuar si “përgjime të paligjshme” dhe janë ngritur probleme që kanë të bëjnë me paligjshmërinë e marrjes së provës, cënimin e së drejtës për jetën private, provokimin e një krimi, etj. Pikërisht, këto probleme do të jenë në fokusin e këtij shkrimi.1 Paraprakisht, pa hyrë në thelbin e çështjes, mendoj se duhet të sqarohet koncepti i dokumentit si mjet për të provuar fakte në procesin penal, pasi kuptimi i tij është krejt i ndryshëm me konceptin që jepte Kodi i Procedurës Penale i vitit 19792.

Përkundër këtij koncepti, Kodi i Procedurës Penale i vitit 1995 solli një kuptim të ri për dokumentin, duke e konceptuar atë si mjet prove që krijohet materialisht jashtë procesit, pavarësisht prej tij dhe hyn në të me anën e mekanizmit të “marrjes” (neni 191)3 . Ligji Procedural Penal normon një kuptim të ri dhe më të gjerë të dokumentit dhe përfshin në këtë koncept, përveç dokumentit shkresor, edhe çdo objekt apo instrument që përfaqëson fakte, persona apo sende, që kanë lidhje me objektin e të provuarit dhe ruhen gjurmë fotografike, filmike, fonografike, kompjuterike, etj.4 Në këtë kuptim, do të konsiderohet dokument edhe fotografia, shiriti magnetik apo filmik, kompakt e flopi disku, etj.

I. Regjistrimi i bisedës midis të pranishmëve a mund të konsiderohet përgjim, në vështrim të neneve 221 e vijues të K. Pr. Penale?

Në pamje të parë të krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me një formë përgjimi sipas neneve 221 e vijues të Kodit. Por megjithëse në të dy rastet kemi regjistrim të fshehtë të bisedës ekzistojnë dallime ndërmjet tyre: Përgjimi që rregullon Kodi i Procedurës Penale në nenet 221 e vijues të tij, është një mjet kërkimi i provës që realizohet nga autoriteti shtetëror, i cili lejon që të merret dijeni për bisedat apo komunikimet private ndërmjet dy ose më shumë personave, të kryera në vende publike ose private.

Regjistrimi i fshehtë i bisedës ose i komunikimeve telefonike nga njëri prej bashkëbiseduesve është një regjistrim privat i një bisede të lirë, që nuk urdhërohet dhe nuk kryhet nga autoriteti shtetëror, por nga njëri prej pjesëmarrësve në bisedë. Duhet theksuar se jemi para rastit të një bisede, të lirë ose të provokuar, të zhvilluar ndërmjet dy ose më shumë personave dhe që regjistrohet nga një i tretë, pa dijeninë e bashkëbiseduesve.

Nga këto përcaktime del qartë dallimi midis tyre: Së pari, në rastin e përgjimit që rregullon Kodi kemi regjistrim të një bisede pa dijeninë e bashkëbiseduesve (me përjashtim të rastit të parashikuar nga neni 222/1, pika 3), ndërsa në rastin e dytë, njëri prej bashkëbiseduesve është në dijeni të këtij regjistrimi, madje ai vetë kryen regjistrimin. Së dyti, përgjimi autorizohet nga organi procedues, gjykata ose prokurori (neni 222/1) dhe ekzekutohet nga policia gjyqësore, ndërsa regjistrimi i bisedës nga njëri prej të pranishmëve në bisedë kryhet nga një person privat me nismën e tij dhe ekzekutohet po prej tij. Së treti, përgjimi kryhet me anën e pajisjeve teknike të instaluara në vende të caktuara, të autorizuara dhe të kontrolluara nga prokurori i rrethit (neni 223), kurse regjistrimi i fshehtë i bisedimeve ose komunikimeve kryhet me mjete teknike të përshtatshme që nuk janë nën kontrollin e prokurorit të rrethit. Ky regjistrim realizohet nga shtetasi me mjetet e tij teknike, ose me mjete teknike të ofruara nga një i tretë.

 

Nga sa më sipër, rezulton se regjistrimi i fshehtë i bisedës ose i komunikimeve nga njëri prej bashkëbiseduesve (pa dijeninë e autoritetit shtetëror), nuk është përgjim në kuptimin që i jep këtij instituti Kodi i Procedurës Penale.

Për rrjedhojë në lidhje me këtë regjistrim nuk gjejnë zbatim nenet 221 e vijues të Kodit që rregullojnë përgjimet. Në këtë mënyrë nuk mund të ngrihen pretendime se ky regjistrim është i paligjshëm, vetëm sepse nuk janë respektuar dispozitat mbi përgjimet.

 

II. A parashikohet nga ligji procedural regjistrimi i fshehtë i bisedës ose i komunikimeve, i kryer nga njëri prej bashkëbiseduesve?

Në praktikë mund të ndodhemi para dy rasteve: a) Biseda apo komunikimet telefonike regjistrohen nga njëri prej të pranishmëve në bisedë, me mjetet e tij teknike7; b) Biseda apo komunikimet telefonike regjistrohen nga njëri prej të pranishmëve me mjete të ofruara nga një subjekt i tretë (p.sh., rastet e regjistrimeve me mjetet e gazetarëve). Argumentet që do të parashtroj vlejnë njëlloj për të dy rastet, sepse se si në rastin e parë, ashtu dhe në të dytin, regjistrimi kryhet nga njëri prej bashkëbiseduesve, pavarësisht nëse mjetet që përdor janë të tij apo i janë ofruar nga një i tretë. Interesant është rasti kur mjeti regjistrues ofrohet nga policia gjyqësore. Në praktikën tonë nuk kam konstatuar raste të kësaj natyre, por është interesant një vendim i Gjykatës së Kasacionit të Italisë, i cili vendos si parakusht mosdëgjimin e bisedës në kohë reale nga autoritetet që kanë ofruar pajisjen:

Është e përdorshme, edhe në mungesë të urdhërimeve të autoritetit gjyqësor, përmbajtja e bisedës private, të regjistruar në shirit magnetik nga njëri prej bashkëbiseduesve dhe nuk ka rëndësi nëse regjistrimi është kryer prej tij me kërkesë të policisë gjyqësore, apo nëse subjekti ka vepruar duke përdorur aparatura të dhëna prej saj apo që i përkasin policisë gjyqësore, me kushtin që  pjesëmarrësi në bisedë të kufizohet vetëm me regjistrimin e saj, pa përdorur pajisje me anën e të cilave, persona të tretë, dhe veçanërisht, policia të mund të kapin përmbajtjen e bisedës gjatë kryerjes së saj dhe të kenë mundësi ta dëgjojnë drejtpërsëdrejti atë. Në këtë rast do të kishim një ndërhyrje të vërtetë në sferën e sekretit dhe të lirisë së komunikimeve të mbrojtur kushtetutshmërisht dhe do të realizohej në mënyrë të tërthortë një përgjim ambiental pa autorizim të autoritetit gjyqësor.”8

Regjistrimi i fshehtë i bisedës ose i komunikimeve nga njëri prej bashkëbiseduesve nuk parashikohet shprehimisht në ligj (me përjashtim të rastit që parashikohet në nenin 222/1,3 të K.Pr.Penale), pasi nuk renditet si një nga provat e parashikuara shprehimisht në tekstin e Kodit.

- Por, a lejohet marrja e kësaj prove?

Paraprakisht, mendoj se duhet të sqarohet kuptimi i provës së padisiplinuar nga ligji (e quajtura “prova atipike”). Prova atipike është ajo lloj prove që nuk parashikohet shprehimisht nga ligji. Kodi i procedurës penale, në nenin 151/3, lejon mundësinë që prova të parregulluara nga ligji të mund të merren nga gjykata.9

Provat e parashikuara nga ligji (të quajtura “prova tipike”), nuk janë të përcaktuara në mënyrë shterruese dhe nuk janë të vetmet që vlejnë për të vërtetuar faktin. Kjo për arsye se sistemi aktual i procedurës penale nuk e pranon parimin e taksativitetit të provave, përderisa neni 151/3 i këtij Kodi lejon edhe marrjen e provave, të cilat nuk rregullohen nga ligji. Ky qëndrim është mbajtur edhe në doktrinën tonë.10

Kjo është një risi në krahasim me Kodin e Procedurës Penale të vitit 1979, i cili mbështetej në parimin e taksativitetit të provave. Konkretisht në nenet 15-30 të tij parashikoheshin në mënyrë taksative provat që lejoheshin të merreshin dhe nuk gjendej dispozitë që të rregullonte marrjen e provave të padisiplinuara nga ligji. Në mënyrë që prova atipike të merret nga gjykata duhet të plotësohen dy kushte kumulative të parashikuara në nenin 151/3 të K.Pr.Penale:

a) prova të vlejë për të vërtetuar faktet, dmth, të ketë vlerë provuese; b) gjatë marrjes së saj të mos jetë cënuar liria e vullnetit të personit. Prova atipike nuk duhet ngatërruar me provat e marra në shkelje të ndalimeve të parashikuara nga ligji (neni 151/4). Prova atipike është e ligjshme, vetëm se është një nga ato prova që ligji nuk i ka parashikuar në mënyrë të shprehur. Palët duhet të shprehen në lidhje me mënyrën e marrjes së saj, me qëllim që të mos përballen me rreziqet e një procedure të parregulluar nga ligji. Pra, kur flasim për provën atipike kemi të bëjmë me një provë të parregulluar nga ligji, por jo të marrë në shkelje të ndalimeve të parashikuara prej tij.

Nga sa më sipër, rezulton se regjistrimi i fshehtë i bisedës ose komunikimeve telefonike nga njëri prej bashkëbiseduesve është provë atipike, në kuptim të nenit 151/3 të K.Pr.Penale. Duke qenë se ligji nuk parashikon shprehimisht mënyrën e marrjes së saj, futja e kësaj prove në proces bëhet me anën e mjetit të provës që është dokumenti fonografik, i shoqëruar ose jo me regjistrim pamor, me kushtin që të dëgjohen palët lidhur me mënyrën e marrjes së saj.11

Edhe në jurisprudencën e gjykatës Italiane të Kasacionit mbahet qëndrimi se ky lloj regjistrimi është dokument dhe duhet të merret sipas nenit përkatës që rregullon marrjen e provës dokumentare.12 Po citoj për ilustrim njërin nga vendimet e kësaj gjykate:

“Regjistrimi fonografik i bisedimeve ose komunikimeve i realizuar, edhe në mënyrë të fshehtë, nga subjekti që merr pjesë në këto komunikime, apo qoftë edhe nga një person i autorizuar të marrë pjesë në to, përbën – gjithmonë kur nuk është fjala për riprodhim të akteve procedurale – provë dokumentare të disiplinuar nga neni 234 i k.p.p.”13

III. Çështje të kushtetueshmërisë dhe të ligjit

-A duhet konsideruar regjistrimi i fshehtë i bisedës nga njëri prej të pranishmëve si provë e paligjshme?

Sikurse përmenda më lart, mendoj se nuk kemi të bëjmë me një provë të paligjshme, në vështrim të nenit 32/2 të Kushtetutës dhe nenit 151/4 të K.Pr.Penale.14 Paligjshmëria dhe papërdorshmëria kanë të bëjnë me mënyrën e marrjes së provës, e cila në këtë rast nuk paraqit parregullsi procedurale. Theksova më sipër që regjistrimi i fshehtë i bisedës apo i komunikimeve nga njëri prej të pranishmëve është provë atipike (neni 151/3) dhe ka rregullim ligjor për mundësinë e marrjes së saj në cilësinë e dokumentit fonografik, në bazë të nenit 191/1 të K.Pr.Penale.

Kaseta fonografike, e shoqëruar ose jo me pamje filmike, përfaqëson një fakt, ashtu siç ka ndodhur në një moment të caktuar dhe nuk bën gjë tjetër veçse përforcon atë që bashkëbiseduesi e ka fiksuar me anën e shqisës së dëgjimit dhe që mund ta riprodhojë me anën e mekanizmit të kujtesës në formën e dëshmisë.

Në një rast të tillë, gjykata nuk mund të ndalojë marrjen e kasetës si provë, me arsyetimin se nuk janë respektuar dispozitat për përgjimet, për arsyen e thjeshtë se nuk kemi të bëjmë me përgjim. Ky regjistrim nuk duhet të konsiderohet si përgjim i paligjshëm, por si provë atipike. Në këtë mënyrë, nuk mund të gjejnë zbatim nenet 226/1 dhe 151/4 të K.Pr.Penale.15

Gjykata, duhet t’ia nënshtrojë këtë provë shqyrtimit gjyqësor dhe ta çmojë atë në unitet me provat e tjera që konfirmojnë vërtetësinë e saj.16 Përveç kasetës dhe procesverbalit të transkriptimit mund të merret si provë edhe dëshmia e personit që ka kryer regjistrimin. Asgjë nuk e ndalon këtë person që të dëshmojë për atë që ka dëgjuar nga personi tjetër. Por, në përputhje me parashikimin e bërë në nenin 151/3 të Kodit, gjykata është e detyruar të hetojë nëse është cënuar liria e vullnetit të personit që regjistrohet. Cënimi i lirisë së vullnetit nënkupton rastet kur ndaj personit që regjistrohet mund të jetë përdorur mashtrimi, dhuna fizike apo psiqike, etj. Thjesht fakti që biseda është regjistruar pa dijeninë e bashkëbiseduesit nuk përbën cënim të lirisë së vullnetit të tij.

-A ka ndërhyrje në të drejtën për respektimin e jetës private të individit?

Paraprakisht, duhet sqaruar nëse për rastin në fjalë kemi të bëjmë me të drejtën e jetës private17 dhe nëse ka apo jo ndërhyrje në këtë të drejtë, të garantuar nga neni 8 i KEDNJ dhe nga neni 36 i Kushtetutës.18 Neni 8 i KEDNJ: Detyrimin për të respektuar këtë të drejtë e kanë jo vetëm autoritetet shtetërore, por edhe individët.19 Mendoj që gjykata, në radhë të parë, duhet të përcaktojë nëse rrethanat e faktit dhe të mjedisit ku është realizuar regjistrimi përbëjnë jetë private dhe më pas nëse ndërhyrja mund të përligjet nga neni 8/2 i Konventës. Në jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut është pranuar se përgjimi i bisedës së dy ose më shumë personave (i kryer prej autoriteteve shtetërore) përbën ndërhyrje në të drejtën për jetë private dhe është i justifikueshëm vetëm në bazë të nenit 8/2 të Konventës.20 Gjithashtu, Gjykata Evropiane ka theksuar se mbrojtja që ofron neni 8 i Konventës ka më shumë lidhje me mjetet dhe metodën e komunikimit se sa me përmbajtjen e tij.21

Por, këto raste i referohen përgjimit të autorizuar me vendim të organit kompetent, ndërsa çështja që po shqyrtojmë ka të bëjë me regjistrim të bisedës nga personi i pranishëm në të, i cili në të njëjtën kohë e dëgjon atë. Pra, rastet e sipërcituara të jurisprudencës së Strasburgut nuk gjejnë zbatim në rastin e temës që po trajtojmë. Vlen të theksohet se nuk mund të thuhet a priori, nëse regjistrimi i një bisede nga njëri prej bashkëbiseduesve përbën ose jo ndërhyrje në të drejtën për jetë private. Kjo duhet të përcaktohet rast pas rasti, në lidhje me përmbajtjen e fakteve që regjistrohen, mjedisin ku regjistrohet biseda (publik ose privat), si dhe qëllimin për të cilin kryhet (interes publik, zbulimi i një krimi apo përfitim personal, shantazh, etj). Regjistrimi i bisedës nga njëri prej të pranishmëve, e cila sjell të dhëna të një vepre penale të kryer nga personi i regjistruar, nuk përbën aspekt të jetës private të individit. Në këtë rast, nuk regjistrohet një aspekt i jetës private të individit, por një aspekt i jetës së tij publike. Me vullnetin e tij të lirë, personi që regjistrohet i ndan faktet e bisedës me personin që kryen regjistrimin dhe ky i fundit nuk bën gjë tjetër, veçse regjistron një bisedë në të cilën është vetë i pranishëm. Personi që regjistrohet duhet ta paramendonte që bashkëbiseduesi i tij mund të dëshmojë kundër tij për ato që ka dëgjuar personalisht, ose që mund të bëjë një regjistrim audiofilmik. Sigurisht, këtu nuk është fjala për rastet kur regjistrohet një aspekt intim i jetës private, që realizohet nga njëri prej personave të pranishëm, me qëllimin për t’i bërë shantazh tjetrit. Në këtë rast, ky regjistrim përfaqëson një aspekt të jetës private të individit dhe nga ana e personit që kryen regjistrimin konsumohet vepra penale e parashikuar nga neni 121 i K. Penal – “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”.22

 

 

E rëndësishme është që biseda gjatë regjistrimit, të mos dëgjohet njëkohësisht nga persona të tjerë, jo të pranishëm në bisedë.

Regjistrimi i kësaj bisede nga ana e njërit prej bashkëbiseduesve është i ligjshëm, dhe mund të përdoret për qëllime të hetimit vetëm nga organi i prokurorisë, kurse publikimi i këtij regjistrimi ndalohet kategorikisht, përderisa personi nën hetim nuk ka marrë dijeni për përmbajtjen e saj.

-Probleme të provokimit

Nenet 294/a dhe 294/b të K.Pr.Penale ndalojnë përdorimin e rezultatit të veprimeve simuluese apo infiltruese, në rastet kur përdoret provokimi. Ligji parashikon që një person nuk mund të akuzohet për kryerjen e një vepre penale, të cilën mund të mos e kishte kryer në rast se nuk do të ishte provokuar. Por, a mund të thuhet e njëjta gjë në rastin e simulimit të një vepre penale nga ana e një qytetari, qoftë edhe kur ka provokim nga ana e tij? Në këtë rast nuk mund të thuhet e njëjta gjë, sepse nenet 294/a dhe 294/b ndalojnë provokimin e kryer nga oficeri dhe agjenti i policisë gjyqësore ose punonjësi i policisë i infiltruar. Përsa i përket individit, ligji procedural nuk ka parashikuar rregullim të posaçëm që ndalon provokimin e kryer nga ana e tij. Në këto rrethana nuk vlejnë dhe nuk mund të zbatohen dispozitat e sipërcituara në lidhje me ndalimin e provokimit.

 

 

IV. Vlera provuese e regjistrimit të fshehtë të bisedës nga njëri prej bashkëbiseduesve

Ligji procedural përcakton vlerën provuese të dokumenteve në përgjithësi, pa bërë dallim ndërmjet llojeve të dokumenteve. Paraprakisht duhet të çmohet nëse faktet që përmban dokumenti kanë vlerë provuese ose jo lidhur me faktet objekt prove. Nga ana tjetër, verifikimi i vërtetësisë të dokumentit audiofilmik apo fonografik është proces më i vështirë në krahasim me dokumentin shkresor. Por, kjo nuk është arsye për të mos ia nënshtruar këtë dokument shqyrtimit gjyqësor. Gjatë kësaj faze do të zgjidhen problemet e ndryshme që lidhen me verifikimin e autorësisë së regjistrimit, me faktin nëse regjistrimi është autentik apo i montuar, nëse zëri i përket personit që pretendohet, nëse është cënuar liria e vullnetit të tij, etj. Mandej, faktet që sjell shiriti magnetik do të duhet të vlerësohen në unitet me provat e tjera, me qëllim formimin e bindjes së brendshme të gjykatës. Në kursin me temë “Drejtësia dhe efektiviteti i gjykimeve penale në Shqipëri”, u paraqit ky rast praktik24:

“Për ilustrim po përmend çështjen penale të gjykuar nga gjykata e rrethit gjyqësor Durrës në ngarkim të të pandehurve Ll.P, M.C, A.D dhe H.V, të akuzuar për veprën penale të “Pengim i qarkullimit të mjetit të transportit” në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 293 e 25 të Kodit Penal. Në seancë gjyqësore, të pandehurit ngritën pretendimin se ishin penalizuar për shkak të qenies së tyre si përfaqësues të shoqatës “Tregu i Lirë Industrial”. Ata ishin drejtues të një tubimi paqësor, të cilin e kishin realizuar nëpërmjet kërkesës së hartuar prej tyre dhe një plani të hartuar masash për itinerarin e lëvizjes. Të pandehurit paraqitën si provë, në seancë gjyqësore, kasetën filmike të bërë nga një televizion privat lokal, ditën e ngjarjes. Në analizë të kësaj prove dhe provave të tjera të marra në gjykim, gjykata në përfundim i deklaroi të katër të pandehurit të pafajshëm…” Pra, vlerën provuese të dokumentit fonografik apo audiofilmik e çmon gjykata, në lidhje edhe me provat e tjera që konfirmojnë vërtetësinë e tij, sipas parimit të lirisë së çmuarjes së provave. Në rastin e paraqitur, prova ishte e vlefshme dhe u shqyrtua nga gjykata, ajo u vlerësua si provë e faktit të pjesëmarrjes së të pandehurve në tubim, ndërkohë që deklarimi i tyre i pafajshëm u krye mbi bazën e arsyetimit që lidhej me mungesën e elementëve të veprës penale në veprimet e tyre.

 

 

V. Përfundime.

Nga trajtimi i mësipërm i temës së regjistrimit të bisedës apo komunikimeve nga njëri prej të pranishmëve, vij në këto përfundime:

-Regjistrimi i fshehtë i bisedës ose i komunikimeve nga njëri prej bashkëbiseduesve, ikryer me mjete teknike të përshtatshme, por pa dijeninë e autoritetit shtetëror, nuk është përgjim në kuptim të neneve 221 e vijues të K.pr.penale. -Ky regjistrim nuk parashikohet në mënyrë të shprehur si një nga llojet e provave nëKod (me përjashtim të rastit që parashikohet në nenin 222/1/3). Si i tillë ai përbën një provë të padisiplinuar nga ligji (atipike), në kuptim të nenit 151/3 të K.Pr.Penale dhe jo një provë të marrë në shkelje të ndalimeve të parashikuara nga ligji. Parakushtet që lejojnë marrjen janë vlera provuese dhe pacënueshmëria e lirisë së vullnetit të personit. -Meqenëse neni 151/3 i Kodit nuk parashikon mënyrën e marrjes së provës atipike,administrimi i këtij regjistrimi si dokument, është instrumenti procedural për ta përfshirë provën në proces. Pra, administrimi i video apo audiokasetës në proces mund të bëhet nëpërmjet procesverbalit për marrjen e dokumentit filmik apo fonografik, në bazë të nenit 191/1 të K.Pr.Penale. Në rastet, kur kaseta përbën provë materiale ajo mund të sekuestrohet në cilësinë e provës. Gjykata vendos për marrjen e kësaj prove, pasi dëgjon palët për mënyrën e marrjes së saj. -Regjistrimi i fshehtë i bisedës nga njëri prej të pranishmëve, që ka lidhje me një vepërpenale të kryer nga personi i regjistruar, gjatë ushtrimit të detyrës së tij, nuk përbën aspekt të jetës private të individit. Në rastet kur regjistrohet një aspekt i jetës private të individit, personi që kryen regjistrimin konsumon veprën penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, të parashikuar nga neni 121 i K. Penal. -Përsa i përket provokimit, vlen të theksohet se ligji procedural ndalon provokimin ekryer nga oficeri dhe agjenti i policisë gjyqësore, por jo provokimin e kryer nga individët.

BIBLIOGRAFIA

  1. 1. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë
  2. 2. Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ratifikuar me ligjin nr.8137, datë 31.07.1996.
  3. 3. Kodi i Procedurës Penale i vitit 1979.
  4. 4. Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë, Botim i QPZ, Tiranë 2004.
  5. 5. Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, Botim i QPZ, Tiranë, 2004.
  6. 6. “Codice Penale e di Procedura Penale Italiana”, 2004, Esselibri S.p.A., Edizioni Simone.
  7. 7. H. Islami, A. Hoxha, I. Panda “Procedura Penale”, Komentar, Botimet “Morava”, Tiranë, 2003.
  8. 8. Ledi Bianku “Jurisprudenca e Gjykatës së Strasburgut”, “EDLORA”, Tiranë, 2005.
  9. 9. U. Kilkelly, “Një udhëzues për zbatimin e nenit 8 të KEDNJ”, Manualet e të drejtave të njeriut Nr.1.
  10. 10. Il Codice di Procedura Penale spiegato con esempi pratici, dottrina, giurisprudenza, schemi, tabelle e appendice normative”, Quarto Edizione a cura di Luigi Tramontano, Casa Editrice “La Tribuna”, 2006.
  11. 11. Kurs trajnimi mbarëkombëtar për gjyqtarë me temë “Drejtësia dhe efektiviteti i gjykimeve penale në Shqipëri”, organizuar nga Shkolla e Magjistraturës dhe Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, në bashkëpunim me PAMECA dhe OPDAT, në datat 29

 

– 30 Mars 2007, në hotel “Adriatik”, Durrës.

  1. 12. Vendimet nr. 858, datë 12.09.2005; nr. 227, datë 03.03.2005; nr. 797, datë 11.07.2005; nr. 34, datë 24.01.2006; nr. 606, datë 09.05.2007, të gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë.
  2. 13. Seksioni I i Gjykatës së Kasacionit të Italisë, vendim nr. 30082, 27 gusht 2002.

14. Gjykata e Kasacionit të Italisë, Seksionet Penale të Bashkuara, vendim nr. 36747, 24 shtator

 

Marre nga Revista Jeta Juridike 2007

Shënim I Stafit I DrejtesiaShqiptare.com:

E drejta e autorit mbetet i  autorit të punimit . Opinionet e shprehura  dhe studimet  juridike  e publikuara në këtë Website janë të autorëve përkatës  qe I upload ato.Ne nuk pranojme asnjë përgjegjësi për pikëpamjet, vërtetësinë e informacionit që përmbajnë artikujt që publikon dhe shkeljet e se drejtës së autorit.Kushdo që ka ndonje ankese  rreth  së  drejtës  së autorit ne publikimet e ketij website,  është I lutur  te dërgoje një email  tek kontakt@drejtesiashqiptare.com.  Ne do ta  shqyrtojmë me përgjegjesi ankesën.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

2 + 3 =

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Powered by WordPress | Designed by: Dog Groomer | Thanks to Assistant Manager Jobs, Translation Jobs and New York Singles