Mendimi I Ekspertit Në Procesin Gjyqësor Civil Dhe Çmuarja E Tij Nga Gjykata.- Nga Enerjeta DERAJ

Kërkesat ligjore që duhet të plotësojë mendimi i ekspertit?

Ekspertimi si veprimtari për vërtetimin e fakteve kontestuese, zhvillohet nga eksperti i cili caktohet me vendim të organit procedues (gjykatës) dhe rezulton me dhënien e mendimit nga ana e tij. Që mendimi i ekspertit, i pasqyruar në aktin e ekspertimit të mund të quhet provë duhet të plotësojë disa kërkesa ligjore. Këto kërkesa prekin përmbajtjen dhe formën në të cilën duhet të paraqitet mendimi i ekspertit. Mendimi i specializuar i ekspertit nënkupton dhënie përgjigje të pyetjeve të parashtruara ekspertit nga gjykata. Pra, deklarimet e ekspertit në formën e përgjigjeve përbëjnë në vetvete edhe mendimin e ekspertit, i cili duhet të plotësoj disa kërkesa ligjore.

Cilat janë kërkesat ligjore që duhet të plotsojë mendimi i ekspertit?

a) Forma e shkruar e paraqitjes së mendimit të specializuar.

Në bazë të nenit 224/b/11 të K.Pr.Civile eksperti e jep mendimin e specializuar në formën e shkruar. Forma  e shkruar është e detyrueshme të respektohet në çdo rast, pavarsisht faktit nëse ekspertimi është kryer në prani apo pa praninë e drejtpërdrejtë të gjykatës. Forma e shkruar kërkohet me qëllimin që pjesëmarrësit në proces, në mënyrë të veçantë gjykatës, të mund të lexojnë dhe të kuptojnë më lehtë mendimin e specializuar teknik, shkencor apo artistik të ekspertit. Forma e shkruar dëshmon edhe për një punë më serioze dhe më të përgjegjshme të realizuar nga ana e ekspertit. Forma e shkruar e mendimit të specializuar të ekspertit bën të mundur që ai të jetë më i kujdeshëm në përcjelljen e mendimit të tij te gjykata, palët apo te pjesëmarrësit e tjerë në proçes. Krahas formës së shkruar është gjykata ajo, e cila mund të kërkojë që në lidhje me aktin e ekspertimit të paraqitur në sekretari të jepen edhe shpjegime me gojë në seancë gjyqësore, nga eksperti që e ka hartuar dhe nënshkruar aktin e ekspertimit. Sqarimet gojore janë të nevojshme kur mendimi i specializuar i ekspertit paraqet vështirësi përsa i përket të kuptuarit të tij nga pjesëmarrësit në proces. Pra, “mendimin e tij, eksperti ia jep gjykatës me shkrim. Ky mendim duhet të lexohet patjetër në prani të pjesëmarrësve në proces, të cilët kanë të drejtë të paraqesin pretendimet e tyre rreth mendimit të shfaqur nga eksperti. Kur mendimi i ekspertit me shkrim nuk është i plotë ose i qartë, gjykata mund të thërrasë ekspertin në seancë gjyqësore për të dhënë sqarime rreth mendimit të tij2. Në këtë drejtim ka ecur edhe prakrika gjyqësore p.sh.,vendimi nr. 1301 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë. “Në datën 25/05/2004, ekspertët Dh. Kurta dhe H. Halili kanë dhënë konkluzionet e tyre me shkrim dhe i kanë shpjeguar ato në seancë..”. Në një rast tjetër po të kësaj gjykate në arsyetimin e saj gjejmë se “Akti i ekspertëve është pranuar i mirëqenë nga gjykata në gjithë përmbajtjen e tij, megjithëse është përpiluar dhe nënshkruar nga disa ekspertë, gjykata nuk ka pyetur asnjë prej tyre për të dhënë shpjegime në lidhje me konkluzionet e arritura dhe të pasqyruara në akt, veprim i cili do ta ndihmonte gjykatën edhe në arritjen e një konkluzioni më të drejtë lidhur me çështjen në gjykim”. Pra, normalisht nga ligji, doktrina dhe jurisprudenca rezulton, se mendimi i ekspertit duhet të jetë në të gjitha rastet një mendim i shkruar. Kur gjykata e çmon të nevojshme sqarimin e mendimit, ajo thërret ekspertin në seancë për të dhënë shpjegime rreth mendimit të paraqitur prej tij. Si konkluzion mund të themi se mendimi i ekspertit:  duhet të paraqitet gjithmonë me shkrim;  duhet të lexohet patjetër në seancë gjyqësore dhe  kur është e nevojshme eksperti thirret në seancë gjyqësore për të bërë me gojë sqarime në lidhje me aktin e ekspertimit.

 

 

b) Mendimi i ekspertit duhet të jetë një mendim i argumentuar.

Sipas nenit 230/1 të K.Pr.Civile mendimi i specializuar i ekspertit duhet të jetë i mirë argumentuar. Nëse mendimi i specializuar i ekspertit është paraqitur apo jo në formën e shkruar është një gjë, lehtësisht e konstatueshme nga gjykata, por nuk mund të thuhet e njëjta gjë, nëse ky mendim është apo jo i argumentuar. Vlerësimi i mendimit të ekspertit nëse ai është një mendim i argumentuar apo jo kërkon më tepër vëmendje nga gjykata. Pra, themi se mendimi i ekspertit është paraqitur konform ligjit kur mendimi është i argumentuar, i saktë dhe i qartë. Edhe praktika gjyqësore ka konkretizuar më së miri këtë kërkesë ligjore. Në vendimin e saj nr. 615, datë 16.03.2004, Gjykata e Lartë arrin në përfundimin se “…kolegji civil çmon se në përputhje me kërkesat e parashikuara nga neni 229, K. Pr. C. ka vend për kryerjen e një riekspertimi. Kjo për shkak se aktet e mëparshme nuk janë të qarta, nuk ka përfundime bindëse dhe në tërsi janë kontradiktore me njëra – tjetrën….”. Pra, në këtë rast Gjykata e Lartë ka konkluduar se një mendim eksperti jo i qartë dhe kontradiktor është një mendim i paargumentuar. Po në një vendim tjetër të Gjykatës së Lartë, ai nr. 454, datë 02.03.2004 thuhet se: “…edhe akti i ekspertimit realizuar në apel, si rrjedhojë e mos shtrimit të drejtë dhe në mënyrë konkrete të detyrave, rezulton i paqartë dhe me përfundime të përgjithshme, gjë që nuk i shërben zgjidhjes së mosmarrveshjes…”. Një akt ekspertimi, i cili përmban konkluzione me karakter të përgjithshëm nuk mund të quhet se është një akt i argumentuar. Përgjigjet dhe konkluzionet e ekspertit duhet të jenë të qarta, të sakta dhe jo me ekuivoke.

Po në vendimin nr 1943, datë 11.11.2004 të Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë argumentohet në të njëjtën linjë se “.. në zbatim të nenit 224 e vijues të K.Pr. Civile për llogaritjen e interesave bankare gjykata ka marrë mendimin e një eksperti kontabël, por që rezulton një mendim i metë dhe i pa qartë në lidhje me detryat e vendosura nga gjykata. .. Nga akti i ekspertimit rezulton se interesat për periudhën 01.08.1994 – 12.03.2001 janë X lekë ….përfshirë këtu detyrimin kryesor si dhe interesat, pra nuk rezulton sesi i ka bërë ajo përllogaritjet dhe ku është bazuar ekspertja në nxjerrjen e këtij konkluzioni.”. Pra, nga ky rast konkret rezulton se akti i ekspertimit që nuk pasqyron rrugën nëpërmjet të cilës u arritën konkluzionet dhe argumentat e përdorura nga eksperti nuk mund të quhet një akt i argumentuar në kuptimin e ligjit. Eksperti duhet të jetë i kujdeshëm që mendimi i krijuar prej tij të përcillet para gjykatës në mënyrën më të qartë. Kryerja e ekspertimit, krijimi i mendimit në lidhje me pyetjet që i janë parashtruar për zgjidhje dhe demostrimi i mendimit të tij para gjykatës nuk është gjithmonë një gjë e lehtë për ekspertin. “Demonstrimi i rezultateve të ekspertimit në gjykatë duhet të jetë bindës dhe i tillë ai është kur gjatë ekspertimit është bërë punë serioze nga ana e ekspertit. Përveç kësaj, ai duhet të bëjë një përgatitje paraprake para seancës gjyqësore. Vetëm kur eksperti është i qartë vetë mund të bëjë një paraqitje të perceptueshëm para trupit gjykues, palëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në proces.Përgatitja e ekspertit për paraqitjen e konkluzioneve të ekspertimit në gjyq, konsiston jo vetëm te studimi i thellë i rastit, por edhe te mënyra e të shprehurit, e cila mund të mos jetë adekuate në formë me paraqitjen e raportit të ekspertimit, por më e thjeshtëzuar për t’i bërë aspektet teknike më të kuptueshme për auditorin”3.

Demonstrimi i mendimit të ekspertit para gjykatës do të japë ndikimin e vet te kjo e fundit, per të konkluduar nëse mendimi i ekspertit e plotëson kërkesën ligjore, për të qenë i argumentuar apo jo. “ Materiali që do të paraqitet duhet të jetë sa më i seleksionuar konciz dhe shprehës. Seleksionimi duhet të orientohet nga motua se jo të gjitha pikat e indetifikimit të paraqitura prej tij janë të nevojshme për demonstrim, por duhet përqendruar vetëm te ato që janë më domethënëse, që paraqesin në mënyrë korrekte dhe besnike elementët bazë të indetitetit të tij”4. Mënyra e prezantimit të materialit para gjykatës është një përzgjedhje që bëhet nga vetë eksperti, por njëkohësisht varet edhe nga objekti i ekspertimit si dhe nga lloji i ekspertimit. Si konkluzion mund të them që mendimi i specializuar i ekspertit të quhet i argumentuar duhet që:  ky mendim të jetë i qartë, kategorik dhe pa ekuivoke.;  ky mendim të jetë i plotë dhe pjesët e aktit të jenë në kordinancë me njëra -tjetrën;

ky mendim të jetë specifik dhe jo me përgjigje, konkluzione apo përfundime të përgjithshme;
ky mendim të jetë bindës dhe jo kontradiktor; konkluzionet dhe përfundimet e ekspertit të përkojnë në mënyrë të natyrshme me analizën e rrethanave të çështjes dhe mënyrën e zgjidhjes së saj;
ky mendim të përmbajë jo vetëm konkluzionet, por edhe argumentat sesi eksperti nërastin konkret ka arritur në ato konkluzione;të kemi një demostrim të përzgjedhur dhe bindës, nga eksperti.
Si përfundim, dy kërkesat ligjore bazë që duhet të zotërojë mendimi i ekspertit është forma e shkruar dhe përmbajtje e argumentuar. Këto janë tipare që duhet të karakterizojnëmendimin e ekspertit dhe duhet të qëndrojnë në unitet me njëra – tjetrën. Një mendimi i shkruar, por i paargumentuar nuk do të përbënte asgjë në një proces gjyqësor dhe aq më tepër, ai asnjëherë nuk do të mund të quhej provë për gjykatën. Gjithashtu, një mendim i argumentuar, por i servirur jo në formën e shkruar nuk do të mund të kalonte
nga pikëpamja formale nivelin për t’u quajtur provë në një proces gjyqësor civil.
Duke patur parasysh nenin 224/a të K. Pr. Civil, gjykata mund të caktojë më shumë se një ekspert për të bërë sqarimin e fakteve objektive, të cilat kërkojnë njohuri të posaçme në fushën e shkencës, teknikës dhe artit. Pra, gjykata mund të caktojë një ekspert apo një grup ekspertësh. “Kur janë shumë ekspertë këta mund të lejohen që të merren vesh
midis tyre . Këta mund të japin së bashku mendimin e tyre në qoftë se, të gjithë janë të një mendimi. Por në rast se ekspertët kanë mendime të ndryshme, atëherë secili duhet të parashtrojë veçmas mendimin e tij dhe arsyet që përbëjnë këtë mendim.”5.Sipas pargrafit 2 të nenit 2306 të K. Pr.C., nëse kemi një grup ekspertësh dhe të gjithë janë të një mendimi atëherë përfundimet e ekspertimit mund të parashtrohen vetëm në
një akt ekspertimi. Pra, prej grupit të ekspertëve është e mjaftueshme të paraqitet një akt i vetëm ekspertimi. Ky akt ekspertimi i hartuar prej grupit të ekspertëve duhet të përmbajë të gjitha kërkesat ligjore të sipërcituara, pra duhet të paraqitet në formën e shkruar dhe të jetë një akt i argumentuar. Por nëse ekspertët kanë mendime të ndryshme, atëherë secili prej tyre duhet të hartojë me shkrim një akt ekspertimi ku do të pasqyrohet mendimi i tyre vetjak i kualifikuar. Pavarsisht faktit nëse nga grupi i ekspertëve do të
kemi një apo disa akte ekspertimi, secili prej tyre do të plotësojë kërkesat ligjore të paraqitjes së një akti ekspertimi në formën e shkruar dhe të argumentuar.

Çmuarja e mendimit të ekpertit.

Gjykata ka si detyrim ligjor, detyrimin për të arsyetuar të gjitha vendimet që ajo merr gjatë një procesi gjyqësor. Arsyetimi i vendimeve është njëkohësisht edhe një detyrim kushtetues7 pasi nga vet kushtetuta rrjedh drejtpërdrejtë detyrimi që vendimet e gjykatës duhet të jenë të arsyetuara. Themi që një vendim është i arsyetuar, atëherë kur në përmbajtjen e tij faktet, objekt verifikimi, rezultojnë të analizuara me anë të provave, prova këto të marra dhe të administruara në seancë gjyqësore. Në mënyrë që faktet, objekt verifikimi, të analizohen me anë të provave gjykata ka si detyrë paraprake çmuarjen e këtyre provave d.m.th duhet të përcaktojë vërtetësinë, rëndësinë dhe fuqinë provuese të tyre. “Pra, çmuarja e provave përbëhet prej veprimeve të gjykatës për përcaktimin e vërtetësisë dhe mjaftueshmërisë së provave. Vërtetësia e provave është përcaktimi i saktësisë të fakteve provuese, domethënë arritja në përfundimin nëse një provë i përgjigjet apo jo të vërtetës. Mjaftueshmëria e provave është përcaktimi që bëhet se bashkësia dhe tërësia e tyre lejon nxjerrjen e përfundimit të vërtet për egzistencën e faktit për të cilin ato janë mbledhur”8. Çmuarja e provave është një nga detyrat më të rëndësishme të gjykatës, pasi vetëm kur kemi çmuarje të drejtë të provave mund të kemi edhe një vendim të drejtë të dhënë prej saj. “ Qëndrimi përfundimtar në lidhje me atë se a duhet ta konsiderojë faktin e kontestuar si të provuar, gjykata e merr zakonisht mbas përfundimit të marrjes së të gjitha provave, që do të thotë mbas mbarimit të shqyrtimit kryesor, në seancën për këshilim dhe votim. Prapseprapë mund të ndodhë që gjykata bindjen e saj definitive për vërtetësin e një fakti ta formojë edhe para një momenti të tillë, sepse pas marrjes së çdo prove konkrete nga trupi gjykues spontanisht u imponohet çmuarja e rezultatit të përftuar”9. Pra, kemi të bëjmë me çmuarje të provës mbasi janë marrë të gjitha provat. Çmuarja e provave është parashikuar dhe rregulluar nga neni 309/2 i K.Pr.Civil. Ky nen parashikon se “… gjykata, çmon provat e marra gjatë gjykimit të çështjes, sipas bindjes së saj të brendshme, të formuar nga shqyrtimi i të gjitha rrethanave të çështjes në tërësinë e tyre”. Nga interpretimi i kësaj dispozite shohim se nuk ka rregulla proceduriale fikse, përdorimi i të cilave të jetë i detyrueshëm për gjykatën, kur ajo bën çmuarjen e provave. Gjykata bënë çmuarjen e provave vetëm në bazë të bindjes së saj të brendshme, pasi vetëm në një mënyrë të tillë mund të respektohet parimi i pavarësisë së gjykatës dhe mund të procedohet me dhënien e një vendimi të drejtë nga ana e saj. “ Me bindje të brendshme të gjyqëtarit kuptojmë atë ndjenjë që formohet te ai në bazë të ndijimeve e përshtypjeve të tij për drejtësinë e përfundimeve të arritura për saktësinë dhe mjaftueshmërinë e provave”10 Duke patur parasysh se në të drejtën proceduriale civile qëndron parimi se asnjë provë nuk ka vlerë të paracaktuar, mund të them se vlera e provës del vetëm nga shqyrtimi i saj në proces dhe nga koherenca e saj me provat e tjera. Pra, arrijëm në përfundimin se në rradhët e provave nuk ka mbretëreshë të provave, vlera dhe fuqia provuese e secilës provë do të çmohet rast pas rasti në bazë të bindjes së brendshme të gjykatës. Prova me ekspert është një nga llojet e provave që parashikohet dhe rregullohet nga kodi i procedurës civile, e cila gjithashtu duhet të çmohet nga gjykata në bazë të bindjes së saj të brendshme të formuar gjatë gjykimit. Ashtu, si gjithë provat e tjera edhe kjo provë, për të përcaktuar fuqinë e saj provuese duhet të çmohet në bazë të bindjes së brendshme të gjykatës. “ Në legjislacion, po ashtu edhe në teorinë e provave, është pranuar, se pavarsisht nga renditja që u bëhet provave në kod, të gjitha burimet e provave janë njëlloj të rëndësishme. Por, mundësitë praktike që ofron zhvillimi shkencor dhe progresi teknologjik për zgjidhjen e problemeve të ndryshme, shpesh herë mjaft të ndërlikuara që dalin në procesin e hetimit dhe gjykimit të çështjeve penale (edhe të atyre  civile), bëjnë që provat shkencore (ose më saktë mendimet e ekspertëve), të përftuara nëpërmjet ekspertimit, të fitojnë gjithmonë e më shumë terren. Rritja e rolit dhe e rëndësisë së provave shkencore në procesin penal dhe në atë civil ndodh në kushtet e një evolucioni të dyfishtë, sasior dhe cilësor të tyre, në krahësim me llojet e tjera të provave ku evolucioni është vetëm cilësor. Quhet evolucion i dyfishtë i provave shkencore, sepse realizimet e reja shkencore dhe teknologjike shpien si në zgjerimin e gamës së kësaj kategorie të provave ( pra një evolucion sasior), ashtu edhe në plotësimin dhe saktësimin e mëtejshëm të atyre, tashmë të njohura ( pra, një evolucion cilësor), duke pasuruar ndjeshëm, në të dy aspektet arsenalin e tyre. Pavarsisht nga rëndësia që paraqesin provat shkencore, të cilat i nënshtrohen këtij evolucioni të dyfishtë sasior dhe cilësor, në krahësim me provat e tjera që i nënshtrohen vetëm evolucionit cilësor, ato, në pamje  të fuqisë provuese, nuk marrin vlera të paracaktuara, pra, nuk përbëjnë ndonjë prioritet në lidhje me provat e tjera, dhe si të gjitha llojet e tjera të provave, lidhur me përcaktimin e së vërtetës dhe të fuqisë provuese, i nënshtrohet shqyrtimit dhe çmimit nga ana e gjykatës. Megjithatë, për vetë natyrën e tyre “të saktësisë  shkencore” dhe të objektivitetit, pasi ekspetët janë më pak të ndikuar nga rrethanat e çështjes (p.sh. nga dëshmitari), provat shkencore që ata përfaqësojnë me anë të mendimeve dhe konkluzioneve të tyre  janë më të besueshme. Kjo vlen sa për vlerësimin dhe çmimin të provave duke i marrë edhe provat shkencore në kompleks me provat e tjera dhe jo për t’u dhënë atyre apriori kurorën e mbretëreshës së provave”11.

Pra, një provë shkencore megjithëse mbart në vetvete shumë avantazhe, ajo për gjykatën do të mbetet një provë si gjithë llojet e tjera të provave që do të marrë vlerën dhe fuqinë e saj provuese vetëm mbasi gjykata e çmon atë. Çmuarja e provës me ekspert bëhet duke nxjerrë vlerën e saj provuese në koherencë me provat e tjera të procesit gjyqësor civil.

“Mendimet e ekspertit përbëjnë vetëm një këshillë për gjykatën dhe prandaj kjo nuk është aspak e detyruar që të pranojë apriori këto mendime, përveçse kur e bindin. Vetëm se gjykata duhet të arsyetojë mospranimin e mendimit të ekspertit “12. Veçoria specifike e mendimit të ekspertit, pra e provës shkencore, për t’iu nënshtruar një evolucioni të dyfishtë dhe natyra shkencore nuk e ngre këtë provë në nivel të tillë që të pranohet apriori vlera e paracaktuar e saj. Avantazhet e kësaj prove reflektohen në ligj me detyrimin e gjykatës për të argumentuar në detaje qëndrimin e saj, kur ajo vendos të mos e pranojë provën me ekspert. Fakti se eksperti ofron mendime të specializuara në një fushë jojuridike për gjykatën, si një subjekt i pa pajisur me këto njohuri, bën që mendimi i ekspertit të tërheqë vëmendje më të madhe në momentin e çmuarjes së tij nga ana e gjykatës. Gjykata duhet të argumentojë me hollësi mendimin e kundërt, pra nëse ajo nuk pranon mendimin e ekspertit duhet të paraqesë argumenta bindëse, pasi ajo hedh poshtë një mendim të kualifikuar jojuridik.

“Kjo do të thotë se mendimi i ekspertëve, sipas të drejtës tonë proceduriale nuk mund të mbivlerësohet në krahasim me llojet e tjera të provave, ai mund të rrëzohet edhe me prova të tjera, sepse te ne,  eksperti, me shumë të drejtë, nuk konsiderohet ‘”gjyqtar shkencor” apo ‘”dëshmitar shkencor”, sikurse cilësohet ai sipas disa teorive proceduriale të vendeve të tjera”13 . Pra, mendimi i ekspertëve, sipas të drejtës sonë proceduriale civile, do të çmohet nga gjykata sipas rregullave të përgjithshme të parashikuara nga Kodi i Procedurës Civile, domethënë në bazë të bindjes së brendshme të gjykatës, të mbështetur në ndërgjegjen juridike. Bindje kjo e formuar gjatë gjykimit nga shqyrtimit të të gjitha rrethanave të çështjes në tërësinë e tyre. “Kjo do të thotë se gjykata mund të pajtohet me konkluzionet e ekspertëve ose mund t’i refuzojë plotësisht ose pjesërisht ato . E kundërta, d.m.th t’i heqësh gjykatës të drejtën e verifikimit të rregullësisë së konkluzioneve, do të çonte në një kundërshtim të

S’ka dyshim se vlerësimi i mendimit të ekspertit është një çështje mjaft delikate dhe e rëndësishme në kuadër të vlerësimit të provave dhe të ekspertimit në përgjithësi. Dihet se mendimi i ekspertit është një nga provat, me anë e të cilës vërtetohen faktet kontestuese dhe si i tillë ai ngelet gjithmonë për t’u çmuar nga gjykata. Pra, edhe pse mendimi i ekspertit praktikisht ka një ndikim të konsiderueshëm në procesin e të provuarit, ai sikundër të gjitha provat e tjera i nënshtrohet vlerësimit gjyqësor, sipas rregullave të përgjithshme të vlerësimit të lirë të provave. Mirëpo, meqenëse mendimi i ekspertit për nga natyra dhe përmbajtja e tij është rezultat i aplikimit të njohurive të posaçme profesionale në vërtetimin e fakteve kontestuese të caktuara, në rastin e vlerësimit të tij me të drejtë shtrohet pyetja:

Si mund t’a vlerësojë mendimin profesional jojuridik të ekspertit, gjykata e cila nuk zotëron njohuri profesionale jojuridike?

Është e vërtetë se gjyqtari nuk ka njohuri të posaçme shkencore jojuridike në atë nivel sa nevojitet për zbatim të ekspertimit. Mirëpo kjo nuk do të thotë, se gjyqtari duhet ta marrë si të pakontestueshëm deklarimin e ekspertit. Megjithëse mundësitë faktike të gjyqtarit që të vlerësojë mendimin e ekspertit në krahasim me provat e tjera janë minimale, e ndonjëherë këto mundësi nuk ekzistojnë, detyrimi për vlerësimin e tij del si nga dispozitat ligjore, edhe nga fakti se deklarimi i ekspertit është objekt i shqyrtimit kondradiktor në seancë gjyqësore, ku palët kanë mundësi të shprehin mendimin e tyre për vlerën e tij. Çmuarja e vlerës provuese të mendimit të ekspertit është vlerësim kritik nga ana e gjykatës, e cila ka për qëllim të fundit pranimin apo mospranimin e kësaj prove. Në rastin e vlerësimit të kësaj prove gjykata në rend të parë duhet të kujdeset: · Nëse puna e ekspertit ka qënë objektive dhe e paanshme. Ky është një moment procedurial, i cili ka të bëjë më rastet e përjashtimit të ekspertit. Eksperti përjashtohet në po ato raste kur përjashtohet gjyqtari pasi janë raste, të cilat nuk lejojnë që eksperti të jetë i paanshëm në kryerjen dhe dhënien e mendimit të tij. Ky është një moment procedurial që ndodh në momentin që palët vijnë në dijeni të emrit të ekspertit, por gjithashtu mund të ndodh edhe në një moment të mëvonshëm, në momentin kur lind shkaku për të cilin palët mund të kërkojnë përjashtimin. Në lidhje me këtë kërkesë vendos gjykata. · Nëse materiali i përdorur nga eksperti ka qenë në kualitetin e duhur dhe nëse ky material ka qenë i mjaftueshëm. Ky është momenti i parashikuar nga neni 227 i K.Pr.Civile ku gjykata mbart detyrën që t’i krijojë eksperti kushte optimale për dhënien e mendimit nga ana e tij. Ky nen, gjithashtu parashikon të drejtën e ekspertit për të pasur akses të mjaftueshëm në krijimin apo shtimin e objekt ekspertimit. p.sh., pyetjen e dëshmitarëve apo njohja me dosjen.

· Duke u marrë parasysh nga gjykata metoda shkencore profesionale e aplikuar. Pra, gjykata gjithmonë në rastin e çmimit të mendimit të ekspertit merr parasysh edhe teknikën e përdorur nga ana e eksperti, për të kuptuar sesi shkalla e zhvillimit shkencor jep efektet e saj në një rast konkret. Pasi zhvillimet e ndryshme shkencore apo teknike dhe metodat e përdorura nga ana e ekspertit për të përfunduar mendimin e tij japin efekt mbi mendimin e paraqitur nga ana e ekspertit. Pasqyrimi i metodave dhe mënyrës së aplikuar nga ana e tij krijojnë një tablo të qartë përpara gjykatës.

· Të analizojë procesin e nxjerrjes së konkluzionit nga ana e ekspertit. Kjo bëhet në menyrë që gjykata të zbulojë nëse në konkluzionet e mendimit të ekspertit ka kundrathënie, mangësi apo krijohet dyshimi i bazuar në lidhje me saktësinë e mendimit të ekspertit. Kundërthëniet mund të qëndrojnë ndërmjet konkluzioneve të ekspertit ose ndërmjet gjendjes faktike të verifikuar nga provat e tjera dhe konkluzioneve të ekspertit. Eksperti duhet të paraqesë, jo vetëm konkluzionet, por edhe argumentet e përdorura nga ana e tij për arritjen e këtij mendim. Kështu gjykatës i jepet mundësia të çmojë nëse mendimi i ekspertit është i drejtë dhe i bazuar në argumente ligjore.

· Në këtë drejtim, gjykata duhet të verifikojë nëse ka kundërshti ndërmjet  fakteve të vërtetuar gjatë konstatimit dhe mendimit të ekspertit dhe fakteve të vërtetuara me ndihmën e provave të tjera. Pra, në këtë rast gjykata duhet të kontrollojë nëse mendimi i ekspertit përputhet me provat e tjera. Pasi fuqia provuese e secilës provë del duke pasur parasysh vlerën provuese të saj, në rastin tonë të mendimit të ekspertit, në raport me të gjitha provat e tjera. Në lidhje me këtë moment kemi dhe disa raste të praktikës së Gjykatës së Lartë. Në vendimin nr. 1596, datë 22.11.2005 të kolegjit civil argumentohet se “….Gjykata e Apelit ka zbatuar ligjin duke vlerësuar konkluzionet e ekspertimit në harmoni me provat e tjera…”.

Po në një vendim tjetër të Gjykatë së Lartë, nr 220, datë 10.02.2005 argumentohet se “ …Gjykata e rrethit mbasi ka analizuar në harmoni me gjithë provat e ndodhura në dosje edhe mendimin e ekspertit, ka arritur në përfundimin sesi padia edhe kundrapadia duhen rrëzuar…”.

Pra, edhe pse gjykata nuk ka njohuri jojuridike në nivelin e duhur profesional, ajo nuk duhet apriori ta pranojë, e aq më tepër të mospranojë mendimin e ekspertit, por atë kritikisht duhet ta vlerësojë, dhe po qe se ai nuk mund të inkorporohet me provat e tjera mund të dyshojë në saktësinë e tij. Mirëpo, një dyshim i tillë, edhe pse është kategori subjektive, duhet të mbështet në prova dhe rrethana të caktuara. Sepse, vlerësimi i “lirë”, megjithëse nënkupton mungesën e rregullave juridike formale për vlerësim, kjo nuk do të thotë se gjykata, në rastin e vlerësimit, nuk është e lidhur me kurrfarë rregullash. Në këtë drejtim, ajo është e lidhur me rregullat e përgjithshme të mendimit dhe eksperiencës njerëzore.

Nuk mjafton që konkludimi i gjyqtarit në rastin e vlerësimit të provave, të jetë nëharmoni vetëm me bindjen e tij. Është e nevojshme që përfundimi i tij të jetë i atillë që, sipas mendimit të gjykatës, mund ta pranojë secili qytetar i udhëzuar dhe i paanshëm. Po në bazë të kodit, gjykata në rastin kur nuk e merr parasysh mendimin e ekspertit, duke patur parasysh se po çmohet një mendim i specializuar jojuridik, duhet të argumentojë mendimin e saj kundër. Kjo ka gjetur zbatim të gjerë edhe në praktikë. Në vendimin nr. 96, datë 26.01.2006 të kolegjit civil të gjykatës së lartë argumentohet si më poshtë “ ….Gjykata e Apelit as nuk e ka marrë parasysh mendimin e ekspertit, as ka urdhëruar ekspertim të ri, as ka arsyetuar hollësisht mendimin e saj të kundërt me atë të ekspertit. Në bazë të nenit 224.b.2 …”.

Gjithashtu, në një rast tjetër të praktikës, në vendimin nr. 154, datë  21.02.2006 kolegji Civil i gjykatës së lartë argumentohet se “ ….Sipas nenit 224/b të k.pr.civil “mendimi i ekspertit nuk është i detyrueshëm për gjykatën dhe kur kjo ka mendim të kundërt me ekspertin duhet të arsyetojë me hollësi këtë në vendimin përfundimtar”. Ky detyrim i gjykatës të arsyetimit me hollësi mendimin e kundërt me atë të ekspertit, nuk mund të shmanget kur nuk pranohet mendimi i ekspertit. Sipas legjislacionit procedurial civil “mendimi i ekspertit” përfaqëson një nga provat që administrohet gjatë gjykimit, për të provuar a mos provuar një fakt të pretenduar, duke mos vënë në bisedim pretendimet e palëve, gjykata e apelit nuk ka respektuar detyrimin procedurial të “analizës së provës”.

Pra, mendimi i ekspertit i nënshtrohet vlerësimit nga ana e gjykatës, që do të thotë se kur nuk është bindës, ai nuk e detyron gjykatën në respektimin e tij, por ajo mund të vendosë edhe ndryshe nga mendimi i tij, por duke e argumentuar këtë mendim të kundërt.

“Kur gjykata ka mendim të kundërt ose të ndryshëm nga ai që japin ekspertët, ajo duhet të arsyetojë hollësisht dhe qartas këtë kundërshtim ose ndryshim mendimi në vendimin përfundimtar ose në vendimin që jep gjatë gjykimit”15.

Pra, akti i ekspertimit si të gjitha provat e tjera nuk ka vlerë të paracaktuar. Ai i nënshtrohet patjetër vlerësimit dhe çmuarjes nga gjykata. Kur gjykata ka një mendim të kundërt duhet të argumentojë me detaje mendimin e saj, pasi ajo po hedh poshtë një mendim të kualifikuar jojuridik. Gjykata edhe kur miraton mendimin e ekspertit, këtë provë nuk duhet ta lërë në heshtje, por duhet ta bëjë objekt analize në vendimin e saj. Në të njëjtën mënyrë ka konkluduar edhe Gjykata e Lartë në vendimin nr. 1294, datë 25.05.2004, në të cilin argumentohet se; “…Gjatë rigjykimit të çështjes, Gjykata e Apelit të Durrësit, duhet të bëjë kujdes rreth përfundimeve të arritura në aktet e ekspertimeve kontabël, dhe jo ashtu siç është vepruar, kur pa argumentuar, njëra gjykatë mbështetet në aktin e dytë të ekspertimit dhe tjetër në atë të tretin. Çmuarja dhe mbështetja në njërin apo tjetrin akt ekspertimi nga ana e gjykatës duhet të shoqërohet me një analizë konkrete dhe objektive të akteve parë edhe në raport me provat e tjera të administruar gjatë gjykimit…”

Praktika gjyqësore që kam përdorur për të ilustruar me shembuj vendimesh, trajtime teorike që kanë të bëjnë me çmuarjen e provës me ekspert, i përkasin viteve 2004, 2005 dhe 2006. Mund të them se praktika e këtyre viteve tashmë ishte konsoliduar, pasi kemi vendimin unifikues nr. 628 i datës  15.05.2000. Nga ky vendim po citojë disa pjesë që kanë të bëjnë me unifikimin e praktikës lidhur me çmuarjen e mendimit të ekspertit nga ana e gjykatës.

“…Nga materialet e çështjes rezulton se: Gjykata e Shkallës së Parë Korçë, mbështetur në shpjegimet e konkluzionet e ekspertit Pandi Treska, e ka llogaritur vlerën e shtepisë bashkë me truallin në shumën 851.375 lekë. Gjykata e Apelit Korcë ka urdhëruar ekspertim të ri dhe ekspertët A.Rapi e S.Ktona e kanë vlerësuar shtepinë së bashku me truallin e saj në shumën 1.566.000 lekë. Kjo gjykatë ka arritur në përfundimin se vlerësimi që kanë bërë ekspertët e caktuar prej saj nuk është i saktë e real, prandaj nuk e ka pranuar atë dhe përfundimisht e ka vlerësuar vetë shtëpine së bashku me truallin në shumën …. Ndonëse gjykata, siç ishte e detyruar, nuk ka marrë një vendim konform nenit 465 të K.Pr.Civile, për të përcaktuar nëse do te mjaftohej me leximin e akteve të gjykimit të shkallës së parë, apo do të merrte edhe prova të reja, duke përsëritur tërësisht apo pjesërisht hetimin gjyqësor, nga kqyrja e procesverbalit ne fakt rezulton se Gjykata e Apelit ka përseritur pjesërisht hetimin gjyqësor. Ajo ka urdhëruar vetëm kryerjen e një ekspertimi të ri teknik, pra, nuk ka kërkuar dhe nuk ka administruar prova të tjera. Nga sa më lart në mënyrë të natyrshme e logjike shtrohet pyetja: Me cilat prova e ka rrëzuar gjykata e Apelit konkluzionin e ekspertëve për vlerën eshtëpisë? Është e vërtetë që, sipas nenit 81/2 te K.Pr.Civile, të cilit i referohet edhe Gjykata e Apelit, “mendimi i ekspertit nuk është i detyrueshëm për gjykatën dhe kur kjo ka mendim të kundërt me ekspertin, duhet të arsyetojë me hollësi këtë mendim në vendimin përfundimtar ose në një vendim që jep gjatë gjykimit”. Është e vërtetë gjithashtu që Gjykata e Apelit në vendimin përfundimtar është përpjekur të japë

argumente për të rrëzuar konkluzionin e ekspertëve, por argumentat e saj nuk janë nxjerrë nga prova, të cilat ajo i ka lejuar, administruar e vlerësuar si të tilla, konform dispozitave përkatëse të K.Pr.Civile.” Në këtë vendim unifikues kemi të sqaruar disa momente të cilat së bashku unifikojnë praktikën në lidhje me çmuarjen e mendimit të ekspertit. Ky vendim rregullon këto momente: · Gjykata asnjëherë nuk duhet të luajë rolin e ekspertit, por në rast se ajo nuk bindet përsa i përket mendimit të ekspertit duhet sipas rastit të urdhërojë kryerjen e riekspertimit apo të marrë prova të tjera të kërkuara nga palët, analiza e të cilave do ta çonte në një përfundim tjetër; · Në rastin konkret Gjykata e Apelit ka marrë vetëm një provë të re, duke kryer riekspertimin dhe nuk e ka marrë parasysh mendimin e ekspertit. Mendimi i ekspertit nuk është i detyrueshëm për gjykatën, por ajo duhet të arsyetojë në detaj mendimin e saj të kundërt. Argumentimi i mendimit të kundërt të gjykatës duhet të bëhet vetëm me anën e provave të tjera, që ajo ka marrë dhe administruar në seancë dhe asnjëherë mendimi i kundërt i gjykatës të bazohet në disa argumentime personale të gjykatës, të cilat juridikisht janë inegzistente. Pra, mendimi i kundërt i gjykatës duhet të jetë i argumentuar në detaje dhe ky argumentim duhet të rrjedhë vetëm nga një analizë e hollësishme të provave të marra dhe të administruara nga gjykata në gjykim.

 

Marre nga Revista Jeta Juridike 2007

Shënim I Stafit I DrejtesiaShqiptare.com:

E drejta e autorit mbetet i  autorit të punimit . Opinionet e shprehura  dhe studimet  juridike  e publikuara në këtë Website janë të autorëve përkatës  qe I upload ato.Ne nuk pranojme asnjë përgjegjësi për pikëpamjet, vërtetësinë e informacionit që përmbajnë artikujt që publikon dhe shkeljet e se drejtës së autorit.Kushdo që ka ndonje ankese  rreth  së  drejtës  së autorit ne publikimet e ketij website,  është I lutur  te dërgoje një email  tek kontakt@drejtesiashqiptare.com.  Ne do ta  shqyrtojmë me përgjegjesi ankesën.

 

 

3 Responses to Mendimi I Ekspertit Në Procesin Gjyqësor Civil Dhe Çmuarja E Tij Nga Gjykata.- Nga Enerjeta DERAJ

  1. altin sinela says:

    avokat, aktualisht ushtroj aktivitetin ne kavaje.

  2. Marsi says:

    Pershendetje, do doja te dija se ku jane marre informacionet
    sepse po shoh qe ka referenca por nuk se ku jane marre keto referenca.

    Faleminderit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Powered by WordPress | Designed by: Dog Groomer | Thanks to Assistant Manager Jobs, Translation Jobs and New York Singles
Per Se Kjo Reklame?