Krimi I Organizuar Është Fenomen Kërcënues Për Sigurinë-Nënkolonel (R) Thanas Tane

Në këtë shkrim janë trajtuar disa probleme për të cilat mendoj se janë aktuale si: Ç’është krimi i organizuar? Me çfarë burime ushqehet ai? Ku është më shumë i përhapur në Ballkanin Perëndimor? Si mund të luftohet?.Në kohën e sotme krimi i organizuar vlerësohet si një rrezik real për sigurinë e çdo vendi, por në mënyrë të veçantë, për sigurinë e vendeve me shtete e demokraci të pakonsoliduara dhe institucione të brishta, që s’kanë as forcën dhe as përvojën e duhur për t’u përballuar efektivisht me të. Në këtë këndvështrim, për Ballkanin ky fenomen vlerësohet si rrezik kryesor për sigurinë e secilit vend dhe në përgjithësi të gjithë rajonit. Me gjithë progresin kolosal që është bërë për të ndërtuar një të ardhme të re përmes procesit të integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, në sytë e ndërkombëtarëve rajoni ynë ende vlerësohet si një formacion mjaft i brishtë, ku progresi dhe regresi qëndrojnë në teh të briskut të dy bashkë. Ndërsa me zhvillimet tragjike të viteve ’90, Ballkani e humbi shansin për të përgënjeshtruar epitetin shekullor si “fuçi baroti”, me zhvillimet integruese aktuale ai synon të mos humbasë shansin për të përgënjeshtruar një epitet tjetër famëkeq, si “çerdhe e krimit të organizuar”. Në këtë epitet mund të ketë doza ekzagjerimi, por e vërteta për këto 15 vjetët e fundit është se, ndërsa të gjitha llojet e industrive në vendet e rajonit kanë falimentuar, ka lulëzuar një “industri” re, që punon ditë e natë me kapacitet të plotë: industria e krimit të organizuar.

Kjo ka bërë që edhe këndvështrimi i vlerësimit gjeostrategjik të pësojë një zhvendosje të madhe. Për Perëndimin, rëndësia strategjike e Ballkanit tashmë nuk shihet më as në përparësitë natyrore e as në ato ushtarake, por në rreziqet që ai mund të eksportojë drejt tij. Midis tyre, fenomeni i krimit të organizuar, shihet si një ndër rreziqet kryesore. Për këtë arsye lufta ndaj tij ka përbërë në vazhdimësi një ndër drejtimet kryesore të kontributit të ndërkombëtarëve për fuqizimin e institucioneve në vendet e rajonit, por në të njëjtën kohë edhe një ndër kushtet bazë që duhet të plotësojnë qeveritë e këtyre vendeve për realizimin e aspiratës së integrimit në BE dhe në NATO. Ky qëndrim u ripohua edhe një herë në Konferencën Rajonale të Parlamentarëve të vendeve të Evropës Juglindore, në prill të vitit 2006 në Tiranë, ku u theksua se krimi i organizuar në vendet e Evropës Juglindore mbetet rrezik dhe pengesë e madhe për progres.

 

Ndonëse krimi i organizuar nuk përfshihet shprehimisht ndër tre tipat kryesore të kërcënimeve të kohës së sotme në fushën e sigurisë, ai shihet si një burim që i ushqen drejtpërsëdrejti këto kërcënime, qoftë atë të konflikteve rajonale, terrorizmin, apo përhapjen e Armëve të Dëmtimit në Masë. Si veprimtari që ka në themel fitimin e paligjshëm, ai trondit stabilitetin e qeverisjes dhe gërryen e shkatërron pareshtur themelet ekonomike e ligjore të shtetit. Krimi i organizuar, me përqendrim në krimin ekonomik, është bërë sot fusha me rritjen më të lartë në botë, me një fitim global rreth 500 miliardë USD në vit. Në vendet e Evropës Juglindore numërohen me mijëra kompani dhe banka që menaxhohen nga Krimi i Organizuar. Vendet e rajonit të Ballkanit, përveç Kroacisë, humbasin rreth 20% të të ardhurave vjetore nga krimi i organizuar, ndërsa shtetit shqiptar i mungojnë në buxhet rreth 3 miliardë lekë në vit. Ky fuqizim është i rrezikshëm, sepse është fuqizim i antiligjit, i antishtetit, i antipaqes sociale, fuqizimi i një partneri të mundshëm të terrorizmit ndërkombëtar.

 

Rrënjët e fenomenit. Në shekullin e kaluar nuk ka pasur forma të krimit të organizuar në Ballkan dhe në Shqipëri, ashtu si në Perëndim. Natyrshëm lind pyetja se si u bë e mundur që brenda dy dekadave ai u zhvillua me një shpejtësi galopante, aq sa të konkurrojë edhe mafiet më të vjetra e më famëkeqe? Përgjigjet që jepen janë të ndryshme, por në përgjithësi ato u referohen faktorëve të mëposhtëm:

Vakumi i pushtetit. Me përfundimin e Luftës së Ftohtë, ndodhi edhe shkatërrimi total i strukturave sociale dhe atyre të zbatimit të ligjit, që rezultoi në një situatë kaotike mjaft të favorshme për lindjen dhe lulëzimin me shpejtësi të fenomeneve dhe strukturave të Krimit të Organizuar.

Mungesa e traditës demokratike. Ballkani në vitet ’90 ishte si Evropa në vitet ’45, veçse me ndryshimin se këtu mungonin traditat dhe bazat politike e kulturore për të ndërtuar një demokraci konstitucionale.

Shkatërrimi ekonomik. Privatizimi i ekonomisë publike dhe kalimi në ekonominë e tregut të lirë, u shoqërua me praktika abuzive, dizekuilibra sociale, papunësi dhe varfëri masive.

Rënia e barrierave ekonomike. Krijimi i një tregu të vetëm evropian, solli edhe zvogëlimin e barrierave të tregtisë, në të njëjtën kohë edhe të barrierave për ushtrimin e veprimtarive të paligjshme.

Korrupsioni. Në kushtet kur mungonin rregullat dhe përvoja për ta ndërtuar dhe për ta mbajtur nën kontroll administratën publike, ky fenomen mori përmasat e një epidemie kronike, duke u bërë shtrat i ngrohtë për lulëzimin e Krimit të Organizuar.

 

Emigrimi masiv. Vitet ’90 për vendet e Lindjes njohën emigrimin e përmasave më të mëdha që pas Luftës së Dytë Botërore. Gjatë viteve të tranzicionit vetëm nga Shqipëria ka emigruar përafërsisht 25 % e popullsisë, ose 35 % e fuqisë punëtore. Sot numërohen rreth 900,000 emigrantë, kryesisht në Greqi (600.000), Itali (200.000), dhe në vende të tjera të Evropës Perëndimore , SHBA dhe Kanada.

Indiferenca fillestare e Perëndimit. Ndonëse ishte ky qytetërim që me vlerat e tij demokratike frymëzoi këputjen e prangave të izolimit dhe totalitarizmit, Perëndimi nuk ishte i përgatitur ta kuptonte se deri ku mund të arrinte aventura e njerëzve të privuar për një kohë të gjatë nga liria, me nevoja jetike të paplotësuara, të mbetura në kufijtë e një ëndrre e të një shprese.

Pozita gjeografike. Gjeografikisht Ballkani ka qenë korridori që lidh tre kontinente: Evropën, Azinë dhe Afrikën, ndërsa historikisht ka qenë kufiri gjithnjë i trazuar midis lirisë dhe shtypjes, zhvillimit dhe prapambetjes, mirëqenies dhe varfërisë.

Avantazhi i veprimit. Një arsye tjetër përse Krimi i Organizuar ka përparuar me shpejtësi në rajonin tonë, është avantazhi i veprimit për të përfituar nga situatat e reja, ndërkohë që strategjitë dhe bashkëpunimi midis institucioneve që duhet të përballen me të ka ecur më ngadalë.

Përkufizimi. Ende nuk ka një përkufizim përfundimtar për Krimin e Organizuar. Vende të ndryshme japin përkufizime të ndryshme, por ajo çka është e përbashkët në shpjegimin e termit “Krim i Organizuar”, është se ky është krim në të cilin përfshihen domosdoshmërisht më shumë se një aktor, të cilët kanë nevojë të qëndrojnë të bashkuar dhe të koordinojnë midis tyre. Nga agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit, Krimi i Organizuar përkufizohet si “një aktivitet kriminal i dënueshëm, i vazhdueshëm e vetëveprues, me një strukturë të organizuar, të ushqyer nga frika dhe korrupsioni dhe të motivuar nga etja për fitim”[1]. Ndërsa në Konventën e OKB të vitit 2004 përkufizohet si “një grup i strukturuar prej tre ose me shume personash, që veprojnë në bashkëpunim, me qëllim që të sigurojnë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, një përfitim financiar ose një përfitim tjetër material…”[2]

Në jetën e përditshme ky term shpesh krijon një perceptim të deformuar, me shpjegimin se ky fenomen emërtohet Krim i Organizuar ngaqë në të përfshihet vetë shteti, gjë që nuk është e saktë, sidoqë është shpesh e vërtetë se Krimi i Organizuar arrin të korruptojë segmente të veçanta të shtetit e të administratës publike apo zyrtarë që me veprimet e tyre të paligjshme në interes të përfitimit vetjak nuk mund të dallohen dot nga pjesëtarët e tjerë të grupeve të Krimit të Organizuar. Megjithëkëtë është jologjike të mendohet që shteti të dirigjojë Krimin e Organizuar, kur ky krim është vetë armiku më i egër i shtetit. Strategjia e krimit të organizuar në marrëdhënie me shtetin është që ta mbajë atë në një gjendje krize të vazhdueshme, të krijojë lobingje brenda institucioneve dhe midis zyrtarëve të veçantë të tij, ta diskreditojë në sytë e opinionit publik, t’i paralizojë forcën dhe vullnetin politik për t’u ndeshur me të. Është fakt i njohur se në momentet kur shteti e ashpërson luftën, Krimi i Organizuar kundërpërgjigjet ashpër me të gjitha arsenalet e tij financiare e kriminale për ta çuar atë deri në falimentim.

Karakteristikat. Karakteristika kryesore e Krimit të Organizuar është kërkimi në mënyrë të ethshme i fitimit financiar, pa ngurruar për të përdorur në këtë interes çfarëdo veprimi të paligjshëm. Etja për fitim, është arsyeja bazë që dikton vendimet dhe veprimet e numrit më të madh të organizatave të sotme kriminale. Karakteristika të tjera janë organizimi, disiplina dhe besnikëria në radhët e anëtareve të organizatës, shtyrja drejt korrupsionit të zyrtareve dhe qeveritarëve, respektimi i hierarkisë, diversiteti i veprimtarive kriminale. Mbijetesa organizative është gjithashtu një tjetër tipar domethënës i organizatave të Krimit të Organizuar. Lidhjet midis anëtarëve, që shpesh janë të afërm apo të të njëjtit gjak, janë krijuar të tilla, që me gjithë goditjet që mund të pësojë një individ, organizata të arrijë përsëri të vazhdojë veprimtarinë. Një studiues e ka ilustruar këtë lloj strukture si “pjata me makarona”, pra lidhje të shumëfishta, që nuk mund të shpërbëhen nga largimi i një fijeje të vetme.

Ndërsa grupet shqiptare të Krimit të Organizuar, ekspertët i përshkruajnë me veçoritë e mëposhtme:

- Homogjene, të gatshëm të hyjnë në lidhje e të bashkëpunojnë me organizata të tjera kriminale dhe të hapen në fusha të reja krimi.

- Të specializuara në trafikun e drogës dhe të qenieve njerëzore

- Më pak të sofistikuara, më pak të kujdesshme, por më shumë të dhunshëm, të gatshëm të përdorin pa hezitim armët e zjarrit

- Organizatat nuk pretendojnë të jenë të vetme në territorin në të cilin veprojnë. Me parimin se” ka për të gjithë”, në një territor veprojnë disa organizata, që në heshtje, respektojnë njëra-tjetrën duke iu shmangur përplasjes.

- Nuk kanë strukturë vertikale dhe një kupolë drejtuese, por veprojnë “secili për hesap të vet”.[3]

-  Anëtarët e grupeve kriminale shpesh ndërrojnë padron, kalojnë nga një grup në tjetrin.

- Në Perëndim, në shume raste, janë të organizuar mbi bazën e qyteteve prej nga janë. (Fierakët, Peqinsit, Laçianët)

- Në qarkullimin e parave, përgjithësisht parapëlqejnë qarkullimin “cash” dhe jo nëpërmjet kanaleve bankare.

- Megjithëse në komunikimet telefonike përdorin pseudonime, nuk janë të kujdesshëm dhe shpesh kjo është bërë shkak për zbulimin e tyre.

 

- Deri tani në veprimtarinë e këtyre grupeve nuk është zbuluar ndonjë lidhje e tyre me terrorizmin.

Llojet e krimit të organizuar në Ballkan. Në hapësirën Ballkanike organizatat kriminale, të etura për fitime të shpejta dhe për dominim në jetën ekonomike e publike, janë përfshirë në shumë fusha të veprimtarisë kriminale, duke filluar nga trafiku i drogës, trafikimi i qenieve njerëzore, trafikimi i mallrave (armëve, makinave të vjedhura, cigareve etj), si edhe në veprimtari të tjera të krimit financiar, si mashtrimi, falsifikimi i monedhave apo pastrimi i parave të pista. Në raportin përkatës të BE për vitin 2005, për këto lloj krimesh përmenden: Turqia 35 herë, Shqipëria 34 herë, (18 herë me termin shqiptarët etnikë), Bullgaria 25 herë, Rumania 9 herë, Maqedonia 4 herë etj.

Trafiku i drogës. Për grupet kriminale ballkanike kjo fushë është “parajsa” e fitimeve përrallore e në të njëjtën kohë “ferri” ku lulëzojnë një mijë e një fenomene negative, që gërryejnë shoqërinë dhe tronditin stabilitetin politik, ekonomik e social të vendeve të rajonit. Përveç strukturave të dobëta dhe mungesës së përvojës të organeve shtetërore të ruajtjes së rendit dhe imponimit të ligjit, vendet e Ballkanit i përzien në këtë fenomen edhe pozita gjeografike, si rrugëkalim kryesor, që lidh prodhuesit e drogës në Lindje me konsumatorët e saj në Perëndim.

Afganistani është një ndër hallkat e zanafillës së trafikut të heroinës përmes Ballkanit, duke qenë një ndër prodhuesit më të mëdhenj të opiumit. Vetëm në vitin 2004 në Afganistan u prodhua 4200 tonë opium, sasi e barabartë kjo me 87 % të gjithë prodhimit botëror; 90% e heroinës që prodhohet këtu kalon përmes korridorit Ballkanik, me destinacion Evropën Perëndimore. Rreth 1.3 milionë afganë janë të angazhuar në prodhimin e opiumit, ndërkohë që në Perëndim janë 10 milionë përdorues të rregullt të këtij malli. Vetë kërkesa dhe oferta përbën një nxitje të fortë për trafikantët, aq më tepër kur norma e fitimit është kolosale. Duke e blerë 1 gr heroinë me 1 dollar në Afganistan dhe duke e shitur atë me 100 dollarë në vendet e Evropës Perëndimore, kartelet ballkanike të drogës sigurojnë një fitim marramendës, rreth 2.5 miliardë dollarë në vit.

Rol kyç në këtë zinxhir trafiku luan Turqia, për nga vetë pozita që ka si udhëkryq midis Evropës, Azisë dhe Lindjes së Mesme, duke pasur si lidhje tokësore, ashtu edhe detare. Në Afganistan bëhet nxjerrja e morfinës nga opiumi. Kjo mbërrin në laboratorët në Turqi dhe me anë të Anhidridit Acetik kthehet në heroinë të pastër, të gatshme për t’u tregtuar. Në këta laboratorë prodhohet rreth 80 % e sasisë së heroinës që tregtohet në Perëndim. Vetëm në vitin 2004 në Turqi u kap një sasi prej 6.5 tonë heroinë. Roli i Turqisë në trafikun e heroinës është i spikatur jo vetëm në përpunim, por edhe në shpërndarje. Për këtë rol të rëndësishëm luan diaspora turke në Evropë, që llogaritet në rreth 2.3 milionë njerëz.

 

Një fenomen i shprehur është përdorimi i dyfishtë i rrugëve ballkanike: Nga Perëndimi në Lindje trafikohen kimikate dhe kokainë. Nga Lindja në Perëndim trafikohet opiumi i Afganistanit, i përfunduar si produkt përfundimtar në Turqi.

Edhe shqiptarët janë të përfshirë thellë në hallkat e këtij trafiku. Fillimisht ata u shërbyen turqve si korrierë, por edhe si shpërndarës, ndërsa tani kanë filluar të punojnë për vete. Sipas agjencisë Federale të Krimeve në Gjermani, shqiptarët janë bërë elementi më predominues në shpërndarjen e heroinës në vendet konsumatorë të BE. Grupet shqiptare kontrollojnë 80% të trafikut të heroinës në vendet Nordike dhe 40% në vendet e Bashkimit Evropian. Rreth 70 për qind e heroinës që hyn në Gjermani dhe Zvicër vjen nga Shqipëria apo transportohet nga grupet kriminale shqiptare, ndërsa në Greqi këto shifra kapin 85 % të eksportit të heroinës.

Në statistikat aktuale theksohet rritja e rolit të shqiptarëve edhe si vendburim për prodhimin dhe magazinimin e kanabisit, duke e renditur Shqipërinë në vendin e dytë pas Marokut. Këto statistika flasin se shqiptarët duken të interesuar të hyjnë më thellë edhe në trafikimin e kokainës për magazinim dhe për ta shpërndarë. Sipas informacioneve kokaina Kolumbiane tani hyn në Bashkimin Evropian jo vetëm nga Maroku, Spanja, Holanda, Belgjika, por edhe nga Shqipëria.

Trafikimi i qenieve njerëzore. Trafikimi i qenieve njerëzore përbën kapitullin më të dhimbshëm e më çnjerëzor në biografinë e krimit të organizuar në vendet e Ballkanit dhe në Shqipëri. Që në fillimet e ndërrimit të sistemit, krimi i organizuar u ofroi menjëherë shërbim njerëzve të dëshpëruar, që i ishin gati të pagunin me çdo çmim për një jetë më të mirë. Tragetet e mafiozëve të Pulias u zëvendësuan shpejt nga gomonet e shqiptarëve, kur këta të fundit kuptuan fitimin kolosal që kishte ky biznes kriminal. Bandat Italiane vijuan bashkëpunimin, duke ndërtuar deri dhe punishte për prodhimin në Shqipëri të skafeve. Ëndrra për të takuar “parajsën” që ofronin trafikantët, me qindra herë përfundoi në fund të detit, bashkë me kufomat. Mbyllja e korridorit Vlorë-Brindisi të trafikimit, është një ndër lajmet e pakta optimiste në luftën kundër Krimit të Organizuar gjatë këtyre viteve të fundit.

Në konceptin e trafikimit të qenieve njerëzore, përveç emigrimit të paligjshëm përfshihet edhe shfrytëzimi i këtyre qenieve për qëllime përfitimi, kryesisht i grave dhe fëmijëve. Pas drogës, industria e dytë më e madhe në botë  është prostitucioni, me një fitimi global vjetor rreth 7-10 miliardë USD. Sipas një raporti të OKB në prill 2006, ky fenomen ka prekur pothuajse çdo vend të Botës. Identifikohen 127 vende origjine dhe 137 vende destinacioni. Shqipëria renditet si vend origjine me nivel të lartë të trafikut njerëzor, po edhe si vend kalimtar. Viktimat janë shumica gra, vajza e fëmijë, pre të industrisë së seksit.

Në Ballkan është ngritur e funksionon një infrastrukturë e tërë kriminale, që  ka nën kontroll tërë procesin e trafikut njerëzor, në sistem zinxhir, që nga vendet e rekrutimit, deri në vendin e caktuar. Shifrat flasin se nga 700.000 viktima të trafikut vjetor në Botë, 200.000 transportohen nga Ballkani. 70% e femrave që punojnë në të ashtuquajturat qendra të masazhit, si dhe 80 % e prostitutave të Londrës janë nga Ballkani dhe vendet Baltike. Vetëm në Itali shtohen çdo vit rreth 5000 viktima të trafikimit, kryesisht gra dhe fëmijë. Fitimi i bandave nga ky trafik arrin deri në 950 milionë Euro. Sipas informacioneve të shtypit, vetëm një bar në Maqedoni që merret me trafikimin e vajzave fiton 10-15.000 Euro në muaj.

Grupet kriminale shqiptare janë mjaft të përparuara në këtë fushë dhe kanë ndërtuar rrjete në të gjithë Evropën Perëndimore. Sipas shtypit Perëndimor mendohet se në këtë krim janë përfshirë dhe veprojnë rreth 8.000 vetë në Itali dhe rreth 5.000 të tjerë në Gjermani. Trafikantët shqiptarë shquhen për përdorimin e dhunës dhe talentin për të mashtruar viktimat e tyre, duke përfshirë për këtë qëllim edhe bashkëpunëtore femra apo duke ofruar edhe martesë të rreme.

Pastrimi i parave të pista. Pastrimi i parave është mekanizmi bazë i riciklimit të gjithë llojeve të krimit të organizuar. Në thelb synohet maskimi i natyrës kriminale të fitimeve dhe shtimi i të ardhurave për të financuar veprimtari kriminale në fusha të reja. Ashtu si lavanteritë e kohës së Al Kapones, çdo bandë kriminale ka si rregull dhe një biznes të ligjshëm për fasadë. Bosët e krimit të organizuar nuk mund t’i rezistojnë tundimit për të bërë një jetë luksoze, për të demonstruar fuqi dhe për të zënë pozita kyçe në hierarkinë shoqërore.

Një reporter anglez, në një reportazh nga Tirana në korrik të vitit 2005, shkruante: Kur ndodhesh në qendër të Tiranës e ke të vështirë ta besosh se je në vendin më të varfër të Evropës. Nga njëra anë sheh fytyra të vrenjtura nga stresi dhe varfëria dhe nga ana tjetër sheh dyqane dhe vila luksoze dhe adoleshentë që ngasin BMV e mercedesë të shtrenjtë. Kjo mirëqenie pompoze vjen nga krimi i organizuar italian e shqiptar, konkludon ai.

Në vendet e Ballkanit lulëzon ekonomia informale, e cila shpesh nënkupton të ardhura të siguruara me veprimtari kriminale. Në Shqipëri p.sh. mbi 50 % e parasë qarkullon jashtë sistemit bankar. Aktualisht edhe pjesa që investohet në ekonominë private në një masë të madhe ka natyrën e pastrimit të parave.

Paratë pastrohen nga zyra dhe kompani të këmbimit valutor, agjenci bankare, argjendari, kazino apo klube fati, nga tregtarë makinash, kompani sigurimi dhe kompani tregtare. Një nga mënyrat e investimit të parave të pista janë edhe ndërtimet, të cilat kohët e fundit në Shqipëri kanë marrë një hov të madh.

Krimi financiar dhe pastrimi i parave janë shpesh mjete kryesore të korruptimit, si në institucionet publike, ashtu edhe në veprimtarinë private. Në një raport te CIA-s thuhej se “Përfitimet nga aktivitetet e paligjshme të grupeve kriminale ndërkombëtare pastrohen lehtësisht në Shqipëri, për shkak të korrupsionit të zyrtarëve shtetërorë dhe për shkak të kontrollit të dobët të qeverisë në sistemin financiar”.

Kur fitimi kriminal arrin të fitojë statusin e një fitimi të pastër, jo vetëm mbulohet një krim i kryer, por hapet edhe rruga për një krim të ri. Kur kriminelët shfaqen të qetë si zotërinj me kollare të bardha dhe me ndihmën e parasë synojnë pozita të ngjiten në krye të hierarkisë shoqërore, deformohet rëndë rrjedha normale e zhvillimit të një shoqërie dhe tronditen rëndë të gjithë ekuilibrat socialë. Një rrezik tjetër akoma më i madh është se krimet financiare të sofistikuara dhe pastrimi i parave të pista ka tendencë të përdoren gjithnjë e më shumë për financimin e terrorizmit.

Duke qenë se pastrimi i parave përbën një ndër hallkat bazë për riciklimin e Krimit të Organizuar, për organet shtetërore të rendit e të drejtësisë, lufta kundër këtij fenomeni është një ndër pikat kyçe për të fituar betejën me të, betejë e cila fillon me një pyetje të thjeshtë në sportelin e bankës apo në formularin e deklarimit të pasurisë: “Zotëri, ku janë fituar këto para?”

Dhe tashmë kjo betejë ka filluar.

 

 

 

 

 

Literatura:

1. EU Organized Crime Report. The Hague, October 2005.

2. Strategjia e Sigurimit Kombëtar të Republikës së Shqipërisë.

3. “Politikat e sigurisë dhe të bashkëpunimit kanë rëndësi strategjike për rajonin e Evropës Juglindore”, Prof. Dr. Sali Berisha, Revista Ushtarake Nr. 1/2006.“Cooperation for a safer future-A Regional Security Strategy for the Western   Balkans, 2005.

4. A turning point in the Western Balkans. By Javier Solana, EU High

5. Representative for the Common Foreign and Security Policy (CFSP).

“Background to the drug routes” by Mr. Pierre-Arnaud Chouvy, Mr. Michel

Koutouzis and Mr. Alain Labrousse (Paris, May, 2003).

6. “Crime and poëer” by Aleksandar Sekulic in Nezavisne novine (Banja

Luka), 2005.

 

7. Dirty Money and Its Global Effects- By Raymond Baker,Brionne Daëson, Ilya

8. Shulman and Clint Breëer-International Report Policy, January 2003.

9. EU visas and the western Balkans- Europe Report Nr. 168 November 2005.

10. Fjala e hapjes e Ambasadores së SHBA në Tiranë, Ries në seminarin e

trajnimit për hetimin e krimeve financiare, financimin e terrorit dhe

pastrimin e parave,Tiranë 2004.

11. Human Trafficking Transnational Crime and Links with Terrorism-Louise

12. Shelley, Professor and Director/Transnational Crime and Corruption Center American University.

13. Krimi i organizuar përbën kërcënim për demokracinë evropiane.-Raporti i

Këshillit të Evropës, 2005.

14. Military corruption and organized crime in Eastern Europe and Caucasus- 2Lttephen Chledoëski, Canadian Forces./ Journal of Military and Strategic   Studies, Spring 2005, Vol. 7, Issue 4.

15. Organized Crime in the Balkans Speech by The Rt Hon Chris Patten, CH U

Conference on Organized Crime, London 25/11/02.

16. Organized crime in the Balkans with reference to Albania. Report, Senator

Alberto Maritati, Romë, November 16, 2002.

17. Shqipëria dhe Kosova bashkëpunojnë në luftën kundër krimit të organizuar.nga Erlis Selimaj për Southeast European Times në Tiranë, 13/01/06.

18. The crime situation in the Balkans. Mr. Manfred Seitner, Head of Unit-Europol  SECI Centre, Bucharest, Romania 26 May 2003.

Shënim I Stafit I DrejtesiaShqiptare.com:

E drejta e autorit mbetet i  autorit të punimit . Opinionet e shprehura  dhe studimet  juridike  e publikuara në këtë Website janë të autorëve përkatës  qe I upload ato.Ne nuk pranojme asnjë përgjegjësi për pikëpamjet, vërtetësinë e informacionit që përmbajnë artikujt që publikon dhe shkeljet e se drejtës së autorit.Kushdo që ka ndonje ankese  rreth  së  drejtës  së autorit ne publikimet e ketij website,  është I lutur  te dërgoje një email  tek kontakt@drejtesiashqiptare.com.  Ne do ta  shqyrtojmë me përgjegjesi ankesën.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

1 × 4 =

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Powered by WordPress | Designed by: Dog Groomer | Thanks to Assistant Manager Jobs, Translation Jobs and New York Singles