Lindja Dhe Zhvillimi Historik I Kontrollit Te Gjykates Mbi Hetimet Paraprake- Anila Karanxha

Për herë të parë në historinë e njerëzimit në Kartën e Madhe të Lirive (Magna Carta Libertatum) të vitit 1215 të shpallur në Angli nga mbreti Johani pa tokë (John Lackland) është parashikuar kompetenca e gjykatës për të vendosur në lidhje me ligjshmërinë e arrestimit të personit, si dhe marrjen e pasurisë së tij .Në pikën 39 të kësaj karte ishte përcaktuar se:“Asnjë njeri i lirë nuk do të arrestohet dhe nuk do të burgoset, ose të privohet nga pasuria….përveçse në bazë të një vendimi të ligjshëm dhe në bazë të ligjit”. Po në Angli në vitet e mëpasme janë nxjerrë disa akte të cilat njohin dhe garantojnë lirinë personale të personit nga arrestimet të cilat janë  “Peticioni mbi të drejtat” (Petition of Rights) në vitin 1628, Habeas Corpus Act  i vitit 1679 dhe Ligji mbi të Drejtat (Bill of Right) i vitit 1689.Peticioni mbi të Drejtat në dallim nga Habeas Corpus Act  ka karakter deklerativ prandaj në teorinë juridike nuk i kushtohet shumë rëndësi. Habeas Corpus Act ka karakter të detyrueshëm, ajo saktëson raportin midis policisë dhe gjykatave, duke zhveshur policinë nga një sërë funksionesh  gjyqësore të cilat i ushtronte deri në këtë kohë .

Në bazë të këtij akti vetëm gjykata është kompetente për të vendosur nëse janë kushtet apo jo për të privuar lirinë e personit.  Edhe në Kushtetutën e Virgjinias (Bill of Rights) të vitit 1776 është parashikuar se askush nuk mund të privohet nga liria veçse në bazë të ligjit dhe me vendim gjyqësor.Në Francë në vitin 1789 gjatë Revolucionit Demokratik u miratua si një dokument më i plotë dhe më i prefeksionuar “Delarata për të drejtat dhe liritë e njeriut dhe të qytetarit”.Kjo deklaratë në nenin 7 të saj parashikon të drejtën që asnjeri të mos akuzohet, të burgoset apo të privohet nga liria përveç rasteve të parashikuara me ligj. Kompetenca e gjykatës për të vendosur lidhur me ligjshmërinë e arrestimeve është parashikuar dhe në “Deklaratën (e Montanjarit) për të drejtat e njeriut dhe të qytetarit”  të vitit 1793 po në Francë.Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (viti 1787) që në nenin 1 të saj  ka parashikuar Habeas Corpus. Hartuesit e kësaj kushtetute e kanë konsideruar Habeas Corpus-in, si vlerën më të madhe. Ai shpesh quhet si “Urdhri i Madh i Lirisë”, si urdhri më  i rëndësishëm nga të gjithë. Habeas Corpus është një term latin që do të thotë “ju keni trupin” pra nënkupton sjelljen e të arrestuarit apo të ndaluarit para gjykatës, me qëllim që kjo e fundit të shqyrtojë ligjshmërinë e arrestimit apo ndalimit.

Në amendamentet IV,V,VI të kësaj kushtetute parashikohet siguria e personit, paprekshmëria e banesës, e pasurisë dhe dokumentacionit të tij. Kontrolli, arrestimi etj mund të kryhen vetëm me anë të një urdhri të motivuar të dhënë nga gjyqtari.Liria personale,procesi i rregullt ligjor apo e drejta private si dhe të gjithë të drejtat dhe liritë e tjera të njeriut deri pas luftës së dytë botërore janë  trajtuar si çështje të kompetencës së brendshme të shtetit,prandaj dhe rregullimi i tyre bëhej me ligje, deklarata apo kushtetutë. Pas luftës së dytë botërore  të drejtat e njeriut dolën në plan ndërkombëtar pasi shtetet kuptuan që respektimi i këtyre të drejtave siguron paqen stabilitetin dhe demokracinë. Në këtë kuadër për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore janë hartuar shumë konventa në nivel global dhe rajonal  të cilat përcaktojnë standartet që duhet të respektojnë shtetet anëtare të këtyre konventave.

Në 10 dhjetor të vitit 1948 Asambleja e përgjithshme e O.K.B-së me rezolutën 217 A (III) miratoi dhe shpalli Deklaratën universale të të drejtave të njeriut. Në nenet 9 dhe 12 të kësaj deklarate parashikohet liria nga arrestimet arbitrare si dhe garantimi i të drejtës private nga ndërhyrjet arbitrare.

Po nga Asambleja e Përgjithshme e O.K.B-së  më 16.12.1966 u miratua Pakti ndërkombëtar lidhur me të drejtat civile dhe politike. Ky pakt ndryshe nga deklarata ka karakter të detyrueshëm për tu zbatuar nga shtetet që e kanë ratifikuar. Në nenin 9 të këtij pakti janë përcaktuar qartë kompetencat që ka gjykata gjatë hetimeve paraprake si p.sh çdo individ i arrestuar ose i ndaluar për shkak të një shkelje penale  duhet të nxirret brenda një afati të shkurtër përpara një gjykatësi dhe duhet të gjykohet brenda një afati të arsyeshëm ose duhet të lirohet.Gjithashtu në nenin 17 të këtij pakti është parashikuar dhe e drejta për të gëzuar një jetë private të qetë.Një akt i rëndësishëm në kuadër Rajonal është  Konventa Evropiane e të drejtave të njeriut, e cila do të shtjellohet shkurtimisht në vijim të temës (nenet 5,6,8) për vet faktin se  ajo ka një pozitë të veçantë në të drejtën e brendshme të Republikës së Shqipërisë.  Konventat përcaktojnë për shtetet të cilat i kanë ratifikuar ato, standarte minimale nën të cilat shtetet  nuk mund të zbresin, por mënyra e shqyrtimit të kërkesave gjatë hetimeve paraprake mund të jetë e ndryshme p.sh në Kodin e Procedurës Penale të Shqipërisë është parashikuar që kërkesat gjatë hetimeve paraprake i shqyrton gjykata kompetente (gjykata e zakonshme) kurse sipas K.Pr.Penale Italiane të gjitha kërkesat apo ankimet e bëra nga subjektet e procedimit penal gjatë hetimeve paraprake i shqyrton një gjyqtar i posacëm për hetimet paraprake. Sipas këtij Kodi në rastet kur prokurori çmon se çështja duhet pushuar,ai duhet t`i drejtohet me kërkesë për pushimin e çështjes gjyqtarit për hetimet paraprake. Gjyqtari vendos sipas rastit pranimin ose jo të kërkesës së prokurorit. Pra gjyqtari për hetimet paraprake sipas sistemit procedurial penal Italian ka të drejtë që përveç shqyrtimit të kërkesave të palëve gjatë hetimeve paraprake të vendosë dhe për pushimin apo për dërgimin e çështjes penale në gjykatë. Pozita  proceduriale e një gjyqtari të tillë është  shumë e diskutueshme  dhe në përgjithësi ajo kritikohet nga disa juristë.  Ky sistem kritikohet për faktin  se një gjyqtar i cili merret vetëm me shqyrtimin e kërkesave  të bëra nga palët  gjatë hetimeve paraprake kalon në krahun e ndjekjes penale si dhe për faktin se ky gjyqtar është i interesuar dhe për mënyrën e përfundimit të hetimeve paraprake, pasi siç u shpjegua dhe më lart është ky gjyqtar që vendos nëse çështja penale duhet pushuar apo duhet dërguar në gjykatë për t`u shqyrtuar.

Sipas legjislacionit Francez  deri në vitin 2001 masat e sigurimit i caktonte gjyqtari hetues. Kjo kompetencë iu hoq gjyqtarit hetues për arsye se  caktimi i masës së sigurimit nga ky gjyqtar përbën shkelje të nenit 5 të Konventës Evropiane të të drejtave të njeriut pasi gjyqtari hetues kryente hetime në lidhje me çështjen dhe nuk përmbushte standartin e një organi të pavarur për caktimin e masës së sigurimit. Kjo kompetencë i kaloi nënkryetarit të gjykatës së shkallës së parë. Gjyqtari hetues sipas legjislacionit aktual Francez ka në kompetencë të shqyrtojë ankimet që mund të bëjë i pandehuri apo i dëmtuari. Gjithashtu ai kryen hetime në rastet kur çështja paraqet një shkallë vështirësie të lartë apo kur ankimi bëhet drejtpërdrejt tek gjyqtari hetues. Figura e gjyqtarit hetues në legjislacionin francez është e diskutueshme, prandaj shteti Francez nëpërmjet ndryshimeve të legjislacionit procedural penal  zvogëlon kompetencat e tij.

Marre nga  mbrojtja diplomes se Anila KARANXHA  ,me teme :Kompetencat e Gjykatës në Hetimet Paraprake

Shënim I Stafit I DrejtesiaShqiptare.com:

E drejta e autorit mbetet i  autorit të punimit . Opinionet e shprehura  dhe studimet  juridike  e publikuara në këtë Website janë të autorëve përkatës  qe I kane shkruar ato. Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi në qoftë se  shkrimi është upload-uar pa lejen e autorit.Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi për pikëpamjet, vërtetësinë e informacionit që përmbajnë artikujt që publikon dhe shkeljet e se drejtës së autorit.Kushdo që ka ndonjë ankese  rreth  së  drejtës  së autorit ne publikimet e ketij website,  është I lutur  te dërgoje një email  tek kontakt@drejtesiashqiptare.com.  Ne do ta  shqyrtojmë me përgjegjesi ankesën dhe do ta heqim menjëherë shkrimin.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

four × 5 =

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Powered by WordPress | Designed by: Dog Groomer | Thanks to Assistant Manager Jobs, Translation Jobs and New York Singles