Kompetencat E Gjykates Ne Hetimet Paraprake Sipas Kodit Te Procedures Penale- Anila Karanxha

Në nenin 278 të Kodit të Procedurës Penale në përputhje me standartet ndërkombëtare  është parashikuar se:“ Gjatë hetimeve paraprake, për rastet e parashikuara nga ligji, mbi kërkesën e prokurorit, të pandehurit, të dëmtuarit dhe palëve private vendos gjykata”.Sipas këtij neni gjykata gjatë hetimeve paraprake në rastet e parashikuara nga ligji është kompetente për të shqyrtuar  kërkesat si dhe ankimet e paraqitura nga prokurori, i pandehuri, i dëmtuari dhe palët private. Gjykata kompetente për të shqyrtuar këto kërkesa apo ankesa është gjykata e cila ka kompetencën lëndore dhe tokësore për gjykimin e çështjes penale, në të cilën përfshihen këto akte. Në këtë rast gjykata shprehet me vendim për miratimin të disa akteve proceduriale si dhe merret me shqyrtimin e ankimeve ndaj akteve të marra nga prokurori gjatë hetimeve paraprake. Me ligjin nr.8813 datë 13.06.2002 në nenin 278 u shtua paragrafi i dytë i cili parashikon që të gjitha veprimet e prokurorit gjatë hetimeve paraprake shqyrtohen nga i njëjti gjyqtar. Ky përcaktim që bën ky paragraf nuk është i saktë për 2 arsye:

së pari gjykata nuk shqyrton vetëm veprimet e prokurorit por ajo shqyrton dhe kërkesat e paraqitura nga i pandehuri,

së dyti në praktikë është shumë e vështirë që kërkesat gjatë hetimeve praprake të shqyrtohen nga i njëjti gjyqtar pasi në momentin kur bëhet kërkesa gjyqtari mund të jetë i sëmurë apo me leje të zakonshme.

Sipas  nenit 13/a të K.Pr.Penale kërkesat e palëve gjatë hetimeve paraprake gjykohen nga një gjyqtar i vetëm. Në praktikë gjykata e Apelit e krimeve të Rënda Tiranë  ka deklaruar të pavlefshëm vendimin e gjykatës së Krimeve të Rënda Tiranë për shkak se kjo gjykatë kishte shqyrtuar ankimin e të pandehurës I.T kundër vendimit të prokurorit  për zgjatjen e afatit të hetimeve praprake me një gjyqtar. Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vendimin nr.228 datë 05.05.2004 është shprehur se fakti që në nenin 13/2 të K.Pr.Penale nuk parashikohet shprehimisht gjykata e shkallës së parë për krimet e rënda, nuk duhet kuptuar se bëhet përjashtim nga rregulli i përgjithshëm për këto lloj gjykime. Edhe në gjykatën e shkallës së parë të krimeve të rënda, gjithë çështjet që parashikohen në pikën 2 të nenit 13 të k.Pr.Penale do të gjykohen nga një gjyqtar.Me Ligjin nr.9276 datë 16.09.2004 neni 13 i kodit të Procedurës Penale u ndryshua duke  qartësuar problemin lidhur me numrin e gjyqtarëve të gjykatës së krimeve të rënda për shqyrtimin e kërkesave gjatë hetimeve paraprake. Konkretisht në pikën 3 të tij u parashikua shprehimisht që Gjykatat për krimet e rënda gjykojnë me trup gjykues të përbërë nga pesë gjyqtarë, me përjashtim të kërkesave të parashikuara në pikën dy të këtij neni.

Kërkesat që shqyrton gjykata gjatë hetimeve paraprake janë:

  1. Kërkesat e prokurorit për caktimin e masave të sigurimit si dhe kërkesën e tij për vleftësimin e arrestimit në flagrancë apo  ndalimit të të dyshuarit për një krim .
  2. Kërkesat e prokurorit, të pandehurit për revokim apo zëvendësim  të masave të sigurimit.
  3. Kërkesat e prokurorit për caktimin e afatit të ri të paraburgimit nga gjykata kur prokurori i komunikon të pandehurit një akuzë të re.
  4. Kërkesat e prokurorit për zgjatjen e afateve të parburgimit.
  5. Kërkesat e prokurorit për kryerjen e  kontrollit.
  6. Kërkesën e prokurorit për sekuestrimin e korrespondencës.
  7. Kërkesat për sekuestrimin pranë bankave.
  8. Kërkesën e prokurorit për lejimin e Përgjimit.
  9. Kërkesat që bëjnë prokurori apo i pandehuri për sigurimin e provës kur janë rastet e sigurimit të provës.
  10. Kërkesa e prokurorit për vendosjen e masës mjekësore të detyrueshme për shtrimin e të  pandehurit në një institucion psikiatrik.
  11. Kërkesat për vendosjen e masave shtrënguese ndaj personit që kërkohet ekstradimi, zbatimi i tyre dhe kërkesa për sekuestrimet të provave materiale apo sendeve që i përkasin veprës penale.

Ankimet që shqyrton gjykata gjatë hetimeve paraprake.

  1. Ankimi i të dëmtuarit nga vepra penale.
  2. Ankimi kundër vendimit të sekuestrimit të sendeve.
  3. Ankimi kundër urdhërit të prokurorit për kthimin e sendit të sekuestruar.
  4. Ankimi kundër vendimit të prokurorit për mosfillimin e procedimit penal.
  5. Ankimi kundër vleftësimit të sekuestros nga prokurori.
  6. Ankim kundër vendimit të prokurorit për mospranimin e kërkesës për sigurimin e provës
  7. Ankimi kundër vendimit të prokurorit për zgjatjen e afatit të hetimeve paraprake.
  8. Ankimi kundër vendimit të pushimit të çështjes nga prokurori si dhe ankimi kundër mospushimit të çështjes nga prokurori kur janë rastet e parashikuara nga ligji.
  9. Ankimi  kundër shpenzimeve në rast të pushimit të çështjes nga prokurori..

Subjektet që bëjnë ankime në gjykatë zakonisht janë i pandehuri, i dëmtuari apo palët private pasi ato ankohen kundër veprimeve proceduriale të kryera nga prokurori gjatë hetimeve paraprake kurse kërkesa në gjykatë gjatë hetimeve paraprake zakonisht i bën prokurori pasi për disa veprime proceduriale të rëndësishme gjatë hetimeve paraprake ai duhet të marrë miratimin e gjykatës,por ka raste të parashikuara nga ligji që dhe i pandehuri i drejton kërkesa gjykatës.

Marre nga  mbrojtja diplomes se Anila KARANXHA  ,me teme :Kompetencat e Gjykatës në Hetimet Paraprake

Shënim I Stafit I DrejtesiaShqiptare.com:

E drejta e autorit mbetet i  autorit të punimit . Opinionet e shprehura  dhe studimet  juridike  e publikuara në këtë Website janë të autorëve përkatës  qe I kane shkruar ato. Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi në qoftë se  shkrimi është upload-uar pa lejen e autorit.Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi për pikëpamjet, vërtetësinë e informacionit që përmbajnë artikujt që publikon dhe shkeljet e se drejtës së autorit.Kushdo që ka ndonjë ankese  rreth  së  drejtës  së autorit ne publikimet e ketij website,  është I lutur  te dërgoje një email  tek kontakt@drejtesiashqiptare.com.  Ne do ta  shqyrtojmë me përgjegjesi ankesën dhe do ta heqim menjëherë shkrimin.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

10 − 8 =

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Powered by WordPress | Designed by: Dog Groomer | Thanks to Assistant Manager Jobs, Translation Jobs and New York Singles