Zhvillimi historik i së drejtës penale shqiptare dhe i institutit të tentativës, si pjesë e legjislacionit penal- Marsela Pepi

.Në historinë e së drejtës penale, institutin e tentativës e ndeshim njëherazi   me institutin e veprës penale. Nëse do ti hidhnim një vështrim historisë të së drejtës penale do të vinim re se fazat e veprimtarisë paraprake kriminale janë dënuar në mënyra të ndryshme në kohë të ndryshme historike.Në periudhën skllavopronare personi dënohej jo vetëm për veprën penale të kryera në mënyrë të plotë , por edhe për veprimtarinë paraprake kriminale.E drejta skllavopronare dënonte përgatitjen dhe tentativën , madje shkonte dhe më tej, dënonte dhe mendimin e shprehur në botën e jashtme edhe ateherë kur ai nuk shoqërohej me ndonjë veprim konkret.E drejta penale feudale, në përgjithësi,  dënonte njëlloj si krim të kryer si përgatitjen ashtu dhe tentativën. Ajo dënonte shfaqjen e mendimit në botën e jashtme dhe shkonte edhe më tutje se e drejta skllavopronare.Sipas kësaj të drejtë, personi dënohej edhe kur dyshohej se në mendjen e tij kishte lindur një mendim që ishte në kundërshtim me interesat e klasës në fuqi , sidomos me dogmat fetare.

Mjaftonte që dikush të dyshohej se nuk pajtohej me interpretimin zyrtar të dogmave fetare për të përfunduar i djegur në stivën e druve. E drejta penale feudale karakterizohej nga një egërsi dhe arbitraritet i plotë. E drejta kanonike gjithashtu dallohej për një  egërsi të vecantë. Gjyqet e inkuizicionit kanë vrarë , djegur dhe masakruar me mijra njerëz të pafajshëm, që akuzoheshin padrejtësisht për krime të drejtuara kundër kishës.Ideologët, në vecanti ata të revolucionit francez të shek.XIX, i shpallën luftë arbitraritetit të së drejtës penale feudale.

Ata ngritën parimin “ nullum crimen sine lege ”, sipas të cilit nuk mund të konsiderohej krim një vepër e cila nuk parashikohej si e tillë nga vetë ligji. Kësaj periudhe i përket dhe parimi se mendimi i shfaqur në botën e jashtme nuk mund të konsiderohej si i dënueshëm.E drejta penale e kësaj periudhe shpalli se faza e  përgatitjes, në pjesën më të madhe të rasteve ishte e padënueshme.Sipas saj dënimi duhej të zbatohej, si rregull, atëherë kur personi kishte tentuar të kryente një vepër e cila, sipas ligjit konsiderohej kriminale. Megjithatë për mbrojtjen e interesave të klasës sunduese shpesh, njiheshin shmangie nga këto parime.Madje filluan të dënohen sërish jo vetëm shfaqja e mendimit por në ndonjë rast, dhe kur dyshohej se tek personi kishte lindur mendimi për të kryer në të ardhmen një vepër penale.

 

Edhe e drejta penale në Shqipëri ishte pasqyrim i këtij zhvillimi .

Në rendin e bashkësisë primitive rregullatore të  marrëdhënieve shoqërore kanë qënë zakonet të cilat, për shkak të zbatimit në mënyrë të përsëritur dhe të vazhdueshme, zbatoheshin nga bashkësia fisnore pa përdorimin e dhunës, derisa mungonte dhe aparati shtetëror.

Me krijimin e shteteve ilire, përfshirë Ilirinë e Jugut, filloi procesi gradual i kalimit të zakoneve në norma juridike të sanksionuara nga shteti.

Vec kësaj shteti në mbrojtje të pushtetit politik dhe ekonomik të klasave sunduese nxirrte edhe norma të reja juridiko – penale, ligje të posacme (të shkruara apo të pashkruara), të cilat zbatoheshin më anë të dhunës shtetërore, sic ka ndodhur edhe në vende të tjera të asaj periudhe. Me lindjen e shteteve ilire, në vend të zakoneve juridike që kishin vepruar në rendin fisnor, lindi dhe e drejta penale ilire e tipit skllavopronar.E drejta penale në shtetet ilire, në përmbajtje, nuk ndryshonte nga e drejta penale e shteteve të tjerë skllavopronare.

 

Në shek .I. para erës sonë, territori ku banonin Ilirët ra nën pushtimin e Romës. Burimet e ndryshme dëshmojnë se Roma ruajti dhe shfrytëzoi institutet shtetërore e juridike që ekzistonin më parë në Iliri dhe që nuk ishin në kundërshtim me interesat e saj  . Kështu p.sh. në zonat malore fiset ilire u lejuan të jetonin sipas zakoneve të tyre tradicionale.

E drejta penale romake, sikur e drejta romake në tërësi, vazhdoi të vepronte për sa kohë zgjati pushtimi romak, duke ndikuar në të drejtën penale Ilire.

Në vitin 395, perandoria romake u nd në dy pjesë : në atë të Lindjes – Perandoria Bizantine, nën varësinë e së cilës u vu Shqipëria e asaj periudhe, dhe në atë të Perëndimit – Perandoria Romake.

Vetëm në fund të shek XII, Shqipëria u shkëput nga perandoria Bizantine dhe u krijua shteti i pavarur shqiptar i Arbrit.

 

Me krijimin e shtetit të Arbrit e drejta zakonore penale bëhet burimi i vetëm dhe kryesor i se drejtës në tokat shqiptare.Normat penale( të shkruara apo të pashkruara) parashikonin veprat penale kundër personit si: vrasje, plagosje, fyerje, rrahje, vjedhje, grabitje, si dhe dënimet përkatës për to. Kryesisht e drejta penale caktonte rregulla të forta dhe të detyrueshme për t’u zbatuar nga të gjithë lidhur më gjakmarrjen.Nga fundi i shek.XIV, fillimi i shek.XV, filloi periudha e pushtimit të Shqipërisë nga Perandoria Osmane, e cila vazhdoi për gati pesë shekuj. Në zonat e pushtuara veproi Sheriati , i bazuar në Kur’anin. Sheriati krahas normave të tjera përmbante edhe norma penale të cilat përcaktonin veprat e ndryshme penale dhe dënimet përkatëse. Karakteristike ishte papërcaktueshmëria e dënimeve, të cilat mund të jepeshin nga Kadiu sipas bindjes së tij, në mbrojtje të interesave të klasës sunduese që ai përfaqësonte.

 

Veprat penale ndaheshin në tri kategori:

1.  veprat e dhunës kundër personit(vrasje,plagosje);

2.  veprat për të cilat Ku’rani parashikonte dënime të caktuara;

3. veprat penale të papërcaktuara që ishin në kundërshtim me rendin

publik.

Për disa prej tyre parashikohej dhe dënimi me vdekje, i cili ekzekutohej në mënyrën më barbare, me qëllim për të ngjallur frikë dhe terror në popull .

Ndër parimet kryesorë të Sheriatit , aty ku flitet për të drejtat e të tjerëve, thuhet se Sheriati ka të ndaluar rreptësisht grabitjen, vjedhjen, ryshfetin, tradhëtinë, falsifikimin, dinakërinë, kumarin, etj. Fitimin që merr njeriu në këto mënyra e merr duke dëmtuar të tjerët.

Gjithashtu ai ka të ndaluar gënjeshtën, shpifjen, vrasjen, hakmarrjen, ka të ndaluar prostitucionin, marrëdhëniet seksuale me femra të tjera (tradhëtinë bashkëshortore), sepse ato shkaktojnë prishjen e zakoneve të mira në shoqëri, prishjen e marrëdhënieve njerëzore , etj.

Krahas Sheriatit në Shqipëri, pas shpalljes së  pavarësisë kombëtare dhe krijimit të shtetit të pavarur shqiptar, ka vepruar edhe Ligji Penal Otoman i cili ishte i ndërtuar sipas modelit të Kodit Penal të Francës të vitit 1810 .

Në pjesën e përgjithshme të tij përmenden institutet kryesore, krahas të cilave edhe tentativa. Duke u njohur me sistemin penal otoman del se ai përmbante norma të pjesës së përgjithshme dhe të pjesës së posacme, që vepruan edhe në Shqipëri deri në vitin 1928.Sipas Ligjit Penal Otoman, fajet e ndërshkuem ligjërisht janë tri farësh: krim, delikt dhe gabim” .

? Krim, janë veprat që pas sjellin ndërshkimë fikse me vdekje, pranga të përjetshme a të përkohshme , mbyllja në kështjellë, burgim i përjetshëm, shterim i përjetshëm titulli nëpunësie dhë rrëzim i të drejtave politike.

? Deliktet, dënohen me ndërshkime më të buta si : burgim më tëpër se një javë, burgim i përkohshëm, dëbim prej nëpunësie dhe gjoba.

? Gabimi, passjell veprime qortimore si burgim nga 24 orë deri në një javë dhe gjoba deri në 100 grosh.

Në Shqipëri ky Ligj zbatohej në qytete dhe në ato zona të cilat ishin të pushtuara  nga turqit, kurse në zonat malore, të cilat nuk iu nënshtruan administratës së huaj vazhdonte të vepronte e drejta zakonore penale e shqiptarëve.

Marre nga  Tema E Diplomes se Marsela Pepi,Shkolla e Magjistratures

Shënim I Stafit I DrejtesiaShqiptare.com:

E drejta e autorit mbetet i  autorit të punimit . Opinionet e shprehura  dhe studimet  juridike  e publikuara në këtë Website janë të autorëve përkatës  qe I kane shkruar ato. Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi në qoftë se  shkrimi është upload-uar pa lejen e autorit.Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi për pikëpamjet, vërtetësinë e informacionit që përmbajnë artikujt që publikon dhe shkeljet e se drejtës së autorit.Kushdo që ka ndonjë ankese  rreth  së  drejtës  së autorit ne publikimet e ketij website,  është I lutur  te dërgoje një email  tek kontakt@drejtesiashqiptare.com.  Ne do ta  shqyrtojmë me përgjegjesi ankesën dhe do ta heqim menjëherë shkrimin.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

eighteen + seventeen =

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Powered by WordPress | Designed by: Dog Groomer | Thanks to Assistant Manager Jobs, Translation Jobs and New York Singles