Komisionet hetimore parlamentare dhe Jurisprudenca e gjykatës kushtetuese-Luan Omari

Në kuadrin e kompetencave të Kuvendit, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë i ka njohur atij të drejtën e krijimit të një komisioni hetimor për të shqyrtuar një çështje të veçantë. Kjo është një risi e Kushtetutës në krahasim me Ligjin për Dispozitat Kryesore Kushtetuese të vitit 1993, i cili në nenin 17 parashikonte vetëm mundësinë e ngritjes nga ana e Kuvendit të komisioneve të përkohshme për çështje të veçanta. Përderisa nuk specifikohej objekti i punës së komisioneve të tilla, kuptohet se nuk kishte ndonjë ndalesë që, për “çështje të caktuara” një komisioni t’i ngarkoheshin edhe detyra hetimore.Por risia e Kushtetutës në fuqi nuk qëndron vetëm në trajtimin e veçantë të ngritjes së komisioneve hetimore. Kryesorja është përcaktimi i kritereve të ngritjes së një komisioni të tillë dhe i kufijve që ai ka në hetimin e një çështjeje konkrete.Sipas nenit 77 paragrafi 2 i Kushtetutës, “Kuvendi ka të drejtë dhe, me kërkesë të një së katërtës së të gjithë anëtarëve të tij, është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë. Përfundimet e tij nuk janë detyruese për gjykatat, por mund t’i njoftohen prokurorisë, e cila i vlerëson sipas procedurës ligjore. Në paragrafin 3 të nenit 77 thuhet se “komisionet e hetimit veprojnë sipas procedurës së parashikuar me ligj”. Kuvendi ka miratuar edhe ligjin nr. 8891, datë 02.05.2002, për komisionet hetimore, në të cilin shtjellohen parimet e përcaktuara në nenin 77 të Kushtetutës.

Në praktikën e legjislaturave të ndryshme të Kuvendit ka pasur disa raste të ngritjes së komisioneve hetimore për çështje të veçanta, por duhet thënë se rezultatet e punës së tyre kanë qenë negative. Shkaku i kësaj ka qenë polarizimi i skajshëm i qëndrimeve të përfaqësuesve të mazhorancës dhe të opozitës, që ka çuar në paraqitjen e dy raporteve të veçanta në seancën plenare të Kuvendit, çka lejohet nga neni 21 i ligjit organik për komisionet hetimore parlamentare.Në literaturën juridiko-kushtetuese shqiptare është vënë në dukje se mënyra e krijimit të komisioneve hetimore është një ndër çështjet problematike dhe më të debatuara në procedurat parlamentare, e cila është bërë disa herë shkak për keqkuptime dhe keqinterpretime të rolit të tyre, dukuri këto që nuk janë mënjanuar as nga Rregullorja e Kuvendit, e cila nuk ka bërë asnjë zbërthim të dispozitës përkatëse kushtetuese.Por është meritë e Gjykatës Kushtetuese sqarimi i shumë çështjeve që lidhen me kompetencat dhe procedurën e veprimit të komisioneve hetimore. Jurisprudenca e kësaj Gjykate ka vënë në dukje rolin e rëndësishëm dhe specifik të komisioneve hetimore dhe ka qartësuar kufijtë e veprimtarisë së tyre për të mos cenuar ndarjen dhe balancimin e pushteteve të ndryshme të shtetit dhe, sidomos, për të shmangur çdo ndërhyrje të komisioneve hetimore në punën e pavarur të gjykatave dhe prokurorive.Në rrethanat aktuale të një krize politike të dukshme që është edhe pasojë e kontestimit të ndershmërisë së procesit zgjedhor të 28 qershorit 2009 dhe e kërkesës së opozitës për të bërë transparencë, edhe nëpërmjet veprimtarisë së një komisioni hetimor parlamentar, interesimi për rolin e një komisioni të tillë është i kuptueshëm.Aq më tepër opinioni publik është i interesuar për të pasur një informacion më të plotë për një hetim të tillë në një kohë kur edhe Komisioni Europian i Brukselit i ka parashtruar qeverisë shqiptare një varg pyetjesh plotësuese për formularin e përgatitur nga ana e saj në kuadrin e procedurave për t’i njohur Shqipërisë statusin e një vendi kandidat për anëtarësimin në Bashkimin Europian, pyetje që, në një pjesë të madhe të tyre, përqendrohen në objektin e komisioneve hetimore parlamentare dhe në jurisprudencën përkatëse të Gjykatës Kushtetuese.Për herë të parë Gjykata Kushtetuese ka trajtuar problemet e ngritjes dhe të veprimtarisë së një komisioni hetimor parlamentar në vendimin e saj nr. 18, datë 14.05.2003 “Mbi interpretimin e nenit 77, pika 2 e Kushtetutës” (dispozitë që ka të bëjë pikërisht me ngritjen e një komisioni hetimor).Në arsyetimin e këtij vendimi Gjykata shprehet se “Kontrolli parlamentar ushtrohet edhe në kontekstin e së drejtës kushtetuese të çdo shtetasi për të marrë informacionin e nevojshëm në lidhje me çështjet me interes publik”. “Qëllimi i ngritjes së komisioneve hetimore – sipas Gjykatës Kushtetuese – është për të njohur dhe verifikuar në tërësi një fenomen, një ngjarje, një veprimtari, me synimin që, në përputhje me realitetin, të nxirren përfundime mbi nevojën e miratimit, plotësimit apo korrigjimit të ligjeve të veçanta”.Gjykata ka zbërthyer shumë qartë dy mënyrat e ndryshme, me të cilat Kushtetuta, në nenin 77, pika 2, parashikon krijimin e komisioneve hetimore parlamentare. “Këto dy mënyra krijimi – thotë Gjykata – rezultojnë nga përdorimi në këtë dispozitë i shprehjeve “ka të drejtë” dhe “është i detyruar” … Përdorimi i shprehjes “është i detyruar” jo vetëm që e vendos Kuvendin në një pozicion disi të veçantë, duke i hequr të drejtën për të vlerësuar vendimmarrjen për ngritjen e komisionit hetimor, por njëkohësisht institucionalizon një lloj tjetër institucioni kushtetues, që njihet si “pushteti i pakicës parlamentare”. Si rrjedhojë “e drejta e pakicës vetëm për sa i përket kërkesës për ngritjen e një komisioni hetimor mbetet një e drejtë e pakufizuar nga vullneti i shumicës”.Por Gjykata ka sqaruar edhe se “njëkohësisht e drejta e pakicës për të disponuar mbi objektin e hetimit kufizon kompetencën e shumicës për ta ndryshuar këtë objekt pa pëlqimin e shumicës, me përjashtim të rasteve kur, nga qëllimi dhe objekti i hetimit konstatohet se preken parimet kushtetuese”. Por Gjykata paralajmëron se gjithsesi objekti i hetimit “nuk mund të reduktohet nga Kuvendi deri në atë masë sa t’ia bëjë të pamundur komisionit kryerjen e veprimtarisë. Kufizimi që mund t’i bëhet objektit të hetimit me argumentin se nuk respektohen parimet kushtetuese, nuk e bën një vendimmarrje të tillë përfundimtare dhe të pakontrollueshme nga pikëpamja e kushtetutshmërisë për arsye se do ta vendoste të drejtën kushtetuese të pakicës parlamentare në vlerësimin e shumicës, duke dhunuar në këtë mënyrë ushtrimin e kësaj të drejte”.Kjo analizë që Gjykata Kushtetuese i bën të drejtës së pakicës për të përcaktuar objektin e veprimtarisë së një komisioni hetimor nuk është pasur fare parasysh nga shumica aktuale parlamentare, e cila “apriori” ka kundërshtuar, pa asnjë diskutim, mundësinë që në objektin e punës së këtij komisioni të përfshihej edhe hapja e kutive, në fillim me pretendimin se një kërkesë e tillë është antikushtetuese, megjithëse asnjëherë nuk është thënë konkretisht se me cilin nen të Kushtetutës ose me cilin vendim të Gjykatës Kushtetuese bie ndesh kërkesa e opozitës.Më vonë, është pretenduar se një kërkesë e tillë është e papranueshme, sepse cenon vendimin përfundimtar të Kolegjit Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit të Tiranës.Ky qëndrim i qeverisë dhe i shumicës parlamentare nuk ka përfillur deklaratat e opozitës se ajo nuk pretendon të shqyrtojë e të vlerësojë bazueshmërinë ligjore të vendimeve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe të Kolegjit Zgjedhor pranë Gjykatës së Apelit të Tiranës dhe as nuk kërkon të ndryshojë “në tavolinë” rezultatin e zgjedhjeve, por kërkon vetëm transparencën për të parandaluar në të ardhmen shkelje të rënda të procesit zgjedhor. Për më tepër ky qëndrim nuk përfill as arsyetimet të vendimit të mësipërm të Gjykatës Kushtetuese. Madje, mazhoranca shkoi edhe më tej: kur opozita në parlament, përballë kundërshtimit këmbëngulës të mazhorancës ndaj objektit kryesor të këtij hetimi, u detyrua të tërhiqte projektligjin e saj për të amenduar ligjin në fuqi për komisionet hetimore si dhe projektvendimin për krijimin e një komisioni hetimor për të bërë transparencë mbi procesin e fundit zgjedhor, shumica parlamentare “e përvetësoi” nismën e opozitës, duke krijuar vetë një komision të tillë hetimor. Kjo, siç dihet, provokoi largimin përsëri të opozitës nga parlamenti dhe shpalljen e grevës së urisë.Në vendimin interpretues të lartpërmendur të Gjykatës Kushtetuese theksohet se “kontrolli parlamentar duhet zhvilluar në mënyrë të atillë që të mos ndërhyjë në veprimtarinë e pushteteve të tjera … Parimi i ndarjes së pushteteve nënkupton një mënyrë të veçantë për përcaktimin e marrëdhënieve ndërmjet autoritetit të gjykatave dhe pushteteve të tjera. Zakonisht vetëm pavarësia e gjykatave mbrohet në mënyrë strikte”.Duke analizuar vendimin e lartpërmendur mund ta vlerësojmë atë si një udhërrëfyes gjithmonë aktual për një veprimtari të frytshme të komisioneve hetimore në përputhje me parimet kushtetuese.Çështjes së objektit të punës së komisioneve hetimore parlamentare, Gjykata Kushtetuese i është rikthyer në vendimin e saj nr. 26, dt. 22.06.2006. Në këtë rast Gjykata Kushtetuese ishte vënë në lëvizje nga Prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë. Objekt i kërkesës së tij ishte shfuqizimi i vendimit nr. 31, datë 02.05.2006 të Kuvendit “Për përcaktimin e përbërjes dhe afatit të veprimtarisë së komisionit hetimor për shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh mbi nisjen e procedurës së shkarkimit nga detyra të Prokurorit të Përgjithshëm; zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencave”.Në përfundim të gjykimit, Gjykata Kushtetuese vendosi: “të zgjidhë mosmarrëveshjen e kompetencave të lindur midis dy organeve shtetërore subjekt në këtë mosmarrëveshje dhe të deklarojë se Kuvendi i Shqipërisë nuk ka kompetencë të kontrollojë dhe të vlerësojë vendimet e prokurorëve në çështjet konkrete për mosfillimin e procedimit penal, për pezullimin e hetimeve, për pushimin e çështjeve penale, për marrjen e masave të sigurimeve, si dhe vendimet e veprimet e tjera që lidhen me ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në gjyq”.Në arsyetimin e vendimit Gjykata konstatonte se vendimi i Kuvendit për ngritjen e komisionit hetimor ishte në pajtim me Kushtetutën, por ajo vlerësonte se veprimtaria e komisionit hetimor në këtë rast përbënte një tejkalim të funksioneve të Kuvendit, mosrespektim të parimeve kushtetuese. Duke iu referuar edhe vendimit të saj interpretues të 14 majit 2003, Gjykata Kushtetuese përmendte se e drejta për të ushtruar hetim parlamentar nuk mund të jetë e pakufizuar dhe “kufizimi i saj lidhet me detyrimin që objekti i hetimit të respektojë parimet kushtetuese, si parimi i ndarjes së pushteteve, i prezumimit të pafajësisë etj.”.

Gjykata gjithashtu vlerësonte se, në aspektin kushtetues, fakti se Kuvendi jep pëlqimin për emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm (neni 149/1 i Kushtetutës), si dhe i propozon Presidentit të Republikës shkarkimin e tij (neni 149/2) nuk do të thotë se ky funksionar i lartë është përgjegjës para Kuvendit. Prokurori i Përgjithshëm në kuptimin kushtetues – theksonte Gjykata – nuk ka përgjegjësi politike para Kuvendit. Në këtë kuadër, Gjykata Kushtetuese vlerësonte gjithashtu se “mjetet e kontrollit parlamentar mbi Prokurorinë nuk mund të përdoren asnjëherë si instrument për të shqyrtuar e vlerësuar vendimet e marra nga ana e prokurorëve për çështje konkrete”.Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese me objekt kompetencat e një komisioni hetimor është ai me nr. 22, datë 05.05.2010. objekti i kërkesës së paraqitur nga Bashkia e Tiranës ishte zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës për të ushtruar kontroll mbi njësinë e qeverisjes vendore (Bashkisë së Tiranës) nga Kuvendi dhe shfuqizimi i vendimit nr. 249, datë 24.04.2009 të Kuvendit “Për ngritjen e Komisionit Hetimor”.Gjykata vendosi pranimin e kërkesës së mësipërme, duke shfuqizuar si vendimin nr. 249, datë 24.04.2009 të Kuvendit “Për ngritjen e Komisionit Hetimor” ashtu edhe vendimin nr. 252, datë 15.05.2009 “Për miratimin e raportit përfundimtar të Komisionit Hetimor”.Në arsyetimin e këtij vendimi Gjykata Kushtetuese theksoi edhe një herë se, në bazë të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, asnjë organ ose institucion nuk mund të ndërhyjë në trajtimin e çështjeve që do të përbënin objektin qendror të veprimtarisë së organeve ose institucioneve të tjera kushtetuese. Në veçanti, sipas Gjykatës, kontrolli parlamentar nënkupton të drejtën e pushtetit legjislativ për t’u informuar dhe për të realizuar mbikëqyrjen për zbatimin e ligjeve nga ana e organeve të pushtetit publik, me qëllim marrjen e masave të domosdoshme për parandalimin e paligjshmërisë si dhe nxjerrjen e përgjegjësive, sipas rasteve konkrete. Gjykata Kushtetuese pranon se, në parim, kontrolli parlamentar i referohet gjithë aktivitetit shtetëror dhe të gjitha autoriteteve publike. “Por – vëren Gjykata – një kompetencë e tillë nuk e transformon Kuvendin në një super-organ të pushtetit të shtetit … Demokracia parlamentare nuk është një sistem ku parlamenti mund të ushtrojë kontroll mbi çdo vendim të institucioneve, të nisë procedura për të vendosur sanksione ndaj tyre, apo të marrë vendime në emër të institucioneve që e kanë një kompetencë të tillë”.Veç kësaj, Gjykata Kushtetuese sqaron se kërkesa që çështja të jetë “e veçantë”, pra e një rëndësie të veçantë publike, përbën një parakusht të kushtetutshmërisë së veprimtarisë së një komisioni hetimor. Si rrjedhojë e këtij arsyetimi, Gjykata vlerëson se, në rastin në shqyrtim, duke përcaktuar si objekt të hetimit shqyrtimin e praktikave dhe të procedurave të dhënies së lejeve të ndërtimit në Bashkinë e Tiranës, nga viti 2007 e në vijim, Kuvendi e ka përcaktuar këtë objekt në mënyrë të përgjithshme, duke mos përmbushur kërkesën kushtetuese të “veçantisë” së çështjes.Gjithashtu Gjykata konstatoi se objekt i hetimit ka qenë edhe vlerësimi i “gjendjes së konfliktit të interesave të disa anëtarëve të KRRT-së së Tiranës dhe, në këtë mënyrë, është hetuar aktiviteti i personave të veçantë dhe jo modeli i funksionimit të këtij organi”.

Më së fundi, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se, duke konstatuar pavlefshmërinë e vendimeve të KRRT-së së Tiranës të datës 17 prill 2009, Kuvendi i Shqipërisë ka tejkaluar kompetencat e tij.Duke analizuar vendimet e lartpërmendura të Gjykatës Kushtetuese që kanë të bëjnë me objektin e komisioneve hetimore parlamentare, bie në sy se në të gjitha rastet kemi të bëjmë me një tejkalim të objektit të përcaktuar nga Kushtetuta dhe nga ligji organik për komisionet hetimore parlamentare dhe, në secilin rast, komisioni hetimor është ngritur me kërkesë të deputetëve të krahut të djathtë, të cilët kanë përcaktuar edhe objektin e tij, dhe kjo ka ndodhur edhe kur e djathta ka qenë në opozitë (në vitin 2003) ashtu edhe kur ka qenë në pushtet (në vitet 2006 dhe 2009). Si rrjedhojë, mund të thuhet se prirja për t’iu dhënë komisioneve hetimore parlamentare kompetenca të tepruara, duke ndërhyrë edhe në ato të pushteteve të tjera ose të institucioneve të pavarura, ka qenë e grupeve parlamentare të Partisë Demokratike.Në përfundim të kësaj analize, që nuk pretendojmë të jetë e plotë, mund të thuhet se është e pakontestueshme e drejta për të kërkuar që një komision hetimor parlamentar të ndriçojë një proces zgjedhor, konkretisht të 28 qershorit 2009, pavarësisht nga divergjencat në lidhje me legjitimitetin e hapjes së kutive të fletëve të votimit, që kontestohet nga shumica aktuale parlamentare. Prandaj është i habitshëm deklarimi, në një intervistë në një gazetë të datës 25 maj 2010, i një juristi me përvojë se hetimin e zgjedhjeve “kurrsesi nuk mund ta realizojë Parlamenti”, sepse “është një konflikt i hapur interesash që do e bënte të pabesueshëm hetimin. Parlamenti duhet të hetojë kutitë e votimit nga të cilat ka dalë vota! Pra i bie që një deputet të kontrollojë edhe mandatin e tij nëse e ka të ligjshëm”. Sipas kësaj logjike, edhe neni 3 i Rregullores së Kuvendit dhe praktika e gjatë parlamentare, sipas të cilëve, Kuvendi i porsazgjedhur zgjedh një komision të përkohshëm për verifikimin e mandateve të deputetëve, qenkan në kundërshtim me Kushtetutën, sepse edhe anëtarët e këtij komisioni kanë konflikt interesash përderisa duhet të verifikojnë rregullshmërinë e zgjedhjes së tyre. Mendoj se çdo koment tjetër do të ishte i tepërt.

 

Marre nga  Gazeta Shekulli

Shënim I Stafit I DrejtesiaShqiptare.com:

E drejta e autorit mbetet i  autorit të punimit . Opinionet e shprehura  dhe studimet  juridike  e publikuara në këtë Website janë të autorëve përkatës  qe I kane shkruar ato. Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi në qoftë se  shkrimi është upload-uar pa lejen e autorit.Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi për pikëpamjet, vërtetësinë e informacionit që përmbajnë artikujt që publikon dhe shkeljet e se drejtës së autorit.Kushdo që ka ndonjë ankese  rreth  së  drejtës  së autorit ne publikimet e ketij website,  është I lutur  te dërgoje një email  tek kontakt@drejtesiashqiptare.com.  Ne do ta  shqyrtojmë me përgjegjesi ankesën dhe do ta heqim menjëherë shkrimin.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

18 − eighteen =

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Powered by WordPress | Designed by: Dog Groomer | Thanks to Assistant Manager Jobs, Translation Jobs and New York Singles