E drejta familjare – Procedura e shkurorëzimit ne Kosove-Gani LECI

Martesa është institucion i rëndësishëm i së drejtës familjare, dhe paraqet marrëdhënie të jetës së përbashkët e të vazhdueshme midis një burri dhe një gruaje, ndërkaq në disa shtete edhe marrëdhënie midis dy personave me gjini të njëjtë (në shtete të cilët kanë të legalizuar martesën midis personave me gjini të njëjtë).Të gjitha legjislacionet nacionale japin definicionin e institucionit të martesës- Martesa është bashkësi jetësore e burrit dhe gruas e rregulluar me ligj në të cilën realizohen interesat e bashkëshortëve, familjes dhe shoqërisë.

Marrëdhëniet në mes bashkëshortëve themelohen ne vendim të lirë të burrit dhe gruas për të lidhur martesë, në barazinë ndërmjet tyre, respektim të ndërsjellët dhe ndihmës reciproke.Barazia e bashkëshortëve si në rastin e lidhjes së martesës, gjatë martesës si dhe në rast shkurorëzimi garantohet edhe me dokumentin më të rëndësishëm ndërkombëtarë-Deklaratën Universale të të drejtave të njeriut (neni 16.al.1). Siç e ceka edhe më lart, martesa është marrëdhënie e vazhdueshme por jo e përhershme sepse e njëjta mund edhe të zgjidhet me vdekjen e njërit nga bashkëshortët, me shpalljen e njërit nga bashkëshortët e zhdukur për të vdekur, me anulimin e martesës dhe me shkurorëzimin e saj.

Në këtë punim do të bazohem vetëm në ndarjen e martesës me anë të institucionit të shkurorëzimit, duke u fokusuar në ndihmën juridike pa pagesë e cila duhet ti garantohet dhe ofrohet palës me gjendje më të dobët financiare e cila ka qëllim ndarjen nga martesa vazhdimi i së cilës është bërë i padurueshëm.

Pra, personat të cilët do të dëshmojnë gjendjen e vështirë ekonomike duhet të ju mundësohet qasje efektive në drejtësi për të realizuar të drejtat e tyre të garantuara.

PROCEDURA E SHKURORËZIMIT

Shkurorëzimi është institucion i të drejtës familjare i cili mundëson zgjidhjen e martesës së plotfuqishme. Shkaqet janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga shkurorëzimet që bëhen me marrëveshje të bashkëshortëve, shkurorëzimet fiktive, si dhe shkurorëzimet si alternativë e vetme e shërimit të marrëdhënieve të çrregulluara bashkëshortore.Mirëpo,procedurat e shkurorëzimit ngarkojnë palët materialisht, dhe si rezultat i kësaj disa bashkëshortë pengohen në zgjidhjen e martesës veçanërisht në situatat kur ndarja është e patjetërsueshme. Për tejkalimin e këtyre vështirësive materiale për të iniciuar dhe zhvilluar procedurën gjyqësore të shkurorëzimit, institucioni i ndihmës juridike falas luan një rol të veçantë.

Prandaj, në këtë punim do të paraqesim:

• rëndësinë dhe rolin e ndihmës juridike pro-bono në procedurën e shkurorëzimit

• pasojat juridike të shkurorëzimit ndaj ish-bashkëshortëve dhe për fëmijët,

• mbrojta e interesit më të lartë të fëmijëve të cilët mbartin pasojat e kësaj pjese  të padëshirueshme të jetës së tyre- ndarjen e prindërve.

2. Shkurorëzimi

Mbi të gjitha parakushtet tjera, martesa duhet të bazohet në dashurinë, respektin, barazinë dhe ndihmën reciproke, mirëpo në rast të disekuilibrimit dhe mosrespektimit të këtyre parimeve jeta bashkëshortore mund të bëhet e padurueshme për vazhdimin e suksesshëm të saj. Pra, shkurorëzimi është pasojë e mosmarrëveshjeve dhe grindjeve permanente midis partnerëve.

Shkurorëzimi është institucion i lashtë, dukuri përbërëse dhe e pandashme e martesës. “Volteri thoshte se shkurorëzimi lind disa javë pas martesës. Do të thotë, atëherë kur lind martesa, lind edhe shkurorëzimi”.[1]

“Të tjerët e quajnë si një opsion nuklear në marrëdhëniet martesore”.[2]

Si institucion i së drejtës familjare dhe pjesë e marrëdhënieve të jo-qëndrueshme martesore, shkurorëzimi daton që nga e drejta romake, mirëpo, të dhënat statistikore japin një pasqyrë të rritjes së numrit të shkurorëzimeve gjatë kësaj periudhe të tranzicionit dhe mvetësimit ekonomik të partnerëve. Betimi ‘deri sa vdekja të na ndajë‘ ka mbetur vetëm shprehje e shënuar në letër, sepse kuptimi i vërtetë ka filluar t’i zbehet.

Në rastet kur jeta e përbashkët tani më nuk është alternativa e vetme për të vazhduar më tej, shumica e bashkëshortëve përgatiten t’i përballen sfidës së jetesës në mënyrë të pavarur dhe të ndarë. E gjitha kjo është pasojë e problemeve të papërballueshme të cilat i përkasin martesës së tyre, duke pasur të drejtën e vendimmarrjes së përbashkët se a do t’i japin asaj fund me anë të institucionit të shkurorëzimit.Në rastet e marrëveshjes së përbashkët të bashkëshortëve gjykata e cila zhvillon procedurën e shkurorëzimit e ka shumë më lehtë të sjell vendimin për ndarjen e tyre. “Mjet juridik për inicimin e procedurës së shkurorëzimit përveç marrëveshjes (propozimit) së përbashkët të bashkëshortëve është edhe kërkesa e njërit bashkëshort”[3], pra me anë të padisë së ngritur nga ana e njërit bashkëshort. Në pajtueshmëri me nenin 237 të LF- pas pranimit të padisë për shkurorëzim ose propozimit për shkurorëzim me marrëveshje, para dorëzimit të padisë të paditurit mbahet seancë për pajtim të bashkëshortëve.Seancë për pajtim të bashkëshorteve nuk do mbahet në këto raste:

1. nëse njëri nga bashkëshortët është i paaftë për të gjykuar;

2. nëse njëri ose të dy bashkëshortët jetojnë në botën e jashtme;

3. nëse është i pa njohur vendbanimi i njërit nga bashkëshortëve më tepër se 6

(gjashtë) muaj;

4. nëse pas parashtrimit të kundërpadisë për shkurorëzim, pa marrë parasysh

kur është parashtruar, tentimi për pajtim të bashkëshortëve ka qenë i

pasuksesshëm.

Nëse bashkëshortët kanë fëmijë të mitur të përbashkët ose fëmijë mbi të cilët është vazhduar ushtrimi i të drejtës prindërore, tentimi për pajtim të bashkëshortëve realizohet nga qendra për punë sociale. Në raste nga al.3 e këtij neni gjykata në afat prej 8 (tetë) ditësh njofton me shkrim qendrën për punë sociale lidhur me të dhënat se kur është iniciuar procedura e shkurorëzimit, arsye kryesore pse kërkohet shkurorëzimi dhe të dhënat për fëmijët.Qendra për punë sociale është e obliguar që në afat prej 3 (tre) muajve nga pranimi i njoftimit me shkrim ta përfundoj Seancën për pajtim të

bashkëshortëve. Nëse bashkëshortët nuk kanë fëmijë të përbashkët ose fëmijë mbi të cilët është vazhduar ushtrimi i të drejtës prindërore, procedurën për pajtimin e bashkëshorteve e zhvillon gjykata, por vetëm nëse nuk vlerësohet se është më mirë që procedura për pajtim të zhvillohet nga qendra për punë sociale.

3. Shkaqet për Shkurorëzim

Shkurorëzimi është një problem sa juridik aq edhe social dhe kryesisht shkaktohet, kur ndërmjet dy partnerëve është thyer ndjenja, intimiteti, komunikimi dhe padyshim që marrëdhënia nuk funksionon më, duke përfshirë në një stres të përgjithshëm tek të gjithë anëtarët. “Shkurorëzimi është një situatë tepër stresuese për të gjithë pjesëtarët e familjet që e përjetojnë atë dhe paraqitet si një ndryshim madhor në jetën e individit, të cilit i nevojitet një kohë e konsiderueshme për t’u rikuperuar e adaptuar me të”.[4]

Shkurorëzimin e një martese e shkaktojnë shkaqet për të cilët bashkëshortët e vendosin ndarjen e tyre dhe këto shkaqe gjykata i merr për bazë gjatë zhvillimit të procedurës.Viteve të fundit është paraqitur fenomeni i “shkurorëzimeve fiktive” të martesave, ku bashkëshortët përgënjeshtrojnë shkaqet për ndarje duke parashtruar arsye nga më të ndryshmet. Një nga arsyet më aktuale është gjendja e vështirë ekonomike dhe nevoja për të shkuar në botën perëndimore, andaj kjo edhe i shtyn shumë çifte (në të shumtën e rasteve gratë) të lejojnë ndarjen e martesës me qëllim që bashkëshorti, të jetë i lirë të lidhë martesë të re. E gjitha kjo ka për qëllim fitimin e shtetësisë në ndonjë shtet nga ku do të mund të sigurojë materialisht familjen e tij.

“Praktika gjyqësore ka të shënuar një numër të konsiderueshëm të veprimeve konkrete të cilët paraqiten si shkaqe për çrregullimin e marrëdhënieve martesore:

-  mosmarrëveshjet e vazhdueshme ndërmjet bashkëshortëve;

- dallimi i madh në moshë midis burrit dhe gruas;

- mosmarrëveshjet e njërit nga bashkëshortët me familjarët e

bashkëshortit tjetër;

- dallimi në përkatësinë fetare midis partnerëve;

- dyshimet e vazhdueshme të xhelozisë;

- ofendimet e rënda të drejtuara ndaj njëri tjetrit;

- zënka të shpeshta dhe sulme fizike midis partnerëve;

- përdorimi i alkoolit nga njëri bashkëshort;

- impotenca gjegjësisht frigjiditeti i plotë;

- mungesa e aftësisë së gruas për të lindur fëmijë;

- të jetuarit vetëm nga ana e njërit bashkëshort,

- si dhe shkaqe të tjera”.[5]

Pra, bashkëshortët janë ata të cilët do të vendosin se cilin nga shkaqet do ta marrin si bazë për shkurorëzimin e tyre. Çdo rast i shkurorëzimin është i ndryshëm nga tjetri, duke u bazuar në problemet dhe karakterin e ndryshëm të personave, si dhe qasjen dhe mënyrën e të jetuarit në një bashkësi martesore.

Mirëpo, të gjitha shkaqet që merren si arsye për ndarjen e një martese sjellin jetën e padurueshme të përbashkët. “Ndërkaq, jetën të padurueshme e bëjnë problemet e ndryshme që sjellin veprimet e njërit ose të dy bashkëshortëve, siç janë: xhelozia e pakontrolluar, kontradiktat dhe konfliktet gjatë çdo veprimi të njëri-tjetrit, keqpërdorimet dhe keqtrajtimet, dhuna fizike dhe psikike, shkelja e besnikërisë bashkëshortore, shpenzimet tepër të mëdha që dëmtojnë pasurinë familjare, etj”.[6]Pra, Ligji mbi familjen, shkaqe për të shkurorëzuar një martesë i kategorizon në tre grupe: pëlqimi i përbashkët i bashkëshortëve për ndarjen e tyre, nëse marrëdhëniet bashkëshortore janë përkeqësuar deri në atë masë sa që jeta e përbashkët është bërë e padurueshme,  dhe nëse marrëdhëniet martesore në mënyrë faktike kanë pushuar të funksionojnë më gjatë se një vit.

Sa i përket mosfunksionimit të martesës faktikisht, merren parasysh ato veprime të cilët vështirësojnë komunikimin dhe përmbushjen e detyrimeve familjare në mënyrë të përbashkët.

Ndarja në aspektin hapësinor e bashkëshortëve me qëllim të nevojës për shkollim të mëtutjeshëm, specializim në profesionin e ndonjërit nga ta, por për të cilën ata me marrëveshje janë përcaktuar- nuk mund të llogaritet si pushim faktik i marrëdhënieve bashkëshortore. ”Në këto situata bashkësia martesore nuk pushon së funksionuari, ndërkaq bashkëshortët vazhdojnë të plotësojë të drejtat dhe obligimet e tyre të cilat dalin nga martesa”.[7]”Përkundër kësaj, në rastet kur bashkëshortët nuk e ndryshojnë lokacionin e banimit të tyre, pra jetojnë në të njëjtën banesë, nën të njëjtin “pullaz”, ndërkaq nuk komunikojnë dhe nuk i përmbushin të drejtat dhe detyrimet të cilat janë pjesë e institucionit të martesës- në këtë rast bëhet fjalë për të ashtuquajtura “martesa të vdekura” tek të cilat situata ka ardhur deri te ndërprerja faktike e bashkësisë martesore”.[8]Të dhënat e shumta japin rezultatin se në shtetin tonë në një përqindje të konsiderueshme ndahen martesat e reja (nga 1-3 vjet bashkëjetesë). ”Të rinjtë të cilët lidhin martesa në kohën e sotme për dallim nga më herët, më tepër i japin rëndësi të jetuarit në mënyrë bashkëkohore, barazisë midis partnerëve në martesë, nuk respektojë kultin e autoritetit ndaj më të vjetërve, duke marrë qëndrime të ndryshme nga prindërit e tyre”.[9]

Pra, çdo disekuilibrim i veprimeve që ndikon negativisht në jetën e përbashkët familjare mund të jetë shkak që martesa të ndahet, të cilin si arsyetim nga ana e bashkëshortëve gjykata e merr për bazë. Kur bashkësia martesore gjendet në një fazë kritike e cila mund të rezultojë në ndarje, është e nevojshme dhe e dobishme që bashkëshortët paraprakisht të drejtohen në Qendrën për punë sociale, respektivisht në sektorin për këshillime familjare (bashkëshortore).

ose të shfrytëzojnë shërbimin e mediatorëve. Ndërkaq, në situatat kur ekziston konflikti midis bashkëshortëve, shërbimet juridike, veçanërisht Oda e Avokatëve duhet të ketë listën e avokatëve të cilët do të ofronin këshilla dhe shërbime profesionale në sferën e shkurorëzimeve dhe veçanërisht këto shërbime të jepen falas për çiftet të cilët nuk kanë mundësi materiale për t’i paguar.“Dhënia e ndihmës juridike pa pagesë për personat me probleme sociale është pjesë e obligimit tradicional dhe ndershmërisë së avokatit, andaj këshillat e tilla duhet të ofrohen nga ana e çdo avokati kur pala i drejtohet për ndihmë juridike”. [10]Bazuar në Kodeksin për etikën profesionale të avokatëve, qysh prej marrjes së lëndës avokati duhet ta informojë palën në lidhje me shumën e shpenzimeve dhe lartësinë e shpërblimit për përfaqësimin, gjegjësisht kryerjen e autorizimeve publike. Kur bëhet fjalë për palë me gjendje të dobët materiale, përllogaritjen e vet avokati duhet ta përshtatë me mundësitë materiale për të bërë pagesën, gjegjësisht, shpërblimin ta llogarisë edhe nën shumën minimalen për punë të avokatëve.

“Ndërkaq prej palëve kryesisht të varfra të mos kërkoj fare kompensim, duke marrë parasysh vazhdimisht parimin e vjetër etik të avokatëve: ‘në pamundësi për pagesë të shpërblimit të avokatit, askush të mos ngelë pa ndihmë juridike kualitative nga avokati”.[11]

4. Pasojat Juridike të Shkurorëzimit tek Bashkëshortët dhe Fëmijët

Bashkëshortët janë ata të cilët duhet të mbartin pasojat e përfundimit të martesës së tyre me anë të shkurorëzimit, duke mos lejuar që ata të njëjtat të reflektohen tek fëmijët. Mirëpo, juridikisht një gjë e tillë nuk është e mundur. Fëmijët ndikohen nga kjo ndarje, nga vetë fakti që ata janë të detyruar të jetojnë me njërin prind.Kur bashkëshortët kanë fëmijë të përbashkët, atëherë personeli profesional i Qendrës për punë sociale udhëheq procedurën për pajtimin e bashkëshortëve. Nëse seanca për pajtimin e bashkëshortëve është e pasuksesshme atëherë ekipi profesional i Qendrës për punë sociale jep mendimin dhe propozimin për ruajtjen, edukimin e fëmijëve, dhe bazuar në faktet dhe të dhënat profesionale, gjykata në seancën kryesore vendos edhe për edukimin, ushqimin dhe ruajtjen e fëmijëve.Bashkëshortët mundet që me marrëveshje të përbashkët të zgjidhin çështjen e ndarjes së fëmijëve. Nëse nuk ekziston marrëveshja midis tyre lidhur me përkujdesjen e fëmijëve atëherë, gjykata ex officio sjell vendimin për ruajtjen, edukimin dhe ushqimin e fëmijëve.“Andaj fëmijët mund të vazhdojnë jetën e mëtutjeshme me njërin prind, ose nëse janë dy ose më tepër fëmijë – disa me njërin e disa me tjetrin prind, ndërkaq nëse ruajtja dhe edukimi i fëmijëve nga prindërit e tyre është në kundërshtim me interesin e tyre, atëherë fëmijët ngelin nën përkujdesjen e organit të kujdestarisë”.[12]Edhe pse fëmijët i ndahen njërit prind, me anë të shkurorëzimit nuk mund të ndërpritet marrëdhënia prindërore, ajo marrëdhënie familjare midis fëmijëve dhe prindërve ekziston edhe pas ndarjes. Çiftet të cilët kanë fëmijë dhe të cilët kanë vendosur të jetojnë të ndarë, duhet të vazhdojë të sjellin vendime të përbashkëta sa i përket mirërritjes dhe edukatës familjare të fëmijës. Shkurorëzimi në të shumtën e rasteve nuk ndikon negativisht tek fëmijët që jetojnë ndaras nga njëri prind, në krahasim me mosmarrëveshjen dhe grindjet e vazhdueshme që mund të kenë çiftet. Edhe pse të ndarë nga fëmijët, çiftet vazhdojnë të jenë prindërit e tyre përkundër mos-koordinimeve që kanë ndërmjet vete për çështje tjera jetësore, mirëpo, në çdo vendimmarrje të tyre në prioritet duhet të kenë interesin më lartë të fëmijëve.Pasojat personale të shkurorëzimit duhet të ndikojnë drejtpërdrejtë tek ish-bashkëshortët, e assesi tek fëmijët, sepse ata nuk janë aspak fajtorë për situatën jetësore që ua krijojnë prindërit. Edhe pse shkurorëzimi është alternativa më e dhimbshme për fëmijët, mirëpo në situata të veçanta paraqet zgjedhje të vetme në një martesë ku mbisundon grindja e jo marrëveshja,dashuria dhe respekti.Fëmijët të cilët kalojnë nëpër fazën e ndarjes së prindërve, duhet të jenë të bindur se ata vazhdojnë të kenë dashurinë prindërore dhe se një ndarje e tillë bëhet për jetë më të qetë të cilën prindërit në bashkësi martesore nuk kanë mundur tua ofrojnë. Në disa nga rastet fëmijët janë motivimi dhe arsyeja e vetme për t’i mbyllur sytë ndaj mosmarrëveshjeve. Disa çifte sakrifikojnë “lumturinë” e tyre dhe vazhdojnë të bashkëjetojnë në mungesë të dashurisë së ndërsjellët.

E gjithë kjo sakrificë bëhet duke patur synim kryesor lumturinë e fëmijëve të tyre dhe duke mos i sprovuar me pjesën më të dhimbshme – ndarjen nga ata.

Pasuria e përbashkët e bashkëshortëve e fituar gjatë martesës, nuk ndahet në procedurën e shkurorëzimit, por zhvillohet procedurë e veçantë, kontestimore- nëse ekziston mosmarrëveshja (kontesti) për ndarjen e saj, dhe jokontestimore – nëse bashkëshortët janë marrë vesh si do ta ndajnë atë pasuri të fituar bashkërisht.

ASPEKTI  RELIGJIOZ I SHKURORËZIMIT – KULTURA  E  SJELLJES  ISLAME  ME  RASTIN  E SHKURORËZIMIT

Vëmendje të posaqme islami i kushton martesës dhe mardhënieve martesore, duke u kujdesur në ruajtjen dhe mbrojtjen e harmonisë martesore dhe me shumë kujdes dhe fakt përpiqet të ruajë bashkësinë martesore nga shkatërrimi. Shkurorëzimi bëhet i lejuar vetëm nëse nuk ka kurrfarë mënyre që harmonia dhe pajtueshmëria martesore të mbesin gjallë. Nëse, eventualisht vjen deri te shkurorëzimi i bashkësisë martesore , islami në menyrë precise ka rregulluar të gjitha detalet në lidhje me të , me qëllim të ruajtjes së nderit të dy bashkëshortëve.“Sipas rregullores islame të sjelljes, gruaja është e obligueshme që pas shkurorëzimit , në intervalin kohor të pritjes të kalojë në shtëpinë e burrit të saj, ndërsa burri është i obliguar që ta mbajë, sikur të jenë edhe mëtej në kurore, deri sa të zgjasë periudha e pritjes”.[13]Burri është i obliguar që në mundësitë e tij materiale ta mbajë atë, siç thotë Allahu i lartësuar” “Ai që është i pasur , le të shpenzojë sipas mundësisë së vetë, e ai që është ngusht nga pasuria , le të japë nga ajo që i ka dhënë Allahu, e Allahu nuk ngarkon askë, vetëm aq sa i ka dhënë, mirëpo pas vështersisë Allahu sjell çlirim (begati)”.[14]

5. Përfundimi

Në fund duhet theksuar rëndësia e institucionit të shkurorëzimit, shikuar në prizmin e shërimit të problemeve familjare. Edhe pse nuk pajtohem që familja e themeluar të ndahet, e veçanërisht nëse në atë familje ka fëmijë, jam ithtarë i mendimit që nuk duhen duruar veprime të cilat sjellin cënimin e një jete të shëndoshë familjare. Edhe pse fëmijët në fillim mund të zhgënjehen nga prindërit e tyre dhe të humbin shpresat për një jetë të lumtur familjare, kur vetëdijesohen ata mund të arsyetojnë veprimin e tyre. Mirëpo, interesi i fëmijëve duhet të jetë një prioritet përkundër interesit personal të ish-bashkëshortëve. Pra, duke patur parasysh faktin se në vendin tonë janë duke ndodhur shkurorëzime të shumta dhe te gjithë ne e dimë që shkurorëzimet sjellin shumë veshtërsi në jetën shoqërore për familjen dhe fëmijët e tyre, gjë që i shpien deri te amoraliteti i shoqërisë duke u marr me veprime antiligjore dhe antishoqërore, duhet të marrim mas a dhe strategji të ndryshme për parandalimin e shkurorëzimeve.

 

Marre nga  faqja : http://kosova.info/

Shënim I Stafit I DrejtesiaShqiptare.com:

E drejta e autorit mbetet i  autorit të punimit . Opinionet e shprehura  dhe studimet  juridike  e publikuara në këtë Website janë të autorëve përkatës  qe I kane shkruar ato. Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi në qoftë se  shkrimi është upload-uar pa lejen e autorit.Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi për pikëpamjet, vërtetësinë e informacionit që përmbajnë artikujt që publikon dhe shkeljet e se drejtës së autorit.Kushdo që ka ndonjë ankese  rreth  së  drejtës  së autorit ne publikimet e ketij website,  është I lutur  te dërgoje një email  tek kontakt@drejtesiashqiptare.com.  Ne do ta  shqyrtojmë me përgjegjesi ankesën dhe do ta heqim menjëherë shkrimin.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

one + 12 =

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Powered by WordPress | Designed by: Dog Groomer | Thanks to Assistant Manager Jobs, Translation Jobs and New York Singles