Gjykimi konkret në sistemin juridik shqiptar-Fehmi Abdiu

Kontrolli kushtetues në Shqipëri lindi me krijimin e Gjykatës Kushtetuese, në vitin 1992. Përpara miratimit të Kushtetutës së vitit 1998 ishte ligji “Për dispozitat kryesore kushtetuese”, ai që përcaktonte juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese, funksionet e saj dhe subjektet iniciues të kontrollit kushtetues. Sipas nenit 25 të tij, në vargun e subjekteve që kishin të drejtë të vinin në lëvizje Gjykatën Kushtetuese ishin dhe gjykatat. Ndërsa sipas nenit 8/2 të po këtij ligji, përcaktohej se kur gjatë shqyrtimit të çështjes, gjykata arrin në përfundimin se akti normativ nuk pajtohet me ligjin “Për dispozitat kryesore kushtetuese” dhe me ligjet, ajo pezullonte gjykimin dhe ia dërgonte materialet e çështjes Gjykatës Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese gjykonte në rastet e gjykimit incidental (konkret) jo vetëm antikushtetutshmërinë, por edhe paligjshmërinë e akteve normative, ndërsa sot, sipas Kushtetutës, ajo kontrollon antikushtetutshmërinë vetëm të ligjeve dhe jo dhe paligjshmërinë apo antikushtetueshmërinë e akteve të tjera normative. Me miratimin e Kushtetutës, në nenin 134/d të saj, u përcaktuan subjektet që mund të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese dhe ndër to përmendet si subjekt iniciues për kontrollin kushtetues, çdo gjykatë. Sipas nenit 145, pika 3 të Kushtetutës: “Kur gjyqtarët çmojnë se ligjet vijnë në kundërshtim me Kushtetutën nuk i zbatojnë ato. Në këtë rast ata pezullojnë gjykimin dhe ia dërgojnë çështjen Gjykatës Kushtetuese.Pra, kur lindin diskutime serioze që vlerësohen si çmim i arsyeshëm rreth harmonizimit të ligjit konkret me Kushtetutën, gjykatat ndërmarrin nismë për të kontrolluar pajtueshmërinë e tij me Kushtetutën, duke ia dërguar për shqyrtim çështjen Gjykatës Kushtetuese.

Ky lloj kontrolli mund të iniciohet vetëm nga gjyqtarët, nga Gjykata e Faktit, e Apelit, nga Gjykata e Lartë, si dhe çdo gjykatë që krijohet për fusha të veçanta me ligj.Ky kontroll, mund të realizohet vetëm ndaj ligjit. Kjo kërkesë është e përcaktuar qartësisht si nga Kushtetuta dhe nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, e cila në vendimin nr. 20, dt. 11.07.2006 shprehet se: “Nga përmbajtja e nenit 145, pika 2 të Kushtetutës, del se bëhet fjalë vetëm për raste kur gjykata që gjykon një çështje konkrete, çmon se ligji, mbi bazë të të cilit ajo gjykon çështjen, vjen në kundërshtim me Kushtetutën”. Lidhur me kuptimin e termit ‘ligj’ kjo gjykatë është shprehur se ky term është përdorur në kuptimin e tij të ngushtë që nënkupton ligjin si akt normativ i nxjerrë ekskluzivisht nga organi ligjvënës. (Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 20, datë 11.07.2006). Togfjalëshi i përdorur nga neni 145 i Kushtetutës “kur gjyqtari çmon” ngre për diskutim pyetjen nëse pezullimi është i drejtë apo detyrë e gjyqtarit apo gjykatës. Nga përmbajtja e nenit 145 del qartë se pezullimi i çështjes është lënë në çmimin e gjyqtarëve, pra është gjyqtari apo gjykata që çmon nëse ligji në bazë të të cilit gjykon çështjen, është në kundërshtim me Kushtetutën, duke nënkuptuar në këtë mënyrë, vendimin e pezullimit më shumë si “një e drejtë e gjyqtarit”.

Sipas nenit 68 të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, gjyqtari ose gjykata, gjatë një procesi gjyqësor dhe në çdo kohë, kryesisht ose me kërkesë të palëve, çmon se ligji është antikushtetues dhe kur ka lidhje të drejtpërdrejtë midis ligjit dhe zgjidhjes së çështjes konkrete, nuk e zbaton atë duke vendosur pezullimin e shqyrtimit të mëtejshëm të çështjes dhe dërgimin e materialeve të saj Gjykatës Kushtetuese, për t’u shprehur për kushtetutshmërinë e ligjit. Disa kërkesa të tjera që mund të identifikohen nga dispozita në fjalë lidhur me atë që e quajmë gjykim incidental janë: Gjykata, veç çmimit se pse ligji është antikushtetues duhet të sqarojë me kujdes dhe lidhjen e drejtpërdrejtë midis ligjit dhe zgjidhjes së çështjes konkrete që sipas kuptimit të nenit 68 të ligjit për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, është i domosdoshëm. Duke insistuar në këtë kërkesë, Gjykata Kushtetuese është shprehur në një vendim të sajin se: “…Para marrjes së vendimit të pezullimit gjyqtari apo gjykata, duhet të kenë parasysh që gjykimi që ata kanë nisur nuk mund të përfundojë pa iu dhënë përgjigje çështjes së antikushtetutshmërisë së ligjit nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Pra, gjyqtari duhet të krijojë mendimin se ligji që ai vlerëson si antikushtetues do të zbatohet për zgjidhjen e çështjes. Në të kundërt, nëse gjyqtari vlerëson se një ligj nuk do të zbatohet nga ana e tij për zgjidhjen e çështjes edhe pse sipas tij, është antikushtetues, ai duhet të vazhdojë me gjykimin e çështjes. Në mënyrë që të ekzistojë lidhje e drejtpërdrejtë duhet të ketë një raport të domosdoshëm mes vendimit të Gjykatës Kushtetuese (zgjidhjes së çështjes së antikushtetutshmërisë së ligjit nga kjo gjykatë) dhe zgjidhjes së çështjes kryesore nga gjyqtari apo gjykata, subjekt iniciues i gjykimit incidental, në kuptimin që gjykimi nga gjykata e zakonshme nuk mund të përfundojë në mënyrë të pavarur nga gjykimi në Gjykatë Kushtetuese”. Gjithashtu, Gjykata duhet të evidentojë qartë dispozitat e ligjit, që çmon se janë të papajtueshme me Kushtetutën. Në të njëjtën kohë ajo është e detyruar të pasqyrojë saktësisht dispozitat konkrete të Kushtetutës që, sipas saj, preken nga ligji konkret që është i detyruar të zbatojë gjatë gjykimit. Po kështu, Gjykata është e detyruar të arsyetojë shkaqet konkrete për të cilat kërkohet shfuqizimi i dispozitës konkrete. Kjo kërkesë është më e vështirë, sepse plotësimi i saj kërkon argumente juridike, të cilat jo gjithmonë evidentohen në mënyrë cilësore, në pjesën arsyetuese të vendimit të pezullimit. Ndër veçoritë e shqyrtimit të kërkesave të paraqitura nga gjykatat, duhet të nënvizohet fakti se paraqitja e një kërkese të tillë nga gjykata, sipas ligjit mund të bëhet në çdo kohë, ndryshe nga sa parashikohet për kërkesa që kanë të bëjnë me kontrollin abstrakt të ligjit (3 vjet) dhe për kërkesat e tjera që kanë për objekt procesin e parregullt ligjor (2 vjet) dhe që paraqiten para Gjykatës Kushtetuese nga subjekte të tjera të përcaktuara në Kushtetutë. Ndërkohë vlen të theksohet se, nëse vendoset kalimi i çështjes në seancë plenare, nuk ka afat ligjor për përfundimin e saj nga Gjykata Kushtetuese, karakteristike kjo e të gjitha proceseve gjyqësore që zhvillohen në Gjykatë. Shqyrtimi i çështjeve me kërkues gjykatat, nga Gjykata Kushtetuese paraqet edhe veçori të tjera përveç atyre të lartpërmendura, të cilat bien në sy që në gjykimin paraprak të çështjes në kolegj. Në këtë fazë, vëmendja përqendrohet sa në kërkesat e nenit 31 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, që kanë të bëjnë me legjitimimin e subjektit dhe kompetencën e gjykatës, aq edhe në respektimin e kërkesave të pasqyruara në nenet 68 e 69 lidhur me kriteret procedurale të pranimit të kërkesës nga gjyqtari apo gjykata kërkuese. Për këtë qëllim, neni 69, pika 1 ka përcaktuar se kur ia kthen çështjen gjykatës që e ka dërguar, duke e orientuar për të plotësuar mangësitë që vihen re. Kjo e fundit është e detyruar që t’i plotësojë ato brenda një afati të përcaktuar nga data që i mbërrin çështja e kthyer. Në këtë fazë, gjykata nismëtare duhet të respektojë vendimin e kolegjit të Gjykatës Kushtetuese për të plotësuar kërkesën. Pra, revokimi i vendimit të saj për pezullimin e gjykimit të çështjes për çfarëdo arsye qoftë nuk do të ishte i rekomandueshëm për të, sepse një gjë e tillë do të komprometonte qëndrimin e saj. Palët në gjykimin e kërkesave të tilla ndryshojnë nga çështjet e tjera. Këtu ka kërkues që ndryshon nga kërkuesit në gjykime të tjera. Duke qenë kështu, pretendimet, argumentet dhe shkaqet që lidhen me gjykimin duhet të gjejnë pasqyrim në vendimin e gjykatës për pezullimin e gjykimit të çështjes. Sipas nenit 70/1 të ligjit për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, kjo gjykatë gjatë shqyrtimit të çështjeve të tilla publikon faktin se çështja është nën shqyrtimin e saj. Kjo kërkesë është një ndihmë për gjykatat e tjera, që eventualisht kanë çështje të tilla në shqyrtim.

Në këto gjykime ftohen për të marrë pjesë si subjekte të interesuara organe të tilla si Kuvendi dhe Këshilli i Ministrave etj. Gjykimi i kësaj çështjeje përqendrohet vetëm në lidhje me gjykimin e pajtueshmërisë së ligjit me Kushtetutën, pa pasur të drejtë për të diskutuar rreth bazueshmërisë së kërkesës.

Rregulli se Gjykata Kushtetuese gjykon brenda objektit të kërkesës dhe shkaqeve të parashtruara, është detyrues edhe për raste të kësaj natyre. Në mënyrë përjashtimore, kur ka lidhje midis objektit të kërkesës dhe akteve të tjera normative është Gjykata Kushtetuese që vendos nëse mund të dalë jashtë objektit të kërkesës së paraqitur nga gjykata. Rastet e shqyrtimit tej objektit dhe shkaqeve të parashtruara nga gjykata janë përjashtimore. Ato mund të zbatohen vetëm atëherë kur ekziston një lidhje midis ligjit apo normës që është objekt gjykimi dhe një akti tjetër normativ që trajton po ato probleme që lidhen me gjykimin konkret. Kjo lidhje, sipas praktikës së Gjykatës Kushtetuese, e ka justifikuar këtë përjashtim vetëm kur ka qenë e drejtpërdrejtë, aq sa shfuqizimi i normës së kërkuar, pa normën tjetër me të cilën ka lidhje, s’do të kishte kuptim dhe nuk do të ndikonte në zgjidhjen përfundimtare të çështjes që ndodhet në shqyrtim në gjykatën e zakonshme. Në një vendim të sajin, Gjykata Kushtetuese është shprehur se, meqenëse objekti i kërkesës së paraqitur është papajtueshmëria e disa dispozitave të Kodit Penal që kanë lidhje me dispozitat e Kodit Penal Ushtarak duhet shqyrtuar tej objektit të kërkesës dhe kushtetutshmërisë së dy dispozitave të Kodit Penal Ushtarak.

Nëse do të analizonim dinamikën e çështjeve të tilla të gjykuara nga Gjykata Kushtetuese para miratimit të Kushtetutës dhe pas miratimit të Kushtetutës rezulton se; Për periudhën e parë, 1992-1998 ka pasur 9 kërkesa gjithsej me iniciues gjyqtarët apo gjykatat si subjekt të kontrollit incidental, ndërsa për periudhën 1999-2004 janë shqyrtuar 24 kërkesa gjithsej. Nga kjo statistikë e shkurtër rezulton se ka një rritje të numrit të kërkesave me subjekt iniciues gjykatat, por nga një analizë më e thelluar mund të konkludonim se duhet të kishte pasur edhe më shumë kërkesa të kësaj natyre, që për shkaqe të ndryshme nuk kanë përfunduar në Gjykatën Kushtetuese. Kontributet e gjykatave të juridiksionit të zakonshëm konstatohen, si rregull, në rastet kur pranohen kërkesat e tyre, sepse duke shfuqizuar një ligj që konstatohet se është jokushtetues, evitohen pasoja serioze e të dëmshme, duke përjashtuar nga sfera e aplikimit një ligj të papajtueshëm me standardet kushtetuese. Në këto raste, pra kur Gjykata Kushtetuese e shfuqizon ligjin si antikushtetues, vendimin e saj ia njofton Kuvendit dhe Këshillit të Ministrave. Megjithatë vlera dhe rastet kur Gjykata Kushtetuese, edhe pse nuk pranon kërkesën, por ajo bën interpretimin për mënyrën se si duhen kuptuar dispozitat ligjore, sipas përmbajtjes së Kushtetutës, duke pasuruar në këtë mënyrë doktrinën dhe jurisprudencën kushtetuese. Në rastet e lartpërmendura misioni i Gjykatës Kushtetuese mund të përfundojë ose me rrëzimin e kërkesës ose me pranimin e saj dhe shfuqizimin e normës ligjore. Me shfuqizimin e një norme ligjore nuk përfundojnë detyrimet e gjykatës së juridiksionit të zakonshëm, pasi ajo ndodhet përsëri para pengesave ligjore për të përfunduar çështjen që ka për gjykim, sepse lipset që vendimi i Gjykatës Kushtetuese të marrë fuqinë detyruese “erga omnes”, duke u botuar në Fletoren Zyrtare. Mund të ndodhë që të ekzistojnë prapë pengesa për gjykatën që gjykon çështjen kur me shfuqizimin e ligjit krijohet boshllëk ligjor, prandaj në këtë rast, ajo është e detyruar të presë edhe deri sa organi ligjvënës t’i bëjë një rregullim të ri ligjor problemit konkret që lidhet drejtpërsëdrejti me gjykimin. Pra që nga momenti kur vendoset për papajtueshmërinë e ligjit me Kushtetutën e derisa të korrigjohet e të hyjë në fuqi ligji i ri, mund të kalojë shumë kohë dhe palët detyrohen të presin gjatë, deri sa mund të kalojë edhe afati i zakonshëm apo i arsyeshëm i një procesi të rregullt ligjor. Pas kësaj, merr rëndësi konceptimi i efekteve të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Për raste të tilla, vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka fuqi prapavepruese ndaj çështjeve që shqyrtohen nga gjykatat, derisa vendimet e tyre nuk kanë marrë formë të prerë. Vetëm pas kësaj, gjykata nismëtare e këtij procesi, mund të përfundojë shqyrtimin e çështjes konkrete, ndërsa pas kësaj fillon një etapë e dytë e gjykimit derisa vendimi për zgjidhjen e çështjes konkrete të marrë formë të prerë. Sa më sipër mund të përfundojmë se, kjo kompetencë e veçantë e gjyqtarëve apo gjykatave, e përcaktuar në mënyrë shumë eksplicite nga Kushtetuta (neni 134/d dhe 145/2), se duhet konsideruar si atributi më i rëndësishëm që kanë gjyqtarët dhe gjykatat në vendin tonë, në këndvështrim të kontrollit kushtetues apo drejtësisë kushtetuese, sepse në këto raste gjykata del tej caqeve të juridiksionit të saj të zakonshëm. Vendimet e gjyqtarëve për pezullimin e çështjes dhe dërgimin e akteve për shqyrtim në Gjykatë Kushtetuese kanë vlera shumë më të mëdha se çdo gjykim konkret, pasojat e të cilit janë të lidhura përgjithësisht vetëm me subjekte konkrete që janë palë në proces.

Marre nga  Gazeta Shqip.

Shënim I Stafit I DrejtesiaShqiptare.com:

E drejta e autorit mbetet i  autorit të punimit . Opinionet e shprehura  dhe studimet  juridike  e publikuara në këtë Website janë të autorëve përkatës  qe I kane shkruar ato. Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi në qoftë se  shkrimi është upload-uar pa lejen e autorit.Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi për pikëpamjet, vërtetësinë e informacionit që përmbajnë artikujt që publikon dhe shkeljet e se drejtës së autorit.Kushdo që ka ndonjë ankese  rreth  së  drejtës  së autorit ne publikimet e ketij website,  është I lutur  te dërgoje një email  tek kontakt@drejtesiashqiptare.com.  Ne do ta  shqyrtojmë me përgjegjesi ankesën dhe do ta heqim menjëherë shkrimin.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

1 × three =

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Powered by WordPress | Designed by: Dog Groomer | Thanks to Assistant Manager Jobs, Translation Jobs and New York Singles