Drejt Një Sociologjie Evropiane Të Së Drejtës-Dr. Genta Tafa (Bungo)

A mund të ekzistojë një gjë e tillë, si sociologjia evropiane e së drejtës? Çfarë duhet të përfshijë ajo dhe çfarë jo? Cilat janë problemet me të cilat do të përballet? Mos vallë është shpejt për një sipërmarrje të tillë duke parë ndryshimet e mëdha që ekzistojnë në  kulturën, gjuhët, traditat akademike, nivelin ekonomik të shteteve përbërëse të Europës? Mos është vonë? Këto janë pyetje që çdokush ia bën vetes sot, kur të gjithë aspirojmë anëtarësimin në familjen e madhe të Bashkimit Evropian. Të tilla probleme shtrohen jo vetëm përpara akademikëve, por edhe përpara politikanëve, juristëve e diplomatëve. Përgjigjet e disa prej tyre do të përpiqem t’i jap nga këndvështrimi juridik i çështjes, por, sigurisht, nuk mund të ofroj një zgjidhje.Evropa dhe e drejta evropiane janë formuar dhe riformuar si pjesë e fluksit në rritje të njerëzve dhe ideve në një botë më të madhe. Shumë praktika ligjore janë ankoruar në histori, strukturë sociale dhe kulturën e shoqërive të veçanta, por metodat e ligjbërjes dhe zgjidhjes së konflikteve, jo vetëm reflektojnë, por, gjithashtu, ndihmojnë në transformimin e shoqërive në të cilat operojnë. Shpesh këto ndikohen edhe nga zhvillimet në vendet e tjera. Studimet për një identitet të dallueshëm evropian konkludojnë se Bashkimi Evropian73është krijuar nga shumëllojshmëri grupesh dhe popullatash.Evropa është trashëgimtare e kulturave të ndryshme ligjore. Studiuesit e së drejtës  së krahasuar, në të drejtën evropiane (private) dallojnë katër familje ligjore: familjen e së drejtës romake, skandinave, gjermanike dhe common law74. Sociologët e së drejtës vështrojnë më thellë dhe brenda këtyre “familjeve” gjejnë ndryshime në mënyrën e rregullimit, praktikave gjyqësore,   alternativave   për   zgjidhjen   e   konflikteve,  profesioneve ligjore, shkallës së krimit etj. Studiuesit  socialë vënë në dukje format e shumëfishta jo vetëm të hartimit të normave, por  edhe  të zbatimit të tyre75. Nga ana tjetër, unifikimi apo harmonizimi i së drejtës,  si dhe praktikat e zbatimit të saj në kuadrin e Bashkimit Evropian përfaqësojnë një tendencë të përbashkët, larg nga e drejta formale, nën influencën e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Së bashku me direktivat e Bashkimit Evropian dhe rregullimin nëpërmjet ligjit të butë (soft law) kjo mund të bëhet zanafilla e asaj që përshkruhet si “kultura e re ligjore evropiane”76.Shumë përqasje teorike e kanë origjinën në komunitetin socio-ligjor amerikan. Studimet empirike, të zhvilluara në SHBA, shpesh janë përdorur si prova për praktikën ligjore kudo, përfshirë edhe Europën. Kjo sigurisht që ndihmon në krijimin e pikave të përbashkëta midis kulturave ligjore “evropiane”.

Kulturat ligjore kanë mënyrat e tyre  specifike të krijimit të marrëdhënieve midis së drejtës dhe praktikës sociale dhe do të ishte gabim të përdoreshin njohuritë shkencore sociale si i vetmi tregues për këtë. Pjesëmarrja e shoqërisë civile, komunikimi nëpërmjet masmedias, arsimimi  në  të  gjitha  nivelet,  konsultimi  me  ekspertët  janë  format alternative të informimit rreth problemeve sociale dhe nevojave ligjore – dhe këta faktorë kanë peshë të ndryshme nga njëra kulturë ligjore në tjetrën. Për më tepër, dy dhjetëvjeçarët e fundit karakterizohen  nga zhvillimi i përqasjeve më pragmatiste të së drejtës në shumicën e kulturave ligjore evropiane, në Bashkimin Evropian vërehet një aktivizim i fortë gjyqësor dhe procese informale të ligjbërjes. Teoricienët e interesuar në përqasjet socio-ligjore kanë krijuar një network global apo të paktën transatlantic.Është e kuptueshme që të gjithë mbartin mbi vete traditat e vendit të tyre, por e  vërteta e shkencës nuk njeh kufij. Kjo na bën të mendojmë se sociologjia e së drejtës është universale. Karakteristika më e dukshme e qeverisjes së Bashkimit Evropian është përpjekja për integrim nëpërmjet së drejtës, nëpërmjet ligjit. Evropa është laboratori ideal për të studiuar si ndryshon ligji në veprim, sa shumë mund të zhvillohen kulturat e ndryshme ligjore, veçanërisht në përputhje me të drejtën e Bashkimit Evropian dhe nën influencën e të ashtuquajturit “soft law” në shtete të ndryshme.Po të kthehemi prapa në vite, mund të kujtojmë se dështimi i Kushtetutës së Bashkimit Evropian, në vitin 2005, u konsiderua si kriza më e madhe me të cilën u përball ky Bashkim. Por nuk mund të themi se ky ishte edhe dështimi i vetë Bashkimit Evropian. Në fund të fundit procesi i integrimit është i pandalshëm. Ky fakt tregon thjesht nevojën e drejtimeve të reja.Ashtu si edhe më parë, Evropa si një ide apo Evropa si një imazh kërkon  studim  të mëtejshëm. Çështjet thelbësore të studimit janë qëllimi dhe legjitimiteti,  themelet demokratike dhe kulturore, efektet sociale dhe ekonomike. Kjo bën të qartë rolin e rëndësishëm që duhet të luajnë teoricienët socialë në krijimin e një imazhi të ri për Europën e Bashkuar Duke rikujtuar fillimet e teorisë moderne sociale, vërejmë se Eugen Ehrlich, Max Weber dhe Emil Durkheim shkruan rreth imazhit të Europës që në fillim të shekullit XX, atëherë kur Evropa si një entitet ligjor ishte thjesht një ëndërr. Ndryshe nga këta teoricienë, ideja e Habërmasit për Bashkimin Evropian ishte ajo e një mjeti për një lloj kozmopolitizmi.Gjithsesi, të gjitha teoritë na japin një hartë të vlefshme të të gjitha aspekteve të projektit evropian, që vazhdojnë të mbeten të rëndësishme.

A ekziston një frymë e së drejtës evropiane?

Ideja e ndërtimit të një sistemi politik ka qenë gjithmonë e pranishme në proceset e integrimit evropian. Në të njëjtën kohë kjo ide jo vetëm është sfiduar nga pyetje të  thjeshta, si për shembull, nëse ka apo duhet të ketë limite në këtë proces, por edhe  është kundërshtuar nga pikëpamje kritike dhe skeptike të ndryshme. Pavarësisht pikëpamjeve të ndryshme, përkrahës dhe kritikë të integrimit politik bien dakord se kjo varet nga ekzistenca e identitetit evropian dhe vetëreflektimi politik në shtetet përbërëse dhe në vetë Bashkimin Evropian. Për shembull, Jean Monnet sugjeron se, në vend të integrimit të ekonomive kombëtare, procesi i unifikimit evropian duhet të fillojë nga integrimi i kulturës evropiane78. Megjithëse fillimet e hershme të Bashkimit Evropian mbështeteshin në sigurinë ndërkombëtare dhe atë ekonomike, çështjet e identitetit kanë qenë gjithmonë të pranishme, qoftë si projekt, qoftë si legjitimim i integrimit evropian. Prosperiteti dhe paqja janë bërë të pandashme nga reflektimet kulturore dhe civilizuese mbi unifikimin evropian duke përfshirë edhe procesin e integrimit dhe atë të zgjerimit. Po të hedhim një vështrim mbi historinë, letërsinë, artet, filozofinë dhe shkencat  sociale në vende të ndryshme të Europës, duket qartë se koncepti i identitetit evropian është i gjallë dhe gjerësisht i diskutuar në elitën intelektuale. Për shembull,  poeti nobelist polak Czeslaw Milosz, argumentonte  se  identiteti  evropian  derivon  nga  ideja  e  përkatësive gjeografike, politike e kulturore79. Për Norman Davies, Evropa dhe unifikimi evropian i pas ’45-ës përmban një dimension historik të rëndësishëm – eurohistorinë – që përfshin si idenë e një historie të përbashkët, ashtu edhe konsensusin mbi një kuptim historik pozitiv të horizonteve politike të Bashkimit. Për shkak të këtij dimensioni historik, Evropa është jo vetëm një “mozaik kulturash”, por edhe “një tërësi organike”80 me një domethënie të identitetit të përbashkët, që justifikon  projektin e unifikimit politik të saj. Komunikimi simbolik i shkencave shoqërore, letërsisë, arteve, paraqet një shprehje dhe vlerësim të ri të Europës mbi bazat e së përditshmes, që na bën ne të ndihemi pak a shumë evropianë. Këto reflektime kulturore kontribuojnë  në  vetidentifikimin e  banorëve  të  kontinentit  evropian  si “evropianë”, por ky identitet kolektiv nuk ka nevojë t’i jepet një kuptim politik.Themelet shpirtërore për integrimin evropian ekzistojnë.Por a ekziston ndonjë lidhje midis frymës së ligjeve dhe identitetit politik?A ka nevojë të ekzistojë një lidhje e tillë? ligjshmëria evropianeIntegrimi politik evropian shtron pyetjen se kush mund ta legjitimojë këtë proces.  Dilema e legjitimimit demokratik të kombeve rritet së bashku me integrimin dhe konstitucionalizimin e mëtejshëm të Bashkimit Evropian. Ky integrim është i varur nga një identitet evropian i përbashkët dhe një univers simbolik.  Projekti  politik  i  BE-së   gjithmonë  e  më  shumë  kërkon  të ndërkombëtarizojë reflektimet kulturore në ndërtimin e një identiteti evropian. Vlerësimi moral dhe kulturor i demokracisë, lirisë individuale dhe vetorganizimi në shoqëritë civile vepron si stabilizues i procesit të vendimmarrjes politike dhe ligjore. Po t’i referohemi preambulës së draftit të Kushtetutës evropiane, që u miratua në Samitin e 2004-ës dhe që u refuzua më pas nga referendumi popullor në disa nga vendet anëtare, shohim se Bashkimi Evropian duhet të shfaqet si një organizatë politike që ka përgjegjësi të veçanta për njerëzimin dhe gjithë planetin. Sipas kësaj preambule, popujt e Europës, megjithëse krenarë për identitetin e tyre kombëtar, janë të vendosur të kapërcejnë ndarjet e vjetra dhe të bashkohen gjithmonë e më shumë për të farkëtuar një fat të përbashkët. Ata janë të bindur se  “të  bashkuar në larmishmëri”, Evropa u ofron shansin më të mirë të vazhdimësisë drejt brezave të ardhshëm. Preambula e Kushtetutës evropiane na sjell ndër mend idealin e iluministëve për një qenie njerëzore të arsyeshme dhe të përgjegjshme, e cila, pasi ka kaluar përmes ndarjeve politike dhe luftërave të tmerrshme, mund të informojë pjesën tjetër të botës rreth natyrës së njerëzimit, jetës së mirë dhe politikës. Sipas këtij dokumenti, “evropianët” shpresojnë të dalin mbi konfliktet kombëtare dhe të kapërcejnë politikisht ndarjet ekzistuese duke u bërë kështu “të bashkuar në larmishmëri”. Racionaliteti simbolik i preambulës përvijon thelbin e legjitimitetit racional dhe shpreh autoritetin moral të një kolektivi politik. Dhe pikërisht në këtë pikë na vjen ndër mend Durkheimi me veprën e tij81. Morali i një kushtetute do të thotë se ajo kërkon të ruajë integritetin, identitetin dhe solidaritetin e një politike dhe e paraqet këtë proces të ruajtjes si një vlerë të vetën82. Në këtë kuptim, nga konstitucionalizimi i identitetit evropian pritet që ligjshmëria e Bashkimit të transformohet në një komunikim  simbolik  të  përdorur  nga  qytetaria  evropiane  në  procesin  e vetidentifikimit moral e politik. Megjithatë, hartimi i Kushtetutës evropiane nuk arriti  të  frymëzojë  zgjimin  e  dëshiruar  të  sferave  publike  evropiane  dhe solidaritetit civil ndërmjet kombeve të ndryshme të Bashkimit, që janë edhe parakushtet e nevojshme për një identitet të krijuar si demos evropian. Nga ana tjetër, mund të themi se politika integruese pas Traktatit të Mastrihtit apo edhe zhvillimet e mëvonshme kushtetutëbërëse nuk na dhanë ndonjë mësim mbi paradokset e politikës evropiane dhe transformimin e Unionit në një sistem politik, me strukturë thellësisht politike e demokratike. Megjithëse u konsiderua i dobishëm në fazat e para të unifikimit evropian, projekti ligjor për një integrim evropian gjithmonë e më të ngushtë nuk mund të zhvillohej më tutje për shkak të  mungesës së komunikimit politik dhe paaftësisë për të reflektuar mbi problemet politike të maskuara si probleme ligjore teknike në agjendën e hartimit të Kushtetutës evropiane83. Në  vitin 1990, Jacques Santer, që atëherë ishte kryetar i Komisionit Evropian, e ilustroi këtë gjendje të rritjes së tensionit duke krahasuar Europën me një trup pa shpirt. Sipas tij nuk ka asgjë për t’u habitur në faktin që gjuha e pakuptueshme e ligjshmërisë evropiane po kritikohet gjithnjë e më shumë se po e çon të tërë projektin evropian drejt një fundi fatal84. Duke u nisur nga kriza në rritje e këtij procesi pas Traktatit të Mastrihtit, Václav Havel, president i Republikës Çeke, propozoi “Një kartë të identitetit evropian”85. Sipas këtij propozimi, Evropa duhej të identifikohej me një komunitet vlerash të tilla, si: toleranca, humanizmi, vëllazëria, të cilat  historikisht kanë ndihmuar në krijimin e një demokracie, lirie dhe përgjegjësie politike. Haveli foli, gjithashtu, edhe për nevojën e pajtimit të arsyes (duke iu referuar këtu gjuhës mekanike të rregullimeve ekonomike e ligjore të BE-së) dhe zemrës (duke iu referuar këtu gjuhës  emocionale  të  lidhjeve  dhe  bashkimeve  etike).  Kjo  pikëpamje  e konsideron integrimin  evropian si një zhvillim historik të pavendosur, të lëkundur që është mbështetur thellësisht nga etika. Kështu, integrimi progresiv i Unionit ka qenë një proces formal i legalizimit dhe politikave rregulluese të shumë normave dhe dokumenteve. Makineria e institucioneve dhe rregullimeve evropiane pritet të veprojë në mënyrën më eficiente të mundshme, por vështirë të frymëzojë zgjimin politik të demosit evropian. Struktura është shumë e ftohtë për ndonjë  përkatësi emocionale apo solidaritet abstrakt. Diçka duhet bërë urgjentisht në mënyrë që popujt të mos e konsiderojnë Bashkimin Evropian si një supershtet monstruoz në të cilin autonomia e të gjitha kombeve të ndryshme, shteteve, grupeve etnike, kulturave dhe rajoneve të ndryshme të Europës do të shpërbëhet gradualisht. Ky Bashkim  duhet të konsiderohet si krijimi i një hapësire që lejon përbërësit autonomë të Europës të zhvillohen lirisht dhe në mënyrën e tyre në një mjedis të sigurt dhe në kushtet e bashkëpunimit përfitues reciprok, mbështetur në parimet e demokracisë mbi të drejtat e njeriut, shoqërisë civile dhe tregut ekonomik të hapur86. Ndryshe nga nacionalizmi modern, i bazuar në solidaritetin organik dhe lidhjet etnike, ndërtimi i identitetit evropian përdor mënyra të tjera për të ngrohur zemrat e njerëzve. Në mungesë të një populli politik evropian, identiteti  politik prapa kushtetutëbërjes evropiane mund të ndërtohet vetëm kundër mjedisit të një fryme të përgjithshme evropiane. Patriotët evropianë pritet të bëhen mbrojtësit e frymës evropiane të vlerave universale, etikës dhe politikës kozmopolite. Evolucioni i një fryme të Bashkimit Evropian shënon një kthim të etikës dhe politikës etike, të cilat, sipas ithtarëve të Bashkimit Evropian, mund të ringjallin sensin e Europës dhe të kërkojnë një identitet të përbashkët evropian. Traktati i Mastrihtit dhe gjithë traktatet e tjera evropiane, përfshirë edhe Kushtetutën evropiane, janë shprehje e një shpirti evropian, por këto dokumente e errësojnë këtë frymë  evropiane nëpërmjet masave  sistematike,  teknike,  administrative,  ekonomike  dhe  monetare  që propozojnë87. Një akt i thjeshtë me karakter deklarativ ndoshta mund të jetë një përgjigje për këtë errësirë teknike dhe mund t’i bëjë evropianët të identifikohen me shpirtin e  tyre. Haveli i referohet këtij degëzimi të moralit dhe vlerave evropiane si detyrë e formulimit të karizmës së Bashkimit Evropian88. Sipas tij, nuk mund të ketë identitet pa vullnetin për të vepruar në mënyrë të përgjegjshme dhe pa gatishmërinë për të sakrifikuar politikisht dhe individualisht. Identiteti evropian kërkon më shumë lidhje karizmatike sesa akte  konstitucionale e zgjidhje politike, sepse këto lloje lidhjesh, sipas Havelit, do të na bëjnë ne të veprojmë në mënyrë më të përgjegjshme dhe të sakrifikojmë qëllimet tona egoiste në interes të Europës së përbashkët. Sipas kësaj pikëpamjeje, karizma e vetësakrifikimit dhe teknika e hartimit të Kushtetutës dhe rregullimeve të tjera ligjore mund të pajtohen vetëm  nëpërmjet një deklarate zyrtare të moralit evropian, të ndarë në mënyrë të barabartë. Kjo thirrje për një shpirt evropian të përgjithshëm përpiqet të kapërcejë pavendosmërinë e integrimit evropian duke përkufizuar origjinën evropiane dhe themelet morale të një projekti të madh teknik të këtij integrimi. Deklarata për moral dhe vlera evropiane duhet të ketë forcën e një dokumenti karizmatik, që kërkon besimin popullor të evropianëve dhe që krijon lidhje reciproke dhe solidaritet. Gjithsesi, thirrjet etike për pajtim të së drejtës së ftohtë evropiane dhe moralit të ngrohtë evropian vështirë se na çojnë drejt sintezës së dëshiruar të identitetit evropian, më shumë ka mundësi të na çojë drejt përgjegjësive të vakëta të popujve të Europës. Në mungesë të një populli evropian, të karizmës politike dhe sferës publike, ithtarët e integrimit të mëtejshëm, të frymëzuar nga Montesquieu, justifikojnë frymën evropiane me shfaqjen e së drejtës kushtetuese evropiane. Përpjekjet për të zbukuruar integrimin ligjor evropian me një frymë evropiane bazohen në një pikëpamje morale tipike të Europës si një komunitet i vlerave dhe një vend me nivelin minimal të nevojshëm të integrimit kulturor. Historia e Europës na kujton traditat e mira dhe të këqija evropiane dhe trashëgiminë intelektuale.

Fryma e së drejtës dhe identiteti politik

Thirrjet për një moral kozmopolit janë ngulitur thellë në humanizmin evropian  modern që në mënyrë kritike reflekton mbi krizën në kulturën evropiane dhe që  përpiqet ta ruajë atë nëpërmjet frymës së humanizmit dhe etikës universale. Çdo krizë politike dhe sociale konsiderohet si krizë kulturore që mund të zgjidhet vetëm nëpërmjet evropianizimit të mëtejshëm të Europës dhe nëpërmjet injektimit të shpirtit universal  në problemet teknike të veçanta të shoqërive moderne evropiane89. Dallimi universal/ i veçantë, që është specifik për shoqëritë moderne, është riformuluar si dallim moral, politik, kozmopolit / kombëtar në nivel evropian. Një lloj ndjenje shpirtërore e  superioritetit kulturor të trashëgimisë kozmopolite evropiane  nënkupton  një   evropianizim  politik  e  kulturor  gradual  të shoqërive kombëtare. Identiteti i Europës dhe Bashkimit Evropian pritet të tejkalojë racionalitetin instrumental të ligjshmërisë  dhe ekonomisë së tregut të përbashkët90. Duke analizuar problemin e frymës   të së  drejtës evropiane dhe të bërjes së Kushtetutës nga një perspektivë më e gjerë, bëhet e  qartë  se dualiteti i frymës dhe i tekstit është një arketip, model fillestar i  njohurive  teorike  filozofike, ligjore  dhe  shoqërore.  Imazhi  i forcës së gjuhës së shkruar që fiton terren mbi traditat e gjuhës së folur duke e bërë atë jetëgjatë, të qëndrueshme dhe të botuar në libra, luan rol të  rëndësishëm  në  vetëreflektimin historik  dhe  të  përkryer  të  kulturës moderne,  sikurse lindja e mendimit u shënua nga degradimi i mençurisë dhe zgjuarsisë së transmetuar dhe të ndarë me gojë. Sipas këtij imazhi, roli i  natyrës shpirtërore është të kundërshtojë forcën mbizotëruese të fjalës në tekst dhe zvogëlimin formalist të të menduarit. Fryma autentike duhet të riafirmohet përkundrejt  formës së saj në tekst dhe kështu të “ndreqet përmes vetë veprimit të kapërcimit/të braktisjes së formës së saj të veçantë historike”91. Autoriteti i një teksti varet nga fryma e tij. Megjithatë, fryma kërcënohet vazhdimisht të shtrembërohet nga mënyra e të shprehurit me tekst. Në këtë traditë intelektuale, në fakt, fryma duhet të mbizotërojë mbi universin formalist të letrës92. Ajo pajton kontradiktat dhe unifikon të gjitha momentet në një të tërë mbi kohët. Forca unifikuese e frymës përcakton burimin e vërtetë të tekstit të ligjeve dhe garanton kështu autoritetin e tyre. Koncepti i frymës të së drejtës ka pikërisht forcën për të simbolizuar origjinat tejpërshkuese dhe unitetin e sistemeve të së drejtës pozitive dhe politikave. Megjithëse koncepti është më tipik për moralin politik dhe metafizikën e teorisë sociale, ai është, po ashtu, i zakonshëm edhe në jurisprudencën dhe teorinë analitike aktuale. Në analizën ontologjike të së drejtës pozitive, që kërkon të  gjejë bazë të përbashkët dhe parime të përgjithshme pas sistemeve ligjore ekzistuese, fryma e një sistemi të veçantë të së drejtës pozitive është ajo që e bën sistemin një  pjesë koherente, logjike dhe të unifikuar të realitetit shoqëror93. Për shkak të statusit të saj si origjinë e sistemit ligjor, fryma e ligjeve kuptohet si një tërësi e burimeve normative të së drejtës pozitive. Fryma e ligjeve merret si një simbol i unitetit moral dhe identitetit kolektiv të shoqërisë që i referohet nevojës morale për një numër modelesh ideale për të drejtën pozitive94. Ajo vepron si një gardiane e brendshme dhe e jashtme e idealizmit dhe unitetit të ligjeve, duke bërë të mundur vlerësimin moral të sistemit ligjor në përgjithësi. Koncepti tregon se racionaliteti simbolik i ligjit reflekton funksionin e parë të kulturës, që shtrihet deri në kufirin e moralitetit: kërkimi për unitetin dhe kuptimin e përgjithshëm në të gjitha produktet njerëzore. Fryma e ligjeve  është një koncept specifik spekulativ dhe sintetizues që shtrihet përtej horizontit të përkohshëm të një shoqërie të veçantë. Ajo tregon që ekziston një mënyrë e pastër simbolike komunikimi rreth një sistemi ligjor, që i referohet etikës idealiste, të  jashtëzakonshme   dhe që përpiqet të arrijë përsosmërinë në jetën individuale dhe shoqëri. Racionaliteti simbolik i ligjit përcakton çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe dhe e bën ligjshmërinë një shprehje të identitetit kolektiv të politike. Fryma e ligjeve bëhet simbol i përjetësisë që është e pranishme tek idealet morale të përkryera.  Prandaj, identiteti kolektiv i shoqërisë politike mund të krijohet “jashtë kohe, pa përcaktime kohore” dhe kundër mureve të përkohshme të së shkuarës dhe së ardhmes. Identiteti kolektiv mund të rikthejë frymën e ligjeve, si origjinën e tij “të vërtetë” ideale dhe burimin themelor të vlefshmërisë, të futur në sistemin e së drejtës pozitive. Formimi dhe identiteti i grupeve shoqërore, të tilla si kombet etnike dhe politike, bazohet në imagjinatën kolektive, një kërkesë emocionale për përkatësi, dhe ndjekjen aktive të imazheve – ne dhe ndjenjave- ne95. Kombet imagjinohen nga të gjithë si entitete shoqërore dhe anëtarët e tyre duhet të ndihen mirë që u përkasin atyre. Identitetet kombëtare nuk janë qenësia dhe nuk kanë origjinë të lashtë. Ato janë krijuar, duhet të fillojnë diku dhe mund të ndryshojnë si rezultat i veprimit dhe manipulimit njerëzor. Krijimi i këtij identiteti kolektiv është  radikalizuar në shtetet moderne demokratike të ngritura mbi bazën e nocionit të një kombi dhe vullnetit të tij të përgjithshëm politik. Dilema e Zhan Zhak Rusosë si t’i bëjmë njerëzit të flasin me një zë unanim, si një komb politik dhe si të vendosen procedura politike për përfaqësimin më të mirë të mundshëm të njerëzve bëhet një çështje që ka  të bëjë me identitetin: cili është subjekti politik i popujve i imagjinuar përkundrejt  heterogjenitetit social, pluralizmit politik dhe realitetit të shumicës? Cilat janë pasojat e pikëpamjes se “të qenët pjesë e një pakice politike do të thotë keqkuptim i kuptimit të vullnetit të përgjithshëm të popullit”96? Mungesa e një populli evropian nuk do të thotë se integrimi dhe zgjerimi evropian do t’i shpëtonin kësaj dileme. Komentet e shpeshta mbi identitetin dhe frymën evropiane tregojnë se BE-ja duhet të trajtojë probleme qendrore të politikave moderne demokratike. Procesi i hartimit të Kushtetutës pritej të kishte një efekt të fortë simbolik në shoqërinë politike dhe të frymëzonte një formë të veçantë të identifikimit politik, i cili shtrihet përtej komunikimit të brendshëm të ligjeve e politikave dhe përbën një sistem të veçantë të bashkimit dhe solidaritetit. Përveç bindjes ndaj ligjeve të BE-së, pritej që qytetarët evropianë të shfaqeshin si një entitet – ne – një organizatë që ndan sistem të përbashkët të vlerave dhe lidhjeve politike, zakonisht të përshkruara si kultura civile ose kultura politike që shtrihen përtej kornizës së sistemeve ligjore dhe politike97.  Koncepti i kulturës politike demokratike, i nxjerrë në pah nga procesi i hartimit të Kushtetutës evropiane, tregon ndikimin jo të drejtpërdrejtë të politikave në sistemin e kulturës dhe të vetidentifikimit të individëve si qytetarë. Kultura politike lind nga ligjet dhe politikat, të cilat i bëjnë qytetarët të ndajnë një identitet të përbashkët politik,  përgjegjësi reciproke dhe detyrën e pjesëmarrjes civile98. Fryma e përgjithshme e ligjeve përcaktohet nga vlerat e qytetërimit dhe kultura politike demokratike. Kjo kulturë varet nga besimi politik dhe prandaj zgjon patriotizmin kushtetues, si një mënyrë për  qytetarët që të identifikohen me shtetin e tyre demokratik.

Mungesa e një demosi evropian dhe llojet e evropianizimit

Komuniteti evropian i të drejtave ka një kuptim të dobët të të qenit së bashku dhe në solidaritet. Nuk është se ne presim që karizma evropiane të aplikohet në këtë  komunitet. Proceset e zgjerimit evropian të viteve 1990 u mbështetën nga një kuptim i vagët i identitetit të përbashkët evropian99. Megjithatë, kjo ndjenjë e përkatësisë nuk duhet të ngatërrohet me konceptin e solidaritetit abstrakt  evropian që mungon edhe në proceset e hartimit të Kushtetutës evropiane, edhe në përpjekjet aktuale për integrimin e mëtejshëm politik. Zgjerimi i fundit i BE-së i vitit 2004 ishte plotësisht i papëlqyeshëm për pjesën më të madhe të qytetarëve të vendeve të vjetra anëtare dhe nuk mund të mbështeste simbolikën e dobët të hartimit të Kushtetutës evropiane100. Mungesa e një demosi (popullsie homogjene) evropian ka qenë një argument mosmarrëveshjesh ndërmjet institucioneve dhe sistemeve ligjore evropiane dhe atyre kombëtare të vendeve anëtare të BE-së. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese në Gjermani në lidhje me  ndarjen e sovranitetit ndërmjet sistemeve ligjore evropiane dhe kombëtare ofrojnë një shembull kompleks të pasojave teknike ligjore të mungesës së ekzistencës së një demosi evropian dhe të çdo legjitimiteti demokratik të Bashkimit Evropian. Vendimi i Gjykatës së Mastrihtit dhe teza e “mungesës së një demosi”101 mund të interpretohet në dy mënyra të ndryshme. Sipas një versioni të fortë nacionalist, nuk do të ketë kurrë një demos evropian që do të garantonte një ndjenjë aq të fortë të identitetit kolektiv – dhe si pasojë legjitimitetin demokratik – sa ajo që krijojnë kombet moderne etnike evropiane në nivel shteti kombëtar. Demokracia evropiane është e pamundur, sepse nuk ka popull evropian të transformueshëm në një komb politik. Sipas një versioni të butë, të zbatuar aktualisht nga gjykata, kjo  mungesë  tregon kryesisht se demokracia dhe të drejtat kushtetuese të garantuara në nivel shteti kombëtar nuk mund të vihen në rrezik nga strukturat mbikombëtare102. Koncepti  i demosit, që përdoret në debatet evropiane ligjore dhe politike për sovranitetin dhe superioritetin normativ, shpesh paraqitet si një koncept thelbësor edhe nëse nuk përcaktohet etnikisht. Ai presupozon një komunitet që integron qytetarë individë në një tërësi të përbërë nga vlerat dhe traditat. Nacionalizmi etnik dhe  nacionalizmi  republikan në mënyrë paradoksale mund të kenë efekte të ngjashme. Ideja e një kombi civil, si një bashkim politik i lirë nga kuptimi etnik, ashtu si edhe konceptet  nacionaliste të shoqërisë politike, mund të dëshmojë për gjuhën mitike të rrënjëve historike, një prejardhje të parimeve dhe vlerave dhe angazhimet kulturore. Ashtu si fantazitë etno-nacionaliste të fatit historik të popullit, koncepti demokratik republikan mbi kombin mund të ketë baza fondamentaliste dhe komunitare kulturore. Këtë transformim të kombit demokratik në një komunitet organik Etienne Balibar e përshkruan si një paradoks të “komunitarizmit republikan” sipas së cilit103:

“Komunitarizmi republikan” e ka bërë mosnjohjen kulturore, skolastike dhe administrative të “identiteteve të veçanta” (gjuhësore, fetare, kombëtare) brenda kombit një shenjë të pastërtisë që i lejon njerëzit të njohin karakterin e universalitetit politik të dikujt. Kështu, lufta kundër komunitarizmit të shkallëve të ndryshme të realitetit, të perceptuara si rreziqe, është shndërruar në krijimin dhe ndërtimin e një identiteti ekskluziv.Balibar dhe autorë të tjerë argumentojnë me bindje se vlerat me karakter universal  shumë lehtë mund të kthehen në shprehje të karakteristikave të veçanta ekskluzive dhe diskriminuese. Kërkesa evropiane për identitet të sajin civil ka qenë një mjet efikas për çmontimin e politikës së shtetit komb që varet nga ekuacioni modern i qytetarisë dhe kombësisë. Në të njëjtën kohë, identiteti i përbashkët i Europës është plotësisht jotërheqës dhe krijimi i një identiteti shumë të madh çon në një ngurtësim shoqëror që nuk është në përputhje me diversitetin, fleksibilitetin dhe dallimet kulturore në Europë. Evropianizimi përmes integrimit dhe zgjerimit të mëtejshëm të unionit nuk ka qenë asnjëherë një proces i thjeshtë. Evropianizimi duhej të përballej me institucione kombëtare dhe kultura lokale dhe  kështu të transformohej në një model pluralist të evropianizimeve të shumta lokale104. Nga këndvështrimi i Unionit, sigurisht që ka një model të përgjithshëm të integrimit, të shfaqur, p.sh., në rastin e kushteve që duhen plotësuar për zgjerimin e BE-së apo në përpjekjet e Unionit për hartimin  e  Kushtetutës.  Ndërsa,  nga  këndvështrimi  i  shtetit  komb,  ka shumë evropianizime të lokalizuara. Pushteti politik në BE varet ende nga politikat e shteteve kombëtare dhe nga zgjedhësit në nivel kombëtar dhe Unioni vazhdon të duket ndryshe në Berlin dhe Budapest, Lisbonë dhe Londër, ose Paris dhe Pragë105. Nën ombrellën simbolike të BE-së, ka fryma të ndryshme të së drejtës evropiane, fryma që u korrespondojnë sistemeve dhe kulturave ligjore e politike kombëtare. Ky ndërveprim i unitetit simbolik dhe i shumëllojshmërisë bën të pamundur që integrimi evropian të reduktohet në ligje, që kanë një frymë të vetme solide dhe që pushteti i integrimit të përbëjë identitetin kolektiv të një demosi evropian. Në Europë, fryma e përgjithshme e ligjeve mund të shfaqet vetëm si  një  shumëllojshmëri e frymëve të ndryshme të ligjeve dhe si një shumëllojshmëri e popujve të ndryshëm të Europës106. Prandaj pyetjet më të rëndësishme politike në nivel evropian janë: sa gjë e mirë është identiteti kur kemi një shkallë të gjerë unifikimi ekonomik, politik e kulturor të Europës dhe sa mund të vazhdohet me unifikim në Union, pa pushtetin demokratik kushtetues? Këto pyetje pasqyrojnë një problem të përgjithshëm të politikave evropiane, kryesisht atë që identiteti politik kolektiv evropian, bazuar në një identifikim kulturor të fuqishëm, shumë lehtë mund të bëhet një “gogol” i euroshovinizmit dhe i mendjeshkurtërve107, duke u fshehur pas formulës simbolike të popullit evropian si një komb politik.

Çfarë mund të konkludojmë atëherë?

- Asnjë akt karizmatik nuk mund të ketë fuqinë për të ndryshuar realitetin evropian. Kjo është njëlloj sikur qytetaria evropiane ta transformojë vetveten në një popull sovran, me pushtet simbolik dhe real së bashku, për të mbështetur krijimin e një autoriteti suprem, politik e legjislativ, në një Europë federale.

- Aspiratat globale të Europës nuk mund të realizohen thjesht duke ndërtuar identitetin  evropian si një formë të re të identitetit kombëtar modern dhe patriotizmit konstitucionalist. Bashkimi Evropian nuk mund të ndërtohet sipas një arkitekture politike dhe parimeve të shteteve kombëtare moderne.

- Integrimi evropian përfshin një aporia të çuditshme: nocioni tipik evropian  i  sovranitetit,  një  produkt  i  krijuar  prej  kohësh  në  historinëevropiane, në të cilën bashkohet kushtetuta e popullit me kushtetutën e shtetit, e tregon veten të paaplikueshëm edhe për vetë Europën108.

- Cila do të jetë shtetësia e popullit evropian? Ku do t’i përfitojnë shtetasit të drejtat?  Detyrimeve të kujt do t’i nënshtrohen ata? Po t’i referohemi Traktatit të Mastrihtit (neni 8) dhe nenit 10 të Projektkushtetutës evropiane, është e qartë se çdo qytetar i një shteti anëtar do të jetë shtetas i Bashkimit. Shtetësia e Bashkimit Evropian do të jetë një shtesë e shtetësisë kombëtare dhe nuk do ta zëvendësojë atë. Megjithëse shtetësia  kombëtare duket e paprekur, vihet re dukshëm se kjo klauzolë i bën qytetarët e  shteteve anëtare të BE-së subjekte të të drejtave dhe detyrimeve në nivel evropian. Por, gjithsesi, të gjitha të drejtat në nivel evropian, për qytetarët evropianë, garantohen vetëm nga fakti se kanë shtetësinë e një prej shteteve anëtare.

- Problemi  i  qytetarisë  përfshin  një  numër  të  madh  çështjesh,  si: kombësia,  sovraniteti, identiteti, të drejtat civile dhe konfliktet ndërmjet tyre. Identitetet  kombëtare  mund të mbijetojnë edhe pa sovranitetin e shteteve – kombe evropiane.

- Të drejtat politike janë të garantuara mbikombëtarisht, por të imponuara nga forca shtrënguese e shtetit kombëtar. Një kushtetutë de facto e shtetësisë (qytetarisë) evropiane  ka  ekzistuar prej kohësh, megjithëse në kushtet e mungesës së një debati demokratik në sferat publike evropiane. Kjo është një shtetësi (qytetari) pa komunitet109.

- Për pasojë, kombet evropiane nuk mund të jenë politike në sensin e një subjekti politik – trupi mitik i gatshëm për pushtet kushtetues. Megjithatë, nga ana e jashtme ose të paktën fiktivisht, një kushtetutë evropiane mund të imagjinohet si një kulturë politike e lirive civile dhe vlerave demokratike110. As kuptimi simbolik i qytetarisë dhe as  veprimi ligjor efektiv i saj nuk mund të sigurojnë unitetin në Bashkimin Evropian.  Qytetaria evropiane dhe kategori të tjera ligjore nuk mund të jenë thjesht subjekte të  etikës globale kozmopolite, ndërkohë që Bashkimi Evropian pretendon të jetë organizatë mbikombëtare pararojë e saj.

 

Marre nga  Revista Justiani I Pare  2008

Shënim I Stafit I DrejtesiaShqiptare.com:

E drejta e autorit mbetet i  autorit të punimit . Opinionet e shprehura  dhe studimet  juridike  e publikuara në këtë Website janë të autorëve përkatës  qe I kane shkruar ato. Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi në qoftë se  shkrimi është upload-uar pa lejen e autorit.Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi për pikëpamjet, vërtetësinë e informacionit që përmbajnë artikujt që publikon dhe shkeljet e se drejtës së autorit.Kushdo që ka ndonjë ankese  rreth  së  drejtës  së autorit ne publikimet e ketij website,  është I lutur  te dërgoje një email  tek kontakt@drejtesiashqiptare.com.  Ne do ta  shqyrtojmë me përgjegjesi ankesën dhe do ta heqim menjëherë shkrimin.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

four × three =

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Powered by WordPress | Designed by: Dog Groomer | Thanks to Assistant Manager Jobs, Translation Jobs and New York Singles