Mbrojtja E Te Miturve Dhe Parandalimi Kriminal I Tyre-Mevlut Derti

Sistemi i drejtësisë për të miturit duhet të mbrojë të drejtat dhe sigurinë e të miturve, si dhe mirëqënien e tyre fizike dhe mendore. Burgimi duhet përdorur si masë e fundit. Të miturve, duhet t’u hiqet liria vetëm në përputhje me parimet dhe procedurat e përcaktuara në këto Rregulla dhe në Rregullat e Standardeve Minimale të Kombeve të Bashkuara për Administrimin e Drejtësisë për të Miturit (Rregullat e Pekinit). Heqja e lirisë një të mituri duhet të jetë një masë e fundit dhe për një kohë sa më të shkurtër dhe duhet të kufizohet për raste të jashtëzakonshme. Kohëzgjatja e masës duhet përcaktuar nga një autoritet gjyqësor, pa përjashtuar mundësinë e lirimit të parakohshëm të tij ose të saj. Këto Rregulla kanë për qëllim të vendosin standarde minimale të pranuara nga Kombet e Bashkuara për mbrojtjen e të miturve, të cilëve u është hequr liria në të gjitha format, në përputhje me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe me qëllim që të neutralizojë efektet e dëmshme të të gjitha llojeve të ndalimit dhe për të inkurajuar integrimin në shoqëri. Këto Rregulla duhen zbatuar në mënyrë të paanshme, pa asnjë lloj diskriminimi për shkak të racës, ngjyrës, seksit, moshës, gjuhës, besimit fetar, kombësisë, bindjes politike apo rasteve të tjera, besimeve apo praktikave kulturore, pronës, statusit të lindjes apo atij familjar, origjinës etnike apo shoqërore dhe aftësisë së kufizuar. Besimet fetare apo kulturore, praktikat dhe konceptet morale të të miturve duhen respektuar dhe janë projektuar në mënyrë të tillë që të shërbejnë si standarte praktike referuese dhe për të inkurajuar e udhëzuar profesionistët që merren me menaxhimin e sistemit të drejtësisë për të mitur. Këto Rregulla duhet t’u jepen të gatshme personelit të drejtësisë për të mitur në gjuhën e tyre amtare. Të miturit që nuk e zotërojnë gjuhën e folur nga personeli i mjediseve të paraburgimit duhet të kenë të drejtën e shërbimeve falas të një përkthyesi kurdoherë që të jetë e nevojshme, në veçanti gjatë ekzaminimeve mjekësore dhe proceseve disiplinore.

Aty ku është e nevojshme, Shtetet duhet t’i përfshijnë këto Rregulla në legjislacionin e tyre ose ta ndryshojnë atë si duhet dhe të sigurojnë kompensimin e duhur për shkeljen e tyre, përfshirë kompensimin kur dëmtimet bien mbi të miturit. Gjithashtu, Shtetet duhet të monitorojnë zbatimin e këtyre Rregullave. Autoritetet kompetente duhet të përpiqen vazhdimisht të rrisin ndërgjegjësimin e publikut se kujdesi për të miturit e ndaluar, dhe përgatitja për kthimin e tyre në shoqëri është një shërbim shoqëror me rëndësi të madhe, dhe për këtë qëllim duhet të ndërmerren hapa aktivë për të nxitur kontaktet e hapura midis të miturve dhe komunitetit vendas. Asgjë në këto Rregulla nuk duhet interpretuar si diçka që përjashton zbatimin e instrumenteve dhe standardeve të Kombeve të Bashkuara dhe të të drejtave të njeriut, të njohura nga komuniteti ndërkombëtar, që ndikojnë për sigurimin e të drejtave, kujdesit dhe mbrojtjen e të miturve, fëmijëve dhe gjithe përsonave të rinj në moshë. Në rast se zbatimi praktik i Rregullave të veçanta të përfshira në seksionet II deri në V, përfshirë, paraqet ndonjë konflikt me Rregullat që përmban ky seksion, përputhja me këto të fundit do të konsiderohet si kërkesa mbizotëruese.

Heqja e lirisë duhet të bëhet në kushte dhe rrethana që sigurojnë respektimin e të drejtave të njeriut të të miturve. Të miturve që qëndrojnë në ambiente paraburgimi u duhet garantuar përfitimi i aktiviteteve dhe programeve kuptimplote, që do të shërbenin për të nxitur dhe ruajtur shëndetin dhe vetërespektin e tyre, për të nxitur ndjenjën e tyre të përgjegjësisë dhe për të inkurajuar ato qëndrime dhe aftësi, që do t’i ndihmonin ata në zhvillimin e potencialit të tyre si anëtarë të shoqërisë.Të miturve, të cilëve u është hequr liria, nuk do t’u mohohen, për asnjë arsye që lidhet me statusin e tyre, të drejtat civile, ekonomike, politike, sociale apo kulturore, të cilat ata i gëzojnë me ligj vendas apo ndërkombëtar dhe që janë të pajtueshme me heqjen e lirisë. Mbrojtja e të drejtave individuale të të miturve përsa i përket sidomos ligjshmërisë së zbatimit të masave të ndalimit sigurohet nga autoriteti kompetent, ndërsa objektivat e integrimit shoqëror duhet të sigurohen nga kontrollet sistematike dhe mjete të tjera kontrolli, sipas standardeve ndërkombëtare, ligjeve dhe rregulloreve vendase, nga një organ i autorizuar për të vizituar të miturit dhe që nuk i përket mjedisit të paraburgimit. Rregullat janë të zbatueshme për të gjitha llojet e mjediseve të paraburgimit, në të cilat të miturve u hiqet liria. Seksionet I, II, IV, dhe V të këtyre Rregullave janë të zbatueshme për të gjitha ambientet e paraburgimit dhe institucioneve, në të cilat mbahen të miturit,

Të miturit nën Arrest ose në pritje të Gjykimit. Të miturit që mbahen të ndaluar nën arrest apo që presin gjykimin prezumohen të pafajshëm dhe trajtohen si të tillë. Arrestimi / ndalimi para gjyqit shmanget aq sa është e mundur dhe kufizohet në rrethana të jashtëzakonshme. Prandaj, bëhen të gjitha përpjekjet për të zbatuar masa alternative. Megjithatë, kur përdoret ndalimi parandalues, gjykatat e të miturve dhe organet hetuese i japin përparësi më të madhe procedimit të përshpejtuar të këtyre rasteve për të siguruar kohëzgjatjen më të shkurtër të mundshme të paraburgimit. Të ndaluarit, që nuk kanë dala akoma para gjyqit, duhet të veçohen nga të miturit që kanë marrë dënimin. Kushtet, në të cilat ndalohet një i mitur, duhet të jenë në përputhje me rregullat e përcaktuar më poshtë, me dispozita të veçanta kur është e nevojshme apo e duhur, duke pasur parasysh kërkesat e prezumimit të pafajësisë, kohëzgjatjen e ndalimit/detention, statusin ligjor dhe rrethanat e të miturit. Këto dispozita do të përfshinin, po jo domosdoshmërisht kufizoheshin në:

a). Të miturit duhet të kenë të drejtën e këshillimit ligjor dhe u krijohet mundësia për të kërkuar ndihmë ligjore falas, aty ku një ndihmë e tillë është e disponueshme, si dhe të komunikimit sistematik me këshilltarët e tyre ligjorë. Jeta private dhe konfidencialiteti duhet të garantohen për një komunikim të tillë;

b). Të miturve duhet t’u sigurohen, aty ku është e mundur, mundësitë për të punuar, me shpërblim, dhe për të vazhduar shkollën ose trajnimin, por nuk u duhet vënë kusht që ta bëjnë një gjë të tillë. Puna, arsimi apo trajnimi nuk duhet të bëhen shkak për vazhdimin e ndalimit;

c). Të miturve duhet t’u jepen dhe të kenë mundësi të ruajnë materiale për kohën e tyre të lirë në përputhje me interesat e vënies të drejtësisë.

Rreziku tek të rinjtë për “prekje nga kriminaliteti” ndërsa mbahen në paraburgim gjatë kohës së gjykimit nuk duhet nënvlerësuar. Prandaj, ka rëndësi të theksohet nevoja për masa alternative. Të miturit që mbahen në paraburgim gjatë gjykimit kanë të gjitha të drejtat dhe garancitë e parashikuara në Rregullat Standarte Minimale për Trajtimin e të Burgosurve, si dhe në Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike, veçanërisht në nenet 9 dhe 10, paragrafi 2 (b) dhe 3. Dënimi me burg i të paraburgosurve duhet të përdoret si një mjet i fundit dhe për kohën më të shkurtër të mundshme. Ku është e mundur, ky lloj gjykimi duhet të zëvendësohet nga masa alternative, si p.sh. mbikqyrja nga afër, përkujdesi intensiv ose sistemimi në një familje ose institucion edukimi apo shtëpi. Të miturve që mbahen në paraburgim gjatë gjykimit u duhen garantuar të gjitha të drejtat dhe garancitë e Rregullave Standarte Minimale për Trajtimin e të Burgosurve të miratuar nga Kombet e Bashkuara. Të miturit që mbahen në paraburgim gjatë gjykimit duhet të mbahen të veçuar nga të rriturit dhe duhet të mbahen gjithashtu në institucione të veçanta ose në pjesë të veçuara të institucionit ku mbahen edhe të rriturit. Ndërsa mbahen nën mbikqyrje, të rinjtë duhet të përfitojnë përkujdesje, mbrojtje dhe gjithë ndihmën e nevojshme individuale, arsimore, profesionale, psikologjike, mjekësore dhe fizike që mund të kërkojnë nisur nga mosha që kanë, gjinia dhe personaliteti.

Parandalimi i kriminalitetit tek të miturit është një pjesë thelbësore e parandalimit të krimit në shoqëri. Duke u përfshirë në veprimtari të ligjshme dhe shoqërisht të dobishme dhe duke treguar një prirje humaniste ndaj shoqërisë dhe pikëpamjeje ndaj jetës, të rinjtë mund të zhvillojnë qëndrime jo kriminogjene. Parandalimi i suksesshëm i kriminalitetit tek të rinjtë kërkon përpjekje prej gjithë shoqërisë për të siguruar zhvillimin harmonik të adoleshentëve, duke respektuar dhe nxitur zhvillimin e personalitetit të tyre që nga fëmijëria e hershme. Për qëllime të interpretimit të këtyre Direktivave, duhet ndjekur një prirje, e cila e vendos fëmijën në qendër. Të rinjtë duhet të luajnë një rol aktiv dhe bashkëpunues në shoqëri dhe nuk duhet të trajtohen thjesht si objekte të shoqërizimit apo kontrollit. Për zbatimin e këtyre Direktivave, në përputhje me sistemet ligjore kombëtare, mirëqenia e të rinjve që nga fëmijëria e hershme duhet të jetë fokusi i çdo programi parandalues. Nevoja dhe rëndësia për një politikë të përshkallëzuar parandaluese të kriminalitetit dhe studimi i rregullt e përpunimi i masave duhet të merren në parasysh. Kjo politikë duhet të mënjanojë kriminalizimin dhe penalizmin e një të mituri për sjellje që nuk shkaktojnë dëme të rënda për zhvillimin e të miturit ose dëmtojnë të tjerët. Kjo politikë dhe këto masa duhet të përfshijnë:

a). Parashikimin e mundësive, veçanërisht të mundësive të arsimimit, për të përmbushur nevojat e ndryshme të të rinjve dhe për të shërbyer si struktura mbështetëse për mbrojtjen e zhvillimit individual të të gjithë të rinjve, veçanërisht të atyre që rrezikohen në mënyrë të dukshme apo janë të rrezikuar nga shoqëria dhe kanë nevojë për përkujdesje dhe mbrojtje.

b). Filozofi të specializuara dhe qëndrime për parandalimin e kriminalitetit, në bazë të legjislacionit, proceseve, institucioneve, mjeteve dhe një rrjeti shpërndarës të shërbimeve kishin si qëllim zvogëlimin e motivimit, nevojës dhe mundësisë, ose kushteve që çonin në konsumim veprash kriminale apo shkelje;

c). Ndërhyrje zyrtare për t’u ndjekur fillimisht në interesin e gjithanshëm të të rinjve dhe të udhëhiqet nga drejtësia dhe barazia;

d). Mbrojtjen e mirëqenies, zhvillimit, të drejtave dhe interesave të të gjithë të rinjve;

e). Marrjen në konsideratë se sjellja e të miturve ose qëndrimi nga ana e tyre që nuk është në përputhje me të gjitha rregullat dhe vlerat shoqërore është shpesh pjesë e procesit të rritjes dhe pjekurisë dhe përpiqet të zhduket vetvetiu në shumicën e personave gjatë kalimit në adoleshencë;

f ). Ndërgjegjësimin, se mendimi mbizotërues i ekspertëve, që etiketon një të mitur si “shmangës”, ose “para-kriminel” shpesh ndihmon në formimin e një modeli të qëndrueshëm të sjelljes së padëshiruar nga të rinjtë.

Plane gjithpërfshirëse të parandalimit duhet të hartohen në çdo nivel qeverisës dhe të përfshijnë si vijon:

a). Analiza të thelluara të problemit dhe krijim programesh, shërbimesh, lehtësirash dhe burimesh të mundshme;

b). Përgjegjësi të përcaktuara saktë për agjencitë, institucionet dhe personelin e kualifikuar që përfshihet në përpjekjet parandaluese;

c). Mekanizma për një koordinim të përshtatshëm të përpjekjeve për parandalim ndërmjet agjencive shtetërore dhe jo-shtetërore;

d). Politika, programe dhe strategji bazuar në studimet parashikuese për t’u mbikqyrur në vazhdimësi dhe për t’u vlerësuar me kujdes përgjatë zbatimit;

e). Metoda për të zvogëluar me efektivitet mundësinë e kryerjes së akteve kriminale;

f). Përfshirje të bashkësisë përmes një rrjeti të zgjeruar shërbimesh dhe programesh;

g). Bashkëpunim të ngushtë ndërdisiplinor ndërmjet qeverisjeve kombëtare, shtetërore, rajonale, vendore me përfshirjen e përfaqësimit qytetar të sektorit privat për t’i shërbyer bashkësisë dhe agjencive të punës, përkujdesjes për fëmijët, edukimit shëndetsor, shoqëror dhe agjencive të zbatimit të ligjit dhe gjyqësorit duke ndërmarrë veprime konkrete për parandalimin e kriminalitetit tek të miturit dhe të rinjtë;

h). Pjesëmarrja e të rinjve në parandalimin e kriminalitëtit, politikat dhe proceset, duke përfshirë orientimin ndaj burimeve të komunitetit, vetë-ndihmesa mes të rinjve, kompensimi i viktimave dhe programi i ndihmës;

i) Personel i specializuar në të gjitha shkallët

NGA :
Mevlut Derti

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

seven − 5 =

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Powered by WordPress | Designed by: Dog Groomer | Thanks to Assistant Manager Jobs, Translation Jobs and New York Singles