Kontrolli kushtetues i pajtueshmërisë së legjislacionit shqiptar me standardet e KEDNJ-Dr. Vladimir Kristo

Pas ratifikimit të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, në Shqipëri ndodhën ndryshime pozitive në rendin kushtetues  dhe ato,  hapën rrugën drejt forcimit të shtetit  ligjor. Më parë dispozitat kryesore kushtetuese dhe më pas Kushtetuta e vitit 1998, sanksionuan të drejtat dhe liritë themelore të individit dhe krijuan  mjetet  e nevojshme për të garantuar ushtrimin efektiv të tyre.Në këto  procese,  duke  zënë  një  vend  të  rëndësishëm,  u  përfshi  dhe Gjykata Kushtetuese. Kontrolli i pajtueshmërisë së legjislacionit me standardet e KEDNJ-së përbën detyrën parësore të Gjykatës Kushtetuese. Sipas nenit 131 të Kushtetutës,  GJK  vendos,   ndër  të  tjera,  “për  pajtueshmërinë  e  ligjit  me Kushtetutën ose me marrëveshjet  ndërkombëtare” (siç parashikohet në nenin 122). Në larminë e çështjeve të kontrollit kushtetues të legjislacionit, një vend të posaçëm zënë vendimet për çështje të respektimit të standardeve të të drejtave të njeriut siç parashikon KEDNJ. Nëpërmjet veprimtarisë vendimmarrëse, GJK ka dhënë kontribut të qenësishëm për rritjen e përgjegjësisë së institucioneve drejt përmbushjes, gjithnjë e më shumë, të standardeve evropiane për respektimin e të drejtave dhe lirive të individit. Kushtetuta dhe KEDNJ kanë kaq shumë pika takimi, sa që të arrish në përfundimin se një ligj është i papajtueshëm me Kushtetutën, pa hezitim mund të thuash se  ai  është i papajtueshëm edhe me standardet e KEDNJ-së. Megjithë përputhshmërinë,  njohja  dhe  reflektimi  me  standardet  e  KEDNJ-së  dhe  me jurisprudencën  e  Gjykatës   Europiane  të  të  Drejtave  të  Njeriut  përbën  një domosdoshmëri. Veçanërisht  jurisprudenca e GJEDNJ përbën një eksperiencë të çmuar për reflektimin dhe pasqyrimin  deri në perfeksion të standardeve të Konventës.Çështjet e kontrollit të pajtueshmërisë së ligjit me KEDNJ dhe me idetë udhërrëfyese të jurisprudencës së GJEDNJ kanë qenë dhe janë një proces sa delikat aq  dhe i rëndësishëme i veprimtarisë vendimmarrëse të GJK. Duhet të konsiderohet fakti, se Gjykatës i është dashur, përgjatë pak vitesh ekzistencë, të krijojë eksperiencën e saj dhe ta pasurojë atë gradualisht, gjë që nuk është bërë pa vështirësi e pengesa.

Në shumë raste, asaj i është dashur të çelë shtigje të reja,  të  krijojë  e  të  përsosë   jurisprudencën  si   garante   e  respektimit  të Kushtetutës, duke reaguar kundër çdo akti ligjor antikushtetues.Dhe tani më lejoni t’i referohem jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese për disa çështje të pajtueshmërisë së ligjit me Kushtetutën dhe me KEDNJ-në.

 

 

1. E drejta e jetës dhe respektimi i dinjitetit njerëzor.

Eshtë i njohur nga të gjithë vendimi nr. 65 datë 10.12.1999 i Gjykatës, me të cilin ajo  deklaroi si të papajtueshëm me Kushtetutën dënimin me vdekje në kohë  paqeje  që  parashikohej  në  dispozitat  e  Kodit  Penal.  GJK  arsyeton  në vendim, se dënimi me vdekje, “… i analizuar sipas frymës së Kushtetutës dhe të KEDNJ, është i papajtueshëm me thelbin e këtyre të drejtave dhe lirive. Ai është mohim i të drejtës për jetën dhe përbën në vetvete një dënim çnjerëzor e mizor, që shteti e realizon me anë të pushtetit gjyqësor të tij. Dënimi kapital nuk ka të bëjë me kufizimin, por me eliminimin përfundimisht të subjektit nga  shoqëria.” Mbështetur në nenin 17, pika 2 të Kushtetutës, që nuk lejon për asnjë rast, kufizime të lirive dhe të drejtave të njeriut që mund të tejkalojnë kufizimet e parashikuara  në  KEDNJ,  GJK  arriti  në  përfundimin,  se  dënimi  me  vdekje përbënte tejkalim të frymës së Kushtetutës dhe KEDNJ. Ka qenë ky, vendimi që i hapi rrugën procedurave të ratifikimit të Protokollit shtesë nr. 6 të KEDNJ, gjë të cilën  Shqipëria  ishte  angazhuar  ta  realizonte  brenda  një  afati  trevjeçar  pas nënshkrimit të saj. Deklarimi  antikushtetues i dënimit me vdekje ishte, ndër të tjera, një konfirmim i vendosmërisë për të vënë në jetë KEDNJ. Për të arritur në këtë      përfundim, GJK   u       mbështet    edhe në      jurisprudencën    e           gjykatave kushtetuese të vendeve të tjera.

2. E drejta e ankimit ndaj vendimeve (neni 6, neni 13 i KEDNJ)

Në vendimin  nr.25  datë  13.02.2002,  GJK  ka  deklaruar  antikushtetues pikën  2  të  nenit  34  të  ligjit  nr.8737  datë  12.02.2001  “Për  organizimin  dhe funksionimin  e  Prokurorisë  në  RSH”,  sipas  të  cilit,  “dekreti  i  Presidentit  të Republikës për shkarkimin  nga detyra është i paankimueshëm”. GJK arsyeton, se “… e drejta e ankimit pranohet si  e  drejtë themelore nga KEDNJ  dhe se ushtrimi i kësaj të drejte është i pakufizuar”. Pika  2  e nenit 34 të ligjit, objekt kontrolli kushtetues, kishte vendosur kufizime lidhur me të drejtën e prokurorëve për tu ankuar ndaj vendimit të shkarkimit. GJK shprehet, se kufizimi i parashikuar me  ligj  kishte   tejkaluar   kufizimet   që  parashikon  KEDNJ   dhe  neni  17   i Kushtetutës. Pas këtij vendimi, ligjvënësi ka bërë ndryshimet e duhura, duke plotësuar dispozitën përkatëse në përputhje me përmbajtjen e këtij  vendimi.Në frymën e zbatimit  të jurisprudencës  së GJEDNJ,  GJK ka tërhequr vëmendjen, se KEDNJ vendos standardet dhe jep garancitë e domosdoshme, të cilave duhet  t’u përmbahet çdo shtet kontraktues për të realizuar procesin e rregullt ligjor,  por ajo  nuk  tregon rrethin e personave  që përfitojnë prej tyre. Gjykata Kushtetuese “… çmon se procesi i rregullt  ligjor zbatohet për të gjitha konfliktet që janë vendimtare për pozicionin juridik të një personi, qoftë edhe kur ky është funksionar publik”.  GJK ka vërejtur, se e drejta e individit për një proces të rregullt ligjor nuk kufizohet vetëm me procesin gjyqësor, por edhe në atë mekarakter disiplinor administrativ1. Në këtë rast, GJK i referohet vlerësimeve që ka dhënë në një vendim të mëparshëm  lidhur me kuptimin e të drejtës për një proces të rregullt duke arsyetuar se “… njohja paraprake e personit, ndaj të cilit kërkohet marrja e  masës së shkarkimit, me materialet që e ngarkojnë atë me përgjegjësi, respektimi i të drejtës për t’u dëgjuar e mbrojtur … përbëjnë disa nga elementet bazë që garantojnë të drejtën kushtetuese për një proces të rregullt..” dhe, se mosrespektimi i tyre përbën shkelje të Kushtetutës dhe të KEDNJ.2Në kontrollin kushtetues që ajo u ka bërë disa dispozitave të ligjit nr.7928 datë 27.04.1995 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, GJK ka zbërthyer mirë dhe në detaje, mbështetur dhe në praktikën e GJEDNJ, kuptimin dhe fushën e zbatimit të së drejtës së  ankimit, në të cilin ajo ka saktësuar, se “… e drejta e ankimit presupozon të drejtën e qytetarit për t’iu drejtuar një organi më të lartë shtetëror, shqyrtimin  e  ankimit,  ekzistencën  e  organit  për  shqyrtimin  e  ankimit,  afatet optimale      të       shqyrtimit, shqyrtimin  objektiv,      kontrollin    gjyqësor      si       kontroll përfundimtar ndaj ankimit   dhe garanci për rehabilitim të mundshëm si pasojë e pranimit të ankimit.”Në vendimin nr.15 datë 17.04.2003, duke deklaruar se  shtesa e bërë në një dispozitë të Kodit të Procedurës Penale është në kundërshtim me nenin 17 të Kushtetutës  dhe  me kufizimet e parashikuara në KEDNJ, GJK konkludon, se personit të pandehur i  cenohet e drejta e ankimit në rast se kërkohet që akti i përfaqësimit  të  lëshohej  vetëm  prej  tij.  Respektimi  i  të  drejtës  së  mbrojtjes përbën kriter të rëndësishëm për të çmuar nëse ligji procedural  është ose jo i pajtueshëm me Kushtetutën dhe me standardet e KEDNJ.Duke rrëzuar kërkesën e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, sipas së cilës duhen   deklaruar  në  kundërshtim4     me  Kushtetutën  dispozitat  e  K.Pr.P.  që përcaktojnë  detyrimin  për  t’u  mbrojtur  me  avokat  kur  çështja  shqyrtohet  në Gjykatën e Lartë, GJK i referohet jurisprudencës së GJEDNJ5, në të cilën është konsoliduar  pikëpamja,  se  merr  rëndësi  të  veçantë  për  interesat  e  individit, garantimi  i  karakterit  efikas  dhe  cilësor  të  mbrojtjes,  veçanërisht  në  çështje penale. Sipas kësaj jurisprudence del, se për të konkluduar nëse procesi ka qenë i drejtë ose jo, siç  përcaktohet në nenin 6 të KEDNJ, është e nevojshme që analiza të jetë e gjithanshme, të përfshijë të gjitha shkallët e gjykimit të çështjes.

 

 

3. Liria e veprimtarisë ekonomike private, liria e profesionit

Në vendimin nr.30, datë 11.07.2006. GJK pasi analizon përmbajtjen e nenit 49  të  Kushtetutës me frymën e qëndrimeve  të mbajtuara nga GJEDNJ thekson, se  përcaktimi  i dhënë me Kushtetutë i të drejtës për punë përmban “…një detyrim pozitv që  kërkon një angazhim shtetëror për të krijuar kushte të përshtatshme për realizimin e kësaj të drejte….dhe një detyrim negativ që kërkon mosndërhyrjen e shtetit për të cenuar këtë të drejtë”6.Duke  deklaruar   antikushtetutshmërinë   e   vendimeve   të   KM,   objekt kontrolli,  GJK  ka  evidentuar  “…  jo  vetëm  faktin  se  ato  kanë  efekt  edhe  për marrëdhëniet e punës të krijuara më parë, por edhe për shkak të mosrespektimit të parimit të proporcionalitetit …”, parim që është lëvruar në gjithë gjerësinë e tij nga praktika e GJEDNJ. Me këtë rast, GJK ka analizuar elementet përbërës të këtij parimi që duhen marrë në konsideratë nga organet shtetërore.Në të  njëjtin  vendim,  duke  rrëzuar  pretendimin  e  kërkuesit  lidhur  me interpretimin e zgjeruar që ai i ka bërë togfjalëshit “vetëm me ligj” për kufizimet që mund t’u bëhen të drejtave dhe lirive të parashikuara në Kushtetutë (neni 17), GJK ka vërejtur me maturi, se “një interpretim i tillë i normave kushtetuese mund të  lejohet  vetëm  në  aspektin  pozitiv,  kur  ky  interpretim  shkon  në  favor  të mbrojtjes  së  të  drejtave  dhe  jo  e   kundërta  siç  ka  ndodhur  në  rastin  qëshqyrtohet.”7

4. Pavarësia e gjykatës dhe e gjyqtarit, masat disiplinore ndaj gjyqtarit

KEDNJ nuk parashikon shprehimisht të drejta dhe garanci për ushtrimin e detyrës  së  gjyqtarit. Megjithatë, në shqyrtimin e disa çështjeve, GJK ka bërë vlerësime për pozitën e gjyqtarit duke marrë shkas nga formulimi i nenit 6.1, të KEDNJ, i cili sanksionon   të drejtën e individit që çështja e tij të shqyrtohet “…

nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e njohur me ligj, …”. Në veprimtarinë vendimmarrëse  të  saj,  GJK  u  është  referuar  rekomandimeve  të  Komitetit  të Ministrave  të  Këshillit të Evropës si dhe deklaratave të Këshillit Konsultativ të Gjyqtarëve Evropianë,  lidhur me pozitën e gjyqtarit dhe parimet themelore të statusit të tij. Në vendimin nr.11 datë 27.05.2004, duke rrëzuar kërkesën për të deklaruar antikushtetues  disa dispozita  të  ligjit  nr.8678  datë 14.05.2001 “Për organizimin e Ministrisë së Drejtësisë” dhe të ligjit nr. 8811 datë 17.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”, GJK ngulmon në kuptimin e gjithanshëm të rregullimit të bërë në nenin 145 të  Kushtetutës  ku thuhet, se gjyqtarët   janë të pavarur dhe i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve. Mbështetur në dokumentet e lartpërmendura, GJK vëren se “… asnjë pushtet  tjetër  nuk  mund  të  funksionojë  si  gjykatë  ose  të  ushtrojë  detyrën  e gjyqtarit, … askush  nuk mund të ndërhyjë në dhënien e drejtësisë dhe se … askujt nuk i lejohet të vërë në diskutim njohjen dhe vlerën e vendimeve gjyqësore

ose të refuzojë ekzekutimin e tyre pasi ato kanë marrë formë të prerë.” Ndërsa, në vendimin nr. 18 datë 14.05.2003, “Për komisionet hetimore”, GJK  tërheq  vëmendjen për domosdoshmërinë e respektimit të pavarësisë  së gjykatave dhe gjyqtarëve. GJK çmon që raporti përfundimtar i komisionit hetimor duhet  të  shmangë  rrezikun  e  ndikimit  që  mund  të  ushtrojë  në  dhënien  edrejtësisë nga gjykatat. Këto të fundit, mund  të ndikohen  nga  përfundimet  e nxjerra në raportin përfundimtar të hetimit parlamentar.Mbështetur në jurisprudencën e saj, GJK ka konkluduar, se dispozita e ligjit  për “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në RSH” që parashikon masën e shkarkimit të gjyqtarit  për shkelje të disiplinës është e papajtueshme me nenin 147, pika 6, e Kushtetutës. Ajo çmon, se “shkarkimi nga detyra i gjyqtarit, e drejta e ankimit ndaj këtij vendimi si edhe organi që duhet ta marrë këtë në shqyrtim rregullohen  drejtpërdrejt  nga  Kushtetuta…”  dhe  kjo  përbën  shprehje  të  një garancie suplementare  që i jepet atij për të ushtruar misionin e ngarkuar në pavarësi dhe paanësi të plotë11.

5. E drejta respektimit të jetës private dhe familjare dhe e drejta për informim

Në disa raste, Gjykatës Kushtetuese i është nevojitur të vërë në balancë dy të  drejta, të sanksionuara në Kushtetutë dhe në KEDNJ dhe të përpunuara nga  jurisprudenca   e  GJEDNJ.  Në  vendimin  nr.16  datë  11.11.2004,  GJK arsyeton, se zgjidhja e çështjes plekset me atë të përcaktimit të raportit midis dy të drejtave, përkatësisht të drejtës për informim dhe të drejtës për respektimin e jetës private (privatësia), të cilat interferojnë njëra me tjetrën.  Gjykata thekson, se kufizimi i të drejtës së respektimit të jetës private në  formën e deklarimit të pasurisë  dhe  mosmarrja  paraprakisht  e  pëlqimit  për  publikim  të  të  dhënave vetjake të këtij lloji përbën masë të parashikuar me ligj dhe se ligjvënësi, e ka çmuar me të drejtë si masë të domosdoshme për të mbrojtur interesa publike me të mëdha të tilla si siguria kombëtare, mirëqenia  ekonomike e vendit, mbrojtja e rendit kushtetues,  parandalimi dhe ndëshkimi i veprave penale, mbrojta e lirisë së të tjerëve etj. Pasi pranon se të dhënat personale me karakter pasuror hyjnë në sferën e jetës private që mbrohen nga neni 35 i Kushtetutës dhe neni 8 i KEDNJ, Gjykata ka qenë në të njëjtën linjë arsyetimi me GJEDNJ duke vlerësuar, se ato nuk janë të dhëna “… me karakter  sensitiv…” dhe pra “… nuk përbëjnë thelbin e jetës private dhe familjare”. Gjykata shton se “… marzhi i vlerësimit në këtë rast është dhe duhet të jetë shumë më i gjerë dhe tolerues, pasi bëhet fjalë për persona të rëndësishëm publikë, të veshur me pushtet të  konsiderueshëm shtetëror”. Me këtë rast, GJK citon një argument nga jurisprudenca e GJEDNJ se, “publikimi i detajeve mbi të ardhurat ose pasurinë personale nuk përbën ndërhyrje në jetën private,  veçanërisht  nëse  personi  ushtron  funksione  publike  ose  pothuaj  se publike”.12  GJK ka argumentuar, se qëllimi i synuar ka justifikuar miratimin e ligjit objekt kontrolli, se mjetet e përdorura për arritjen e këtij qëllimi kanë qenë të ligjshme, se ligjvënësi ka treguar kujdes të respektojë parimin e proporcionalitetit duke balancuar të drejtën themelore për informim me detyrimin që kanë organet shtetërore për respektim të jetës private.

6. E drejta respektimit të pronës private (n. 41.1 i Kushtetutës, n.1 Protokolli 1 I KEDNJ)

Në disa çështje, janë bërë objekt kontrolli kushtetues kërkesa që ngrenë pretendime për respektim të standardeve të procesit të rregullt ligjor në fushën e mbrojtjes së  pronës në legjislacionin shqiptar. Duke iu referuar arritjeve më të mira të jurisprudencës në këtë fushë, GJK i është përmbajtur vlerësimit të bërë nga GJEDNJ, sipas së cilës, “E drejta e pronës nuk njejtësohet me të drejtën e kthimit të saj” dhe se kjo “… përbën kuptimin e nenit 1 të Protokollit 1 të KEDNJ, i cili mbron vetëm zotërimet ekzistuese të individit dhe nuk garanton të drejtën e fitimit të zotërimeve”. GJK ka vënë në dukje, se jurisprudenca  evropiane për çështje  të  tilla  “…  i  përmbahet  qëndrimit  se  nuk  përbën  pasuri  bindja  për ekzistencën e të drejtës së pronësisë, e cila për një kohë të gjatë nuk është shfrytëzuar në mënyrë të efektshme.Ky nen i Konventës, garanton të drejtën e gjithsecilit për gëzimin në mënyrë paqësore   të   pasurive  të  tij,  që  rrjedhimisht  përdoret  vetëm  për  pasuritë ekzistuese  të  personit.14    Në kuptim  të  kësaj  dispozite,  mbrojtja  që  garanton KEDNJ  shtrihet   për   pasuri   që   janë   kthyer   në   mënyrë   përfundimtare   si administrativisht ashtu edhe gjyqësisht dhe se pas kësaj, çdo ndërhyrje që prek padrejtësisht këtë pasuri i jep shkas kërkesës për zbatim të nenit 1, Protokollit 1 i KEDNJ.15

7. E drejta e rehabilitimit dhe e zhdëmtimit për vendimet e padrejta

Në vendimin nr. 34 datë 20.12.2005, GJK ka vlerësuar si antikushtetues nenin 1 të ligjit nr.9260 datë 15.07.2004 “Për statusin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”. Në pjesën arsyetuese të vendimit, GJK është mbështetur në jurisprudencën e gjykatave kushtetuese të disa vendeve që përjetuan regjimin komunist  të  persekutimit  të  kundërshtarëve  politikë.  Kështu,  ajo  pranon,  se “Shteti demokratik i dëmshpërblen e kompenson këta persona sipas kushteve e mundësive  ekonomike  e  financiare,  duke  u  bazuar  kryesisht  në  parimet  e rëndësishme të drejtësisë dhe të barazisë”16, dhe duke bërë këtë, ajo arrin në të njëjtin përfundim si edhe GJK e Hungarisë në shqyrtimin që kjo i ka bërë një çështje me natyrë të ngjashme.Për shkak të kohës së kufizuar ne trajtuam vetëm disa nga çështjet e jurisprudencës  së  GJK.   Pjesë   e  kësaj   jurisprudence   janë  dhe  vendimet interpretuese   të  saj.  Studimi  i  këtyre  vendimeve  tregon  se  trajtesat  dhe arsyetimet  e  sjella  në  to  janë  mbështetur  në  standardet  e  KEDNJ  dhe  në jurisprudencën e gjykatave kushtetuese të vendeve  evropiane.Njëherësh, Gjykata Kushtetuese ndjek hap pas hapi zhvillimet më të fundit të   jurisprudencës  të  GJEDNJ  për  procesin  e  rregullt  dhe  veçanërisht,  të çështjeve me  kërkues  nga vendi ynë. Mbështetur në këto zhvillime,  GJK  ka pranuar, kur ka qenë rasti,  kërkesat e individëve për shkelje të standardeve të procesit të rregullt ligjor dhe ka shfuqizuar vendimet përkatëse të gjykatave ose të organeve shtetërore. Pa folur për ndikimin që kjo ushtron në jurisprudencën e vet, GJK ka shërbyer si “filtër” për të riparuar  shkeljet nëpërmjet  shfrytëzimit efikas të mjeteve të brendshme të kontrollit për të  përmbushur  standardet  e KEDNJ. Nga ana tjetër, kjo jurisprudencë i ka shërbyer asaj të njohë e të zbatojë më mirë, në shtrirje dhe në përmbajtje, standardet e KEDNJ për  procesin e rregullt ligjor në veprimtarinë e saj vendimmarrëse. Po citoj si shembull çështjen Qufaj  kundër  Shqipërisë,  në  të  cilën  GJEDNJ  theksoi,  se  mos  ekzekutimi  i vendimeve  civile përbën shkelje të standardeve të procesit të rregullt ligjor në kuptimin e nenit 6§1 të Konventës, gjë të cilën GJK e kishte konsideruar më parë kompetencë ekskluzive të gjykatave të zakonshme. Pak kohë pas vendimit për çështjen Qufaj, në vendimin nr. 2 datë 31.03.2006, GJK çmoi se ankuesit i është cenuar  e  drejta   kushtetuese   për  proces  të   rregullt  ligjor,  për  shkak  të mosekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë dhënë në favor të tij. Me këtë vendim,  GjK jo vetëm pasuroi  jurisprudencën  e vet, por ajo  sensibilizoi mjedisin juridik, gjyqtarë, avokatë etj. për rëndësinë që merr ekzekutimi pa asnjë ekuivok dhe pa vonesë i të drejtës së fituar me vendim gjyqësor të formës së prerë.  Mosveprimi  për  të  ekzekutuar  një  të  drejtë  të  fituar  me  ligj  përbën gjithashtu shkelje të së drejtës për një proces të rregullt ligjor.E  njëjta  gjë  mund  të  thuhet  edhe  për  ndikimin  që  ka  ushtruar  ndaj veprimtarisë  vendimmarrëse  të  GJK  çështja  Balliu  kundër  Shqipërisë,  ku theksohet se “… autoritetet kompetente janë të detyruara të marrin masa për të siguruar se ankuesit gëzojnë efektivisht të drejtën e mbrojtjes.” Pas këtij vendimi,

 

 

 

GJK  është  kujdesur  të  shqyrtojë  me  këtë  frymë  çështjet  që  kanë  ngritur pretendime  për shkelje të së drejtës së mbrojtjes dhe, kur ka qenë rasti,           ka shfuqizuar vendimet përkatëse për shkelje të standardeve që parashikohen nga neni 6 i KEDNJdhe neni 42 i Kushtetutës.Së fundmi, pas paraqitjes të kësaj sinteze të jurisprudencës së GJK për çështje të kontrollit kushtetues të pajtueshmërisë së legjislacionit me standardet e KEDNJ-së, përfitoj nga rasti të trajtoj një problem, rëndësia e të cilit ka të bëjë me efektivitetin e veprimtarisë vendimmarrëse të Gjykatës Kushtetuese.Në       përputhje    me Kushtetutën, Gjykata           Kushtetuese         ka      vetëm kompetencën e shfuqizimit të akteve që shqyrton, pra, ajo vepron si ligjvënës negativ. Kjo do të thotë, se u takon organeve shtetërore përkatëse të plotësojnë boshllëkun ligjor që krijohet nga ky shfuqizim. Eksperienca 15 vjeçare e GJK ka treguar, se jo gjithnjë organet shtetërore veprojnë me shpejtësinë e duhur për të bërë plotësimet  e legjislacionit dhe  ç’është  më keq,  në raste të veçanta,  ky plotësim nuk ka qenë në përputhje të plotë me konkluzionet dhe përmbajtjen e vendimeve të GJK.Eshtë  e  kuptueshme  se  legjislacioni  që  bie  ndesh  me  standardet  e KEDNJ-së cenon rëndë si të drejtat e njeriut, ashtu edhe interesat e shtetit të së drejtës. Sa më shumë të zgjasë zbatimi i një ligji antikushtetues aq më shumë do të cenohen këto interesa dhe aq më të rënda do të jenë pasojat që mund të vijnë, të cilat nuk mund të  riparohen nga GJK edhe në rastet kur ligji shfuqizohet. Eksperienca e këtyre viteve  tregon, se Gjykatës Kushtetuese i duhet të jetë e vëmendshme  për  të  zbatuar,  kur  është  rasti,  kompetencën e  saj  ligjore  të pezullimit të zbatimit të aktit normativ. Zbatimi i kësaj kompetence, ndryshe nga sa ka ndodhur në ndonjë rast, detyron organet shtetërore kompetente, të marrin urgjentisht masa për për ndërprerjen e gjendjes së paligjshmërisë në funksion të mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave themelore të shtetasve dhe të interesave madhore të shtetit shqiptar që aspiron  të integrohet sa më parë në strukturat euroatlantike.

 

Marre nga  Faqja http://www.gjk.gov.al

Shënim I Stafit I DrejtesiaShqiptare.com:

E drejta e autorit mbetet i  autorit të punimit . Opinionet e shprehura  dhe studimet  juridike  e publikuara në këtë Website janë të autorëve përkatës  qe I kane shkruar ato. Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi në qoftë se  shkrimi është upload-uar pa lejen e autorit.Ne nuk pranojmë asnjë përgjegjësi për pikëpamjet, vërtetësinë e informacionit që përmbajnë artikujt që publikon dhe shkeljet e se drejtës së autorit.Kushdo që ka ndonjë ankese  rreth  së  drejtës  së autorit ne publikimet e ketij website,  është I lutur  te dërgoje një email  tek kontakt@drejtesiashqiptare.com.  Ne do ta  shqyrtojmë me përgjegjesi ankesën dhe do ta heqim menjëherë shkrimin.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *


*

11 + fourteen =

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>

Powered by WordPress | Designed by: Dog Groomer | Thanks to Assistant Manager Jobs, Translation Jobs and New York Singles